Dienstag, 5. Juli 2016

Zbehja

Opinion nga Bedri TAHIRI

Kurrë, madje as në ëndërr, nuk më ka vajtur mendjeshkreta që etninë tonë të stërlashtë do ta kaplojë një zbehje e tillë. Jo, jo, kurrën e kurrës. Çudi, është zbehur deri në çoroditje çdo gjë kombëtare: tradita, kultura, gjuha, historia, flamuri, atdhedashuria, besnikëria, bujaria, sinqeriteti, burrëria, mikpritja, trashëgimia...

Medet, medet, sa keq! Katandisje fare, ore të keqen vëllai, sa të vete për t’ia plasur vajit me lot curril. Mjerim e shkuar mjerimit. 

Vallë, rilindësit tanë mendjendritur qenë profetë apo ne kemi ngecur në mendësinë parashekullore! Shkrimet e tyre brilante, pikërisht si të hartoheshin sot. Aktuale dhe përkatëse. 

Të  kujtojmë Konicën me epitafin e tij propozuar për Shqipërinë: “U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…”.
Të kujtojmë edhe Gjergj Fishtën, i cili zemërplasur konstatonte:

“Sod ma shpejt nji thes me pleshta
Ti ban bashkë se dy shqiptarë”

Mos ta harrojmë as vlonjatin e butë e suptil, Ali Asllanin, i cili, kur i erdhi në fyt, u hakërrua, duke klithur:

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka
Të pa brekë ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka!

E po, më thuaj, ku të nisim e ku të sosim?
Ku të duash, ore jahu, njësoj e ke. Një zbehje e trishtë që nga fillimi deri në fund, që nga heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu e deri tek komandanti legjendar, Adem Jashari. Harrim, mohim, injorim, mospranim apo ku ta dish?!!!

Andaj, edhe nuk ka nevojë të lodhemi shumë. Mjafton të ndalojmë tek më e afërta, te lufta jonë e fundit, tek e lavdishmja Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo forcë e shenjtë çlirimtare, si formacioni më i organizuar historik gjithëkombëtar, sa shpejt zu të zvetënohet e të ecën në vazhdën e një revolucioni që i ha bijtë e vet. Dorën në zemër, e keqja i erdhi më shumë nga vetvetja se sa nga të tjerët. Sa nga padija aq nga babëzitja e ca krerëve të saj, u bë mishmash i vërtetë. Obobo, ç’paradokse: vlerat u zëvendësuan me antivlera, trimave ua zunë vendin frikacakët ikanakë, luftëtarët u përzunë nga sehirxhinjtë, të diturit u mohuan nga mediokritetet, largpamësit u izoluan nga miopët, madje, herë-herë, edhe heronjtë mëtohet të përbaltën. Një realitet që  u dëshmua e u zezua me listat e veteranëve...

Sado që është për të të ardhur inat e për të plasur nga marazi, duhet pranuar vlerësimet e të tjerëve për ne. Ato janë të shumta, por më kanë ngelur në kokë thëniet e dy ish gjeneralëve të NATO-s, njëri amerikan e tjetri francez.

I pari, ende pa u çliruar Kosova, në përvjetorin e parë të Epopesë jashariane, në marsin e vitit 1999, derisa e shfletonte librin tim të posa dalë “Adem Jashari- legjendë e legjendave”  në Prekaz, më thotë: “Ju si populli më i lashtë evropian, ma thotë mendja, keni ngelur këtu ku jeni, edhe për këtë arsye: Mohimin e brezave”. Pa, pa, pa, seç më gici thellë në shpirt. Ashtu ishte, ore derëzinj, secili brez që vinte e shqelmonte tjetrin në stilin; historia nisi me mua!

I dyti, një francez, duke bërë një kontrollim rutinë në shtëpinë time në Galicë, gjegjësisht në bibliotekë, ku piromanët karpatianë m’i kishin djegur rreth katërmijë libra, pasi ia dhurova një libër për heronjtë e luftës së UÇK-së, më tha: “Ju shqiptarët e sotëm i paskëshit të gjitha, por një gjë po u munguaka: Atdhetarizmi!”

Hajde botë, hajde! Ashtu e kanë të huajt, të mbajnë ligjërata për internacionalizëm e globalizëm, a vetë qëndrojnë këmbëkryq mbi nacionalizmin e tyre.
Dhe, ato nuk donin komente.  

Ama, një si kambanarë po vringëllinë mbi kokat tona: O Popull, këndellu, merre të mbarën, atë që ke pasur denbabaden dhe qëndro vertikalisht përballë  çdo shëmtie që bie ndesh me SHQIPTARIZMËN.

Galicë, më 28 Qershor 2016

Sylë Mehmeti, atdhetar i shquar i Rugovës.

Shkruar nga Zymer Ujkan Neziri

(1913 – 1990) 

Sylë Mehmeti, ndër personalitetet më të njohura të Rugovës, nga Rilindja Kombëtare e këndej, lindi më 1913 në Shtupeq të Madh, në lagjen Kuklecaj. Pak para lindjes së tij, në tetor 1912, u sulmua Kosova dhe u pushtua edhe Rugova nga Mali i Zi. Pas rënies së Kolashinit e Beranës dhe luftimeve në Çakorr e Mokna, qëndresa e fundit kundër gjeneralit Vukotiq u bë në Shtupeq, në vendlindjen e tij. Aty pati luftime të përgjakshme, ku dhanë jetën 50 dëshmorë. Pas Rugovës ra edhe Peja e Gjakova. Filloi terrori, çarmatosja dhe ndërrimi i fesë, me urdhër të mbretit Nikollë. Edhe Kuklecajt pësuan keq. U pushkatuan disa burra të shquar të kësaj vëllazërie të Nikçit.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në vjeshtë 1918, Mali i Zi me Serbinë e sulmuan përsëri Rugovën dhe viset e tjera shqiptare. E Rugova, si gjithmonë, rezistoi prapë me armë në dorë, disa muaj, deri në shkurt 1919. Sylë Mehmeti, si edhe brezi i tij, që ishin me fat dhe shpëtuan gjallë, e përjetuan rëndë luftën, sidomos masakrën e shkurtit 1919, te Hani i Isufit. Aty u vranë dhe u dogjën edhe shumë gra e fëmijë nga ushtria e Malit të Zi dhe e Serbisë. Rikthimi i këtyre pushtuesve i kushtoi shumë krahinës së Rugovës. Ranë rreth 500 dëshmorë e martirë, kurse shtëpitë u plaçkitën dhe u dogjën. Keq kaluan edhe Kuklecajt, se patën shumë të vrarë. Një grusht i rëndë për Sylën e për Rugovën qe edhe vendosja e dhunshme e kolonëve sllavë në vendlindjen e tij.

Shkollimin fillor, Syla e kreu në vendlindje. Për çështjen kombëtare u përcaktua që nga rinia e hershme. Familja e tij ishte dëshmuar edhe në Rilindjen Kombëtare dhe në Betejën e famshme të Nokshiqit, më 1979, për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë nga pushtimi i Malit të  Zi.

Ndërmjet dy luftërave botërore, Sylë Mehmeti pati respekt të madh ndaj dy udhëheqësve rugovas të rezistencës kombëtare dhe të bashkimit kombëtar, Ker Sadria e Sali Rama, kurse Jashar Haxha i Drelajve u bë sinonim i luftëtarit të lirisë, më 1921, që luftoi me një ushtri, duke mbrojtur nderin e familjes dhe nderin e Rugovës. Në vitet  ’30, në Rrafshin e Dukagjinit, u bënë të famshëm edhe Rexhep Sokoli e Selman Kadria, që e forcuan rezistencën kombëtare kundër robërisë.


Sylë Mehmeti në Luftën e Dytë Botërore

Gjatë Luftës II, Syla veproi aktivisht në mbrojtjen e kufirit nga Mali i Zi. Në prill 1941, kur ra Jugosllavia e Parë, u formuna 6 grupe të armasoruara, njësi lufte me nga 100 luftëtarë, për mbrojtjen e kufirit të Rugovës nga sulmet e çetnikëve dhe të partizanëve të Malit të Zi. Komandant i përgjithshëm ishte Zhukë Haxhia i Stakajve, nip i Çelë Shabanit të njohur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kurse Rizë Zymeri i Koshutanit, nga dera e Zhuj Selmanit të famshëm, ishte komandant politik. Sylë Mehmeti u rreshtua në grupin e pestë, të cilin e komandonte Haxhë Mustafa, kushëri i tij. Në Mokna Syla u plagos. Mori pjesë edhe në Luftën e njohur të Pazarit të Ri.

Pas Luftës II, Zhuka ishte kryetar i Rugovës, por shkurt, e pastaj Syla u bë kryetar në vend të tij dhe u përpoq për mbrojtjen e krahinës së Rugovës nga masakrat e reja të brigadave partizane dhe të pushtetit, pas pushkatimit të shtatë burrave në lagjen Nilaj të Shtupeqit të Vogël. Syla kreu detyrën e kryetarit të komunës, por punoi fshehurazi edhe në lëvizjen e rezistencës dhe në NDSH. Syla ishte edhe kryetar i Komitetit të Nëndegës së NDSH-së. Mori pjesë edhe në Kuvendin e NDSH-së në fshatin Nakëll, afër Pejës, dhe ishte ndër organizatorët kryesorë të tij.


 Në krye të Komitetit te NDSH-së  në Rugovë

Imer Berisha, kreu i NDSH-së, që vepronte në Pejë, sipas Isuf Dashajt, u takua me Sylë Mehmetin në mars 1947 dhe ia paraqiti materialin e KQ të NDSH-së. Syla mori përsipër formimin e Nëndegës, e formimi u realizua më 17 maj 1947. Syla zgjidhet kryetar i Komitetit të Nëndegës së Rugovës, ku anëtarësohen 43 rugovas. (Mehmetaj 2016:176, 259). Nëndega ka pasur për detyrë ta bëjë edhe mobilizimin e popullatës, në rast nevoje. Qëllimi: bashkimi me Shqipërinë. Syla u betua se po ra në burg, përgjegjësinë e merr mbi vete. Gjatë hetuesisë nuk i tregoi shokët.


Në burgjet jugosllave nga marsi 1950

Sylën e burgosin në Pejë, në mars të vitit 1950. Në atë kohë ranë në burg edhe shumë veprimtarë të çështjes kombëtare nga Rugova e Peja me rrethinë, të profesio-neve: nëpunës, mësues, hoxhë, bujk, punëtor, zejtar. Sylën e gjykuan në shtator 1950, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për ”veprimtari kundër popullit e shtetit”, e dënuan tetë vjet, e bashkë me të u dënuan edhe Kurtesh Basha, Rifat Nushi, Ramë Hajredini, Gani Kastrati, Sylë Shala, Salih Kelmendi, Bekë Tafili, Ali Gashi, Sali Hasani, Fatmir Goranci, Mehdi Kryeziu, Sami Peja, Brahim Meta, Musë Gjuka, Faik Basha, Ramë Maloku. (Keçmezi-Basha 2009:148-149). Dënimin e kreu në Burgun e Nishit, me hetime të gjata, tortura të rënda e izolime. Sipas Zymer Sylë Mehmetit, tentojnë edhe ta vrasin, madje, në korrik 1952, dërgojnë telegram në familje se Sylë Mehmeti ka vdekur. Pas dy muajsh, në spital, i rikthehet jeta, por hetimet e torturat nuk ia ndalin. Ia ndalin edhe vizitat për tri vjet, e më 1955 prapë e sjellin buzë vdekjes. Për 6 vjet në Nish ka pasur vetëm tri vizita. (Mehmetaj 2016:197). Pas tetë vjetësh Syla u lirua, por e riburgosin në dhjetor 1958, duke e konsideruar si të papërmirësueshëm. Edhe dy vjet i kaloi në Goli Otok, në burgun famëkeq, pa vizita, e sipas Istref Zenelit e Cufë Sokolit, aty vuajti dënimin së bashku me atdhetarët e njohur: Zhukë Haxhia, Sali Rama, Haxhë Keri, Bajram Haxhia, Bajram Rama, Rexhep Taku, Arif Reku, Azem Jakupi, Ali Hysi, Cenë Ujkani, Selim Rrustemi, Ramiz Rexha, Adem Arifi, Arif Ramadani, Nezir Hoti, Isuf Dellova, Zenel Kabashi, Zekë Bajraktari etj. (Mehmetaj 2016:240, 304). Syla në burgje u bë sinonim i burrit se si ruhet dinjiteti njerëzor e kombëtar. Qëndresa e tij ishte e jashtëzakonshme. Ishte aq i pathyeshëm, sa u bë shembull se si ruhet dinjiteti njerëzor e kombëtar.


 Sylë Mehmeti pas burgut

Edhe pas burgut, Sylë Mehmeti konsiderohet simbol i qëndresës në Rugovë, në Pejë dhe në Rrafsh të Dukagjinit. Ai ishte shëmbëlltyrë atdhetare e brezit 1968 të Isa Demajt, e brezit 1981 të Ali Lajçit dhe e brezit të luftës 1997-1999. Në këtë luftë mori pjesë e tërë familja e tij. Në brigadën 136 “Rugova” pati dy djem, Zymerin e Mehmetin, e dy nipa, Ilirin e Arbanin. Edhe dy djemtë e tjerë, Brahimi e Rexhepi, që u vranë afër Kukësit, nga vrasës ende të panjohur, në gusht 1999, e ndihmuan luftën nga mërgata. Brahimi, pjesëtar i brezit 1981 dhe i burgosur politik, mori pjesë edhe në Luftën e Koshares dhe për kontribut të dalluar në këtë luftë u shpall dëshmor.

Atdhetari Sylë Mehmeti vdiq më 4 shkurt 1990 dhe u varros në Pejë me nderime të mëdha. Në përvjetorin e vdekjes u përkujtua sivjet në Pejë, më 4 shkurt, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës. Salla ”Istref Begolli”’ ishte e stërmbushur. Nga brezi i tij i të burgosurve politikë ishte i pranishëm edhe atdhetari i njohur dhe profesori universitar Hajrullah Gorani, veprimtarë të brezave ’59, ’68, ’81 dhe të brezit të UÇK-së. Në këtë akademi përkujtimore, e drejtuar nga veprimtarja e njohur Fetnete Ramosaj, folën Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës, Gazmend Muhaxheri, kryetar i komunës, prof. dr. Lush Culaj, recensues, dhe Shefqet Kelmendi, bashkëpunëtor. U përurua edhe monografia për Sylë Mehmetin, e autorit Faton Mehmetaj, u shfaq filmi dokumetar i Fatos M. Lajçit dhe u hap ekspozita e fotografive.

Për Sylë Mehmetin, në vjeshtë 2015, nga Këshilli Organizues i shënimit të përvjetorit të tij, u dërgua propozimi në Presidencat tona shtetërore në Tiranë e në Prishtinë, për dekorimin e tij për veprimtari atdhetare, me arsyetimin se Sylë Mehmeti është ndër burrat më të shquar të Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Marrë nga gazetadielli.com