Mittwoch, 4. März 2015

Faruk Myrtaj

Faruk Myrtaj është lindur më 4 mars 1955, në Selenicë të Vlorës ku edhe përfundoi, më 1974, shkollën e mesme të përgjithshme (gjimnazin). Për shkak të sistemit politik të kohës, iu privua për një kohë të gjatë e drejta për studime të larta. Iu desh të kryente më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak (2 vjet) dhe të punonte (për 5 vjet) punëtor në minierën e bitumit në Selenicë. Studimet e larta i kreu në vitet 1983-1988, prej të cilave u diplomua inxhinier minierë (markshajder), në Universitetin e Tiranës. Si inxhinier punoi një vit në minierën e qymyrgurit në Memaliaj, Tepelenë.
Në nëntor 1989 shkon në Tiranë, si gazetar në “Zëri i Rinisë”. Prej atëherë ka punuar në fushën e gazetarisë, në disa gazeta si “Alternativa”, “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Albania”, nëndrejtor i përgjithshëm në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh.), zëdhënës shtypi në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sporteve dhe së fundi në Agjencinë e Tregtimit dhe Shpërndarjes së Librit Artistik e Shkencor, Tiranë.
Prej fillim viteve '80, ka qenë i pranishëm në shtypin dhe letërsinë shqip me artikuj në të përditshmet dhe me librat e vet.
Më 3 nëntor 2003 emigroi për në Toronto, Kanada, ku jeton bashkë me gruan, djalin dhe vajzën e tij.
Prej vitit 2004 është anëtar i “The Writer Union of Canada ” dhe “PEN Canada”.
Që prej botimit të librit të parë në vitin 1985 ( "Dielli i nëntokës”, poezi) ka botuar në vazhdimësi poezi, tregime të shkurtra, novela, ese dhe përkthime, përfshirë disa autorë kanadezë.


Disa nga librat e këtij autori janë:
  • "Dielli i nëntokës” - poezi (1985, Tiranë, Shqipëri) dhe 
  • "Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri" - poezi, (1991, Tiranë, Shqipëri).
  • "Njerëz që kam njohur", - tregime (1987, Tiranë, Shqiperi);
  • "Marrëveshje për të jetuar", - tregime, (1989, Tiranë, Shqipëri);
  • Nudo Zyrtare" - tregime, (1996, Tiranë, Shqipëri) - Vlerësuar me Çmimin “Libri më i mirë me tregime për vitin 1996 ”- tregime, dhënë nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve, në vitin 1997;
  • "Njerëzit janë tepër"- tregime,  (2000, Shkup, Maqedoni);
  • "Luftëtarët vriten në paqe"- tregime, (2003, Prishtine, Kosovë);
  • Hijet e Virgjëreshave"- tregime,  (Arbëria, Tiranë, 2006).
  • Qyteti i Ministrave”- novela, (1998, Tiranë, Shqipëri).
  • "Atdhè Tjetër"- roman, ('Milosao', Sarandë, 2012).
  • "Përse druhemi nga nacionalizmi" - ese, (1995, Tiranë, Shqipëri) dhe “Markezë shqiptarë” (2002, Tiranë, Shqipëri).
Ka përkthyer në shqip nga anglishtja:
  • “Toleranca, pragu i paqes” (”Tolerance, the threshold of peace” Betty Reardon, UNESCO);
  • “Pushteti i G.G.Markez” (”The power of G.G.Marquez”, Jon Lee Anderson);
  • “William Sarojan, tregime e novela” ("The best stories of William Saroyan”);
  • “Stina e mallit” (”No great mischief”, Alistair MacLeod);
  • “Harpa e barit' (”The grass harp", Truman Capote)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen