F A Q E T

Mittwoch, 22. Oktober 2014

Martesa e Skënderbeut


Nga ILIRJAN GJIKA

 A është kurorëzuar Heroi në Ardenicë?!

1
Me artin e penës së tij, vite të shkuara, shkrimtari Sabri Godo në faqet e romanit të tij Skënderbeu, e përshkroi kështu dasmën e heroit tonë kombëtar: “Në 23 Prill 1451 Skënderbeu bëhej dhëndër i Gjergj Arianitit. Ai u martua me Donikën, që kishte vjet aq sa edhe këto ditë prilli, 23, ndërsa vetë ishte 46 vjeç. Në martesat shtetërore nuk luanin rol moshat dhe dëshirat. Ajo do të ishte një dasmë madhështore, sikur të mos mungonin tre djemtë e Arianitit, që gati u prishën me të atin për shkak të pajës. Në kontratën Muzakë Topia me pazarllëqe të rënda, Skënderbeu merrte toka në anën tjetër të Shkumbinit, para dhe ushqime të shumta.

Mungonin në dasmë Dukagjinët, ndërsa Hamzai, nipi i dashur flokëverdhë, rrinte i zymtë. Ai shihte të vinin nga kjo martesë një varg me djem, siç ishte zakoni i Kastriotëve dhe të avullonin shpresat e tij për të trashëguar Principatën e Arbërisë. Por erdhi Proveditori i përgjithshëm i Venedikut, që solli në emër të Senatit një stoli të habitshme për nusen dhe dy palë rroba të purpurta për dhëndrin, erdhën ambasadorët e Napolit, të Vatikanit dhe Raguzës dhe mëritë e vogla kaluan në harresë. Nusja e re dhe e lumtur e priti me faqet flakë burrin e saj, kalorësin e parë të Shqipërisë dhe netët e dasmës i kaluan si një vazhdim i avullit të verës, të muzikës dhe të dollive”.

2
Një prej institucioneve të rëndësishme të feudalizmit ishte edhe martesa, e cila rregullohej nga një varg rregullash juridike dhe tradicionale. Përveç rëndësisë shoqërore martesa i lidhte familjet fisnike në aleanca, koalicione dhe marrëdhënie të varësisë së shumëfishtë. Në martesat e përfaqësuesve të fisnikëve feudalë nuk kishin rëndësi dukuri të tilla si mosha, intelekti, formimi kulturor apo paraqitja e jashtme, ose gjëndja shëndetësore e ashkëshort-ëve të ardhshëm. Funksioni i parë i lidhjeve të tilla martesore ishte ai politik, i cili do të forconte pozitat e familjeve që lidheshin në këto krushqi. Ndërkohë që në këtë kontekst u përfshi gjatë shekujve XIV-XV edhe familja e Kastriotëve.
Ngritja e shpejtë e saj në fund të shekullit XIV, ku nga një familje me origjinë fshatare ajo u shndërrua në zotëruese të një prej Principatave më të mëdha shqiptare (A.Ermenji, Vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, Tirane 1996,fq.25), bënë që: Gjon Kastrioti të krijonte lidhje të fuqishme martesore me familjet më të shquara feudale shqiptare. Ja seç shkruan në kronikën e tij historike bashkohësi i Skënderbeut, Princi Gjon Muzaka, për të tilla ngjarje: (Muzaka, Memorje, Tiranë 1996,fq.44-45): “Dhe për më tepër ta dini që zoti Gjon Kastrioti i ati i Zot Skënderbeut, pati për grua Zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem e pesë vajza. I pari u quajt Reposh, i dyti Stanish, i treti Kostandin dhe i katërti Gjergj. Reposhi i lartëpërmenduri ishte njeri fetar dhe shkoi në Malin e Sinait, u bë murg e ashtu vdiq. Bija e parë, Zonja Maria (Mara), u bë grua e Zot Stefan Cernojeviçit, e dyta Zonja Jella u bë grua e Gjon Muzakës (shënimi ynë), Zonja Angjelina qe martuar me Zot Vladan Arianit Komnenin, e katërta Zonja Vlajka qe martuar me Zot Balshën, e pesta Zonja Mamica qe martuar me Zot Muzak Topinë.
Prej asaj të lartëpërmendurës, së tretës, Zonjës Angjelinë dhe prej të përmendurit Zot Vladan Komnenit, u lind i poshtë shënuari Muzak Komneni, i thirrur nga populli, që ishte nip i Skënderbeut. Prej tjetrës, motrës së katërt, Zonjës Vlajka të martuar me Zot Balshën u lindën Gjon e Gojko Balsha. E pesta Zonja Mamica u bë grua e Muzak Topisë, por që Zot Skënderbeu e ndau nga gruaja e parë që quhej Zanfina ose ndryshe Suina Muzaka dhe i dha Zonjën Mamicë, të motrën”. Ndërkohë duke plotësuar të dhënat e Gjon Muzakës në burime të tjera sqarojmë se: E ëma e Skënderbeut, Vojsava rridhte nga dera e Princit të Pollogut, me familje shqiptare, e cila zotëronte rajonin që shtrihej prej Tetovës deri në Shkup. (Barleti, Histori e Skënderbeut). Duhet të theksojmë se Gjon Kastrioti martoi katër nga vajzat e tij si Marien, Jellën, Angjelinën dhe Vlajkën. Ai gjithashtu fejoi në mungesë edhe njërin prej djemve Kostandinin me Helena Topinë. Kjo fejesë nuk u realizua me martesë, sepse Kostandini u martua me një Zonjë turke dhe nga kjo martesë lindi Hamza Kastrioti, njëri prej protagonistëve të luftës shqiptaro-turke të shekullit të XV.
Ndërsa për djalin tjetër të Gjonit dhe Vojsavës, Stanishin që Fan Noli e rendit si fëmijën e madh të tyre, nuk kemi njoftim për martesën dhe familjen e tij. Ndërsa ashtu siç e përmendëm edhe më sipër Reposh Kastrioti ju kushtua monakizmit (jetës së murgut) dhe vdiq në manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, Greqi. Varri i tij ndodhet atje edhe sot, ashtu siç pasqyron me fotografitë dhe shënimet e tij edhe studiuesi Sh. Nimani. (M.Zeqo. Mes Laokontit dhe Krishtit, Tirane 2000, fq.123), ose studjuesi sllav V.Petroviç (K.Frashëri. Studime për epokën e Skënderbeut, Aktet e Hilandarit. Tirane 1989.fq 438), i cili thekson se varri i Reposhit ndodhet brenda katedrales në murin verior të narteksit i pikturuar me subjekte kishtare. Dy fëmijtë e vegjël të familjes së madhe të Gjonit, Gjergji dhe Mamica u martuan pas vdekjes së tij. Megjithëse akoma nuk dihet se përse Skënderbeu e Martesa e skënderbeut prishi martesën midis Muzakë Topisë dhe Zanfina Muzakës, për ta martuar Muzakën në vitin 1445 me të motrën, Mamicën.
Prishja e kësaj martese hamendësohet se i kushoi rëndë Skënderbeut. Zanfina Muzaka u martua me Moisi Golemin (Moisi Komnen Arianitin), të cilin e shtyti kundër Skënderbeut. Veprimet dhe sjellja e Zanfinës e shtynë Moisin edhe për shkaqe të tjera drejt tradhëtisë në vitin 1455 pasojat e së cilës sollën disfatën në betejën e Beratit, ku gjeti vdekjen midis të tjerëve edhe Muzakë Topia. Ndërkohë që ky preçedent solli edhe pakënaqësi tek Muzakaj, pasi Zanfina (Suina) ishte e bija e Despotit Gjin Muzaka dhe e motra e Gjon Muzakës, autorit të Kronikës së famshme. Ndërkohë Gjin Muzaka ishte vëlla i Marie Muzakës, grua e parë e Gjergj Arianitit dhe nënë e Donika Kastriotit, gruas së ardhshme të Heroit. Gjin Muzaka ishte edhe një ndër pjesëmarrësit e Lidhjes së Lezhës dhe një prej bashkëluftëtarëve të Skënderbeut. Atëherë ky veprim i Skënderbeut mund të shpjegohet edhe me synimin e tij, për të zgjeruar Principatën e tij duke përshirë në të edhe Principata e tjera. Në këtë kontekst mund të ketë ndodhur edhe kjo ngjarje, e cila si shumë të tjera të ngjashme me të, sollën rebelimet ndaj Skënderbeut, të cilat historia jonë i quan me termin “Tradhëtia Feudale”.

Të tilla raste ishin ato të Moisi Golemit dhe të nipërit e Skënderbeut si: Gjergj Stres Balshas, Hamza Kastriotit, Gjon dhe Gojko Balshës, etj. Këto lidhje familjare përveç njërës anë, atë të fuqizimit në formë aleance sillnin edhe konflikte interesash, për shkak të pretendimeve mbi zotërimet Brenda krushqive. Për sa kohë që praktika e dhënies së feudeve në formë paje gjatë martesave vazhdoi në shekujt XIV-XV ajo u shoqërua edhe me konflikte të një natyre të tillë. Raste të tilla në mënyrën më tipike ishin ato që kunati i Skënderbeut, Gjon Muzaka, i përshkruan kështu: “Dhe i lartpërmenduri Zot Skënderbeu qe i mençur dhe trim, i prirur për të bërë mirë dhe qe një Zot i madh ndër të gjithë pararendësit e tij. Pasi u bë kapiten i përgjithshëm i Zotërve të Shqipërisë, e që në pak kohë synoi të zotëronte gjithë vendin. Vuri në pranga Zot Gjonin dhe Zot Gojkon e Balshajve, …..i mbajti në burg dhe u mori Principatën e tyre, që shtrihej midis Krujës dhe Lezhës e që thirrej vendi i Misisë. i mori Moisi Komnenit Principatën e tij e cila ishte në Dibër. Ky Moisiu ishte njeri me zemër dhe trim dhe duke mos mundur ta durojë një dhunë të tillë u arratis tek Sulltani. Dhe mbasi vdiq im atë na mori edhe neve Tomonishten domethënë Myzeqenë e Vogël dhe kështu bëri edhe me zotërit e tjerë të krahinave të Komit dhe të Randisës”.

3
Sipas Barletit “Skënderbeu nuk e kishte mendjen për martesë, por atë nuk e linin rehat princërit farefis me të, të cilat e nxisnin që ai të vendoste për martesë. Pra për “Filizin” që duhej ti zinte vendin”. Edhe Gjergj Arianiti e mirëpriti këtë martesë, por edhe Skënderbeu ishte dakort për këtë fakt, sepse Gjergj Arianiti Komneni ishte i dëgjuar si askush tjetër, për mbretërinë e tij të madhe dhe për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Gjithashtu Donika ishte bërë e njohur që me kohë dhe mbahej në gojë për atë bukuri fort të rrallë. Paja iu la në dorë Gjergj Arianitit, i cili nga prika që i dha së bijës i kënaqi të gjitha palët (Historia e Skënderbeut. Tiranë 1983.fq.382-384). Për nevoja të luftës çlirimtare dhe për të forcuar pozitat e tij, Skënderbeu vendosi të martohej me Donika Arianitin, vajzën e madhe të Gjergjit. Kjo krushqi iu shkonte për shtat të dyja familjeve, për nga pozita që ato posedonin. Si mbles Skënderbeu dërgoi Gjin Muzakën kunatin e Arianitit. Martesa ishte tërësisht politike ku nuk luanin rol mosha dhe dëshirat.
Ajo që na intereson është fakti se kurorëzimi i çiftit, midis Gjergjit 46 vjeçar dhe Donikës 23 vjeçare, u bë në kishën e vjetër të Manastirit të Ardenicës , i cili ndodhet 10 km në veri të Fierit. Këtë tezë e ka argumentuar qysh në vitin 1930 studiuesi italian Lorenconi, i cili kur vizitoi këtë vit manastirin e të shkruar këtë fakt në një nga kodikët që ruheshin në bibliotekën e tij. Një burim tjetër për këtë fakt është edhe dëshmia e peshkopit Irene Banushi, i cili vitet e fundit të jetës i kaloi në manastirin e ardenicës. Në shënimet e tij për manastirin të botuara nga K. Beduli në librin monografik Imzot Irene Banushi, ai citon faktin se kur mbërri në Ardenicë gjeti te murgjit e manastirit të dhënat gojore se këtu ishte kurorëzuar Skënderbeu.
Ky burim gojor dëshmon se fakti i martesës së Skënderbeut në Ardenicë është ruajtur gjallë nga murgjit dhe është transmetuar nga brezi në brez gjatë kohës nga viti 1451 deri në vitin 1967, kohë kur furia ateiste e drejtuar nga shteti shqiptar shkatërroi institucionet fetare dhe bashkë me to dhe një pjesë të kujtesës historike. Çifti mbërriti në këtë manastir pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ai shoqërohej nga Princat shqiptarë, njerëz të familjeve, ambasadorët e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Proveditori i përgjithshëm i Venedikut në Shqipëri. Shpura udhëtoi nëpërmjet rrugës së “Muzakies” në itinerarin Vlorë-Ardenicë, vetëm disa ditë pas dasmës në Kaninë. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga Peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodheshin dy manastiret më të mëdha të Myzeqesë, ai i Apolonisë dhe i Ardenicës.
Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare. Martesa e të bijës me Gjergj Kastriotin ishte një nga sukseset e politikës së Gjergj Arianitit, i cili pas kësaj ngjarje shpejtoi të nënshkruante në qershor 1451: Traktatin e aleancës me Alfonsin e V-të të Napolit. Ja seç thuhet në një pasazh të tij: “Gjithashtu të dy palët kanë rënë në ujdi që qysh nga Berati duke përfshirë Greqi e Myzeqe deri tek një lumë që quhet Devoll (Seman), ti jepen madhërisë së tij (Alfonsit) dhe vendi përtej Devollit ti jepet Arianitit”, të cilin ai e kishte poseduar edhe herë të tjera.

4
Andronika Gjergj Arianiti lindi rreth vitit 1428 (po të llogarisim se kur u martua me 1451 ishte 23 vjeç). Ajo ishte një ndër tetë vajzat që Gjergj Arianiti kishte me gruan e tij të parë Marie Muzakën (Dh.Shuteriqi, Arianitët. Studime për epokën e Skënderbeut, II. Tirane 1989.fq.37-83). Ashtu siç e thotë edhe Barleti ajo ishte një ndër vajzat më të bukura të dyerve bujare të Shqipërisë së shekullit të XV. Ajo i përkiste një ndër familjeve më të fuqishme dhe më fisnike, duke qenë e bija e Gjergj Arianitit, njërit prej njerëzve më të shquar të fisnikërisë feudale Shqiptare. Tre vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonin e ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit. Në gravurat e kohës ajo del si një femër simpatike, me tipare të spikatura të një zonje. Nuk dihet me saktësi roli që luajti ajo gjatë jetës bashkëshortore pranë Skënderbeut (1451-1468).
Pas vdekjes së tij në 17 Janar 1468 Donika u shpall regjenti i të birit Gjonit, trashëgimtarit legjitim të Skënderbeut. E ndodhur në kushte të tilla në të cilat ajo nuk mund të ushtronte funksionin e saj, kur turqit kërcënonin në mënyrë më serioze shtetin shqiptar, Donika u largua së bashku me të birin në Itali. Në vitin 1468 Suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompesim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.

5
Pas vdekjes së të atit Gjoni 13 vjeçar dhe e ëma Donika që siç e quan Gjon Muzaka zonja Skënderbega (Gj.Muzaka, Memorie. Fq.31) u larguan për në Napoli, duke shkuar tek Mbreti Ferdinand i Aragonës. Atje Gjon Kastrioti u integrua në radhët e fisnikëve feudale vendase, duke administruar pronat e veta dhe titullin e Dukës së Shën Pjetrit të Galantinës, dhuruar nga mbreti Ferdinand. Gjoni u martua me Dukeshën Erina Paleologa duke lënë pesë fëmijë si: Gjergjin (e ri), Kostandinin, Peshkop i Izernias, Ferrantin, Federikon, vdekur në Valencie të Spanjës dhe Marien (Akademia e shkencave. Historia e Popullit Shqiptar. Tirane 2002, fq.475). Nga kjo martesë rrjedhin
Kastriotët e Italisë, pasardhës të drejtpërdrejtë të heroit tonë kombëtar që jetojnë edhe sot në tokën Italiane.
Nderkohe qe ne bregun perballe, legjendat dhe gojëdhënat për martesën e Skënderbeut në Kaninë kanë mbetur të gjalla edhe sot në Rajonin e Vlorës. Njëra prej tyre e ruajtur në Himarë, e cila ishte zotërim i Gjergj Arianitit thotë se: “Ditën e dasmës në Kaninë shkuan edhe Kapedanët e Himarës me peshqeshe për çiftin. Ata e shoqëruan nusen deri në Krujë”(Akademia e Shkencave. Epika Historike, 1 Tirane 1983.fq.133). Ndërkohë që në Qishbardhë dhe Penkovë (Vlorë), ruhen katër toponime të tilla si: Qisha e Skënderbeut, Rrapi i Skënderbeut, Vau i Skënderbeut dhe Ara e Skënderbeut; dëshmi të shekullit të XV. Kujtesa popullore çuditërisht hesht vetëm për Ardenicën...!

2 Kommentare:

  1. Nuk mund të harroj sesi (magjia e bardhë) më ndihmoi të rikuperoja martesën pas 6 muajsh ndarje me gruan time për shkak të grindjes dhe ajo u largua dhe nuk u kthye më tek unë, bëra aq shumë për ta kthyer atë, por asgjë nuk funksionoi. deri sa pashë një koment në internet kur dikush po dëshmonte se si (magjia e bardhë) e ndihmoi atë të rivendoste burrin e saj dhe kështu e kontaktova përmes emailit të tij dhe pasi shkrova çështjen time ai më siguroi se do të më ndihmonte të kthehesha me gruan time pas 3 ditësh pasi bëri magjinë e dashurisë, dhe pasi ai bëri magjinë, gruaja ime u kthye në shtëpi dhe u lut që i vinte shumë keq sot jam kthyer me gruan time dhe jemi të dy të lumtur dhe jetojmë sërish bashkë. Unë e di se ka shumë njerëz atje që duan të kthejnë të dashuruarit e tyre, ju lutemi kontaktoni (magjinë e bardhë) sepse ai është përgjigjja e përsosur për problemin tuaj, detajet e kontaktit të tij në emailin { findritualforlife@gmail.com }
    Whatsapp: +3550685677099
    +2349046229159

    AntwortenLöschen
  2. Filloi me keqkuptime të vogla pas të cilave më tha se do të ishte mirë të bëja një pushim, që mendoj se u kthye në një ndarje. Ai nuk më kërkon më. Më trishtoi sepse ishim bashkë që në shkollën e mesme dhe ai ishte dashuria ime e parë dhe e vetme. Kërkova ndihmë në të gjithë internetin dhe pashë kaq shumë njerëz që postonin dëshmi për Dr DAWN, mora kontaktin e tij përmes një prej komenteve dhe fola me të për situatën time dhe ai shpjegoi procesin e pajtimit dhe se si do të më ndihmojë pajtohu me të për tri ditë. Kanë kaluar saktësisht 3 muaj që kur e kontaktova tani dhe gjithçka ishte perfekte dhe më duhej ta postoja këtë sepse ai meriton të gjitha fjalët e duhura për të më ndihmuar.
    Ai është WhatsApp: +2349046229159
    Email: dawnacuna314@gmail.com

    AntwortenLöschen