Sonntag, 5. April 2015

Sali Nivica

Labi qe më këmbëngulje 
kërkonte çlirimin e Kosovës

  • “Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujte me e bremun kërkund” — Gjergj Fishta
  • “Saliu ishte intelektuali ma i aftë dhe ma konsenguent i kohës” — Luigj Gurakuqi
  • "Saliu kur fliste për çështjen Kombëtare dridhej i tëri si purtekë” — Skënder Petro Luarasi
  • “Ai hyll që perëndoi ishte personifikim i ç'quem i delikatesës dhe i pastërtisë së gjuhës sonë kombëtare. Këtë humbje nuk do ta verë në vend as një e katërta e shekullit” — Hoxha Kadri Prishtina
  • “S'të keshëm rradhë si çdo rradhë por shok me Ismail Qemal” — Këngë e ngritur nga populli

Sali Asllani Nivica lindi më 15 maj 1890 në Rexhin të Kurveleshit të Sipërm, rrethi Tepelenë. U vra nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar 1920 në Shkodër. Ishte publicist, patriot, politikan e shkrimar. Ishte njeriu që kërkoj fuqishëm çlirimin e Kosovës nga serbët. Ai u dekoruar me urdhërin Nderi i Kombit.



Edukimi

Në vitin 1904 filloi studimet e shkollës së mesme në gjimnazin 'Idadi Mylyqi' të Manastirit. Aty u lidh me atdhetarin Bajo Topulli, themelues i 'Komitetit të Parë Kryengritës për çlirimin e Shqipërisë, aktivist i të cilit u bë edhe djaloshi Sali Nivica, sidomos me shkrime me frymë të fuqishme atdhetare në shtypin e kohës. Dy vitet e fundit të shkollës së mesme Saliu i përfundoi, në vitin 1909, në gjimnazin Zosimea të Janinës.


Aktiviteti arsimor, patriotik dhe politik
 

Aty ai vijoi të merret me veprimtari atdhetare, bëhet anëtar i klubit 'Shoqëria Shqiptare' dhe shkruan në shtypin e kohës. Është redaktori i vetëm i gazetës 'Zgjimi' dhe bashkëpunon shpesh me gazetën 'Liria'. Në Janinë, bëhet mësues para kohe duke mbledhur nxënës të klasave më të ulëta të Idadijes së Janinës dhe u mësonte atyre gjuhën shqipe. Gazeta 'Liria', pas mbarimit të shkollës, shkruante se Sali Nivica ishte një nga më të zgjuarit e të palodhurit nga të diplomuarit e shkollës së Janinës.

Në prag të shpalljes së Pavarësisë, Saliu, për karakterin e vlerat e tij atdhetare e publicistike, u zgjodh nga Luigj Gurakuqi që ta shoqëronte atë gjatë vizitave në disa kryeqytete të Evropës. Ishte pjesëmarrës në grupin që përgatiste kryengritjen antiosmane në shkallë kombëtare. Komiteti Organizator e cakton Sali Nivicën dhe Nikoll Kaçorrin të merret me përgatitjen e koordinimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut. Duke u nisur nga Durrësi, ku Nikolla ishte i dënuar me arrest shtëpie e nuk mund të lëvizte, Saliu shkon i vetëm në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Kurvelesh, Tepelenë, Berat dhe takohet me parinë e krahinave dhe njerëzit atdhetarë për t'u organizuar. Mori pjesë drejtpërdrejt në organizimin e kryengritjes së parë antiosmane në Kurvelesh e me pas në Manastirin e Cepos në korrik 1911, ku morën pjesë paria dhe mbi 800 burra të armatosur nga Çamëria, Delvina, Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Tepelena, Vlora etj. Në korrik 1912, i gjendur në Durrës si mësues, për veprimtaritë e tij antiosmane, arrestohet dhe burgoset në Stamboll. Pasi u lirua nga burgu me ndërhyrjen e Ismail Qemalit, fillon punën e mësuesit të gjuhës shqipe në 'Robert College', në Stamboll, ku krijon edhe drejton shoqërinë Qarku letrar. Në vitet 1914-1915 bashkëpunoi me publicistin e atdhetarin Muço Qulli për nxjerrjen e gazetës Populli, dhe deri me 1916 punoi në fushën e arsimit. Ishte mbrojtës e përhapës i flaktë i arsimit dhe gjuhës shqipe. Motoja e tij ishte Kombin e mban dhe difton komb nji atdhe homogjen, nji histori e kthjellët, nji besim i bashkët e nji gjuhë e livrueme. Ai kërkonte të ngrihej një Akademi për studimin e një gjuhe të përbashkët dhe një fjalor të gjuhës shqipe.

Më pas veprimtaria shkencore, politike dhe atdhetare e Sali Nivicës përqendrohet në Shkodër. Më 6 shkurt 1918 ftohet dhe bëhet anëtar i "Komisisë letrare", të krijuar në Shkodër më 1916, ku dha një kontribut të veçantë për probleme të lëvrimit të gjuhës shqipe ilegale në Shkodër, asaj Vllaznia e Rozafa. Është ndër organizatorët e krijimit dhe zgjidhet anëtar i Komitetit 'Mbrojtja Kombëtare e Kosovës' dhe anëtar i kryesisë së tij, prej 7 anëtarësh 7 nëntor 1918.[1] Aty bashkëpunoi me figura të ndritura kombëtare si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçens Prenushi, Sejfi Vllamasi etj. Si anëtar i Kryesisë, ai vuri në dispozicion të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës gazetën e tij Populli, zyra e së cilës u zhvendos në oborrin e ndërtesës së Komitetit. Nga numri i parë e deri te ai nr.19 gazeta doli me moton 'Për lavdinë e Atdheut' dhe, gjatë punimeve të 'Konferencës së Paqes në Paris', deri te numri i fundit, numri 48 10 janar 1920 duke ju përgjigjur zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit e për mbrojtjen e tërësisë së territoreve shqiptare, doli nën moton 'Për indipendencën e plotë të Shqipërisë'. Gazeta Populli botohej kryesisht në dialektin gegërisht, por që lexuesi do të lexonte edhe në dialektin toskërisht. Nën drejtimin e Sali Nivicës, duke qëndruar në pararojë të mendimit atdhetar të kohës, ajo u bë shprehëse e programit politik të Komitetit dhe e interesave mbarëkombëtare, sipas të cilit 'Duhet me i dalë zot vetsundimit e tanesisë toksore të Shqipnisë, me përdor çdo mjet me çlirue Kosovën dhe Dibrën, e çdo vend ku flitet shqip e me u bashkue nën sundim të Shqipërisë së lirë'.

Ai i dha gazetës, sidomos në vitin 1919, duke e shpërndarë atë jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë shtetit , në Francë, Itali, Zvicër dhe SHBA, karakter të theksuar kombëtar e atdhetar, në mbrojtje të pavarësisë e të tërësisë territoriale të shtetit të ri shqiptar, që u shprehen hapur edhe në Konferencën e Paqes në Paris, në vitet 1919-1920.


Gazeta Populli
 

Gazeta Populli Më 18.01.1919 në Shkodër doli numri i parë i gazetës politiko-shoqërore në gjuhën shqipe dhe frënge me titull: 'Gazeta Populli' e drejtuar nga Sali Nivica dhe me vonë nga Bedri Pejani, pas vrasjes së Nivicës, doli në 77 numura deri në janar të vitit 1920. Të gjithë numrat e kësaj gazete u shtypën në shtypshkrinjën françeskane të ngriur në vitin 1926. 'Gazeta Populli' në këndvështrimin e Kryeredaktorit të saj Sali Nivica Kënduesit është artikulli i parë i gazetës Populli’’ shkruar nga kryeredaktori me 18.01.1919. I ndarë në disa pjesë, pjesa e parë të ngjason me një elegji për të rënët, për dëshmorët e idesë kombëtare. Patriotët e këtij vendi nuk rreshtën së shkruari elegji për njeri tjetrin, nuk rreshtën së derdhuri fjalët më të ngrohta për të rënt. I tillë ishte fati i dy kryeredaktoreve që drejtuan gazetën me të njëjtin emërtim: Populli, i Mustafa Cullit e Sali Nivicës, të cilët u vranë pa arritur të gëzonin një ditë të mirë në atdheun e tyre, për të cilin dhanë gjithçka. Titulli i kësaj fletoreje siç theksonte Nivica: 'Ka me mallëngjye tue të përsëritë një kujtim të trishtueshëm të Mustafa Cullit'. Gazeta Populli synoi të ishtë një emër por jo në trajtesa vazhduese e Popullit të M.Cullit, që u botuan së pari në Vlorë gjatë viteve 1912-1915. Gazeta sipas S.Nivicës do të ishte: '…..një monumet kushtuar kujtimit të patriotëve, detyrë kolegësh, mundësi ngushëllimi, mjet thirrjeje për zgjimin shqiptar'. Programi i gazetës në gjykimin e kryeredaktorit përfshinte poltikat kundrejt të huajve dhe ato kundrejt shqiptarëve. Gazeta synonte të demaskonte taktikën antishqiptare të disa shteteve evropiane që mohonin jetën kombëtare shqiptare, dëshirën për liri e përparimin e vendit që nacionalizmin e identifikonin me shitjen e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, shteteve të ndryshme të botës. Synimi i gazetës arsyetonte S.Nivica, ishte ti kallxonte botës, '- se këtu ka një jetë kombëtare të gialle e të pathyeshme'. Ndonse direkt në artikull nuk përmendet direkt emri i K.M.K.K. vetë pahimi se këtu (nënkupto Shqipërinë, shënimi): 'Ka një parti të madhe dhe të shëndosha qi mendon, qi therret e qi mendon per idealin e lirisë së vërtetë të kombit arbnor', të lejon të nënkuptosh të K.M. Kosovës. Në politikën kundrejt shqiptarëve bazuar në idete e Faik Konicës gazeta synonte: të jepte shqiptarëve shpirtin e nevojshëm për t’u transforumuar. Bazuar në ndihmën e mendimtarëve e në fuqitë intelekutale gazeta synonte si ta bente shqiptarin ‘’ që të mëndojë si komb e jo gjithnji si nieri e si me mësue me thanë jam’’. Gazeta Populli për aq kohë sa zhvilloi veprimtarinë e vet ashtu siç nënvizonte Kryeredaktori i saj qe me të vërtetë: 'një ligjërim i papërlyem, nji ligjërim thjesht shqiptar e me qëllim shqiptari'.

Veprimtaria e tij atdhetare e publike ishte pengesë për planet aneksioniste serbo-sllave, italiane e greke. Ndaj më 10 janar 1920, në prag të ngjarjes së madhe kombëtare, të mbledhjes së Kongresit të Lushnjës, u vra në Shkodër[2] nga Kolë Ashiku, njeri i vënë në shërbim të forcave pushtuese serbe e italiane, i paguar dhe i armatosur posaçërisht. Shkodra, ditën e varrosjes, i bëri Saliut të gjitha nderimet e rastit, duke e shpallur ditë zie.


Pjesë nga fjala e Presidentit Bamir Topi me rastin e dekorimit

Sali Nivica ishte një nga ideatorët dhe dëshmorët e kësaj lufte. Ai me pushkë e pendë ishte një nga nxitësit dhe ideologët më në pah të kryengritjeve antiosmane. Pedagogu i Robert Kolexhit, me gazetat që themeloi e në ato në të cilat shkroi gjatë gjithë jetës, ishte një nga farkëtuesit kryesorë të ndërgjegjes kombëtare e të prosperitetit shqiptar.
Mbrojtës i zjarrtë i integritetit territorial përkrah Luigj Gurakuqit në Kancelaritë Evropiane, zë i parreshtur i Kosovës së martirizuar, intelektual e mendimtar, i vrarë pabesith nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar të vitit 1920, me të drejtë do të meritonte përkufizimin e të madhit Gjergj Fishta “Sali Nivica ishte portë e shtyllë e të thuesh nji shkam të cilit tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujt me e brejtë kurrkund, burra të cilët rrallë i lejnë nanat!
“Mësuesi i popullit” Sali Nivica ishte dhe mbetët një shembull i vlerave patroitike, intelektuale e morale, të cilin ne sot e vlerësojmë, si një nga mendjet e ndritura të asaj Shqipërie që sunonte të shkëputej nga e kaluara duke fituar lirinë e duke parë nga modernitet, si një nga themeluesit e gazetarisë, arsimit e fjalës së lirë në Shqipëri.
“Nderi i Kombit” është një dekoratë e merituar për ata që e udhëhoqën kombin drejt lirisë, shtetformimit dhe modernitetit, pë rata që sakrifikuan jetën për idetë, për idenë e madhe e të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve evropiane.
Të gjithë ne, brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të formohen intelektualisht me parime të drejta historike sepse historia gjithmonë konfirmohet si mësuese e jetës! Ata duhet të dinë se mbijetesa e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nga idealizmi dhe sakrifica e dëshmorëve si Sali Nivica!
Burra të tillë i dhanë gjithçka Shqipërisë pa interes, duke sakrifikuar edhe jetën e duke na lënë ne pasardhësve të tyre pasqyrën morale ku të shihemi çdo ditë, modelin etik të sakrificës, ndershmërisë dhe idealizmit, bashkëpunimit dhe dialogut që vendi ynë natyrshëm të realizojë ëndrrën e madhe: Shqipërinë e përparuar, Shqipërinë Evropiane.
Nder dhe mirënjohje për jetë Sali Nivicës, Nderit të Kombit.


Më poshtë po japim edhe dokumentarin kushtuar nderit te kombit, Sali Asllani Nivica (video).