Dienstag, 9. Juli 2013

Fehmi Qerimi

Fehmi Qerimi u lind më 2 dhjetor 1971 në fshatin Pidiq. Shkollimin fillor, përkatësisht atë të mesëm, i kreu në Zhegër dhe, në Gjilan. Në vitin 2001 përfundon studimet e larta në fushën e mjekësisë intensive, kurse diplomon në vitin 2004 në Menagjment shëndetësor, me fokus, Psikologjia e ndërmarrjeve spitalore dhe Resurset Humane. "Klithmë kohe" është libri i tij i parë me poezi.
Jeton dhe punon në Bern - Zvicërr.
 
Poezi nga Fehmi Qerimi

 PRITJA JETË

Një fillim i padurimtë
e një fund pa fillim
ndjenjë e fortë në mërgim
fundit pa mbarim

Nxitimthi durimi shpërblehet
me gurëzi të florinjtë

Pritja me emrin jetë
përmes vajit të parë
gëzon shtëpinë



BINOM JETE

Ka diçka në këtë ritmin tënd

Brenda rrah e kurrë s`pushon
ditë e natë tingull binom

Me kohë rritesh gufon
sa ndalesh më shikon
pulsin në çast ma kalibron

Mëngjeseve më zgjon
nën qiellin plot diell
unë e ti binom jete



AH KY MALL

Ah ti brenga e lotit tim
gur i larë në shi e borë
nga vendi t’i shkul dot s`arrij
rrënjët thellë në zemër dry
kryeneçe kokë shqiptari
për timin inat e të botës
brenda vlon e tymon
zëri i qyqes stinëve rron
natën gurin mal e bën
lodhja gjumin largon
heshtja s`flet mallkon
del në dritare fishkëllen
malli barrë mbetet gjallë
nuk më hiqet pa të parë
shpresa shpirtin e sundon
e bën peng të mallit tim



SHTEGTARË JEMI

Toka
një reliev dhembjesh
mbushur histori
si lëmsh i mbështjellë
duket në gjithësi

Shtegtarë jemi
verë e dimër
rrobat ndërrojmë

Kohën masim si duam
lindjet e reja pagëzojmë



ECA KU NUK ECA

Eca ku nuk eca
nëpër botë brodha
vite e vite
shpirtin tim të vogël
askund s’e gjeta.

Thellë brenda vetes
i strukur
pa zë
dëneste



SHPRESA E BOTËS

E ndjejmë kudo
tërë njerëzimin e ka në dorë
as nuk shihet e as nuk preket
por vetëm ndjehet

Të gjallë na mban
si kurdoherë na frymëzon
na ushqen
jetën më të lehtë na e bën

Me lindjen tonë lind
me vdekjen nuk vdes

Me asgjë në jetë
nuk e ndërrojmë
thesar zemre e kemi



NDJENJË E NGURTË

Në shpirt ngulitur ti malli im
si maje ajsbergu akull ftohtë
unë e ti bashkë lundrojmë

Furtunat vijnë e shkojnë
në palcë frika rri si therë
e ne ecim s`ndalojmë

Qielli ditën na kaltëron
natën yjet dritë na bëjnë
malli zemrën përvëlon

Tokën moti s’e kam parë
kam pak frikë se s`di të ecë
këmbë e duar s`e kanë prekur

Kokë njeriu mendje ndërron
dheu me trupin bashkëjeton
shkëmb e gur në zemër mbjell



VETËM ME HISTORINË E SHTËPISË

Shtëpinë time të parë
të re s‘e njoha kurrë

Mezi e rrëzuam

Shtëpinë e dytë
të stolisur si nuse
me oxhak e konak
i përndjekur e braktisa

Të plaçkitur dhe të djegur
e gjeta

Tash kam mbetur
vetëm me historinë e shtëpisë



MË I BUKURI SHPEND

Nuk hesht ti jo
më i përzgjedhuri
shpendi im

Krejt harroj
pëshpërit
a zë nuk lëshoj

Në degë të qyqes
zog tjetër mos le

Në dy botëra folenë kemi

Ti diku në jug
e unë në veri
shtegtarë jemi

Nuk pushojmë së renduri

Hapi krahët
më i bukuri shpend
më jep pak nga zëri yt

NË PAFUNDËSINË E UNIVERSIT

Nën petkun tënd të ngrohtë kashmir
gjej strehim

Metropoli mbetet pa drita
terri shtrin këmbët e veta
syri i maces tash bën dritë
njeri jashtë nuk lëviz
bora shpirtin të ngrin
në gjirin tënd
dita shëtit

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen