Donnerstag, 2. April 2015

Gjon Gjergjaj

Gjon Gjergjaj u lind më 15. II. 1951 në Krushevë të Vogël të Klinës. Filloren dhe gjimnazin i kreu në Klinë. Shkruan për fëmijë e për të rritur në të shumë zhanre letrare, kryesisht në poezi e dramaturgji. Ka botuar krijime letrare që nga fundi i viteve ’60 e këndej. Deri më 1990 punoi në Klinë, pra që prej atëherë dhe gjatë viteve të mbas luftës është i papunë. U prezantua në antologji të letërsisë shqipe për fëmijë në Prishtinë e në Tiranë. Poezitë e tij janë botuar në Prishtinë, Tiranë, Shkup, diasporë etj. Merret me aktrim, skulpturë, etnografi, me ruajtjen e trashëgimisë, aktrim në teatro e filma artistikë etj. Kështu, kureshtjen e vizitorëve e mban gjallë muzeu i tij me eksponate etnografike e arkeologjike etj, si dhe salloni i pasur i skulpturave të tij origjinale.
Është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës.
Është praqësuar në shumë antologji të letërsisë për fëmijë.


Veprat
  1. “Lisat e Nakllit” (poezi),”Rilindja”, Prishtinë 1989,
  2. “Bukuroshja e detit” (poezi për fëmijë), “Rilindja”, Prishtinë 1992,
  3. “Kroje ëndrrash trëndafili” (poema për fëmijë), botim i autorit, Klinë 1992,
  4. “Lulja që i priu detit” (poezi për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 1994,
  5. “Shembje sfinksash”, (dramë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 1997,
  6. “Ninullë e blertë” (poezi për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 1997,
  7. “Përralla ka atdhe”, (poemë për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 1997,
  8. “Kali i Shtrigës” (dramë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 1998,
  9. “Përralla ka grevë urie”, (poezi për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2000,
  10. “Karazuzari” (burleskë dramatike në pesë akte), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002,
  11. “Edhe dhia do tagji”, (poemë satirike), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002
  12. “Rrugën e diellit, dallëndyshe, e more” (drama dhe pjesë teatrale për fëmijë), KL “Vorea Ujko”, Klinë 2002.
  13. ”Kameleonët zbresin Shkallëve të Parajsës” (zoon-komedi), KL “Vorea UJKO”, Klinë 2004.
  14. “Feniks zjarresh” (dramë), Klubi letrar “Vorea Ujko”, Klinë 2005
  15. “Lepurushi i gjyshit”, poezi për fëmijë, Klubi letrar “Vorea Ujko, Klinë 2005
  16. "Vjersha me mjaltë", poezi e poema për fëmijë, 2008
  17. "Një motër e vogël", poezi për fëmijë 2012
  18. "Fshija lotin rrushit", poezi për fëmijë dhe të rinj, 2012
  19. "Ëndrra e dritës", dramë për fëmijë, 2013
  20. "Lëngu i fikut", poezi për fëmijë dhe të rinj, 2013
  21. "Dy drama", Shkup 2014
  22. "Dashuria e ka rrugën me dritë", 2014
  23. "Doruntina në rrugën e pikëllimit", dramë, 2014
  24. "Me falë asht trimni", roman për fëmijë, 2014
  25. "Proza popullore e Lugut të Drinit" (Nga letërsia gojore), 2014



Poezi për fëmijë nga Gjon Gjergjaj

KU FSHIHET SEKRETI

Në zemër të luleve
Fshihet një sekret
Është shumë i vogël
Por bëhet det

Është sekret
I bukurisë
Që buron
Prej dashurisë

Ku puqen
Dy dashuri
Shkrihen bëhen një
E bëhen ëmbëlsi

Jeta vazhdon
Me hoje
Rriten lule e zogj
Në këto troje



LULJA NË DJEP UUUËËËËË

Në maternitet shkon nëna
Për të na sjellë lule
Buzëqeshin me pekule
Ta përkundë djepin motra Makbule

Lulja në djep uuuuëëëëë
Kokën sa një qepë uuuëëë
Është lule e lulishtes uuuëëë
Është zog i plepishtës uuuëëë

Në maternitet shkohet
Për të nxjerrë zogun
nga çerdhja në krah
E nëna ta mësojë zogun
Të fluturojë zogu në hava

Vjen nga një botë e brendshme
E vjen këtu në jetë
Për pak kohë zogu
Fluturon si pëllumbi përpjetë

Na gëzon të gjithëve uuuëëë
Në jetë erdhi kjo krijesë
U gëzuan të gjithë, rend e shend
U gëzuan more për besë



BLETA ËSHTË NJË MJEK

Tha një mjek
Në Klinë
Një tjetër ashtu tha
Edhe në Prishtinë

Ju në fshat
Mbani bletë
Se bleta
Është mjek vetë

Bleta është
E bekuar
Puna e saj
Është e uruar

Një lugë mjaltë
Të bën mirë
Hani se shëroheni
Sa mirë, ç’dëshirë



DING-DANG

Ding-dang
Bukë e lang
Nis e sos
Bukë e kos

Kështu shkon jeta
Me fleta e peta
Diçka po sillet
jeta po dridhet

Si shelnja në ujë
S’jemi n’tokë të huaj
Por mos harroni
Vendin ta doni

Sado i varfër
Të jesh
Dashurinë për atdhe
Ta kesh

Nuk është turp
Për atdhe
Me vdekë
Si me le



KAPËRCEVA DRININ

Kapërceva Drinin
E dola në blerim
Ti moj gocë e vogël
Rritesh me gëzim

Kapërceva Drinin
Drinin tërë valë valë
Bukuria e vendit
Një vajzë e një djalë

Kapërceva Drinin
Drinin për bukuri
Jeta mund t’vazhdojë
Jetë me dashuri

Kapërcva Drinin
E rashë në mes yjesh
Bukuroshja e bacit
Rritesh në mes dy dijesh
 


NDEZI TË GJITHA
DASHURITË E QIELLIT


Zogu në telin e çikrikut
Hipi maje pipit të fikut
E piu lëngun e pipit të fikut

Hipa maje pjeshkës me këmbë
Të ja prek pjeshkës atë bërthamë
E u bën lesh e lëmë

Kur bjeshka e fsheh diellin
E pash Hënën kur e puthi Yllin
E me ëmbëlsi e ndriti qiellin

Kjo botë qenka për çudi
Fshehurazi të dhurojnë dashuri
Edhe atëherë kur ti s'e di

Kaltërsia e detit kishte zënë pusi
Dikur në tërë qiellin është shtri
E ti prisje shi shi shi shi shi

Ndezi të gjitha dashuritë e qiellit
Ngopi me ujë lulet e prillit
E pije çajin e blirit


 
ME NJË PUTHJE

Lumi
Ka ngecë
Epja një puthje
Le të ecë

Ylli
Ka mbetë
Puthe Yllin
Se ec më lehtë

Zogu
S'po fluturon
Puthe zogun
Se ai larg me gëzim shkon

Lulja e bukur
Sot s'ka disponim
Dhuroja një puthje
Të punon më gëzim

Blerimi
Rrugën e ka harrua
Puthe rreze e bukur
Se ka për të fluturuar

Mali
Ka ra në pikëllim
Puth e përqafo
E bën me disponim

Ka thënë
Lulja e prillit
Me një puthje
zbriti yjet e qiellit



KJO UNAZË DIÇKA PO THOTË

Kjo unazë
Diçka po thotë
Jemi e do të jemi
Për jetë e mot

Tani jemi rritur
Më nuk jam fëmijë
Diku në qytet
E kam një simpati

Takohemi me vajza
Takim bukurie
Dridhem si purtekë
Takim dashurie

Vajzat t'i ngacmojë
E të gjuajnë me fjalë
Të bukura të mira
Si pëllumbeshë, si djalë

Shpesh krekosemi
Sillemi si frajer
Para vajzave të bukura
E bëjmë nga ndonjë sherr

Edhe pse dikush
Mund të na këshillojë
Nuk na zgjat shumë
Edhe kjo punë kalon


 
ARTA PO NDËRTON NJË JETË

Çka ka Arta
Që s merr vesh
Mos i ka hy
Ndonjë mizë në vesh
Nuk pi tëmbël
E s'ha përshesh
Është drejtuar
Drejt e në pasqyrën
Dhe po e shikon fytyrën
Krihet ndreqet
E rregullohet
I lyen flokët me gëll
Dhe për qytet drejtohet
Ku e presin
Shumë rini
Dans e bit
Valle me kërcye
Me dashuri
Ku është gëzimi
E hareja
Me të rinj
E me të reja
Merr hov vallja
Kënga këndohet
Çdo gjë me hare
Përthekohet
Arta e mirë ka qen
Po tash s'e di
Do gjëra është
Duke m'i përzje
Ku ia ka dhanë
Puna s'e di
Prindit e Artës
Janë të shqetësuar
Dhe për këtë punë
Janë të interesuar

Dhe një ditë
Të përmendorja
I ra në tokë fletorja
Aty u gjend me Artanin
Atë të bukurin
Zog Miranin
Nxënësin
Më të mirë në shkollë
Sy zi
E bel hollë
Më të bukurin
Dardhë e mollë
U shikuan
Me sy t'fëmijërisë
Dhe dhuruan puthje
Prej dashurisë
Prindit këtë s'qenë kur e panë
Tash e ditën
Se ku janë
Prindit e Artës
U bindën vërtet
Se Arta
Po ndërton një jetë



GJYKIMI

-Ku je Drita
-Kështu nuk po më shkon dita

-Pse je vonuar
-Matematika s'është duke më shkuar

-Po çka qe ai djali
-Shoku i bankës Ermali

-E çka po thua
-Po jemi duke mësuar

-Pa çka tu ka skuqur fytyra
-Duke shkruar detyra

-Mos më nervozo
-Po shkolla nervozë nuk do

-Tu ka bërë mendja pluhur e hi
-Pa mësuar babi s'ka dijeni

-Sillu ma mirë ..shkollë e dashurisë
-Po me gjithë dëshirë në rrugën e lirisë

-Prokurorin e luan babi im
Shumë i ashpër e me guxim

-Avokat mbrojtës gjyshja me padurim
Mundohet ta mbrojë të drejtën nga ky akuzim

-Nëna mundohet t'i ulë gjakrat me urti
-Dihet se unë luftoja për dashuri

-S'ishte rend mësimi as matematike
Ishte rend dashurie në pikë dite

Në shtëpinë tonë kështu gjykimi mbaroi
Me grusht tavolinës gjykimi përfundoi



NË KLASËN TONË JANË ZGJUAR DASHURITË

Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
Dikush pëshpërit
Në bankën e fundit
Dritani me bukuroshen Dritë

Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
Dikush kokën ngrit
Pranvera me Manin
Hana me Kristianin

Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
Gurrat ecin me valë
Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
Një vajzë e një djalë

Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
U bë si në pyll
Vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh vëzh
Me puthje filmi u përmbyll



TREN I QIELLIT KAH PO SHKON

Tren i qiellit kah po shkon
Nëpër botë shi po çon

Retë si vagonë kanë mbushë fushën
Dhe çdo gjëje ia flladit gushën

Thërret gjinkalla,misri, pylli, gjithnjë
Që mbi tokë të bjerë shi

Që në tokë pa shi kurrgjë nuk rritet
Pa shi s'ka jetë çdo gjë mërzitet

Çdo gjë shiu e mban në jetë
Botë e imagjinuar çdo gjë është e vërtetë

Vagonët ndihen rrang dang dang
Por kur zbrazen ujë të banë
 
__________
Prezantimi i autorit Gjon Gjergjaj është përgatitur nga shkrimtari, kritiku dhe studiusi i letërsisë, z. Prend Buzhala.