F A Q E T

Samstag, 27. Juli 2013

Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja u lind më 9 mars1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur. Gjetjen e kanë cilësuar poet humanist.

Në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik "Rrezatim", pastaj erdhën gjashtë të tjerë: "Shqiponja rreh krahët" (1975), "Qëndresa" (1977), "E përditshme" (1982), "Çaste" (1984), "Poezi" (1987), "Kthimet" (1991) dhe "Dhjata ime" (1998). Poeti Ndoc Gjetja u nda nga jeta më 7 qershor 2010.



Poezi nga Ndoc Gjetja


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.
Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.


EPITAF PER VETEN

Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke

Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.


LUTJE

O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.


DESHA

Desha të hyj në zemrën tënde.
U kërrusa, u kërrusa
u bëra lëmsh sa një top

por, prapë, e dashur
zemra jote nuk më nxuri dot.

Ndoshta dhe mund të hyja,
por të them të vërtetën
i krrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.

Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër! Më tepër!
Dhe në qoftë se më nxe
do të hyj patjetër.



LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
e ngjitëm fronin me anë të puthjes
s’pushtuam askënd veç njëri – tjetrit
asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

Ne s’kemi nevojë për kushtetutë
në marrdhëniet tona sundon kaosi
nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në çrregullim të plotë
por çasti i rënies s’do jetë i rëndë

do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.



DASHURISË

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c'të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s'jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër...
në atë vend ku ti mungon!



EMRAVE

Pa ju ne jemi gjysma njerzish
se ju për ne jeni gjysma tjetër
Tek dashuria bëhemi të plotë
as të mangët e as të tepërt

Sikur të dija të thurja sentenca
ashtu siç fatmirësisht bën Saadiu
Juve do tju jepja metaforën Vreshta
Për vete metaforën shiu.


PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madherishmja, me hyjnorja
puthja

ka mbetur ilegale.



NJË HESHTJE E BUKUR

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë

dyfish e gjallë.



ENDERR

Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.

Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene

Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete veç ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.





KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.



AH!
Ah, të kishim gëzime sa kemi partira,
të kisha dhoma sa kemi ministra,
të kisha shokë sa kemi shefa,
të kisha miq sa kemi gazeta,
të kisha mikesha sa kemi vetura,
ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
të kishim njerëz sa kemi banorë
veç qiellin lart të kishim epror.


CURRICULUM
Është qytetar i Republikës së Dreqistanit
i cili pati arritur t’i mund me radhë
të gjitha ngasjet që i vijnë në jetë njeriut
nga tulet e grave dhe paratë e pista.

Ai qysh në rininë e tij të hershme
pati ëndërruar të bëhet një ditë apostull,
por mbeti një prift i thjeshtë province
se ferra ia mori një ditë uratën.

Sot i mbështjellur me muzgun e pleqërisë
mban në dorë penën që e puth si kryqin
sa herë çon meshë për ju dhe veten
në Kishën Apostolike të Poezisë.
YLLI IM NUK NDIZET MË

O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë!
Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh,
ti më ktheve shumë prapa në kohë
ti më zbrite një tridhjetëvjetsh.

Në vitin kur ti ke ardhur në jetë
në botën time sapo hynte femra,
e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet
vogëlushja ime e madhe sa ëndrra?

Më kot shpenzova pas një Dulqinje
gjithë jetën time si Don Kishoti,
dhe tash më shfaqesh krejt papritur
si një tallje nga vetë Zoti.

Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër,
humbas në qiellin magjik të syve
dhe befas përmendem e bie ashpër
te rëndomësitë e jetës sime.

Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
se ylli im nuk ndizet më
me muzgun e moshës jam mbështjellë
dhe ndihem i lodhur e dua... të flë.




FUNDI I PRITJES

Të shtunën piva shtatë kokrra valium
që të zgjohem vetëm të hënën,
se desha të dielën pa ty ta humb
për ta kaluar sikur s’ka qenë.
Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi
e vonoi të ikë gati një shekull.
Si të shpëtoj tani i shkreti
nga kjo torturë që quhet Nesër?

Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua
si oktapod me këmbë të ngrira
ah, pres të më vijë e mërkura
të më clirohet pakëz fryma.

E mërkura më erdhi e iku
më gjeti e më la pa ty,
e enjtja zvarritej porsi kërmilli
e premtja më solli vetëm shi.

Edhe e shtuna m’u var në shpirt
si një kornizë pa pikturë,
shpresës që ti do vish një ditë
tani po i vë përsipër një gur.


KATËR QIRINJ

Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur
për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie
më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël
përpara altarit të shenjtë të zemrës sime.

Të parin e ndeza për takimin tonë të parë,
të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje,
të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes
në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve.

Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur
sepse ndoshta gabimisht u deshëm
ose ndoshta gabimisht u ndamë
pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë.


INVERSIONE

Tani Penelopa nuk e pret Uliksin
as deri në të ngrysur të ditës
në një Ëeek End ajo luan bishtin
me të gjithë mëtonjësit dhe turistët.

Uliksi arriti në brigjet angleze
dhe s’do t’ia dijë nëse ka Itakë
Circja e bukur për vete s’e bëri
por një pronare e vyshkur, plakë.

Edhe i biri, Telemaku, bastardi
nuk e kërkoi deri në fund babanë,
një ditë prej ditësh iu ftoh krejt malli
kur takoi në rrugë Paranë.

Një fat më i mirë se ky s’i qeshi
as fisnikut dhe tersit Don Kishot,
të ëndërruarën e tij, Dulqinjën e gjeti
në lagjen Pigal, te një Seksshop.

Dhe Sanço Pançës gomari i ngordhi
gazetat dhanë lajmin që bleu një Benz
te një tavernë ka shtruar globin
kërkon ta futë të tërin në plënc.


POETI

Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri
Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi,
Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë
Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë.

Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje
Çizmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve,
Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë
Me prapanicën mbi karrigen e karrierës.

Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit
Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit,
Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë,
Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj.

Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet,
Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet,
Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë,
Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë.

Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy
Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty,
Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë,
Ai është ai që s’e dimë kush është.

PLEQËRISHTE

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.




Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen