F A Q E T

Samstag, 22. Dezember 2018

Genc Leka

Genc Leka

Genc Leka lind më 23 mars 1941 në Bërzeshtë, në rrethin e Librazhdit, i biri i Bardho Fehim Lekës dhe Nergjize Lekës. Genci shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare i kreu sa në fshat, sa në Librazhd. Në vitet 1957-61 ndoqi shkollën pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj më 1960-61 e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës. Në vitet 1967-68 shërbeu ushtar, pranë Cërrikut.

Prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim nga organet e Sigurimit. U arrestua më 31 gusht 1976, procesi i gjykimit u zhvillua në Librazhd në datat 6-13 qershor 1977. Me vendimin nr. 45 më 16 qershor 1977 dënohet me pushkatim bashkë mikun e tij Vilson Blloshmi. Pas një kërkese për falje, më 16 korrik 1977 Presidiumi i Kuvendit Popullor njoftoi refuzimin e faljes së jetës. Ditën që pasoi, Ministria e Brendshme nxorri urdhërekzekutimin që u ekzekutua po atë ditë duke i pushkatuar poetët.


Poezi nga Genc Leka


KUJTIMI YT

Kujtimi yt më hodhi këtë natë
Në thellësinë e brengave pa fund...
(Ah ëndërr e kaltër, këputur për mes)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
Shtegun e blertë kur nuk e gjen gjëkund
Vezulluar prapë mbrëmjes e çdo mëngjes.


BABAIT

Si vegim më erdhi këtë natë
(Ku t’i çojë shpirti këta lot)
Si dikur hedh fletë vjeshtë e artë
Unë thinjem te kjo rrugë e gjatë
Kurse ti këndej nuk vjen më dot.
.........
Kushedi sa herë nëpër net...
Ti do vish i heshtur si vegim...
Fletë do të hedhë vjeshta e tretë.


NËNËS

Eh ç’do perëndojnë nënat tona
Dhe si dielli i bukur plot shkëlqim
Këtij “qielli” më s’do lindin dot.
Ndaj me mall gjer n’orët më të vona
Do na rrahin zemrat me trishtim
Dhe për to gjithnjë do derdhim lot.


POEZIA E FUNDIT

O hënë, pse dole, moj, kaq e trishtuar,
Mos vallë për mua po mban zi?
........
Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj të fundmen poezi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen