Freitag, 28. Juni 2013

Datat historike të Pavarësisë së Kosovës

Datat historike të Pavarësisë së Kosovës
Pas një përpjekjeje shekullore, pasi është martirizuar si asnjë popull në Evropë, pas vetëmohimit dhe vetëpërmbajtjes, Kosova shpallë pavarësinë. Po si ka kaluar ky proces kaq i gjatë, ky kalvar i dhimbshëm historik?...  100 datat më të rëndësishme që kanë kaluar që nga përpjekja e parë e deri në ditën e pavarësisë së Kosovës. Që nga shprehja e kancelarit gjerman, Bismarck, i cili deklaroi në vitin 1878 në Kongresin e Berlinit se, “Shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se “një term gjeografik”. Megjithatë, në të njëjtin vit, delegatët me influencë nga krahinat e Shqipërisë themeluan Lidhjen e Prizrenit, ku shqiptarët dolën nga gjumi letargjik nën Perandorinë Osmane dhe inicioi lindjen e shtetit shqiptar, tek shkëputja e Kosovës nga toka mëmë Shqipëri. Nga padrejtësitë e politikës evropiane me vendime aq absurde, nga padrejtësitë dhe rrëmbimet e tokave shqiptare nga serbët dhe ajo që u quajt Jugosllavi, deri tek përndjekja, dhunimi, arrestimi e deri tek krimet makabre ndaj kosovarëve. Nga gafa e rëndë e Enver Hoxhës, duke e lënë Kosovës nën Jugosllavi, e deri tek rizgjimi i madh popullor në demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë. Për të ardhur në ndërrimin e sistemit komunist, ku Kosovës në vend që t’i jepet e drejta e mohuar, u sulmua edhe më shumë nga serbët duke vrarë, prerë e masakruar sërish popullsinë. Një ecuri që pati si kulm të saj ofensivën serbe në vitin 1999 dhe po atë vit, të ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, të parën luftë që Aleanca e Atlantikut ka ndërmarrë në historinë e saj. Duke ardhur në ditën e shpalljës së pavarësisë më 17 shkurt 2008.


Kongresi i Berlinit
Bismarck
Në vitin 1878, në Kongresin e Berlinit, kancelari gjerman Bismarck deklaroi se Shqipëria nuk ishte asgjë më shumë se "një shprehje gjeografike". Megjithatë, në të njëjtin vit, u themelua Lidhja e Prizrenit. E cila vuri themelet e pretendimeve të para moderne të statusit kombëtar.

28 nëntor 1912
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor në Vlorë nuk ishte vetëm një datë për Shqipërinë. Efekti i saj ishte në të gjitha trevat shqiptare në Ballkan. Në shpalljen e pavarësisë në Vlorë morën pjesë dhe përfaqësues të popullit të Kosovës.

22 mars 1913
Ndarja e kufijve
Konferenca e Ambasadorëve në Londër përcakton ndarjen territoriale të vendit. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahina të tëra. Krahina e Kosovës me një popullsi autoktone shqiptare iu la Serbisë.

1913-1914
Shifrat e terrorit
Pas ndarjes së territorit, serbët nuk u mjaftuan vetëm me trojet. Në këto vite shënohen dhe shifra më të larta të represionit sllav mbi popullsinë e Kosovës. Sipas historianëve, dëmi që iu shkaktua Kosovës në këto vite ishte më i madh se ai i pushtimit osman.

1914
Ligji serb i Kolonizimit
Shteti serb solli në Kosovë gjatë vitit 1914 rreth 20 mijë serbë. Pjesa dërrmuese e të cilëve kriminelë që u përdorën për të nxitur konflikte me shqiptarët. Pushtuesve iu dhanë toka të shqiptarëve, duke ndryshuar dhe kadastrën e tyre.

1 dhjetor 1918
Krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate
Lufta e Parë Botërore do të shënonte dhe krijimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sollovene, e cila do të kishe brenda saj disa shtete-kombe. Kjo mbretëri do të kishte pjesë të saj dhe Kosovën.

Versajë 1919
Konferenca e Versajës
Konferenca e dytë ndërkombëtare që sanksionoi përfundimisht copëzimin e trojeve Shqiptare e la si pjesë të Serbisë krahinën e Kosovës. Një e treta e popullsisë shqiptare mbeti jashtë trungut amë.

1919
Reforma Agrare
Pas pushtimit serbët u kujdesën që të ardhurit të kishin pronat e tyre. Në vitet 1920 nis dhe Reforma Agrare e drejtuar nga një ministri e veçantë. Megjithëse u shkelën hapur traktatet ndërkombëtare, përsëri askush nuk u kujtua për të drejtat e shqiptarëve.

7 mars 1937
Teoria e spastrimit
Pas 1913-s për shkombëtarizimin e Kosovës, serbët përpunuan një strategji të tërë. Në bazë të teorisë antishqiptare u vu akademiku Vaso Çubrilloviç.

4 dhjetor 1943
Deklarata e Titos
Në Luftën II Botërore Kosova u radhit në krah të Koalicionit Antifashist. Udhëheqësi serb, Tito, pranon se çështja e Kosovës do të zgjidhet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë që koha provoi të kundërtën.

31 dhjetor 1943
Konferenca e Bujanit
Gjatë Luftës së Dytë Botërore patriotë kosovarë u mblodhën në Bujan për të fituar të drejtat e tyre, duke kërkuar shkëputjen nga Jugosllavia. E cilësuar si një Lidhje e Dytë e Prizrenit, Konferenca Bujanit pati jehonë në mbarë botën shqiptare.

1943-1944
Pushtimi gjerman
Një pikë ku duket se historianët ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit, është Lufta e Dytë Botërore. Kosova, sipas burimeve historike, pati rreth 80 mijë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

18 shkurt 1945
Ushtria Jugosllave në Kosovë
Pas largimit të gjermanëve, ushtria jugosllave kërkon vendosjen e administratës ushtarake në Kosovë, me pretekst për “stabilizimin e situatës politike e të sigurisë”.

1 prill 1945
Masakra e Tivarit
Është një nga masakrat më të mëdha që ju bë të rekrutuarve shqiptarë nga Kosova në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Tivar, Mal i Zi dhe në rrugën për në Tivar. Numri i të vrarëve mendohet të jetë 1700-4300.

1945
Viktimat e komunizmit
Pas hyrjes së forcave serbe në Kosovë, nis përsëri masakra. Me pretekstin se ishin antikomunistë, gjatë vitit 1945 në gjithë Kosovën numërohen rreth 40 mijë shqiptarë të vrarë.

31 janar 1946
Kosova nën Serbi
Fundi i Luftës së Dytë Botërore e vendosi përfundimisht Kosovën nën Jugosllavinë. Kushtetuta e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, miratuar më 31 janar 1946, Kosova u përcaktua si njësi autonome brenda Serbisë.

17 janar 1947
Kushtetuta serbe
Nën rrethanat e administrimit ushtarak, Kushtetuta e Republikës Serbe i heq të drejtat popullsisë së Kosovës. Këto dispozita kushtetuese caktojnë Kuvendin Popullor të Serbisë si vendimmarrës për Kosovën.

1950
Dëbimet në Turqi
Etiketimi si turq i shqiptarëve nga ana e serbëve, sjelljet mizore të ushtrisë serbe, bënë që të deportoheshin në Turqi mbi 230 mijë shqiptarë. Një spastrim etnik që i kish rrënjët në teoritë raciste të Vaso Çubrilloviçit.

7 prill 1963
Shqiptarëve u njihet kombësia
Me Kushtetutën e 7 prillit 1963, RFPJ u shndërrua në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë. Në nenin 111 të saj, Kosova shpallet krahinë autonome. Ndërsa për shqiptarët nuk përdoret më nocioni “pakicë kombëtare”, por “kombësi”.

14 korrik 1967
Kërkesat për Republikë
Përfaqësuesit e Kosovës në Kuvendin e Kombeve të Jugosllavisë, me në krye Fadil Hoxhën, kërkojnë rishikimin e hapësirave kushtetuese për Kosovën. Ata kërkuan bisedime me Beogradin për shpalljen Republikë të Kosovës.

6 tetor 1968
Demonstratat e studentëve
Pas refuzimit të kërkesës për Republikë të Kosovës filluan protestat e para të intelektualëve dhe studentëve. Në qendër të kërkesave të saj ishte bërja e “Kosovës Republikë”.

1968
Demonstrata
Lëvizja e re arriti të ndryshojë statusin juridik të Kosovës. Në po këtë vit gjuha shqipe u sanksionua me ligj si gjuhë e dytë zyrtare, u la të përdorej flamuri si simbol kombëtar dhe hapja e Universitetit të Prishtinës.

1974
Autonomia
Pas protestave, Kushtetuta Jugosllave e 1974-s do t’i jepte Kosovës autonominë. Për të parën herë i jepet e drejta që përmes Parlamentit të vet dhe Këshillit Ekzekutiv të nisë në Gjyqin Kushtetues të Jugosllavisë procesi për vlerësimin e konstitucionalizmit dhe ligjshmërisë.

1989
Millosheviçi
Fundi i autonomisë së Kosovës ka një nisje. Dhe për ironi, pikërisht ardhja në krye të Beogradit e Sllovodan Millosheviçit solli një tjetër realitet në Kosovë.

28 mars 1989
Heqja e autonomisë
Qeveria e Beogradit i heq ato pak të drejta që ju dhanë Kosovës në 1974-n. Në këtë mënyrë, Kosova u kthye në pikën e saj më kritike. Në vitin 1989, në Kosovë shpërthyen protestat paqësore.

22 mars 1990
Helmimet
Nacionalizmi serb në Kosovë tregoi anën e tij më të errët. Janë rreth 20 mijë fëmijë shqiptarë që u helmuan gjatë viteve 1988-1900 nga shërbimet sekrete të Serbisë.

1989-1990
100 të vrarë
Heqja e autonomisë solli protesta në gjithë Kosovën. Gjatë kësaj periudhe, megjithëse kosovarët protestonin në mënyrë paqësore, ushtria serbe vrau mbi 100 persona, 400 të tjerë u plagosën, u helmuan 20 mijë fëmijë.

23 dhjetor 1989
Themelimi i LDK-së
Themelimi i Lidhjes Demokratike e Kosovës nuk është vetëm krijimi i të parës parti politike me mbështetje të gjerë, por edhe të parës lëvizje që iu kundërvu drejtpërdrejtë regjimit komunist në fuqi.

2 korrik 1990
Deklarata e Pavarësisë
Më 2 korrik 1990, Parlamenti i Kosovës harton të parën Kushtetutë, ku përcaktohej pavarësia e Kosovës. Ideator i saj ishte kryetari i LDK-së, Ibrahim Rugova.

9 shtator 1990
Kushtetua e Kaçanikut
Kushtetua e Kaçanikut është i pari dokument i miratuar nga Parlamenti i Kosovës që e njihte atë si shtet të mëvetësishëm me simbolet e tij.

26-30 shtator 1991
Referendumi
Pas shpalljes nga ana e Parlamentit Republikë, Kosovës i duhet të legjitimonte pushtetin e saj. Për këtë qëllim u mbajt referendumi për shpalljen Republikë të Kosovës. Rezultatet e këtij referendumi u shpallën të pavlefshme nga Beogradi.

24 maj 1992
Zgjedhjet pluraliste
Referendumi i shtatorit ishte preludi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë. Më 24 maj 1992, në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale. President u zgjodh doktor Ibrahim Rugova.

1995
Marrëveshja e Dejtonit
Pas disa vitesh luftë të përgjakshme, ndërkombëtarët ulin në bisedime serbët, boshnjakët dhe kroatët. Marrëveshja u nënshkrua në Dejton (SHBA). Ndërkombëtarët arritën të ulnin gjakrat mes sllavëve, por u anashkalua çështja e Kosovës.

28 nëntor 1997
Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Kur bisedimet nuk vlejnë më, atëherë e kanë radhën armët. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua pas viteve 1995, si përgjigje e represionit serb në Kosovë. Dalja e parë publike e saj u bë më 28 nëntor 1997.

5 mars 1998
Masakra e Prekazit

Në fshatin Prekaz vriten 50 shqiptarë dhe dy serbë nga luftimet mes ushtrisë serbe dhe forcave të UÇK-së. Shumica e të vrarëve nga radhët e shqiptarëve ishin civilë të paarmatosur, gra dhe fëmijë.

Janar 1999
”Terrorizmi” shqiptar
E gjithë lëvizja e armatosur për çlirimin e Kosovës u interpretua nga zyrtarët serbë, ndonjëherë dhe ata rusë, si një lëvizje terroriste.

6 mars 1998
Vrasja e Adem Jasharit

Çdo kohë ka heronjtë e vetë. Dhe lufta e Kosovës ka me mijëra të tillë, por emri i Adem Jasharit është një nga ata që spikat më shumë. Ai u vra më 6 mars 1998 nga një sulm i ushtrisë serbe në kullën e Jasharajve.

15 qershor 1998
Aeroplanët e NATO-s fillojnë manovrat mbi Maqedoni dhe Shqipëri. Ushtria serbe e mori si një kërcënim të hapur dhe nisi një ofensivë edhe më të ashpër për të eliminuar UÇK-në, prandaj hynë ndërkombëtarët në Kosovë.

23 shtator 1999
Armëpushimi i rremë
Kërcënimet e NATO-s e detyruan Millosheviçin të ndërpresë për një farë kohe masakrat në Kosovë. Këshilli i Sigurisë të OKB-së arriti për disa javë të ndalë luftimet. Por më vonë ushtria serbe deklaroi se ka vrarë rreth 30 luftëtarë të UÇK-së afër Podujevës.

6 janar 1999
Alarmi i NATO-s
Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë, Wesli Klark, deklaroi se Kosova po shkon drejt fillimit të luftës civile. Sipas tij, Beogradi ka armatosur policinë me armët më të rënda dhe po shkon drejt Kosovës.

8 janar 1999
Deklarata
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova kërkon ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Rugova edhe njëherë u kërkon ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës do të ishte zgjidhja më e mirë.

18 janar 1999
Parlamenti shqiptar
Në kushtet e një lufte të pashpallur, në Shqipëri po merreshin masa për të përballuar situatën. Parlamenti shqiptar miraton një rezolutë ku kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të NATO-s në Kosovë.

20 janar 1999
Klark-Milosheviç
Gjenerali i NATO-s për Evropën, Wesli Klark, takon presidentin e Serbisë, Sllovodan Millosheviç. Pas takimit, Klark në një deklaratë për mediat, e cilësoi Millosheviçin si njeri me mentalitet bunkeri.

27 janar 1999
Plani i shfarosjes
Sipas burimeve të raporteve të NATO-s, në qershor të vitit 1998 shtabi i lartë ushtarak i Serbisë kish planifikuar dërgimin e mbi 200 mijë forcave ushtarake për të mposhtur rebelimin e Kosovës.

28 janar 1999
Asambleja e KE-së
Vetëm pas një seri masakrash dhe kur mediat ndërkombëtare raportuan krimet në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar nisi të merrte masa konkrete. Mbledhja e radhës e KE-së dënoi masakrën e Raçakut.

Mars-qershor 1999
Dëbimi biblik
Lufta në Kosovë do të tregonte anën e saj më të shëmtuar në fundin e shekullit modern. Ushtria serbe duke ndërmarrë një operacion të gjerë dëboi nga shtëpitë e tyre mbi një milion shqiptarë, shumica e të cilëve gra, fëmijë e pleq.

15 janar 1999
Masakra e Raçakut
Krimi që do të ndërgjegjësonte ndërkombëtarët për atë çfarë po ndodhte në Kosovë ishte masakra e Raçakut. Mëngjesin e 15 janarit në fshatin Raçak, forcat paramilitare serbe sulmojnë fshatin duke vrarë 45 persona mes të cilëve një grua.

Maj 1999
Rrugova merret peng
Në momentet kur presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç, e pa se lufta ishte e humbur, urdhëron të merret peng presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Por ndërhyrja e SHBA-së, Italisë, Francës dhe Gjermanisë, bënë që Millosheviçi ta lironte më pas.

20 Mars 1999
Marrëveshja e Rambujesë
Është një marrëveshje e firmosur vetëm nga shqiptarët, pasi serbët nuk pranuan ta firmosin. Nga pala shqiptare morën pjesë presidenti Ibrahim Rrugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja.

22 mars 1999
Hollbruk-Millosheviç
I dërguari special i Uashingtonit, Riçard Hollbruk, më 22 mars takohet me diktatorin Sllobodan Millosheviç. Hollbruk i kërkon Millosheviçit tërheqjen e trupave nga Kosova. Hollbruk nuk merr përgjigje pozitive nga Millosheviçi dhe NATO përgatitet për luftë.

23 mars 1999
Majko: Gati për luftë
Më 23 mars kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, raporton në Parlamentin shqiptar për masat që do të merren pas dështimit të bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Majko deklaron se vendi është gati për luftë.

24 mars 1999
Sulmet e NATO-s
Serbët u kishin thënë “jo” bisedimeve në Rambuje. Ndërkohë që krimet në Kosovë vazhdonin nga ushtria serbe. Në këtë situatë NATO ndërmerr sulmin frontal ndaj ushtrisë serbe.

24 Mars 1999
Masakra në Bellaçerkë
Nga data 24 deri më 26 mars, trupat policore dhe ato
paraushtarake ekzekutuan qindra burra. Vrasjet e kryera në Bellaçerkë dhe në Krushën e Madhe janë renditur midis gjashtë incidenteve të listës së hartuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

26 mars 1999
Krusha e Vogël
Më 26 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Vogël, trupat ushtarake serbe kryen një ndër masakrat më të mëdha ndaj popullsisë së pambrojtur kosovare. Përafërsisht njëqind burra u vranë dhe u dogjën nga serbët.

14 prill 1999
Karvani i civilëve
Një incident i rëndë në rrugën në rrethinat e Gjakovës ishte bombardimi nga ana e NATO-s e një karvani civilësh. Sipas NATO-s, u mësua se objektivi ishte një karvan ushtarak dhe se përgjegjës për sulmin mbi civilët mund të ishin trupat serbe.

Prill 1999
Masakra e Suharekës
Një masakër tepër e dhimbshme ishte edhe vrasja në qytetin e Suharekës, e të paktën njëzet e katër anëtarëve të familjes së gjerë Berisha, duke përfshirë këtu edhe njëmbëdhjetë fëmijë nga
mosha gjashtëmbëdhjetë vjeç e poshtë, për shkak se i kishin dhënë dy shtëpi me qira OSBE-së.

Prill 1999
Masakra në Tërnje
Në fshatin Tërnje do të gjenin vdekjen të paktën njëzet e katër persona, duke përfshirë edhe shtatë fëmijë të moshës pesëmbëdhjetë vjeç, madje edhe më të vegjël. Gjatë kohës së bombardimeve, në komunën e Suharekës u vranë 430 vetë.

1999
Bill Klinton
Mes Amerikës dhe shqiptarëve, tashmë ka një lidhje historike që i kalon shekujt. Pas Udro Willsonit, një tjetër president do të bëhej iniciator i shpëtimit të popullit të Kosovës. Bill Klinton do të mbahet mend si Presidenti që mori përsipër kostot e sulmit të NATO-s në Serbi.

6 maj 1999
Vrasja e Fehmi Aganit
Një nga intelektualët më në zë të Kosovës, gazetar, sociolog, filozof dhe nënkryetar i LDK-së. Vdekja e tij ende nuk është sqaruar. Trupi i 66-vjeçarit, akademikut dhe politikanit kosovar, u gjet i vrarë në rrethana misterioze më 6 maj 1999.

26 qershor 1998
SHBA njeh UÇK-në
Ushtria Çlirimtare e Kosovës fillimisht u mbaj larg bisedimeve. Për këtë ndikuan dhe qarqet ruso-serbe, të cilat i paraqisnin si fondamentalistë islamikë. Por roli i tyre nuk mund të nënvleftësohej. I dërguari i SHBA-së, Riçard Holbruk, ishte i pari zyrtar i lartë që do ta quante atë faktor dhe do të takohej me ta.

Qershor 1999
Kosova nën ndërkombëtarët
Që prej përfundimit të luftës së armatosur, Kosova është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të saj, komuniteti ndërkombëtar ka marrë përsipër administrimin e territorit të Kosovës.

1999
Strehimi në Shqipëri
Peshën më të madhe të eksodit të kosovarëve e mbajtën shqiptarët. Karvanët e gjatë me njerëz u dyndën në kufijtë e shtetit amë. Me mijëra familje shqiptare hapën dyert për popullsinë e Kosovës duke i pritur deri në përfundim të luftës.

Qershor 1999
Marrëveshja e Kumanovës
Pas 74 ditë bombardimesh të NATO-s ndaj forcave serbe dhe pikave strategjike në tërë Serbinë, Serbia dhe Millosheviçi kapitulloi. Ushtria serbe u tërhoq nga Kosova. Të shpërngulurit u kthyen në vatrat e tyre.

10 qershor 1999
Çlirimi i Kosovës
Ushtria e NATO-s së bashku me UÇK-në, më 10 qershor të 1999-s arritën të çlironin Kosovën. 10 qershori mbahet si data kur ushtria serbe pas më shumë se 100 vitesh u largua nga trojet e Kosovës.

1998-1999
Bilanci i luftës
Në përfundim të një luftë frontale që zgjati një vit, bilanci ishte rrënqethës për popullsinë e Kosovës. Forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë, ekzekutuar apo masakruar në forma më mizore mbi 15 mijë shqiptarë.

28 tetor 2000
Zgjedhjet e para në Kosovë
Prova e parë e aftësive shtet-formuese të Kosovës u pa në zgjedhjet lokale të 28 tetorit 2000. Por më shumë se fitorja e një force të moderuar, rëndësi kishte zhvillimi i zgjedhjeve. Zgjedhjet e para të lira të popullsisë së Kosovës u klasifikuan të rregullta.

2001
”Vetëvendosja”
Mbarimi i luftës dhe zgjatja e procesit të negociatave për statusin e Kosovës, bënë që mes popullsisë të krijohen përsëri pakënaqësi. Në këtë linjë ishte dhe krijimi i lëvizjes paqësore “Vetëvendosja”.

2001
Korniza Kushtetuese
Në vitin 2001 nën miratimin e UNMIK-ut forcat politike miratojnë Kornizën Kushtetuese që i lejon autoritet e Kosovës të ndërtojnë institucionet vendore. Njihet e drejta për krijimin e institucioneve vetëqeverisëse, si ato qendrore ashtu edhe lokale.

17 nëntor 2001
Zgjedhjet parlamentare
Cilësohen si zgjedhjet e para të përgjithshëm pas luftës. Fitues u shpall LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Nga këto zgjedhje doli Parlamenti i parë i Kosovës, i cili nën mbikëqyrjen e misionit të OKB-së në Kosovë, zgjodhi presidentin dhe krijoi qeverinë e Kosovës.

2 mars 2003
Zoran Gjingjiç
Kryeministri Zoran Gjingjiç ishte i pari politikan serb që e trajtoi ndryshe çështjen e Kosovës. Por për nacionalistët, politikanë të tillë nuk e siguronin mbijetesën. Gjingjiç u vra në një atentat pak kohë më pas deklaratës.

3 dhjetor 2004
Ramush Haradinaj - kryeminister
Një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u zgjodh kryeministër më datën 3 dhjetor 2004 dhe e mbajti këtë mandat deri më 8 mars 2005.

8 mars 2005
Gjyqi i Haradinaj
Më 8 mars të vitit 2005, Gjykata për Krime të Luftës publikoi aktakuzën për krime lufte ndaj Ramush Haradinajt. Ai të nesërmen shkoi vullnetarisht në Hagë, duke dhënë një shembull të përgjegjësisë politike.

10 nëntor 2005
Emërimi i Ahtisarit
Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara aprovon emërimin e Marti Ahtisari si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës.

21 nëntor 2005
Ahtisari në Kosovë
Marti Ahtisari viziton Kosovën përherë që pas emërimit si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës. Ai bën takime me kryeadministratorin e OKB-së, presidentin Rugova, kryeministrin Kosumi, përfaqësues të opozitës dhe minoritetit serb.

10 shkurt 2006
Sejdiu-President
Më 10 shkurt 2006, pas rrethit të tretë të votimeve në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Sejdiu u zgjodh President i Kosovës. Sejdiu është cilësuar si “dishepulli” i Rugovës.

10 shkurt 2006
Fatmir Sejdiu
Është Presidenti i dytë i Kosovës. Pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, Sejdiu mori votat e Parlamentit të Kosovës për të drejtuar vendin në fazën e fundit të negociatave.

11 mars 2006
Sllobodan Milosheviç
Nëse ka një njeri, emri i të cilit lidhet me vuajtjet e kosovarëve në fundin e mijëvjeçarit, ai është Sllobodan Milosheviçi, i cilësuar si “Kasapi i Ballkanit”. Vdiq në burgun e Hagës pa e marrë ende dënimin më 11 mars 2006.

21 nëntor 2006
Vdekja e Ibrahim Rugovës
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, vdiq pa e parë të realizuar plotësisht ëndrrën e tij, Kosovën të pavarur. E megjithatë, ai ishte njeriu që dha kontributin më të madh politik për pavarësinë e saj.

2 dhjetor 2006
Merkel për Pavarësinë
Kancelaria gjermane, Angela Merkel, pas takimeve me kryenegociatorin Ahtisari dhe presidentin e serb, Tadiç, u shpreh pro pavarësisë së Kosovës. Në këtë mënyrë betejës diplomatike të pavarësisë iu shtua dhe një tjetër aleat i rëndësishëm.

3 dhjetor 2006
Tadiç për pavarësinë
Në fillim të dhjetorit, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të deklaronte se “Kosova sot ndodhet më afër pavarësisë dhe këtë e di çdo qytetar në Serbi, por ne po përpiqemi që të ruajmë integritetin territorial të vendit tonë”.

1 mars 2006
Dorëheqja e Bajram Kosumit
Më 1 mars të 2006-s, kryeministri Bajram Kosumi jep dorëheqjen. Edhe kryeparlamentari Daçi detyrohet ta bëjë këtë. Disa ditë më vonë në këtë post zgjidhet, Agim Çeku.

26 mars 2007
”Pakoja Ahtisari” në OKB
Në 26 mars “Pakoja Ahtisari” iu paraqit Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për shqyrtim. Marrëveshja parashikon një Kosovë të pavarur shumë etnike.

24 korrik 2006
Takimi dypalësh
Takimi i zyrtarëve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Vjenë të Austrisë. Nuk arrihet asnjë marrëveshje, por Ahtisari e konsideron të suksesshëm për faktin se këta liderë janë takuar sy në sy.

24 janar 2007
Asambleja e KE-së
Asambleja e Këshillit të Evropës miraton rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Njëri nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë, ku thuhej se Kosova duhet të marrë pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan.

26 janar 2007
Grupi i Kontaktit
Marti Ahtisari më 26 janar të vitit 2007 takohet me Grupin e Kontaktit. Takimi ishte me dyer të mbyllura, por u njoftua se Ahtisari ka informuar se do të propozonte pavarësi të kushtëzuar.

10 shkurt 2007
Protesta e “Vetëvendosjes”
Lëvizja “Vetëvendosje” organizon protestë në Prishtinë kundra pakos së Ahtisarit që ata mendojnë nuk i bien Kosovës pavarësi. Disa nga protestuesit filluan të përleshen me policinë. Vdesin dy protestues.

12 shkurt 2007
Fatmir Rexhepi - jep dorhëqje
Ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje pas dhunës në protestat e 10 shkurtit të organizuara nga “Vetëvendosje”, ku vdiqën dy shqiptarë të rinj. Ai thotë se ndjente përgjegjësi morale edhe pse policia as ajo e UNMIK-ut dhe as SHPK, nuk janë nën kontroll të tij. Po këtë ditë, Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMLDNJ) viziton Albin Kurtin në paraburgim. Ndërkohë që Kurti tregon për keqtrajtim.

10 mars 2007
Takimi i Vjenës
Më 10 mars të vitit 2007, në Vjenë të Austrisë mbarojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës mes shqiptarëve dhe serbëve, pa marrëveshje.

26 mars 2007
Raporti në OKB
Marti Ahtisari, më 26 mars të vitit 2007 i dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ai thotë se Kosova duhet të bëhet e pavarur.

3 prill 2007
OKB-Ahtisarit
Fillon shqyrtimi i planit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pas dyerve të mbyllura është dëgjuar i dërguari special për Kosovën Marti Ahtisari, duke shpalosur planin që pritet t’i japë Kosovës një pavarësi të mbikëqyrur.

17 prill 2007
Deklarata e SHBA-së
Zëvendësministri i Jashtëm i ShBA-së, Nicholas Burns, në një fjalim para Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington tha se, Uashingtoni e konsideronte pavarësinë si opsionin më të përshtatshëm për Kosovën.

13 maj 2007
Rezoluta e SHBA-së
Një rezolutë e hartuar nga ShBA-ja iu shpërndahet shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo rezolutë çon drejt pavarësisë së Kosovës. ShBA vazhdon të deklarojnë se e përkrah pavarësinë e Kosovës dhe se kjo duhet të vijë brenda muajit maj.

8 qershor 2007
Takimi i G8-s
Më 8 qershor të vitit 2007 përfundon takimi i G8-s. Nuk është arritur marrëveshje për pavarësinë e Kosovës. Rusia vazhdon të jetë pengesa e vetme për pavarësinë e Kosovës. ShBA vazhdon të këmbëngulë se pavarësia është zgjidhja e vetme dhe më e mirë.

10 qershor 2007
Xhorxh W. Bush
Vizita e Presidentit të ShBA-së në Shqipëri, Xhorxh W. Bush nuk do të mbahet mend vetëm sepse ishte e para e një personaliteti të tillë. Duke folur për çështjen e Kosovës, Bush bëri deklaratën historike “se rezultati përfundimtar për statusin e Kosovës është pavarësia”.

13 qershor 2007
Flamuri i Kosovës
Ekipi i Unitetit shpall konkursin 15-ditor për flamurin dhe stemën e Kosovës, ku thuhet se “secili propozim duhet t’i përmbahet frymës dhe përmbajtjes së propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”.

17 nëntor 2007
Zgjedhjet parlamentare
Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Këto zgjedhjet ishin të pestat që nga përfundimi i luftës në vend. U cilësuan si zgjedhjet më model.

19 nëntor 2007
Partia Demokratike e Hashim Thaçit del fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë me 34 për qind. E dyta renditet LDK-ja e Fatmir Sejdiut.

9 janar 2008
Rizgjidhet President Sejdiu
Më 9 janar 2008, Fatmir Sejdiu u rizgjodh sërish President i Kosovës. Ndërkohë që më 10 shkurt 2006, Sejdiu u zgjodh President i Kosovës si pasues i Ibrahim Rugovës.

9 janar 2008
Thaçi-kryeministër
Hashim Thaçi, 39 vjeç, betohet si kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, gati dy muaj pasi Partia e tij Demokratike e Kosovës fitoi zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit.

9 janar–16 shkurt 2008
Brenda këtyre 35 ditëve Kosova ka qenë nën ethet e ditës së shpalljes së pavarësisë. Ky ka qenë edhe muaji që janë kryer aq shumë negociata e bisedime se sa gjatë 95 viteve të pushtimit serb.

17 shkurt 2008
Pavarësia
17 shkurt është dita e madhe e kosovarëve. Plotësimi i datës 28 Nëntor 1912. Në orën 15:00 Kuvendi i Kosovës shpall Kosovën e Pavarur. Ëndrra shekullore plotësohet. Plasin fishekzjarrët dhe lotët e gëzimit.

Burimi: "Tirana Observer"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen