Freitag, 15. Juni 2018

Baca Kurti

Baca Kurti
         Ndër personalitet më të shquara të Malësisë pa dyshim radhitet edhe Baca Kurt Gjeka (Gjokaj).
         Lindi rreth vitit 1807 në fshatin Mileshë - Grudë, në një familje patriarkale, por me traditë bujare. Me këtë burrë në zë për trimëri dhe mençuri krenohet jo vetëm fisi i tij por edhe fiset e tjera të Grudës, Hotit, Triepshit e Kojës. Ai u shqua për urtësi, trimëri, burrëri, zemërbardhësi, veçmas për atdhedashuri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në histrorinë tonë kombëtare. 
         Ky personalitet i madh popullor i Malësisë gjatë gjithë jetës së tij i shërbeu mbrojtjes së Grudës dhe tokave shqiptare nga oreksi shoven. Nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit për t'i dorëzuar Malit të Zi krahinat shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Kastratit etj. Ngriti  fuqishëm zërin edhe përmes protestave kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar, duke u përpjekur të mbroj tërësinë e atdheut tonë dhe duke e ngritur problemin edhe në qarqet e ndryshme diplomatike.  
         Baca Kurti pati nderin të jetë i pranishëm në organizatën kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, e njohur në histori si Lidhja e Prizrenit. Kur knjaz Nikolla i Malit të Zi dërgoi ushtrinë me shkelë tokat shqiptare që ia kishte dhuruar Kongresi i Berlinit, krisi pushka prej një skaji të Malësisë në tjetrin, e Baca Kurti me krenët e tjerë të Malësisë organizoi rezistencën kundër Malit të Zi dhe kundër padrejtësive të Europës. Ai nuk pranoi shitjen e tokave shqiptare në pazarin e diplomacisë europiane. 
         Kësisoj, Baca Kurti me malësorët e Shqipërisë së Veriut, me luftën që bënë kundër Malit të Zi në mbarim të shekullit XIX, shkruan një faqe të artë në historinë mijëvjeçare të kombit tonë.  
         Po përmendim këtu fjalët e tij drejtuar bashkëvendasve për mbrojtjen e Urës së Rzhanicës nga ushtria malazeze: Vëllazën, anmiku po na mësyen! Kush don me dekë sot për vend të vet dhe për nder të armëve të veta, të vinë pas meje! Dhe ia arriti t'i mobilizoj jo vetëm pjesëtarët e fisit të tij, por edhe të fshatrave të tjera të Malësisë të moshës 7-70 vjeç, të cilët e detyruan ushtrinë malazeze të kthehej mbrapa.

Për trimërinë e Baca Kurtit populli i ka kënduar këngë të ndryshme, ndër të cilat  veçojmë:

Baca Kurtit, Krajl Nikolla
ja pat çue një shumë të holla,
çka i tha Baci shpi dajllare
hajt e këqyr do tjera halle
se s'e shes tokën me pare.

Studiuesi i njohur dr. Musa Kraja në monografinë kushtuar kësaj figure të njohur të popullit shqiptar shkruan se “personaliteti i tij në Grudë e më gjerë në Malësi ishte i një rëndësie të veçantë si burrë në zë, i urtësisë, trimërisë, i komunikimit të çiltër, që gëzonte dashuri dhe respekt masiv në të gjitha moshat. Ai ishte një përfaqësues i denjë i Malësisë që e shfrytëzoi rrugën e Kuvendin e Prizrenit për t'u njohë, shkëmbyer mendime, e për të mësuar prej burrave më të shquar të kombit të vet”.

Ky personalitet kombëtar vdiq në vitin 1881. Thuhet se ka qenë i helmuar nga dora kriminale e pushtuesit. U varros me nderime në Kishën e Sh'Mhillit, Milesh, por vepra e tij mbeti e pavdekshme dhe e përjetshme.

Keine Kommentare:

Kommentar posten