Dienstag, 25. Juni 2013

Agim Deva

Agim Deva, lindi në vitin 1948 në Beograd dhe vdiq më 1 shkurt 2009 në moshën 61 vjeçare. Fakultetin Filozofik e kreu në Universitetin e Prishtinës – në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Magjistroi dhe doktoroi në fushën e letërsisë për fëmijë. Pas diplomimit në fakultet u punësua gazetar në “Zërin e rinisë”, e më vonë qe kryeredaktor i parë i “Gazetës së pionierëve”. Që nga viti 1973 punoi në Fakultetin e Filologjisë, së pari – asistent në Teorinë e letërsisë, e pastaj, ligjërues në lëndën Letërsia për fëmijë. Përveç kësaj, Agim Deva ligjëroi edhe Fillet e gazetarisë, Kritikën letrare, kurse në departamentin e gazetarisë zhvilloi lëndën Zhanret e gazetarisë. Ishte profesor ordinar në këtë Fakultet. Njëherësh, Agim Deva ishte anëtar i PEN- Qendrës së Kosovës dhe themelues e drejtues i OJQ-së “Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë” që nga viti 2000 e këtej. Poashtu, që nga viti 2005 ishte edhe anëtar i Shoqatës “Pranë fëmijëve”. Organizoi disa simpoziume e sesione shkencore mbi çështjet e letërsisë për fëmijë e të rinj.
Botoi një numër të konsideruar veprash letrare (prozë e poezi), antologji të ndryshme, panorama të poezisë botërore, vepra të ndryshme shkencore, monografi, kritika, recensione, ese, parathënie e pasthënie, një libër leximi për klasë të katërt fillore, dy libra për fëmijët e hendikepuar, libra ilustrativë për fëmijët e moshave parashkollore, libra me karakter ambiental dhe së fundi Abetaren. Që të gjitha këto shtrihen në 80 vëllime.
Mori pjesë në Simpoziumin Ballkanik të Letërsisë për Fëmijë të mbajtur në Tiranë ( në vitin 2000), si edhe në shumë manifestime letrare para fëmijëve tanë në Austri, Belgjikë, Gjermani, Zvicër, Itali, Francë etj. Për punën e tij letrare u nderua me një varg shpërblimesh në Kosovë dhe më gjerë. Poezitë e tij u përkthyen në disa gjuhë të huaja si në anglisht, gjermanisht, arabisht, italisht, rusisht, sllovakisht, rumunisht, kroatisht, turqisht, sllovenisht, maqedonisht, etj.
Dallohet si shkrimtar për fëmijë, me të cilin preokupim ai merrej deri ne ditët e fundit te jetës se tij. Ligjëroi, Letërsinë për Fëmijë në Degën e Letërsisë e të Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.


Disa nga veprat:

  • Natyreza - Mars 2003 tekst mësimor
  • USA dhe Musa “Rilindja”, Prishtinë, 1987
  • Zonja  e livadheve‎, 1968
  • Panushi: roman për fëmijë, 1974
  • Parada e luajve, 1977
  • Fjala bëhet lule, libër leximi : për klasën IV të shkollës fillore‎ , 1979
  • Një mijë çerdhe : vjersha‎, bashkautor me Salih Lutolli, 1979
  • Rrota e historisë, vjersha për fëmijë, 1981
  • Zašto klupa ponavlja razred, 1981, serbisht
  • Poezia shqipe për fëmijë (1872-1980), 1982
  • Fjala e përjetimit, 1983
  • Vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1984
  • Harta e zemrës, 1984
  • Tregu i xhinkave, bashkautor me Daniella Vajnevi, 1984
  • Çaste në trohalle, 1986
  • U këndojmë dëshmorëve, 1988
  • Dreri në mal, vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1989
  • Njeriu i vjeshtës, 1991
  • Guri rrokulliset përpjetë, 1999
  • Fshati dhe rrufetë
  • Si shpëtoi meti
  • Orët e nënës
  • Fshehtësia: Tajna, bashkautor me Miroslav Antić
  • Buna
  • Pastaj, edhe dashuria e parë : A onda i prva ljubav, bashkautor me Miroslav Antić
  • Derisa ti flen
  • Fytyrëqeshur
  • Dhoma e gjyshit tim
  • Në botën e abetares‎
  • Plisi i zogut, Duart‎
  • Pse i dua Babadimrat‎
  • Romani ynë për fëmijë - 1977

  • Burimi: Wikipedia



    USA ME MUSA

    Nuk di ky im shoku Musa,
    Ku e gjet atë këmishë të blertë;
    N’shpinë të këmishës
    Shkruante – USA,
    Dilte n’korzon me të Musa,
    Zgataraqej, -
    Hund’t – përpjetë!
     
    Vërtet këmishë të bukur kishte,
    Këtë stil e kish n’dëshirë,
    Me ca pulla lëkure ishte,
    Epoleta,
    Xhep,
    Zinxhirë,
    Dilte n’korzo me të Musa,
    Kush s’i tha as keq – as mirë!
     
    Dhe kaluan disa ditë –
    Regani sulmoi Libinë,
    Me kthetra ia grithi diellin,
    Gadafit ia vrau – fëminë,
    Ia vrau – gratë,
    Ia vrau – lirinë;
     
    Bulevardet ia shkatërroi,
    Dhe pallatet varg e varg,
    Sheshet me bomba ia shtroi,
    Kërdi bëri
    Por - nga larg,
     
    T’nesërmen n’televizor,
    Doli mu si orator
    Bashkë me grua e qen në dorë,
    T’i flasë botës kah ia mban,
    Me qen t’vet qeni Regan!
     
    Një inat Musën e kapi,
    Nxori këmishën nga dollapi,
    Dhe a dini ç’bëri Musa?
    E dogj këmishën
    Bashkë me – USA.
     
    Iu dhimbtë çunit pakëz këmisha,
    Por iu duk e larë me gjak,
    Iu dhimbsën pak
    Epoletat,
     
    Por s’iu dhimbtë
    USA – aspak!
     
    Marrë nga libri Agim Deva: “Usa dhe Musa”, “Rilindja”, Prishtinë, 1987.
     
     
     
    AGIM DEVA - VJERSHA TE ZGJEDHURA PER FEMIJE _3_


    Keine Kommentare:

    Kommentar veröffentlichen