Fehmi Qerimi u lind më 2 dhjetor 1971 në fshatin Pidiq. Shkollimin fillor, përkatësisht atë të mesëm, i kreu në Zhegër dhe, në Gjilan. Në vitin 2001 përfundon studimet e larta në fushën e mjekësisë intensive, kurse diplomon në vitin 2004 në Menagjment shëndetësor, me fokus, Psikologjia e ndërmarrjeve spitalore dhe Resurset Humane. "Klithmë kohe" është libri i tij i parë me poezi.
Jeton dhe punon në Bern - Zvicërr.
Jeton dhe punon në Bern - Zvicërr.
Poezi nga Fehmi Qerimi
PRITJA JETË
Një fillim i padurimtë
e një fund pa fillim
ndjenjë e fortë në mërgim
fundit pa mbarim
Nxitimthi durimi shpërblehet
me gurëzi të florinjtë
Pritja me emrin jetë
përmes vajit të parë
gëzon shtëpinë
BINOM JETE
Ka diçka në këtë ritmin tënd
Brenda rrah e kurrë s`pushon
ditë e natë tingull binom
Me kohë rritesh gufon
sa ndalesh më shikon
pulsin në çast ma kalibron
Mëngjeseve më zgjon
nën qiellin plot diell
unë e ti binom jete
AH KY MALL
Ah ti brenga e lotit tim
gur i larë në shi e borë
nga vendi t’i shkul dot s`arrij
rrënjët thellë në zemër dry
kryeneçe kokë shqiptari
për timin inat e të botës
brenda vlon e tymon
zëri i qyqes stinëve rron
natën gurin mal e bën
lodhja gjumin largon
heshtja s`flet mallkon
del në dritare fishkëllen
malli barrë mbetet gjallë
nuk më hiqet pa të parë
shpresa shpirtin e sundon
e bën peng të mallit tim
SHTEGTARË JEMI
Toka
një reliev dhembjesh
mbushur histori
si lëmsh i mbështjellë
duket në gjithësi
Shtegtarë jemi
verë e dimër
rrobat ndërrojmë
Kohën masim si duam
lindjet e reja pagëzojmë
ECA KU NUK ECA
Eca ku nuk eca
nëpër botë brodha
vite e vite
shpirtin tim të vogël
askund s’e gjeta.
Thellë brenda vetes
i strukur
pa zë
dëneste
SHPRESA E BOTËS
E ndjejmë kudo
tërë njerëzimin e ka në dorë
as nuk shihet e as nuk preket
por vetëm ndjehet
Të gjallë na mban
si kurdoherë na frymëzon
na ushqen
jetën më të lehtë na e bën
Me lindjen tonë lind
me vdekjen nuk vdes
Me asgjë në jetë
nuk e ndërrojmë
thesar zemre e kemi
NDJENJË E NGURTË
Në shpirt ngulitur ti malli im
si maje ajsbergu akull ftohtë
unë e ti bashkë lundrojmë
Furtunat vijnë e shkojnë
në palcë frika rri si therë
e ne ecim s`ndalojmë
Qielli ditën na kaltëron
natën yjet dritë na bëjnë
malli zemrën përvëlon
Tokën moti s’e kam parë
kam pak frikë se s`di të ecë
këmbë e duar s`e kanë prekur
Kokë njeriu mendje ndërron
dheu me trupin bashkëjeton
shkëmb e gur në zemër mbjell
VETËM ME HISTORINË E SHTËPISË
Shtëpinë time të parë
të re s‘e njoha kurrë
Mezi e rrëzuam
Shtëpinë e dytë
të stolisur si nuse
me oxhak e konak
i përndjekur e braktisa
Të plaçkitur dhe të djegur
e gjeta
Tash kam mbetur
vetëm me historinë e shtëpisë
MË I BUKURI SHPEND
Nuk hesht ti jo
më i përzgjedhuri
shpendi im
Krejt harroj
pëshpërit
a zë nuk lëshoj
Në degë të qyqes
zog tjetër mos le
Në dy botëra folenë kemi
Ti diku në jug
e unë në veri
shtegtarë jemi
Nuk pushojmë së renduri
Hapi krahët
më i bukuri shpend
më jep pak nga zëri yt
NË PAFUNDËSINË E UNIVERSIT
Nën petkun tënd të ngrohtë kashmir
gjej strehim
Metropoli mbetet pa drita
terri shtrin këmbët e veta
syri i maces tash bën dritë
njeri jashtë nuk lëviz
bora shpirtin të ngrin
në gjirin tënd
dita shëtit
Nën petkun tënd të ngrohtë kashmir
gjej strehim
Metropoli mbetet pa drita
terri shtrin këmbët e veta
syri i maces tash bën dritë
njeri jashtë nuk lëviz
bora shpirtin të ngrin
në gjirin tënd
dita shëtit
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen