Montag, 3. März 2014

Ymer Shkreli

Ymer Shkreli

        Ymer Shkreli u lind në 7 nëntor të vitit 1945 në Shkrel të Rugovës.
Shkollën fillore e kreu në Haxhaj të Rugovës, kurse Normalen e nisi në Pejë dhe e mbaroi në Prishtinë, ku vazhdoi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
        Y. Shkreli një kohë punoi mësimdhënës në shkollën fillore në Haxhaj të Rugovës, në shkollën "Faik Konica" në Prishtinë dhe në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës; kurse që nga viti 1968 deri më 1993 punoi në të përditshmen "Rilindja", në fillim gazetar e reporter i lirë, pastaj redaktor kryesisht i faqeve të "Rilindjes për fëmijë". 
        Në fillim të vjetëve `70 Y. Shkreli ishte kryetar i Rinisë Letrare të Kosovës dhe kryeredaktor i revistës letrare "Plejada", e cila qe ndaluar pas botimit të numrit të saj të gjashtë. Ai poashtu një kohë të gjatë ishte njëri ndër bashkëpunëtorët më aktivë dhe anëtar redaksie i revistës për humor e satirë "Thumbi".
        Ymer Shkreli ka provuar penën e tij pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare. Është shkrimtari më i vlerësuar me çmime letrare në Kosovë. Po ashtu, ka përkthyer dhe ka sjellur në gjuhën shqipe një mori veprash të njohura të autorëve të huaj.
        Nga viti 1993, jeton në Luzern të Zvicrës.


Veprat e shkrimtarit Ymer Shkreli

Për fëmijë:
  • ,,Hana po shkon nuse", tregime, botoi ,,Rilindja", 1969, Prishtinë
  • ,,Princesha e Dukagjinit", poemë, botoi ,,Rilindja", 1970, Prishtinë
  • ,,Kthema pranverën time", poezi, botoi ,,Rilindja", 1972, Prishtinë
  • ,,Princi i Bjeshkëve të Nemura", poemë, botoi ,,Rilindja", 1975, Prishtinë
  • ,,Bali Katravella", roman humoristik, botoi ,,Rilindja", 1978, Prishtinë
  • ,,Ditari i Lec Pazhecit", poezi, botoi ,,Rilindja", 1979, Prishtinë
  • ,,Poezi të zgjedhura", lektyrë shkollore, botoi Enti i teksteve, 1983/1999/2003/2012/..., Prishtinë
  • ,,Lec Pazheci: Autobiografia", ditar humoristik, botoi ,,Rilindja", 1990, Prishtinë


Poezitë:
  • ,,Ditari i hajnit", botoi ,,Rilindja", 1971, Prishtinë
  • ,,Romanella", botim i autorit, 1974, Mitrovicë
  • ,,Febris", botoi ,,Rilindja", 1975, Prishtinë
  • ,,Kërkoj dënim me vdekje", botoi ,,Flaka e Vllaznimit", 1978, Shkup
  • ,,Balcanica", poemë, botoi ,,Rilindja", 1980, Prishtinë



Romanet:
  • ,,Vjeshta e vdekur", në vazhdime në ,,Flaka e vëllazërimit", 1971, Shkup
  • ,,Njeriu në bisht", botoi ,,Rilindja", 1975, Prishtinë
  • ,,Vdekja në ajër të pastër", botoi ,,Rilindja", 1976, Prishtinë
  • ,,Bima e dreqit", tregime, botoi ,,Rilindja", 1981, Prishtinë
  • ,,Pikëpjekja", botoi ,,Rilindja", 1982, Prishtinë
  • ,,Rapsodi kosovare", (katër romane: "Kali i Trojës", "Heroi në gjumë", "Shpendkeqja", "Zeka i Zi"), botoi ,,Rilindja", 1986, Prishtinë
  • ,,Doracak për tjetër botë", botoi ,,Jeta e Re", nr. 4 - 5 - 6 / 1986, Prishtinë
  • ,,Ura e xhehnemit", botoi ,,Rilindja", 1989, Prishtinë
  • ,,Azgal", botoi ,,Rilindja", 1993, Prishtinë



Dramat:
  • ,,Alter Ego", monodramë, botoi revista ,,Fjala" nr 9 / 1969, Prishtinë
  • ,,Hotel Kashta", komedi, realizoi Teatri Popullor, 1975, Prishtinë
  • ,,Trilogji ilire", (tri drama: "Pirrua", "Teuta", "Genci"), botoi ,,Rilindja", 1977, Prishtinë
  • ,,Kërrasin sorrat mbi qytet", botoi revista ,,Jehona" nr. 4 - 5 / 1978, Shkup
  • ,,Meshari", botoi revista letrare ,,Jeta e Re" nr. 5 - 6 / 1978 dhe 1 - 2 / 1979, Prishtinë
  • ,,Shthurja", botoi revista letrare ,,Jeta e Re" nr. 2 / 1982, Prishtinë
  • ,,Zeka i Zi udhëton për në Babilon", botoi ,,Rilindja", 1984, Prishtinë
  • ,,Teatri plak", (katër drama: "No Pasaran""Roja e shiut", "Nëna shkon në parajsë", "Teatri i vogël i Deli Ukës"), botoi ,,Rilindja", 1987, Prishtinë
  • ,,Trilogjia e re", (tri drama: "Ulpiana 516", "Shpend Sokoli i Sokol Shpendit",,Paradoksi"), botoi ,,Rilindja", 1990, Prishtinë 
  • ,,Heronjtë e kombit", farsë, Teatri ,,Dodona", 1993, Prishtinë
  • ,,Shqiptari me duar në xhepa", monodramë, realizoi SHTF ,,AKT", 1997, Prishtinë
  • ,,Prometheu", monodramë, realizoi Arnelproduction, 2012, Tetovë



Radiodrama:

  • ,,Bute Bardhi", Radio Prishtina, 1975
  • ,,Lulja e këputur", Radio Prishtina, 1978
  • ,,Rrushja e Rexhës në fund të livadhit", Radio Prishtina, 1979
  • ,,Ekzodus", Radio Prishtina, 1979
  • ,,Rexha i Lokës në grazhd të kalit", Radio Prishtina, 1980
  • ,,Lulja e ndryshkur", Radio Prishtina, 1982
  • ,,Kurtha për një pikë lot", Radio Prishtina, 1987
  • ,,Letra pa adresë", Radio Prishtina, 1988
  • ,,Mjegulla", Radio Prishtina, 1988   
  • ,,Shkretëtira", Radio Prishtina, 1988
  • ,,Fundi i lojës", Radio Prishtina, 1989
  • (disa nga këto radiodrama janë emituar edhe në gjuhë të tjera)


Për TV dhe film:
  • ,,Turbullira në Bukramira", lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1977, (regjia: N. Istrefi)
  • ,,Ditari i Lec Pazhecit", serial televiziv për fëmijë, realizoi TVP, 1978, (regjia: F. Imeri)
  • ,,Kur pranvera vonohet", skenar në bashkautorësi me Azem Shkrelin, e realizoi ,,Kosovafilm", 1979, Prishtinë (regjia: E. Kryeziu)
  • ,,Megjithatë, toka është e rrumbullakët", lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1986, (regjia: L. Daka)
  • ,,Maçoku Bum - Bum shetitë botën në gjumë", lojë televizive për fëmijë, realizoi TVP, 1981 (regjia N. Matoshi)


Në skenat teatrore:

  • ,,Alter Ego", Teatri gjysmëprofesional, 1975, Prizren (regjia: S. Prekazi)
  • ,,Hotel Kashta", Teatri Popullor, 1975, Prishtinë (regjia: L. Millosheviq)
  • ,,Genci", Teatri Popullor, 1979, Prishtinë (regjia: B. Sahatçiu)
  • ,,Turbullira në Bukramira", për fëmijë, Teatri i Pakicave, 1981, Shkup (regjia: D Vellanoski)
  • ,,Roja e shiut", Teatri Popullor, 1982, Prishtinë (regjia: F. Hysaj)
  • ,,Pirrua", Teatri Popullor, 1983, Gjakovë (regjia: A. Sopi)
  • ,,No Pasaran", Teatri Popullor, 1984, Prishtinë (regjia: F. Hysaj)
  • ,,Zeka i Zi udhëton për në Babilon", Teatri i Pakicave, 1985, Shkup (regjia: F. Hysaj)
  • ,,Teatri i vogel i Deli Ukës", Teatri Popullor, 1986, Prishtinë, (regjia: A. Sopi)
  • ,,Nëna shkon në parajsë", Teatri Popullor, 1987, Prishtinë (regjia: B. Sahatçiu)
  • ,,Shpend Sokoli i Sokol Shpendit", Teatri Populllor, 1990, Prishtinë (regjia: I. Qosja)
  • ,,Letra pa adresë", monodramë, Teatri ,,Dodona", 1992 (regjia: M. Qena)
  • ,,Heronjtë e kombit", groteskë, Teatri ,,Dodona", 1993, Prishtinë (regjia: F. Begolli)
  • ,,Shqiptari me duar në xhepa", monodramë, realizoi SHFK ,,AKT", 1997, Prishtinë (regjia: I. Qosja)
  • ,,Zeka i Zi", Teatri Kombëtar, 2007, Prishtinë, (regjia I. Qosja)
  • ,,Prometheu", monodramë, ARNEL Production, 2013, Tetovë (regjia: E. Xani)


Përkthime e përpilime:
  • D.Eriq: ,,Bilbili e dielli", poezi për fëmijë, botoi ,,Rilindja", 1969, Prishtinë
  • S.Mrozhek: ,,Tango", dramë, botoi ,,Rilindja", 1977, Prishtinë
  • S.Bellou: ,,Viktima", roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja", 1977, Prishtinë
  • G.G.Markez: ,,Kobi i zi", roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja", 1978, Prishtinë
  • S.Bullajiq: ,,Shalajko", roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja", 1979, Prishtinë
  • E.L.Modoukroft: ,,Dejvi Kroket", roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja", 1980, Prishtinë
  • K.Hamsun: ,,Uria", roman, botoi në vazhdime gazeta ,,Rilindja", 1981, Prishtinë
  • V.Sarojan: ,,Babë, ti je i krisur", roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja", 1982, Prishtinë
  • A.Hoziq: ,,Shoku Kokërrmel", roman për fëmijë, botoi ,,Rilindja", 1982, Prishtinë
  • ,,Përralla në shkallë, dukati në ballë", 33 përralla shqipe, botoi ,,Rilindja", 1981, Prishtinë
  • ,,77 përrallat e botës", botoi ,,Rilindja", 1982, Prishtinë
  • ,,Nastradin Hoxha", anekdota, botoi ,,Rilindja", 1988, Prishtinë


Shpërblimet:
  • Shpërblimi nga Fondi Republikan i Shoqatës së Gazetarëve, për serialin humoristik ,,Ngucakeqi nëpër Kosovë" të botuar gjatë verës së vitit 1972 në të përditshmen ,,Rilindja"
  • Shpërblimi për radiodramën ,,Rrushja e Rexhës në fund të livadhit" për tekst burimor në Javën e Radiostacioneve YU - në Ohër në vitin 1979
  • Shpërblimi i ,,Rilindjes" për romanin ,,Pikëpjekja" - si vepra më e mirë e vitit 1983
  • Shpërblimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për ,,Zeka i zi udhëton për në Babilon" - si vepra më e mirë e vitit 1984
  • Shpërblimi i parë në konkursin e ,,Rilindjes" për romanin ,,Zeka i Zi", në vitin 1984
  • Shpërblimi i Bashkësisë Krahinore të Kulturës për ,,Genci" - vepra origjinale në skenën profesionale, realizuar në Teatrin Popullor të Prishtinës
  • Shpërblimi ,,Hivzi Sylejmani" i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozë më të mirë të vitit 1987 - për veprën ,,Rapsodi Kosovare"
  • Shpërblimi ,,Hivzi Sylejmani" i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për prozë më të mirë të vitit 1989 - për romanin ,,Ura e Xhehnemit"
  • Shpërblimi i Parë dhe i Dytë në konkursin për dramë ,,Katarina Josipi" të Teatrit Popullor të Prishtinës për dramat ,,Ulpiana 518" dhe ,,Paradoksi" - në vitin 1989
  • Shpërblimi i ,,Pionierit" për ditarin satirik ,,Lec Pazheci: Autobiografia" - vepra më e mirë për fëmijë, në vitin 1990

                                                                _   _   _   _   _


Poezi nga Ymer Shkreli


FLAMUJT E KASHTËS

të parin flamur e ngulni në zemrën time
të parin flamur pas besës

unë kam vetëm një zemër dhe një tokë

në tokë shkilni të gjithë me mëkatet
për zemër e pritni radhën

të dytin flamur e ngulni në maje të gjuhës
të dytin flamur pas gjakut

unë kam vetëm një gjuhë dhe një djep

në gjuhën time betohuni se jini vëllezër
e në djep betejë e madhe ju pret

të tretin flamur e ngulni në shpirtin tim
e hiqni vallen e shtogut

o unë kam një Kosovë dhe një flamur

në Kosovën time e hudhni farën 
e fluturën e keni flamur

të katërtin flamur e ngulni në maje të botës
e maja e botës është në kokën time

hej unë kam veç një kohë për betim

kokën time e shqelmoni lirisht si djallin
se betimi është ky që dhashë




ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

ti thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu me ushtritë e marra
e kalorësit të kthejnë në konaqe të bardha

ti thoshe he t’u thaftë goja

e në ballë të oxhakut luajnë shtrigat
e pjekin kafe për dorasët e verës
e fëmijët edhe lumit ia ndërrojnë kahjen
e qentë i lehin shiut e breshërit
e mali e shiti edhe atë hajdutin plak
e pleshtat e qëndisën edhe ylberin në gjoks
e ti thoshe
he t’u thaftë goja si rrasa në diell

asgjë puna jote o ali binaku
as e bijve e nipave as stërnipave të tu
se ara pa ujë e mallkoi edhe diellin
e rrugët s’po prekin gjunj mbi dhé
e megjet po tirren në futa të zeza
e pullazet janë të vetmit qefinë për ditët
e varret po heqin lule prej zemrave tona
e zanat po qëndisin shami të djegura
e ti thoshe
thoshe

heu prieçat e tua po i bajmë si flamur
dhe erë e rëndë po ngatërron në mjegull
o ali binaku ti njeri pa oxhak

se tani edhe minjtë po të luajnë në santraç
pra thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu i rëndë si vdekja
e kalorësit të kthejnë në konaqe të fjalës
e besa të shtrohet trojeve si flakë
po ti thoshe he t’u thaftë goja
e u bëfsh qyqe mali atje në maje
ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia




DIÇKA SI TI

diçka si ti është edhe kjo letër 
e mund të shkarravis
cilindo fragment të jetës sime

ti vdekja ime e dashur
merre dorën time
e yjzit në qiell ndiqi si e marrë
o merre jetën time si çmendi

se diçka si ti është edhe kjo letër 
e mund të shkarravis 
cilëndo vdekje të jetës sime

Nga “Ditari i hajnit”, “Rilindja”, Prishtinë, 1971




ROMANELLA

hej e shtere detin e zi
romanella
kund s’lë akull pa shkri

romanella
t’u bë’sha kashtë n’flokë

e zgjove detin e vdekur njëherë
romanella
daulle për duart e kësaj bote

romanella
t’u bë’sha gjarpër n’shtrat

e ndoqe detin e kuq deri n’sytë tanë
romanella
mys që ngin botën vet’ e unët

romanella
t’u bë’sha vdekje pas dashurisë




KALLAISMA QIELLIN

kallaisma qiellin
se po ma lëshon pikën

kallaisma çadrën 
dielli po më shkrumon

kallaisma ballin
djersa po më krip

kallaisma syrin
të këndoj i verbër

kallaisma diellin
dua ‘i diell maxhup

o kallaisma qiellin
se po ma lëshon shiun

e sa herë bie shi
pastaj na nxin dielli

Nga “Romanella”, Botim i Autorit, Mitrovicë, 1974




TAN SALI

piu ujë me gjarpër
fjeti me zhapinj
shtatëdhjetë vjetët ia qepën kapakët e syve
për një sy gjumë më vonë

ushtria e tij
shiu era zjarri

kur ngjesh armë e akuj tan sali
e merr lemza malin
gokëson shkëmbi

fluturat e tij 
jetojnë shtatë ditë
ai shtatëdhjetë vjet

kur i mbyllen lulet tan salit
ndërron moti
edhe zogjtë heshtin para shiut

ai nuk e mat kohën 
ndaj i besoj asaj

oh tan sali
t a n  s a l i




THOTË MIRKU

mbi varrin tim mos mbani fjalim
ai nuk është varri im
lexoni poezi
varret nuk janë tonat
varre hapin ata që tjetër nuk dinë
në anën tjetër të kohës - nuk është çudi
me nga një jetë të mbërrijmë
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
ky nuk është varri im
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
u poqa disa herë
po digjem përsëri

Nga “Febris”, “Rilindja”, Prishtinë, 1975




RELATIVITETE

Nganjëherë 
më duket se kam ardhur në këtë botë
me një vete tjetër -
barrë të padukshme të gjykimit
t’i përkëdhel hijet;
nganjëherë
zë në thua në pjatën e parë
të fëmijërisë sime
e përplasem
për rrum një shekull
dhe pak më duket;
pastaj 
përfill baltën unë i zgjebosuri
s’e pranoj këmishën
barkcullake -
ngarend nëpër vjetët
hedh gurë
pa fshehur dorën:
qeshem si balta e lodhur nga hapat

nganjëherë
s’i përfill as çerdhet;
zogjtë lëshojnë kokën time
unë çmendem pas lodrave që s’i kam
dhe iki nga lëkura ime -
i sosur

(9.4.1967)




PESHORJA PËR KOHËN E SAKTË

Sa më e rëndë është dita
unë më i papeshë;
hiqem e përvëlohem -
mëngët i përvjel
t’i zbres asaj në qafë

sa më e rëndë është dita
nata vjen më e bardhë
zëri nis të shterojë
deri në fundin tim -
zbres
të ngjitem përpjetëzës së rrejshme
të lartësive sa thoi:
përsëri jam në fund
me përmbytjen në gjumë;
këmbadoras nisem
nëpër vijën e gjakut
deri në pafund:
kërkoj varrin tim
dhe një zot e di
a do të qesh
ose do ta pështyj;
hiqem e përvëlohem
mëngët i përvjel -
t’i mbetem ditës në qafë
e askund xhelati.
Nata vjen më bardhë

(1.10.1967)




DASHURI 

E gjeta veten e humbur një herë
në flokun tënd;
tani jam më i ri për një vdekje
po shoh verbët –
dhe shumë më mirë;
i gjeta puthjet që heshtja
i paska shndërruar në peshq
aqë sa edhe akuj
o dreq –
mes mishit e thoit
e gjeta varrin e premtimit:
dashuria s’ka sy
e ka shpëtim – 
midis mishit e ashtit
ose duhet përqafuar
fundin e këtij deti të marrë:
bima e dreqit

a të kthejmë në nismë
a të nisemi dikah tjetër
dikah që s’jemi dy
ose të vazhdojmë –
deri në fundin e lojës së vjetër 
një herë një




NUK KAM TITULL PËR TY

Nëse ma vononi pranverën
do të kallem flakë –

zi
se
Jan Pallahu;
nëse më vononi pranverën
kurrë më s’u sheh syri
stinë tjetër:
miqtë
e
mi 

mbetur

(Pranverë e shtatëdhjetë e treshit)




MIKUT PA EMËR

Jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe zë pritën;
nesër mos më thuaj
më shitën stinët vetëm për lule o mik
i natë sime;
lulet s’patën as s’panë duar

ky lum do ta gjejë
detin e vet –
për vetëm një pikë ujë;
ky lum
është mallkuar;
të tillë jemi lum miku
mos ma shih për të madhe
s’e pranoj ndryshe –
s’jam refren i askujt ta them pa hile:
a s’ishte më mirë
mos të takoheshim atë ditë
që të mos shahemi pastaj
kur ndeshëm në urë

jam bërë si kjo rrugë
që në gjethe ia zë pritën vesës
për t’u venitur
e para
kaq shumë dua të tujgem

(15.12.1969)




EJA

Unë
përse paskam lindur –
se harrova
oh
ma sillni botën për ngushëllim
atëherë;
ose do të ju vërshej lumi

a ju thashë:
ma sillni botën për ngushëllim
sepse s’kam lodra;
mbase –
e kam pak kohë në vetullë
që bën ditën e natën
e syrit

e gjuha
ku është gjuha – 
pse s’flet goja
pse hesht;
goja ma ka ndryrë gjuhën
ah- 
t’ishte goja imja

(28.03.1971)




SHPATA

Ajo e ndau ndau në dysh botë time
unë as kal s’kam;
vallë –
për këtë pjerrtësi
a janë të domosdoshme katër këmbë

ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë 
atje diku është fundi i dorës
dhe nisma e kokës;
atje është lulja
që nuk ҫel –
ajo erdh nga larg
e sharroi thellë thellë thellë

ajo ndau më dysh botën time
dhe më la pa mua:
a do të kem fuqi

ta provoj edhe një jetë sado të vogël
ose zotin gurë e kam zgjuar
ose
duhet të zbres në katër këmbë kafsheje
nga dy këmbë njeriu

(Data e parëndësishme)




VULLKANI 

kur flemë të gjithë
zgjohet më në fund
kur zgjohemi prej nesh –
ka ngelur vetëm ai
në gjumë;
ai ka zjarrin
ne kemi hirin

kur flemë të gjithë
ai hesht –
që t’i kopjojë ëndërrat tona
pastaj zgjohet me mëllef:
ai s’ka
as po as jo
zgjohet rrallë –

vdes shumë

ai s’ka komb
ai s’ka fe

ka besim
në vete

na ka ne:
a s’është shumë
plus-
ëndërrat tona




SKENDREBEU

Mbi gurë varresh
drekuan fëmijët e nënat
mblodhën thërmiat;
nga ҫefinët e bardhë
u ngritën lulet me pjesët tona
e të ditëve plagë –
deri te ashti i kërcyellit të kombit:
mëngjeset i fshinë sytë;
pagjumësia e shekujve
zu pritën në tehun e shpatës së tij
dhe të fjalës sime:
Skenderbeu –
erdh disa herë dhe shkoi përsëri
që të më vijë mbi kokën time
të qelbur të etur për vesën
dhe lulen e hirit
pa u vyshkur
nata e mbrëmshit në kujtimet e irnosura
e pastaj fëmijët me duar të nxira
do t’i shënjojnë gjinjtë e nënave
dhe thërmijat

(1968)




DITËT 

fundi i kësaj hapësire 
nuk është pleqëria
po thellësia e shikimit tim;
pleqëria –
qielli njëherë zbret
toka ngriet –
vetëm
gurët harrohen e dheu
përtypet:
thneglat i gëzon;

funi i kësaj hapësire
nuk është pleqëria
ajo vjen –

në katër këmbë e kemi vdekjen;
për jetë –
mjaftojnë dy duar
dhe një kokë e rëndë


(Shtator. 1971)

Nga “Kërkoj dënim me vdekje”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1978

Keine Kommentare:

Kommentar posten