Samstag, 31. Oktober 2015

Dëshmitë shkretane të M. Bakallit e B. Haxhiut

Fragment nga libri: ”Ëndrra e madhe”, të autorit Gani Mehmetaj.

  • "...Ende nuk më shqitet thënia e Milosheviqit, drejtuar B. Haxhiut: Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, apo jo? Dëshiron të ta dëshmoj?” Ndërsa dëshmitari B. H., që duhej të dëshmonte krimet e serbit, ul kokën, sikur ta kastronin..."

Ne ende vuanim pasojat e krimeve serbe në shkallë gjenocidi. Mijëra njerëz të pagjetur, gjysma e Kosovës u dogj e u rrënua nga lufta shkatërrimtare. Nga numri prej 11840 të vrarëve sa kishte arritur të evidenconte statistika zyrtare e Kosovës, 1.392 ishin fëmijë e të rinj deri në 18 vjeç, 296 fëmijë deri në 5 vjeç, apo 800 deri në moshën 10-vjeçe. Nga shqiptarët e vrarë 1739 ishin vajza e gra, 1882 të moshuar mbi 65-vjeçar. Ushtria e policia serbe përdhunuan 20040 femra, ndërsa vranë 11 840 burra, gra e fëmijë. Statistika evidencon mijëra të gjymtuar, mijëra të tjerë të syrgjynosur nëpër burgjet serbe, ku i torturuan deri në vdekje. Ushtria e policia serbe dëboi nga Kosova mbi një milion shqiptarë .

Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga një milion refugjatët e dëbuar: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet e tjera të botës u vendosën 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA. Pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.

Ata që u kthyen gjetën rrënoja në vendin e tyre, në qytetet e tyre apo në katunde. Shumë nga ta s’patën ku të fusnin kokën, shtëpitë ua kishin djegur, apo digjeshin para syve të tyre, sepse ushtria serbe ua vuri flakën gjatë tërheqjes.

Ekonominë e Kosovës pushtuesi e rrënoi tërësisht. Pjesa më e madhe e fabrikave, kombinateve dhe e objekteve të mëdha u dogjën, ose u hodhën në ajër me eksplozive.

Periudha 1998-99 u karakterizua me vrasje, masakrime, e dëbime masive të shqiptarëve, Kosova u mbush më varreza masive. Pjesën më të madhe të dokumentacionit serbët e vodhën, duke e dërguar në Serbi. Ende evidencohen mbi 1450 banorë të pagjetur, ndërsa varrezat masive gjenden edhe më tutje nëpër Serbi.

Populli përpiqej të shëronte plagët. Ndërkohë u kap një pjesë e kreut të shtetit serb, urdhërdhënës të masakrave e gjenocidit, u dërguan në Hagë dhe po gjykoheshin. Gjykimi e dënimi i tyre qe satisfaksion i vogël për krimet aq monstruoze që bëri Serbia në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë e Kroaci.

Me gjykimin e dënimin e serbëve nuk ngjalleshin të vrarët, nuk shëroheshin të përdhunuarat, nuk rikthehej gjendja e mëparshme, por të paktën një pjesë e vogël e kriminelëve merreshin në përgjegjësi. Shumica e shqiptarëve me të drejtë prisnin që Serbia do të ndëshkohej kolektivisht si Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore. Ekspertët tanë kërkuan edhe dëmshpërblime të luftës. Ky ndëshkim nuk u bë, nuk u dhanë as dëmshpërblime për rrënimin e ekonomisë dhe infrastrukturës që vlerësohej në miliarda dollarë. Kështu, i morën një grusht zyrtarësh-përgjegjës të krimit dhe i mbyllën në kafaze.

Vërejtja e dytë që mund t’i bëhej këtij gjykimi, ishte përzgjedhja e njerëzve-dëshmitarë që u ballafaquan me kriminelin Milosheviq në Tribunalin e Hagës. Asnjëherë nuk e pata të qartë unë, por as të tjerët, atëherë e as më vonë, pse u zgjodhën disa dëshmitarë e nuk u zgjodhën disa të tjerë. Cilat qenë kriteret e përzgjedhjes? Nuk m’u hoq dyshimi: u bë kjo për t’ia zbutur krimet kriminelit, apo për të na treguar i dyshuari kryesor, para miliona shikuesve se në mesin e shqiptarëve, shërbimi sekret serb pati njerëzit e vet. Ende nuk më shqitet thënia e Milosheviqit, drejtuar B. Haxhiut: Ti ke qenë bashkëpunëtor yni, apo jo? Dëshiron të ta dëshmoj?” Ndërsa dëshmitari B. H., që duhej të dëshmonte krimet e serbit, ul kokën, sikur ta kastronin. Me fjalë të tjera, zyrtari serb e paralizon dëshmitarin shqiptar si gjarpri bretkosën.

Është dëshmi e vlefshme kjo lloj dëshmie e gazetarit B. H.? Mund t’i besojë ndokush?

Gjyqi i Hagës zhvillohej me seancat maratonike. Kur nisi të gjykohej krimineli Milosheviq, sepse ata para tij qenë vetëm peshq të vegjël, transmetimet televizive zgjuan kureshtje të përgjithshme. Gjykohej njeriu, mbi supet e të cilit rëndonin krimet në Kosovë, sepse ai para gjyqtarëve jepte përgjegjësi për masakrat e përdhunimet. Dëshmitë e viktimave të tij, apo të atyre që dëshmonin për vrasjen e të afërmve të tyre qenë tronditëse. Kaluan shumë dëshmitarë para trupit gjykues, që dokumentonin një pjesë të krimeve. Secili prej tyre e plotësonte mozaikun e përgjithshëm të krimeve e të gjenocidit. Nga ky numër jo i paktë i dëshmitarëve të shtresave e të strukturave të ndryshme, asnjëherë nuk e kam kuptuar pse i ftuan M. Bakallin e B. Haxhiun. Ku qe arsyeja? Ata që e përgatitën akuzën donin ta minimizonin krimin monstruoz të kriminelit, apo synohej që t’i gjenin objektet për fyerje, sepse i akuzuari nuk pushonte, i fyente e i përçmonte, ua kujtonte kohë pas kohe kush ishin, duke ua tërhequr vërejtjen, mos më nxisni se unë di edhe më shumë për ju. Nga dëshminë e këtyre dy figurave margjinale, prokurori e gjyqtarët nuk nxorën asgjë për të qenë, pos ia dhanë mundësinë kriminelit nga Beogradi të tregohej superior ndaj tyre.

Kur i dëgjoja dëshmitë e tyre të flashkëta, të pasigurta, shpesh qyqare, sikur të mos qenë prokurorët e gjyqtarët e dëshmuar, do të krijoja bindjen se dikush e përgatiti këtë ballafaqimin sa për të parë lojën e maces me miun. Dy dëshmitarë, gati kyç, sikurse u paralajmëruan nga mediat tona, po edhe nga mediat e huaja, dolën shterpë, pa asnjë fakt të kapshëm, ndërsa pati mijëra fakte e dokumente. Kur dolën në ekran ish-zyrtari i lartë i Komitetit Krahinor dhe ish gazetari i “Kohës Ditore” dukeshin të shqetësuar, të frikësuar, herë–herë sikur u bllokohej truri.

Besoj se nuk i druheshin ballafaqimit me kriminelin më të madh në Ballkan dhe në Evropë, në pesëdhjetë vjetët e fundit, as pse atyre u mungonte oratoria a shkathtësia, por në situata i akuzuari për krime lufte, i paralizonte duke u bërë shantazhe. Pyetja e tij cinike: Doni t’ua dëshmoj se keni qenë njerëz të shërbimit tim të fshehtë, në vend se t’i këndellte arroganca e tij, e t’ia kthenin ashtu si e kërkonte, dy dëshmitarët tanë u shushatën si pulat. Më vinte inat. Në të njëjtën mënyrë e përjetuan edhe të tjerët, kur e komentuan të nesërmen.

Krimineli Milosheviq i mbërtheu M.Bakallin e B. H. si mësuesi i ashpër që i lë pa frymë nxënësit e dobët. Ata u druheshin fjalëve të tij, u shmangeshin pyetjeve arrogante, nuk u përgjigjshin pyetjeve të drejtpërdrejta. Ke qenë bashkëpunëtor i shërbimit tonë sekret? Nuk më shqitej pyetja e të parit të Serbisë e Jugosllavisë, drejtuar B. H.-as. Ndërsa dëshmitari djersinte, sepse as atëherë dhe as më vonë nuk e arsyetonte dot si u gjend në mes të shërbimit sekret serb, kur ndërmjetësoi për takimet në Beograd. Doli se ish-kryeredaktori i “Kohës Ditore”, i shkarkuar nga bosi i vet, disa ditë para se të shkonte në Hagë, bënte konspiracion me një oficer zbulimi të Serbisë!

Botuesi i gazetës e mohonte të ketë ditur për bashkëpunimin e B. H.-as me oficerin e zbulimit serb. Në shkrimin proverbial “Nuk kaka… “, ku ia bëri portretin, shefi ia nxori ca takime të tjera të fshehta me serbë të Beogradit.

Ndërkaq, nga M. Bakalli, ish-kryetari i Komitetit Krahinor të Kosovës, pritej më shumë. Komunistët dhe projugosllavët e patën ngritur në qiell mençurinë e oratorinë e tij. Rexhep Qosja e pati propozuar kryeministër të Kosovës në fillim të viteve nëntëdhjetë. Por ylli i tij në Hagë nuk shkëlqeu, përkundrazi iu mor goja, nuk e tha asnjë mendim të shquar. E konsumoi dëshminë, në vend se t’ia linte mundësinë dikujt tjetër.

Asnjëri prej dëshmitarëve shqiptarë nuk u nda më keq në Gjyqin e Hagës. Nuk e di kush e caktoi të bëhet dëshmitar, as kush e propozoi, por e di se shqiptarët i vuri në vështirësi me mungesën e oratorisë, me frikën e vazhdueshme që e mbërthente dhe me pozicionin në të cilin e vuri veten. Ai u prezantua shkencëtar, sociolog, në vend se të tregonte që me shkencë s’kishte të bënte fare, me sociologji edhe më pak, por kishte qenë zyrtar i lartë në Kosovë. U krijua përshtypja e pakëndshme se Milosheviqi dinte shumë për të.

Me të përfunduar gjykimin, një mik imi, i cili i ka për qejf teoritë e konspiracionit, më tha në mënyrë profetike: Do ta shikosh kur ta bëjnë yll gazetarin B. Haxhiu në Tiranë! E shikova me mosbesim. Ai ishte i bindur se lobi serb ka shumë ndikim në qarqet politike e të mediave shqiptare. Nuk shkoi shumë kohë kur vërtet doli profecia e mikut tim. B. Haxhiu, apo “Nuk kaka”, sikurse e quanim ndryshe, u bë yll në mediat elektronike të Tiranës, e caktuan nëpër organizata e juri, madje e emëruan në jurinë e Festivalit të Këngës në Radiotelevizion Shqiptar, që ishte kulmi i cinizmit. Sikur bënin garë kush do ta rrëmbente më parë: e djathta apo e majta shqiptare. E mbanin në prehër, e mëkonin dhe e përgjëronin. Një gjysmanalfabeti ia dhanë kompetencat që të përfaqësonte “kosovarët” kudo dhe kurdo, në Tiranë, në Prishtinë e në Beograd. Vula e shërbëtorit të zbulimit serb, u bë e fuqishme, ia hapi të gjitha dyert. Është “kosovari” më i privilegjuar në Tiranë e në Beograd.

Milosheviqi në vend se ta turpëronte para shqiptarëve, e bëri yll në median shqiptare të Tiranës, e faktor në Partinë Demokratike të Kosovës. Në Kosovë iu ngjit “krahut të luftës”, ndërsa “krahu i luftës” gjithë kohën kinse çirrej kundër bashkëpunëtorëve të Serbisë. Mbase bashkëvendësin e tyre drenicak e kursyen dhe e shpërblyen. Me patriotizmin lokal s’bëhet shaka!

Mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit, i doli profecia qind për qind. Mbeta gojëhapur, i mbeta borxh një drekë, ashtu ishte basti. Më erdhi inat, që doli parashikimi profetik i mikut tim, ithtar i teorive të konspiracionit për lobin e fuqishëm serb në Tiranë.

Po në Prishtinë? Cili ishte statusi i tij? I afërt me kreun e PDK-së, i lidhur ngushtë me kreun e LDK-së, ndërmjetës i bizneseve serbo-shqiptare.

Yll fare, do të thoshin kalamajtë e Tiranës.



Shteti shqiptar e shpërfilli Rugovën

Në kundërshtim me dëshmitë e dy fatkëqijve, ishte Ibrahim Rugova. Ai u paraqit me dinjitet, dëshmoi gjëra me peshë dhe u ballafaqua i sigurt e gjakftohtë ndaj kriminelit. Asnjëherë nuk arriti ish-zyrtari arrogant e primitiv nga Beogradi ta dekurajonte apo t’i bënte shantazhe, asnjëherë nuk pati ndikim t’ia ndryshonte ngjyrimin e zërit. Rugova dëshmitar shkëlqeu edhe një herë duke e ruajtur gjakftohtësinë karakteristike e maturinë proverbiale. Provoi Milosheviqi ta luante disa herë lojën dinake të shantazheve, sikurse me M. Bakallin e B. Haxhiun, por kishte të bënte me një personalitet të fortë e të pa shantazhueshem. Ai nuk mëdyshje në përgjigje, nuk i dridhej zëri nga kërcënimet e kriminelit serb, nuk i bënte përshtypje arroganca e kundërshtarit, e ndiqte më përbuzje çdo ngërdheshje të tij. Rugova nuk i druante askujt, gjë që s’mund ta thoshim për dy të tjerët.

Por Rugova, presidenti i Kosovës nuk e theu bllokadën e shtetit shqiptar pas kësaj dëshmie dinjitoze. Kurrë nuk e ftuan në Tiranë, kurrë nuk e prezantuan në televizionet shqiptare, kurrë nuk i dhanë ndonjë mirënjohje. Nuk e pati rekomandimin e lobit serb.
___________
Marrë nga voal.ch