F A Q E T

Samstag, 27. Juli 2013

Teodor Keko

Teodor Keko, lindi më 2 shtator të vitit 1958 në Tiranë. Prindërit e tij ishin regjisorët e kinematografisë Endri dhe Xhanfize Keko. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Në fillimet e tij punoi si gazetar në gazetën letrare “Drita”, dhe në gazetën e përditshme “Koha jonë”, më vonë ka punuar në gazetën “Aleanca” si redaktor. Për një periudhë kohe mbahet mend si pjestar i parlamentit shqiptar. Teodor Keko ka filluar publikimet e tij në vitin 1980 dhe është autor i 15 volumeve në: poezi, dramë, novelë si dhe veçanërisht i historive të shkurtra. Në vitin 1991 zgjidhet anėtar i këshillit botues të së parës gazetė opozitare në Shqipëri, gazetės “Rilindja Demokratike” dhe nė tė njėjtėn kohė deputet i Partisė Demokratike. Shkrimet e tij tė shumta gjatė kėtyre viteve nė gazetat “Rilindja Demokratike”, “Koha Jonė”, “Aleanca Demokratike”, “Poli i Qendrės”, “AKS”, “Albania” e “Korrieri” apo revistat “Spektėr” e “XXL” si dhe fjalimet e mbajtura nė parlamentin shqiptar gjatë dy legjislaturave që ai ishte deputet, shkrime e fjalime që kishin postulat kredon e tij “Ka ardhur demokracia dhe ne nuk jemi demokratė, apo nuk ka ardhur ende demokracia pėr ne demokratėt”…, mbeten edhe sot modele tė publicistikës dhe oratorisė si për guximin qytetar, thellėsinė e mendimit ashtu dhe pėr forcėn e fjalës. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpėrdrejtė dhe vendos tė kontribuojė si intelektual, pėrmes fjalės nė shtypin e shkruar.  Angazhimet si qytetar, intelektual e publicist, nuk do ta shkëpusin nga letërsia, pasioni i vjetër. Pas botimit tė vëllimit tė parë me poezi nė vitin 1983, “Pas provimeve”, në harkun kohor tė 19 viteve, Teodor Keko do tė botojë 13 libra. Në vitin 1987 boton vëllimin poetik “Fjala fishkëllen”, nė 1990 poezitė “Zemra nuk është këmishë” dhe romanin “Loja”. Një vit mė pas vėllimin me tregime e novela “Lajmėtarja e vdekjeve”, nė 1994 romanin “Pretenca”, në 1995 romanin “Shënimet e një gruaje”, nė 1996 vėlimin poetik “Unė tė kam dashur, por…”, nė 1997 poemėn satirike “E tė tjera, e tė tjera…” dhe vėllimet me tregime e novela “Prostituta” e “12 shenjtore, njė profet dhe disa njerėz”, nė 1998 tregimet dhe novelat “Made in Albania” dhe nė 2002, po njė vėllim tė tillė tė quajtur “Hollėsira fatale”. Nė 20 gusht 2002, ndahet nga jeta pas një sëmundje tė rëndë në moshën 44-vjeçare. Deri nė fund të jetës ai mbeti një antikonformist, një intelektual me kontribut tė veçantė në proceset demokratike tė vendit dhe njė bohem i papėrsėritshėm.


Poezi nga Teodor Keko

HIJA IME

Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjith aq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,
Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë.

Një Zot i madh hija më duket
Tek pret me shpirtin tim të ngjallet,
Por pritja është e pafundme,
Me kohë ma morën shpirtin hallet.

Dhe lanë në zgavrën e kraharorit,
Veç mosbesimin dhe egërsinë.
Nga hija ime për fat të keq,
Sot diktatori mund të lindë.



SHI SHQIPTAR

Në xhama shi,
Në sy mjegull,
Në tela dridhet
Zemra e djegur

Në veshë zhurmë
Në gjoks bisturi,
Gjithshka e mjegullt,
në xhama shi.

Dashuria ime,
Flokë të zinj,
Lëkura e zeshkët,
Numuri i këmbës 37,
Si për të më kujtuar në butikët e Europës
Se unë i vdekur jam
Dhe të tjerët gjallë janë.
Dashuria ime,
Zeshkane…



TEJ BUKURISË

Mbas mjegullkës, detit, maleve, fushave,
Pas katedraleve ar e shkëlqim,
Është vendi im, i vogli fare,
I shtrirë, më këmbë, foshnje dhe trim.

I vogli fare me qiej të kaltër,
Lumej kokëfortë, detra si loti
Ku njerëzit flenë pa bërë kryqin
Dhe zgjohen duke thënë “Dhëntë Zoti…”

Askush atje s’di çfarë vjen nesër
Ku do të prehesh në shtrat a varr?
Dhe prapë unë endem kufomë në Londër,
Shekspirin shoh me mendjen larg.

Në kalendar kryqëzoj ditët,
Me ankth përgjoj si afron kthimi.
Të bëhem prapë njeri atje
Ku dihet fjetja, po s’dihet zgjimi.

Mbas mjegullës, mrekullisë, magjisë,
Është vendi im i vogël fare.
Si diamant që pres folklorin
Për ta magjepsur botën e madhe



PËRRALLË E TREGUAR ME ZË TË ULËT

Kur linda unë ishte vjeshtë,
Kur linde ti ishte pranverë,
Kish gjelbërim dhe shira kish,
Bollëk i madh, por prapë fatkeqë.

Të vegjël jemi o Martin,
Askush në botë s’na vështroi gjatë,
Me përkëdhelje dhe fodullëk,
Na vunë një emër REFUGJATË!

Ti asnjeriu mos i thuaj,
Që je fatkeq, që je jetim,
Bëj gati çantën, pak bukë, pak ujë,
Gjithë fati fati ynë është udhëtim.

Dhe kur të lodhesh mos kërko ndihmë,
Në tokë shtriu me qiell mbi sup,
Kur Zoti le një komb fatkeq
Është mirë të skuqet e të ketë turp.


KËNGA E NAIVIT

Mjerisht e varfër kjo njohja ime,
Fare pak gjëra paskam ditur,
Nëpër dekada, në kodra librash,
Ka mbetur prapë djali i mitur.

Shikoj tradhëtinë dhe e kuptoj
Kam mbetur në kokëtrashë i ngratë!
Gjithmonë më shfaqet me një fytyrë
Gjithmonë them “e hëngra prapë!”

Dhe bash atëherë më vjen ninulla
E nënës time mbi kokë:
Mbyll sytë o shpirt, mos u mendo,
Se je i pastër, s’je për këtë kohë



Poezia e fundit

Kur e di se do të vdesësh
pemët kanë më shumë lule

dhe me shumë yje qielli ka
më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit
që nuk e kuptojnë se hija e trupit të
tyre është vetë vdekja.

kur e di se do të vdesësh
toka është pjellore, si grua,
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u rrëzuar,
dhe njerëzit nuk lindin për t’u
bërë nesër të liq.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!
lulet lule do të jenë

dhe nuk do të
kundërmojnë me trishtim
dhe njerëzit do të kthehen më shpesh te
distributori i harruar
të furnizohen falas me besim….

Selanik, 26.5.2002

Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja

Ndoc Gjetja u lind më 9 mars1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës, por në Lezhë u vendos me familjen që kur ishte 7 vjeç. Shtegtoi drejt Tiranës në kohën kur krijimtaria e tij u bë e njohur. Gjetjen e kanë cilësuar poet humanist.

Në vitin 1971 kishte botuar vëllimin e parë poetik "Rrezatim", pastaj erdhën gjashtë të tjerë: "Shqiponja rreh krahët" (1975), "Qëndresa" (1977), "E përditshme" (1982), "Çaste" (1984), "Poezi" (1987), "Kthimet" (1991) dhe "Dhjata ime" (1998). Poeti Ndoc Gjetja u nda nga jeta më 7 qershor 2010.



Poezi nga Ndoc Gjetja


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Ne lezhe me trup dhe mendjen emigrante ne yje.
Profesioni:
Thures enderrash dhe mbrojtes besnik i tyre.
Gjendja civile:
Mbetje teknologjike e administrates shteterore
se nuk diti t'u jape perkuljet e duhura eproreve.
Gjatesia:
E majftueshme per te arritur nje dite mollen e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ndjenja, sa fjala e thene dhe e shkruar.
Shenja te vecanta:
Nje pentagram rrudhash me nota trishtimimi ne balle
dhe nje mjeker e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj.
Syte:
Kafe me nuanca te turbullta pasionesh te djegura.
Ngjyra:
E erret per fshehjene skuqjes nga faje te lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh ne diten e lindjes nga Nena.
Bindjet:
Njeriun ne jete e ben te lumtur vetem njeriu.
Antipatite:
Burrat me grada, grate me shume tule dhe miu.
Simpatite:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mances dhe Buda.
Frikerat:
Shendoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Ne kryqin e tij qe e mban perdite ne shpine.
Pasuria:
Drita e mendjes me te cilen fitoj varferine.


EPITAF PER VETEN

Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke

Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
zuri syte me dore dhe vendosi te ikte.

Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.

Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri "Nene"
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.


LUTJE

O Zot qe fatet tona ne dore i mbane
Na ruaj nga shendeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanco Pances
na ruaj nga hija e rende e fames
na ruaj nga faqeputhjet helmuese te Judes.
na ruaj nga orteku rrenimtare i turmes
na ruaj nga preardhja prej shimpanzese
na ruaj nga thyerja e timonit te krese.
na ruaj nga putra pushtetore e Njeshit
na ruaj nga engjejt,na ruaj nga dreqerit.
na ruaj perdite nga ftohja e miqesive
na ruaj o Zot secilin prej te gjitheve
une ruhem vete o Zot nga i ligu
por ti me ruaj nga shoku dhe miku.


DESHA

Desha të hyj në zemrën tënde.
U kërrusa, u kërrusa
u bëra lëmsh sa një top

por, prapë, e dashur
zemra jote nuk më nxuri dot.

Ndoshta dhe mund të hyja,
por të them të vërtetën
i krrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.

Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër! Më tepër!
Dhe në qoftë se më nxe
do të hyj patjetër.



LOJË DASHURIE

Ti je mbretëresha dhe unë jam mbreti
e ngjitëm fronin me anë të puthjes
s’pushtuam askënd veç njëri – tjetrit
asnjeri se ndjeu shijen e mundjes.

Ne s’kemi nevojë për kushtetutë
në marrdhëniet tona sundon kaosi
nën cipën e hollë të mirësjelljes së butë
tani bën ligjin vetëm Erosi.

Nuk di deri kur do mbahet në këmbë
mbretëria jonë në çrregullim të plotë
por çasti i rënies s’do jetë i rëndë

do biesh mbi mua që jam shtrirë përtokë.



DASHURISË

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c'të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s'jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav

Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër...
në atë vend ku ti mungon!



EMRAVE

Pa ju ne jemi gjysma njerzish
se ju për ne jeni gjysma tjetër
Tek dashuria bëhemi të plotë
as të mangët e as të tepërt

Sikur të dija të thurja sentenca
ashtu siç fatmirësisht bën Saadiu
Juve do tju jepja metaforën Vreshta
Për vete metaforën shiu.


PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madherishmja, me hyjnorja
puthja

ka mbetur ilegale.



NJË HESHTJE E BUKUR

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë

dyfish e gjallë.



ENDERR

Mjaft ndejtem shtrire ketu ne bar!
Mjaft u puthem e dhame perkedhelje!
Eja te hipim mbi ate re te bardhe
edhe te ikim nga kjo bote-lanete.

Do zbresim ne planetin me te afert
nuk prish pune pse je shtatzene
atje do lindim dy binjake
nje djale-yll e nje vajze-hene

Le te jete planeti pa nje frymor!
Te kete veç ujera, pyje, lendina
Me puthjet tona do krijojme
nje popull te madh sa Kina.





KUR FILLOVA NGA PAK TË VDISJA

Kur fillova nga pak të vdisja
mbaj mend, ka qenë e enjte
vetëm ty pranë të kisha
rrije në këmbë dhe heshtje.

Në sytë e tu binte borë,
në fytyrë të fryu Veriu,
unë te brinjët vura dorën
ndjeva zemrën që mërdhiu.

Mbaj mend si e hape derën
si e tërhoqe pas dhe ike,
në palcë të ëndrrës ndjeva therrje
që më vonë m’u bë kronike.

Që ta marr pakëz veten,
vazhdimisht më sjellin njerëzit
reçel të ëmbël buzëqeshjesh
dhe ca pako me ngushëllime.

Përherë i lë në tryezë pa hapur
kompostot me lëng entusiazmi,
e nuk i prek me dorë fare
pjatat plot me optimizëm.

Ah, e humba krejt oreksin
nga ky virus shpirtëror i dhembjes,
me zor flas e me zor qeshi
më kot rri në tryezë të jetës.



AH!
Ah, të kishim gëzime sa kemi partira,
të kisha dhoma sa kemi ministra,
të kisha shokë sa kemi shefa,
të kisha miq sa kemi gazeta,
të kisha mikesha sa kemi vetura,
ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
të kishim njerëz sa kemi banorë
veç qiellin lart të kishim epror.


CURRICULUM
Është qytetar i Republikës së Dreqistanit
i cili pati arritur t’i mund me radhë
të gjitha ngasjet që i vijnë në jetë njeriut
nga tulet e grave dhe paratë e pista.

Ai qysh në rininë e tij të hershme
pati ëndërruar të bëhet një ditë apostull,
por mbeti një prift i thjeshtë province
se ferra ia mori një ditë uratën.

Sot i mbështjellur me muzgun e pleqërisë
mban në dorë penën që e puth si kryqin
sa herë çon meshë për ju dhe veten
në Kishën Apostolike të Poezisë.
YLLI IM NUK NDIZET MË

O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë!
Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh,
ti më ktheve shumë prapa në kohë
ti më zbrite një tridhjetëvjetsh.

Në vitin kur ti ke ardhur në jetë
në botën time sapo hynte femra,
e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet
vogëlushja ime e madhe sa ëndrra?

Më kot shpenzova pas një Dulqinje
gjithë jetën time si Don Kishoti,
dhe tash më shfaqesh krejt papritur
si një tallje nga vetë Zoti.

Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër,
humbas në qiellin magjik të syve
dhe befas përmendem e bie ashpër
te rëndomësitë e jetës sime.

Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
se ylli im nuk ndizet më
me muzgun e moshës jam mbështjellë
dhe ndihem i lodhur e dua... të flë.




FUNDI I PRITJES

Të shtunën piva shtatë kokrra valium
që të zgjohem vetëm të hënën,
se desha të dielën pa ty ta humb
për ta kaluar sikur s’ka qenë.
Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi
e vonoi të ikë gati një shekull.
Si të shpëtoj tani i shkreti
nga kjo torturë që quhet Nesër?

Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua
si oktapod me këmbë të ngrira
ah, pres të më vijë e mërkura
të më clirohet pakëz fryma.

E mërkura më erdhi e iku
më gjeti e më la pa ty,
e enjtja zvarritej porsi kërmilli
e premtja më solli vetëm shi.

Edhe e shtuna m’u var në shpirt
si një kornizë pa pikturë,
shpresës që ti do vish një ditë
tani po i vë përsipër një gur.


KATËR QIRINJ

Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur
për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie
më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël
përpara altarit të shenjtë të zemrës sime.

Të parin e ndeza për takimin tonë të parë,
të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje,
të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes
në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve.

Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur
sepse ndoshta gabimisht u deshëm
ose ndoshta gabimisht u ndamë
pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë.


INVERSIONE

Tani Penelopa nuk e pret Uliksin
as deri në të ngrysur të ditës
në një Ëeek End ajo luan bishtin
me të gjithë mëtonjësit dhe turistët.

Uliksi arriti në brigjet angleze
dhe s’do t’ia dijë nëse ka Itakë
Circja e bukur për vete s’e bëri
por një pronare e vyshkur, plakë.

Edhe i biri, Telemaku, bastardi
nuk e kërkoi deri në fund babanë,
një ditë prej ditësh iu ftoh krejt malli
kur takoi në rrugë Paranë.

Një fat më i mirë se ky s’i qeshi
as fisnikut dhe tersit Don Kishot,
të ëndërruarën e tij, Dulqinjën e gjeti
në lagjen Pigal, te një Seksshop.

Dhe Sanço Pançës gomari i ngordhi
gazetat dhanë lajmin që bleu një Benz
te një tavernë ka shtruar globin
kërkon ta futë të tërin në plënc.


POETI

Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri
Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi,
Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë
Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë.

Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje
Çizmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve,
Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë
Me prapanicën mbi karrigen e karrierës.

Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit
Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit,
Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë,
Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj.

Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet,
Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet,
Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë,
Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë.

Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy
Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty,
Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë,
Ai është ai që s’e dimë kush është.

PLEQËRISHTE

Më në fund u plakëm grua,
siç e sheh dhe vetë
me thinja të bardha e rrudha
na mbushi kohë e sertë.

Dhe shëtitjet i rralluam
nëpër dhomë vijmë përqark,
dhe në vend të tyre shtuam
kollën dhe kafenë me pak.

Sa më ka marrë malli, grua
të zemërohem qoftë dhe kot,
si dikur atje tek udha
kur të shihja me një shok.

Ne kemi vite që pasqyrën
e përdorim shumë rrallë
se kemi sytë e njëri-tjetrit
fytyrat tona për t’i parë.




Freitag, 26. Juli 2013

Elida Buçpapaj

Elida Buçpapaj është poeteshë, publiciste dhe përkthyese. Ka lindur në Tiranë, ku aty ka ndjekur arsimin tetëvjeçar dhe gjimnazin. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi. Vokacionin për të shkuar e pati që fëmijë, por si e bija e vetme e poetit dhe publicistit Vehbi Skënderi, persekutuar nga regjimi, edhe Elida nuk u lejua të botojë krijimtari. Shkrimet e para fillon t‘i botojë duke nisur prej vitit 1991, në shtypin e postdiktaturës, tek gazetat Atdheu, Kosova, Rilindja Demokratike dhe Tribuna Demokratike. Në prag të rrëzimit të diktaturës është korrespondetja e parë grua nga Tirana tek Radioja Zëri i Amerikës. Në vitin 1992 fillon të kontribuojë si redaktore-opinioniste tek gazeta Zëri i Rinisë ; Ndërkohë është gazetare e lirë tek gazeta Republika, me një rubrikë fikse në faqen e parë ; Më 1994-1995 është editore tek Revista RTSH, së bashku me shkrimtarin Fatos Kongoli që ishte kryeredaktor i kësaj reviste. .Prej 1998, për dhjetë vjet jep kontributin e saj tek Bota Sot si redaktore-kolumniste, duke mbuluar rubrikën e politikës, aktualitetin dhe kulturën. Për dhjetë vite rresht, gati për çdo ditë, ka botuar me qindra kolumna, duke qenë një nga të paktat femrat e para shqiptare me aktivitet kaq të dëndur. Në atë kohë, kjo gazetë, me redaksinë qëndrore në Zyrih të Zvicrës dhe me redaksi të tjera në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Frankfurt e Nju Jork arriti në 200 mijë kopje, tirazh i paparë ndonjëherë në historinë e gazetarisë shqiptare. Aktualisht është botuese dhe kontribuese e gazetarisë elektronike, ku bashkë me bashkëshortin e saj, shkrimtarin dhe publicistin e mirënjohur Skënder Buçpapaj janë editorë të portalit elektronik Zëri i Shqiptarëve www.voal-online.ch. Elida Buçpapaj ka lëvruar me sukses pothuaj të gjitha zhanret e shkrimeve publicistike dhe letrare, që nga kronika, reprotazhi, përshkrimi e deri tek analizat, komenet, replikat etj. Si përkthyese nga katër gjuhë të huaja, anglishtja, italishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja, po ashtu ka një aktivitet shumë të dendur, duke përkthyer e botuar në shtypin shqiptar majat e poezisë botërore, si Thomas Stearns Eliot, Carl Sandburg, Rabindranath Tagore, Wislawa Szymborska, William Blake, Edgar A.Poe, Guillaume Apollinaire, Arthur Schnitzler, Jorge Luis Borges, Cesare Pavese, Jacques Prévert, Marquèz etj etj.
 Nga viti 1991 është anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve me qendër në Bruksel, Belgjikë. Është po ashtu anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve APES, me qendër në Gjenevë, si dhe e Sindikatës së Gazetarisë Krijuese, me qendër në Zyrih. Elida Buçpapaj është anëtare e Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës dhe e Këshillit strategjik të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës. Prej vitit 1996 jetojn në Zvicër.

Libra të botuar:
  • Vij
  • Nuk jam e përjetëshme 
  • Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit
  • Hiperbola dhe paralelizmi figurativ tek Cikli i Kreshnikëve , studim monografik
  • Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit
  • Unë jam e përjetshme, SB OMSCA-1
  • Tirania e Tranzicionit, publicistikë
  • Traumat e Tranzicionit, publicistikë
Autorja ka edhe dy libra në proces botimi, një vëllim me poezi dhe një eseistikë.


Poezi nga  Elida Buçpapaj

SHQIPËRIA ASHT
 
Shqipëria asht diell,
andërr, zhgjandërr,
asht shi, breshër, borë,
furtunë, stuhi,
stuhi në gotë;
delir,
gënjim, zhgënjim
asht pranverë, verë,
verë e kuqe, e bardhë,
dehëse,
dehje
verë e dielltë,
Drin, Bunë, Vjosë,
Shkumbin, Valbonë;
asht Liqen, kodër, mal,
fushë e ultësirë;
asht ofshamë,
Oh,
Ohër, Prespë,
Shkodër, Vlorë,
Tiranë, Gjirokastër,
Vermosh, Durrës, Konsispol;
Shqipëria asht, geg e toskë,
asht shkodranë, tiranas,
lab e malsorë;
Malësi, Qytet e Bregdet;
asht shpresë, zemrim,
rebelim, pajtim,
e prapë zemëratë;
asht pyll, hije nëndiell,
det,
perëndim dielli në Adriatik,
perëndim dielli në Jon,
lindje e diellit në Dajt,
lindje e Diellit në Shkëlzen,
lindje e diellit
atje ku i thonë ujit ujë
e bukës bukë;
Shqipëria asht nana ime,
nana jote, nana jonë,
e vujtun, e coptume,
e zhvatun, e pakun,
e lindur, e rilindur, e ringjallur;
Shqipëria asht nisja,
fundi dhe vazhdimi jonë,
i gjithmonshëm, i gjithhershëm,
i përhershëm, i përjetshëm, eternel,
përpara se të lindnin qytetërimet,
atëher kur u ngjiz bota;
Shqipëria asht Eva dhe Adami,
asht fillimi i fillimit,
asht e para,
më përpara se fjala,
asht mrekullia dhe mërzia e botës,
e prapë mrekullia, e prapë mërzia,
asht trishtimi i zgjatur me kilometra;
Shqipëria asht trishtimi, gjenia dhe magjia;
asht shi, baltë, aluvion, trafik pakuptim;
asht dehja, fryma, frymëmarrja,
ajri, qielli, era,
balona në qiellin e rimtë të pranverës,
në dorën e vogël të një fëmije,
fëmijët, fëmijët asht Shqipëria
asht gjithçkaja, asht e gjitha ashtu si e ka lind Zoti
e nana…



UNË VIJ NË PREKAZ

Unë vij në Prekaz
mbi kalin
     e pikëllimit
prej plagosjes së natës
që s’fle
     nga ngashërenjat
     prej heshtjes
     të  njeriut
 
Se këtu fjalët 
i ka zënë gjumi i madh
i tokës
të skuqur
      si flamuri
 
         nga gjaku 
 
Unë vij në Prekaz
e çmendur
nga drithërenjat
      dhe përpëlitjet
     e Hënës
     nga vezullimet
     yjore
     prej përshkënditjes
     fosforeshente
     të  eshtrave
 
     të  njeriut 
 
Unë vij në Prekaz
dhe ngrij
     e palëvizur
     si mermeri i varreve
     nën harkun
     e violinave
     të  vajit
           të fijeve të barit
     që qajnë 
     nga mungesa
     e hapave
     të  fëmijëve 



MIRËMËNGJEZ PARIA !

Mirëmëngjez Paris ! 
Sot
      Jemi
            Gëdhirë
Në nje shtrat
     Të  dy të përgjumur
     Nga mosfjetja.
Unë bëj sikur
      Të  jem
Një pariziane e thekur,
ndërsa ti bën sikur të  jesh
pjesë monotone
      e përditshërisë 
     time… 
Dal në rrugë
Si të jetë diçka
     rutinë
Marr taksinë
Trokadero
Ejfel
Sheshi Konkor 1)
Sheshi Vandom 2)
Harku i Triumfit
Del Etual 3)
Palé Ruajal 4) 
 
Në një Kafé
     buzë  Senës
porosis kafe me qumësht,
si në poezinë
            e Zhak Preverit
dhe pastaj
filloj të llogaris
një dhe një bëjnë  dy
unë dhe ti Paris – 
 
Por llogaritë s’më dalin
Dhe filloj nga a para
një dhe një dhe një
bëjnë dy Paris,
unë banorja jote efemer
ndërsa ti dhe Sena eternel,
Paris...! 
 
1)La Place de la Concorde – Sheshi Konkord
2)La Place Vandôme – Sheshi Vandom



KUÇEDRA MA PATI ZILI FLUTURIMIN

Kuçedra
      Ma pati zili
Fluturimin 
Kuçedra
     me shtatë koka
           me flokë
të kokolepsur
     të  kuqe 
megjithëse i pati
      nën patronazh
      dhe nën kontroll
qiejtë
mua
      ma pati zili
fluturimin
megjithëse
      e bëri me dhunë
pronën e vet
qiellin
ajrin,
      detin
por përsëri nuk u ngop
dhe me makutërinë e saj
      të  shëmtuar
dhe të dënueshme
nga Zoti
ma pati zili
      fluturimin 
sepse kuçedra
megjithëse i kishte
      pushtuar
            shtatë qiejt
megjithëse
      kishte
            shtatë koka
shtatë palë sy
shtatë palë duar
rrëmbyese
shtatë palë flokë
      të  kokolepsur
            të kuqe
mua ma pati
zili
      fluturimin 
 
  
sepse ajo nuk i shijon dot
      trajtat
çuditbërëse
      të  reve
as afrimin
me hënë dhe
      diellin
as oqenin e thellë
      me orë të gjata
as mallin
gjatë ikjes dhe largimit
ajo s’kupton asgjë 
sepse të gjitha
shtatë kokat e saj
janë bosh
      si kafka të vdekurish
veç flokët e kokolepsura
      të  kuqe
I ka të vërteta
Dhe makutërinë
E shterpës
Dhe zilinë
      Për fluturimin tim
      Që  ma ka falur
Zoti
Siç m’i fali sytë
Si m’i fali
Edhe shqisat e tjera
      Për t’i kuptuar e para
Dhuntitë e Natyrës
Dhe Vyrtytin
Dhe për të shquar
Kafkat bosh
Dhe simbolistët
Dhe trukun
dhe rrengun
dhe kurthin që i ngre
mikut

E para
Mes njerëzve të mirë
Shpotitës
Tani
Që s’u mungon
Liria e fjalës
Tani
Që s’u mungon
Fantazia 
 
 
Për t’i krijuar
Qiejtë
Edhe kur mungojnë
Në përkohësi
Të gllabëruar
Nga kuçedra
      Me shtatë kafka bosh
Me flokë të kokolepsur
të kuqe
si komunizmi
si ajo kuçedra e përrallës
shqiptare
që kishte helmuar
ujin e pishëm
 
vetëm përkohësisht….! 



JAM SHI NË TIRANË

Jam shi në Tiranë
që bie rrëke
nëpër rrugët
mbi pluhurin
e harresës
ku janë shkërmoqur
grimca-grimca
si fosile antike
ditët e mia
 
 
jam shi në Tiranë
i gjithi lot
që gjarpëron
mbi xhamat
e dritareve
të shtëpisë time
nga ku shoh
orenditë e heshtura
të mbuluara
nga malli
jo metaforik
prej mospranisë …
 
 
jam shi në Tiranë
që bie me shtamba
kuturu
që bie vrullshëm
dhe me dënesë,
që bie
bubullueshëm
dhe me kryeneçësi
 
që bie
si një lumë
i rrëmbyeshëm
që e gëlltit Lanën
që i gëlltit lotët
 
si Drini
pa fré,
për të përmbytur kohën
që më la të ikur prej Tiranës…



KUR TI MUNGON
Ia kushtoj S.B.

Mbas disa ditësh ti do të vish
Kjo ditë është e paralajmëruar
Sipas profecisë së fatit
Është e saktë, e prerë,
Është e parathënë, e parabërë,
Deri në rrahjen e sekondës
Deri në rrahjen e pulsit
Që gati sa nuk e shpërthen venën e gjakut…
 
Mbas disa ditësh ti do të vish !
 
Duhet të isha pak Penelopë
Që ta përballoja këtë ndarje
Kaq reale
Që matet me kilometra
Që unë e mata, e peshova
E mata përsëri e përsëri
Duke përmbysur e ripërmbysur
Mijëra herë klepsidrën
Sepse të gjitha sekondat,
Orët, ditët,
të gjithë kohën, hapësirat, distancat,
Të gjithë këtë relief gjeografik
midis nesh
I cili nuk na lejon assesi të shihemi
Assesi të prekemi
E shndërrova në kokrriza rëre
Dhe pastaj e përmbysa dhe ripërmbysa
Si barka në det
Mijëra herë klepsidrën..
 
Sepse unë të dua më shumë se Penelopa Ulisin –
E ti mua më do më tepër se Ulisi Penelopën…

_______________
Biografia e autores është marrë nga shkshz.ch, kurse poezite nga profili i saj ne FB