Samstag, 7. März 2015

Hysen Sinani

Hysen Sinani lindi më 7 shkurt të vitit 1949, në Tiranë. Është arsimuar në Tiranë, autodidakt. Ka kryer disa specializime në fushën e gazetarisë dhe botimeve. Në vitet 1964-1974 ka përvetësuar gjuhën franceze; 1974-1980 përvetësoi gjuhën italiane; 1990-1995 përvetësoi gjuhën greke.
Nga viti 1964 deri në vitin 1974, ka punuar si punëtor në disa ndërmarrje prodhimi, si Fabrika e Lullave, Uzina Dajti, Konsumi i Gjerë, Ndërmarrja e Montimeve Industriale, etj.
Nga viti 1974 deri në vitin 1985, ka punuar redaktor letrar dhe gazetar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Kurse në vitet 1986-1991 punoi përsëri punëtor në Uzinën e Traktorave dhe në Fabrikën e Llullave. Në vitet 1991-1992 shkoi në emigracion në Greqi. Në vitet 1992-1994 u rikthye në Shqipëri dhe nisi veprimtarinë private me firmën e tij botuese “Artemida”, midis botimeve të së cilës është edhe fjalori Greqisht-Shqip, me rreth 20 000 fjalë, i hartuar nga vetë autori. Në vitet 1994-1999 shkoi përsëri në emigracion në Greqi, për shkak të falimentimit të firmës botuese, si edhe realizoi disa udhëtime njohëse si gazetar në Itali dhe Francë. Në vitet 1999-2008 u rikthye në Tiranë, ku jeton dhe vepron si shkrimtar, publicist i lirë e përkthyes; krijimtarinë e publikon në faqet e shtypit letrar si gazeta "Drita", "Shqip", revista "Krahu i shqiponjës", etj.
Hysen Sinani ka shkruar një numer të konsiderueshëm romanesh dhe ka dhënë kontribut të vleshëm në në fushën e leksikografisë: “Fjalor Greqisht-Shqip” me 20.000 fjalë; “Fjalor Shqip-Greqisht” me rreth 6.000 shprehje të përdorimit të përditshëm të gjuhës greke, etj. Njeherit, ka perkthyer edhe një numer të konsiderueshëm te veprave te autorëve të ndryshem.
Aktualisht është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA).


Botime

  • “Gjergji”, roman, Tiranë (1980 )
  • “Nuk e harroja atë ditë”, roman, Tiranë (1989)
  • “Një burrë si ky”, roman Tiranë (1992)
  • “52 burra për një grua”, roman, Tiranë (1999)
  • “Legjenda e dheut të keq” roman, Tiranë (2000)
  • “Triseta, teoremë për dashurinë”, roman, Tiranë (2002)
  • “Sadisti”, roman, Tiranë (2003)


Përkthime

  • “Për atdheun”, nga Blasko Ibanjez; përkthim
  • “Maria Shapdëlenë”, nga Luis Hemon; përkthim
  • “Madalena”, nga Henri Truaja; përkthim
  • “Greqishtja për shqiptarët”, nga “Asimil”; përkthim
  • “Jeta e Volterit”, nga Andre Morua; përkthim
  • “Udhëtari i natës”, Maurizio Maggiani; përkthim
  • “Një Xhinxhis Khan i ditëve tona”, Alberto Bevilacqua; përkthim
  • “Krimet e mëdha të historisë”, Pierre Bellemare; përkthim
  • “Shqisa jonë e gjashtë”, Charles Richet; përkthim
  • “Udhëtim në fund të natës”, Louis-Ferdinand Céline; përkthim
  • “Filozofia në sallon”, Markezi Dë Sad; përkthim
______________
Nga WIKIPEDIA

Hajro Ulqinaku

Hajro Ulqinaku (i lindur Hajrudin Pufja) ka lindur me 3 maj të vitit 1938 në lagjen Rana të Ulqinit. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren i ka mbaruar në këtë qytet. Kurse, shkollën e mesme të mësuesisë - Normalen e ka kryer në Prishtinë. Mëpastaj është diplomuar në Beograd për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ka punuar për shumë vite në arsim në Mal të Zi e në Kosovë.
Në vitet 1967/68 fillon stazhin e tij të gjatë si gazetar, fillimisht në Radio - Prishtina. Nga maji i vitit 1974, deri në përjashtim nga puna prej forcave policore serbe, më 5 korrik 1990, ishte redaktor i Redaksisë së Programit për Fëmijë në Televizionin e Prishtinës.
Ka dhënë kontribut në themelimin e seksioneve letrare si dhe si anëtar i redaksive të revistave: Zgjimi, GEP, Pionieri, Fati dhe Okarina. Aktualisht është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës, si dhe anëtar i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi.

Është shkrimtar i cili kryesisht shkruan prozë dhe poezi për fëmijë.

Tituj të veprave
  • Fëmijët e detit
  • Margaritarët e zez
  • Çelësi i artë
  • Kolovajza e florinjtë e Hënës
  • Mbrëmje pulëbardhash
  • Fëmijëria në bregdet
  • Gjiri i Shpresës
  • Ligji i detit
  • Ani, Ben, ani
  • Bukuria e detit
  • Panorama e detit
  • Thesari i piratëve
  • Pëllumbat në antenë
  • Mos qaj Kestrina
  • Barka me vela
  • Limani i Qetësisë
  • Lulekuqet mbi banka
  • Ishulli i Gjelbër
  • Libri për detin 6 + 1
  • Tërë bota Kosovë - dramë 

Petraq Kolevica

Petraq Kolevica ka lindur në Korçë më 11.01.1934. Në qytetin e lindjes kreu shkollën fillore dhe të mesme. Mëpastaj në vitet 1952-57 kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Ushtroi profesionin e arkitektit, ku u shqua si projektues ndërtesash qytetare dhe u vlerësua me "Urdhër Pune" dhe "Çmim Republike". Por me vone ndodhi me e keqja. Atij iu hoq e drejta e punës nga sistemi diktatorial për shkak të sjelljës së modernizimit ne arkitekturë.
Petraq Kolevica ka shkruar poezi qysh heret, por ato i ka ruajtur në sirtare dhe nuk i ka publikuar. Ky krijues poezitë e veta i boton vetem pas rënies së regjimit komunist. Ai i ka përmbledhur ato në librin e tij dyvellimësh me titull "Të korrat e vona". Poashtu,
Petraq Kolevica ka të botuar edhe librin tejet interesant me kujtime e rrëfime nga bisedat me Lasgush Poradecin me titull "Lasgushi ka thënë".

Poezi nga Petraq Kolevica

Autobiografi
 

Një engjëll dhe një djall i hodhën zaret
Për jetën time të shqetësuar.
Një engjëll dhe një djall po bëjnë’ llogaret
Ç’më mbeti ende për të paguar.

Një engjëll dhe një djall më ndoqën pas
Në të përpjetat e kësaj jete.
Një engjëll po qesh dhe një djall po plas
Që s’më pat bërë dot për vete.

Një engjëll dhe një djall po grinden sot
Se kush ma merr shpirtin plot dhima.
Një engjëll dhe një djall por grinden kot,
Se shpirti im u shkri në rima.



Shpirti

Fle, shpirti, fle... vullkan i shuar
Harruar nga të gjithë.
Dhe kur kujton se si pat vluar
I vjen si qen të klithë.

Vullkani hesht e llave s’nxjerr,
Si llavë sot mban vrerin.
Kur ndien rrugaçët mbi krater
Që qeshin dhe përmjerin...


Nëna

Ç’më ndritka hëna te krevati!
S’m’u fjetka sonte, se jam vetë.
Vështroj në qiell si enden retë
Gjer treten tej nga Rozafati.

Mesnata ngjan se ka kaluar
Por, përkundrejt, një foshnjë qan.
U ngrita, shoh sesi e mban,
Si e përkund dikush në duar.

E ëma qenka. I jep gji.
Dhe lehtë-lehtë i këndon,
E përkëdhel, e ledhaton
Dhe e shëtit nëpër shtëpi.

Fëmia fjeti. E mbulon
Kjo nënë e dhembshur me kujdes
Ndërsa së largu një këndes
Afrim mëngjesi lajmëron...

Mendoj mbështetur në ballkon,
Ndërsa venitet drit’e hënës:
Sa borxh të madh i kemi nënës,
Një borxh që kurrë s’e kërkon.



Nocturne

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirt’i im, përse rri zgjuar?
Ç’të ngre kështu në shtrat sa bie.
Sikur me gjëmba është shtruar?

Më dhëmbin plagët, plagët, bre!
Që ditëpërditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar...



E dashur, fli!

E dashur, fli,
E qetë,
Mos shih ëndrra.
Do gdhihet përsëri
Dhe përsëri do vij;
Në rrugën për tek ti
S'do mbijë kurrë shpëndra.
Ti fli, e dashur.
Fli.
Dhe mos shih ëndrra...


Pa ty

Pa ty si munda të jetoj,
Si munda t'i shtyj vjetët!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Si munda t'i gdhij netët!...

Pa ty si munda të jetoj,
Një jetë që s'e ndjeja!...
Pa ty, pa ty, e dashur moj,
Që s'dija në të gjeja!...

Pa ty si munda të jetoj,
Të mundja ta rrëfeja!
Jo gjoksin tënd, e dashur moj,
Po gurët mund t'i breja!...


Arusha e madhe

Ne rrinim tok dhe shihnim yjet
Konstelacionet një nga një,
Arush' e Madhe tundte kryet
Na përshëndeste gjithnjë...

Arush' e Madhe sonte s'duket.
Të falat si t'ia çoj asaj?
Ajo, e vetme, në shtrat struket
Dhe ndoshta njom jastëkn' e saj.

Kaq tepër pak që rrimë ndarë
Dhe ngjan se shkuan vjet e mot.
Ajo kushedi se sa ka qarë,
Un' bëj të fle po nuk fle dot.

S'fle dot dhe ndal të flas me yjet,
Konstelacionet një nga një.
Arush' e Madhe del, tund kryet,
Sikur më pyet për atë.

1965


Ndoshta poezia e fundit

Dhe ndoshta, moj vajza, në qafë ju mora:
Dhe ndoshta, moj grua, do mbetesh e ve;
Dhe ndoshta të gjitha, të gjitha i bëra,
Po ja që donte i mjeri Atdhe.

Do mundnit të rronit të qeta, të qeta,
Të shkonit një jetë plot gaz e hare,
Po ja që qëllova poet, moj të shkreta.
Familja e poetit gëzimet s'i njeh

1991

Gavril Dara i Riu

Gavril Dara i Riu lindi më 1826 në Palazzo Adriano të Sicilisë në një familje të trashëguar bujarësh shqiptarë, që kishin kaluar përtej Adriatikut pas vdekjes së Skënderbeut. Po kështu Dara i Riu bëhet poeti trashëgimtar, pra brezi i tretë i një familjeje me kulturë kombëtare, ku kishin bërë emër gjyshi i tij Gavril Dara – Plaku, dhe i ati Andrea, veçanërisht në mbledhjen e folklorit arbëresh. Kjo trashëgimi kulturore familjare, ashtu dhe talenti i tij do të përbëjnë shtratin krijues që prodhoi poezinë e tij të madhe.

Dara mbaroi seminarin italo-arbëresh të Palermos dhe kreu studimet për drejtësi dhe punoi si avokat. Si njeri i zoti në fjalë e në veprime, mori pozita administrative në disa qytete. Botoi një fletore letrare me emër Paligenesi, që merrej me letërsi italiane. Në Romë, në vitet 1871-1874, drejtoi të përkohshmen La riforma. Fundin e jetës e kaloi në qytetin Xhirxhenti, në të cilin vdiq më 1885.

Dara u mor me drejtësi, gazetari e poezi, duke pasur interes të veçantë për filozofi e arkeologji. Ai u mor me jetën e me kulturën italiane. Po si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat i mbetën në dorëshkrim. Në dorëshkrim mbeti edhe kryevepra Kënga e sprasme e Balës, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro. Më parë Zef Skiroi kishte nisur botimin e poemës më 1887, mirëpo një botim në vazhdime u bë në La Nazione Albanese gjatë viteve 1900-1902. Dara kishte shkruar edhe Alcune Poesie (1848) dhe I nostri mali (1870).

Kënga e sprasme e Balës është pandan i Milosaos të De Radës : ka figurën poetike të freskët si ajo, por ka një strukturë artistike më të lidhur. Është një kryevepër e poezisë romantike shqipe.



Gavril Dara (I riu) Hyrje

Zanafillën e vet lëvizja letrare arbëreshe e pati në ngulimet e Siçilisë, me studjues e letrarë të ndryshëm, si: Matrënga në shekullin e XVI, Brankati, Filja, Keta, Gavril Dara(plaku) dhe Andrea Plaku në shekullin e XVIII. Në kohën kur kjo lëvizje fitoi karakter të ri kombëtar u përfaqësua nga Gavril Dara(i riu), që vijoi traditën e nisur nga i ati dhe i gjyshi. Lindi në Palac Adriano më 6 janar 1827. Mësimet e para i mori në seminarin arbëresh të Palermos. Po në këtë qytet ai kreu studimet e larta për drejtësi. Udhën e krijimtarisë e nisi herët, në moshën 13-15 vjeçare. Në fillim shkroi vjersha që më tepër ishin intime. Shkëndia që i dha zjarr talentit të tij, ishin idetë liridashëse, ideali i bashkimit të Italisë dhe dëshira për ndryshime demokratike. Këto ide janë derdhur në vëllimin "Disa poezi", shkruar në italisht, që doli në dritë në vitin më të zjarrtë të revolucionit më 1848. Vëllimi është si një ditar i lëvizjes revolucionare të asaj kohe. Në të spikat një brendi ideore e pasur dhe disa tipare të individualitetit krijues të Darës, si fryma luftarake optimizmi dhe begatia e figuracionit. Vlerën artistike të vëllimite dëmtojnë karakteri abstrakt dhe retorizmi. Në shkurt 1858 Dara u bë themelues dhe drejtues i një gazete që ishte si një manifest kryengritës, "Palingenesi" (Përtëritja e jetës). Në artikujt që botoi aty ai tregoi aftësi prej prozatori, kritiku, esteti dhe historiani. Në çastet më të rëndësishme të luftës për çlirimin e Italisë ai, si edhe arbëreshët e tjerë, mori pjesë aktive në lëvizjen revolucionare italiane kundër zgjedhës austriake dhe sundimit të Burbonëve. Madje ishte një nga udhëheqësit krahinor të asaj lëvizjeje, si anëtar i komunitetit revolucionar të Xhirxhentit dhe sekretar i përgjithshëm i qeverisë revolucionare të Garibaldit, më 1860.

Në të njëjtën kohë ai s'i ndahet krijimtarisë letrare. Më 1864 shkruan një poemë të gjatë italisht, po me subjekt shqiptar "Ana Maria". Poema është shkruar në vargje njëmbëdhjetërrokësh, është e gjatë (1.300 vargje) dhe e ndarë në dy pjesë. Ka dy protagonistë: Bozdar Stresin, nipin e Skënderbeut, të cilit i kushtohet pjesa e parëdhe Ana Maria Kominiatën, mbesën e Donikës, gruas së Skënderbeut, së cilës i kushtohet pjesa e dytë, më e gjatë. Dara mishëron në këto dy personazhe idealin e burrit dhe të gruas shqiptare. Poema tingëllon si një himn për atdheun e të parëve. Këto personazhe i patëm gjetur edhe te De Rada, po ai i paraqet si heronj romantikë që kryejnë një faj tragjik dhe shkojnë për këtë drejt fundit tragjik, kuse Dara i ri thekson aspektin heroik të karakterit të tyre.

Në poemë spikatin për vlerën e tyre estetike pjesët lirike. Në vitet 1871-74 Darën e gjejmë në Romë ku drejton gazetën politike "La Reforma"(Reforma), që shpreh ide përparimtare të së majtës.

Më vonë, ndoshta i shtyrë nga pakënaqësia e përgjithshme e arbëreshëve për rezultatet e arritura për bashkimin e Italisë, Gavrili la gazetarinë dhe politikën. Pikërisht në këto vite Dara shkruan italisht vjershën epistul "Të zezat tona", ku jepet një tabllo rrëngjethese e gjendjes së vendit, e shtypjes dhe e mjerimit të dyfishuar që rëndonte mbi popullin. Ai e pikturon këtë tablo me epitete epitete dhe metafora nga më të vrazhdat, nga më të ashprat, që të kujtojnë penën e Dantes në përshkrimin e skenave të Ferrit. Vjersha demaskon me realizëm të mprehtë shtetin e ri borgjez, me mjerimin, taksat, gënjeshtrën dhe korrupsionin. Patosi mohues është tepër i fuqishëm, ndihet revolta e poetit demokrat. Tema politike trajtohet sërish në poemën "Djalli dhe Muza". Vitet e fundit të jetës së Dara i Ri i kaloi në Xhirxhenti, ku punoi si avokat dhe u mor me arkeologji e me studime filozofike. Aty vdiq në nëntor të vitit 1885 në mjerim duke lënë gjashtë fëmijë ende të mitur. Ai e kishte ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, duke marrë anën e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe duke kuptuar me mprehtësi rrezikun e synimeve të shovinistëve fqinjë si dhe të imperialistëve austriakë dhe italianë ndaj Shqipërisë. Ai ishte për një bashkëpunim të ballkanasve, kundër zgjedhës osmane.

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.

Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit. Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.

Dara qe një njeri i gjithanshëm. Ai dha ndihmesa në fusha të ndryshme si: drejtësi, filozofi, arkeologji, gjuhësi, histori, kritikë, po kryesisht shkëlqeu si poet. Në letërsinë tonë ai ka hyrë me "Këngën e spasme të Balës", të cilën me modesti e paraqet si të popullit, po që, për nga fryma aktuale, uniteti i brendshëm e tiparet e stilit, si dhe romantika që e përshkron duket që është fryt i talentit të Darës. Vepra shoqërohet nga një parathënie e një pasthënie, ku autori, shpreh synimet e veta patriotike, duke hedhur zërin e kushtrimit për shqiptarët. Poema doli në dritë më 1906 si libër më vete, pasi ishte botuar pjesë-pjesë në shtypin arbëresh. Aty trajtohen probleme aktuale të kohës, duke iu drejtuar së kaluarës historike, kohës së Skënderbeut. Fryma aktuale është edhe më e ndjeshme sesa në veprat e De Radës. Vepra ka në bazë dy ide qëndrore: njëra ngjan me idenë e shprehur nga De rada te "Këngët e Milosaos" se nuk mund të ketë lumturi vetjake kur vuan atdheu, dhe ideja tjetër është se atdheu mund të çlirohet vetëm me luftë të armatosur. Ideja e parë shtjellohet nëpërmjet linjës së dashurisë. Së dytës i kushtohet një linjë e veçantë me tablo të gjalla nga betejat e shqiptarëve me osmanët. Ide të tjera që rrezaton ideja qendrore, janë ideja e domosdoshmërisë së një udhëheqjeje të fortë dhe ideja e bashkimit të shqiptarëve, ideja e vitalitetit të kombit, e virtyteve të larta që e dallojnë atë, ideja e luftës për ta ruajtur të pastër, duke e mbrojtur nga rreziku i asimilimit prej kombeve të tjera.

Këtë tematikë dhe problematikë, këto ide i patëm ndeshur edhe te De Rada. Elementi i ri që sjell në këtë drejtim Dara është forcimi i frymës aktuale, e cila jepet në mënyrë shumë më të drejtpërdrejtë sesa te De Rada në pjesët lirike, kryesisht rritja e frymës luftarake e karakterit aktiv militues. Ndonëse pasqyron në poemën e vet edhe tragjizmin e luftës së pabarabartë të shqiptarëve me një fuqi të madhe ushtarake si Turqia, përmes përshkrimit të tablove rrënqethëse të betejave dhe fati tragjik të herojve kryesorë, poeti e vë theksin te qëndresa e madhërishme e atdheut, te fitorja. Heroikja këtu jepet nëpërmjet tablove të betejave të cilat kanë edhe bazë objektive historike , si beteja e Beratit, dhe ajo e Valkalit. Dhe mbirja simbolike e pemëve në fund të veprës mund të kuptohet si pohim i një vitaliteti të pashtershëm, vitalitetit të një populli në luftë të përhershme me ata që duan ta shuajnë. Dara shpreh dhe tragjedinë e arbëreshëve të mërguar jashtë atdheut duke i dhënë letërsisë sonë përmes figurës së plakut Balë një tip të ri, tipin e arbëreshit të mërguar në dhè të huaj. Idetë e veta patriotike autori i ka mishëruar te personazhet kryesore, Niku dhe Pali, te personazhet e Balës dhe të Darës si dhe te Skënderbeu, i cili, megjithëse personazh episodik, luan një rol të veçantë në poemë. Niku dhe pali janë heronj të frymëzuar nga folklori, që kanë marrë veçoritë e heronjve romatikë atdhetarë. Që të dy janë trima dhe patriotë. Kështu, Niku i thotë Darës me vendosmëri:
Sa shpalosur në er' mbi kodratTë valoj' flamur i Arbrit Gjersa n'vesht e mi të mbrijë Hingëllima e kuajve t'huaj, t'i o pris i moçëm luftrashk'tu t'vendosur do më gjesh.
Pa asnjë ngurrim (dhe këtu paraqitet më i vendosur në krahasim me Milosaon e De Radës) ai flijon lumturinë e vet familjare për hir të atdheut. Kurse në prag të vdekjes, gëzimi për fitoren ia shuan dhëmbjen për rininë që po i këputet në lulëzim e sipër. Trimëria dhe patriotizmi i Palit shkëlqejnë në betejën e Valkalit, ku ai futet thellë në prapavijat e armikut dhe bie vetëm pasi ka arritur të zmbrapsë turqit. Ato shkëlqejnë veçanërisht në amanetin kuptimplotë që ai i lë Darës duke kërkuar që armët e tij të varen në një pemë dhe të vazhdojnë t'u kallin tmerrin osmanëve. Të dy heronjtë kanë veçori që i dallojnë. Niku del më i plotë si personazh. Ai është i ndjeshëm dhe ëndërrimtar, poet dhe këngëtar i talentuar, fizikisht i pashëm, i aftë për një dashuri të madhe e të thellë, siç e shohim në marëdhënie me Marën, krenar dhe gjaknxehtë. Po aq krenar dhe gjaknxehtë është edhe Pali, tek i cili deri diku shfaqet sedra klasore e feudalit. Kjo ndjenjë e fundit gjen shprehje në qëndrimin e tij përbuzës ndaj Nikut, të cilin e fyen rëndë, duke e quajtur "zot i dy zallishteve", "ushtarth ballukedredhur". Këto dy personazhe i plotëson Bala që nuk është vetëm zëdhënës i autorit, po ka edhe një jetë të vetën. Në luftë ai është i pamëshirshëm me armiqtë, po pas betejës është plot ndjenja të buta njerëzore. Qëllimi patriotik i poetit shprehet edhe te figura e luftëtarit Darë, i cili e qorton Nik Petën, që kërkon të martohet me një të huaj. Ideali atdhetar i Darës spikat veçanërisht tek figura e Skënderbeut. Heroi përshkruhet kryesisht si prijës ushtarak, strateg e luftëtar, prandaj vendoset në skena të tilla që i bëjnë të dalin në dritë më qartë këto anë të figurës së tij; në këshillin e luftës dhe në betejë. Gjithashtu, ai zbulohet në marrëdhënie me të tjerët, duke theksuar ndikimin e fjlaëve dhe veprimeve të tij mbi këta të fundit. Skënderbeu i Darës del njeri më tepër i veprimit sesa i fjalës, vigjilent e largpamës (porosia që i jep Balës për të kontrolluar rojet, qëndrimi i tij ndaj plakur Harun, të cilin nuk e lë të ikë menjëherë, duke dyshuar për ndonjë pabesi nga ana e tij, po ia dorëzon Pal Golemit që ta ruajë, fjalët që i thotë Nikut kur e lejon të shkojë për të çliruar Marën); që di të falë edhe gabime kur e kërkon e mira e atdheut (skena me Moisiun). Në luftë me armiqtë ai është i rreptë dhe i tmerrshëm, kurse në marrëdhëniet me ushtarët i dashur dhe i kujdesshëm. Dara nënvizon autoritetin e e madh të Skënderbeut përmes një skene kuptimplotë (që ka analogji me një skenë të ngjashme te "Skënderbeu i pafat" i De Radës, po, megjithatë është origjinale): mjafton një vështrim i tij që t'i bëjë të ndahen të turpëruar Nikun e Palin, kur po nisnin dyluftimin për shkak të Marës; nënvizon dashurinë e ushtarëve për heroin, dashuri e cila është aq e madhe, sa i bën që edhe mendimet e fundit para vdekjes t'ia drejtojnë atij. Megjithëse Dara nuk thellohet në botën shpirtërore të heroit, Skënderbeu i tij është i gjallë si karakter dhe, ndoshta, më i afërt me realitetin historik sesa paraqitet në veprat e rilindësve të tjerë. Te Mara megjithëse e paraqet si të huaj. Dara ka mishëruar disa nga cilësitë e gruas shqiptare. Ajo është e bukur, e urtë, e mençur, e zjarrtë dhe e qëndrueshme në dashurinë e saj. Ajo shquhet për trimëri të rrallë, çka shfaqet në kohën kur, e dorëzuar te Ballbani nga i ati i pabesë, mbrohet nga turqit me thikë në dorë. Poeti jep edhe një portret kolektiv të grave shqiptare, të cilat "tisi i nderit i mbështjell…/kanë si dasëm luftrat/andej syresh lindin trima."

Personazhet negative janë vizituar me vija të lehta, po shprehëse. Kauri Balës është njeriu që, për të kënaqur lakmitë, shkel edhe mbi dashurinë prindërore; ai është njeri i pabesë që të vret pas shpine. Dara i jep personazhet kryesisht përmes veprimit dhe herë pas here përmes zbulimit të portretit të tyre fizik, siç është rasti i Nikut ose i Marës. Ndikimi i poezisë popullore, e cila është burim i pashtershëm për autorët arbëreshë, në këtë vepër është shumë i madh. Dara merr nga poezia popullore heronjtë kryesorë, Nik Petën dhe Pal Golemin, mjaft veçori të figurës së Skënderbeut dhe asaj të Ballabanit, ndërthur në veprën e vet shumë motive nga poezia popullore arbëreshe, si ndarja e dy të dashurëve, që të kujton legjendën e Kostandinit të vogël; motivi i rrëmbilit të vajzës nga "qeni turk"; motivi i shkëmbimit të unazës midis bashkëshortëve, kur burri niset për luftë ose vritet; motivi i vjehrrës që e qorton nusen për parandjenjat e saj të këqija; motivi i amanetit të trimit që e shoqja të martohet; motivi i vdekjes së përnjëherëshme të njerëzve shumë të afërt; motivi i mbirjes së një peme mbi varr. Po tërë këtyre motiveve ai u jep një formë origjinale, duke i lidhur ngushtë me idetë e veprës dhe duke plotësuar e forcuar ato tipare që u jep folklori heronjve të vet. Pra, në thelb, Dara mori thjeshtësinë dhe frymën e thellë patriotike të poezisë popullore arbëreshe. Në formë ai merr vargun karakteristik trokaik pa rimë larminë ritmike, figuracionin e gjallë, stilin, muzikalitetin e rallë që të tërheq dhe, nganjëherë, vargje të tëra.

Dara është një poet piktor në veprën e të cilit shkrihen muzikaliteti me ngjyrat e gjalla. Ai shquhet si në përshkrimin e tablove të ashpra të betejave, ashtu edhe në vizatimin e skenave lirike. Mjeshtërisë së poetit i shërben figuracioni i pasur dhe konkret.

Dara dallohet në përdorimin e antitezave, krahasimeve, metaforave, epiteteve, E fuqishme është antiteza e këngës së dytë midis trimave të Skënderbeut, që gëzojnë pranë zjarrit, dhe Moisi Golemit, që rri mënjanë, "Te hija e lisit të helmit". Me një antitezë tronditëse flitet për trimat e rënë në sheshin e betejës.

Krahasimet e poetit dallohen nga forca përshkruese dhe nga njomësia e ndjenjave, kurse epitetet-kompozita janë konçize. Me një epitet të vetëm, ai shpreh një karakter të tërë. Kështu, p.sh., Moisiu është "ballëfshehur", Vrana Konti "zemër e krah lisi" etj. Si të gjithë romantikët, Dara ka një ndjenjë të thellë për natyrën, të cilën e përdor si element të gjallë, që shoqëron veprimin dhe ndalet në anët e saj më të të ashpra e më të rrepta, që përputhen me madhështinë tragjike të epokës së përshkruar. Ndikimi i poezisë antike dhe i poemave kalorsiake, nga një anë e kanë disiplinuar vrullin e poetit romantik, dhe, nga ana tjetër, kanë sjellë në vepër edhe disa shenja të veçanta në ndërtimin e saj dhe në figuracion. Në këtë poemë, në krahasim me veprat e mëparshme të letërsisë arbëreshe, janë rritur fryma luftarake dhe ajo aktuale në pasqyrimin e epokës së Skënderbeut, ngjyra historike, epizmi dhe uniteti i veprimit. Ky unitet është i dukshëm edhe pse vetë poeti, për ta paraqitur veprën si popullore, mistifikim i zakonshëm ky romantik, përpiqet që të krijojë me disa shënime iluzionin e copëtimit.

Në krahasim me De Radën, Dara është më i ekuilibruar, ndonëse di të shprehë tallazet e pasioneve, sepse ka një përfytyrim më real për botën dhe jetën.

"Kënga e sprasme e Balës", në të cilën poeti derdh tërë diturinë e frymëzimin e vet, mbetet një nga veprat më të mira të letërsisë shqiptare

Pas Jeronim De Radës, Gavril Dara i Riu mbetet poeti më i shquar arbëresh. Vepra e vetme në shqip që na ka arritur prej tij, "Kënga e sprasme e Balës" është një ndër kryeveprat e letërsisë sonë.

Duke ndjekur hap pas hapi lëvizjen tonë kombëtare, Dara e mbështeti atë fuqmisht. Ashtu si De Rada, edhe Dara temën e poemës së vet e mori nga e kaluara e lavdishme e popullit tonë , e ngriti në art këtë epokë, duke e bërë shprehëse të ideve patriotike, për t'i shërbyer sa më mirë tokës mëmë dhe vëllezërve të tij të përtejdetit. Dara është mjeshtër i madh i artit të fjalës. Vepra e tij shquhet për pasuri mjetesh artistike, për gjuhë të gjallë e të bukur e mbi, të gjitha, për mbështetjen e gjerë e të gjithanshme në folklorin arbëresh.

______________
Nga WIKIPEDIA

Frang Bardhi

Frang Bardhi (1606 - 1643) ipeshkvi, shkrimtar, leksikograf, folklorist dhe etnograf shqiptar nga Kallmeti ose Nënshati Zadrimës Shqipëri. Vinte nga një familje e klerike e Zadrimës. Studioi në Seminarin e Loretos në Itali. Frank Bardhi ishte ipeshkvit i Sapës. Ishte shkruesi i parë i një fjalori për gjuhen shqipe i cili fjalorë ka rreth 5000 fjalë të përkthyera nga latinishtja në shqip, si dhe numërorë, emra vendesh dhe një sasi fjalësh të urta e shprehjesh të mbledhura në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Kjo e bënë që Bardhi të jetë leksikografi i parë i gjuhës shqipe dhe folkloristi e entnografi i parë shqiptar i njohur deri më tani.


Jeta dhe vepra

Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: "Fjalori latinisht-shqip" dhe "Apologjia e Skënderbeut". Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII.

Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Pjetër Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit,- ndërgjegje arbërore. Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes (Zadrimë). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe. Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …"

Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.]] Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.

Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare.

Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore "Fjalorin latinisht-shqip" dhe "Apologjja e Skënderbeut".

"Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte "…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …" Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë. Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe.

Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqipërisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër. Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : "Tek shkel turku, nuk mbin bar" etj. Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre.

Vepra tjetër e njohur e Bardhit është "Apologjia e Skënderbeut", botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: "Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij",- prej Frang Bardhit. Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. Kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik. Këtë falsifikim Bardhi e quan të "kobshëm" dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t'i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t'i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës "Unë e mora përsipër këtë barrë,- thotë Bardhi,- jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu (lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s'ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema".

Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t'i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit. Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit. "Vazhdimisht gjer në ditët e sotme,- shkruan autori,- bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin "Kuçedra e Arbrit", d.m.th. dragoi i Arbërit-Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu". Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.

Tituj të veprave

  • Apologjia e Skënderbeut (1636)
  • Fjalori latinisht-shqip
  • Parathënia e Fjalorit të Frangut të Bardhë ( 1606 - 1643 ) (Dictionarum latino-epiroticum), në vitin 1635 (5000 fjalë)
______________
Nga WIKIPEDIA

Pano Taçi - Një buqetë me poezi


Nga ç’qiell ra

Të jetë vegim apo ëndërr,
ç’më rri gjallë thellë në sy,
nga qielli ra ajo femër,
që më shkoi pranë si perri?!

Bëra që t‘i flas me emër,
Por ç’i thonë nuk e di,
dëgjova një zë në zemër,
më tha i thonë dashuri.



Ruspa

Vjen e ikën si një hije,
Pres, Rruspa se ma qan hallin,
E gatuara me shije,
në shpirt zgjuar ma lë mallin.

Për ato dy kokrra pjeshka,
në gji, lëng më lëshon goja,
Të më blinte arixheshka
dashnor, më shumë ç‘i doja.

Jo që s’do t’ia dijë femra,
Më huton tek shkon si ngjalë,
ç’na lë të na dridhet zemra,
ç’na i ngrin buzës çdo fjalë.

Vjen e ikën si një si një hije,
ç’është me ty a nuk më thua?
Ai hap tek hedh plot shije,
Më bëhet se më shkel mua.




Ethe vejusheje
 

Tek rrjedh lumi buzë bregut,
Hëna kuvendon me lisat,
Romen shoh që pushton shelgun,
Të shuaj zjarrin që i hanë sisat.

S‘e zë gjumi, akull shtrati,
Për ç‘u bë romja vejushë,
Me që s‘vjen ta joshë kurbati
Pushton shelgun, ç‘digjet prush.



Hape derën

Zgjohu zemër e drobitur,
Ç‘fle e kyçur nga vetmia,
Hape derën, ka trokitur,
Le të hyjë dashuria.



Në mall të saj

Edhe pse si gur i rëndë,
Për ç‘na merr frymë në gji,
Nëpër mall të shpirtit tënd,
Jam e s‘jam, dal e hy.

Edhe pse bëra ta gdhend,
Pikën e lotit në sy,
Jam e s‘jam në mallin tënd,
Ashik dal e si murg hy

Gjunjë të bje duke të lutur,
Nga që bëj të kërkoj dorën,
Në pëllëmbë do mbaj një flutur,
Në çastin kur vë kurorën,

Të bekuar prej perëndisë,
Fluturën elb të lirë,
T‘mi thotë beqarisë:
Lamtumirë!



Aromë

I shikoj si ngasin,
Çiftet dy nga dy,
Në pyll të humbasin,
Pa i parë njeri.

I shikoj tek kthehen,
Për ç‘u shtrinë mbi bar,
Puthen prapë të dehen,
Buzët me nektar

Tek më shkojnë pranë,
Erëmojnë zambak,
Mu bë se më thanë:
-Erëmon për plak.

Ç‘erë kam e di,
S‘jam siç qesh një herë,
Oh, kjo pleqëri,
Si dimër i zi,
nuk kam ç‘bje erë
Si pranverë.



Qeni i stanit

Trupzeshkania në lumë,
Hyn cullak trupin ta lajë,
Romi pret ta shtijë mbi kum,
Për kalorës ajo ta mbajë,

Tek i merr erë fustanit,
Për ç‘i djeg shpirti ciganit,
Mendon t‘i hyjë në shtëpi,
Ç‘fle cullak brenda jorganit.
Duhet vratë qeni i stanit,
Te dera roje ç‘irri.



Ai sy kurbateje

Po këndoj siç ma do xhani,
Me të qarë e me oi,
Ma mbani, shokë, ma mbani,
Për ç‘u dogjsh nga ai sy.

Jam bërë si Omar Khajami,
Në tavern tek pi
Më rrotullohet tavani,
Sa herë kujtoj syno e zi.

Në ma njokeni mos ma shani,
Packa se me sy më vret,
Hallin tim, o shokë, ma qani,
Bëj t‘i flas asaj që s‘flet.

Ai sy me ngjyrë katrani,
Të më dojë sërish e thënë,
Që s‘më do, oh mos ma shani,
Ma mban zemra për hënë.



Puthja kurbate

Te ky terr i kësaj nate,
Malli buzët mi zhurit,
Veç për një puthje kurbate,
Ç‘gëzon zemra, bëhet dritë.

Nëpër erëmim lofate,
Malli ditët mi ronit,
Veç për një puthje kurbate
Me gaz do të jepja shpirt.

I shpëtoj kësaj lëngate,
Të mallit për ç‘më sfilit,
Veç për një puthje kurbate,
Do mallkoja perënditë.



Dimër jashtë e dimër brenda

Me bastun akulli ikën
dimri nëpër udhë.
ku shkel, tokës i kall frikën
e drurët i rrudhë.

Qiell borën po esit
mbi male e fusha.
del gjahtari t’i bëj pritë
shapkës te gajusha.

Lodra e rrufesë gjëmon
e zjarr i kall qiellit.
reja me retë vallzon
për inat të diellit.

Qershia me sy për dhe,
nudo, mardh e tëra.
bredhi flokëhalat i ngre
me nfricë për gjelpëra.

Si një dimër këtë mbrëmje
kallkan nëpër derte,
pllaq e plluq iki mbi dhembje
e s’di se ku vete.



Takim pas divorcit

Tek çapiteshim ngadalë,
bri për bri, stapërish…
hidh një fjalë e digj një fjalë
për një mall që larg na grish.

Bëm t’i ngjallnim ç’qenë varrosur
thellë në shpirt, nja dy tri shpuza.
fjalët që na qenë hirosur
embëlsisht na i thesh buza.

E tek hidhnim këmbën zvarrë,
për te fundi që s’kish fund,
ajo burr tjetër kish marë,
mua grua s’m’u gjend kund.

Diku udha u nda dysh
tek e bëmë stapërish,
stapërisht e shkarë shkarë.
as u ndreq gjë, as u prish,
e ne të dy prap sërish
mbetëm ndarë.



Eja mike

Sa herë vjen çapkëni prill,
çapkëne më bëhet shpresa,
brezin nga mesi ia zgjidh
malit, t’ia bëj rëkeza.

Bredhi si qiri argjendi,
na rri nën tyl të mjergullës.
prill çapkëni, lisin çmendi
kur gjirin ia puth pjergullës.

Eja mike, na fton prilli
te ai vend q’u bë harim.
atje ku këputet ylli
porsi lot i syrit tim.



Bëj ta gjej

Kërkoj veten që s’e kam.
A ma pa njeri?
Dua të di cili jam
me kaq plagë në gji.

Kërkoj veten, bëj ta gjej
Thomëni, kush ma pa?
Dhe n’e gjej, me dhëmbë e brrej.
Brengat mua m’i la.

Kërkoj veten ku më humbi,
në ç’udhë pa krye?
Pa veten do më marë lumi
Pa veten jam hije.



Për ç’heq e vuaj

Po iki, e di, s’kthehem më,
Nga jeta një të mirë s’pashë.
Nuk di për mall pas nëse lë,
Një fjalë të çiltër që thashë.

Po iki ku ikin të gjithë,
Pa pritur e pa kujtuar,
Me botën e përtejshme më lidh
Një mall që më djeg në kraharuar.

Po iki dhe pse shumë gjëra
Pa bërë nga pas do t’i lë,
Dëgjoj nga qielli shumë zëra,
Të nënës e dalloj mbi çdo zë.

Do iki siç ikën çdo shpirt
Siç më iku edhe shpirti i nënës,
Çdo natë dal t’ia shoh sytë,
Mes syve që i vinin rrotull hënës.

Zambakët rreth varrit ia mbolla,
Ku emrin me lot ia gdhenda,
Nga qimiri ta zgjoj, u lodha…
Të gjallë ma mban zemra brenda.

Do iki nuk kam më se ç’pres,
Për ç’heq e vuaj them të vdes

Foqion Postoli

(1889-1927)

Foqion Postoli lindi në Korçë në vitin 1889, dhe në Korçë mori edhe mësimet e para. Në faqet e gazetës “Dielli” botoi si nënfletë romanet “Për mbrojtjen e Atdheut” (1919) dhe “Lulja e Kujtimit” (1922) etj, të cilat më vonë u botuan si libra më vete. Vdiq më 2 tetor të vitit 1927.

Veprimtaria letrare, politike dhe shoqërore e Foqion Postolit u zhvillua gjatë viteve të fundit të Rilindjes dhe periudhës së pavarësisë tonë kombëtare. Kjo ishte periudha e ngritjes më të madhe që pati lëvizja jonë kombëtare dhe përfundoi me pavarësinë e vendit më 1912.Por kjo ngritje u shoqërua edhe me rënie te menjëhershme që erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të huaja dhe luftërave botërore. Edhe pse jetoi në periudha të ndryshme të historisë në vepra shkrimtari pasqyroi idetë e rilindësve tanë, siç ishin dashuria për atdheun, urrejtja e madhe për pushtuesit otomanë, dhe krenaria për historinë e vendit. Autori në librat e tij është frymëzuar nga temat aktuale të asaj kohe.



Lulja e kujtimit

Ne romanin tij "Lulja e Kujtimit" përshkruhen ngjarjet që i përkasin periudhës së përpjekjeve që bëheshin n'ato kohë për t’u çliruar nga zgjedha turke dhe influenca e propagandës greke, e cila ishte ishte një pengese serioze për lëvizjen tone kombëtare. Ne këtë roman popullor, gërshetohen konfliktet personale me ato shoqërore e politike, ku epërsinë e marrin kurdoherë këta të fundit. Ngjarjet e romanit zhvillohen në një ambient tregtar, qe është verbuar nga propaganda greke. Subjekti i romanit është i thjështë : djali i ri Dhimitri, që punon si kryeshërbëtor në dyqanin e Z. Kristo, dashuron vajzën e tij të vetme, Olimbine, e cila edhe ajo e do Dhimitrin me gjithë shpirt, ndonëse ai është i varfër.Zoti Kristo, duke përparuar në tregti, sjell nga Greqia një sekretar, Nikon, për të drejtuar tregtinë e tij. Nikua fiton me dinakëri simpatinë e Z. Kristo, dhe ky, duke mos e njohur fytyrën e vërtete të Nikos, arrin deri sa t’i propozoje atij për ta bëre dhëndër. Olimbia, kur e merr vesh këtë gjë protestonon energjikisht dhe i thotë t’et pa drojtje se ajo e dashuron Dhimitrin. Z. Kristo, që nuk mund të pajtohet me këtë mendim, harton bashke me Nikon planin për ta larguar Dhimitrin nga Korça duke e dorëzuar në duart e qeverisë turke si njeri kryengritës dhe që kishte marëdhënie me shqiptarët jashtë Shqipërisë.

Bardhyl Londo

Bardhyl Londo lindur në vitin 1948 në Përmet, Shqipëri. Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”. 
Bardhyl Londo është padyshim njëri nga shkrimtarët që u bën nder letrave shqipe.

Deri me tash ka botuar këta libra: 
  • “Krisma dhe trëndafila”, 
  • “Hapa në rrugë”, 
  • “Emrin e ka dashuri”,
  •  “Si ta qetësoj detin”, 
  • “Ditë njerëzore”, 
  • “Shën Shiu”, 
  • “Vetëm Itaka” (Prishtinë), 
  • “Kur perënditë ndaluan vetëvrasje”, 
  • “Eksodi i yjeve” (Shkup), 
  • “Shenjtor dhe djall”, 
  • “Tempulli brenda dhe jashtë”, 
  • “Fluturimi i korbave”, 
  • “Jeta që na dhanë”.

Freitag, 6. März 2015

Flutra Açka

Flutra Açka lindi në qytetin e Elbasanit, më 1966. Është poeteshë, shkrimtare dhe botuese shqiptare. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit.
Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë. 

Flutura Açka është shumë e njohur me poezinë e saj. Në vitin 1997 ajo mori çmimin ndërkombëtar "Lira e Strugës" në Netët e Poezisë Strugane ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë.
Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit. Romani i saj "Vetmi gruaje" është përkthyer në gjuhen bullgare nga Viktor Genkov.

Disa nga titujt e veprave

  • Vetmi gruaje - Tiranё, 1998 - roman përkthyer në bullgarisht - nga Viktor Genkov : Самотата на една жена.
  • Kukullat nuk kanë Atdhe - 2013
  • Kryqi i harresës
  • Hiri
  • Lutje dimri
  • Zbathur - 2007
_____________
Nga WIKIPEDIA

Donnerstag, 5. März 2015

Ferit Lamaj

Ferit Lamaj u lind në Korçë më 6 janar 1955. Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Tiranë. Lamaj është një nga fabulistet me te mirë shqipetarë. Ka publikuar 60 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 3500 fabula. Disa nga titujt e librave: “Në verë dhe në dimër”; “Në kopshtin zoologjik”; “Tosi me fustan”; “Kush e hëngri mjaltin?”; “Gjelkokoshi zgjon derrkucin”; “Bilbili dhe gjinkalla”; “201 fabula”; “Dhelpra doganiere”; “Dhelpra e Trojës”; “Kafshët flasin”; “Bubi, beci dhe kaleci”; “1111 fabula”; “Papagalli pinguin”; “Një deve pranë Eifelit”; “Derri me tri këmbë”; “Fabula erotike”; “Gërvisht e gërvisht”; “Mikrofabula”; “Lakuriqi lakuriq”; “Miss Dhia”; “Mbreti xhuxh”; “Gici dhe polici”; etj.

Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.

Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); çmimi "La Fonten" nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); çmimi “Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe” (Maqedoni, 1996); çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar "Il faro d'Argento" (Itali, 1998); medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); medalja “Naim Frashëri i argjendtë” akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006).

Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë.

Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.


Për të mësuar më shumë për shkrimtarin tonë Ferit Lamaj dhe për të lexuar pjesë nga krijimtaria letrare, vizitojeni faqen e tij përsonale: feritlamaj.com
___________
Biografia e autorit është marrë nga WIKIPEDIA

Mittwoch, 4. März 2015

Fejzi Bojku

Fejzi Bojku është shkrimtar për fëmijë nga Maqedonia. Ai u lind më 24 mars të vitit 1937 në Veleshtë të Strugës. Ka përfunduar Fakultetin Filozofik në Shkup. Për disa vite me radhë ka punuar redaktor i gazetës së përditshme "Flaka". Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë që nga viti 1974. Jeton dhe krijon në Shkup.
Poet dhe prozator për fëmijë dhe të rinj, përkthyes, eseist, shkrimtar shqiptar në Maqedoni. I lindur në Veleshtë të Strugës më 24 mars 1937, shkollën fillore e kreu në Veleshtë e Strugë; Shkollën normale për mësues e kreu në Shkup ku pastaj studioi dhe kreu frëngjishten dhe maqedonishten në Shkollën e Lartë Pedagogjike, e më vonë edhe gjuhën dhe letërsinë shqipe në fakultetin filosofik. Ndoqi ligjëratat e shkallës së tretë në Prishtinë. Kreu dhe Shkollën njëvjeçare të gazetarisë në Beograd.
Në vitet 1956-1959 ishte mësues në Koroshisht e Veleshtë të Strugës. Në vitet 1960-1964 ishte gazetar i “Flakës së vëllazërimit”, kurse nga viti 1964 e deri në v.1991, plot 27 vjet, ishte redaktor përgjegjës i revistave “Gëzimi” dhe “Fatosi”. Në vitet 1992-1993 ishte kryeredaktor përgjegjës i Njësisë Punuese “Flaka e vëllazërimit” prej ku doli në pension.
Anëtar i Shoqatës së shkrimtarëve të Maqedonisë është nga viti 1976.
Ka botuar 15 përmbledhje me poezi dhe prozë (dy në maqedonisht) në Shkup dhe Prishtinë, si: “Lulet e para” 1968; “Zilet shkollore” 1971; “Këngët e shkronjave” (koautor Ali Huruglica) 1972; “Shtatori i një fëmijërie” 1973; “Hyri vallja në shtëpi” 1974; “Ngjyrat e qiellit tim” 1977; “Flutura të bardha” 1980; “Xhemper”, në maqedonisht në SHB Detska radost - Shkup, 1981; “Fjalë dhe valë” 1987; “Septemvri na edno detstvo” në maqedonisht SHB Detska radost-Shkup, 2001; “Tungjatjeta vjeshtë!” 2002; “Çka i falëm ditës?” 2002; “Sa është ora” 2002 si botime private dhe “Tregimet e babait” pranë ShB “Serembe” në v.2006. Ka botuar shumë vështrime dhe kritika dhe mbi 50 recensione si para(pas)thënie për vepra letrare.
Ka përkthyer e rikënduar nga maqedonishtja, serbokroatishtja e frengjishjta në shqip dhe anasjelltas mbi 40 vepra për fëmijë dhe të rritur, disa si zgjedhje ose përmbledhje antologjike.
Është i prezantuar në shumë zgjedhje dhe antologji krijimesh për fëmijë dhe të rinj në gjuhën shqipe, maqedonishte, serbokroatishte. Tregimet dhe vjershat e tij kanë qenë dhe janë nëpër të gjithë edicionet e librave të leximit. Edhe vetë është koautor i tre librave të leximit.
Mbi 40 poezi të autorit janë bërë këngë që janë kënduar dhe këndohen nëpër shkolla e festivale, të kompozuara nga emra të njohur si: Pranvera Badivuku, Bashkim Paçuku, Ismail Hoxha, Zejadin Ismaili, Rafet Rudi, Nazmi Kaba, Sabahudin Zhuta etj. Disa kanë zënë vende të para në gara e festivale republikane dhe federative.
Bojku është fitues edhe i dy çmimeve të rëndësishme: i çmimit për përkthime letrare gjatë pesëdhjetë viteve të kaluara, çmim ky që tani mban emrin e Abdylazis Islamit dhe, këto ditë, fitues i Çmimit 13 nëntori 2011 i qytetit të Shkupit, në fushën e kulturës dhe artit. Në arsyetimin për ndarjen e këtij çmimi theksohet: “Fejzi Bojku i takon klasikës së letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj. Duke rrumbullakësuar veprimtarinë e vet pesëdhjetë vjeçare letrare dhe kulturore, që mbështetet në disa drejtime, kryesisht si shkrimtar e pastaj si përkthyes letrar dhe afirmues edhe i letërsisë shqipe dhe maqedonase... ai është bërë shkrimtar i dashur i cili rregullisht ka mbajtur kontakte me lexuesit e vet, ai është shkrimtari veprat e të cilit me kohë lexuesit i kanë bërë të vetat...

_______________
Nga WIKIPEDIA

Fatos Mero Rrapaj

Fatos Mero Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Është mbledhës folklori dhe shkrimtar shqiptar.Arsimin fillestar e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.
Tërë jetën deri sa doli në pension ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, iu përkushtua me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë. Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe “Këngë popullore të Çamërisë”, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit Ismail Kadare.
Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën “Krahu i shqiponjës” si dhe gazetat “Drita”, “Kosova” e “Çamëria”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA). Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: “Proza popullore e Çamërisë”, me rreth 3000 faqe, “Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime”, Këngë e prozë popullore” nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, “Doke e zakone nga Çamëria”, “Fjalë të urta nga Korça e Dibra”, Anekdota popullore” në pesë vëllime etj., etj.

Titujt e veprave

  • “Te Sheshi i Flamurit”, me këngë popullore labe, Tiranë, 1972
  • “Këngë popullore të Çamërisë”, Tiranë, 1983
  • “Këngë popullore të Labërisë”, Tiranë, 1991
  • “Rënkimet e Çamërisë”, tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995
  • “Fjalori onomastik i Epirit” I, Tiranë, 1995
  • “Këngë popullore të ndaluara”, Tiranë, 1996
___________
Nga WIKIPEDIA

Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj është lindur më 4 mars 1955, në Selenicë të Vlorës ku edhe përfundoi, më 1974, shkollën e mesme të përgjithshme (gjimnazin). Për shkak të sistemit politik të kohës, iu privua për një kohë të gjatë e drejta për studime të larta. Iu desh të kryente më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak (2 vjet) dhe të punonte (për 5 vjet) punëtor në minierën e bitumit në Selenicë. Studimet e larta i kreu në vitet 1983-1988, prej të cilave u diplomua inxhinier minierë (markshajder), në Universitetin e Tiranës. Si inxhinier punoi një vit në minierën e qymyrgurit në Memaliaj, Tepelenë.
Në nëntor 1989 shkon në Tiranë, si gazetar në “Zëri i Rinisë”. Prej atëherë ka punuar në fushën e gazetarisë, në disa gazeta si “Alternativa”, “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Albania”, nëndrejtor i përgjithshëm në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh.), zëdhënës shtypi në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sporteve dhe së fundi në Agjencinë e Tregtimit dhe Shpërndarjes së Librit Artistik e Shkencor, Tiranë.
Prej fillim viteve '80, ka qenë i pranishëm në shtypin dhe letërsinë shqip me artikuj në të përditshmet dhe me librat e vet.
Më 3 nëntor 2003 emigroi për në Toronto, Kanada, ku jeton bashkë me gruan, djalin dhe vajzën e tij.
Prej vitit 2004 është anëtar i “The Writer Union of Canada ” dhe “PEN Canada”.
Që prej botimit të librit të parë në vitin 1985 ( "Dielli i nëntokës”, poezi) ka botuar në vazhdimësi poezi, tregime të shkurtra, novela, ese dhe përkthime, përfshirë disa autorë kanadezë.


Disa nga librat e këtij autori janë:
  • "Dielli i nëntokës” - poezi (1985, Tiranë, Shqipëri) dhe 
  • "Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri" - poezi, (1991, Tiranë, Shqipëri).
  • "Njerëz që kam njohur", - tregime (1987, Tiranë, Shqiperi);
  • "Marrëveshje për të jetuar", - tregime, (1989, Tiranë, Shqipëri);
  • Nudo Zyrtare" - tregime, (1996, Tiranë, Shqipëri) - Vlerësuar me Çmimin “Libri më i mirë me tregime për vitin 1996 ”- tregime, dhënë nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve, në vitin 1997;
  • "Njerëzit janë tepër"- tregime,  (2000, Shkup, Maqedoni);
  • "Luftëtarët vriten në paqe"- tregime, (2003, Prishtine, Kosovë);
  • Hijet e Virgjëreshave"- tregime,  (Arbëria, Tiranë, 2006).
  • Qyteti i Ministrave”- novela, (1998, Tiranë, Shqipëri).
  • "Atdhè Tjetër"- roman, ('Milosao', Sarandë, 2012).
  • "Përse druhemi nga nacionalizmi" - ese, (1995, Tiranë, Shqipëri) dhe “Markezë shqiptarë” (2002, Tiranë, Shqipëri).
Ka përkthyer në shqip nga anglishtja:
  • “Toleranca, pragu i paqes” (”Tolerance, the threshold of peace” Betty Reardon, UNESCO);
  • “Pushteti i G.G.Markez” (”The power of G.G.Marquez”, Jon Lee Anderson);
  • “William Sarojan, tregime e novela” ("The best stories of William Saroyan”);
  • “Stina e mallit” (”No great mischief”, Alistair MacLeod);
  • “Harpa e barit' (”The grass harp", Truman Capote)

Shkrimtarët dhe gazetarët e dënuar nga diktatura


JUSUF VRIONI, përkthyes
 

Përkthyes, shkrimtar, prozator, njeriu që e shkriu tërë jetën e tij për të bërë të njohur letërsinë shqipe nëpër botë. Ai që përktheu në gjuhë të huaj librat e Migjenit e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Jusuf Vrioni lindi më 16 mars të vitit 1916 në Korfuz. Në Francë, Jusufi mbaroi studimet në tre universitete. Më pas më 5 gusht të vitit 1939, ai kthehet në Shqipëri. Emërohet si punonjës i Ministrisë së Jashtme në Romë. Në mars të vitit 1945, i jepet urdhri i mobilizimit duke e emëruar partizan në Brigadën e 16-të Sulmuese. Kur komunistët morën pushtetin dhe në valën e arrestimeve të atyre, familjet e të cilëve kishin qenë të lidhur me Zogun, Jusufi u arrestua. Më 13 shtator 1947, futet në burg dhe në të njëjtën kohë i internojnë të ëmën në Fier. Në gjyq del pas tre vjetësh dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie. Një nga akuzat ishte ajo e agjenti të Francës. I burgosuri Jusuf Vrioni mori pjese ne tharjen e kënetës së Tërbufit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit. Për sjellje të mirë, ai lirohet më 3 dhjetor të vitit 1959. Emërohet ambasador në Francë, ku vdes më moshën 85-vjeçare.


VISAR ZHITI, poet
 

Visar Zhiti lindi më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik Rapsodia e jetës së trëndafilave. Por më 8 nëntor 1979 arrestohet pas denoncimit që i bënë redaktorët e librit të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj”. Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij, Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. Më 1980 ai dënohet më 10 vjet burg. Nga këto Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit ku punoi deri në vitin 1991.


MUSINE KOKALARI shkrimtare
 

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie si desidente. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Sëmuret më 1981 nga kanceri dhe vdes pas dy vitesh.


MITRUSH KUTELI, shkrimtar
 

Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Është cilësuar si shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist mjaft i mirë. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në Shqipëri, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë si përkthyes. Në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjerë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet më 10 vjet burg si kundërshtar i regjimit komunist. Nga ky dënim kalon dy vjet në burgjet politike dhe më pas amnistohet dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mitrush Kuteli i cili ka dhënë një kontribut në letërsinë shqiptare vdiq më 4 maj të viti 1967 në Tiranë.


ARSHI PIPA, gazetar, kritik
 

Do të duhet që ti vinin vitet e demokracisë që ai të vlerësohej, por këtë herë jo si diversant. Arshi Pipa ka lindur në Shkodër më 1920. Mbaroi shkollën në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941, u emërua mësues filozofie në liceun shtetëror të Tiranës. Më pas në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Kështu vitet 1946-1956, i kalon në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar. Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi, ku jetoi si refugjat. Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine. Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Madje në këtë shtet, Arshi Pipa ka qenë një nga pedagogët më të mirë ku ka dhënë gjuhë italiane dhe që mbante mbi supe edhe grada si doktor.


GJON SHLLAKU, përkthyes
 

Lindi në qytetin e kulturës shqiptare në shkodër më 24 mars të viti 1923. është cilësuar si një ndër përkthyesit më të mirë. Por jetë e tij do të ndryshonte kur më 9 dhjetor 1945 kur ishte student në degën e Teologjisë u arrestua si anëtar i organizatës “Bashkimi shqiptar” për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vitesh. Në vitet e burgut Gjon Shllaku duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja përktheu “Punët e Apostujve” tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër, “Apokalipsi”. Në vitin 1965 ai përktheu nga origjinali greqishte e vjetër “Iliaden” e Homerit. Më vonë botoi fjalorin “Helenik” me 20 mijë fjalë greqishte e vjetër-shqip. Është pikërisht profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i 50 kryeveprave botërore në të gjitha gjinitë tragjedi, komedi, poezi, prozë, ese, histori etj. Gjon Shllaku, helenisti madh, është edhe fitues i diskut të argjendë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letersisë antike greke. Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare.


At ANTON HARAPI, shkrimtar
 

Qenia e tij kundër regjimit komunist do ta dënonte atë me vdekje. Anton Harapi, ka lindur në Shirokë afër Shkodrës. Mësimet e larta i kreu në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjës Françeshkane të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum” dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve. Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944.Pas fitores së Ushtrisë nacional-çlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist. Në qershor 1945 prifti antikomunist, kapet në shtëpin ku kishte marrë strehim. Ai u zbulua për arsye se kishte lënë një protezë dhëmbësh në një gotë uji mbi parmakun e oxha ut. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.


VINÇENST PRENUSHI, poet
 

Emri i tij nuk do të hiqet nga lista e artistëve të cilët u dënuan nga diktatura, pa pasur një akuzë të qartë dhe bindëse. Mjafton te hidhje një fjalë kundër qeverisjes komuniste dhe veç burgut do të internohej edhe familja. Këtë fat ka pasur edhe poeti Vinçens Prenushi. Ai lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante, Ëisseman, Slenklevicz, etj. Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947. Por qëndrimi i tij në burg do të zgjaste vetëm dy vjet. Kjo pasi vdes më 19 mars 1949 nga astma. Më vonë në vitet e demokracisë ai do të shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.


JORGO BLLACI, poet
 

Edhe Jorgo Bllaci një ndër poetët më të mirë të vendit nuk i shpëtoi përndjekjes nga regjimi komunist. Jorgo Bllaci ka lindur me 1938 në Gjirokastër. Ai ka studiuar për Gjuhë-Letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes. Në vitet ’50 ai dënohet nga regjimi komunist me dhjetë vite burg, për shkak të bindjeve të tij politike demokrate. Por kalvari i vuajtjeve për Bllacin nuk do të mbaronte këtu. Pas daljes nga burgu në vitet 1964-1967, Bllacin regjimi e dërgon të punojë si punëtor ndërtimi. Më 1990 ai u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri“ ku punon edhe sot. Jorgo Bllaci ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit“,(1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevcenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini“ dhe “Ujrat pranverorë“ të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë.


PETRO MARKO, shkrimtar
 

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara nga regjimi komunist. Edhe pse ishte një ndër vullnetarët e luftës së Spanjës dhe i burgosur i fashizmit, kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ai shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.


DAUT GUMENI, poet
 

Daut Gumeni është cilësuar si poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë. Ai lindi më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ”Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letërsisë së realizmit socialist. Në vitet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste. Pas viteve ’90 ai ka punuar në disa poste të ndryshme shtetëtore.


VILSON BLLOSHMI, poet
 

Kur thua Vilson Blloshmi nënkupton edhe Genc Lekën, dhe anasjelltas. Ata lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa, Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi u pushkatua mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Të dy poetët e kallur nën dhe u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”.


GENC LEKA, poet
 

Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruajtur se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike. Genci dhe Vilsoni, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan së bashku në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Për të dy këta poetë është thënë nga shkrimtarët më të mirë se kishin një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar. Dhe nëse do të ishin ende gjallë Shqipëria do të kishte edhe dy kollosë të tjerë të letrave shqipe.


KASËM TREBESHINA, shkrimtar
 

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet. “Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet ’90). Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.


KAPLLAN RESULI, shkrimtar
 

Kapllan Resuli është pa dyshim një nga shkrimtarët dhe intelektualet më të përfolur, më të sulmuar, më të blasfemuar, më të polemizuar në botën shqiptare. Ai akuzohet edhe si pansllav, por nga ata tjetër cilësohet si një ndër shkrimtarët atdhetarë më të shquar. Vepra më e njohur e tij është “Tradhëtia, megjithëse shumë pak nga veprat e tij janë botuar në Shqipëri. Kapllan Resuli dënua me dhjetë vjet burg nga regjimi komunist për shkak se pikëpamjet e tij nuk korrespondonin me regjimin e E. Hoxhës. Resuli ka pranuar se ai është i majtë, por jo me komunizmin që u ngulit në Shqipëri të cilin ai e quajti komunizëm banditesk, çka i kushtoi shumë rëndë. Pas viteve ’90 edhe pse si Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, por edhe më vonë ish-kryeministri Fatos Nano i kanë kërkuar falje Resulit në emër të popullit shqiptar dhe që të kthehej në atdhe, ai vazhdon të jetojë të në Zvicër.


FATOS LUBONJA, gazetar
 

Fatos Lubonja është një ndër publicistët, humanistët dhe shkrimtarët të më shquar shqiptar. Ai lindi në Tiranë në vitin 1951 dhe mbaroi studimet për fizikë në vitin 1974 në Universitetin e Tiranës. U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim. Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim. Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën “Përpjekja”. Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci. Tashmë ai është një nga publicistët më të njohur dhe më peshë në vend.


HAVZI NELA, poet
 

Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 – 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij. Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin dhe ikën në Kosovë. Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për tmerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të “pandreqshëm” të tij. Havzi Nela u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri.


At ZEF PLLUMI, shkrimtar
 

At Zef Pllumi është një nga personalitetet më të mëdhenj të kombit tonë. Ai lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë. Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë dhe prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet ”Françeskanët e mëdhenj” etj. Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. At Zef Pllumi vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë në Itali, kurse u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

SQARIM: 
Në këtë publikim mungojnë emrat e shkrimtarëve dhe gazetarëve shqiptarë qe kanë jetuar dhe krijuar jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët gjithashtu janë denuar dhe presekutuar nga regjimi diktatorial jugosllav.

           Emri                Pozicioni            Dënimi
  1. QANI PANARITI        përkthyes            pushkatuar
  2.  DHIMITËR FALLA        përkthyes             pushkatuar
  3.  VINÇEST PRENUSHI         poet                vdekur në burg
  4.  MYZAFER PIPA        gazetar            vdekur në hetuesi
  5.  ARSHI PIPA            poet                burgosur
  6.  ETHEM HAXHIADEMI        poet, dramaturg        vdekur në burg
  7.  At GJON SHLLAKU         kritik, gazetar        pushkatuar
  8.  At ANTON HARAPI        shkrimtar             pushkatuar
  9.  Dom LAZËR SHANTOJA    shkrimtar             pushkatuar
  10.  Dom NDRE ZADEJA         dramaturg, poet        pushkatuar
  11.  Imzot JUL BONATI        përkthyes             pushkatuar
  12.  TERENC TOÇI        gazetar            pushkatuar
  13.  At NIKOLL GAZULLI     linguist             vdekur në hetuesi
  14.  Prof. SIMON DEDA        përkthyes            vdekur në burg
  15.  Patër MARK HARAPI     shkrimtar, përkthyes    burgosur
  16.  Patër GJON KARMA     folklorist         burgosur
  17.  Patër PJETËR MESHKULLA poet, teolog        burgosur
  18.  At MARIN SIRDANI        historian             burgosur
  19.  At KONRRAD GJOLAJ     shkrimtar            burgosur
  20.  MARK DEMA             përkthyes             burgosur
  21.  ZEF ZORBA            përkthyes, regjisor    burgosur
  22.  GJON SHLLAKU         përkthyes             burgosur
  23.  NDOC VASIA         shkrimtar             burgosur
  24.  KOÇO TASI            linguist            burgosur
  25.  GHUSH SHELDIJA        folklorist            burgosur
  26.  At VIKTOR VOLAJ         studiues             burgosur
  27.  MARIAN SKANJETI         gazetar            burgosur
  28.  AKILE TASI         gazetar            burgosur
  29.  NAPOLON TASI         përkthyes            burgosur
  30.  NIKOLL DAKAJ        shkrimtar, kritik    burgosur
  31.  FILIP FISHTA        studiues            burgosur
  32.  HAZIS VRIONI         përkthyes             burgosur
  33.  JUSUF VRIONI         përkthyes            burgosur
  34.  AMIK KACARUHO         shkrimtar             burgosur
  35.  MIRASH IVANAJ        linguist            vdekur në burg
  36.  LAZER RADI            shkrimtar            burgosur
  37.  SULEJMAN IDRIZI        linguist             vdekur në burg
  38.  SELMAN RIZA         linguist              burgosur
  39.  MITRUSH KUTELI        shkrimtar             burgosur
  40.  QEMAL DRAÇINI        kritik            vdekur në internim
  41.  MUSINE KOKALARI        shkrimtare            vdekur në internim
  42.  NDOC NIKA            shkrimtar            burgosur
  43.  MUSTAFA GËRBLLESHI    shkrimtar            burgosur
  44.  GJEGJ BUBANI        gazetar            vdekur në burg
  45.  PASHKO GJEÇI        përkthyes            burgosur
  46.  MARKENSEN BUNGO         shkrimtar             burgosur
  47.  OSMAN BISHQEMI         shkrimtar             burgosur
  48.  ANTON FRASHRI         shkrimtar             burgosur
  49.  NEXHAT HAKIU         poet                burgosur
  50.  PETRO MARKO        shkrimtar             burgosur
  51.  At BERNARDIR PALAJ    shkrimtar            vdekur në burg
  52.  MITHAT ARANITI        publicist, përkthyes    burgosur
  53.  GULJELM DEDA        gazetar, përkthyes    burgosur
  54.  BEQIR HAÇI            poet, përkthyes        burgosur
  55.  KASEM TREBESHINA        shkrimtar            burgosur
  56.  MARK NDOJA            poet                burgosur
  57.  GJERGJ KOMNINO         poet                burgosur
  58.  NIKOLLA KOTE        përkthyes            burgosur
  59.  KAPLLAN RESULI         shkrimtar            burgosur
  60.  PJETËR GJINI         poet                  burgosur
  61.  KIN DUSHI            shkrimtar            burgosur
  62.  URAN KOSTRECI        poet                burgosur
  63.  NUREDIN BORIÇI        poet                burgosur
  64.  PANO TAÇI            poet                burgosur
  65.  BAJRAM HYSENI        poet                burgosur
  66.  JORGO BLLACI        poet, përkthyes        burgosur
  67.  TRIFON XHARGJIKA        poet                pushkatuar
  68.  XHELAL KOPRËNCKA        poet                pushkatuar
  69.  FADIL KOKOMANI         gazetar            pushkatuar
  70.  VANGJEL LEZHO        gazetar            pushkatuar
  71.  ROBERT VULLKANI        përkthyes             burgosur
  72.  ZHANETA OGRANAJA        poete                burgosur
  73.  MEHMET MYFTIU        shkrimtar            burgosur
  74.  ANASTASIA TAÇI        librare            burgosur
  75.  GENC LEKA            poet                pushkatuar
  76.  VILSON BLLOSHMI         poet                 pushkatuar
  77.  BEDRI MYFTARI        shkrimtar             burgosur
  78.  ZYHDI MORAVA         shkrimtar            burgosur
  79.  VISAR ZHITI        poet               burgosur
  80.  HALIL LAZE             gazetar            burgosur
  81.  DAUT GUMENI        poet                burgosur
  82.  FREDERIK RESHPJA        poet                burgosur
  83.  BEQIR ÇELA             poet, përkthyes        pushkatuar
  84.  AHMET GOLEMI         shkrimtar            burgosur
  85.  FATOS LUBONJA         gazetar            burgosur
  86.  BASHKIM SHEHU         shkrimtar            burgosur
  87.  MYQEREM JANINA       përkthyes            vdekur në burg
  88.  HAVZI NELA            poet                 varur
  89.  YLBER MERDANI        poet                burgosur
  90.  ALEKSANDËR ZEKA        poet                burgosur
  91.  JAMARBËR MARKO        poet                burgosur
  92.  GJERGJE PEÇI        poet                burgosur
  93.  At ZEF SIMONI         poet                burgosur
  94.  Dom FRANO ILIA        folklorist         burgosur
  95.  Dom NIKOLL MAZREKU    studiues            burgosur
  96.  At ZEF PELLUMI        shkrimtar            burgosur
  97.  NIKO KOTANI        redaktor            burgosur
  98.  SOTIR ANDONI        shkrimtar            burgosur
  99.  MIHAL ZALLARI        publicist, përkthyes    burgosur
  100.  VISARION ZHUVANI        teolog, linguist        burgosur
  101.  ZEF MALA            drejtor biblioteke    vdekur në burg
  102.  ASTRIT DELVINA        shkrimtar            burgosur
  103.  GANI SKURA         poet                burgosur
  104.  FATOS MERO RRAPAJ    folklorist            burgosur
  105.  EQEREM BIBA        përkthyes            burgosur
___________
Marrë nga tiranaobserver.al