F A Q E T

Samstag, 22. Dezember 2018

Vilson Blloshmi

Vilson Blloshmi

Vilson Blloshmi lindi me 18 mars 1948, në Bërzeshtë të rrethit të Librazhdit. Shkollën 7-vjeçare e mbaroi në Bërzeshtë, ku dalloi si një nxënës si shkëlqyer, kështu që familja vendosi ta dërgonte në Elbasan, ku ai mbaroi edhe shkollën Pedagogjike. Për arsye të biografisë, Vilsonit nuk mund t’i jepej bursë për të vazhduar shkollën…

Ai e filloi Pedagogjiken si nxënës i jashtëm. Rrinte te një mik i largët i familjes, e cila e paguante kët mik për të gjitha detyrimet që i duheshin për mbajtjen e Vilsonit. Në vitin 1963, i arrestuan babanë, Samiun. Vilsoni kthehet në shtëpi shumë i mërzitur dhe i tha xhaxhait, Bukuroshit, se “…do ta linte shkollën, pse nuk donte t’i bëhej barrë familjes… “Do të vij të punoj me ju në Stravaj!”, e mbyll bisedën Vilsoni. Xhaxhai, Bukuroshi, i mërzitur nga burgosja e të vëllait tjetër dhe nga hallet që sa vinin e shtoheshin, i thotë të nipit se “…duhej të vazhdonte shkollën dhe se detyra e tij e vetme ishte: Të mësonte, të mësonte dhe vetëm të mësonte!” Por Vilsoni këmbënguli në vendimin e tij, atëhere xhaxhai e urdhëroi të kthehesh në shkollë… Vilsoni në vitin 1966, mbaroi shkollën pedagogjike dhe u diplomua. Pas kësaj, ai u paraqit disa herë në drejtorinë Arsimore të rrethit të Librazhdit, por ata nuk e morën parasysh asnjëherë dipllomën e tij. Kjo dipllomë mbeti një copë letër pa asnjë lloj vlere… Meqë Blloshmët nuk ishin anëtarë të kooperativës, (sepse kulakët nuk pranoheshin në kooperativë), Vilsoni u detyrua të punonte në Stravaj, ku bënte vetëm punë të rënda krahu.

Në dhjetori të vitit 1968, e thirrën për të bërë shërbimin ushtarak, shërbim të cilin ai e kreu në Tale të rrethit të Lezhës, në brigadë pune. Atje ai njohu një prift, i cili e ndihmoi të studionte gjuhët e huaja… duke i dhënë një mori librash. Meqënëse në maj të vitit 1968, Blloshmët u lejuan të futeshin në kooperativë, Vilsoni mbasi mbaroi kryerjen e shërbimit e detyruar ushtarak, në vitin 1970, filloi edhe ai punë në kooperativë. Punët që kryente Vilsoni ishin nga më të rëndomtat si kafshar, roje, bari lopësh dhe në fund punëtor krahu në bujqësi. Gjatë periudhës së dimrit, kur bënte roje në malin e Turjes dhe në mes të borës, miqtë e tij të vetëm ishin libri, ariu dhe ujqërit. Në vitin 1975, e hoqën nga miniera e Prrenjasit ku punonte 1500 nëntokë dhe e çuan të punonte sërish në kooperativë. Në nëntor të po këtij viti, Vilsoni u martua, dhe me 9 shtator 1976, i lindi vajza që e quajti Enrieta. Me 5 Gusht të vitit 1976, Vilsonin e arrestuan në Librazhd dhe e nisën menjëherë për në Tiranë.

Pas një viti torturash, si në hetuesinë e Tiranës edhe në atë të Librazhdit, ku i gjymtuan dorën e majtë nga prangat, të cilat nuk ia hiqnin gjatë njëzet orëve, me 6 qershor të vitit 1977, e nxorrën në gjyqin formal, pasi vendimi qe marrë me kohë në Komitetin e Partisë. Pretenca u dha: “Dënim me vdekje… (Pushkatim).

Vendimi i gjyqit të 13 qershorit 1977, vendim i cili nuk ndryshoi, as në seancën e gjykatës së Lartë dhe as në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kështu më 17 korrik 1977, u zbatua urdhëri i Ministrit të Punëve të Brendëshme, i cili urdhëronte, ekzekutimin e Vilson Blloshmit në orën 00… Në mesin e natës së kësaj date, pushoi së rrahuri zemra e 29 vjeçarit Vilson Blloshmi. Gjatë viteve 1966­1976, Vilsoni krijoi në shtëpi një biblotekë të pasur me autorë të huaj, kryesisht francezë. Studionte ditë e natë pa hequr nga samari i mushkës si librin ashtu dhe fletoren e tij të përkthimeve. Autorët e tij më të preferuar ishin Viktor Hygo, Lukreci, Shatobriani, Lamartine, Edgar Allan Po, Theofil Gotje, Rasin, Sharl Bodler, Paul Verlen, Mallarme, Pol Klodel, Artur Rembo, Gijom Apollinere, Pol Eluard. Veprat e të cilëve i përkthente nën dritën e kandilit dhe në flakën e zjarrit, në mes të borës ose si roje në Pyllin e Turjes, kur punonte në sektorët e Holtës, Bllatës apo Lirasit… Për të udhëtuar drejt Tiranës pasi linte punën nga nëntoka e minierës së Prrenjasit, merrte trenin e mbrëmjes duke udhëtuar kështu gjitha natën, dhe po natën kthehej në shtëpi i ngarkuar me libra. Asnjeri nuk e dinte nëse kishte ndonjë mik, ose shok në Tiranë, Elbasan a Korçë, të cilët ta ndihmonin të gjente këto libra.

Me ndërrimin e sistemeve filloi edhe rehabilitimi i figurave dhe personaliteteve të persekutuara nga sistemi diktatorial. Kështu në vitin 1994, ditën e rivarrimit, presidenti i athershëm Sali Berisha, i dha Vilson Blloshmit dekoratën “Martir i Demokracisë”. Në vitin 1995, nji nga shkollat nëntvjeçare të Librazhdit mori emrin Vilson Blloshmi, dhe po këtë vit, Vilsoni dekorohet “Mësues i Popullit”. Me 30 qershor 2006, nën kujdesin e Ministrisë T.R.K.S, ministrit të saj dhe deputetit të rrethit të Vlorës, Bujar Leskaj, dhe në prezencën e Presidentit të Republikës të asaj kohe Alfred Moisiu, u përurua memoriali i dy poetëve “Martirë të Demokracisë” Genc Leka dhe Vilson Blloshmi.

Po me datën 30 qershor 2006, kryebashkiaku i Librazhdit, i shpalli ata: “Qytetarë Nderi” të rrethit të Librazhdit, dhe po kët vit u realizua dokumentari kushtuar këtyre dy poetëve me titull “Kur vriteshin poetët!”, me skenar të Sadik Bejkos dhe regji të Namik Ajazit. Po kët vit u kompozua edhe kënga kushtuar dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Në vitin 2008, po nën kujdesin e Ministrisë T.R.K.S, u botua vepra e plotë e Vilson Blloshmit. Në janar të vitit 2009, Vilson Blloshmi, mori çmimin letrar “Lasgush Poradeci”, si poeti më i mirë i vitit, dhe në 14 dhjetor të po këtij viti, në Akademinë e Shkencave u mbajt sesioni shkencor: “Vepra postum, kushtuar dy poetëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Në maj të vitit 2010, Presidenti i Republikës z. Bamir Topi, i dorëzoi familjarëve të Vilson Blloshmit, dekoratën “Nderi i Kombit!” 


Një poezi nga Vilson Blloshmi


SAHARAJA

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë me mend’ e saj…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,
Saharaja nuk ka bijë, as bir.
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,
S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

As dhe një s’e di si është kandisur
Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur
Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,
Saharaja e mban vesh e qesh.
Saharaja fillon të gëzojë,
Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit
Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,
I ngjan vello savani i qiellit,
Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur
Mbi dikë mallon e shfryn e shan,
Që nga skuta del kujtimi i dehur
Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi
Në pusin e harresës tret…
Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen