F A Q E T

Mittwoch, 4. März 2015

Iliriana Koleka

Iliriana Koleka ka lindur në Tiranë në 29 korrik 1959. Është me origjinë nga Vunoi, fshat i Himarës, Vlorë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kryen në Tiranë. Diplomohet në Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë në janar të vitit 1985. Në 2001 bëhet doktore në Fizikë pranë Universitetit të Camerinos (MC)  dhe  në 2005 merr titullin e profesores së matematikës për shkollat e mesme klasa A047. Iliriana nis të ushtrojë profesionin e mësueses së Matematikë - Fizikës në arsimin e mesëm.
Në vitin 1987 boton librin “Energjia e të nesërmes”. Në 2014 sjell për lexuesit shqiptarë librin me poezi “Qielli i prenotuar”, kushtuar vëllait të saj, Sokol Kolekës, humbjen e të cilit, autorja e qan prej tetëmbëdhjetë vjetësh.
Ky libër përmban tetëdhjetë e katër poezi. Mesazhi që përcjell ky libër është që dashuria në gjithë format e saj (për atdheun, prindërit, njerëzit e dashur që nuk janë më, për miqtë e për njeriun e zëmrës) është e vetmja ndjenjë, që ringjall shpresën.

Jeton dhe krijon ne Milano të Italisë, ku edhe punon si mësimdhënëse e matematikës në një shkollë të mesme.


Poezi nga Iliriana Koleka

ATREU

Atreun e panë nga shpat i malit
Si zot i reve, si at i rëndë
Hyri me anije në gji të Jalit
Si valë kurbeti, një në njëqind hënë

Balo e njohu, e në këmbë i futet
Një vashë e bukur i çfaqet pranë
Me zë të shuar, si jehonë këngë
I thotë që njerzit më nuk janë

Lotojnë të dy gjysh edhe mbesë
Kokat e fisit nga jeta ndarë
I griu murtaja, i thau si vesë
Ndërsa Atreu, dhjetë vjet detar

Lotonte vasha, belëkëputur
Kopje e nënës si inxhi
Një lotë nga sytë ra mbi një flutur
Që fluturonte mbi Kaoni

Ç'bëra i mjeri, larg atdheut
Dhe loti plakut, rënkoi i rëndë
E lashë me lule këtë prag
E gjeta varr, e gjeta gjëmë.


 

PAS ORGJIVE, BËNI GJUMË!

Ora shtatë e tridhjetë, me gëzim po shkoj në punë
Qafira, jini të qetë, pas orgjive, bëni gjumë!
Mbi dyshekë mbushur dollarë, grabitura Shqipërisë
Nëpër vila e hareme, mbi djersën e vegjëlisë...

Lufta është ekonomike, më thoshte dikur im atë
Dhe kush barkun e ka plot, s'pyet kush ha bukën thatë
Kështu enden shqiptarët, buka thatë në jetë të tyre,
Në shpellë të Ali babait, djersë e tyre e rrëmbyer

Prandaj i hypa anijes, duart i bëra lopatë
Hodha mbrapa ca betime: ti Atdhe, mos ki merak!
Se prapë do kthehem një ditë, nuk do vdes, do të jem gjallë
Do të kthehem me një dritë, te një këngë e te një var

Do të vij të mbjell një lule, te një fjalë që s'e thashë dot
T'i puth zemrën Shqipërisë, t'ja fshij nga sytë ata lotë!




GRACKA E ËMBËL

Ti do vish drejt meje, një ditë të shtunë
Sepse mendimet e mija do të tërheqin si magnet
E kjo ditë s'ka për t'u zgjedhur për kunjë
Do ketë lindur ndonjë shënjt e do jetë një festë e vërtetë

Gjithësia do bëjë tifozllik për mua
Do rreshtojë xhuxhat e gjigandët sërë sërë
Do vërë qiellin e tokën të të thonë 'të dua'
E të përkulen me respekt, një nga një të tërë

Atë ditë të shënuar do zbulosh me nge
Që ka një yll-luan që të ka ëndëruar
Një asteroid-skifter, që prej kohësh të sheh
Një komet -shqiponjë, që të ka kërkuar

Kur të arrijë ky çast, ki parasysh
Që mbrapa tyre jam gjithmonë unë
Ajo që s'heq dorë, s'bie asnjëherë në krizë
Ajo që organizon pa u lodhur tërë këtë punë

Siç e sheh, do biesh në grackën time
Shpejt a vonë, për mua, s'ka rëndësi
Meqë s'do kesh nga t'ia mbash, o trim i trimave
Futu në lagjen time që tani.



HERONJTË

Ku janë shqiptarët e shqiptaret?
Perënditë e perëndeshat
Seicili ka nga një pikë të dobët
Luanët kanë luaneshat
Paridi ka Tëlënën
Akili ka thëmbrën nga e tërhoqën
E ne të gjithë kemi heronjtë
Që i kërkuam e s'i poqëm

Ku t'i gjej në vitin dymijëekatërmbëdhjetë
Heronjtë ilirë kreshnikë
Trimat shpatarë të vërtetë
Nga Kosovë në Janinë?
Gjithësesi në Shqipërinë Etnike
Në Pogradec, buzë liqenit
Në Preshevë, në Mirditë
Majë Korabit e Shkëlzenit

E ku tjetër t'i kërkoj
Nga Rozafa në Dodonë
Në malin e Tomorrit me lule ftoi
Në Llogora e në Antigonë
Për të ardhur drejt tek ty
O ushtri me kryetrima
Që mer emrin Labëri
Pjell heronj siç flet me rima.



DASHURI JASHTË STINE

Çfarë ligji i nënshtrohet Dashuria
A pyet për motin, kohën dhe stinët
A ndikohet prej ditës së javës dhe orëve
Apo është thjeshtë një vegim i largët e i imët

Kur toka nis të flejë e mbuluar
Kur zogjtë ndalojnë këngën e ikin
Kur çadrat pushtojnë botën pa përtuar
Dhe kolla vjeshtake ndihet kudo me ritëm

Atyre të dyve, diçka e çuditshme i ndodhi
I'u ngjitën nëpër flokë ca gjethe të tejdukshme
Atij i doli në brez një shpatë bajlozi
Asaj i dolën në shpinë krahë ëngjëllusheje

Diçka bëri vaki në ato çaste të bekuara
Që i bëri të bien prapë në grackë
Siç bien të rinjtë e dashuruar
Dhe pleqtë kur s'e kanë të gjatë

Shkencëtarët e vranë mëndjen me vite
Po s'gjetën gjë e kështu mbeti mister
Pse u puthën me zjarr ata të dy jashtë stine
Si t'ishte djell përjashta e pranverë.



TI PRET

Dhe prapë liqenin e mbuloi bora
Dhe ne s'u pamë, përmbi një vit
E kur u njohëm s'e mendoja
Se do të mbrinte dhe kjo ditë

Anës liqenit ku ranë puthjet
Ti endesh sot me ca ketrushë
Dhe po m'i vret puthjet e lulet
Që kishin çelur në atë fushë...

Unë rri sodis malit druvarët
Që sharë e mprehtë të bëhem vetë
Të hedh poshtë pyllin edhe malin
Ketrusha më kurrë të mos ketë ...

Që ti të ishe i pakapshëm
Si fjoll dëbore përmbi zjarre
S'e mendoja, kur u njohëm,
Ti drenush e unë sorkadhe..

Dhe prapë liqenin e mbuloi bora
Dhe ne s'u pamë, përmbi një vit
Ashtu si shkrin liqenit fjolla
Ashtu ti pret dhe dashuritë ...



RAKIA MBAROI

Mbaroi rakia e kocet e pjekura
S'ka më qefuj për t'i futur në zgarë
Peshkataret vijnë bosh nga oqeanet dhe detrat
S'mbeti asnjë për be pa u qarë

Jezusit, s'i shkon mëndja për mrekullitë
Që dikur i bënte fët e fët, pa hezitim
Jashtëtokësorët ngelën vullkaneve, çdo ditë
Atje gjejnë energji falas, pa pagim

Kur do bësh shumëzimin e peshqëve, kësaj here?
Po të pyesin o Krisht, peshkatarët, në kor
Se ti nuk i nxjer peshqit si bankjerët
Që vjedhin paratë tona dhe të tyret i shumëzojnë

Kur do ringjallësh politikanët e ndershëm
Siç bëre me Llazarin, të pyesin o Krisht?
Se na vdiqën Ber-hajnat dhe xhinxhiliet
Që hanë si majmunë e kanë edhe bisht

S'hanë vetëm banane e s'vjedhin vetëm ruaza
Keta orangutanë-politikanë super hajdutë
Djalit Shkëlqim dhe vajzës Argjaza
I falin hotele gjatë bregdetit në Jug

Pastaj hypin në majë të plehut e na shajnë baballarët
Këta majmunë - të bërë gjela, të zhytur në pisllik
Natën vrasin njerëzit e ditën qajnë të vrarët
Se asnjë si mbyll akoma në kopshtin zoollogjik …



NA ISHTE NJË HERË

Na ishte një herë një vajzë e Rrëshenit
Kaq e përsosur që kur ndrroi jetë
Zoti e çoi në një ishull të Edenit
Ku ajo tirrte me furkë lesh

Na ishte dhe një djalë Boboshtice
Që dallohej për ndershmëri e soj
Zoti e vlerësoi të përsosur
E për këtë, në të njëjtin ishull e çoi

Djali merrte leshin kafé
Të tjerrur me furkë nga çupka
Dhe e bënte veshje të thjeshta
Me xhufka dhe pa xhufka

Ishte i aftë për thurrje me shtiza
E kishte vullnet të madh ky djalë
Me vajzën u dashurua
Se dhe ajo s'kishte të sharë

Të dy u deshën me pasion të dlirë Edeni
Dhe i lanë mënjanë furkën e shtizat
Nisën t'i thurrnin vargje njëri tjetrit
Derisa një dite u kujtuan për filmat

"Këtu o Zot, s'ka asnjë kinema
Mbrëmje vallëzimi apo piceri
Dëfrime për be s'ka
Kurse ne kemi rënë në dashuri"

"Çfarë, po më kërkoni
Në tokë t'ju zbres prapë
Kur unë ishullin e Edenit
Ju bëra dhuratë?"

Zoti u tërbua
Dhe nga inati i zbriti
Në tokë midis njerëzve
Telasheve dhe gripit

"Tani dashurohuni
Dhe vuani sa më shumë
Veç mos u pendoni
E mos ecni më tek unë!"

Dhe nga inati Zoti
I trasformoi të dy
Vajzën e bëri lule ftoi
Dhe djalin zog të zi

Të dy u mërzitën
Po murit me kokë s'i bihej
Ai i thithte nektarin
Dhe prapë bashkë u rrihej

Kur erdhi vjeshta e parë
Zogu iku në vënde të ngrohta
Se po të rrinte me lulen
Do ta vriste e ftohta

Kur u kthye e gjeti
Ftua të papjekur.
Qau me lotë që nektarit
Gjurmë s'i kishte mbetur

Të dy u mërzitën
Po murit me kokë s'i bihej
Zogu çukiste ftoin
Dhe prapë bashkë u rrihej

Kur erdhi vjeshta e dytë
E zogjtë ikën në vëndet e ngrohta
Zogu i zi s'deshi
Dhe e zuri e ftohta

Ai vdiq për herë të dytë
Ftoi u poq tepër
Deri sa nga pema ra për tokë
Dhe plasi si verë e vjetër.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen