Zekerija Idrizi lindi në vitin 1969, në lagjen e Dizhonit në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesmen "Medreseja Isa Beu" i kreu në Shkup. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin e Shkencave Islame, në Sarajevë. Botoi qindra shkrime në revistën informative, kulturore e shkencore islame "Hëna e re", organ ky i Bashkësisë Fetare Islame, në Maqedoni. Herë pas herë, botoi edhe në gazetat tjera shqipe si në: "Flaka" (Shkup), "Fakti" (botimi në diasporë dhe Shkup), "Koha ditore" (Prishtinë) dhe "Bota sot" (Cyrih). Gjithashtu botoi edhe në revistat: "Familja" (Tiranë) dhe "Dituria Islame", organ ky i Bashkësisë Islame të Kosovës. Deri më tani ka përkthyer nga boshnjakishtja veprën kapitale "E drejta islame" (Islamsko pravo) të autorit dr. Jusuf Kardavi (botoi BI, Shkup, 1995) dhe si bashkëpërkthyes nga arabishtja veprën "Të vërtetat esenciale të Islamit" (El-Hakaiku-l-Esasijjetu lil-islam) të autorit Abdullah Sead (botoi BI, Shkup, 1994). Romani i tij "Arratisja nga "vdekja" është ribotuar disa herë dhe është përkthyer në disa gjuhë. Veprat e këtij autori:
"Mozaiku fetar dhe çështja kombëtare", botoi Komuniteti Shqiptar Mysliman, Shkup, 1997
"Xhamia në analet e historisë-Hoxhallarët dhe tempujt fetarë në shërbim të çështjes kombëtare", Cyrih, 2009.
"Letër bijave të mia", botoi Shoqata Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Amanda Edit, Bukuresht, 2015
"Veprimtaria universale e imamit në kurbet", SHB "SHKUPI", Shkup, 2015
"Fundamentalizmi islamik i fiksion dhe myslimanët antifundamentalistë", botoi Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2015
"Letra shpirti", SHB "Shkupi", Shkup, 2016
"Tradhtia me profil dhelpre , Megaintervistë me H. Sulejman ef. Rexhepin, Reisul Ulema i BFI në RM", Biblioteka "Hëna e Re", Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2017. Po këtë vit u botua edhe në gjuhë maqedone "Predavstvo so profil na lisica - Megaintervju so H. Sulejman ef. Redzepi, Reisul Ulema na IVZ vo RM"
"Stop dukurive negative në shoqëri", Biblioteka "Hëna e Re", BFI në RM, Shkup, 2017
"Letër bijave të mia", ribotoi SHB "SHKUPI", sponsorizoi Ministria e Kulturës në RM, Shkup, 2017
"Në botën e artit", Bukuresht, 2017.
"Arratisja nga "vdekja", roman psiko-filozofik, SHB "Grand Print", Tiranë, 2017
Fragment nga romani "Arratisja nga "vdekja" Kristinë, e dashur, mbrëmë, gjatë tërë natës, duke qenë se kisha mërzi të thellë, lexova një nga veprat më të mrekullueshme për «suicidin» - vetëvrasjen dhe gjitha format e modalitetet për parandalimin e saj. E lexova fund e krye veprën «ASPEKTE PSIKIATRIKO-LIGJORE TË TENTATIVAVE VETË-DËMTUESE DHE VETËVRASJEVE NË SHQIPËRI“. Ndonëse voluminoze, e lexova pandërprerë, meqë çdo temë e nëntemë e saj, më shtynte të mos ndalesha fare në lexim. Vepër kjo, të cilën e mbrojti “shkëlqyeshëm”, si tezë të doktoraturës, mikja jonë psikiatre e poete, dr.Fatbardha Xhani Myslimaj, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në qershor të këtij viti... Pikërisht, në këtë vepër, ajo ka trajtuar hollësisht, me një gjuhë solide shkencore, me prova empirike e me një diskurs të sofistikuar psikologjiko-filozofik, temën e «suicidit»- e vetëvrasjes nga gjitha pikëvështrimet. Kjo vepër kolosale, për mendim timin, do të mposhtë suksesshëm të gjitha aktet suicidale vetëvrasëse në tentativë sot dhe nesër. E di, Kristinë, që unë në jetën time kam lexuar, pothuaj, gjithë literaturën relevante të ekzistencialistëve klasikë e modernë, duke filluar nga: Seren Kierkegori, Martin Heideggeri, Zhan Pol Sarteri e Albert Kamy, Sigmund Frojdi e deri tek Viktor Frankly, Jean Amery etj., të cilët kanë shkruar përimtësisht për jetën dhe vdekjen, për absurdin dhe në veçanti për rastet suicidale. Por ama, në veprën e zonjës Myslimaj, lexova dhe për autorë e studiues të tjerë që kanë shkruar për këtë temë, si p.sh.: Emile Durkheim, Benjamin Wolman, Eric Ericson, Edwin Shneidman dhe ai që më la përshtypjen më të thellë Thomas Masaryk, i cili, në mënyrë fascinante, trajton temën e vetëvrasjeve, duke i lidhur ato me ireligjiozitetin, o besimin shumë të dobët të atyre personave që ndërmarrin kryerjen e këtyre akteve fatale. Duke qenë se zonja Myslimaj, ndërkohë është edhe psikiatre në QSUT (Qendrën Spitalore të Universitetit të Tiranës) dhe po bën punë kapitale në dobi të qytetarëve, i thashë mbrëmë në letërkëmbim: «Fatbardha, edhe në rrafshin e krijimtarisë letrare poetike, do të arrish të majat e suksesit, siç i ke arritur në shkencë, duke marrë titullin: Doktor shkence në psikiatri!»... Sot, paradite, lexova një shkrim të çuditshëm, akoma më interesant, në gazetën «Telegraf» me titull «Shkrimtarët: Të prirë nga vetëvrasja?». Aty jepeshin të dhëna statistikore nga studimet e fundit në fushën e psikiatrisë, se si është zbuluar që të merresh me art, nuk është veçse një prirje e pavarur, por se shpesh ajo lidhet me sëmundje mendore të ndryshme. Në studimin më të hollësishëm të ndërmarrë për këtë fenomen, studiuesit e Institutit Karolinska të Suedisë kishin mbledhur të dhëna për pothuajse 1.2 milionë pacientë me skizofreni, depresion, ankth, probleme alkooli dhe droge, autizëm dhe me tentativa paraprake për vetëvrasje. Ata, në mënyrë të veçantë, i kishin kushtuar rëndësi fushës së krijimtarisë së pacientëve si arti dhe shkenca. Përfundimet e tyre ishin tronditëse, për shkak se çrregullimi i papërgjegjshmërisë dhe depresionit ishte i përhapur së tepërmi në listën e diagnozavetë personave, të cilët karrierën e tyre e ndërtonin mbi bazën e veprimtarisë krijuese. Edhe sipas një studimi të mëparshëm, siç shkruhej aty, në të njëjtën popullsi, familjet me histori të skizofrenisë kishin më shumë aftësi për t’u marrë me krijimtari! Kristinë, më ka shokuar ky studim! Gjatë shokut, më vajtën në kokë vetëtimthi, po sikur rrufeja, fjalët e shkrimtares Virginia Woolf nga novela e saj «Mes akteve»: “Ndihem e sigurt se po çmendem përsëri dhe se nuk mund të përmirësohem këtë radhë...». Dhe pikërisht, pasi përfundoi këtë novelë, ajo pas pak ditësh u vetëmbyt në lumin Ourse, duke u dorëzuar përfundimisht ballë zërave kobndjellës, që i vinin nga brenda dhe nga depresioni i gjatë, të cilin pati gjatë jetës, pas vdekjes së prindërve të saj. Fill më pas, më vajti në kokë vetëmbytja e shkrimtarit austriak, Jean Amery, vitin 1978, tre muaj, pas botimit të librit të tij eseistik “Hand an sich legen – Diskurs über den Freitod” (Kur vë dorë te vetja – diskurs mbi vdekjen e lirë). Ai zgjodhi t’i jap fund jetës me një mbidozë tabletash, në një hotel të Austrisë, në vendin ku kishte lindur, dhe të cilin e kish humbur qysh në vitin 1938, kur u burgos nga regjimi nacist. Deklarata e tij qe e dhimbshme, rrënqethëse: “Çdo ditë, që kur ngrihem në mëngjes, mund të lexoj te parakrahu im numrin e Auschwitz -it; kjo ma prek qenien, deri në rrënjët më të skajshme, madje nuk jam fort i sigurt, se mos kjo është e gjithë qenia ime, e cila do më shpier herët në varr!” Në parakrah, ai kishte të vizatuar një tatuazh nga vitet e burgut, ku ishte gdhendur numri: 172.364.Me evokimin e të këtyre ngjarjeve, desh më doli shpirti nga mërzia. Në tërë trupin më mbërtheu një drithërimë e rreptë. Dhe banesa, në të cilën banojmë, me këtë arkitekturën e akullt «gjermane», veç sa më shton trazimet e shpirtit. Bardhësia e oborrit tonë të heshtur: pllakat, kolonat dhe statujat e mermerta, si dhe plafonet e larta të tri dhomave tona, më krijojnë atë ndjesinë vjeshtore të shtëpive të fshatrave gjermane që ngjasojnë në ato shtëpitë e «hexeve»-shtrigave nga përrallat fantaste. Kur eci dhomë më dhomë, hapate mi jehojnë në gjithë shtëpinë, duke krijuar një zhurmë të neveritshme. Të këtilla ndjenja më kaplojnë për çdo ditë, që prej, kur ti, Kristina, vajte me fëmijët në atdhe e unë ngela vetëm në mjerim e melankoli të thellë nga depresioni. Pasdite, çuditërisht, s’mund të duroja më, u shkreha në vaj. Qarja ime theu gjithë atë heshtje varri në banesë. Në kuzhinën tonë më irritonte zhurma nga lëvizjet e «kakalakeve» (insekteve) që kanë vërshuar shporetin dhe frigoriferin. Ato po më shkaktojnë kërdi në të ushqyer. Fiks, në ora 16.00, më erdhi për vizitë mjeku i shtëpisë, dr. Wolfgang Preuss, i cili është edhe psikiatër njëherësh. Pasi më ekzaminoi me kujdesin më të madh, më rekomandoi qetësi dhe pushim absolut, si dhe të braktis përkohësisht leximin, përsiatjet dhe shkrimin. Me orë të tëra mandej qëndrova i shtrirë në krevat, pa lëvizur fare. Heshtje varri. Nuk dëgjoja as pipëtimën më të vogël. Fillova sërish të rilexoj pjesë nga vepra e Fatbardha Myslimajt. Kot, nuk munda të vazhdoj më tej leximin, pasi nuk ndjehesha mirë. Përnjëherë, fillova të kisha halucinacione vagëlluese e pluskuese. Paradoksalisht, më dukej sikur mbi trupin tim marshojnë dendur “kakalaket”. Klitha jermshëm:«PO Ç’DREQIN KËRKONI DHE JU, O TË MALLKUAR, NË TRUPIN E «KUFOMËS SË GJALLË»!!!...”
Majlinda Zorba, ka lindur në Tiranë më 22 maj 1967. Gjatë viteve 1986 - 1990 ka mbaruar studimet në fakultetin Histori - Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Kurse gjatë viteve 2012 - 2016 është diplomuar për "Studime letrare" në Qendrën e Studimeve Albanalogjike". Mëpastaj, ka punuar prej 16 vjetësh si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën 9 vjeçare "Ali Demi" në Tiranë. Majlinda ka redaktuar dy libra të shkruar në gegërisht "Llesh Nik Daka", "Historia e Lezhës". Ka berë një studim letrar për tri romanet e autorit Zija Çela "Burrat nuk dalin nga lufta", "Gjaku i dallëndyshes", "Las Varrezas". Po ashtu, ka publikuar edhe një studim kritik "Gjama e malësorëve", qe është botuar në revistën "Perla" në vitin 2016. Veprat:
"Ëndërr e thërrmuar", poezi, SHB "Marin Barleti", 2007
"Shërimi i vetmisë", tregime, SHB "Marin Barleti", 2011
"Kalorësi i bardhë", poezi shqip-ilalisht, SHB "Marin Barleti", 2017
Poezi nga Majlinda Zorba Natë e pagjumë Kjo natë zbarkoi tinzare bashkë me xhaketën time të telasheve... Diku pikojnë strehët e shtëpive, diku mbi kokë t'sëmurit i qëndrojnë diku gëzojnë... Heshtja e ngrohtë si gjaku s'po merr më kuptim Një kumuri e ngordhur më lë pa gjumë... Vështrimi im i trembur struket ngjashëm me të verbërin errësirë gjithkund... S'ka fjalë, poezia lind të tjera poezi të kapshme, të pakapshme, pak reale e pak imagjinare... E lënduar ajo s'bie dakort me gropat thithëse që i hapin ca gjytrymë që pandehin se bëjnë poezi duke kërleshur fjalët me zgjyra mendimi e fjale... Kam nevojë të rri pafund pa gjumë të shprehem pasi botën time të kem njohur sa dora të shkasë në rrjedhën e pamatur me labirinthe trush... Gjykoj edhe kur jam në gjumë... Nuk shkruaj vargje që të thërrasin "Bravo" ca bukëshkalë, ca kokëtrashë që e duan gjumin shumë... Edhe pse maturia më shkon për shtat e matur s'dua për pak të jem që monotoninë vrastare ta ul në gjunjë... * * * Dhe shpirtrat e filozofëve kanë mbushur pupla gjith' hapësirën e unë pandeh se janë në gjumin e përjetshëm në darka shpirtrash, në teatro tekanjozësh që edhe këtu sa ishin hëngrën, fjetën, u frynë... Më tremb gjithçka që më rrethon mendimi më pëllcet në natën pa gjumë... Pa titull S’është dimër ҫeli bari… Prap se prapë vorba mbi zjarr zien corbën bosh s’rri… E në s’pata dot lavdinë Kam të paktën ҫorbën, urtësinë… Më s'u pamë Po më shfaqesh ngadalë... Dritat e vogla si margaritarë, Tiparet e tua kanë shpërndarë, Në puthje të largëta u shuan E më s'u pamë... Tiparet e tua si pikat e lotit, Zemrat e ngrohta-gjakun ngrinë, trupat tanë n'shpella lakuriqësh mbenë, Perëndimet i pres e vetme në mërzinë... Gabuam! N'përballje me botën finoke, humbëm dashurinë e përkorë deteve... Në ëndrra vrapoj un' si e marrë, Turrem të t'puth majën e hundës,flokut, Sikur kohët prej helmit t'i lëçis. Vrapoj pa e ditur ç'më pret, Sytë i kam ngulur në një pikë... Vrapoj, lotoj, dëgjoj zërin tënd melankolik, Tek më fton në pyje të huaja E unë sërish e zbrazur n'angushti. Po më shfaqesh ngadalë... Në dritat e vogla si margaritarë Rrekem tiparet e tua t'i qëndis... Përtej xhamit dimëror prek shpinën tënde, bota qesh, s'hesht, s'rri... Shën Mëshirë Kërkova në formën më të bukur Mëshirën njerëzore, Më pas e kërkova sikur ai përballë Shpirtin në kthetra t'më mbante N'atë çast rrembat e gjakut të dorës së tij, Më goditën me shuplakë... Desha ta gërgas me një gazel të bukur, Po rrembat iu frynë inatit dhe u gëmusha si e marrë... Edhe më pas në këmbim kërkova Mëshirën, Po kjo s'u duk, fshehur vrimave rrëzoi njërin sy. U tërhoqa, u çorodita, urreva fjalën "shpresë" Mbushur gjarpërinjsh lëshova helmin e tyre, po përsëri Mëshira s'u duk, Mbetej të rrëzoja edhe unë të mirat e mia, i rrëzova dhe prisja fjalë mëshirimi: "Mos,s'bën mirë kështu". Edhe më tej nga harresa freskuar rrëzova edhe tjetrin sy, Tani urreja atë që kërkonte t'më mëshironte dhe i thashë tjetrit: "Sa keq, je bërë për Mëshirë" Pyjet e imazhit tim janë plakur, Eci në një botë të pamëshirë, që s'kupton se Mëshira sadopak peshon dhe thërras në kët' botë të turbulluar: "Shën Mëshirë" Dëshpërimi i Orfeut Heshtni o muza,heshtni o nimfa! Ndaleni argëtimin! Jam unë, babai i këngës, që lirës dy tela i shtova, për nder të nëntë muzave, motrave të sime mëje. Jam këngëtari tragjik,dragonjtë në gjumë i vura. Sirenat,memece i bëra, degët të përkulen e gurët të lëvizin. Heshtni të gjithë!Jeta ime vdiq! Buzëqeshja e saj më ka braktisur... Ja,po tundet dheu në natën pa tinguj, unë vërtitem në errësirë e kërkoj Euridikën. Në botë mbeti vetëm ëndrra ime e vyshkur me sytë e tu të ngrirë që zemrën e thërrmuan. Fatkeq unë jam,të humba Euridikë! Nga ofshamat,ngashërimet,këngët i thura. Njomëzakja ime e brishtë, delikatja me napë të hollë mbështjellë... Kurmi yt i ngrohtë më la të ftohtë në qoshen time, rrahjet e zemrës sate tinguj të butë më zgjuan, nga zemërimi i ndezur, këndoj për ty pa gaz e ngushëllim. Oh,ç'gjëmë e zezë më gjeti! Ktheva kokën dhe përgjithmonë të humba,hyjnesha ime! Filli i vetëm që me tokën më lidhte,u shkëput, më kanë humbur udhët,nga të shkoj,shpresën lut. Mes ujërave udhëtoj dhe bota ka frikë të më shikojë se etja u shtohet prej tingujsh magjepës. Ndërsa unë me një etje që s'shuhet kurrë,vajtoj... Në muzgun ngjyrë jargavan, një kokë e prerë tundet mbi valë, tashmë nuk i duhet më as jetës,as vdekjes. Ku është rruga e jetës sime?Ku është e adhuruara Euridikë? Dëgjoni këngën time rrëqethëse që shkrihet në heshtje mes pikëllimit... Koka ime në Ebro gjithnjë do të këndojë, se besnik i një dashurie që humbi unë mbeta... Në ishullin e Lemnosit një kokë këngëtare në tempull më në fund u përjetësua...
Nexhat Z. Rexha, U lind më 01 shkurt 1956 në Topanicë, Komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse Fakultetin Filologjik – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 1980. Merret me krijimtari letrare në zhanrin e poezisë, prozës dhe kritikës letrare. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kryeredaktor i revistës letrare "Nositi" - Dardanë. Anëtar i redaksisë së revistës letrare "Agmia" - Gjilan. Redaktor dhe recensent i shumë librave letrar dhe shkencor. Fitues në disa konkurseve letrare. Poezitë e tij janë publikuar në shumë gazeta, revista dhe albume poetike. Po ashtu, ato janë përkthyer edhe në disa gjuhë. Punon profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjimnazin ”Ismail Qemali" në Dardanë dhe jeton në vendlindje. . Deri tani ka botuar:
”Ndrydhja e pikës K”- poezi, 2003.
”Unazë qiellore”- poezi, 2005.
”Ligjërime përjetimesh” - kritikë, 2006.
”Dhembja kujtesë”- poezi, 2008
”Binecuvantarea Secolelor”, ”Bekimi i shekujve”, poezi, Bukuresht- 2009.
”Pikojnë heshtjet”- poezi, 2010.
”Fjala ruan kujtimin” - 2010
“Etje E Pashuar” Poezi nga autorë të Dardanës - 2010 (Bashkautor).
"Emra dhe vlera", kritikë, 2012.
“Samtal Med Skuggorna “Bisede me Hijet”- 2012, poezi, në gjuhen suedeze.
"Fluturojnë zogjtë në kafaz", poezi, 2014
"Shtjellimi i tekstit", kritikë, 2015
"Vlerësime letrare, kritikë, 2016
"Shfletime dhe kundrime letrare, kritikë, 2018
Poezi nga Nexhat Rexha I. E DI SI FLUTURON TI E di se ke ëndërruar këngën Matanë shtatë kodrave në puthje Për të shtënat e pushkëve Dhe jehonën e vdekjeve Të jetës dhe lindjes Ti fluturoje si zogu Që do hapësirën e lirë Kur rrugën tënde E caktoje vetë Mbi krahë mbaje Barrën e shekujve dhembje Bashkë me frikën ngasëse Në tokë e në qiell Ti i këndoje atdheut Këngën e trishtuar Nosit pupëlshpërndarës Në fluturim ti i buzëqeshje Hapërimeve me syrin tënd E zemra e çelur kalonte Kontinente armiqësish Kurse ti përhapje melodinë skofiare Në livadhin gazmor Aty fluturimi ateroi Bashkë me yjet e përjetësisë
TI JE NATYRË Kur më erdhi frymëmarrja M’u çelën sytë Dhe pranë meje ishe ti Dridhjet shtangimet Shkrinë buzëqeshjen magjike Ti kafshoje kohën e humbur Atëherë më jep aromën e kopshtit të luleve Natyra jonë vërshoi mbi trupin tonë Tërësisht butësisht Lutjet mbuluan bekimin dhuratë Natyrë me lotët tanë Ne po shuajmë mallin e purpurt Ti je natyrë në natyrën tonë PIKËTAKIM Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara Nga ethet e pritjes Për një pikëtakim buzësh Nga dridhjet tërbuese Valët e dalldisura Ngrijnë shikimet boshe Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona Krejt bosh Kurse nata shkrin pikëtakimin ëndërrimtar dhe buzët afrojnë Shijen e kësaj pritjeje magjepse Ti vije në mesnatë pa trokitur në derën time çelësin kodues më vodhe bashkë me tiktaket e zemrës Simfonia e kësaj stine ndërroi shikimet e pritjeve me ardhjen fluturuese të aromës ngrohtësi Më erdhi befasi Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika aty dukej nimfa në brendi kishte sa shumë thellësi Nuk di ishte ëndërr mashtrim apo ti vije në kraharorin tim sa kishte vapë sa kishte fllad në këtë pikëtakim trokitjesh... BUZË TË LODHURA Të kërkoj gjithnjë pranë Në lindjen dhe vdekjen e dashurisë Ti kërkoje takim nën hijen E drunjve hijerëndë Për aromën e luleve trazuese Para atij trupi të ngrirë Jepnim e merrnim uratën Derisa i lodhëm buzët për një jetë E tash më thuaj Kënd verboi lodhja më shumë Puhizën e uritur Atje përtej qiellit në fole Kur vrapuam pa pushim Për ta shpallur ditën tonë n` Iliri U ngopëm me lot Buzëlodhur këngë me besë Takimin e ribëjmë Ku bren miza hekur
II. DIELLI VONOI SOT Sot dielli vonoi lindjen Në të vërtetë perde vuri Mjegulla në këtë pranverë Që s’ka mbarim Gjuajtjet me topa Trishtuan vendlindjen time Nuk e pyetën as vonesën e diellit E as teket e kësaj mjegulle sot Për habinë e kësaj pranvere Mjegulla sot ishte bërë sebep Për dëbimin tonë Nga shtëpitë tona Ata bënë provokime e plaçkitje Sa deshën e si mundën Për të zënë Kohën e tredhur Kallën shtëpi në prani të diellit Dhe nuk u skuqën fare As nga dielli për pengesën Që i bënë sot As nga mjegulla Që i solli në këtë dhe Për hyrje-daljet ngulfatëse Dhe shkelmimet e poshtëruese
Sot kur diellit iu bë me hile Kronika e ditës së sotme Po shënohet me të zeza Mercenarë kujdes nga hidhërimi i diellit Më 11 maj, 1999 GDHENDJA Nëpër kohët tona lëvizjet po rrëshqasin Për të marrë dheun nën këmbë Dhe për të mos i dhënë llogari askujt Kohë kreshnikësh po sillen ndër ne Sa bukur tingëllojnë hingëllimat Nëpër trotuaret e kafshimit Për të marrë e për të dhënë asgjë Kohë e gdhendjeve pa ndërgjegje Harrimtarët trakasin zhurmshëm Portat e nëpërkëmbura me dredhi Lakojnë emrat pa vetëdije nëpër rasa Edhe më tej zgjimin vrasin pabesisht Kur mungon zëri i plagëve Digjet ngushëllimi shekullor Gurët shkulen në mjerimet arnuese Kurse gdhendja mungon për pamjen të dua Fati i shkulur i kohëve idealiste Ka marrë rrugëtimin e Aga Ymerit As Rozafë as Doruntinë Gdhendja po e ha gdhendjen pabesisht VJESHTA ME BASTUN Në kohën moderne Narcisët me bastun përvëlojnë Në spektaklet verbëri fjalësh Në interpretim janë të mjerë Sa shumë plumba shpenzojnë Për pamjen pasqyrë Të pesë shqisat funksionojnë perfekt Shqisën e gjashtë të fikur e kanë Pa filluar lojërat Vetëm forcojnë dinakërinë Përsërisin kënaqësitë boshe Të të mjerëve servilë Mjerim kohësh mbretëron ndër ne Urrejtje skilesh kultivojnë Për të vrarë kohët Me snobistë të rinj Rolet ndërrojnë me interpretues elastikë Skuqjet ngulfasin sprovën bajate Si papagaj të pagëzimit befasues Fjalëmaskuesit presin çastet Me shpatën e fronit Atdhe ruaj gjithmonë Rrugët e mashtrimit Se lirinë po e copëtojnë si qentë Snobët mediokrët e narcisët E këtyre vjeshtave bastunë NDOSHTA Ndoshta mund të jetë Hera e fundit kjo ditë Që po flasim Me dritë E ndoshta vrapojmë Për jetë e mot Për këtë ditë Ama kjo do të ikë Më fal zemër Nëse të kam lënduar Më beso se kurrë keq për Ty Nuk kam menduar Ti ke hyrë me magnet Vetë ke pushtuar atë det Bota ka sa rrotullime Zemra e çiltër ruan kujtime E në këto psherëtima Gushën me lot kam larë Fytyrën për ty e kam ndriçuar Plagë e zemrës fishkëllen Shi e re kjo tokë kërkon Ikja ka dhe një mallkim Sytë shtangen në një shikim Ëndërr ishte e jo rënkim Ndoshta valët sjellin mall Për liqenin e tharë këtë verë Ndoshta hija na freskon Vetëm flladi zemrën shëron Deti Jon ka dhe ca hidhërime Pse vonesa në këto bashkime Që nga Arta Preveza e Çamëria Ndoshta Abetare e vonuar - shekulli im Më 29 shtator, 2012 PUTHJA E LUMIT IBËR Në shtegtim damarët Rrjedhin gjurmët e gjakut Për dhembjen e brigjeve Kurse puthjet vrasin Gjuhën e kafshuar tinëzisht Në fermanin e vonuar Të mëngjesit vrastar Akropolisi ynë ruan analet Via Egnatia Ti ke dhënë fjalën përjetësisht Për mosndaljen e lumit tim Dhe dikur diktoje Rrugëtimin e vonuar të Isës Për ta puthur flamurin E Mitrovica e baladave Po grimcon nëntokën flori Kurse Ura e Ibrit ndalon kalimin Për Ty i shtrenjti Atdhe Nuk je nyje e Gordit Dukesh pa dylbi ylberi im Dritaret shkëlqejnë pa mort Në amfiteatrin Rexhep Mitrovica Njerëzit takohen e çmallen Në kronikën pritje për kalimin e urës Kurse rrënjët bashkojnë dy anët në një lis Sa bukur bëjnë bisedën pa ndërmjetësim Nuk kërkojnë leje në pikëtakimin e mesditës Kur breznitë lidhën dashuri Etja për Ty kall zemrën në thellësi Puthjet e lumit Ibër rrjedhin në pafundësi Shkurt, 2013 PIKËTAKIM Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara Nga ethet e pritjes Për një pikëtakim buzësh Nga dridhjet tërbuese Valët e dalldisura Ngrijnë shikimet boshe Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona Krejt bosh Kurse nata shkrin pikëtakimin ëndërrimtar dhe buzët afrojnë Shijen e kësaj pritjeje magjepse Ti vije në mesnatë pa trokitur në derën time çelësin kodues më vodhe bashkë me tiktaket e zemrës Simfonia e kësaj stine ndërroi shikimet e pritjeve me ardhjen fluturuese të aromës ngrohtësi Më erdhi befasi Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika aty dukej nimfa në brendi kishte sa shumë thellësi Nuk di ishte ëndërr mashtrim apo ti vije në kraharorin tim sa kishte vapë sa kishte fllad në këtë pikëtakim trokitjesh... PIKËTAKIM Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara Nga ethet e pritjes Për një pikëtakim buzësh Nga dridhjet tërbuese Valët e dalldisura Ngrijnë shikimet boshe Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona Krejt bosh Kurse nata shkrin pikëtakimin ëndërrimtar dhe buzët afrojnë Shijen e kësaj pritjeje magjepse Ti vije në mesnatë pa trokitur në derën time çelësin kodues më vodhe bashkë me tiktaket e zemrës Simfonia e kësaj stine ndërroi shikimet e pritjeve me ardhjen fluturuese të aromës ngrohtësi Më erdhi befasi Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika aty dukej nimfa në brendi kishte sa shumë thellësi Nuk di ishte ëndërr mashtrim apo ti vije në kraharorin tim sa kishte vapë sa kishte fllad në këtë pikëtakim trokitjesh...
Mehmet Rrema u lind në Malësi të Krujës më 7.11. 1951. Ka mbaruar shkollën 8 vjeçare në vendlindje. Ka vazhduar shkollën e mesme profesionale, veterinare në Shkodër. Aty ka fillimet e para letrare. Është nderuar me çmimin e tretë më dramë në shkallë rrethi. Është marrë me poezi dhe prozë. Universitetin e ka mbaruar për mjekësi veterinare, ku ka punuar në disa rrethe e zona të vendit deri në vitin 1992, vit kur ndryshoi sistemi ekonomikoshoqërorë. Pastaj, ka emigruar në Itali. Mehmeti ka vazhduar ti përkushtohet pasionit të tij të kahershëm. Ka botuar romanin "Dosja e djegur" dhe përmbledhjet me poezi:"Valixhet e shpresave", "Le të përkulemiI". "Si humbi dashurua", "Loti yt digjte atë ditë" dhe "Dhuroje një buzëqeshje". Poezi nga Mehmet Rrema ORËT E QYTETIT Atë ditë binin kambanat e lodhura të qytetit Kulla e madhe qe lagur nga lotët. Qante. Zogjtë e trembur nga një tufë sqifterësh iknin nga mundeshin e fshiheshin nën pullaze Korbat u ulën në degët e pemëve ne bahçet e braktisura që patën mbetur të veja, të veja patën mbetur edhe rrugët e sheshet që çdo ditë mblidheshin tek orët e qytetit. E pyesnin aty një burrë të motshëm, mjekërbardhë që e pat marrë rolin e profetit, se mos dinte gjë për fatin e tyre,e ai,pasi tundte kokën tre herë ua tregonte orët e qytetit dhe kambanoren e madhe Atë ditë orët s’ ranë si herët e tjera e ai s’e tundi kokën. Një djalë pat dalë aty ku bashkoheshin katër rrugë dhe thërriste me zë të lartë sa e dëgjonte edhe qielli. Në këtë botë, nuk di ku të shkoj, nuk di ku të vij Nuk di ku kam qenë, nga kam ardhur e kë do të takoj, nuk e di as ku jam e as ku I kam trojet e etërve të mi. Më thoni, ju lutem, në mos tek trojet, tek varret të shkoj apo edhe ata si çdo gjë, janë kthyer në hi? Atë ditëi moshuari mjekër bardhë prapë tregoi orën. Vaji i sajë i ngjante vajit të Ajkunës në Lugjet e Verdha Nga kulla e madhe, në tokë binin lotët që si lumë shkonin e digjnin të mirat zemra Sa herë e pat bërë këtë askush nuk e pat pyetur: Kur? E pyetën. Ai me dorën e rrudhur tregoi qiellin. -Edhe shtatëdhjetë e dy ditë kemi për të pritur derisa reja e zezë të na e liroi qiellin NËSE DO TA THUASH NJË FJALË Nëse Nëse do ta thuash një fjalë Për atdheun, Thuaje me zë të lartë, sa qielli ta dëgjoi. Nëse njerëzit nuk të dëgjojnë, Merak mos ki; Se fjala e mirë do të bëhet lule Do të bëhet farë E nga ajo farë do të mbijnë e të rriten Lisa shtat lartë, Sa nuk do të ketë furtunë që do t'i shembi. Dhe ke për të parë Se këto që sot nuk të dëgjojnë Do të vijnë në hijen e lisave, Do të vijnë e ashtu si janë mësuar Duke u zvarritur do të kërkojnë të hipin në majë, Por nuk do të munden Se majat nuk janë për zvarranikë. Ashtu siç nuk janë përmendore për tradhtarët, Siç nuk janë kullat për të pabesët Siç nuk janë nderimet pr të pa ndershmit Nëse do ta thuash një fjalë për atdheun Thuaje me zë të lartë Me zë të qartë Me zë kumbues Me zë që të jehoi fusha dhe mali Thuaje me fllad pranvere Me aromën e tokës së punuar Të bukës së pjekur Të qumështit të zier Thuaje me zë fëmije Thuaje me dashuri nëne E me besë burri. MOS FOLPËR VENDIN TËND Kurrë mos fol për vendin tënd Kudo që të jesh Me këdo që të jesh Me gjuhën e karrigeve dhe të dollarëve, Por fol me gjuhën e rojës së paepur Të atdheut Mos fol duke u zvarritur e as duke puthur Këmbët a duke u zgërdhirë Për t'u bërë qejfin të huajve. Eee eeej, ju po ju them! Juve ore juve pa shtyllë kurrizore që zvarriteni Zvarriteni për të hipur në një karrige Mos e nxirrni atdheun në treg Vetëm se ai u ka dhënë një vulë Se atdheu dhe nëna Nuk kanë lindur për t'u shitur Nuk janë lindur për të nëpërkëmbur Por...ata... Ata kanë lindur për t"ju rritur. A MUND TE SHKULET MALI I ÇIKËS? Nuk mbahet mend qëkur ka nisur kjo këngë duke iu ngjitur shpatit te malit herë si fllad i lehtë e herë si uragan Disa thonë ajo lindi kur u duk mali dhe në fusha ra vetëm për te mbjellë e korr bereqet Disa thonë se e patën kënduar vetëtimat dhe jehonën e përcillnin rrufetë nga njëri horizont në tjetrin prandaj Iso mori fëshfërimën e erës ngjyrën e zjarrit dhe shpejtësinë e vetëtimës mori dhe forcën e uraganit. Ndoshta këngëtarët e Isos zbritën nga horizonti në monopatin e thepisur te malit në krahët e flladit dhe krijuan vend banimin aty në këmbë të malit ndërsa muret i krijuan me Iso, jo me gurë prandaj kënga nuk shuhet kurrë Shumë e mësynë ta marrin shpatin e malit e në gjuhen e tyre te lodhur te këndonin ison po sa e merrnin udhën, nga mali zbrisnin vetëtimat dhe gjuhë ngatërruarit merrnin rrokullimën si gurë te shkulur që rrëzohen në shpat E Iso vetë, qëndronte e ngulur në shkëmb Qëndron e përqafuar me yllin e dritës Shumë vijnë për ta takuar e, ndoshta edhe për te marrë një copë si hajmali, por... por a mund te shkulet mali i Çikës? NËN DRURËT E NGRIRË, ACARI LOZTE ME JETËT E NJERËZVE Nën drurët e ngrirë, acari lozte me jetët e njerëzve që edhe ashtu, pa ngricën dhe dëborën ishin gatit të fikeshin ndërsa nga ana tjetër bishat veshur me rroba të gjelbra skërmitnin dhëmbët gati për të shkatërruar karkasa njerëzish Një tufë korbash me gojë të hapura dhe sy që nxirrnin flakë u lëshuan mbi banorët e çadrave të grisura duke u shtyrë kush në trupat gjysmë pa jetë t'i ngulte dhëmbët më parë kockat e dhe palcën e mbetur në trup me u thyer dhe grirë Një i moshuar i ulur në baltën e njomë në prehër mbante një fëmijë të porsalindur që mezi nxirrte një zë të mykur nuk fshihej nëse qante për qumësht, nga të ftohtit apo qante për nën e tij të shtrirë aty pranë që sapo kishte vdekur A NDJEHEN SHQIPTARË KËTO KLERIKË Vijnë e shkojnë veladonët e zi nëpër qytet vetëm mjekra u zbardh e sytë e qelqtë në ballë Mbi kurrizin e popullit duan të ngrenë pushtetin e vet kush më shumë për tjetrin xhelozi mund të ngjallë Vijnë të urtë, si të përvuajtur të qetë e ngadalë rrethuar nga eskorta që i ndjek e ruan me kujdes gjejnë një rast të volitshëm dhe e hedhin një fjalë “Mos e harroni Perëndinë time që ju ndrit në mëngjes” Nuk kërkon shumë prifti i futur nën veladonin e zi se vetë Perëndi tek ne e ka sjellë që te vuaj një poçe më verë e nga dashi ca mëlçi Dhe një katedrale për qytetin që në qiell te arrij Qan hallin e grigjës kleriku zemër blozë se nuk jeton dot populli pa kambanore e minare diku qiellin e preki kryqi, më tej një gjysmë hënë vetëm për shqiptari, askush nuk i hedh dy pare Lëreni atdheun, thonë, se mendon vetë Perëndia shikojeni hartën sa bukur ua kemi qëndisur rrini te qetë, gëzoni e qeshni o delet e mia se ne jemi këtu për t’ju shëruar mendjen e prishur. Futu klerik në strehën tënde veshur me ar nëse vërtetë beson në Perëndi, lutu se keq nuk me vjen le te vijë aty cilido që në shpirt është besimtar po mbi çdo fe, ne kemi një atdhe që kund nuk e gjen. Nuk jeni ndryshe nga te parët tuaj që dje, na vrisnin atdhetarë e mallkonin gjuhen shqipe pse s’ thatë një fjalë dje priftit serb, që për luftë bënte thirrje T’i thoshit se ku flitet shqipja, është një komb, birë Perëndie. TI VJEN NJË KRIM PËR TË NXITUR Kthehu president andej nga ke lënë nënën se në Kosovë nuk je mik. Krimineli një ditë kthehet në vendin e krimit dhe ti vjen një krim të ri për te nxitur Erdhe në Kosovë o biri Sllobodanit në atë vend që nuk guxon ta quash mik u ndale tek liqeni ujë pastër i Ujmanit por krimet e racës tënde ai s’i la, kot mos prit. Erdhe me çakajtë, dhëmbët duke Skërmitur se gjoja malli zemrën ta paska copëtuar jo, mor jo. Erdhe arrogancë e frikë për te imponuar se ti na qenke zot i pyllit, qiellit e ujit të kulluar Të duruam se shqiptarët janë bijtë e arsyes e durimit po mos guxo më thundrën nëpër trupin e Kosovës ta kalosh si dikur në vitet e errët të zisë e trishtimit. Kujdes se te kthejmë te turpëruar në sytë e gjithë botës Se ende kjo tokë rënkon nga dhimbja që ti ke shkaktuar ende gjaku i trimave në të nuk është tharë o Kain i kohëve moderne me perla mbuluar shko e pastrohu një herë para se në Drenicë me erdh Nuk duron Drenica, nuk duron Kosova e Prekazi erën tënde të mykur që kundërmon krim e tradhti ik se nga qielli me gjithë trima zbret Adem Jashari dhe ju kall në shkrumb, e u bën hi. Ikën ditët tuaja te madhështisë kur shtypje popullin e urtë tani matu mirë para se për Drenicë të marrësh udhë mburresh president me atë betejë që të turpëruar u larguat që pesëqind vjet mburreni me atë pop e atë luftë Mburreni me atë Dushanin tuaj mjekër gjatë se fisi juan ka ardhur nga tej diellit që s’pat lindur këtë vend e patën ca burra te pashëm e besë artë ju erdhët endacakë te përvuajtur bukë duke lypur Ik, pra se nuk je ndryshe nga etërit tuaj barbar e te egër merri me vete langonjtë që te ndjekin ngado dhe mendohu mirë para se ta marrësh herë tjetër. Porosi te jap. Me historinë e errët mos jeto. Ndrysho! KAM MALLË SONTE Ooo ç'mall kam sonte ta dëgjoj edhe një herë zërin Ashtu të avashtë por me fjalët gurë themeli Me atë buzëqeshjen tënde dua ta shuaj mallin E të më thuash prapë si dikur; kështu thoshin të vjetrit Sa mall kam s'e shpreh dot se fryma po më merr flakë Të ulem, edhe një herë kokën ta mbështes në atë prehër Aty pranë oxhakut të mund ta ndjej atë dorë të ngrohtë Nëpër flokë t'më kaloi lehtë sikur është duke më krehur Kam mall ta dëgjoj sonte atë zë prej burri të urtë Tek flet, dhe me mashën e vogël ngacmon urët në zjarr, Ta ndjej edhe një herë dua atë prekjet tënde aq të butë Dhe të më marrësh për dore të vij me ty atje më varr Të vij me ty atje s'më frikëson të ftohtit dhe as errësira Në gjoksin tënd të ngrohtë ta mbështes kokën dhe të dëgjoj Rrahjet e asaj zemre që, në gjithë botën ishte më e mira Më lerë pra të vij aty bashkë me ty toka le të më mbuloi Kam mall, po edhe nevojë për fjalën tënde thënë drejtë Ashtu siç ja thoshe çdonjërit mikut, shokut të vjetrit a të riut Se ashtu pra ke qenë e të mbajnë mend të gjithë në jetë Në hak as me fjalë e as me vepra nuk i ke hyrë njeriu Për ty gjithmonë një dhe një kanë bërë veç dy Më duket e pështirë ajo që shoh e dëgjoj sot, tek ca të ri kur babë e nënë i braktisin një apo pesë bija e bijë Mos i raft askuj ta provojë, por një gjë mirë unë e di Se në jetë kam ecur dhe do ec me kujtimin e mallit për ty Vetëm një gjë, unë sot këtu po e them se e ndjej në shpirt E ndjej si ajrin që thith dhe diellin që nga lart më ndriço Ngado shkoj fjalët tuaja rrugës më shumë m'i bëjnë dritë Ai shembulli yt mua gjithmonë që mendjen ma kthjellon Sa mall kam sot aty pranë vatrës bashkë me ty të ulem Ta ndjej atë aromën tënde që më ngroh dhe më forco Ashtu siç dije me ngadalë për në jetë t'më tregoje rrugën Se për mësimin e babait çdokush ka nevojë, më beso Vonë kam kuptuar pse kur më mësoje si ta mpre lapsin Më pate thënë të shkruaj drejtë, dhe kudo të kem kujdes Se një të dënuar pa faj tre herë në grykë ia vunë litarin Dhe ia hoqën kur litari i padrejtësisë u këput për herë të tretë Oo, ç'mallë kam donte të shikoj edhe një herë buzë oxhaku Se si të ndrit faqja kur bisedon me mysafirë ardhur për darkë Dhe kur shkonin i shoqëroje deri atje ku i thoshim Lisi i Plakut Shpesh vija dhe unë, se më pëlqente kur ktheheshim baskë MË IKE I DASHUR, SYTË M'I KTHEVE NË KRUA (Kohës së shkuar) Mbrëmja uli vellon në liqenin e qetë Valët e lehta lozin me kallamishte Qante e mjera vajzë, qante me dënesë po si nuk të erdhi keq që më le dhe ike Mallkuar qofsh ti liqen i kaltër dhe i thellë fundi t'u ktheftë në shkretëtirë që djeg ia hape rrugën të ikë, e mua vetëm t'më lërë me qyqen, zogun vajtimtar të vajtoj në breg Ty natë e zezë, të mbuloftë zi' e përjetshme që i fshehe thellë në gjirin tënd në errësirë më thuaj, pra të lutem më thuaja ti kallamishte thirre vdekjen të vijë të marrë, kij pak mëshirë Më ike i dashur sytë m'i ktheve në krua më le në gojë të ujkut të digjem, të zhuritem më le mes bishave të egra,që të lozin me mua eja dallgë e zemëruar më fut në gji, të mbytem Digju shpirt i vrarë kthehu në hi, më iku dashuria vdekje, të lutem ty, eja me përqafo, kij mëshirë me ty të martohem të kaloj ditë e helmëta të mia se ai qe më donte mbrëmë iku, iku nga Shqipëria Ik dhe ti zemër, dil nga gjoksi, imja më nuk je je dhurata, që atij kisha bërë, mbrapa nuk e marr ai iku, rruga iu ktheftë në dritë për të parë dhe diell. Shko atje, tek ai dhe thuaj se mua më gjen në varr Zemrën po ta çoj s'kam çfarë ta dua, mbaje ti trupin me vdekjen le ta martoj, ajo t'më marrë jeta pa ty s'është jetë, kuptim s'ka, këtë ti e di po erdhe një ditë lulen"Mos më prek" sillma në varr ______ Përgatiti për "Ora shqiptre", Adem Zaplluzha