F A Q E T

Samstag, 25. Oktober 2014

Skënderbeu, ushtari i panjohur i Shqipërisë*


Nga Ilirjan Gjika

“Turqit dhe barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore,të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”. (Marin Barleti)
 

1
“Në Lezhë, më 17 janar 1468, ka vdekur Skënderbeu, shkruante dikur Indro Montanelli.
Si të mos ndalesh tek varri. Po varri i tij është zhdukur, nuk dihet si dhe përse. Ishte, duhet të jetë varrosur në kishën e Shën Kollit, pranë pazarit në bregun e majtë të Drinit. Ekziston pazari, ekziston kisha, por sa për varrin mister” vijon ikona e gazetarisë italiane në librin e tij të botuar një vit përpara pushtimit fashist të Shqipërisë, “Shqipëria një dhe një mijë”.
 

Dhe, vërtet edhe sot ky problem mbetet një mister i vërtetë. A e hapën dhe më pa e grabitën turqit varrin e Skënderbeut kur e pushtuan Lezhën në vitin 1405?! Ndoshta po, por edhe ndoshta jo! Për këtë temë kemi vetëm një dëshmi, atë të Barletit dhe asnjë dokument turk apo venecian që e vërteton atë. Përse? Ndoshta turqit nuk arritën kurrë që ta gjenin varrin e Skënderbeut. Le të bëjmë një analizë duke iu referuar një problemi tjetër, por të ngjashëm në esencë me këtë të tonin.

Në librin e tij “Beratinus”, prof. Shaban Sinani na tregon se si u ruajtën nga grabitja e shekujve kodikët e famshëm të Beratit, të cilët nuk janë vetëm vlerë e kulturës sonë kombëtare, por edhe e njerëzimit.


Dhe, ja se si e përshkruan ai këtë fenomen: “Përveç rrezikut të “frankëve kampanezë”, që përmendet nga Alexoudes-i, të serbëve të car Uroshit, të ushtrisë austro-hungareze gjatë luftës së parë të përbotshme, dëshmohet se “dy ungjijtë e moçëm të Beratit” janë kërkuar edhe nga ushtria italiane e ajo gjermane. Në historikun e kodikëve të Beratit, që ruhet pranë AQSH-së, thuhet se komanda e ushtrisë hitleriane kishte urdhër që të gjente dhe të rrëmbente domosdoshmërisht floririn e Bankës së Shqipërisë dhe “Kodikun e Purpurt të Beratit”. Ushtria naziste e rrethoi Kishën e Shën Gjergjit dhe shpalli se, po të mos dorëzohej dorëshkrimi, priftërinjtë do të vriteshin. Këshilli i Kishës së Shën Gjergjit, në këto kushte, i kërkoi leje ikonës së Shën Mërisë të mos i ndëshkonte nëse do të dëgjonte nga anëtarët e sinodit një betim të rremë. Pas kësaj lutjeje, gjashtë anëtarët e këshillit (sinodit) e fshehën dorëshkrimin në një pusetë nëntokësore të maskuar pranë altarit dhe i deklaruan komandës së ushtrisë së huaj se ishin gati të betoheshin para ikonës së Shën Mërisë se nuk dinin asgjë se ku gjendej vepra e kërkuar (Shaban Sinani. Beratinus. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Tiranë 2003. Fq. 243 ).


Kështu pas këtij përshkrimi shumë sinjifikativ le të vijojmë të bëjmë një tjetër paralelizëm. Edhe në Lezhë në vitet 1915-1919, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, reparte të specializuara të ushtrisë serbe, austro-hungareze dhe asaj italiane, gërmuan përreth xhamisë Selimie, që ishte ngritur mbi rrënojat e kishës së Shën Kollit, për të gjetur varrin e Skënderbeut. Kështu të huajt dhe specialistët e tyre të rekrutuar në forcat e armatosura mendonin se, varri i Skënderbeut jo vetëm që nuk ishte hapur por edhe nuk ishte gjetur nga ushtria osmane, ashtu siç na e përshkruan Barleti. Këtë gjë ata e mbështesnin së shumti tek dokumentet osmane, të cilat nuk e përmendin një dhunim të varrit të Heroit. Historianët turq si Ibn Kemali, Hoxha Sadedini, Idris Bitlisi dhe Tursuni, të cilët na përshkruajnë me ngjyra të gjalla pushtimin e Lezhës nga ushtria turke në vitin 1478, nuk e përmendin asgjëkund një fakt të tillë.


E çuditshme është, por edhe kujtesa popullore na e mohon një gjë të tillë, të cilën e ka dokumentuar qysh dyzetë e ca vjet më parë studiuesi Dhosi Liperi. Të dhënat që mblodhi në terren në vitet 1960, ai i referoi në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, të mbajtur në 12-18 janar të vitit 1968. Megjithëse faktet ishin “kokëforta”, ato u anashkaluan nga kjo konferencë, por edhe më vonë nga historiografia jonë. Pa u marrë me problemin se përse ndodhi një gjë e tillë le të citojmë në ligjëratë të drejtë disa prej këtyre dëshmive, të cilat Dhosi Liperi i mblodhi në fshatrat e Lezhës në shtator të vitit 1964:
“Skandërbegu ka dekë në Lezhë e asht varrosë po në Lezhe, po ku diç, parija e vet nuk diftuen se ka dekë e vazhduen sikur t’ishte gjallë Skandërbegu për tri vjet. Në krye të tri vjetve Turqia e muer vesh se kishte dekë dhe e sulmoi shqipninë e e zaptoi…Kur ra në Lezhje, çeli shumë vorre, por, siç thojshin pleçtë e vjetër, vorrin e Skandërbegut nuk mujtën me e xhetë, se e majtën parija të mëshefun. Vorri i Skëndërbeut pshtoi i paprekun, por se ku asht, nuk dihet. Çiashtu thojshin pleçtë e vjetër gojë pas goje”, tregonte dikur Nue Gjon Markola nga fshati Lalu. Ndërsa Hil Kola nga fshati Gramsh, po i Lezhës, theksonte se: “Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtnat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët vorrin e Skandërbegut, thojshin ata pleçtë e vjetër të Zadrimës”.


Po kështu edhe Nikoll Leshi nga Ishull Lezha tregonte: “Skandërbegu u smu në Lezhë, pa dekë bani tetëdhet vorre në Lezh edhe vdiq, por nuk dihet se ku ash vorrue, se kur erdhën turqit, i çelën të tetëdhet vorret e trupin e Skandërbegut nuk e kanë xhetë. Ket fjalë të vjetër e kam negju prej gjyshllarëve” (USHT. Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. III. Tiranë 1969. Fq 341-343).


Pra, ashtu si edhe pleqtë e bashkësisë krishtere të kalasë së Beratit, që ruanin në mënyrë të fshehtë sendet dhe reliktet me vlerë të kishës edhe në rastin tone, drejtuesit e kishës së Shën Kollit dhe anëtarët e bashkësisë apo urdhrit që e administronin atë, mund të kenë kryer një akt të tillë të ngjashëm. Atë të fshehjes dhe të ruajtjes së eshtrave të Skënderbeut. Kjo praktikë nuk është e panjohur në këto raste nga bashkësi të ndryshme fetare.
 

Ndërkohë, njihet në histori rëndësia e burimeve popullore gojore. Tradita gojore e përfaqësuar nga legjendat, tregimet, rrëfimet, ritet, folklori përbëjnë një nga burimet kryesore krahas atyre të shkruara për historianët. Ndoshta në këtë drejtim kemi edhe një zhvillim tjetër. Duke punuar disa vite në qytetin e Lezhës, arkeologu Frano Prendi, pasi u njoh me këto burime gojore, nisi gërmimet dhe zbuloi në vitin 1967, Katedralen e Shën Kollit, ku dikur ishte mbledhur Lidhja e Lezhës dhe më pas ishte varrosur në janar të vitit 1468 Skënderbeu. Dhe Frano Prendi nuk gaboi. Duke i kombinuar këto të dhëna gojore me dokumentacionin historik ai arriti të realizonte një nga zbulimet më të suksesshme të karrierës së tij, siç ishte katedralja e Shën Kollit të Lezhës, një fakt i pamohueshëm dhe i pranuar nga shumica e studiuesve të fushës.
***
Në këto kushte, kur dokumentet turke heshtin, kur nuk ekziston asnjë shenjë hajmalie prej tyre e marrë në rastin e thyerjes dhe copëtimit të tyre nga turqit, dhe, në kushtet kur kujtesa popullore hesht dhe e mohon hapjen e tij, mund të themi se eshtrat e Skënderbeut janë tërhequr fshehurazi dhe varrosur diku tjetër për t’u ruajtur. Me të drejtë lind pyetja. Nga kush?


Dhosi Liperi tek i njëjti shkrim thotë se bashkëluftëtarët e tij pasi i tërhoqën fshehurazi ato përhapën fjalën se turqit e prishën varrin.


Këtë gjë ky autor e përgatiti dhe e publikoi në vitin 1968, kur kishte një vit që procesi i shekullarizimit “i udhëhequr” nga partia-shtet e kishte ndaluar me ligj përdorimin e fesë dhe i kishte mbyllur dhe shkatërruar institucionet fetare. Kjo ndoshta e bëri këtë autor të mos thoshte se si në rastin e bashkësisë fetare të Beratit edhe bashkësia fetare e Lezhës e kishin mbajtur dhe e mbanin të fshehtë sekretin e ruajtjes së eshtrave të Skënderbeut. Se ku “ngeci” ky proces e dinë tashmë disa prej tyre që mund të jenë gjallë sot. Ata duhet të dëshmojnë se ku përfundoi kafka që në mbledhjen e atëhershme të Byrosë Politike përpara Enver Hoxhës u deklarua se ishte e Skënderbeut. Sot ne posedojmë dokumentin ku Thoma Deliana, ish-ministri i Arsimit dhe Kulturës, ia raporton midis të tjerave këtë gjë “Partisë”.
 

Nuk e dimë përse Enver Hoxha e “mbylli” këtë proces. Sot mund të ngrihen shumë hipoteza dhe të aludohet rreth tij, por deklarata e Hoxhës se “duhet pasur kujdes që të mos përhapet një gjë e tillë”, fsheh shumë enigma në vetvete. Ndoshta vetë atij apo shtetit të atëhershëm nuk i duheshin eshtrat e Skënderbeut, të cilat mund të bëheshin vend pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët. Dihej mirë fakti që heroi që vinte nga koha e feudalizmit dhe i quajtur nga Papa si “Atlet i Krishtit”, nuk kishte asgjë të përbashkët me komunizmin. Këto mund të themi për momentin, por mund të ketë pasur njëmijë arsye të tjera që regjimit nuk i interesonte gjetja e eshtrave të Skënderbeut. Dhe ashtu siç del nga interpretimi i tekstit të mësipërm eshtrat e gjetura mund të kenë qenë vërtet të Heroit. Ato duheshin të ishin ruajtur nga këshilli apo bashkësia e ndonjë urdhri katolik që vepronte aty së pari. Duke parë se kishte ardhur koha që ashtu si kodikët e Beratit edhe këto relikte të “vendoseshin” në vendin e duhur priftërinjtë vendosën ti dorëzonin por siç duket problem nuk rezultoi kaq i thjeshtë. Kështu sekreti i “etërve” dhe sakrifica e tyre e ruajtjes së tyre në ndonjë manastir apo famulli aty pranë shkoi dëm nga qëndrimi i “Partisë”. Mbase hapja e dosjeve të tjera do të na e “ndriçojë” të vërtetën rreth këtij problemi. Ndërkohë që një fakt i tillë duhet pranuar. Për në është fatale dhe e dhimbshme edhe sot që, Skënderbeu mbetet akoma ashtu siç e përcaktoi edhe Montanelli në vitin e largët 1938, si “Ushtari i panjohur i Shqipërisë”.

* Titulli eshte marre nga libri i autorit Indro Montanelli: ''Albania Una e Mille''.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen