Freitag, 23. Juni 2017

Gani Mehmetaj

Gani Mehmetaj
Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), lindi në fshatin Dubovë, komuna e Pejës. Shkollën fillore e Gjimnazin i kreu në Pejë, Fakultetin e Shkencave Politike, degën e Gazetarisë e kreu në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare në Universitetin Ndërkombëtar. Shkroi kritika filmi, ese e studime, ishte redaktor, analist e komentator në gazetën e përditshme  “Rilindja” të Prishtinës. Ishte ndër nismëtarët dhe themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetar Ibrahim Rugovën, partisë që i vuri kornizat dhe e themeloi shtetin e pavarur të Dardanisë.  

Gjatë viteve 1997 – 1999, Gani Mehmetaj, ishte redaktor, pastaj kryeredaktor i gazetës "Rilindja-Botimi për Perëndim" me seli në Cyrih ( Zvicër). Pasi u kthye në Kosovë në fund të vitit 1999,   themeloi gazetën e përditshme “Dardania press”, drejtoi revistën Titanic. Punoi në Qendrën Informative të Kosovës, pastaj ishte redaktor përgjegjës dhe drejtor i gazetës “Bota sot”, drejtor i revistës “Anza”. 

Është profesor në Fakultetin e Arteve Mediale, ku ligjëron lëndët: Adaptim filmi, Histori filmi dhe Estetikë.  Është ndër krijuesit dhe intelektualët më të angazhuar në trajtimin e problemeve e fenomeneve devijante që e karakterizojnë kohën e tranzicionit, përkatësisht periudhën traumatike të pasluftës. 

Është producent dhe drejtor i Kosovafilmit. Jeton e punon në Prishtinë.



Ese filmi e publicistikë: 

  • “Magjia e ekranit”- Kritikë filmi  (2005), “Kosovafilmi”, Prishtinë.  
  • “Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006),  “Faik Konica”, Prishtinë.  
  • “Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007),  “AIKD”, Prishtinë. 
  • “Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Dardania press”. 
  • “Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, botoi “Titanic”, Prishtinë.  
  • “Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza,  
  • “Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kosovafilmi”.  
  • “Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010), studim,  Universiteti Ndërkombëtar i Strugës.
  • “Ëndrra e madhe”, kujtime (2015), A di zoti shqip”, 2016, 
  • "A di zoti shqip", ribotim i plotësuar 2016. 
  • “Adaptim filmi, si të shkruash skenar origjina ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, dedikuar studentëve të Akademisë së Filmit, botues Akademia Evolucion, Prishtinë, 2014. 
  • “Kolosët e filmit”, -pjesë  nga historia e filmit, libër për studentë dhe për filmofilet, botus Fakulteti i Arteve Mediale, Akademia Evolucion. 



Veprat letrare:

  • “Kujtime të trishta”, tregime, (2010),  “Dardania press”, Prishtinë,
  • “Qyteti në ankth”, roman (2011)  “Dardania press”. Prishtinë,
  • “Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar), roman (2012),
  • “Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë (2014).
  • “Ilirianët”, tregime, 2015, “Dardania press”, Prishtinë,
  • ”Ëndrra e madhe”, kujtime, Dardania press, 2015, Prishtinë,    
  • “Zhvarrimi”, roman 2016, Dardania press, Prishtinë,
  • "Boritë e Apokalipsit", roman 2017. “Dardania press”, Prishtinë,


Shkroi tre skenarë për filma artistik të metrazhit të gjatë dhe katër skenarë për filma të shkurtër.



Fragment nga romani “Boritë e Apokalipsit”

Pa bari dhe pa busull 

    "Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre". 
   
    Kolonës së përgjumur fërfëlliza u binte fytyrës, anash i rrihte bora, prapa i ndiqte armiku. Mbulojë kishin qiellin, shtrojë tokën e ngrirë. Askush nuk dinte ku shkonin, kush i priste dhe kush do t'i mbronte. Turmat e pafundme të dëbuar nga qyteti,  iu qepën bjeshkëve të larta, të frikshme me zymtësinë, të pakapërcyeshme me ashpërsinë.  Ec e ec e shtrojerë askund. Bora e fërfëlliza nuk pushonin. U kërcisnin zorrët nga uria, u rëndoheshin qepallat nga pagjumësia, u çahej zemra nga pikëllimi. Mëshirë nuk tregoi as njeriu, as natyra. Zoti heshti ato ditë. Engjëjt qanin me lot të ngrirë... 
    -Mami, kthehemi në shtëpi! - e përgjëronte vogëlushi nënën. Mezi i hapte buzët nga të ftohtët që ia kishte shtangur nofullën.  
    -Do të kthehemi, shpirti im! -ia kthente nëna, e pafuqishme t'ia sqaronte se shtëpinë ua dogjën. 
    - Babi, ku është? -vazhdonte vogëlushi pyetjen tjetër.
    Nëna as këtë përgjigje s'mund t'ia kthente. Babin e ndalën në të dalë të qytetit, e skajuan në një hendek me burra të tjerë. Pasi bënë një copë rrugë dëgjuan breshërinë e pushkëve automatike prapa tyre.        

    Mediat flisnin për shpërngulje biblike, por jo drejt tokave të premtuara. E shpërngulnin popullatën nga shtëpitë e tyre drejt së panjohurës, i nxirrnin në trotuar dhe ua jepnin kahen e hiçit. U thanë t'ia mbathin nga sytë këmbët, pa busull, pa kokë.  Përralla pastaj rrëfen: na ishte një bari i mirë, që i printe kopesë në ditë të vështirë. Ujqërit gëlonin gjithandej. Një ditë shpërtheu një furtunë e paparë, kopeja u shpërnda, bariun e ngujuan në shpellë. Zemra i pikonte për kopenë që do t'ia hanin ujqërit. Kujtoja pjesë të përrallës. Nuk më kujtohej fundi. Dhe nuk ishte kohë përrallash, ishte kohë kataklizmash.
   Shënoja në notesin tim këto përsiatje nga kronikat e radiostacioneve. Shkëpusja dialog nga bisedat e kolonave të shurdhra.     
    Atë vit pranvera erdhi e qullur dhe e ftohtë. Koha na e pati me të pabesë. Askush nuk merrej me asgjë. Ia mbërthenim sytë televizorit, ia afronim veshin transitorit, i kapërdinim lajmet që përsëriteshin tërë ditën, për të vazhduar të nesërmen prapë nga mëngjesi. Ndonjëherë flisnim me fqinjin, duke i rënë gjithnjë një teli. “Si do të bëhej halli ynë?” Përgjigje nuk merrnim as nuk kthenim.   
    Në qytet bombardimet nuk reshtën. Emocionet i ndrydhnim, sepse frika nga e papritura na i këpuste shpresat. Në mëngjesin e ditës së tretë apo të katërt, nuk më kujtohet saktësisht, rolet ndryshuan. Tanët ecnin kokulur e pikëllueshëm, të dëbuar nga shtëpitë e apartamentet e tyre, nga i nxirrte me britma policia e njësitë speciale. 
    Refugjatët morën një bohçe me gjëra të domosdoshme. Të paktë ishin ata që mbanin valixhe të mëdha. Por dikur i linin në rrugë, sepse s'mund t'i zvarrisnin tutje. Rruga ishte e gjatë, e pafundme.  Ecnin me veshje të vajtueshme, bënte ftohtë fundmarsi, kurse ata dilnin me rroba të holla, disa me pantofla dhome. Kur i shihje, të dukej sikur niseshin në piknik, por fytyra nuk ua thoshte këtë gjë, ata niseshin drejt hiçit, drejt së panjohurës që i paralizonte. Dilnin grupe të dëbuarish, grumbulloheshin në trotuar, shihnin me pikëllim e të frikësuar tutje si të kërkonin ndihmën a mëshirën e dikujt. Pastaj nisnin britmat e policëve, që i urdhëronin të marshonin tutje. Fëmijët nuk e kuptonin ku shkonin, as pse i dëbonin në freskun e mëngjesit. Disa kundërshtonin, por prindërit e tyre i tërhiqnin zvarrë, të tjerët ua mbyllnin gojën që të mos qanin. Një kolonë e përzishme të dëbuarish, që rritej nga prurjet e rrugicave, mori rrugën nga qendra e qytetit drejt periferisë. Kolona shtohej si përroskat kur derdhen në lumë, radhët çrregulloheshin, por sërish dikush i vinte në binarë. 
    Banorët e kombit të tyre nga dritaret e apartamenteve e ndiqnin të heshtur e me kureshtje kolonën e pafundme, sikur shikonin filma në ekran të madh për shpërnguljen e hebrenjve. Skenat ishin surreale: burra, gra, fëmijë e pleq ulokë zvarriteshin tutje para dritareve të apartamenteve. Shumica në kolona të përzishme nuk bëzanin, ndonjë kollë fëmijësh pas vajit të ngulfatur, ndonjë ofshamë plake që çapitej në kolonë dhe hapat e çrregullt që e thyenin heshtjen e përgjithshme. 
    Një grua me flokë të kreshpëruar, nga dritarja e katit përdhes, iu drejtua turmës me mllef: -E kërkuat NATO-n, ja ku e keni! 
    Pastaj nxori gishtin e mesëm para. Gruaja tjetër nga dritarja përbri na e mati krahun, apo na i dha munxët, duke e mbyllur dritaren me zhurmë. Nga turma askush nuk merrej me të, edhe pse të gjithë e dëgjonin. Ata na shikonin nga lart. Tanët poshtë banesave morën rrugën e madhe. Kolonë më të gjatë e më të përzishme nuk kam parë në jetën time. Kontrasti në mes nesh e tyre: ata shikonin nga dritarja në ngrohtësinë e dhomës, ende në pizhame, ne ecnim rrugës së madhe me një bohçe në duar apo pa asgjë, pizhamet i lamë në fund të krevatit, pantallonat i veshëm mbi pizhame, sepse nuk na dhanë kohë t'i hiqnim. Sa hap e mbyll sytë na lanë pa asgjë. Si nuk u dëgjua asnjë foshnjë të qante, si nuk bëzajti asnjë kalama, që ecte përbri nënës a motrës, si nuk fliste askush me askënd. Ecnim në marrëveshje të heshtur. Tërhiqnim këmbët zvarrë, por re pluhuri nuk ngrihej, na dëbuan nga shtëpitë, duke na nxjerrë në rrugë të madhe, ndërsa nuk e dëgjova asnjë ngashërim gruaje. Më vinte të çirresha në kupë të qiellit nga mllefi e zemërimi, por e dija se aty do të vulosja fatin tim, mbase edhe fatin e ndonjë tjetri bri meje. Policët rrinin anash me kallash në duar, të gatshëm për të ndëshkuar ata që do të mbeteshin prapa. Shoku pranë meje ma shtrëngoi dy herë llërën sikur ta ndiente se do të bëja ndonjë gomarllëk. Ecja i mpirë me hapa somnambuli. Shihja zverkun e fuqishëm të një burri me një foshnjë në supe, me ndiqte me sy koka e mbështjellë me kësulë foshnjash: as nuk qeshte dhe as më jepte shenjë se më shihte.         
    Nuk më kujtohet të kem përsiatur atëherë apo më vonë, por e di që dëbimi ynë ishte ndryshe nga ajo që ua bënë hebrenjve para gjashtëdhjetë vjetësh. Edhe kolonat e hebrenjve ecnin të heshtura e të përzishme, edhe atyre u hidhnin romuze nga dritaret, i fyenin, ose ua matnin bërrylat, as  zëri i fëmijëve të tyre nuk dëgjohej, ose dëgjohej tepër i zbehtë si t'u kishte shterur çdo energji, ndërkaq i nisnin në geto, në kampe përqendrimi apo drejt fabrikave të vdekjes. Por dëbuesit tanë  nuk bënë geto të këtilla, nuk bënë as kampe përqendrimi (për kampe pune kam dëgjuar, ku i mbanin pengjet- shënjestra për bombat e NATO-s), por e rregulluan punën që të na dëbonin përtej kufijve ndërkombëtarë. Qyteti i tërë do të bëhej i tyre. Shtëpitë e braktisura do t'i plotësonin me kolonë që i sollën nga krahina e Likës së Kroacisë, apo nga Bosnja. Fusnin edhe policë që i sollën nga shteti i tyre.   
    Që në mëngjes ia behën policët para derës së banesave. Trokisnin me tytë pushke e me këmbë. Si sot më vjen ushtima e korridoreve nga hapat e banorëve të nxjerrë nga shtrati i ngrohtë. Ecnin të përgjumur e të frikësuar, këmbët e tyre të tërhequra zvarrë e dridhnin pallatin. Vaji i fëmijëve të zgjuar me zhurmë ushtonte deri në çati, pastaj në rrugë s'qante askush. 
    U futën edhe në banesën tonë. Kur na dëbuan mua e shokun nga apartamenti, nuk na lejuan të merrja asgjë me vete. –Shpejt-shpejt, zbrisni poshtë! - na urdhëroi njëri nga treshja e veshur me pancirë, duke na shtyrë me tytë të pushkës. 
    S'patëm kohë të kthenim kokën nga çantat, të cilat çuditërisht nuk i kishim përgatitur për ndonjë dëbim a rrugëtim të gjatë. Mora transistorin nga tryeza, kapa edhe notesin. Në çastin e fundit se si më doli para këmbëve çanta sportive. Na nxorën si plumbi i pushkës nga apartamenti, pa arritur as të mbyllnim derën me çelës. Policët kokërruar, disa të sapodalë nga burgu, shtrëngonin nofullat, kapërdiheshin, duart u hanin për një shkrepje arme mbi ne. Shpëtuam pa lëndime. 
    Nga hyrjet tjera dilnin banorë të frikësuar si pula pa kokë. Britma grash, zëra fëmijësh, lutje për mëshirë ta çanin timpanin e veshit. Disa nuk arrinin të mbathnin këpucët, dilnin me shapka dhome. Të tjerët mbi pizhame kishin veshur pallto. Bënte ftohtë. Më vonë nisnin të vajtonin gjërat që i lanë në banesë si t'i linin në gojë të ujkut, sepse e dinin që do t’ua plaçkitnin deri në dyshekun e shtratit. 
    Me t'iu bashkuar kolonës së pafundme banorët e apartamenteve e shtëpive përreth shkriheshin në turmën e pazëshme. Turma i bënte më të humbur, disave u jepte më shumë guxim, nuk e shpjegoja dot as gjendjen e parë, as gjendjen e dytë. Më pëshpërima na treguan se në disa lagje policët shkrepën me zarar, vranë e plagosen, disa kundërshtuan të dilnin nga shtëpitë. 
    -Ishte trishtim të shihje kur ta vrisnin njeriun para këmbëve, - më tha me pëshpërimë  burri i moshës së mesme, përderisa buza i dridhej në vaj. Emrin nuk ia mësova, as ai nuk ma tha, secili shihte hallet e veta e marshonte tutje. Donin të ruanin energjitë për rrugën e gjatë që i priste.    
 #    
    Shiu i ftohtë, përzier me borë e fërfëllizë, më mërdhinte deri në palcë. Kolonat e të dëbuarve vazhdonin të ecnin të përgjumur kodrave të rrëpinjta. Vargani i grave me foshnja në gji, i burrave më të paktë me bohçe në krah, i kalamajve ngjitur pas trupit të nënës, shkonin prapa të heshtur e të mërdhirë. Me rrobat e lagura, me pamjen e njerëzve të dëshpëruar që s’dinin ç’të bënin me vete e me ata që i kishin pranë, herë shanin nën buzë, herë qanin prajshëm, më shumë shikonin tej në horizont ku prisnin të rrëzëllente një fije drite. 
    Derisa ecja i përhumbur, prapë më kujtoheshin pamje filmash me tërmete, vërshime, stuhi polare, njerëzit që e çapëlenin njëri-tjetrin. Nuk më hiqeshin nga mendja pamjet e kolonave të gjata të të ikurve, makinat e shumta që e bllokonin rrugën, kolonat e tjera që i braktisnin makinat, duke ua mbathur këmbë kodrave e gërxheve. Por truri m’u kthjellua nga imazhet imagjinare, duke i parë kolonat reale, ashtu si ishin: të mërdhirë, të bërë gati dyfish nga lodhja, të përhumbur. Makinat e braktisura na e kishin zënë rrugën. 
    Në rrugëtimin tonë të pakokë, sepse askush nuk e dinte nga shkonim, kur e kaluam rrugën magjistrale pamë kolona të tjera makinash që s'bënin para as prapa. Diku duhet t'i ketë bllokuar policia, por asnjëri nga udhëtarët nuk dilte jashtë makinës. Athua të ketë filluar fundi i botës me dëbimin tonë?  
    Me gjithë paralajmërimet ogurzeza të shkrimeve serike, emisioneve televizive apo filmave të Hollivudit, pak ditë më parë na rrëmbeu besimi i patundur se fundi i botës do të niste gjetiu, nëse duhej të realizoheshin parashikimet e fallxhorëve, apo ithtarëve të apokalipsit. Më shumë besonim se ishte çështje e fantazisë së artistëve apo e industrisë së filmit, që paralajmëroi disa herë fundin e botës me seri filmash, por gjithnjë dilte një hero që e shpëtonte botën. Në fatkeqësinë që na pllakosi nuk doli asnjë hero, nuk pati as njerëz që do t'i prinin turmës, që do ta orientonin, apo që do ta shtynin tutje. Secili ecte pavetëdijshëm, shkelte në gjurmët e atij para tij, vazhdonte pa e ngritur kokën nga shkonte.  
    Pak orë më parë nuk na shkonte ndër mend se do të na dëbonin nga shtëpitë, do të na shpërngulnin nga vendi, më shumë druanim se do të na vrisnin në grupe, në shenjë hakmarrjeje, do t'i mbushnin burgjet e tyre, por për pjesën tjetër besonim se do t'i linin në vatrat e tyre. Por armiku ynë gjithnjë ishte i paparashikuar në veprime, bënte ashtu si nuk ta merrte mendja. 
   Ecja në bishtin e kolonës, duke fantazuar, sepse nuk doja t'i kthehesha realitetit. Dikur nisa të shqetësohesha, nuk i shihja askund prindërit e  mi, ndërkaq takova disa fqinjë. Ata ishin të sigurt se babai e nëna nuk dolën nga shtëpia. Të tjerët ma thanë që i panë në kolonat e të dëbuarve, por në cilin drejtim u nisën, askush nuk dinte të ma thoshte. U përshëndeta me mikun e banesës, Gimin, e braktisa kolonën dhe u ktheva mbrapshtë, në kërkim të prindërve. Ata vazhduan tutje në kohën me shi e fërfëllizë që ua fshikullonte fytyrën e trupin.  
    Rrugicave të rrahura më pak mbërrita para shtëpisë. S’kishte frymë njeriu. Heshtja e lagjes më trishtoi. Shtëpia e prindërve ishte plaçkitur, rraqe të hedhura tutje: mobilie të thyera, karrige të përmbysura. Nuk ndenja. Lagjja qe braktisur, shtëpia qe plaçkitur.   
    Më brente ndërgjegjja pse i braktisa. Sikur të rrija me ta, do t'u ndihmoja, mbase do t'i ngushëlloja. Nuk e keni idenë çfarë ndjesie është të ballafaqohesh me shtëpinë në rrëmujë, në vend se të dëgjosh zërat e dashur. Heshtja torturuese më pikëllonte. Pendimi ma zinte frymën. Më zgjoi nga përhumbja një mace e fqinjit që mjaullinte. Më shikonte në sy, mbase kërkonte ndihmën time, mbase më pyeste në gjuhën e saj për pronarët që e lanë vetëm dhe ikën. E shikova i dëshpëruar në bebëzat e syve të saj, por e hoqa shikimin, sepse e dija që ajo s’mund të më jepte asnjë përgjigje për prindërit e munguar, as unë s'kisha ç'i jepja për ushqim, s'mund t'i thosha asgjë për pronarët. Nëpër mend e sillja tronditjen e prindërve si u tha policia që duhej ta braktisnin shtëpinë. Kanë bërë një jetë në vatrën e tyre, kanë shpresuar që këtu do ta ngrysin jetën, kur befas u  thanë: "Mbathja, lini të gjitha!" 
    Prindërit shihnin si u qëndronin mbi kokë kërcënueshëm policët: - Keni kohë pesëmbëdhjetë minuta. - Ashtu u thanë atyre që ecnin me mua në kolonën e refugjatëve, ashtu duhet t’u kenë thënë edhe babait e nënës, para disa orësh. Ndonjëri përpiqej t’u sqaronte se afati është tepër i shkurtër, gati e pamundur të bëhesh gati, por polici shikonte orën, një herë ta lëshonte një shikim të zemëruar, që mezi e mban veten të të mos hidhej në grykë. Ndonjë polic nuk e përmbante veten e godiste fatkeqin këmbëngulës me tytë pushke duke e lënë pa frymë.  
    Mjaullima e një maceje që e ndiqte tjetrën më paralajmëroi se isha në vendin e gabuar. Mund të më qëllonte ndonjë snajper apo të më vriste ndonjë civil i armatosur, sepse ato ditë secili banor i kombit të tyre mund të të vriste dhe të mos jepte përgjigje. 
    Në heshtje ia lashë lamtumirën shtëpisë, e mbylla derën, e dija se pas disa orësh, ose më së largu të nesërmen, do ta thyenin e do ta plaçkitnin atë që kishte mbetur. Nuk mora asgjë me vete. Më sëmbonte. "Ku mund të kenë shkuar pleqtë e gjorë?
   Te refugjatët nuk u ktheva, nga qyteti s’kisha si të dilja. Policët rrinin para çdo udhëkryqi, civilë të armatosur ruanin lagjet. Pas valës së parë të dëbimeve, policë e rezervistë të mobilizuar u shpërndanë nëpër udhëkryqe  e rrugë me rëndësi. U nisa drejt një furriku në çatinë e godinës shumëkatëshe, sipër banesës nga na dëbuan. Nga çatia mund të vrojtoja disa rrugë e një udhëkryq. Isha më i sigurt se kudo tjetër, askujt s'do t'i kujtohej ky qymez i braktisur. Spektaklin e bombardimeve natën e parë e të dytë nga këtu i ndoqëm. 
    Kështu për disa muaj mbeta peng, brenda një hapësire të ngushtë nga as nuk dilja dhe as nuk lëvizja. Nuk isha i lumtur që u shkëputa nga kolona. Mbase shpëtova nga marshimet e pafundme. Mbase hoqa barrën e vuajtjeve kolektive të kolonës, ndërsa nuk u ndihmoja dot, më pikonte në zemër kur pashë foshnja të mardhura, fëmijë të frikësuar e gra të tmerruara. Nuk mora vesh asgjë për fatin e kolonës nga e cila u shkëputa, nuk mora vesh asgjë as për shokun tim, që shpresonte të kalonte kufirin e të dilte në Shqipëri. Por e di që herë-herë ua pata zili. Shpesh e kam përsëritur: “Të lumtë ata që i kaluan me kohë portat e qytetit, mjerë ne që mbetëm brenda dhe pamë lemeri që as t’i përshkruajmë nuk dimë”.  Po të parafrazoja gjyshen time, do të thosha "lmerën që e pashë do t'ia kallëzoj vetëm natës së vorrit!" Sa herë më kujtohen ato që përjetova, lëkura e kafkës më rrëqethet, sa herë më përftojnë në gjumë pamjet e luftës, një klithmë e frikshme më zgjon nga kllapia. Gurmazin e kam të tharë. 
        I dëshpëruar me ato që më panë sytë, i vetmuar në furrikun tim të ri, shihja zbraztë në horizont, përpiqesha të kapja nga ia mbathën kolonat e pafundme të refugjatëve, sepse që nga çasti kur kapërcyen portat e qytetit, ata u bënë refugjatë pa asgjë, pos shpirtit e ndonjë anëtari të familjes që e nxorën shëndosh nga kthetrat e policisë e të njësive speciale.  
#
    Të nesërmen nga furriku im pashë valën e re të refugjatëve që i dëbuan. Më shumë se gjysmë dite u sollën në platformën e Stacionit të trenit që nuk i zinte, u përhapën në fushën përreth, uleshin në shinat e trenit, duke pritur të iknin me trenat e rrugëtimit Prishtinë- Hani i Elezit. Lokomotiva fishkëllente trishtueshëm. Vagonët mbusheshin njëri pas tjetrit. Se ku e zbraznin ngarkesën askush nuk e dinte, nuk e dinin as ata që hipnin në tren, por donin të iknin. Policët u rrinin mbi kokë. Refugjatët  donin të iknin sa më parë nga britmat dhe nga lemeria që u panë sytë. Asnjëri nga ata që u nisën me tren, nuk u kthye t’u tregonte. Edhe sikur turma të  kundërshtonte, policët e armatosur nuk u jepnin rrugë tjetër. Prej së largu qarkullimi i trenave më ngjante me trenat  e Aushvicit e Dahaut.  Ku i shpinin? Në fabrikat e vdekjes? Athua në cilin krematorium i nisnin gratë e fëmijët? Fliteshin gjëra të frikshme për shkritoren e “Trepçës” afër Mitrovicës, edhe para fillimit të bombardimeve. Thuhej që aty i digjnin kufomat pasi i vrisnin. Pëshpërima qarkullonin para fillimit të bombardimeve. Në furrën e termocentralit, ku prodhohej korrenti, po ashtu flitej se digjeshin kufoma të tjera. Në vend se të shkrinin zink e argjend, shkrinin eshtrat e të vrarëve që të mos linin gjurmë. Energjia elektrike prodhohej nga kufomat, megjithëse thëngjill kishte sa për gjysmën e kontinentit. Nuk e di si m’u kujtua një pikëpyetje rrëqethëse" Po sikur t'i hidhnin të gjallë në shkritoren e “Trepçës” apo në furrën e Obiliqit? Kush i pengonte t’i digjnin ende pa dhënë shpirt, të gjallë sikurse i kishin kapur në rrugë apo në shtëpi? 
    Disa ditë pasi u vendosa në furrikun e tarracës së godinës, ku banoja, transistori i vogël që e mora me vete, raportonte për burrat që i ndanin nga gratë dhe i pushkatonin disa metra më tutje. Të tjerët i vinin mburojë kundër bombardimeve të NATO-s? Dy muaj më parë policia e vunë mburojë në mes tyre e një grupi kryengritësish popullatën e një katundi. Radiostacionet njoftonin se ushtria serbe, refugjatët i bën mburojë disa herë kundër bombarduesve të NATO-s. 
    Turmat, te platforma kryesore e kryeqytetit, gumëzhinin, shiheshin edhe fëmijë të ndarë nga prindërit, qanin, dikush i mbante për dore duke i kërkuar prindërit e tyre. Zërat i shpërndante era, vuajtjet e tyre mbeteshin aty, në platformën e Stacionit të trenit, apo në humbëtirën përreth. 
     Treni ishte pa orar, pa cak dhe pa konduktor. Mizëria e udhëtarëve nuk e dinin kur do të nisej, ndërsa prisnin, nuk e dinin kur do të  kthehej treni tjetër, pasi nisej vargu i vagonëve të mbushur përplot, nuk e kishin idenë ku shkonte, e megjithatë ngjiteshin në të. Shpresoja që do të shkonte në Shkup, atë shpresë sigurisht e kishin edhe fatkëqijtë, por radioja lajmëronte që zyrtarët e përtejkufirit nuk do ta lejonin këtë armatë refugjatësh të kalonin në vendin e tyre. Druaja që treni do të ndalej në mes të kufirit, në tokën e askujt. Sigurisht i zbraznin vagonët me udhëtarë, policët ua shkrepnin nga një breshëri prapa veshëve, duke i shpërndarë fushës me baltë. Treni kthehej bosh për t'u mbushur sërish me refugjatë të tjerë, që prisnin të përhumbur e të hutuar në platformë. 
    Po sikur treni të shkonte në Beograd? Një rrëqethje ma përshkoi palcën kurrizore. Trenat bartën shumë bashkëkombës tanë në kryeqytetin e tyre. Kurrë nuk u kthyen. Në stacionin e kryeqytetit të tyre do t'i zbrisnin, do t'i rreshtonin, duke i ndarë burrat nga gratë, i veçonin edhe fëmijët nga prindërit, pastaj i nisnin nëpër kampe. Pamjet e ngjashme i kujtoja nga Lufta e Parë Botërore, pastaj pas Luftës së Dytë,  kur i hipën në tren mijëra bashkëkombës, kinse të zënë robër, duke i detyruar të parakalonin me pranga në duar nëpër qendër, përderisa kryeqytetasit i shihnin me kërshëri, ose u duartrokisnin xhandarëve të tyre sypatrembur që godisnin ndonjë rob të pabindur. Sa herë i botova këto pamje të zymta në gazetën ku punoja. 
    Po kësaj radhe ç'do të bënin me ta? Do t'i hidhnin në lumin e madh të tyre, ashtu si i hodhën boshnjakët para disa vjetësh në lumin Drina. Tmerri ma mbërtheu trupin. Qarkullimi i trenave me vagonë të pafundmë, ku i futën edhe vagonët për kafshë, ma  kujtonte këtë dramë. Sigurisht u zihej fryma në hapësirën e ngushtë, luftonin për pak ajër, shtyheshin, përpiqeshin të bënin vend, të preheshin, sepse tërë ditën ndenjën në këmbë, por më parë mbështeteshin në njëri-tjetrin sesa që mund të pushonin eshtrat në ndonjë ulëse.
"Ku shkonte ky tren?" 
"Në ferr", m’u përgjigj kipci im.
"Në ferr?"
"Por nga ferri askush nuk u kthye", ma paralizoi trurin përgjigjja ime që nuk doja t'ia ktheja kipcit. 
 "Pse mos mendove që po i gatisin për maskenball", më zgërdhihej me cinizëm hija ime cinike, e pafuqishme të ndryshonte situatën.    
    Me t’u ngarkuar refugjati i fundit pasdite vonë, fusha përreth stacionit m’u duk e zbrazët, e trishtë, humbëtirë. Pak orë më parë gumëzhinte nga zërat, thirravaje të fëmijëve, britmat e burrave, ofshamat e plakave. 
    Treni nuk u kthye më. Një erë bartte copa gazetash e qese najloni sipër platformës e tej humbëtirës. Grumbuj plehrash të shpërndara gjithandej. Shkretim e braktisje. Shinat e trenit nxinin. 
Më mbërthyen ngashërimet.

Freitag, 31. März 2017

Vera Istrefaj

 Vera Istrefaj
        Vera Istrefaj është lindur në Kukës më 1 nëntor 1975. Që në vegjëli ka botuar vjersha dhe skica në shtypin e kohës. Në vitin 1991 është paraqitur në një Almanak të krijuesve me 76 poezi dhe me një skicë. Që prej asaj kohe ka botuar herë pas here brenda dhe jashtë Shqipërisë në shumë media të shkruara. Ka qenë pjesëmarrëse në shumë konkurse letrare ku edhe është nderuar me çmime.
        Eshtë juriste në profesion dhe është aktiviste e shoqërisë civile, avokate e të drejtave të njeriut me nje experience 20- vjecare. 
        Eshte koordinatore e rrjetit “ Barazi ne vendimmarje” per Qarkun Kukes.
        Në vitin 2009 është nderuar me “Mirënjohje për kontributin e dhënë në komunitet” dhe është përzgjedhur një ndër 10 personat më aktivë në rang kombëtar. 
        Është e martuar dhe është nënë e dy djemve. Punon e jeton në Kukës, ku eshte kryetare e “Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqiperise” – Dega Kukes.



Ka botuar librat:

  1. "Shiu i fundit", 
  2. "Nënqeshja e ëmbël", 
  3. "Në akuj digjem", 
  4. “U jepem udhëve" , 
  5. “Qielli I shpirtit tim”, 
  6. “Vese shpirti” dhe 
  7. “Lirikat e Pikellimes



Poezi nga Vera Istrefaj


DIMRI

Dimri
përqafoi fuqishëm
brishtësinë e supeve

Peshë e bardhësisë
rëndueshëm
ngrin vështrimet

Pas hapave nëpër qytet
mbetet heshtja,
heshtje  që klith
ngricave të shpirtit

Tutje në horizont
ngrirë shpresa

Degëve të blirëve
hallet nxijnë




ABSTRAKSION

Tutje darë e mendimit,
librin e ëndërrave
mos ma shfleto!

S’po i gjej dot një varr
trishtimit





IMAZH

Mbi liqe
ngrica e zezë zuri vend

U terruan shpresat

Dridhet zemra
si gjethe vjeshte
furtunave të shpirtit

Po fundosen ëndërrat




Ç`TRISHTIM

Kjo mjergull
si mjekra e plakut të moçëm
na është varur shpirtit

Na i ftohu ëndërrat
e na njomi trishtimin

Në dhimbje eshtrash
shtriqet kjo mjergull,
mjegullon vështrimin

ç`trishtim





SHPRESË

Buzëqeshjes
mos ia mbyll derën

Lëre të dritojë
nëpër shpresë

Mbi trishtim lëre,
si lule me vesë



KUJTIME

Mbi tym mendimi
nje tufe dëborë
flokëve si kurorë

Deshpërimit
noton zemra

E në shpirt mbeten
gjurmë të paemra




VJESHTË NË SHPIRT

I kanë ikur gjethet 
pemës së shpresës

Lulja zhuritur
mungesës  së vesës

Nisur në udhëtim
vjeshta e vonë,
shpirtit  të trazuar




FLATRA NË FJALË

Le t’i nisin fjalët
pranga për to s’kam

Po më rimon shpirti
si ky shi mbi xham

Vargu flutron
petal më petal

Me rrezet e shpirtit
ngrohur  e kam
e udhëtimin e tij
asgjë s’e ndal




Ç`TI  JAP  ETJES?

Shpirti,
kjo letër ku dhembja shkruan

Zemrës
i jep flatra veç gëzimi

Nga mendimi
truri vuan

Më pushton trishtimi

Ç`ti jap etjes?




AKULLI I KOHËS

Në skërmitje dhëmbësh
akulli i kohës
më mundon,
e zjarri i zemrës,  bubulak
shkrumbon

Sa pak kërkoj nga jeta,
sa pak!

E s`më ofron
asgjë




KRISTAL NË SY

Më mbetën sytë 
drejt derës

Pres të më vish
si syth i pranverës

Mureve të zemrës
përplaset etja për ty

E portreti yt,
kristal në sy,
imazh 




NË PRANVERËN E SHPIRTIT

Livadhet e ndjenjave
më  blerojnë
çdo pranverë

Pas cdo dimri
zemra me çel

E pranvera e  hershme
bleron shpirtit

Si një kopësht me lule
ku dehemi ne të dy




VALË ZEMRE

Këngë e pakënduar
valë e zemrës time

Në pentagram
dridhjet e shpirtit

Kujtimet
vallëzojnë trazirave

Nostalgjia,
ra mbi zbrazëtinë
e etjes sime




IMAZH NË IKJE

Pendë të argjendta
zogjtë e shpirtit

Edhe kalimin dembel
nga teli në tel

Gjalica rëndon
nën të bardhin mantel

Dimri po rrëshqet
duke mbretëruar
nën këmbë tona




ACAR

Kjo vjeshtë
la gjurmë në shpirtin tim

Etjen
nuk ma shoi
shija frutore

E tani,
etjen ma ngriu në buzë
një flokëz dëbore

Një putje e acartë
ngriu qiellit, 
puthje e kristaltë




KRAHASIM

Stinën e mjergullës
të gjatë e pati ky vit,
mjaft të gjatë

E ftohtësinë
lak në fyt.

Tymnajë
në kokat e njerëzve,
tymnajë.

Ç`ti japim qiellit
në këtë etje shekulli?

Përpëlitet etja
në funde oqeanore, 
e tymnaja jonë
na tërheq për dore.


Mittwoch, 4. Januar 2017

Lufta e Vlorës në memorien e kombit

Prof. Asc. Dr. Zaho Golemi

Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, i drejtoi në datën 3 qershor 1920, komandës italiane në Vlorë një ultimatum: Të iki nga Vlora!
Gjeneral Piaçentini u përgjigj vetëm me fjalët: “Përgjigjen shqiptarët do ta marrin vetëm nga grykat e topave”


Akademia e Forcave të Armatosura

Në qoftë se Kongresi i Lushnjës foli me gjuhën e diplomacisë, gjashtë muaj pas Kongresit kishte ardhur koha të flitej me gjuhën e pushkës për të fituar atë që në gjuhën e historiografisë quhet “Pavarësia e Dytë shqiptare”. Për këtë qëllim patrioti Osmën Haxhiu, thirri më 29 maj 1920, kuvendin e Barçallasë, i cili me rreth 200 delegatët nga të gjithë fshatrat e Labërisë, zgjodhi Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare, Komisionin e Luftës me 12 anëtarë dhe Këshillin e Luftës me 30 anëtarë si dhe komandantët e çetave të të gjithë fshatrave.

Është fakt i njohur historik se për organizimin e kryengritjes së armatosur kundër pushtuesve italianë, 94 vjet më parë flitej në çdo shtëpi shqiptare. Italianët kishin pushtuar një pjesë të trojeve tona të jugut, qysh në vitin 1914, kur filloi Lufta e Parë Botërore. Për aksionin politik dhe ushtarak u fol dhe në Kongresin e Lushnjës në janar të vitit 1920. Por qeveria e Tiranës ishte lënë “mënjanë”, nga ky aksion ushtarak me vlerë themelore për ekzistencën e kombit shqiptar. Lufta përfshiu masivisht gjithë fshatrat e qytetet e jugut të Shqipërisë. Janë të evidentuar saktësisht 89 komandantët e çetave të luftës me një shtrirje mjaft të gjerë që i dhanë kësaj lufte formatin e kryengritjes antipushtuese të nivelit kombëtar. Në këtë Kuvend u vendos që Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare, t’i drejtonte komandës italiane në Vlorë një ultimatum, për t’i dalë borxhi kësaj të fundit, dhe të bëhej një zgjidhje paqësore. Në datën 3 qershor të vitit 1920 që nga Beuni ky ultimatum ju dërgua gjeneral Piaçentinit me anën e trimit dhe patriotit Mehmet Selim Mallkeqi, që e morri vullnetarisht këtë detyrë. Gjeneral Piaçentini u përgjigj vetëm me fjalët: “Përgjigjen shqiptarët do ta marrin vetëm nga grykat e topave”.

Kështu, mbas kthimit të Mehmet Selim Mallkeqit, u vendos që më 5 qershor 1920 do të bëhej sulmi i përgjithshëm. Zjarri i saj vazhdoi me heroizëm në Kotë, në Gjorm e Llogora që ishin tre nga betejat më të mëdha e më të rëndësishme të Luftës së Vlorës që çuan në shpartallimin dhe largimin përfundimtar të ushtrisë italiane nga Vlora dhe rrethinat e saj, më 3 shtator të vitit 1920. Krismën e pushkëve, topave dhe mitralozave në Vlorë e dëgjuan edhe Fuqitë e Mëdha: francezët, amerikanët, italianët dhe britanikët që ishin fitues të Luftës së Parë Botërore. Komisioni i Luftës kishte këtë përbërje: Osman Haxhiu - Vlorë Qazim Kokoshi – Vlorë, Murat Miftari – Tërbaç, Alem Mehmeti – Tragjas, Hamit Selmani – Dukat, Duro Shaska – Kocul, Hysni Shehu – Sevaster, Beqir Sulo Agalliu – Vlorë, Myqerem Hamzarai – Kaninë, Qazim Koculi – Kocul, Sali Bedini – Armen, Ali Beqiri – Velçë, Azbi Çano – Mavrovë. Komandant i Përgjithshëm i Luftës fillimisht u caktua Ahmet Lepenica, i cili pas gjashtë ditëve dha dorëheqjen dhe në vend të tij u zgjodh Qazim Koculi. Ai e kreu këtë detyrë deri në përfundim të luftës. Në nderin dhe respektin e thellë për 150 dëshmorët e Luftës së Vlorës, por dhe më shumë se 400 të plagosurve përkulet në çdo përvjetor shqiptarët. Lufta kishte heronjtë e vet të shquar e të çmuar si Zigur Lelo, Selam Musa- Salaria, Hodo Zeqiri, Kanan Mazja, Sali Vranishti, Osman Haxhiu, Sado Koshena, etj.. Duke gërmuar në shkrimet periodike të kohës gjejmë këtë pasazh të rëndësishëm nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, i cili përmend një fakt shumë të rëndësishëm: “Në vitin 1985 kur i madhi Petro Marko shëtiste nëpër rrugët e Vlorës, në Muradie, në shkollën "28 Nëntori" -tha se- "do vijë dita që në sheshet dhe rrugët e Vlorës dhe në shkollat tuaja ju do të shihni fytyrat e apostujve të shqiptarizmës, si Marigo Pozio, Jani Minga, Osman Haxhiu, Halim Xhelo, Zigur Lelo, Sali Vranishti dhe gjithë patriotëve të tjerë që me pushkë e penë bënë Shqipërinë”.


Ultimatumi i Luftës së Vlorës – vlerë për studiuesit.

Përmbajtja e ultimatumit e përmbledhur sipas librit "Lufta e Vlorës" të autorit Ago Agaj, të shkruar në Egjipt dhe të botuar në Toronto-Kanada:

“Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Nr. 6 i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini,

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj 1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj sa vazhdon: ”Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit italian, se Italia e lirë nuk kish asnjë qëllim zaptimi të Vlorës e, qëllimi i zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast armiqësie ndërmjet Italisë e të Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, i’u desh më në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianeve në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepja e Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës, administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura Italia e lirë, pa u turpëruar ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një populli vogël si populli shqiptar nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë e cila duke ndjekur programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj. Por ky popull sot me i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në akant si kafshët në Pazar të Europës për të kënaqur lakmitë Italo-Greko-Serbe. Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet ti dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që shkëlqesia Juaj t’i përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19.00. Në rast të kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr asnjë përgjegjësi.

Me nderime: Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Osman Nuri, Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri. 3 qershor 1920


Kush e drejtoi Luftën e Vlorës?

Pesë Çetat më të mëdha dhe komandantët e fshatrave janë si mëposhtë vijon: (Duhet shënuar se Komandantët e vrarë u zëvendësuan menjëherë në fushëbetejë),

1.Çeta-Shullërit Komandant Kalo Telhai (dha dorëheqjen pas gjashtë ditëve) - Barjam Qamili, Ramica-Caush Tafili, Elmas Ademi, Bashaj-- Zigur Lelo, Zyber Musai, Dushan Qamili, Matogjin-Demir Mystehaku, Velçë-Caush Mehmeti, Hasan Hyso, Vajzë-Çoban Nuredini.

2. Çeta-Kudhës Komandant Rrapo Çelo, Sevaster-Hamit Mahili Dushkarak-Qëndro Fega, Shkoza-Kanan Maze, Mane Aliu Rexhepaj-Halim Rakipi, Mërtiraj-Salo Islami.

3. Çeta-Dukat Komandant Sheme Sadiku, Dukat-Hodo Zeqiri, Muhamet Maze, Tragjas-Yzeir Muço, Sinan Mete, Radhima-Bilbil Sinani, Xhafer Asllani, Imer Radhima. 

4. Çeta-Lumi Vlorës Komandant Sali Vranishti, Vranisht-Azem Sulo, Daut Seferi, Bolenë -Mato Robi, Kallarat-Feim Çelo, Tërbaç-Selman Hyseni, Selam Abazi, Lepenicë-Sheme Jazo, Gjorm-Selam Hasani, Gumenicë-Bajram Mehmeti, Deli Bajrami, Lapardha- Selim Suleimani, Drashovicë-Hysni Fallani, Vërmik-Neim Braka, Brataj- Memo Meto, Kuç-Xhafer Aliko. 

5. Çeta e Fëngut, Komandant Muço Aliu, Treblovë-Hakim Hyseni, Kocul-Lilo Hakani, Bylysh Latifi, Mavrovë - Isuf Rustemi, Romës- Mehmet Musai, Mallkeq-Mehmet Selimi, Armen-Fejzo Islami, Karbunar- Muhamet Cenaj, Gërnec- Dushan Kaçi. Të painkuadruara në këto pesë çeta ishin si mëposhtë vijon: Kanina-Komandant Beqir Velo, Muhamet Bedini, Mustafa Bega Topalltia- Kom. Neki Hoshtima Narta- Kosta Mano Çeprat- Vesel Çeprat Trevllazri- Kom. Qazim Ismaili, Ahmet Hoxha Në Vlorë erdhën shumë çeta nga të gjitha anët e vendit: Çeta e Salarisë me Komandant Selam Musai Kurveleshi- Kom. Riza Runa Mallakastra- Kom. Bektash Cakrani, Kamber Belishova, Hysni Toska Mallakastra e egër- Kom. Halim Hamiti Skrapari- Kom. Riza Kodheli Berati-Kom. Seit Toptani, Izedin Vrioni Peqini-Kom.Adem Gjinishi Gjirokastra- Javer Hurshiti, Xhevdet Picari Çamëri-Alush Seit Taka, Muharem Rushiti Korça Kom. Kapiten Ferit Frashëri Sami Koprencka, Tosun Selenica Tirana-Ismail Haki Kuçi, Ismail Haki Libohova. 

Nga Fushëbardha kishte 78 luftëtarë që drejtoheshin Novruz Bello zëvendëskomandant çete, por dhe Dervish Kërpaçi, Kasëm Golemi, Manxhar Muho, Neshat Çarçani, Belul Golemi, Xhelo Baho, Manxhar Shalari, Murat Cama, Belul Onjea, Jupe Proda, Lufto Kondi, etj.. Për këtë kënga e popullit thotë “Merri Vlorë djemtë tanë,/78 jataganë..”. Ndërsa nga Amerika erdhi edhe një çetë me në krye Aqif Përmetin dhe Kareiman Tatzatin; me Luftën e Vlorës u bashkuan edhe çetat ordinere të Shaqo Llapit, Duro Durmishit dhe Myslym Çorrit. Kishte edhe një grup artiljerësh me Kom. Azis Çamin dhe zëvendës Elmas Ademi, me artilier Xhafer Xhuveli dhe Avduraman Çiraku. Policia e luftës komandohej nga Shero Emini e Ahmet Lepenica. Të gjitha këto çeta dhe komandantët e tyre komandoheshin nga 12 anëtarët e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” dhe Komandanti i përgjithshëm Qazim Koculi. Në organizimin e luftës ishte edhe gjykata, me Kryetar Neki Xhenetin, prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi anëtarë gjyqi Sif Kedhi e Agjah Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami nga fshati Kallarat e Halim Xhelo nga fshati Tërbaç. 

Pas luftërave të ashpra u çlirua Kota dhe Drashovica, komanda dhe qendra u vendos në Drashovicë. Pas disa polemikave u caktua Qazim Kokoshi prefekt. Një nga problemet më të rëndësishme të luftës ishte furnizimi me ushqime dhe municion. Xhafer Ypi, Prefekti i Beratit, vendosi t’i sjell deri në lum pranë Selenicës të gjitha ndihmat e qeveris. Kryeministri Sulejman Delvina dhe ministri i brendshëm Ahmet Zogu ishin dy njerëzit më të fuqishëm, që përkrahën pa rezerva Luftën e Vlorës. Dy nga anëtarët e “Komitetit” Sali Bedini dhe Duro Shaska bënë organizimin e Vllehëve të zonës, të cilët me në krye Kol Kitën, me karvanet e kuajve, e shpinin furnizimin në magazinat e Llakatundit, Picarit, Lubonjës dhe prej andej në Kotë ku merrej në dorzim nga Ali Gjiriti dhe Izet Borshi. Përfaqësus i luftës pranë qeverise ishte ministri fuqiplot Spiro Jorgo Koleka. Himara kishte përfaqësues të saj Naqe Konomin. Spitali në Kotë drejtohej nga Dr. Sezai Çomo, për mjekimet përdoreshin mjekët italian të zënë rob dhe dy amerikan që kishin ardhur për ndihmë me kryqin e kuq. Me ilaçe furnizonin farmacitë e Rexhep Hitos, Syrja Libohovës, Fadil Kotonit, Nazif Halites dhe Kryqi i Kuq Amerikan. 

Në Vajzë u grumbulluan robërit dhe Komandant i kampit të robërve ish vendosur Rexhep Suleimani. Teksti i ultimatumit për Piaçentinin u përgatit nga Avdul Kuçi dhe u dorëzua nga Mehmet Selim Mallkeqi, i shoqëruar nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti. Përkthimin e ultimatumit e bëri Ulise Bozo i cili shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve. Ngjarjet e Vlorës gjetën jehonë edhe në shtypin e kohës. Kështu u pasqyruan në gazetën “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj.. Lufta e shqiptarëve çudiste europianët se si një popull i paarmatosur po luftonte me një nga fuqitë e kohës e po triumfonte. Gazeta shkruanin për këto ngjarje të pabesueshme dhe jo vetëm. Lufta kishte hyrë në këngët e popullit: 

“Europa shkruajnë e thonë,/ç’është kështu që dëgjojmë,/bëhet dyfek në Vlorë,/shqiptarët po luftojnë,/me një mbret dyzet milionë./Po me se luftojnë vallë?/Me sëpatë me hanxharë,/dyfeqet lidhur me gjalmë,/fishekët në xhep i mbajnë”. 

Fakt është se Shoqëria “Vatra” e Amerikës dërgoi “Bandën muzikore” të shoqërisë së bashku me trupat vullnetare dhe bandën e drejtonte muzikanti Thoma Nasi. Në Vlorë ishte edhe një bandë e dytë muzikore që quhej “Afërdita” dhe kishte ardhur për ngritjen e moralit të luftëtarëve të Vlorës nga Elbasani. Nuk mbetën pas as fetarët e klerikët në këtë luftë, ku spikasin Babai i Teqesë Tepelenë Ahmet Turhani Baba Xhaferi Përmet, Don Marku, myftiu Osman Muka etj.. Një rol të veçantë pati edhe Xhovani Valencia, arbëresh magazinier në Panaja, i cili u dorëzoi magazinat e municioneve shqiptarëve, duke rrezikuar veten dhe familjen me këtë veprim plotësisht në interes të çështjes shqiptare.
___________
Marrë mga Gazeta Telegraf.al

Isuf Rustem Mavrova

Isuf Rustem Mavrova (Osmanaj) lindi në fshatin Mavrovë, Vlorë, në vitin 1879 nga një familje e pasur nga ku trashëgoi edhe titullin "Aga". Në rininë e tij të hershme (1896), nuk pranoi të shkonte ushtar (nizam) në dhe të huaj dhe doli maleve si luftëtar (komit) bashkë me patriotë të tjerë si Selam Musai nga Salaria, Rrapo Meto nga Vranishti e Laze Malua nga Tërbaçi.

Isuf Rustem Mavrova ka qënë një njeri me reputacion të madhë në të gjithë krahinën e Lumit të Vlorës. Ka marrë pjesë në : kryengritjen e përgjithshme anti-osmane të vitit 1910-1911; në luftimet e vitit 1912 në Qafën e Llogarasë kundra forcave greke në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit; komandant çete i fshatit Mavrovë në Luftën e Vlorës (një nga çetat përgjegjëse në rrethimin e Kotës dhe vrasjen e gjeneralit italian Gotti) ku u plagos rëndë; si fanolist, u plagos përsëri në Karbunarë të Lushnjes duke luftuar kundra forcave serbe dhe menshevike (siç e ka pohuar edhe vetë Isufi djemëve të tij, serbët dhe menshevikët ishin veshur me kostume popullore të shqipërisë së veriut) më 1924 që sollën Zogun në pushtet mbas revolucionit demokratik të kryesuar nga Fan Noli; gjithashtu pjesëmarrës me çetën territoriale, edhe pse në moshë të thyer, në Luftën e Dytë Botërore kundra forcave gjermano-balliste në betejen që u zhvillua në fshatin Drashovicë të Vlorës. 
Vdiq pak kohë pas kësaj beteje, në vitin 1943, në shtëpinë e tij në Slap të Mavrovës. 

Ai la pas një trashëgimi pratiotike dhe atdhedashëse tek fëmijët e tij: Gjeneral Bejto Isufi (Osmanaj), Kolonel Aranit Osmanaj, Dr. Nuredin Osmanaj (gjeolog) dhe Ervehe Osmanaj (mësuese). 

(Wikiwand.com)

Eposi i kreshnikëve

Eposi i kreshnikëve (ose Cikli i kreshnikëve) janë këngë epike, ku këngët kryesisht shoqërohen me lahutë.

Këngët shqiptare të Eposit të Kreshnikëve janë cikël këngësh epike heroike legjendare. Ato radhiten ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore të shqiptarëve. Eposi i Kreshnikëve është jehonë poetike disa shtresore e jetës së përbashkët (sh.VI-VIII), por edhe e konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllavë të jugut në Iliri (Ballkan). Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve. Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958)kruetari pajtohet se këto këngë «rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800». Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore.

Zonat ku eposi këndohet janë të shumta në Shqipërinë e sotme. Mendohet se ai është i pranishëm në zonat si Malësia e Madhe, Dukagjin, Has e shumë rrethe të tjera. Përveç territorit të Shqipërisë, cikli këndohet edhe në zonat e Kosovës, si Pejë, Gjakovë, Prizren, Deçan, Rahovec e të tjerë. Në qendër të këtij eposi, qëndrojnë dy vëllezërit Muji dhe Halili. Në epos tregohen historitë e të dy vëllezërve, si edhe ka edhe një këngë ku përfshihet vajtimi i Ajkunës për birin e saj Omerin (aktualisht kënga "Ajkuna qan Omerin" ose e njohur ndryshe edhe si "Vaji i Ajkunës").


Përhapja gjeografike, kërkimet dhe studimet

Kryesisht trojet veriore të banuara prej shqiptareve, sidomos mbi lumin Drini : nga bregdeti veriperëndimor deri në krahinat verilindore, duke përfshirë Krajën, Malësinë e Madhe, Dukagjinin, Nikaj - Merturin, Malësinë e Gjakovës, Sanxhak, etj.

Kënge të këtij cikli këndohen dhe në jug të Drinit, sidomos në Pukë, Lumë e Dibër. Ndonjë subjekt haset dhe në Lezhë, Krujë dhe krahinat veriore të Elbasanidt e të Librazhdit. Nëpërmjet malësoreve, të zbritur që nga fillimi i këtij shekulli e këtej, si edhe te kosovareve të shpërngulur, ato kanë ardhur deri në rrethet Elbasan, Durrës, Lushnjë e Fier. Per vec ketyre eposi eshe nje histori qe perban hiperbol.

Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut siç ishin Avdo Megjedoviq, Salih Uglla (Uglanin), Murat-agë Kurtagaj (Kurtagić) Husë Qorri Husoviq (Ćor Huso Husović), Ashir Qorraj (Ćorović), Kasum Rebronja, Xhemail Arnautoviqi, Ibro Musiqi, Xhyl Bahu (Bahović) etj.

Në shkence ai njihet me emërtimin eposi i kreshnikeve ose cikli i Mujit dhe i Halilit, kurse në popull - këngë kreshnikesh, këngë të Mujit e të Halilit, këngë të moçme trimash, këngë lahute etj.

Ky epos, që përbën një pjesë të rëndësishme të epikës legjendare shqiptare në përgjithësi, jeton jo thjesht si një relikt i nderuar dhe i çmuar etno - kulturor, por kryesisht për mesazhin e madh që sjell - rezistencën në emër të lirisë, të së drejtës e të dinjitetit, - si dhe për vlerat e larta artistike. Është mjaft elokuente bindja e thelle e malesoreve së "Këngët e kreshnikeve e burojnë njërin, e banjë trim, i shtien zemër të durojë plumbin, gjakun luftërat ku tresin meshkujt". Ja pse, sipas dëshmive të bartësve popullore e të studiuesve, këto janë kënduar tradicionalisht e janë dëgjuar me kënaqësi e nderim të veçante jo vetëm nder kuvendet e gjera popullore, nder dasma e festa të tjera apo pranë oxhakut te kullave karakteristike malësore netëve të gjata të dimrit, por edhe para fillimit te një beteje, madje edhe në zjarrminë e luftës. Ja pse shtëpia pa lahute, shtëpia ku s'këndoheshin këngë kreshnikesh, konsiderohej si "shtepi e lanun", që s'meriton respekt.

Për vete rrethanat e disfavorshme historiko-shoqërore të së kaluarës (pushtimi osman, niveli i ulet i zhvillimit ekonomik etj.), që kanë kushtezuar edhe gjendjen e shkencave shqiptare në atë kohe, interesi për eposin e kreshnikeve është i vone. Po të përjashtonim një fragment të shkurtër që botoi albanologu i njohur e i nderuar Gustav Majer (G. Mayer) më 1896 ("Albanesiche Studien" VI), do të duhet të thoshim se mbledhja edhe botimi i këtij eposi realisht filloi në krye të shekullit tonë, sidomos në vitet 20. Ndër botimet kryesore të gjertanishme do të mund të përmendeshin : "Epika legjendare", vëllimi I dhe II (1996, 1983), "Chansonnier épique albanais" (antologji frëngjisht, 1983) "Këngë kreshnike" (Prishtine, 1974).

Krahas botimeve me materiale faktike, filluan edhe studimet e eposit të kreshnikeve. Në fillim ato qenë kryesisht shënime të thjeshta e mbresa, që erdhën duke u thelluar e u zgjeruar disi gjatë viteve '30, për të arritur sot një nivel mjaft të kënaqshëm. Kurorëzimi i gjithë kësaj punë studimore u bë me simpoziumin "Epika heroike shqiptare", (Tirane, 20-22 tetor, 1983), ku morën pjese edhe mjaft studiues të huaj dhe materialet e te cilit u botuan të plota në përmbledhësin "Çështje të folklorit shqiptar", vëll. II dhe III (1986).


Tiparet kryesore

Eposi i kreshnikeve i ka të gjitha tiparet e zhanrit, por edhe veçoritë specifike, që lidhen me klimën historike-shoqërore e kulturore ku lindi, u rrit, u maturua e jeton. Se pari, ai ka tri veçoritë kryesore : epizmin, frymën heroike dhe legjendaritetin.

Eposi i kreshnikeve e pasqyron jetën në forme tablosh të gjera "objektive".

Frymëmarrja e gjere është e pranishme në çdo ind të tij : në përleshjet dhe dyluftimet homerike, në madhështinë e heronjve dhe të botës që i rrethon, në përmasat e larta dhe tradhtitë tronditëse, në ndjenjat dhe mendimet e thella (Muji, p.sh., kur mendohet "shikon barin kah po rritet"), në gjatësinë e poemave (mesatarisht dalin me 200, por edhe me 500, edhe me 1000 vargje), në gjatësinë e vargjeve (pëlqehet më shumë dhjetërrokëshi i bardhe - një varg me mundësi të gjera shprehëse) etj. Por epitetin objektive ne e vumë në thonjëza, sepse rapsodi shtiret sikur vetëm tregon objektivisht si kanë ndodhur ngjarjet, kurse në fakt ai mban një qëndrim të caktuar, qofte edhe duke lënë atë të nënkuptuar. Në të njëjtën kohë, në epos janë të pranishme, do të thoshim, me shumice, edhe detajet, situatat, trajtimet, personazhet e një reference lirike : dashuria midis vëllezërve e shokëve, dhimbja e humbjes së një personi të dashur, gëzimi i takimeve miqësore, ngjyrat plot shkëlqim të një peizazhi dhe lektisja para tij, portreti i një vashe. Një shembull për shprehës lirizmi është, fjala vjen, vajtimi i thekshëm i Ajkunes, gruas së kryetrimit, mbi trupin pa jetë të djalit të saj të vetëm. Veçse le të vihet re që edhe këtu gjithçka përthyhet nëpërmjet prizmit epik, ruan përmasat epike - dhembja e thelle e nënës, mallkimi i saj i fuqishëm, keqardhja e elementeve të natyrës dhe e bishave të malit :

Qyqe vetëm rrugën paske marre, / Kan’ zan’ vend yjt’ vajin me e ndie !/ Kur ka dalë nder Lugje t’Verdha, / Ather’ nana hanen ka mallkue : / - T’u shkri-mt’ drita ty, o mori hane, / Qe s’ na çove atë nat’ nji fjale, / N’ Lugje, t’ Verdha shpejt me dalë, / Bashk’ me hy n’nji varr me djale !... Kur ka shkue te varri i djalit, / Ka pa hin treqind vjeç ; / Ahi ishte rrema - rrema, / Nji ma t’bukurin mbi varr po e shtin. / Mir’ po pshtetet për deg’ t’ ahit, / Pikon loti mbi varr te djalit. Kanë lanë kangen zogjtë e malit, / Kanë lanë kangen me veshtrue ! / - Po a s’e din se kush ka ardhe, / Qe nuk çohesh për m’u fale, / More i miri i nanes - o ? / Amanet, o more bir, / Dil nji here ksi burgut t’ erret, / Fol me nanen që t’ka rrite : / S’ m’ ke lan’ kurrë kaq shumë më prite ! . . . / More Omer i nanes - o! / A thue Gjogun me ta prue ? / Dil nji her’ për me lodrue, / Bjer nder gurra me u freskuè , / Kërko majat bashk’ me zana, / Se ty varrin ta ruen nana, / More i miri i nanes - o !...

Edhe rrëfimi është gjithashtu epik. Ai është plastik, monumental, i gjerë, solemn, shpesh mjaft i hollësishëm, zakonisht i shtruar, me një qetësi sublime, pa ekzaltime, eufori e kuje, me një force të brendshme e të natyrshme. Në të zëne vend të gjerë përsëritjet e formave të ndryshme ("Kqyr çka bani krajli për me ba", "Pak u vonue, shum’ s’ u vonue"), deri në përsëritjet e gjera epike, intonacioni zakonisht horizontalisht ose me dallgëzime të lehta. Edhe melodia që shoqëron poezinë është e qetë, kendohet recitative, disi monotone, por e thelle, si jehone malesh e kohësh të lashta. Ajo dëgjohet me endje, sepse plotësohet nga dramaticiteti i ngjarjes, nga efekti i fjalës a i figurës poetike.


Fryma heroike

Eposi shqiptar i kreshnikeve, siç del edhe nga kuptimi që ka marre fjala kreshnik , është një epos heroik. Fryma heroike e përshkon atë fund e krye ; me brumë heroik është ngjizur çdo strukturë e mikrostrukturë e tij.

Veçse këtu heroizmi nuk del si diçka e jashtme, si vetëmburrjes a si mjet për të tërhequr simpatinë e dikujt. Ai është krejt spontan, genuin, i brendshëm, buron nga domosdoshmëria e rezistencës dhe e përballimit të rreziqeve e të vështirësive. Eposi e paraqet heroizmin si mënyre mendimi, sjelljeje a veprimi, që ve në qendër të sistemit të të gjithë vlerave trimërinë, vetëmohimin, që i quan ato atribute të pandara te një mjedisi shoqëror të përcaktuar etnikisht, të një mënyre të veçante organizimi shoqëror. Ai e trajton heroizmin si një tradite të lashte, si një kult të vërtete, si një model etnokulturë të kristalizuar, madje të sakralizuar, gjatë shekujve : Zoti t’ vraft, bre Krajle Kapidani, / Pes’ dekika liri me të dha -ne. / Tjetër t’ mir’ në t’ paret s’na kan’ lane, / Kurrnja nësh veç mos me dek’ në t’ shkrue -me, / Por me shpata m’ u pre tue kendue.


Legjendariteti

Këtë veçori ia jep eposit të kreshnikeve tipi i mendimit poetik mbi bazën e të cilit ai është ngjizur e që mëshiron. E ky është mendimi poetik legjendar, një tip mendimi poetik karakteristik për një shkalle të caktuar të zhvillimit shoqëror e që, siç dihet, i paraprin mendimit poetik historik.

Ky tip mendimi përben themelin specifik të eposit të kreshnikeve si zhanër me vete, përcakton mënyrën e përvetësimit të realitetit prej këtij eposi, mënyrën e raportit midis së vërtetës artistike dhe së vërtetës historike, natyrën dhe tere sistemin e mjeteve shprehëse. Thelbin e këtij mendimi e përben fondi i gjerë i elementeve mitike, përrallore, fantastike, që e shpreh realitetin në mënyre të legjendarizuar, jo sipas parimeve të ngasjes a të mundësisë, por, në radhe të pare dhe kryesisht, sipas parimeve të së mrekullueshmes.

Një nder shprehjet e këtij tip mendimi në eposin e kreshnikeve është prania në të e një lende të gjerë poetike që, për nga origjina, lidhet drejtpërdrejt ose tërthorazi me mitologjinë, kryesisht vme poetiken mitologjike. Midis morisë së elementeve të kësaj lende do të mund të përmendeshin : një varg figurash mitike, tipike shqiptare, që veprojnë në epos me cilësinë e personazheve artistike (zanat, të lumet e natës, orët, /shtojzovallet, gjarpërinjtë që u japin force kreshnikeve ose u shterojnë plagët) ; zogjtë që paralajmërojnë ngjarjet ose marrin e shpien amanete ; vende të kulteve pagane (Mrizet e Mëdha, Lugjet e Verdha, krojet, pyjet, shpellat) ; trupat qiellore që komunikojnë me njerëzit ose "marrin ndore" (Dielli, hëna, yjet) ; "shpjegimet" e origjinës mitologjike të kreshnikeve (Muji u bë i tille, p.sh., nga që piu "tamel gjini nga zanat) ; lindjet dhe rritjet e mrekullueshme (p.sh. maturimi si kreshnik që në moshën shtatëvjeçarë) ; ngurosjet dhe çngurosjet e heronjve ; vdekjet dhe ringjalljet ; metamorfozat e lloj - llojshme fantastike (p.sh. kthimi i njeriut në qyqe) ; mjetet ndihmese të mrekullueshme ose, siç janë quajtur ndryshe, mjetet magjike (unaza magjike, qumështi i gjirit të nënës, lëngu i luleve, uji që shëron sytë, molla e arte) ; kundërshtaret përbindësha (Arapi i zi, Bajlozi) ; etj. Mbi themelet e poetikes mitike, është sajuar edhe gjithë ai sistem figurash hiperbolizuese ose personifikuese.

Duhet thëne veçse e gjithë kjo lende mitologjike në epos e humbet karakterin sakral, deri- diku zhvishet nga besimi në të si realitet dhe kthehet në lende estetike, në lende që ndihmon njohjen dhe pikturimin e realitetit sipas ligjeve artistike që ndihmon për të theksuar ide të caktuara e për të karakterizuar personazhet e situatat. Kuptohet atëherë së eposi nuk mund të identifikohet me mitologjinë.

Si shprehje tjetër e mendimit poetik që përmendëm, i cili përforcon karakterin legjendar të eposit, do të mund të kuptohej edhe poetika përrallore, e zhveshur nga vetëdija e mirëfillte historike dhe mbi bazën e së cilës janë krijuar me një bukuri të rralle figurat e motivet imagjinare fantastike.

Ne fakt edhe pse në epos historia ndihet qartë e buçet pas çdo situatë a personazhi, jepet jo aq me detaje konkrete, reale, por në mënyre globale, në trajte ideali, si lëng historik ; edhe pse është e pranishme, mjegullohet, errësohet nga hija e personazheve dhe situatave madhështore. Prandaj këtu si në baladat legjendare, përrallat legjendare, koordinatave historike të kohës e të hapësirës u mungon saktësia e plotë, ka diçka të përcaktuar. Me sakte do të mund të thuhej se këtu historia përthyhet nën prizmin e poetikes legjendare, koha dhe hapësira janë kohë dhe hapësire epike, jo identike me kohën dhe hapësirën reale.

Në eposin e kreshnikeve nuk kemi lëvizje lineare të kohës historike. Këtu zotëron përfytyrimi i një kohë konvencionale, që nuk i nënshtrohet datimit, që nuk e përfill kronologjinë, që rrjedh ndryshe nga rrjedha reale dhe historike e saj. Në epos koha mund të ndalet, të kthehet prapa, të ngadalësohet a të përshpejtohet (jo rralle, p.sh., dielffli e ndal vrapin e tij, nata zgjatet, pranvera vjen me shpejt). Kjo bën që edhe ngjarjet të mos vijnë gjithmonë njëra pas tjetrës, sipas një rendi real kohor, por të mund të nderojnë vendet ose të ecin paralelisht. Nga ana tjetër, koha është thuajse gjithmonë e shkuar e largët, gjë që duket edhe të shprehjet : "Një here e një kohë", "Kështu m’kanë thanë se â ba moti" etj.

Në eposin shqiptar të kreshnikeve karakterit konvencional, epik të kohës i përqaset edhe karakteri konvencional i përfytyrimeve për hapësirën. Edhe këtu kemi diçka të përcaktuar. Hapësira, si të thuash, jepet në vija të trasha e ndahet po kështu në botë të heronjve e në botë të huaj. Rrjedhimisht koncepti i eposit për hapësirën nuk përkon plotësisht me vendbanimet reale historike, edhe kur aktivizohen toponimet e tyre. Në të njëjtën kohë, sipas poetikes legjendare, në një bote të papërcaktuar, sidomos kur ajo është e largët, ashtu si në kohën e largët, mund të ndodhin lloj-lloj çudirash, të hasen të papritura dhe vështirësi që përballohen vetëm nga guximi dhe forca e kreshnikeve. Kështu që papërcaktueshmëria dhe largësia relative kohore dhe hapësinore nuk janë vetëm rezultat e legjendaritetit, por edhe mjaft për ta rritur atë, për të rritur karakterin e jashtëzakonshëm dhe prestigjin epik të ngjarjeve.

Diçka e tillë vihet re edhe tek antroponimia e të vlera e numrave. Për eposin ka rendësi jo emri i personazheve, por qenësia, përmbajtja, karakteri, profili artistik, botëkuptimi dhe psikologjia e tyre. Prandaj emrat edhe mund të ndërrohen. Në fakt në eposin shqiptar të kreshnikeve një pjesë e mirë e personazheve mbajnë emra myslimane. Ky është rezultat i kohës së sundimit osman (fundi i shekullit XV-1912) e ka ndodhur edhe me krijime të tjera të lashta poetike shqiptare, të cilat tek arbëreshet e Italisë, si dhe në mjaft krahina të vendit, ruajnë edhe sot e kësaj ditë personazhe me emra më të hershme të krishtere : Kostandini i Vogelith, p.sh. (heroi që rikthehet ditën e martesës së gruas), është riemëruar Ymer Aga, Kostandini tjetër (vëllai i vdekur që ringjallet për të plotësuar fjalën e dhëne, - të çoje pranë gjinisë motrën e martuar larg) është kthyer në Halil Garria, Hyseni i vogël etj. Madje në ndonjë rast procesi i islamizimit ka mbetur në mes : në një variant të baladës së rinjohjes motër-vëlla, vëllai quhet Gjon Pretrika (emër i krishterë), kurse motra Fasilet (emër mysliman) ; tek emri i një kreshniku Gjergj Elez Alia - pjesën e parë e kemi të krishtere, kurse të tjerat myslimane. Edhe një varg numrash (përdorim me të gjerë kanë : 3, 7, 9, 12, 30, 40, 300) nuk kanë vlere reale, matematike, por janë kryesisht konvencionale, numra epike klishe (përdoren, p.sh. për të dhëne idenë e shumicës e të madhësisë).


Karakteri polistadial

Vete lënda poetike e eposit shqiptar të kreshnikeve dëshmon se ai nuk është krijuar njëherësh. Si çdo fenomen tjetër artistik ai ka pasur lindjen, veterritjen, maturitetin dhe pleqërinë e tij me një shtrirje të gjatë në kohë. Gjatë kësaj kohë çdo periudhë historikë i ka dhëne eposit një lende të caktuar historiko-shoqërore e poetike, ka lënë vulën e saj në të. Prandaj eposi, ashtu siç na erdhi që kur filluam ta njohim, u ngjan dëborave alpine ku shtresa zë shtresën, ose një pikture të vjetër mbi të cilën janë hedhur shtresime të reja. Kjo i jep atij karaktër të spikatur polistadial. Sigurisht, vete poetika legjendare që zotëron në epos, fakti që ai, si formë artistike, disi e "tjetërson" realitetin e mund të aktivizoje edhe në kohë të vona, lende me origjine poetike të stërlashte, përzierja në ndonjë drejtim i lendes së shtresave të tij, bën që këto të fundit të mos dallohen lehte ; por folkloristika shqiptare ka dalluar tashme qarte mjaft prej këtyre shtresave.

Gjithsesi, janë krejt të dallueshme dy shtresa, ajo paraosmane dhe ajo pas pushtimit osman. Në të vërtete shtresa pas pushtimit osman është tepër e hollë në krahasim me të paren. Ajo përbehet kryesisht nga emrat myslimane të disa kreshnikeve, nga armët e reja që hasen ndonjëherë (armët e zjarrit), nga ndonjë element të leksikut me prejardhje osmane, nga ndonjë incident i rralle11 ose këngë (si të tillë kemi vetëm një), që i bën jehonë konfliktit shqiptaro-osman. Kjo është një shtresë që i është hedhur eposit tonë si një farë pelerine e lehte e plot të çara, të cilën eposi mund ta rrezoje vetëm me një lëvizje të shpatullave të tij të fuqishme.

Shtresa tjetër, paraosmane, është shtresa bazë e eposit, që i jep atij fizionominë ideoartistike si një formë e veçante folklorike. Ajo është pakrahasimisht më "e trashë", e plotë dhe e rëndësishme sa shtresa pasosmane. Është pikërisht kjo që zbulon dhe e përcakton eposin si zhanër, si formë të veçante folklorike, si monument artistik, me volumin, strukturën dhe formën e tij. Ajo përbëhet nga gjithë ato elemente që u përmenden më lart, kur u fol për karakterin legjendar të eposit, si dhe nga gjithë problematika themelore, lënda baze historiko- shoqërore, etnografike, muzikore etj., për të cilat do të flitet më poshtë. Por edhe brenda kësaj shtresë dallohen nënshtresa të ndryshme. Kuptohet se, për arsyet që u përmenden, dallimi i tyre është disi me i vështirë dhe kufijtë më pak të përcaktuara. Kështu, në epos gjejmë elemente të matriarkatit (vendi i veçante i nënës, në një kohë kur babai i kryekreshnikeve mungon krejt, elemente të respektimit të "vijës së tamlit", vendi i veçante i dajës-avunkulati etj.), por edhe të tilla (dhe ato përbëjnë shumicën) të patriarkatit ; zana diku paraqitet në fazën e saj më lashtë, "të eger", si forcë armiqësorë për kreshniket (p.sh. të kënga "Martesa e Mujit"), por me tej njerizohet (humbet virgjinitet-in, fiton një konstitucion psikologjik si të malesoreve, - mban besën, behet vëllam me kreshniket, - i ndihmon ata dhe u kërkon ndihme, përzihet në punët e tyre), ashtu, madje në një mase më të madhe, si perëndite e "Iliades" ; ndonjë figurë tjetër, edhe pse ruan thelbin e vet të origjinës mitologjike, në ndonjë drejtim thith lende historike relativisht të vonë. Bajlozi është një përbindësh, që vjen nga deti, por mban emrin e njohur nga hierarkia evropiane mesjetare - Bajulus - dhe kërkon taksen karakteristike feudale bizantine "tym për tym", (ishte shkruar diçka që unë s’e kuptoja).

Një gjendje e tillë na lejon ta përfytyrojmë rrugën e eposit shqiptar të kreshnikeve si atë të një topi dëbore që e nis rrukullimen nga maja e malit, rritet gjatë saj, për të ndaluar diku, për t’u shkrire disi duke humbur pjesë të tera e duke "fituar" ndonjë shtrese të re. Por bërthama kryesore e këtij masivi mbeti që mbeti e paprekur. Kjo i ka ndihmuar folkloristet shqiptare të përcaktojnë një varg këngësh (rapsodish) që i përkasin kësaj bërthame e që, bashke me rapsodi të tjera, përbëjnë fondin e lashtë a më të vone, por, sidoqoftë, paraosman të eposit. Prej tyre po përmendim sa për shembull : "Martesa e Mujit", "Fuqia e Mujit", "Martesa e Halilit", "Gjergj Elez Alia", "Deka (= vdekja) e Halilit", "Omeri prej Mujit", "Muji i varruem (= i plagosur)", "Ajkuna qan Omerin".


Mirëfilltësia popullore

Teoria e përgjithshme e eposit ka provuar se ai lind në atë kohë, në ato vende, në ato krahina të një vendi, në atë komb, popull a shtrese të popullit ku ka probleme të mëdha, shqetësime të mëdha, ballafaqime të mëdha. Eposi shqiptar i kreshnikeve i ka gjetur problemet e tilla të populli shqiptar, me sakte të pjesa fshatare e tij. Ishte pikërisht kjo pjesë, që ishte e interesuar më shumë se kushdo tjetër për problemet madhore që trajton eposi. Jo vetëm kaq, por edhe zgjidhja e këtyre problemeve në epos behet nga pozitat psikologjike e botëkuptimore, kryesisht të fshatarësisë së thjeshtë, që është mësuar të jetoje me pune të ndershme, me zemër e duar të pastra. Ja pse në epos zgjidhja e problemeve që shtrohen behet përgjithësisht nga pozita e jo nga sulmi për të përfituar nga ajo që u takon të tjerëve ; nga trajtimi me dinjitet i të huajve e jo nga mendjemadhësia (në epos flitet me respekt edhe për armiqtë, vlerësohet trimëria e tyre ; ata mund të urrehen, të dënohen e të vriten, por nuk mposhten).

Në epos jepen me plot ngjyra e saktësi mjediset fshatare, kryesisht malore (ku dielli "shumë" po shndrit e pak po "nxeh"), natyra që i rrethon, mënyra e jetesës së njerëzve që janë mësuar të përballojnë ashpërsinë e terrenit e të klimës, rreziqet dhe vështirësitë. Aty nuk ka as edhe një gjurmë nga mjediset e molepsura, "shkëlqimi" i jetës, mirëqenia dhe orgjitë feudale. Por ndryshon puna kur jepet, të themi, jeta e antagonisteve, të cilët notojnë në luks, ndonjëherë edhe në ves. Ja një përgjigje plot interes që i jep Kraleviç Markut kreshniku Musa Arbanasi, pasi kujton lindjen e të parit në saraje të mëdha e shtroje të buta : Mue shqiptarja e ashpër me lindi / Atje të dhente, në gurre të ftohte, / Me plaf të zi me mbështolli, / Me fije ferrash me lidhi, / Me qull tershere me ushqejti.

Edhe mjetet artistike me të cilat trajtohen problemet, janë tipike për folklorin fshatar ; sigurimi i gjithë arsenalit të figuracionit nga mjediset blegtorale, bujqësore e nga natyra.

Karakterin e mirëfillte popullor, folklorik ia jep eposit edhe tipi i rapsodit, i bartësit dhe ekzekutuesit të tij. Këta kanë qene tërësisht blegtore, bujq e fshatare të thjeshtë, që kanë kënduar për qejf të tyre. Pra, s’ka pasur rapsodë oborresh, rapsodë profesioniste e që të kenë kënduar për hesap të të "mëdhenjve", duke i lavdëruar ata, kundrejt një shpërblimi.

Mirëfilltësinë popullore, folklorike e dëshmon edhe mungesa në epos i ndikimeve të artit të kultivuar.


Forma (mënyra) e ekzistencës

Dihet se eposet njihen në dy forma : si unitete integrale, të plota, të ndërtuara si tërësi me një logjike artistike dhe kohore të caktuar, dhe në formë këngësh (rapsodish) të veçanta. Dihet gjithashtu se forma e parë është fryt i iniciativës krijuese të individëve të veçante, që bashkojnë pjesët në një të tere. Eposi shqiptar i kreshnikeve jetoi dhe vazhdon të jetoje në formën e dyte. Secila prej këngëve të tij trajton një problem të veçante, një çështje, që në lindje, në rritje e gjer në zgjidhje të saj ; prandaj çdonjëra paraqitet si njësi e plotë e me vete artistike. Për këtë arsye ato janë quajtur edhe epe, edhe poema. Por të gjitha ato formojnë një mase kompakte e koherente poetike.

Ato i bashkon tematika, fryma e përgjithshme, personazhet e kristalizuara që lëvizin në të gjithë hapësirën e eposit, format kompozicionale dhe strukturat, mjediset e zhvillimit të ngjarjeve, mjetet shprehëse stilistiko-figurative dhe intonativo-melodike. Kuptohet se poemat, duke jetuar si njësi artistike të mëvetësishme edhe pse ruajnë farë mirë thelbin, bërthamën kryesore e me të gjerë, kanë pësuar edhe ndryshime nga koha në kohë, nga krahina në krahine apo nga rapsodi në rapsod ; pra, ato i janë nënshtruar variacionit kohor a hapësinor, fenomen ky i njohur për të gjitha format folklorike. Kështu që eposi, edhe nga pikëpamja e formës së ekzistencës, mbeti si një zhanër i paprekur, i natyrshëm dhe i mirëfillte folklorik.


Tematika Rezistenca

Tema kryesore e eposit shqiptar të kreshnikeve është rezistenca : rezistenca për ruajtjen e trojeve, bjeshkëve, kullotave, shtëpive, nderit e dinjitetit të botës së kreshnikeve, të fisit, të familjes dhe individit ; rezistenca, konflikti dhe lufta kundër forcave të natyrës, të përfaqësuara nga zanat në fazën e tyre të "egër" (kënga "Martesa e Mujit"). Në të gjitha rastet e tjera rezistenca e kreshnikeve lidhet me forca të përcaktuara etnikisht. Vetëm në një ose dy këngë si forcë e tillë dalin osmanet (kënga e dyluftimit të Musa Arbanasit me Kraleviç Markun dhe kënga "Muji dhe Halili të mbreti", për të cilat u fol). Vetën në fare pak këngë (ato mund të numërohen me gishtat e njërës dore) si forca të tilla dalin "Krajli i Talirit" (mbreti i Italisë), maxharet, gumatet, venedikasit (Bajlozi i eposit është Bajlusi - i dërguari i Venedikut). Në te gjitha këngët e tjera si forca të huaja, me te cilat lidhet rezistenca e kreshnikeve, janë shqete (shkjete) - sllavet.


Tema te tjera

Mund të thuhet se temës bazë, rezistencës ndaj shqeve, i nënshtrohen te gjitha temat e tjera, si : lindja e mbinatyrshme e heronjve, mosmarrëveshjet e keqkuptimet e përkohshme midis vete kreshnikeve, marrëdhëniet familjare, rrëmbimet e ndërsjelleta të kuajve, të grave etj. Kështu, forca e jashtëzakonshme që fiton kryekreshniku Muje me ndihmen e zanave, konsumohet për t’u rezistuar shkieve ; mosmarrëveshja midis vëllezërve Muje e Halil, që gati sa nuk arrin në dyluftim (kënga "Halili i qet bejleg Mujit"), gjykohet nga nëna e tyre si diçka që do ta uronin shkiet. Në këtë mënyre terë eposin e përshkon fryma e rezistencës kundër shqeve, fryma e alarmit te vazhdueshëm për shkak të tyre, fryma e pasigurte dhe e nevojës së vigjilencës së përhershme për të ruajtur botën kreshnike "mos më hy as korbi".

Në vargun e gjatë të poemave që përbëjnë eposin, situatat ku zbërthehen temat janë nga më të larmishmet, më fantastiket, më tërheqëset, më madhoret, gati marramendëse. Kemi aty kulla hijerënda, ku gdhijnë e ngrysin ditët e armëpushimeve heronjtë ; marrëdhënie midis vëllezërve, kunatave, vëllamëve ; zjarre alarmesh që paralajmërojnë rrezikun ; zana që i afrohen kullës së kreshnikut në muzg për t’u ankuar për diçka ; festa që ndërpriten nga një kushtrim rrënqethes ; marshime të gjata, ndeshje të egra në bjeshke, dyluftime, pas mbarimit te të cilave toka mbetet djerre nga zhgërryeja e këmbeve të njerëzve e të kuajve ; ndjekje homerike midis pamjeve madhështore të natyrës ; karvanë dasmoresh që lëvizin drejt dasmash të rrezikshme ; krushq të ngrirë a të copëtuar ; endje si në ankth kreshnikesh të qorruar ; motra që kërkojnë rrugën e kthimit të vëllait të plagosur me anën e njollave të gjakut ; turma korbash që kakarisin mbi kufomat ; kronj që skuqen kur nënat lajnë rrobat e djemve të kthyer nga lufta ; varre të vetmuara e burgje të errëta ; rënkime të vdekurish që s’mund të ngrihen te ndëshkojnë fyerjet ; vajtime të madhërishme e mallkime me përmasa të përbindshme. Shkurt, siç janë shprehur me të drejt studiuesit, një aksion të ethshëm, që vazhdon qindra ditë apo qindra vjet, e që përbën materien poetike të eposit.

Se fundi, lidhur me tematiken e eposit të kreshnikeve vlen të përmendet se në asnjë rast nuk kemi konflikte fetare. Një argument plus në këtë drejtim është edhe fakti se eposi ka jetuar e jeton në mënyre të gjallë e gjithë respekt dhe në elementin katolik.


Bota dhe jeta e kreshnikeve

Jeta dhe veprimtaria e kreshnikeve zhvillohen rreth Jutbinës, qytet i vogël në Kroaci. Teatri kryesor i ngjarjeve shtrihet në viset veriperëndimore të Gadishullit Ballkanik (Zader, Senjë, Kotorret e reja etj). Por në epos rrethi i veprimeve zgjerohet dhe shkon nga Shqipëria në Brigjet e Tunës (Danubit). Gjeografia e eposit përfshin, veç toponimeve të mësipërme, edhe të tilla si Vlora, Shkodra, Tetova, Budini (Budapesti), Bosnja, Rumelia, Maxharia, Toliri (Italia), Venediku, Turqia ; madje, në raste të rralla, edhe Moskovi e Bagdadi. Veç kësaj, përmenden dendur edhe toponime të paidentifikuara gjeografikisht si Bjeshkët e Nalta, Lugjet e Verdha, Klysyrat e Zeza, që më shumë tingëllojnë si legjendare. Siç mund të vihet re, toponimia e eposit nuk përkon plotësisht me territorin e përhapjes së tij, siç e njohim që në fillim të shekullit, që kur eposi nisi te mbidhej prej studiuesve. Një dukuri të tillë shkencat shqiptare e shpjegojnë me dy shkaqe, që ndërthuren midis tyre. Njëri është i natyrës historike, tjetri i natyrës artistike.

Dihet se Iliret, të parët e shqiptareve, dikur shtriheshin në vëri deri në brigjet e Danubit. Dyndjet në masë të sllaveve dhe përpjekjet për t’u stabilizuar në Ballkan (intensiteti i tyre më i madh i hershem u përket shekujve VI-VIII), bënë që elementi ilir e më vonë iliro-arbëror, të tërhiqet gjithnjë e më shumë në drejtimet jugperëndim, pjesërisht të asimilohet, diku-diku te mbetet edhe si ishull. Pra, kufiri i shtrirjes së elementit të shtyrë e në tërheqje, ishte gjithmonë në lëvizje. Atëherë nuk është krejt pa kuptim të supozohet, merret vesh, me një siguri mjaft relative, se bërthama e eposit shqiptar të kreshnikeve sjell jehonën e një stadi të hershem të caktuar të kësaj lëvizjeje.

Në të njëjtën kohe, siç u tha, hapësira dhe koha e eposit, si zhanër që ka në themel legjendaritetin, janë hapësire dhe kohe epike. Për më tepër, ky zhanër i lejon vetes që, si kohën dhe hapësirën e largët, t’i përdore për të rritur legjendaritetin, prestigjin epik. Në këtë kuptim gjeografia e eposit, nga ana artistike, është plotësisht e përligjur.

Shoqërisht kreshniket dhe ajo shtrese e popullit që ata përfaqësojnë janë të organizuar në bashkësi te lira fshatare : nuk i paguajnë detyrime askujt, kanë si preokupacion të përhershëm "mos me u ba raja", udhëhiqen nga prijës të zgjedhur midis me trimave e me te virtytshmeve sipas moralit të tyre, nuk njohin asnjë zot veç prijësit, vendimet e rëndësishme i marrin bashkërisht në kuvendet e mbledhjet e gjera.

Këto bashkësi të lira jetonin në vendbanime te ngulura, që thirreshin katunde. Ndonjëherë në epos përmenden edhe lagje të veçanta, p.sh. lagjja Potureshe.

Ekonomia e tyre ishte kryesisht blegtorale. Në shumë poema përmenden grigjet me dhen e dhi ose gjedhe, përmenden kullota e tëbanat e tyre (stanet verore). Në poema të tjera tregohet se edhe vete kreshniket shpesh merreshin me gjueti (një skenë madhore gjuetie kolektive e kemi te "Martesa e Mujit"). Në poema të tjera akoma ka mjaft të dhëna që dëshmojnë se bashkësitë e lira fshatare, ku bënin pjesë kreshniket, merreshin edhe me bujqësi (figuracioni i marre nga mjedise bujqësore, - "Po a t’ kan’ plasun sytë e ballit, / Kështu me i shkrepe demat e kularit", - tregime si ai për Mujin që, kur është duke lëruar me qete e mbrehur në parmendë dhe një kalimtar e pyet se ku i ka kullat Muji, i tregon drejtimin duke ngritur parmendën me gjithë që, etj.) Pra kreshniket nuk njohin vetëm zanatin e luftës. Ata dalin kështu si reparte të armatosura të bashkësive të lira fshatare që vigjilojnë buze kufirit, por edhe, sa herë kanë mundësi, e nderojnë shpatën me kërrabën a parmendën.

Kreshniket banojnë në kulla tipike shqiptare, kulla të ndërtuara jo vetëm për banim, por edhe për mbrojtje (me mure te trasha e frëngji) ; ushqehen me produkte blegtorale - bujqësore të përpunuara në mënyre etnikisht tradicionale (p.sh. hanë nga një dash të pjekur, pinë verë a raki) ; vishen e mbathen malësorçe (në epos kemi një rekuizite të terë veshmbathjeje dhe orendish shtëpiake karakteristike : lëkurçet, tirqit, opingat dhe kapuçi i bardhe gjysmësferik, fustanella- "fistani" -, jakucja, shtretërit prej druri, çerepët për pjekjen e bukës, mjelcet prej druri, kungujt e verës) ; ata luftojnë me topuzë, mizdrake, heshta, shigjeta, shpata, gurë (më vonë hyjnë në epos armët e zjarrit).

Eposi e jep botën e kreshnikeve si një botë etnikisht të veçante, të ndryshme nga ajo e të huajve, edhe në pikëpamje të veçorive kulturore ose traditave etnike, te gjithë konstitucionit etno-psikologjik.


Mosha e eposit

Një varg arsyesh na bindin se eposi heroik i kreshnikeve e nisi rrugën e vet artistike mjaft herët.

Se pari, do të rikujtojmë lëndën e gjerë me origjine mitologjike e përrallore, mendimin poetik legjendar, reminishencat e matriarkatit, që u përmenden. Në këtë fond të lashtë do të duhej të shtoheshin edhe elemente të hershme muzikore (forca e madhe përgjithësuese dhe karakteri i qëndrueshëm intonativ, prania e një "fjalie" muzikore të vetme që përsëritet e ndryshuar gjate këngëve, modet e gjymte dy - re - katër tingullore, karakteri i ndieshem recitativ), si dhe disa fjale e forma gjithashtu të hershme gjuhësore që janë ruajtur të ngurosura, të fosilizuara (fjala gjegjem me kuptimin dëgjoj, folja djerg me kuptim vepror kalimtar - dërgoj, çoj, zbres diçka a dike, forma foljore nderin në vend te nderojnë ose nderonjen, përmbysja e gjymtyrëve të kohës së kryer - pshtue kam, dalë kanë - në vend të kam pshtue, kanë dalë etj.) Janë pikërisht këto elemente që i kanë bërë studiuesit objektive të pranojnë gati njëzëri lashtësinë e eposit shqiptar të kreshnikeve. Le të citojmë një konstatim të M. Lambercit : "Elementet shqiptaro - ilire, figurat e besimit popullor shqiptar, që janë të gjalla, si edhe armët e vjetra janë dëshmi kujtimesh të një datë fort të lashte".

Shkencat shqiptare marrin në konsiderate teorinë e përgjithshme të eposit, e cila ka pranuar tashme se çdo epos me përmbajtje të tillë epiko - legjendare është fryt i periudhave historike, kur kapërcehet faza e bashkësisë primitive, e shoqërisë thjesht fisnore dhe kur bashkësi të tjera popullsish më tipare të njëjta etnike hyjnë në rrugën e kristalizimit të kombësisë. Për historinë shqiptare kjo faze përkon me periudhën e kalimit nga bashkësitë e gjera etniko-politike ilire (shek. V-VI) drejt formimit të kombësisë shqiptare (shek. X-XIV). Shekulli i XIV është kufiri kohor kur kapërcehet historikisht ai tip mendimi poetik që plazmonte eposin heroik legjendar, kur shter procesi i mirëfillte i kësaj poezie dhe zhduket domosdoshmëria historike që lind këtë poezi. Në prag të pushtimit osman kishin ndodhur procese të tilla (zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik - kalimi në fazën e zhvillimit të plotë të feudalizmit), te cilat po zëvendësonin brenda folklorit mendimin poetik legjendar me mendimin poetik historik, i cili nisi të krijoje epiken historike. Që eposi shqiptar i kreshnikeve e mbylli qerthullin e vet krijues në shekullin XIV, dëshmon edhe vete folklori shqiptar : sipas një legjende, kur Muji ndeshi një bari më pushkë dhe provoi në pëllëmbën e vet së plumbi i pushkës, i këtij "teshi" (sendi) të vogël, të shpoka, e kuptoi se mbaroi epoka që kishte nevoje për ta, për heroizmin e forcën e madhe fizike, prandaj, bashke me kreshniket e tjerë, u fut në një shpellë të thellë për të mos dalë kurrë më.

Ky proces provohet edhe nga vete tematika e eposit të kreshnikeve. U tha se tema e tij kryesore është rezistenca kundër trysnisë së të huajve, kryesisht të sllaveve. Historikisht dihet që kjo trysni e rezistencës filloi që në dyndjet e para të sllaveve në Ballkan në shek. VI-VII, për të vazhduar edhe më vonë, sidomos në shek. XII-XIV, në kohën e shtrirjes së sllaveve drejt jugut, perëndimit e juglindjes së Ballkanit (koha e Nëmanjideve). Sigurisht rezistenca kundër trysnisë së të huajve, në një fazë të caktuar, u gërshetua me rezistencën e fshatarësisë së lirë kundër depërtimit feudal. Por në rrethanat e Shqipërisë feudalet ishin më tepër të huaj. Ndofta pikërisht për këtë arsye në epos nuk gjejmë asnjë rast rezistencë kundër feudaleve vendas.

Si rrjedhim do të mund të thuhej se eposi shqiptar i kreshnikeve e nisi rrugën e vet artistike që me fillimin e rezistencës kundër dyndjeve sllave, për t’u maturuar në shek. XII - XIV e për t’ia lënë vendin pas kësaj eposit historik shqiptar. Me tej ai do të vazhdojë të jetojë, madje do ta theksoje karakterin e vet polistadial, por si një formë artistikë me fytyrën e kryer kryesisht nga e kaluara, cilësinë e një zhanri folklorik paraosman.


Gjykime

Mendohet se eposi e ka origjinën e tij në para dyndjeve sllave në territorin e Ballkanit. Teksti i këngëve të ndryshme tregon për betejat e dy vëllezërve me grupe sllave, duke e bërë këtë cikël më shumë një rrëfim të rezistencës së popullsisë etnike aty, kundrejt fiseve sllave. Në këto luftime, Muji dhe Ajkuna humbasin Omerin. Ky epos epik ngjason shumë në formimin e tij epik, me "Iliada" dhe "Odisea" dhe është Eposi i kreshnikëve një epos me vlera etnokulturore. Mendohet se këngët, në shumicën e rasteve këndoheshin për "miqtë e ardhur" si një mënyrë dëfrimi. Pa dyshim këto këngë nuk mund të mungonin në festat e ndryshme të malësorëve, edhe pse është e dyshimtë ideja se këngëtarët nuk merrnin asnjë shpërblim për të ekzekutuar këngët e kënduara.

Jo shpesh herë dhe jo radhë herë, studiuesit debatojnë mbi këtë epos. Një mendim se Ajkuna është në të vërtetë gruaja e Omerit, dhe jo nëna, nuk është shumë i përhapur, edhe pse një mendim i tillë ekziston. Sa do i pabazuar të jetë ky mendim, do të duhej një analizë e thellë nga persona të specializuar në këtë fushë për të mbështetur këtë mendim. Për momentin ideja më e saktë është se Ajkuna ishte nëna e Omerit dhe gruaja e Mujit duke u mbështetur te kënga elegji "Ajkuna qan Omerin", që është një vajtim tipik i një nëne për të birin e saj. Një debat tjetër jo shumë i përhapur është origjina e eposit. Pak persona shprehen se Muji dhe Halili janë Boshnjakë. Megjithatë një mendim i tillë do të ishte pa bazë, sepse cikli vetë flet për luftërat e popullit etnik shqiptarë kundra të ardhurve sllavë. Megjithatë këto janë debate që nuk kanë shkaktuar trazira në aspektin kulturor.
_________________
Marrë mga Wikipedia