F A Q E T

Dienstag, 18. Dezember 2018

Demir Gjergji

Demir Gjergji

     - Poezinë e parë e boton në vitin 1970.
      - Libri i parë “Ngjyrat e tokës”, sheh dritën e botimit në vitin 1974.
      - “Në sytë e mi” është përmbledhja e dytë poetike e botuar fill pasi përfundon studimet në Ut Tiranë, për gjuhë letërsi.
      - Më 1997, pas kthimit nga Italia, ku qëndron 2 vjet si emigrant, boton librin me poezi “Mërgimi i bukurisë“ 
     - Në vitin 2000 nxjerr në qarkullim librin tjetër me poezi “Vera në ikonë“
     - 2001, nxjerr në qarkullim libri me profile shkrimtarësh “Shtëpia e shkrimtarit”
     - Një vit më pas boton përmbledhjen me poezi “Digjet ylli i ikur.
     - Në vitin  2004 shkruan dhe boton monografinë “Haxhi Gjyli, një jetë për shkollën”.
     - 2005 Boton përmbledhjen poetike “Ishujt e mbrëmjes”.
     - Në vitin 2008 shtëpia botuese “Toena” i boton në serinë e poezisë shqipe, cikli “Kambana”, përmbledhjen poetike “Vetëm (V)era vjen” .
     - Po në këtë vit i jep lexuesit adoleshentët një libër me përralla “Pse nuk qeshte bija e mbretit”.
     - Para pesë vjetësh, pikërisht në ditën e Shën Valentinit të atij viti, ky autor u dhuron lexuesve të dashuruar përmbledhjen me poezi dashurie ”Bibla e buzëve”, që është libri i parë i një triptiku botimesh me poezi dashurie.
    - Botim tjetër është libri poetik:”Orë akulli”, si pjesë e dytë e triptikut. Botimi i fundit është romani “Biri i Botës”. Ndërkohë përmbledhja e tretë me poezi, që po përgatit për botim, me titull, “Alfabeti i algave”, është libri i fundit i triptikut.
         Ndërkohë Demir Gjergji ka qenë dhe vazhdon të jetë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në medien e folur. Ka 20 vjet si gazetar në Radio Tirana, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.
      - Krijimtaria e këtij autori është vlerësuar me ]mime të ndryshme si Çmimi i dytë kombëtar për poemë në vitin 1986,  Çmimet “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin  2001, “Skampini” etj.
      - Se fundi vjen me përmbledhjen poetike “Shkreptimë tjetër moti”



Poezi nga Demir Gjergji 


SKENË NË PRAPASKENË

1.

Hije e frikshme, përtej e pështyrë:
Dy koka, dy supe dhe tetë gjymtyrë.
Hije, velë e zezë, me terrin e fryrë.
Hije mënxyrë, thellë në natyrë;
Gjysma, mbi barin pa ngjyrë,
Gjysma, mbi ujin e ndyrë.

2.

Dy kurme të ngrohtë,
Të hijshëm, të njomë,
Lidhur me frymë, me puthje, me lot,
Nën dritën e zbehtë të llampës së ftohtë
Japin e marrin llavë në shqotë.

Një qenie në qiell, me hijen përtokë.




MATERIE E TEJDUKSHME

Ajo kthjellohet, kristal i tejpamshëm fundemajë.
Flijohet, që bredhin ta shoh matanë në pllajë.
Dhe druri i moçëm shkrihet në gaz e shkrehet në vaj,
Ma thotë gjithçka që dua të gjej në qenien e saj.




MËSIME VJESHTE

Të zbehta meite, të thata, të shkreta,
Në slow motion lëshohen gjethet nga dega...
Kush ua mësoi këtë valle prej engjëjsh,
Që lindjen dhe vdekjen t’i thonë njeherësh?!

Si mund të jenë kështu, kaq të qeta,
Në ritet mortore të ndarjes nga jeta?!
Gjethet që bien nga qielli, nga vjeshta,
Na mësojnë si shkundet i gjalli nga vetja.

E dinë, se kaq i duheshin pemës,
Dhe hijes, dhe frutit, dhe rrënjës, dhe erës,
Na thonë, si mund të iket prej jetës,
Pa kuje, pa gjëma, pa zinë e të zezës.

Më mësojnë dhe mua si iket prej teje,
Pa ndjesë, dënesë, pa lutje, pa leje,
Siç ndahesh me formën çudi të një reje,
Siç kthehet në paqe një trim pas beteje.




HEMATOMË

Hija e Tokës
Shkeli e shkoi...
P-lojës sonë!

Nën lëkurë, në gjak,
Më çel një zambak!

Mëngjesi u gdhi...
Mbylli sytë e fli,
Mbi zambak të zi!

Mbama dhimbjen ti!




SHKELJA E HIJES

Hija e Tokës,
Shkeli trupin tim
Dhe çeli aty,-
Trëndafil mavi.

Fli, zemër, fli,
Fluturz e bardhë,
E lehtë puhi,
Mbi natën pusi!




KE DALË E MË PRET...

-Serenadë-

- Kthehu! - më bën zë mengjesi nga pushi i butë i faqeve,
Nga pjalmi i zemrave të
manushaqeve,
Nga puhiza e kaltër mbi bluzën e hollë,
Nga avulli mbi lëkurën e qullur me qiell,
Nga mrekullia e ëndrrës së parë erotike...
- Kthehu! - ma bën me dorë ajo paradite.

Kthehem dhe nisem!
Thërrmohem dhe një herë nëpër cicërima,
Në sy mbaj kraficën e hënës, dhuratë për ty.
Shkrihem, - petale dëbore përmbi luleborë.
E marr përdore kometën e humbur në dritë të paradites...
Fishkëllej në kërcej, kapërcej vise, qiej,
Sa vjen, më i lehtë, sa vjen, më fshehtë, sa vjen, më i nxehtë.

Ke dalë e më pret,
Në mesudhë, në mesditë, në mesjetë,
Cicërimë dhe puhizë, polen ëndrre dhe kometë.

- Kthehu, - mëngjesi thërret.
Manastiri i mbrëmjes bën gjumin vet.




GJUMË I TRAZUAR

Ëndrra
Erdhi,
Më pa
E të tha:
“Në tjetër shtrat...
U shtri yt atë!”

U zgjove.
Kërkove nënën,
Nga frika mos ishte në gjumë
Dhe shihte të njëjtën ëndërr.



MJEGULLA

Ngrihet
Frymëmarrja e gjumit të ujit,
Si gënjeshtra,
Fjalë pas fjale,
Nga buzët e tua të bukura.

Bie mbi pyetjen time
Për sinorët dhe orët,
Prej nga nisen meteorët.




BETEJA

Ishte ai vit, ishte ajo ditë me orën e ligë,
Që m’u bënë udhë, të ikja prej teje...
Ndërsa shembem natën si vigan mbi vig,
Ende shpirti s’jepet mes asaj beteje.




TË THIRRA NË ËNDËRR

Mendjeshkalluar, gjakshkumbëzuar, sytë në të shuar...
Peng i papenguar
Në gjumin e ëmbël...

Të pashë në ëndërr!

Frymë e munguar, ajër i tërbuar, shtrat i shtruar
Me rroba të ngrohta,-
Prush prej trupit tënd...

Të thirra në ëndërr...
Të zgjuarit shohin vëngër.

...Drita ndjehet keq...

Një sure Kurani përplaset për qelq:
“Gruan e tjetrit kurrë mos e prek!”

Dola! Nuk më pe!
Thirra, shenjë s’dhé.
Renda të të prekja,
- Mos, - the, - na gjen vdekja!
Engjëjt e përjetshëm,
Prekja i bën njerëz!-

Ika prapë në gjumë,
Mjegull e furtunë!




TJETËR KALENDAR

-Akapela-

Një janar
Për t’u parë.

Një prill
Shkoi si trill.

Një korrik
U fik në frikë.

Gjithë vjeshtën,
Vetëm heshtëm.

Një dhjetor
I gjorë në borë.

Prapë janar...
Dhe të ndarë.

Ne u deshëm kaq ngadalë,
A koha rend revan si kalë?!



NJË FYTYRË TJETËR...

Më sulmonte një fytyrë tjetër,
Ndërsa ndjeja po atë zemër!

Në oazin e lotëve të vjetër,
Sytë dilnin tepër!

Qenka herët, ende herët,
T’i lë lamtumirën verës,
Ta nis ftesën për festën vjeshtës.

Ma zë pamjen një fytyrë tjetër...

Vera baret brengës,
Vjeshta bredh në breshër...




SHFAQMU, DASHURI!

Më humbe... Jo se s’të gjej dot!
Linkun ta kam! Adresën ta di!
Në mua je mbyllur si në password,
Që rrekem ta hap, e s’mundem kurrësesi.

Vërtitem përhumbshëm në zhurmën e turmës
Si gur bilardoje goditur pa shenjë.
E ndjej: s’je ti, po unë jam humbës.
Ti thjesht, je fshehur si fryma në ndjenjë.

Nga mesi i sheshit më sheh një shtatore.
Heroi mbi kalë shtrin dorën ngadalë:
- Zër vendin tim te kjo përmendore,
Nga ky piedestal, ti thirre, të dalë!-

Më jep përkrenaren dhe armët e luftës,
Më lë përjetësinë, më vesh me lavdi...
Nga kupa e qiellit, mbi zhurmën e turmës,
I them: “Dil prej humbjes. Shfaqmu, dashuri!”



NJË ORË

Një rrethrrotullim i majtë në të djathtë:
60 sekonda, 60 minuta, 1 orë.
Vetëm një rrethrrotullim akrepash
Dhe kaq!

Dhe ne, që gënjejmë se rrojmë
Me ditë, me javë, me muaj, me vite, me shekuj
Dhe më shumë se aq!



SI MUNDE TË MOS JESH?

Si munde ta bësh të pamundurën,
Ta lësh veten pa frymë e pa moshë
Dhe hiret në sofër insektesh t’i shtrosh?!

Si munde aq butë,
Të futesh ku s’dukesh,
Siç natës i shkojmë nëpër muzg?!

Të mos jesh, si mund...?!
Ma thuaj,
Që të di të të ndjek dhe unë!



PO TË MOS ISHE...

Po të mos ishe ti,
Tani do të mendoja për vete.
Mund të ndjeja papritur uri,
Ose do të shihesha në qelqe.

Do t’i fshihja gjërat e rëndomta,
Rrudhat dhe erën e djersës,
Do t’i hidhja lëkurës aroma,
Që s’i kanë as lulet e verës.

Do të bëhesha me dhunë i bukur,
Do të krihesha më nge, me kujdes,
Do të bëja marrëzi për t’u dukur,
T’i zgjoja një tjetre “interes”...

Po të mos ishe ti...
Po ja që je, siç unë për ty jam,
Që shpirtërat të gjejnë pak qetësi,
Për t’ia nisur sërish ku e lanë.




VJERSHA E PASHKRUAR

Më parë se të vinte, ku ishte kjo vjershë?!
Në ç’shpirt përpëlitej, në ç’plagë rënkonte?
Nga ç’harqe vështrimesh lëshohej si heshtë,
Dhe ku fluturonte; në ç’pa(r)qe, në ç’fronte?

Po fati i saj më tej si do jetë,
Nëse nga fryma e shtrij nëpër shkronja,
Po ta mbërtheja si gjethez në fletë
Dhe fletën në libër pastaj ta botoja?

Kam frikë se librin askush s’do ta marrë
Dhe vjersha do thahet si gjeth në herbar.
Prandaj, pa mëdyshje, i them: “Udhë e mbarë!
Andej nga më erdhe pak çaste më parë.”



SHTATË DIMËRA

“Mos të pafsha e mos më pafsh!”
Thirra fort dhe britmën ndoqa...
Dhe shtatë dimra erdhën bashkë...
Vdiste ndër lumenj dëbora.

Ujërat rridhnin kundër ikjes,
Me inatin tim në rrymë,
Me shtatë dimërat e braktisjes,
Që s’dija për ku më shtyjnë.

Humbur bora lumë më lumë,
Ti, murosur tej te britma,
Shpirtërat enden si furtunë,
Vetëtijnë në shtatë dimëra.

Breglumenjve, lule ngrice
Si thëngjij shkrepnin shkëndija,
Në atë prush, që po më ndiqte,
Ty të shihja e dot s’të fshihja!

1 Kommentar:

  1. Ashtë një privilegj ta ndaj këtë dëshmi të mrekullueshme me botën. Kjo është Beth Walters nga Anglia. Burri im më divorcoi 4 muaj më parë dhe unë isha plot pendim sepse nuk dija çfarë të bëja për të ndryshuar problemet e burrit tim. Unë kërkova në internet për ndihmë se si mund të merrja ndihmë në martesën time dhe zbulova dëshmitarë të mrekullueshëm të magjisë së dashurisë, e cila ishte progresive me magjitë e saj. E kontaktova dhe doktor Wight më tha se ai do të përgatiste një magji për mua për të sjellë burrin tim mbrapa. Isha skeptik, por nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të punoja me të. 2 ditë më vonë, burri im më thirri të kthehesha në shtëpi nga ajo ditë dhe deri më tani, kam jetuar në paqe. Ai u kthye tani me aq dashuri dhe kujdes. Sot jam i lumtur t'ju njoftoj të gjithëve se ky lojtar magji ka fuqinë të sjellë përsëri dashnorë dhe gjëja më befasuese është se dashuria jonë është shumë e fortë tani, çdo ditë është lumturi dhe gëzim. dhe nuk ka asgjë si të jesh me njeriun që do. Unë do ta rekomandoj Dr.Wight për këdo që ka nevojë për ndihmë. Nëse keni ndonjë problem, kontaktoni Dr.Wight, ju garantoj 100% që ai do t'ju ndihmojë !!.
    Email: wightmagicmaster@gmail.com

    WhatsApp: +17168691327

    AntwortenLöschen