F A Q E T

Sonntag, 23. Dezember 2018

Mehmet Rrema

Mehmet Rrema

Mehmet Rrema u lind në Malësi të Krujës më 7.11. 1951. Ka mbaruar shkollën 8 vjeçare në vendlindje. Ka vazhduar shkollën e mesme profesionale, veterinare në Shkodër. Aty ka fillimet e para letrare. Është nderuar me çmimin e tretë më dramë në shkallë rrethi. Është marrë me poezi dhe prozë. Universitetin e ka mbaruar për mjekësi veterinare, ku ka punuar në disa rrethe e zona të vendit deri në vitin 1992, vit kur ndryshoi sistemi ekonomikoshoqërorë. Pastaj, ka emigruar në Itali. 
Mehmeti ka vazhduar ti përkushtohet pasionit të tij të kahershëm. Ka botuar romanin "Dosja e djegur" dhe përmbledhjet me poezi:"Valixhet e shpresave", "Le të përkulemiI". "Si humbi dashurua", "Loti yt digjte atë ditë" dhe "Dhuroje një buzëqeshje".


Poezi nga Mehmet Rrema


ORËT E QYTETIT

Atë ditë binin kambanat e lodhura të qytetit
Kulla e madhe qe lagur nga lotët. Qante.
Zogjtë e trembur nga një tufë sqifterësh
iknin nga mundeshin e fshiheshin nën pullaze

Korbat u ulën në degët e pemëve ne bahçet
e braktisura që patën mbetur të veja,
të veja patën mbetur edhe rrugët e sheshet
që çdo ditë mblidheshin tek orët e qytetit.

E pyesnin aty një burrë të motshëm, mjekërbardhë
që e pat marrë rolin e profetit, se mos dinte gjë
për fatin e tyre,e ai,pasi tundte kokën tre herë
ua tregonte orët e qytetit dhe kambanoren e madhe

Atë ditë orët s’ ranë si herët e tjera e ai s’e tundi kokën.
Një djalë pat dalë aty ku bashkoheshin katër rrugë
dhe thërriste me zë të lartë sa e dëgjonte edhe qielli.
Në këtë botë, nuk di ku të shkoj, nuk di ku të vij

Nuk di ku kam qenë, nga kam ardhur e kë do të takoj,
nuk e di as ku jam e as ku I kam trojet e etërve të mi.
Më thoni, ju lutem, në mos tek trojet, tek varret të shkoj
apo edhe ata si çdo gjë, janë kthyer në hi?

Atë ditëi moshuari mjekër bardhë prapë tregoi orën.
Vaji i sajë i ngjante vajit të Ajkunës në Lugjet e Verdha
Nga kulla e madhe, në tokë binin lotët
që si lumë shkonin e digjnin të mirat zemra

Sa herë e pat bërë këtë askush nuk e pat pyetur:
Kur?
E pyetën. Ai me dorën e rrudhur tregoi qiellin.
-Edhe shtatëdhjetë e dy ditë kemi për të pritur
derisa reja e zezë të na e liroi qiellin



NËSE DO TA THUASH NJË FJALË

Nëse
Nëse do ta thuash një fjalë
Për atdheun,
Thuaje me zë të lartë, sa qielli ta dëgjoi.
Nëse njerëzit nuk të dëgjojnë,
Merak mos ki;
Se fjala e mirë do të bëhet lule
Do të bëhet farë
E nga ajo farë do të mbijnë e të rriten
Lisa shtat lartë,
Sa nuk do të ketë furtunë që do t'i shembi.
Dhe ke për të parë
Se këto që sot nuk të dëgjojnë
Do të vijnë në hijen e lisave,
Do të vijnë e ashtu si janë mësuar
Duke u zvarritur do të kërkojnë të hipin në majë,
Por nuk do të munden
Se majat nuk janë për zvarranikë.
Ashtu siç nuk janë përmendore për tradhtarët,
Siç nuk janë kullat për të pabesët
Siç nuk janë nderimet pr të pa ndershmit

Nëse do ta thuash një fjalë për atdheun
Thuaje me zë të lartë
Me zë të qartë
Me zë kumbues
Me zë që të jehoi fusha dhe mali
Thuaje me fllad pranvere
Me aromën e tokës së punuar
Të bukës së pjekur
Të qumështit të zier
Thuaje me zë fëmije
Thuaje me dashuri nëne
E me besë burri.



MOS FOLPËR VENDIN TËND

Kurrë mos fol për vendin tënd
Kudo që të jesh
Me këdo që të jesh
Me gjuhën e karrigeve dhe të dollarëve,
Por fol me gjuhën e rojës së paepur
Të atdheut
Mos fol duke u zvarritur e as duke puthur
Këmbët a duke u zgërdhirë
Për t'u bërë qejfin të huajve.
Eee eeej, ju po ju them!
Juve ore juve pa shtyllë kurrizore që zvarriteni
Zvarriteni për të hipur në një karrige
Mos e nxirrni atdheun në treg
Vetëm se ai u ka dhënë një vulë
Se atdheu dhe nëna
Nuk kanë lindur për t'u shitur
Nuk janë lindur për të nëpërkëmbur
Por...ata...
Ata kanë lindur për t"ju rritur.



A MUND TE SHKULET MALI I ÇIKËS?

Nuk mbahet mend qëkur ka nisur kjo këngë
duke iu ngjitur shpatit te malit
herë si fllad i lehtë e herë si uragan
Disa thonë ajo lindi kur u duk mali
dhe në fusha ra vetëm
për te mbjellë e korr bereqet

Disa thonë se e patën kënduar vetëtimat
dhe jehonën e përcillnin rrufetë
nga njëri horizont në tjetrin
prandaj Iso mori fëshfërimën e erës
ngjyrën e zjarrit dhe shpejtësinë e vetëtimës
mori dhe forcën e uraganit.

Ndoshta këngëtarët e Isos zbritën nga horizonti
në monopatin e thepisur te malit
në krahët e flladit
dhe krijuan vend banimin aty në këmbë të malit
ndërsa muret i krijuan me Iso, jo me gurë
prandaj kënga nuk shuhet kurrë

Shumë e mësynë ta marrin shpatin e malit
e në gjuhen e tyre te lodhur te këndonin ison
po sa e merrnin udhën, nga mali zbrisnin vetëtimat
dhe gjuhë ngatërruarit merrnin rrokullimën
si gurë te shkulur që rrëzohen në shpat
E Iso vetë, qëndronte e ngulur në shkëmb
Qëndron e përqafuar me yllin e dritës

Shumë vijnë për ta takuar
e, ndoshta edhe për te marrë një copë
si hajmali, por...
por a mund te shkulet mali i Çikës?



NËN DRURËT E NGRIRË,
ACARI LOZTE ME JETËT E NJERËZVE

Nën drurët e ngrirë, acari lozte me jetët e njerëzve
që edhe ashtu, pa ngricën dhe dëborën ishin gatit të fikeshin
ndërsa nga ana tjetër bishat veshur me rroba të gjelbra
skërmitnin dhëmbët gati për të shkatërruar karkasa njerëzish

Një tufë korbash me gojë të hapura dhe sy që nxirrnin flakë
u lëshuan mbi banorët e çadrave të grisura duke u shtyrë
kush në trupat gjysmë pa jetë t'i ngulte dhëmbët më parë
kockat e dhe palcën e mbetur në trup me u thyer dhe grirë

Një i moshuar i ulur në baltën e njomë në prehër mbante
një fëmijë të porsalindur që mezi nxirrte një zë të mykur
nuk fshihej nëse qante për qumësht, nga të ftohtit apo qante
për nën e tij të shtrirë aty pranë që sapo kishte vdekur



A NDJEHEN SHQIPTARË KËTO KLERIKË

Vijnë e shkojnë veladonët e zi nëpër qytet
vetëm mjekra u zbardh e sytë e qelqtë në ballë
Mbi kurrizin e popullit duan të ngrenë pushtetin e vet
kush më shumë për tjetrin xhelozi mund të ngjallë

Vijnë të urtë, si të përvuajtur të qetë e ngadalë
rrethuar nga eskorta që i ndjek e ruan me kujdes
gjejnë një rast të volitshëm dhe e hedhin një fjalë
“Mos e harroni Perëndinë time që ju ndrit në mëngjes”

Nuk kërkon shumë prifti i futur nën veladonin e zi
se vetë Perëndi tek ne e ka sjellë që te vuaj
një poçe më verë e nga dashi ca mëlçi
Dhe një katedrale për qytetin që në qiell te arrij

Qan hallin e grigjës kleriku zemër blozë
se nuk jeton dot populli pa kambanore e minare
diku qiellin e preki kryqi, më tej një gjysmë hënë
vetëm për shqiptari, askush nuk i hedh dy pare

Lëreni atdheun, thonë, se mendon vetë Perëndia
shikojeni hartën sa bukur ua kemi qëndisur
rrini te qetë, gëzoni e qeshni o delet e mia
se ne jemi këtu për t’ju shëruar mendjen e prishur.

Futu klerik në strehën tënde veshur me ar
nëse vërtetë beson në Perëndi, lutu se keq nuk me vjen
le te vijë aty cilido që në shpirt është besimtar
po mbi çdo fe, ne kemi një atdhe që kund nuk e gjen.

Nuk jeni ndryshe nga te parët tuaj që dje,
na vrisnin atdhetarë e mallkonin gjuhen shqipe
pse s’ thatë një fjalë dje priftit serb, që për luftë bënte thirrje
T’i thoshit se ku flitet shqipja, është një komb, birë Perëndie.



TI VJEN NJË KRIM PËR TË NXITUR

Kthehu president andej nga ke lënë nënën
se në Kosovë nuk je mik.
Krimineli një ditë kthehet në vendin e krimit
dhe ti vjen një krim të ri për te nxitur

Erdhe në Kosovë o biri Sllobodanit
në atë vend që nuk guxon ta quash mik
u ndale tek liqeni ujë pastër i Ujmanit
por krimet e racës tënde ai s’i la, kot mos prit.

Erdhe me çakajtë, dhëmbët duke Skërmitur
se gjoja malli zemrën ta paska copëtuar
jo, mor jo. Erdhe arrogancë e frikë për te imponuar
se ti na qenke zot i pyllit, qiellit e ujit të kulluar

Të duruam se shqiptarët janë bijtë e arsyes e durimit
po mos guxo më thundrën nëpër trupin e Kosovës
ta kalosh si dikur në vitet e errët të zisë e trishtimit.
Kujdes se te kthejmë te turpëruar në sytë e gjithë botës

Se ende kjo tokë rënkon nga dhimbja që ti ke shkaktuar
ende gjaku i trimave në të nuk është tharë
o Kain i kohëve moderne me perla mbuluar
shko e pastrohu një herë para se në Drenicë me erdh

Nuk duron Drenica, nuk duron Kosova e Prekazi
erën tënde të mykur që kundërmon krim e tradhti
ik se nga qielli me gjithë trima zbret Adem Jashari
dhe ju kall në shkrumb, e u bën hi.

Ikën ditët tuaja te madhështisë kur shtypje popullin e urtë
tani matu mirë para se për Drenicë të marrësh udhë
mburresh president me atë betejë që të turpëruar u larguat
që pesëqind vjet mburreni me atë pop e atë luftë

Mburreni me atë Dushanin tuaj mjekër gjatë
se fisi juan ka ardhur nga tej diellit që s’pat lindur
këtë vend e patën ca burra te pashëm e besë artë
ju erdhët endacakë te përvuajtur bukë duke lypur

Ik, pra se nuk je ndryshe nga etërit tuaj barbar e te egër
merri me vete langonjtë që te ndjekin ngado
dhe mendohu mirë para se ta marrësh herë tjetër.
Porosi te jap. Me historinë e errët mos jeto. Ndrysho!



KAM MALLË SONTE

Ooo ç'mall kam sonte ta dëgjoj edhe një herë zërin
Ashtu të avashtë por me fjalët gurë themeli
Me atë buzëqeshjen tënde dua ta shuaj mallin
E të më thuash prapë si dikur; kështu thoshin të vjetrit

Sa mall kam s'e shpreh dot se fryma po më merr flakë
Të ulem, edhe një herë kokën ta mbështes në atë prehër
Aty pranë oxhakut të mund ta ndjej atë dorë të ngrohtë
Nëpër flokë t'më kaloi lehtë sikur është duke më krehur

Kam mall ta dëgjoj sonte atë zë prej burri të urtë
Tek flet, dhe me mashën e vogël ngacmon urët në zjarr,
Ta ndjej edhe një herë dua atë prekjet tënde aq të butë
Dhe të më marrësh për dore të vij me ty atje më varr

Të vij me ty atje s'më frikëson të ftohtit dhe as errësira
Në gjoksin tënd të ngrohtë ta mbështes kokën dhe të dëgjoj
Rrahjet e asaj zemre që, në gjithë botën ishte më e mira
Më lerë pra të vij aty bashkë me ty toka le të më mbuloi

Kam mall, po edhe nevojë për fjalën tënde thënë drejtë
Ashtu siç ja thoshe çdonjërit mikut, shokut të vjetrit a të riut
Se ashtu pra ke qenë e të mbajnë mend të gjithë në jetë
Në hak as me fjalë e as me vepra nuk i ke hyrë njeriu

Për ty gjithmonë një dhe një kanë bërë veç dy

Më duket e pështirë ajo që shoh e dëgjoj sot, tek ca të ri
kur babë e nënë i braktisin një apo pesë bija e bijë
Mos i raft askuj ta provojë, por një gjë mirë unë e di
Se në jetë kam ecur dhe do ec me kujtimin e mallit për ty

Vetëm një gjë, unë sot këtu po e them se e ndjej në shpirt
E ndjej si ajrin që thith dhe diellin që nga lart më ndriço
Ngado shkoj fjalët tuaja rrugës më shumë m'i bëjnë dritë
Ai shembulli yt mua gjithmonë që mendjen ma kthjellon

Sa mall kam sot aty pranë vatrës bashkë me ty të ulem
Ta ndjej atë aromën tënde që më ngroh dhe më forco
Ashtu siç dije me ngadalë për në jetë t'më tregoje rrugën
Se për mësimin e babait çdokush ka nevojë, më beso

Vonë kam kuptuar pse kur më mësoje si ta mpre lapsin
Më pate thënë të shkruaj drejtë, dhe kudo të kem kujdes
Se një të dënuar pa faj tre herë në grykë ia vunë litarin
Dhe ia hoqën kur litari i padrejtësisë u këput për herë të tretë

Oo, ç'mallë kam donte të shikoj edhe një herë buzë oxhaku
Se si të ndrit faqja kur bisedon me mysafirë ardhur për darkë
Dhe kur shkonin i shoqëroje deri atje ku i thoshim Lisi i Plakut
Shpesh vija dhe unë, se më pëlqente kur ktheheshim baskë



MË IKE I DASHUR, SYTË M'I KTHEVE NË KRUA
(Kohës së shkuar)

Mbrëmja uli vellon në liqenin e qetë
Valët e lehta lozin me kallamishte
Qante e mjera vajzë, qante me dënesë
po si nuk të erdhi keq që më le dhe ike

Mallkuar qofsh ti liqen i kaltër dhe i thellë
fundi t'u ktheftë në shkretëtirë që djeg
ia hape rrugën të ikë, e mua vetëm t'më lërë
me qyqen, zogun vajtimtar të vajtoj në breg

Ty natë e zezë, të mbuloftë zi' e përjetshme
që i fshehe thellë në gjirin tënd në errësirë
më thuaj, pra të lutem më thuaja ti kallamishte
thirre vdekjen të vijë të marrë, kij pak mëshirë

Më ike i dashur sytë m'i ktheve në krua
më le në gojë të ujkut të digjem, të zhuritem
më le mes bishave të egra,që të lozin me mua
eja dallgë e zemëruar më fut në gji, të mbytem

Digju shpirt i vrarë kthehu në hi, më iku dashuria
vdekje, të lutem ty, eja me përqafo, kij mëshirë
me ty të martohem të kaloj ditë e helmëta të mia
se ai qe më donte mbrëmë iku, iku nga Shqipëria

Ik dhe ti zemër, dil nga gjoksi, imja më nuk je
je dhurata, që atij kisha bërë, mbrapa nuk e marr
ai iku, rruga iu ktheftë në dritë për të parë dhe diell.
Shko atje, tek ai dhe thuaj se mua më gjen në varr

Zemrën po ta çoj s'kam çfarë ta dua, mbaje ti
trupin me vdekjen le ta martoj, ajo t'më marrë
jeta pa ty s'është jetë, kuptim s'ka, këtë ti e di
po erdhe një ditë lulen"Mos më prek" sillma në varr
______
Përgatiti për "Ora shqiptre", Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen