Montag, 8. Juli 2013

Haxhi Muhaxheri: Tregime që i nënshtrohen procedimit poetik


Nga Haxhi Muhaxheri

TREGIME QË I NËNSHTROHEN
PROCEDIMIT POETIK

       Zejnullah Halili: „Qirinj të ndezur“, tregime, „Rilindja“, Prishtinë

 Edhe pse Zejnullah Halili është i njohur për lexuesin si autor i dëshmuar në krimitarinë letrare për fëmijë, ai me mjaft sukses është paraqitur edhe në krijimin e prozës për të rritur. Në librin „Qirinj të ndezur“ që është i organizuar në tri cikle, janë përfshirë trembëdhjetë tregime të cilat shikuar për nga realizimi tematiko-motivor janë të ndryshme dhe i nënshtrohen procedimit poetik, apo thënë ndryshe: gjatë realizimit të tyre janë përfshirë edhe elemente bashkjëkohore të modernitetit poetik të cilat autori i ka përdorur me mjaft mjeshtëri dhe maturi shprehëse. Elementet poetike të futura në këto tregime janë shumë të rëndësishme sepse nxisin lexuesin për të menduar dhe kuptuar më gjerësisht, apo për ta për ta përjetuar më emocionalisht idenë shprehëse të autorit.

Nga kjo vetvetiu krijohet bindja se, edhe pse kjo ishte vepra e parë e tij në prozë për të rritur, Zejnullah Halili ka ditur, ka mundur dhe ka pasur njohuri të mjaftueshme për  të krijuar prozën bashkëkohore, se motivohej lehtë, qoftë edhe nga ngjarjete e të së kaluarës së largët, duke ua dhënë tregimeve koloritin e prozës bashkëkohore. Dhe kështu, shikuar përgjithësisht, gjuha shprehëse e prozave të tij është shumë e pasur, e rrjedhshme dhe kjo ka mundësuar që tabllot jetësore të dalin të realizuara ideoartistikisht dhe mjaft funksionale. Kësaj i ka kontribuar me të madhe edhe figuracioni poetik që autori e ka futur në tregimet e këtij libri, si: lisi, ujë, guri, misri, gjaku, bardhësia, agimi, lulet, yjet etj., që plotësisht kanë hyrë në funksion të shprehjes së fortë, kuptueshmërisë dhe realizimit të tërësishëm prozaik.

Po ashtu, përkushtimin krijues të autorit e dëshmojnë edhe forma e realizimit të veprimit, kriteret e seleksionimit të ngjarjeve dhe fakteve, forma e transponimit ideoartistik te të dhënave dhe fakteve përmes mënyrës sintetike ligjërimore, ndërtimi kompozicional, motivi artistik i veprimit dhe idesë, stili i qartë organik dhe meditiv, zbërthimi i inercionit të brendshëm të botës shpirtërore dhe psikologjike, gjë që ia mundëson autorit për ta shprehur në mënyrë të gjithanshme idenë e tij krijuese.

Në ciklin e parë FLATRAT E HARABELIT të librit „Qirinj të ndezur“ janë përmbledhur nëntë tregime të cilat autori i ka realizuar nga frymëzimet e lehta dhe të rastit në relacionin nxënës-mësimdhënës, gjatë kryerjës së profesionit të arsimtarit dhe gjatë vizitave që u ka bërë shkollave kur e ka ushtruar zanatin e gazetarit. Por, lirisht mund të themi se, edhe pse për krijimin e tyre është frymëzuar nga jeta e fëmijëve, autori me sukses ia ka arritur qëllimit për të krijuar tregime për të rritur dhe të nivelit të kënaqshëm artistik. Në këto tregime shprehet fuqishëm dashuria e shkrimtarit për të vegjlit dhe botën që i rrethon ata, ndaj reales dhe të bukurës, ndaj të mirave materiale dhe lumturisë së përgjithshme njerëzore.

Në ciklin e dytë JANUKA E BARDHË përfshihen tri tregime të cilat, shikuar realisht, janë më të realizuar se ato të ciklit të mëparsëm. Për krijimin e këtyre tregimeve autori është motivuar nga ngjarjet e së kaluarës dhe në to na paraqitet qëndresa dhe pathyeshmëria morale dhe shpirtërore e një kolektiviteti të caktuar, të vuajtur dhe të përbuzur nndër mote, por kurrë të nënshtruar.

Ndërsa, në ciklin e tretë QIRINJ  TË NDEZUR janë përfshirë vetëm dy tregime që janë dëshmi e pjekurisë krijuese të autorit dhe meritojnë lexim më të vëmendshëm, sepse janë krejt ndryshe shikuar për nga forma e realizimimit artistik të tyre. Kjo është eshe arsyeja që emrin e këtij cikli e mbanëtij cikli e mbanë edhe vet libri. Në tregimet e këtij cikli na paraqiten sakrificat që bën njeriu për mbrojtjen e realitetit dhe vërtetësisë nga bishtërimet e murrtësive të kohës.

Ndaj, tregimet e këtij libri shquhen jo vetëm për shkak të nivelit realizues, por edhe për arsye të rrëfimit të hapur komunikativ, pa pretenduar në shtjellimin e hermetizur të ngjarjeve dhe situatave.Qëndrimi ideoemocional i autorit është shquar përmes subjektit orgjinal me kompozicion dhe elemente artistike. Nga sa u tha më parë, mund të forcojmë bindjen se tregimet e librit „Qirinj të ndezur“ të autorit Zejnullah Halili janë të realizuar në nivelin e kënaqshëm artistik dhe mund të lexohen me interes, sespe subjektet e tyre përputhen me përvojën, njohurite dhe pershtypjet tona mbi vërtetësinë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen