Samstag, 14. September 2013

Vehbi Skënderi

Poeti Vehbi Demir Skënderi ka lindur në fshatin Strelcë të Korçës në maj të vitit 1927. shkollën fillore (me pesë klasë) e kreu në fshatin e lindjes në vitet 1934-1939. Në vitet 1941-1943 vazhdoi studimet fetare në Medresenë e Lartë Tiranë. Në majin e vitit 1943 ndërpret studimet dhe del partizan në Çetën e Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në vitin 1944 pranohet në radhët e Partisë Komuniste Shqiptare. Me mbarimin e luftës kalon në Divizionin e Mbrojtjes Popullore. Më 1951 fillon një kurs estetik dyvjeçar ku japin leksione Jakov Xoxa, Bedri Dedja, Mark Gurakuqi etj. Në vitet 1953-1956 kryen shkollën e mesme profesionale (dega rusisht). Në vitet 1956-1961 kryen Fakultetin Histori-Filologji me rezultate shumë të mira. Vehbi Skënderi njihte shumë mirë rusisht, italisht dhe frengjisht. Poezinë e parë, e cila pati shumë sukses, Vehbi Skënderi e botoi në revistën "Letërsia jonë" në vitin 1947. Më 1950, me propozimin e poetit Lasgush Poradeci, pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat. Më 1953 botoi librin e parë poetik, Këngët e para. Prej atëherë ka botuar librat poetikë Vjersha (1958), Fletë nga ditari im (1964), Vjershat dhe poemat e Drinit (1969), Vazhdim i një bisede (1971), Vdekja e Ofelisë (1971), Shqiponja e Vermoshit (1972), Përsëri mëngjes (1973), Vjersha dhe poema të zgjedhura - Kolana e poezisë shqipe (1973), Kumbojnë vitet (1983), Nxitoj (1987), Bëjmë sikur (1995), Hëna e vjedhur (2000), Zvicra Shqipëria ime (2004). Për "Fletë nga ditari im", në vitin 1966 Vehbi Skënderi mori Çmimin e Republikës. Një vit më vonë merr çmim në konkurs kombëtar për poemën Vazhdim i një bisede. Ai merr edhe çmime të tjera nga organet botuese në konkurse të ndryshme kombëtare. Poezitë e tij përfshihen në antologjitë dhe tekstet shkollore të kohës dhe në botimet e poezisë shqipe në gjuhë të huaja. Ndahet nga jeta më 13.06.2011.


Poezi nga Vehbi Skënderi


THUAJA HËNËS

Kur ke diçka për të më thënë -
diçka që nuk të shqitet e s'e mban dot për vete,
që s'avullon si shiu e si bora nuk tretet
E ngado që të ikësh pas të ndjek këmba-këmbës.
Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Kur të bezdisesh nga një grigjë halle,
Mos u besosh as ëngjëjve as djajve
As gurëve e sendeve reale
E s'ka njeri që të çliron nga dhembja
Dhe nga Verdikti i Akullt i së Thënës :
Prit sa të vijë mbrëmja. Thuaja Hënës !

Kur s'u zë besë më as hijeve as ëndërrës
As blozës që të nxin, as borës që zbardh majave
as miqve tënd të afërt, as tezeve, as dajave
e kur e ndjen zbrazëtirën gjer te dhëmbja
dhe asnjë vinç gjigand s'mund të të ngrejë nga rënia
Thuaja Hënës - prit sa të vijë mbrëmja.

Kur ke një plagë, nën ije, që djeg sa të than pështymën
Dhe të mundon çdo çast, të zë si varri frymën;
Diçka që i ngjan tymit e mjergullës së një dite
Ku ngatërrohen lëmsh: zbavitje e cfilitje;

Kur ke në gjoks një plagë, gur të rëndë!
Brengosje e plagosje. Makth! Brengë poshtruese
E je shterur krejt duke besuar
Diçka që s`ia thua as vetes sate as nënës:
Trokit në Hënë! Trokit në Hënë! Thuaja Hënës!

Sado e largët që të shtiret e mizantrope:
ndoshta dhe të mjekon?
Ndoshta të nxjerr nga llumi i kësaj bote?

Dhe në mos të shpëtoftë ajo,
ndoshta të merr me vete në hapësirë:
Ku në mos qofsh e lumtur,
të paktën je e lirë.

 

NDEZ MILIARDA QIRINJ NË XHAMI E NË KISHË

Ti kaq sa ishe grua ishe dhe lule shege.
Ros’e lumenjve t’egër dhe shkrepëtimë rrufeje.
Posi rrëkel’e shpejtë ike edhe u ktheve.
Me fluturimin e bletëve në Malin e Sherbeleve.
Si kambanat festive në Bazel një të diele.

Ike edhe u ktheve!

Më vëren që prapa flokëve e huaj dhe këndellëse.
"Nga jeni," pyes kot. "Nuk e di," më thua.
Unë të vërej ty e shikoj qiellin: Gruaj çdo prangë do ta këputë.
(Qoftë dhe zinxhir i artë.) Hyn në çdo labirinit skutë më skutë.
Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë.
Ndes miliarda qirinj në xhami e në kishë.

Po pse në Dashuri ndërron moti çdo minutë?

Sa e njerëzishme ishe kaq e çuditëshme e joshëse.
Si Hëna bukuroshe në Bazel në një mbrëmje vere.
Dhe melodi e largët, dhe çokollatë esmere!

Ti je Mjelmë Shtegtare e xixë nëpër natë.
Apo thjesht "kalimtare" një e tetëdhjetë e shtatë.
A ndoshta je «puhizë» që i vjen Botës përqark.
Dhe askush nuk të ndal. E askush nuk të kap!

Apo një Pllakë Guri ndoshta miliarda vjeçe,
që s’dihet çfarë fsheh.
E vëren çdo Gjeneratë.




ORËT E MINUTAT, SI KËMISHA TË NGUSHTA FËMIJËSH

Më shtrëngojnë fort ditët e mia. Dilema!
Orët e minutat, si këmisha të ngushta fëmijësh.
Paqja çdo çast sjell dhembje.
Kur po më mbyllen këto plagë-gangrena?
Jam tradhtuar nga Lufta e nga Paqja.

Ditët e mia të shkurtëra.
Jam stërnginjur nga etika e kallaisur. (Me aliazhe sulfuri.)
Nga retorika e papagajve parlamentarë.
Nga patetika minashkrehëse e ulemajve.
Ditët e mia. Orët e minutat.
Si biruca të ngushta!

Jam veleritur nga sfilata e "gjenuinëve" të gjelbër.
Nga edukata raciste e Aparteidit. Kultura e Pinguinëve të Anatol Francit.
Dhe kultura e Polifemit.

Nuk po e nxenë dot as kultura e odiçkës sime 3x3. (Në Bazel)
As kultura e filxhanit, që pi kafe. Dhe as kubatura e Oqeanit!

Po më ndrydhin fytin:
Shpirti primitiv i fluturimeve. Dhe shiu reaktiv.
Po më mbytin!

Orët e minutat lemeri! Pa fantazi e pa oksigjen.
Ditët e mia të ngushta, si këmish’ e Centaurit, nuk nxënë dot
As këtë zhuzhak të artë,
Që jep koncert falas nëpër Konfederatë.

Ditët e mia të shkurtëra.




SHKALLET

Përditë ngjit mijëra shkallë që të të them "Mirëmëngjes!" Sa të të dëgjoj pak zënë.
Shpesh ndjen njeriu urinë e një fjale të butë e të pathënë
Më shumë se urinë për një trohëz buke.
Shkallë-shkallë sa të të them: «Nesër mos më prit!"
Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria! Dhe shpesh m’i këput krahët?
Mijëra shkallë! Nga superxhirot zemra po më çahet.
Pse më injektojnë helm çdo orë hallet meduza? Pse e mira çapet si qerre?
Dhe e Keqja si vetëtimë?

Mike! Më mirë vij rrëfehem te ti
Se në Katedralen Notre Dame de Pari...

Shkallë! Me koracë akulli e ballëdirsur
Për të soditur gjoksin tënd që dallgëzon si det nga frymëmarrja.
E për të të çuçuritur me një frymë :
Mike! Ndarja qenka më afër sesa takimi ynë…

Shkallë-shkallë! Që të përsërit pyetjen e përditshme : Si ke fjetur ?
Dhe pyetjen e çuditshme: Ku ka tretur loti im? Kush e ka gjetur?
Mijëra shkallë! As lodhem dhe as më këputen këmbët.
Kur presin dhëmbët hekur nga acari. Kur akulli tretet.
Kur vuajtjet e mia nuk i nxë as varri, as detet!

Shkallë! Shkallë! Në të dy anët e rrugës pemët. Shkurret dekorative. Trëndafilat.
Vilat në Bazel e në Rajnah. Vitet e ditët e mia rresht. Çapen bashkë me mua…

Dhe po qe se më pret Ti mbi Çatinë e Rruzullit. E po qe se më thua ti
"Jam në Everest", unë vij në çast. Sado të bjerë dëborë e çfarëdo ere që të fryjë.
Ngjitem! Bashkë me pajimet e mia: Ganxhat, çekiçët e litarët alpinë…
Dhe bashkë me shkrepat e tetëdhjetë (80) viteve mbi shpinë.




XHELOZIA

Një flokëverdhë helvetike, ndoshta shumë më e re se unë,
çdo ditë kalendarike bën për Qenin Zhyl Vern dy ditë pune.
Kjo mrekulli 24 karat që bën t’i ndrijë dy orë larg ngjyrë e lëkurës
Magjeps çdo kalimtar posi Lulja e Ujit mbi Liqenet e Lurës.

Sykaltër posi jar merr dhe tri medalje ar për Bukuri.
Në orë e në shi dy tetorëshe ia ndan Mikut Zhyl Vern.
Kur bën diell e kur vjen hija. Unë e përshëndes e diç dua t’i them.
E skuqem si fëmijë nga zilia. A që t’ua them hapur: vdes nga xhelozia!

Por s’di se si një ditë - jo, mor zotni, një çast! – i ndodhur shumë afër saj.
E shumë larg! – i flasplot njerëzi: Zonjë! Ndonëse nuk kam emër të madh
Si Miku juaj Zhyl Vern, ju betohem sinqerisht për Jehovanë,
Ju dua sa Qielli! E sa gjithë lulet e zogjtë kudo që janë!

Me tërë Mallin tim të flaktë: Ju dua! Andaj ju lutem shumë falmani këtë natë.
Jo, po kërkoj një natë dimri mijëra milje të gjatë.
Dhe as një natë vere, kur muzgu është i shkurtër e ikën shumë herët.
Ah, së paku falmë mua një orë vetëm, o e Bukur, një mëngjes a një mbrëmje.

Kur të jesh sa më e lirë. Dhe nëse je shumë e zënë
(O Zot, po vdes nga xhelozia) me Zotninë Zhyl Vern
Dhe çdo hapësirë e juaja është llogaritur
Në ditën tuaj kalendarike e s’ke një pikë bosh për të më pritur.
Se çdo lëvizje e re mund të të shkaktojë trauma e dhimbje,
Ndalo si kanarinë e ëmbël pa kurrfarë frike
Në shelgunpranveror të kësaj erotike!

Veç ja ku të betohem për këtë Tokë e për këtë Qiell!
Nëse nuk i përmbaheni dot as Minimales,
Unë do ta ftoj në duel mikun tënd të nderuar Zhyl Vern,
Posi dikur Pushkini i revoltuar baronin Dantes!




TI SHKRIN SI SHIU MES REVE

Tri milje larg t’më buzëqeshësh mua:
Ngatërrohem krejt pas krelave të tua
Si plis i thatë në çast më piqet gjuha…
Nuk qenka e lehtë të vuash për një grua!


Pastaj si kot Veriu të fryn drejt meje.
Pastaj në çast akujt më kall ndër deje.
Pastaj s’di pse: Prap unë rend pas teje.
Por sa të kap, si reja shkrin mes reve.


Pastaj s’di si: rrëzohet Mali i Thatë.
Pastaj s’kuptoj: shkel gurë apo shkel baltë.
Pastaj si popel thërrmohet shpella natë.
Pastaj Ti vjen! Shkon, vjen e ikën prapë!


Pastaj s’di si: Më shfaqesh si Ylber.
Pastaj s’di si: Në gjoksin tënd me merr:
Më ngre në Qiell! Dhe vrik më flak në Ferr.
Dhe s’di në ç’breg: Më nxjerr apo s’më nxjerr!


Pastaj s’di pse prap qesh e çuçurit.
Pastaj si mackë, me putër me gërvisht,
Pastaj si xhind më kërcënon me gisht!
Si njëqind djej në Burgun tim Ti shndrit…

Gëzim Llojdia: Ura e Drashovices...


URA E DRASHOVICES -
KUFIRI I KRAHINËS SË LABËRISË

Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës

Nga Gëzim Llojdia*

 

Nocioni kufi

 Ku gjendet kufiri i Labërisë?Këtu nuk ka asnjë shenjë. Nuk ka konture, që tregojnë gjurmët nga fillon kufiri i krahinës më të madhe të vendit,Labërisë. Kufiri këtu humbiste në hapësirë. Diku e ruante profilin e vet. Në memuare,apo në rodhanët e zhubrosur të krijimit popullor e folklorik. Por silueta e tij rishfaqej e plotë .Në studime të hollësishme. Në një vend ekzistonte vetëm si nocion. Brenda këtyre kontureve, d.m.th brenda vargut lëviz fjala e ëmbël: Labëri. Por qartazi,rishfaqej vijëza e tij,më tej. E vështirë ta përshkruash imazhin e atij rripi toke me qindra km në jug të vendit .Kufiri i krahinës jugore, që quhet Labëri. Ai është veçse një udhë-kalim,në të gjithë hapësirën që përshkruhet në mot të motit,si krahinë e Labërisë.
Ura e Drashovicës
Si në të gjithë botën,urat kanë një mision të veçantë dhe kanë lindur nga nevoja për ti bashkuar brigjet. Një urë është ndërtuar me një strukturë të tillë për të kapërcyer vështirësitë fizike të tilla si uji, luginë, apo rrugë, për qëllimin e ofrimit mbi pengesë. Ka shumë dizajne të ndryshme që të gjitha shërbejnë për qëllime unike dhe të aplikojnë për situata të ndryshme. Etimologjia e fjalës urë është: Urat e parë u bënë nga vetë natyra - aq thjeshtë sa një regjistër të rënë nëpër një lumë apo gurë në lumë. Urat e para të bëra nga njerëzit përfshin drurët e prerë apo pika dhe përfundimisht gurë, duke përdorur një mbështetje të thjeshtë dhe aranzhim traverse.
Ura e Drashovicës aktualisht lidh dy brigjet e lumit Shushicë. Ura e sotme është e derdhur me beton. E gjithë struktura e saj. Ura e Drashovicës është kufiri ku fillon të shtrihet krahina e Labërisë.


Rrapet e Drashovicës monumenteve te natyrës shqiptare.

Poshtë urës vërshon herë i qetuar e herë tërbuar lumi Shushicë. Shushica derdhet në det pasi ka përshkrua rreth 72 km në luginën e Shushicës,burimet e saj nxjerrin ujë në Shurr të Kuçit 500l/s dhe rreth 300l/s në Buronja,sipas studiuesve Buronjat e Kuçe shkarkojnë ujërat nëntokësore që grumbullohen në masivin karstik të Kurveleshit të Sipërm, i cili gjendet rreth 600 m më lartë se vendi. Në këtë kufi natyror duhej të vendosej një pllakë dëftonjëse si kufi tregues ku fillon një krahinë e madhe. Te këmbët e urës së Drashovicës. Te fasada e saj përkarshi monumentit Drashovicë 1920-43. Një varg gati i thjeshtë dhe i gjetur .Dhe ky vargëzim shkronjash të tregojnë se këtu fillon kufiri i krahinës. Lexojmë përveçse kulmin :Labëri. Nga ky kulm burojnë shumë cilësi, që mbartë më vete krahina e madhe jugore.
“Labëri sa i dua....
Pasqyrimi me gjuhën e folklorit më tej dhe në studimet historike në fillesë ,na lejon të qartësojmë, thellësinë nën suprinën e të cilit gjindet emërtimi i një krahine.
Çajupi ka shkruar ekzaksisht kështu:”“Labëri sa i dua,/Pyjet e kodrat e tua,/Ato gryka , ato male,/Ku dhe zogu shkon ngadalë,Shkëmbinj dhe shpella si thikë,Që t’i shikosh të vjen frikë,/Anës lumit, ndënë hije,/Ç’faqetë një rrugë dhie,/Rrugë e ngushtë nëpër gjëmba,/Mjerë kujt t’i shkasë këmba!”(Çajupi “Baba Musa Lakuriq” 1887 Egjipt).
Sami Frashëri:”Lebërit janë improvizatorë të rrallë”. S. Frashëri, ka thënë: se Labëria nuk përbën vetëm Progonin e Përmetin, Labëria shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, nga lumi Vjosa në lindje e verilindje, deri në bregdet të jonit e Adriatikut, në Perëndim, ndërsa në jug kufizohet me lumin Pavëll.
Rrok Zojzi, etnograf i cili në vitet 50-të 60-të bëri ekspedita në disa zona të Labërisë ,në vitin 1962 ka përcaktuar se:“Labëria , i mbështetur në tregimet popullore ka përcaktuar si Labëri atë pjesë të Shqipërisë Jugperëndimore që shtrihet brenda tri urave: urës se Drashovicës,të Tepelenës dhe të Kalasës afër Delvinës.
Nga veriu Labëria ka si kufi krahun e majtë të lumit Vjosa. Emërtimi,me sa duket lidhet me emrin e hershem etnik të shqiptarëve "arbër".Ajo është treva e Kaonve te periudhës ilire që e përmend Tuqidi në vitin 629 p.e.s. "fis ilir i Epirit" ndërsa në mesjetë e fiseve arbëreshe të Krisejve,Kirilisejve,Plesejve (Plesati i sotëm)….
N.Myrta:ethymologjia e emrit Labëria:Labëria si krahinë shqiptare që nga shek. 16. përfshinte territorin e Shqipërisë Jugore, nga Vlora, deri tek kufiri grek në jug, afër Sarandës, ngjit me Gjirokastrën (Argjirën e lashtë), e zgjeruar në lindje deri në Tepelenë, mendoj se është një tkurrje e madhe historike, e historiografike, nga epokat e lëkundjeve tranzitore, nga veriu ballkanik, e mbetur si fis illirian – labeat, labeatët, deri kohëve të fundit, shihen parabolë historike, sot nga veriu e jugu i shtetit shqiptar londinez, nga Shkodra deri në Vlorë. ‘Të tjerë:Labëria është krahinë e madhe etnografike në Shqipërinë Jugperëndimore. Emërtimi i krahinës lidhet me emrin e hershëm etnik të shqiptarëve, “arbër”, Arbëri, Labëri, sipas ndryshimit fonetik. Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës. Si kufi verior i saj merret krahu i djathtë i lumit Vjosë, ndërsa kufi jug-perëndimor merret Deti Jon. Historikisht ajo është treva e fisit të Kaonëve të periudhës ilire, ndërsa në mesjetë është vendbanim i tri fiseve arbëreshe, Grisejeve, (Lumi i Vlorës), Korvesejve (Kurveleshi i sotëm) dhe Plesejve (Krahina e Kardhiqit ku bën pjesë edhe fshati Plesat në Cepo). Labëria ka qenë në një shtrirje më të gjerë nga sa njihet sot, me unitet gjeografik, ekonomik dhe kulturor, ka pasur të drejtën e vet zakonore, mbi bazën e së cilës në tërësi edhe është vetadministruar para krijimit të shtetit shqiptar, pavarësisht pushtimit osman.Njëra ndarje e iso-polifonisë shqiptare dhe shtrirjes gjeografike të Labërisë,E. Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat mund t’i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në “labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qendror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës. Lidhur me iso-polifoninë labe ekzistojnë mënyra të ndryshme të portretizimit dhe të shpjegimit muzikor të saj. Vetë të kënduarit polifonik nga populli konsiderohet misterioz dhe instiktiv, e në përgjithësi si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e natës e ato të tokës së Labërisë.N.Zhupa libri “Fterra në shekuj ”:“Labëria dallohet mbi të gjitha, nga origjinaliteti folklorik në veshje e në të folur. Qylafi i bardhë me majë, tirqet e bardha, opingat me xhufka, fustanella me pala, llabania, sharku e guna e punuar me duar të arta, melodia baritore e culës dyjare, fyelli, trupi lastar, shkathtësia, guximi, trimëria, besa, mikpritja, krenaria, ballëlartë e mal në këmbë, diva me shikim të thellë e të ashpër si shqiponja, zgjuarsia natyrale e admirueshme etj.Rapsodi F.Brahimi:Labëri të dua shume/si të gjithë Shqipërinë,/ti je bukë nga ai brumë/ku rriten trimat e mire./Midis grykës shkon një lume/malet si kala te rrinë,/mbi shkëmbinjtë e mbi Rrathune/rritet bar dhe trëndeline./Fole shqiponjash ke qenë/je dhe do mbetesh e tille,/sorkadhe përmbi shkëmbinjtë/flake dyfeku vetëtimë./Për Gjoleken kane thënë,/për Gjoleke mandile zinë;/luftonte me palle ne këmbë/shkurtonte pashe e vezirë./Ata burra hije rende/Zigur Lelo me Saline,/çepe gjatët dy pëllëmbe/mbi italianet ç'u grinë.


Ura

Ura e Drashovicës nga ana e vet ka histori të tjera treguese. Duke rrëmuar memuaret e historisë dhe duke rendur nëpër fletët e zverdhura të folklorit të krahinës emrin e urës së Drashovicës e ndesh shpesh. Kështu, që nga lufta e parë, në Luftën e Vlorës dhe më tej, në luftën e dytë Botërore,ura e Drashovicës shënohet tregues i qëndresës të shqiptarëve karshi pushtuesve fashistë dhe nazistë .Luftimet në Drashovicë shkruhet në një material të para viteve ’90, filluan në orën 22 data 5 qershor 1920. Rrethohet garnizoni nga çeta e Sali Vranishtit. Zihet rob një motoçiklist. Vritet një kapiten. Urdhri për çetat ishte :Sulmoni llogoret”.U shtruan gunat mbi telat me gjemba kapërcyen pengesat dhe llogoret. 2 orë luftime dhe pushtuesi u dorëzua.‘43 lufta e dytë njohu tek ura përleshjet ku formacionet partizane goditën ashpërsisht nazistët duke u shkaktuar humbje në forca,njerëz dhe armatime. Beteja e Drashovicës është përplasja e parë frontale kundër pushtuesit nazist. Ngjarja u zhvillua nga data 15 shtator deri më 4 tetor 1943.


Folklori

Folklori lab:”Cet' e Rrezes u vërvinë,/Kapetan kishne Saline,/Të keq trimn, vetullaziëe/Majave vreshtave ryne/Me bomb' ne mes e godinë/ Tha : Në tel corra kërcine, /Për të mos trembur shokërin....Pjesë nga folklori: Atje to Hani ne gryke / te ura në Drashovice, / Qëllon topi Italisë / Ka nijet që ta vithisë /Komision' e Shqipërisë,/ 0 moj Shqipëri e bardhe/ Bota ta kane sevdanë / Italia me Junanë / Të keqen ta kane marrë/ Se ke trima kordhëtarë / Barutin me grusht e haneKoci Petriti poet:Unë i shoh gjithë urat/Nga urë Bushtrices,/Ja, urë e Qabesë/Ja, e Drashovicës….P. Barjamaj rapsod: O Drashovica me derte.../ O e gurta Drashovicë!,/ Faqe historisë i mbete,/Historisë se Shqipërisë. / Ke qene pëllëmbë e gëzhoja,me tym baroti mbuluar, Si ti, thonë,ka qenur Troja,/ Që në themele rrënuar.../ Për ty flet lumi me valë.. / Për ty flete gjithë Labëria,/ Flet epopeja përballë, / Ne balle tu skalit lavdia./ I rri bukur Labërisë,/ si floku bores mbi supe,/ O vendi ku piva sise,/ o djepja,që dhe me tunde....


Si përfundim

Labëria shtrihet brenda tri urave, Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës...Ura e Drashovicës. Në një fotografi të vjetër vrojtohen varrezat e ushtarëve italian të cilat janë varreza tipike katolike me kryqin e madh dhe gurët e qemerit ,nga kjo fotografi shënohet Shushica qartësisht duket e turbulluar dhe ujëshumë. Ura e Drashovicës lidh dy brigje sot është një urë me disa parmakë të rrëzuar me rreth 8 këmbë, që mbajnë përmbi supe një masiv beton. Rreth 30 m përkarshi urës është monumenti Drashovicë 20-43 projektuar nga P.Hazbiu edhe ky është një masiv me një hark dhe një shtatore bronzi ku paraqiten dy figura kryesore të luftërave, që në emërtimin popullor janë quajtur: epope 20-43. Këtu ose më tej duhet të kishte një pllakë që të tregonte se kur udhëtari vë këmbën aty, ka shkelur ndërkaq në krahinën më të madhe në jug të vendit.
Si përfundim, prekëm vetëm kufirin e fillimit të krahinës së madhe Labërisë,me shtrirje simbolike ndërmjet tri urave: Urës së Drashovicës, afër Vlorës, Urës së Kalasës, afër Delvinës dhe Urës së Vjosës afër Tepelenës...

*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane te Arteve

Gani Qarri: Kush po i sjellë retë e zeza?!

Për fat të keq,Serbia vazhdimisht manifeston sjellje jo- evropiane dhe qëndrime thellësisht antishqiptare, për të cilat nuk e qanë kokën askush, madje nuk mërziten as vet shqiptarët, ani pse tendencat e saj gjithmonë dhe drejtpërsëdrejti godasin, ekzistencën dhe shtetësinë e tyre.

Dëshmia më e keqe janë qëndrimet e mbajtura në bisedimet e deritanishme me kompromi...
se të pafund në kurriz të Kosovës,të cilat pas këmbënguljeve të Serbisë, sollën deri aty sa që nga shkurti i vitit 2012, Kosova jo vetëm ta mohoj shtetësinë e saj dhe zëvendësoj atë me fusnotë, por tanimë ta heqë dhe fshijë tërësisht edhe logon shtetërore nga fletëvotimet, në mënyrë që një grusht serbësh të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.

Për çudi,kësaj here edhe ata, bënë sikur u pajtuan me kompromisin tonë të radhës, dhe si shpërblim ndaj zemërgjerësisë sonë, na e "ngulën" edhe një herë më tepër si "pahiri",të cilët zgjodhën të na qerasin në grup, përmes një paraqitjeje tejet provokuese me listën e ashtuquajtur "Serbia" në Kosovë.

Megjithatë, në trojet tona,revolta e hapur mbetet ende tabu kurse qëndrimi i përbashkët si në vendet tjera evropiane mungon. Solidariteti organizativ dhe shembulli i veprimit unik, te populli ynë assesi të gjejë shprehje. Ai këtu sikur nuk ekziston askund dhe për asgjë.

Ndryshe si mund të perceptohet gjendja kur krijohet përshtypja dhe ekziston frika e arsyeshme se kështu siç po rrjedhin ngjarjet, së shpejti ne do të mbetemi edhe pa këtë pak atdhe që ende e kemi,kështu si është, por megjithatë askush nuk e ngrit zërin...

Thënë të drejtën, sa u takon bisedimeve me Serbinë, përjashto shtetet tjera evropiane, një kohë bukur të gjatë ne kishim përkrahjen e fuqishme të Gjermanisë, por pas pajtimit të vet shqiptarëve, për pranimin e të gjitha kushteve të diktuara nga qeveria serbe, e befasuar me "zemërgjerësinë" tonë të pashembullt edhe qeveria gjermane u detyrua të dorëzohet,dhe të mos e kushtëzoj më Serbinë me shuarjen e paralelizmave, largimin e policëve serb nga vendi ynë, heqjen e barrikadave nga rrugët ,lejimin e lëvizjes së lirë në veri dhe pranimin pa kusht të kufijve të Kosovës.

Pra,ndoshta jo vetëm kësaj radhe, fajet janë komplet tonat,të qeverisë dhe popullit të Kosovës,Evropa as Bota nuk mbanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e kemi sjell ne vetveten, me mosdijen dhe papërgjegjësinë tonë.

Sikur këtij vendi të mos i mjaftonin problemet me Serbinë dhe serbët në veri, përditë e më tepër dalin në pah fakte të reja mbi përhapjen pa asnjë kontroll edhe të Ekstremizmit islamik, pasi që sipas QPI-së, dyert hap e krah,për vërshimin e papenguar të vahabizmit në Kosovë, i hapi vet kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Pluralizmit Islamik me qendër në Uashington, Stephen Sylejman Schwartz, bazuar në argumentet që ka mund të grumbulloj, thekson se para ardhjes së Tërnavës, në krye të BIK-ut, besimi mysliman tek shqiptarët, ka qenë tradicional,i moderuar dhe shembull për tolerancë në gjithë botën,kurse pas marrjes së kryesisë së BIK-ut,nga ana e kryetarit aktual,këtu është komplikuar çdo gjë. Edhe shqiptarët,binden gjithnjë e më tepër se me zëvendësimin e Rexhep Bojës, në BIK- toleranca, besimi tradicional dhe fryma kombëtare, kanë ardhë duke u shtrydhur dhe ngushtuar, deri në maksimum.

Madje, sipas shtypit ditor,drejtori i QPI-së, kryetarin aktual të BIK-ut, e quan plagjiat të magjistraturës, diktator e "Stalin Tërnava",dhe është plotësisht i bindur se pa largimin e tij, nga pozitat udhëheqëse,nuk mund të ketë zgjidhje as adresim të problemeve lidhur me grupet ekstremiste dhe veprimtarinë vahabiste në Kosovë.

Megjithëse, Sylejman Schwartz,beson se shqiptarët e Kosovës nuk do të dorëzohen as para kësaj sfide të krijuar nga këto grupe, por shumica shqiptare me të drejt druajnë se,nëse mbreti i BIK-ut, nuk parandalohet në vendosjen përfundimtare të vahabizmit dhe salafizmit në Kosovë, të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia,brenda një kohe të shkurtër do të harrohet plagjiatura e magjistraturës së tij, dhe nga sponsorizuesit sllav e salafisto-arab, "magistar"-Tërnava, shumë shpejtë do të ngrihet në "Doktor" për "merita" dhe shërbimet e kryera me besnikëri ndaj tyre, në dëm të shtetit dhe popullit të Kosovës.

Ai, parë nga zhvillimi i ngjarjeve në terren, ka kohë që me oficerët më të besueshëm, ka nisur një fushatë të egër antishqiptare, e cila tanimë është kthyer në luftë të hapur sipas metodës së Hunit dhe Konopit, për spastrimin e kuadrove më eminente dhe profesor doktorëve më të njohur me orientim kombëtar,nga postet udhëheqëse, fetare dhe arsimore.

Për arritjen e këtyre qëllimeve të errëta dhe antikombëtare, përdoren jo vetëm kërcënimet verbale por edhe metodat vahabisto -arabe të Habib-Dajakut, për heshtjen me çdo kusht të atyre që kanë guximin të praktikojnë besimin tradicional, ndryshe nga diktatet e imponuara dhunshëm të vahabisto-salafistëve, për çka shumë të rrahur dhe kërcënuar, detyrohen të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje të afërt për shpëtimin e jetës, në vendin dhe shtetin e tyre.

Në mënyrë që indoktrinimi dhe "pranimi" i metodave të "reja - fetare" si të panjohura më parë në vendin tonë, të kenë sukses në implementim- kreatorët arab dhe simpatizantët e tyre vendor, janë kujdesur me kohë,që të kenë bashkëpunëtorë të fortë, në organe dhe pozita të larta shtetërore.

Bile,parë nga prirjet e shprehura më tepër fetare, se sa kulturore e kombëtare,ekziston frika e bazuar se një ditë jo të largët,mund ta shohim edhe ish reperin dhe ministrin e (sh)kulturës kosovare, në majat e ndonjë minareje duke kënduar "Ilahi" jeniçerësh bashkëkohor, derisa i ati, dikur "shok" i ngushtë dhe kuadër i lartë në LDK-në e Ibrahim Rugovës, tani i rregullon nga poshtë, altoparlantët "modern", si donacion special dhe i bekuar nga vet Shefqet Krasniqi me shokë, për fuqizimin dhe përhapjen e ezanit turko-arab, sa më larg dhe mundësisht në të gjitha anët e Kosovës.

Ndoshta në shenjë solidariteti, ministri i "nderuar", i trimëruar edhe nga përkrahja e babait-intelektual, pas një pune disavjeçare, së shpejti fillon t`u shpërndaj edhe mirënjohje e dekorata të shtrenjta udhëheqësve arabo-ekstremist,si shpërblim ndaj përpjekjeve të jashtëzakonshme që ata vazhdimisht bëjnë për vendosjen e ideve vahabisto-salafiste dhe mbytjen e frymës tolerante dhe tradicionale kombëtare në vendin tonë.

Në këtë mënyrë, si ngatërrohen përditë e më keq punët në Kosovë, nga persona që nepotizmi, përkatësia partiake e krahinore dhe njoftësia i ka sjellë në pozicione të pa merituara udhëheqëse, ata që ëndërrojnë lëvizjen e lirë dhe liberalizimin e vizave me Evropën,duhet të presin edhe për një kohë bukur të gjatë.

Edhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në publikimin e fundit mbi përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, vlerëson se qeveria ka bërë shumë pak si në menaxhimin e migracionit i cili është rritur shumë nga shkaku i varfërisë së madhe,ashtu edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar i cili tanimë dihet botërisht se udhëhiqet dhe ushqehet nga njerëz me pozita udhëheqëse në vend dhe ata që do duhej ta luftonin këtë delikt.

Kështu që, edhe ministresha e (ç)integrimeve evropiane,e cila për vete,përcjell trendet e kohës, vishet dhe mbahet mirë, ani pse një pjesë e madhe e popullatës, me vështirësi sigurojnë edhe bukën e gojës, në pamundësi për plotësimin e kushteve të vështirësuara nga problemet e korrupsionit, krimit të organizuar,ikjes së njerëzve si shkak i varfërisë së skajshme dhe telashet me veprimet e sekteve vahabiste në Kosovë, ndoshta një ditë do të detyrohet që në vend të rrugës evropiane, edhe ajo vet t`a vejë shaminë dhe e dëshpëruar tu prijë shqiptarëve drejt lindjes "moderne" dhe Afganistanit "bashkëkohor".

Bile,siç është dëshmuar deri tani,as qeveria e vendit,nuk e ka problem prioritar mirëqenien e popullit,madje këtë shprehje e ka përjashtuar tërësisht nga fjalori i saj,dhe nuk e përmend asnjëherë, ngase ajo në krye me kryeministrin i janë përkushtuar tërësisht dialogut dy-palësh dhe bisedimeve me Serbinë.

Por ajo që nuk duhet harruar, është fakti se mjerisht këto bisedime, patën një çmim tejet të lartë për Kosovën dhe popullin e saj,duke filluar që nga shkurti i vitit 2012, kur vet qeveria u pajtua me "mbulesën" e shtetësisë me fusnotë dhe daljen me "havale" në arenën ndërkombëtare, duke bërë kompromisin e parë të dhimbshëm për vendin, përmes të cilit e vet-mohoi shtetin e Kosovës.

Gabimi i dytë i rëndë, i cili rrëzon tërësisht për toke edhe atë pak shtetësi të mbetur, ishte vendimi për heqjen e logos nga fletëvotimet,pas të cilit në mënyrë të çuditshme, me cinizëm të skajshëm dhe qëllim tërësisht provokues, shpejt dhe papritur u paraqit një subjekt tendencioz serb, si listë e përbashkët gjoja për pjesëmarrje në zgjedhje,me emërtimin skandaloz "Srbija".

Ndaj,edhe sipas Adem Demaqit, pranimi i një listë të tillë me përmbajtje shantazuese të emërtuar si "Serbia", derisa shteti serb orkestroi serbët e veriut, të mos pranonin pjesëmarrjen në zgjedhje me figurimin e logos shtetërore të Kosovës as në fletëvotime, është një kapitullim i shtetit të Kosovës

Megjithatë, nëse u referohemi deklaratave të kryeministrit, Hashim Thaqi, e gjitha kjo - vjen si fryt i bisedimeve me një mirëkuptim të plotë, marrëveshje tërësisht "kushtetuese" e "transparente" dhe të arritura në mënyrë krejt paqësore në mes të dy palëve në Bruksel.

Kështu që si rrjedhojë e këtij procesi,pas gjithë këtyre "sukseseve" të "shkëlqyera",si futja e fusnotës, heqja e logos së shtetit-apo fshirja e stemës së Republikës dhe pranimit për votim të serbëve me listën skandaloze "Srbija" në vendin tonë, kryeministrit nuk i ka mbetur edhe shumë rrugë në arritjen e cakut të fundit dhe realizimin e kulmit të të gjitha arritjeve, për kthimin e tërësishëm dhe "me sukses të plotë" të Kosovës së "lirë dhe të pavarur" në protektorat të Serbisë.

Por, siç thuhet ndonjëherë nga optimistët, çdo fatkeqësi ka edhe një dozë të kufizuar "fatmirësie" të llojit, brenda saj,ndaj për shkaqe patriotike dhe mbase për të "shpëtuar" atë që është e mundur,sado që edhe Adem Demaqi e ka mik të ngushtë kryeministrin, dhe nuk mund të prishet për gjithçka dhe për çfarëdo pune me të,duke u bazuar edhe në qëndrimet e tij "parimore", ai mund të mos pajtohet dhe as pranojë që e tërë Kosova ti mbetet Serbisë.

Ndaj, nëse jo më shumë,të paktën-vendlindjen e tij Llapin,e mundësisht edhe krahinën e Karadakut,do të përpiqet me apo edhe pa bisedime t`ia bashkojë me çdo kusht Bullgarisë dhe në këtë mënyrë të hyjë edhe ai si udhëheqësi i parë në histori, i cili jo vetëm që dikur diti e propozoj por më në fund arriti dhe realizoi ëndrrën e tij të kamotshme, për krijimin e "Ballkanisë" në këto hapësira.

Kurse ne të tjerët (të mjerët) pjesa e mbetur pa zot shtëpie,të cilët nuk ditëm ta "përdornim" luftën dhe as ta "trajtonim" lirinë, që i bie të jetë Dukagjini,në shenjë dëshpërimi për humbjen e vendit të të parëve, na duhet të punojmë shumë në mënyrë që të bëhemi, piktor dhe brushaxhinjë të denjë për pikturimin e bukurive të ish fshatrave dhe qyteteve tona, si kujtim i së kaluarës së hidhur nga heronjtë e "devotshëm" të atdheut.

Por , që të mos mbetemi edhe ne, ndonjë "zonë neutrale" të cilat kanë pësuar shumë keq në të kaluarën dhe të mund ti bashkohemi vendit amë, duhet të bëjmë përpjekje maksimale dhe me përkushtim të pafund, në mënyrë që "atdhesimin" tonë ta meritojmë.

Kështu që,me angazhime të përbashkëta,mundësisht ne duhet ti përmirësojmë gabimet e qeverisjes së kaluar në vendin amë, duke i kthyer atij, ujërat e shitura lirë të detit jonë, rivendosjen e tyre në shtratin e natyrshëm shqiptar dhe ngjyrosjen kombëtare të Hartës shtetërore të Shqipërisë,në ato pjesë ku ka filluar të zbehet dhe bjerë shpejt dukja autoktone e saj, nga shkeljet e palejuara të Agimit të "thart" grek dhe rrebeshet e rënduara të stërpikjeve "hyjnore" të Janullatosit.

Nda,njerëzit tanë, bashkëkombësit kudo që janë, medoemos duhet të kuptohen më mirë në mes vete, solidarizohen me hallet e njëri tjetrit dhe njohin problemet e vërteta të secilës pjesë të atdheut. Kurse Qeveria duhet të shprehet më shpesh,hapur dhe më me zë, për integrimin e trojeve dhe bashkimin e kombit, para integrimeve evropiane, qoftë edhe në mbledhjet e saj,të parapara të mbahen në Prizren, për bërjen me dije, jo vetëm- bashkëkombësve të lënë pa atdhe,nga ata të cilët nëpër kohë, me apo pa vetëdije, u hapën dhe po u hapin rrugë reve të zeza për të na e sjell hasmin te dera,por edhe atyre që tokat tona ende i duan për ushqim të vetin dhe ëndërrojnë ngrënien e tyre deri në fund, se për shpëtimin e tij,populli ynë mund të bashkohet një herë e mirë, ideal i shenjtë,për të cilin shqiptarët në të gjitha trojet, kanë ëndërruar gjithmonë.
 
Cyrih, Shtator 2013

Mittwoch, 11. September 2013

Arbër Ahmetaj

Arbër Ahmetaj ka lindur në Tropojë në vitin 1965. I diplomuar në Farmaci nga Universiteti i Tiranës dhe i Gjenevës, ai që nga viti 1986 bashkëpunon me shtypin letrar (Zëri i Rinisë, Drita, Nëntori). Krahas studimeve në vitet 1991-1993 punon si redaktor në gazetat "Balli i Kombit”, "Kosova" e më pas, gazetarë në TVSH, Departamenti i Informacionit.
Në vitin 1993 i bashkohet stafit të MPJ-së. Ndërkohë specializohet për diplomaci në Oksford, Washington, Gjenevë dhe në Maltë. Pas postesh të ndryshme brenda MPJ-së në Tiranë, emërohet Sekretarë i Parë i Ambasadës shqiptare në Bukuresht. Në shtator të vitit 1997 jep dorëheqje dhe vendoset në Zvicër, ku ka bashkëpunuar me gazetën “Bota Sot”. Punon si farmacist në Sion, Zvicër.

Botimet
  1. "Flet hyrje për në varr” roman, “Dardania” Tiranë 1993
  2. “Shqipëria -trishtimi im” sprove, “Koha”, Tiranë 1999
  3. “Kështu foli Tahir Zemaj” (bashkautor Sefedin Krasniqi) “Mergimi ab”, Prishtinë 2000
  4. "Kështu foli Tahir Zemaj” (bashkauator S.K.) pjesa e dytë “Mergimi ab”, Prishtinë 2001
  5. “Riva H.” tregime, “Mergimi ab” Tiranë 2003
  6. “Rugova: Modeli i tij politik”, sprove, “Mergimi ab” Tiranë-Prishtinë 2006
  7. “Më mori malli e dashur”, poezi shqip-frëngjsiht “Mergimi ab” Tiranë 2010
  8. “Metafora e arratisur”, poezi, bashkautor “Mergimi ab” Tiranë
  9. “Dhjetor 90: Mbaj mend”. (bashkautor) Kujtime e refleksione Tiranë 2011
10. “Varri i Braktisur” roman, “Skanderbeg books” Tiranë 2011

Në gjuhë të huaja:
11. “Le chameau dans la neige”. (bashkautor) tregime, Ed. “d’En Bas” Lozane 2007
12. “La ville des écrivains figés”. Roman, Ed. “Mon Petit Editeur”, Paris 2011
13. “Riva H.” tregime në rumanisht, Ed. “Privirea” Bukuresht 2011

Ka përkthyer:
14. "Dashuritë Gazmore" Milan Kundera përk. nga anglishtja “Koha” Tiranë 1999
15. "Majtas jo djathtas“; "Dr.Artan Fuga, përk.nga frëngjishtja “Ora” Tiranë 2002.



Anna Menem ose Alpenperle

Tregim nga Arbër Ahmetaj

Vajza me flokët e ndara më dysh u prezantua e para: Anna Menem. Shqiptimin e emrit ajo e shoqëroi me një lëvizje delikate të kokës që lëshoi përnjëherësh në ajrin e asaj buzëmbrëmej një parfum të rrallë. Qe data 28 shkurt, dita e fundit e muajit të dashurisë së maceve. Mbrëmja qe e butë, pavarësisht borës që zbrsite deri poshtë faqeve të thikta të maleve kërcënuese. Gjatë ditës një diell lojacak herë që shfaqur e herë që fshehur pas ca reshë të lehta. Ndodhesha mes atyre maleve për të marrë pjesë në një seminar mbi të rejat e fundit në fushën e trajtimit të dhimbjeve të kancerit. Gjatë gjith ditës prezantuesit e aftë kishin paraqitur me mjaft elokuencë zbulimet e fundit, molekulat e reja, systemet terapeutike e deri tek fotografi e skema operacionesh. Ndjehesha i lodhur prej tyre, madje me një shije të hidhur në gojë. Kur vajza tha emrin e saj, gjëja e parë që bëri truri im qe të rrokëzonte atë emër, të shihte se si sillej gjuha nëpër gojë duke e shqiptuar dhe nuk e di se pse më dha përshtypjen e një puthje : një hapje-anna, dy mbyllje-dy hapje m-e-n-e-m. Pastaj vura re se emri i saj mund të shqiptohej njëlloj nga të dy anët : anna menem-menem-anna. Shikova flokët e saj të ndara në mes dhe mendova për një simetri, një pajtueshmëri dhe harmoni të plotë në qenien e saj. Sapo shqiptova emrin tim filloi rrëmuja. Emri im me prejardhje ballkanike u duk sikur e prishi plotninë e asaj mbrëmje. Nëpër këmbët tona u sollën dy mace, por jo me lëvizjet e tyre të hijshme e përkëdhelëse, ato thuajse u përplasën tek këmbët tona. Ajo po përpiqej të shqiptonte saktësisht emrin tim dhe sa herë dështonte qeshte me një gurgullimë të zëshmë. Në faqe i krijoheshin gropëza të hijshme të cilat dukeshin sikur hidhnin valle nëpër fytyrën e saj rozë. Kërkonte falje dhe përpiqej prap. Qeshte prap: dikur ia arriti. Arbër! Vështirë ta mësosh, por po aq vështirë ta harrosh- më tha. I thash diçka për macet, për muajin shkurt, por ajo nuk e kishte mendjen ose nuk më kuptoi. Priste kalimin e kamarjerit për të porositur diçka. M’u duk sikur po bisedoja me një figurante filmi, nga ato që iu thonë të ngulen në banak, si sfond, nga ato që ua kronometrojnë edhe buzëqeshjen. Ndjeva në gojë shijen e hidhur kur po ngrija gotën. Ferrnet Branka tha ajo dhe qeshi! E hidhur është ajo pije. -pse nuk qesh? më pyeti befas. U përpoqa t’i shpjegoja se s’po më qeshej. Gabim tha ajo, veç qesh- Dont bring everybady down-mu kujtuan vargjet e këngës Don’t worry, be happy. E ngriti gotën me fund dhe qeshi? Nuk ishte ferrnet si i yti më tha, qe kampari dhe u mbyt prap së qeshuri. Floket e ndara më dysh dridheshin bashkë me kokën e saj të hijshme, gjithçka dukej sikur qeshte, sikur vallzonte. Një grup pushuesish me fëmijë të vegjël kaluan zhurmshëm afër nesh. Ajo i qerasi me buzëqeshje të gjithë. Për ta rifilluar bisedën e pyeta se ç’punë bënte. “Busineswomen” tha dhe u shkriu së qeshuri, thua se s’kishte gjë më qesharake se sa të ishe grua biznesi. Nuk e çova më gjatë, ndoshta ajo nuk donte të fliste për “bizneset e saj”. Po merresha me përvëlimën që më shkaktoi ferrneti. Valët e ngrohta po më ngriheshin nga fundi i stomakut thua se s’kisha pirë një lëng të zi e të ftohtë, por një gotë me rreze përvëluese dielli. “Po ti?” me pyeti befas. “Farmacist”- i thashë.  “Oh-bëri ajo-prandaj je kaq i pastër, thuajse steril…!”. Këmisha ime e bardhë shkëlqente verbueshëm nën dritën blu të neonëve të restorantit. U përpoqa ta kufizoja domethënien e fjalëve të saj thjesht tek pamja ime e jashtme. Buzëqesha lehtë. “qesh më shumë më tha-puna jote nuk është aq e lehtë, klientët tu, në rradhë të parë janë pacientë, janë njerëz të sëmurë. S’duhet të jetë e lehtë të qeshësh në profesionin tënd. Po pse ke ardhur këtu?”.
“Një konferencë ndërkombëtare mbi metodat e reja të trajtimit të kancerit”. Befas ajo u mvrejt. Një dridhje gati e padukshme përshkoi fytyrën e saj si një rrymë e ftohtë ajri. Thua se kampari që kishte pirë pak më parë të qe një gotë e mbushur me hej akulli dhe jo me atë pije lozonjare me ngjyrë të kuqe në rozë. Dalëngfadale salla e restorantit po mbushej me klientët e hotelit spa. Mes tyre filluan të vinin edhe mjaft nga seminaristët e kancerit. “Do të hash me ata apo me mua?” pyeti ajo gati në formë ftese. “Me ty-ia ktheva shpejt- nuk kam ndërmend të ripërtyp në darkë, ato që u thanë sot”. Ajo qeshi. U duk se çasti i pasigurisë, përshkruar nga ajo dridhje e lehtë e mëparshme kishte kaluar. U ulëm në një tavolinë me dy vende dhe porositëm një shishe verë të bardhë “Heidi” që e përkthyer në gjuhën moderne qe Pagan. Rrushi prej të cilit bëhej, një savignon e bardhë, rritej nja 1200 metra mbi nivel të detit. Dikur ajo qe një verë egër, gërruese, por me kalimin e viteve vreshtarët kishin përpunuar një specialitet të rrallë, një verë me shije shumë speciale. Tavolina e drunjtë dhe karriget e rënda e të gdhendura në dru masiv bënin kontrast me mbulesat bor të bardha e të qendisur ame lule bore të vogla. Kamarjerja, një grua rreth të pesëdhjetave fliste frëngjisht me një theks të rëndë të gjermanofonëve dhe qe e veshur siç visheshin malësoret e asaj ane, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ngjyra e kuqe, e verdha, jeshilja lodrononin e përdridheshin në një fushë të gjerë të zezë të rrobave të saj. Në atë luginë të thellë mes maleve, ku buronte Rhona shumica e gjërave ishin ruajtur si dikur. Madje edhe hoteli modern i ndërtuar në një gungë të malit mes dy përrojeve që derdheshin zhurmshëm në Rhonë, i ngjante një shtëpie të vjetër valezane, gjysma me gurë e gjysma me dru. Brenda kësaj pamje të jashtme thuajse arkaike, fshiheshin komoditete nga më modernet, kryesorja, një pishinë me ujë të kripur, nga kripa e një deti alpin, të shtjerrur para miliona vjetësh. Kur po mbaronim darkën kamarjerja na pyeti nëse donim edhe diçka tjetër: “Peshk nga ai deti i zhdukur para miliona vjetësh” tha Anna dhe e qeshura jonë notoi zhurmshëm mbi sallën e restorantit. Sytë e disa plakave u ngulën mbi shpinat tona në ikje.
Jashtë një erë e ngrohtë kish mundur të përvidhej grykës së Rhonës dhe qe ngjitur deri afër restorantit. Pranvera nuk është larg-thamë të dy pothuajse me të njëjtën gojë. Qeshëm edhe një herë me zhurmë. Morëm ashensorin deri në katin e dytë dhe kur unë po i tregoja derën e dhomës sime ajo qeshi prap me të madhe. Në mes të të qeshurave tha: e imja ndodhet përballë. I uruam njëri-tjetrit natën e mirë dhe mbyllëm pas vetes dyert e rënda të dhomave tona.

***
Të nesërmën filluam ditën e dytë të seminarit. Nëpër diapozitivat e komplikuar përshkruhej sëmundja fatale. Mekanizmi i proliferimit, mundësitë e ndërhyrjeve farmakologjike. Tipet e ndryshme dhe graviteti i tyre, metodat e diagnostikimit, të prandalimit, të trajtimit! Mendja më rrinte tek ajo. Ajo grua ishte absolutisht e kundërta e kancerit, ajo ishte jeta vet, e përsosur, plot gaz, plot harmoni e simetri- rreth të tridhjetë e pestave, ajo kishte ruajtur linjat dhe tiparet e një njëzet vjeçarje, freskinë e lëkurës dhe pafajësinë e buzëqeshjes. Mbrëmja e kaluar kish hyrë befas në jetën time si një rreze drite nën një çati të pandriçuar. Kish gjetur aty stereotipe, rrangulla të vjetra, kuti të pahapura emocionesh e sendesh të paluara prej vitesh. Erë ftonjësh, formaline e sapuni erëmirë, si nëpër arkat e plakave të Ballkanit. Katërdhjetë e pesë vjeç kisha filluar të paketoj për në përjetësi ndjesi të paharxhuara, madje të paprekura kurrë, qesh dhënë me mish e me shpirt pas profesionit tim, pas rritjes së fëmijëve dhe përkëdheljes së dashurisë sime të parë e të vetme. Bota rrotull meje sillej indiferente, si sferë zhive e thërrmueshme dhe e paprekshme. Ajo grua kish përshkuar me fuqinë e buzëqeshjes së saj atë që më dukej e papërshkueshme, e pacënueshme kish nxjerrë në dritë ato faqe të prizmit të shpirtit tim që deri atëherë nuk kishin parë kurrë diell me sy: plogështinë që të sjell vetmbyllja, indiferencën që ta imponon rrespektimi besnik i një kodi të pashkruar sjelljeje. Vetja ime qe treguar e pandjeshme ndaj shpërthimeve buçitëse të emocioneve të çastit, i kisha neglizhuar ato, i kisha injoruar per hirë të një synimi të fiksuar: të bëja diçka dhe të isha dikushi në jetë. Kisha harruar se një gjë e tillë qe arritur para 15 vjetësh, që nga ajo kohë s’kisha caktuar tjetër objektiv, thjesht kujdesesha si roje e ledheve të Hamletit të ruaja kështjellën e ngritur, duke harruar se kështjella ime po brehej nga rrënjët, jo nga bedenat, se rënia e saj s’do të ishte aspak heroike. Në mesditë drekuam me kolegët farmacistë, mjekë e farmakologjistë të universiteteve më të shquara europiane. Të gjith dukeshin mirë me shëndet. Të veshur me rrobat më të hijshme të shitoreve më me emër në fushën e modës. Kishin bërë studime dhe vazhdonin të studionin në fushën më të komplikuar të dijes njerzore: trupin e njeriut. Ata dinin gjithçka për anatominë, fiziologjinë, biokiminë, patologjitë e organizmit njerzor. Ata ishin pjesa gri e trurit njerzor, përpiqeshin për shpëtimin e jetës së njeriut, kësaj dhurate delikate, të kufizuar në kohë, të papërsëritshme, gjeniale. Prania ime mes tyre, befas m’u duk e huaj. Gruaja me emër simetrik dhe me qeshje të lirë m’u duk shumë më e afërt. Ajo qe një grua. Kjo i mjaftonte. Dukej sikur s’kishte më nëvojë për asgjë. Aq më pak për këmishën apo trupin time të bardhë, sterile!
***
Në mbrëmje restoranti i vogël kish ndërruar vendosjen e tavolinave. I zoti kish vendosur të na bënte një surprizë. Donte të vinte së bashku nëpër tavolina seminaristët bashkë me klientët e hotelit SPA. Ideja qe përkrahur nga të gjithë, aq më tepër që pronari kish propozuar aperitivin falas dhe jo një aperitiv do si do, por me shampanjë dhe ton roze nga deti i Norvegjisë. Në Zvicer njerëzit janë të çuditshëm, nuk janë si tek ne. Imagjinoni sikur t’u thotë dikush mjekëve më të shquar të Tiranës, Beogradit apo Athinës të hanë darkë së bashku me “pacientët” e një qendre kurimi termal? Miqtë e mi ballkanas e imagjinojnë menjëherë shtrembërimin e buzëve, refuzimin, indinjimin e shkenctarëve, bluzave të bardha, farmacistëve. Me kë duan t’i barazojnë ata, me pleq e plaka që vuajnë nga reumatizmi, që kanë problem të përdornin lugën, thikën e pirunin? Me ata që iu derdhet vera nga gota prej dridhjeve të parkinsonit edhe po të jetë e mbushur përgjysmë? Me shumë prej tyre që kanë probleme të prostatës dhe të vezikulës urinare? E pa imagjinueshme një darkë e tillë. Por ajo që duket aq e paarritshme, gati fyese për shkenctarët e asaj lagjie të botës nga vi edhe unë, është jo thjesht e pranueshme, por frymëzuese për kolegët e mi zviceran e europian. Darka filloi në mënyrë të zhurmshme, pa protokoll, njerëzit përpiqeshin të uleshin aty ku iu dukej më e përshtatshme, më afër këtij apo atij doktori, kësaj zonje apo atij zotërie. Nga i njëjti hall vuaja edhe unë. Doja të ulesha me çdo kusht pranë Annës. Imazhi i saj kish notuar në mendimet e mia gjatë gjithë ditës, mezi prisja rastin që ajo të shfaqej, të më afrohej dhe të uleshim diku, ku do të mund të gjenim dy vende të lira njëri pranë tjetrit. Minutat po kalonin dhe “aperitivi” që zgjati më shumë se një gjysmë ore po i afrohej fundit. Pronari i lokalit shetiste me shishen e shampanjës në dorë, kur befas Anna bashkë me buzëqeshjen e saj hapën derën. Pronari u kthye drejt saj dhe duke i ofruar një gotë hodhi gjithë shampanjën që kish mbetur të shoqëruar me fjalët ledhatuese: Pikën e fundit të dashurisë-goutte d’amour-po ia hedhim zonjës Anna Mennem. Ajo ia kishte arritur qëllimit me vonësen e saj, e kish vënë vetveten në qendër të vëmendjes. Zhurmat në sallë u fashitën ngadalë. Ajo shkëmbeu një puthje me pronarin e restorantit me mustaqe të gjata sa një një bri dhie dhe gjithë gaz u kthye nga të pranishmit: Cheers to everybody! Duke e ngritur dorën lart një rreze dritë përshkoi gotën e saj të kristaltë, përmes bulëzave eksituese të shampanjës iu ndal në bebëzat e syrit që shpërthyen në dritë dhe në gaz. Të pranishmit ia kthyen në kor Cheers! Mundësia për tu ulur pranë saj m’u duk një mijë vjet dritë larg. Pas kësaj përshëndetje diellore, ajo përshkoi sallën duke u përshëndetur me njerëz, thua se i njihte prej vitesh dhe m’u afrua: “Si të shkoi dita sot farmacisti im?”. “I vetmuar mes njerzish-trishtuese apo jo?”. “Gabim-tha ajo-qesh”. Mu duk si një urdhër që më duhej ta zbatoja me shpejtësi dhe korrektësi. Don’t bring everybody down-mu rikujtuan vargjet e këngës Don’t worry, be happy. Kamarjerët e shumtë kishin filluar sherbimin dhe vëmendja e njerëzve qe larguar prej nesh. Ajo gjeti një vend të lirë dhe u ul. Tre karrige më tutje, por në rradhën përballë, qe edhe një vend i lirë. Ajo ma tregoi me gisht dhe unë nxitova ta zija. Darka kishte filluar. Të pranishmit shkëmbenin biseda, batuta, grimca humori, buzëqeshje, shikime. Pas pak një farmakolog gjerman mbajti një fjalim të shkrutër në thelb të të cilit qëndronte efikasiteti terapeutik i buzëqeshjes në një mori sëmundjesh. Ai përmendi edhe terma shkencorë si “la liberation en grand quantite des endorphines” modulimi i përgjigjes cerebrale si shkak i ngopjes me aminat etj. Ajo që kuptuan njerëzit nga profesori gjerman qe se një prej shkaqeve të mplakjes së shpejt tek popujt gjermanik dhe të veriut qe edhe përdorimi “racional, pothuajse kartezian i qeshjes”. Kjo shkaktoi të qeshura në sallë. Pastaj biseda rrodhi në grupe të vogla, kokë më kokë, ose brenda një tavoline mes katër pesë personash. Në tavolinën tonë po flitej për letërsi. Dikush kishte folur për Asturiasin, pastaj Markezin-unë shtova diçka për Kortasarin. Anna e kaloi bisedën tek letërsia braziliane dhe pyeti nëse e njihnim Paolo Coelhion. Sigurisht që të gjith e njihnim autorin famshëm të “Alkimistit”! Mënyra se si fliste ajo tërhoqi vëmendjen edhe të tavolinave tjera. Njerëzit filluan të flisnin për cilësitë e veprës së Coelhios, për libra të veçantë të tij, kur Anna papritmas ngriti zërin dhe pyeti pothuajse të gjith sallën nëse e kishim lexuar romanin e tij “11 minuta”. Pas një gumëzhitje dhe kërkimi të vogël doli se, për befasinë e të gjithëve, askush nuk e kishte lexuar. Një kimioterapeut francez tha se kishte lexuar një artikull rreth tij, nga i cili mbante mend vetëm një frazë: “11 minuta” është romani më pak katolik i Coelhios. Romanin nuk e kam lexuar tha ai, kështu që s’mund ta gjykoj prej atij artikulli. Të tjerët rrudhën supet. U mendua se koha që iu kushtua një romani të palexuar qe e mjaftueshme. Të pranishmit po përgatiteshin të hynin në biseda të tjera kur: “Unë jam presonazhi kryesor i atij romani!” tha Anna duke qeshur si një sfidues e vërtetë. Të pranishmit u duk se nuk i kushtuan shumë vëmendje kësaj fraze që e mbylli darkën me një notë mistifikuese. Tërheqja letrare po zbehej duke i lëshur vend komplimenteve për darkën, cilësinë e verës dhe të atmosferës së këndshme.
Rryma e ngrohtë e ajrit kish arritur të ngjitej edhe më lart. Dita kish qenë e ngrohtë. Toka lëshonte avuj e aroma barishtesh të njoma. Aty këto ndjehej edhe era e manushaqeve të para, të sapoçelura. Anna ecte krah meje në atë që quhej shetitja e mbrëmjes. Edhe pse po pinte cigare, era e parfumit të saj arrinte të depertonte herë pas here në flegrat e hundës sime. Më pëlqeu ai parfum. Ajo shkeli mbi një gurë dhe desh u rrëzuar. U mbështet në krahun tim të cilin nuk e lëshoi për disa sekonda. “Ndjehem shumë mirë këtu pranë teje!”-tha ajo.  “Edhe unë!”- i thashe duke i hedhur krahun tim supeve.

***

Të nesërmen u zgjova herët. Qe dita e fundit e seminarit tonë që do të fillonte në orën 10. Që në orën tetë mora një kabinë teleferike dhe zbrita deri në fshatin më të parë. Pranë kishës dhe stacionit të trenit, ndodhej një librari e vogël. Gruaja e imët që shiste libra, cigare, revista e gazeta pa më thënë mirëmëngjes, më pyeti: “Edhe ju për romanin e Coelios “11 minuta”? I kam shitur të gjitha kopjet sot. Nesër më vijnë të tjera”. “Mirëmëngjes zonjë-i thashë duke bërë sikur s’kisha kuptuar asgjë, -desha gazetën “Le temps” të lutem”. Ajo më zgjati edicionin e ditës së djelë që kishte një shtesë letrare, duke më vërejtur si me habi. Paguajta dhe dola. Arrita në kohë në kurs, pjesmarrësit po ndiqnin përmbledhjjen e punimeve të ditëve të mëparshme. Dukeshin pak të interesuar. Dita e tretë qe planifikuar më tepër si shlodhje. Pasdite do të bënim një shetitje në akullnajën Aletsche….! Anna më kish premtuar se do të vinte me ne. Atë ditë ajo nuk do ta kalonte në pishinën me ujë të kripur nga kripa e detit të lashtë, të shtjerrur para miliona vjetësh. Në orën 12 morem autobusin për të zbritur tek teleferiku që do të na dërgonte në majë të malit, aty do të hanim drekë nëpër restorantet e bollshme  për të ndjekur pastaj sipas qejfit drejtimin tonë. Na kishin pajisur me harta, me flet-palosje thua se do të zbrisnim në një toke të braktisur nga njeriu. Me Annën u takova në stacionin e teleferikëve. Bëra një përpjekje të dështuar për të qenë vetëm në një kabinë me të. Jo, një grup i zhurmshëm skiatorësh u ngjitën me ne duke na zënë frymën. Për fatin tonë në stacionin e parë ata zbritën. Në pjesën e dytë të ngjitjes qemë vetëm. Ajo me faqet e trëndafilta dhe buzët e kuqe, unë me druajtjen time akademike dhe këmishen e bardhë. Ajo e veshur me rroba sportive të përshtatshme për lartësinë ku do të ngjiteshim, unë me rroba seminari, kostum, kravatë, këpucë të holla qyteti. Ajo qeshi me rrobat e mia. “Ku po shkon- më tha-ka borë dhe shkëmbinj atje lart. Edhe qiell, por t’i nuk do të fluturosh, ti nuk je zog i lirë”. E shikova drejt në sy. M’u duk se përmes syve të saj dhe xhamit të tejdukshëm të kabinës që varej qindra metra mbi një hon, pashë gjithë të ardhmen time. Ashtu të rrezikshme, mbi një humnerë të akullt-sterile si këmisha dhe të bardhë si debora atje thellë në atë grykë përroi. Një lëngëzim i papritur i syve ma turbulloi pamjen e mrekullushme që kisha përpara. Anna siç duket e kuptoi këtë imtë dobësie që më përshkoi dhe zgjati dorën drejt faqeve të mia duke fshirë me gishtat e mëdhenj lëngështimin syve të mi. “Ke sy të bukur, si të një kali të humbur në mjegull-më tha dhe afroi buzët e saj për një sekondë mbi të miat. U tërhoq shpejt dhe më tha se ne nuk njiheshim, nuk ia dinim jetën njëri tjetrit. Kjo tërheqje që kemi është produkt i pranverës, është rastësore, kalimtare si këto pamje që rrëshqasin posht nesh. Ajo kishte të drejtë. Qemë të huaj për njëri-tjetrin. I thash se ndjehesha mirë pranë saj, ajo më kujtoi se kish qenë e para që e kish thënë një gjë të tillë. Po ndjeja mbi buzë pjalmin e puthjes që më kish dhuruar, kisha një tundim marramendës për të kaluar gjuhën mbi buzët e mia të puthura prej saj. Më vinte zor, një lloj turpi fëminor që nuk e kisha provuar vetëm herët, thellë në fëmijërinë time të parë, atëherë kur pas një shkëmbi të lagur, duke ruajtur dhitë me Xhemilen, ajo më kish puthur në faqe, më kish puthur fort në faqe. Kisha kaluar gjithë mbrëmjen para pasqyrës me shpresë se gjeja konturet e buzëve të saj mbi faqen time roze e topolake, fëminore. Kisha shikuar edhe të nesërmen në mëngjes, asgjë, asnjë gjurmë, aq sa len peshku në ujë, aq sa len gjarpri mbi gurë. Asnjë shenjë e puthjes që qe tretur thellë në shpirtin tim, për të mos u harruar kurrë e për të dalë nga ato thellësi, këtu në Zvicër, pas 35 vjetësh. Xhemilja një vit më vonë qe martuar, për të humbur nga sytë dhe jeta ime. Anna po e ndiqte përhumbjen time. “Nuk e prisja të ishit kaq i brishtë, atje në mbrëmje dukeshit më solid, më i pathyeshëm. Ndoshta ngaqë jemi shumë afër njërit-tjetrit, ngaqë shoh rrudhat e imta dhe thinjat tua. Edhe ti duhet të kesh vërejtur se nuk jam aq e përsosur sa dukem prej larg, kam edhe unë rënien time të brendshme, lodhjen e moshës dhe…, -ajo ndali një sekondë- që hetohet vetëm po të jesh kaq afer sa je ti. Por unë jam e kujdesshme, ka vite që nuk lë asnjë burrë të më afrohet, që kur burri im më braktisi-pikërisht atëherë kur kisha më shumë nevojë për të”. Ajo po tregohej e brishtë po aq sa unë, po zbulonte nga jeta e saj pa e pyetur kush, ndoshta me shpresë se do të më nxiste të flisja edhe unë. Kabina teleferike bëri një frenim të beftë dhe ne u gjendëm në ndalimin e parafundit. Kolegët e mi që ndodheshin në kabinat e vogla që ndiqnin varg njëra tjetrën, vazhduan udhëtimin. Anna më këshilloi se me atë veshje që kisha, stacioni tjetër në majë të malit ishte fort i pakëshillueshëm. Vërtet, edhe aty ku ishim po frynte një erë e ngrirë që të priste si me brisk. Pas nja njëqind metrash ndaluam në një mini hotel të quajtur “Alpenperle”. I ndërtuar me drunj të pjekur në vaj të djegur, ndërtesa dukej e errët dhe e vjetër, por në të gjitha dritaret e saj vareshin lule plot ngjyra thua ishte fundi i prillit dhe jo fundi i shkurtit. Dhomat në katin e dytë e të tretë kishin dritare me kapakë të ngjyrosur në të kuqe, që i jepnin hotelit pamjen e një lodre gjigande mbi borë. “Këtu do hame drekë!”- tha ajo dhe ashtu u bë. Dreka zgjati tre orë. Në orën katër morëm një dhomë me oxhak në katin e fundit të hotelit. U ulëm të dy përballë zjarrit me nga një gotë verë në dorë. Drutë kërcisnin në oxhak duke lëshuar një flakë që ndërronte ngjyrë dhe formë me një shpjetësi të madhe. Mbi fytyrën e saj vallzonin hije e dritë njëherësh. U duk se diçka a brendshme, një mendim që ajo s’mund ta shprehte e bëri të mendohej, të dukej e trishtë, por shpejt, ashtu si flakët ndërronin ngjyrë dhe formë, edhe pamja në fytyrën e saj ndryshoi. Ajo qeshi, qeshi me zë. M’u duk e pavend ta pyesaj se për çfar kishte qeshur. Isha i sigurtë se ajo do të më thoshte edhe mua të qeshja, pa asnjë arsye. Ashtu siç ndoshta bënte edhe vet. Njeriu duket më i bukur kur qesh! “Don’t bring everybody down” më erdhën prap ndërmend vargjet e këngës “Don’t worry be happy”. Qesha edhe unë. Kësaj here pa urdhrin e saj. Ajo lëvizi në drejtimin tim dhe mbështeti kokën mbi gjurin tim. I vura dorën me delikatesë mbi faqe dhe fillova ta përkëdhelja. M’u duk si një mace e imtë, përkëdheljet e mia ia rrënqethën trupin. Ajo përfitoi nga kalimi i gishtave të dorës sime afër buzëve të saj dhe i puthi ata. Unë përkula kokën dhe e putha në sy. Ajo vuri gotën mbi tavolinë dhe hoqi një triko të trashë. Ashtu ajo dukej më bukur, linjat e trupit të saj dalloheshin lehtë, gjoksi i harkuar bukur! U ul në prehrin tim dhe mi hodhi duart rreth qafës. Paspak, ne i braktisëm rrobat tona njëra pas tjetrës dhe bëmë dashuri me një pasion shumë të thellë, aty para zjarrit në atë dhomë të hotelit “Alpenperle”. Pastaj morëm prap gotat dhe po rrinim ashtu para zjarrit. Unë po shqiptoja emrin e saj ngadalë, duke e rrokëzuar si tek fillimi i romanit Lo-li-ta. “Anna Menem-emër i rrallë, i ëmbël, simetrik, i përsosur si trupi yt”. Ajo qeshi dhe u kthye drejt meje: “trupi im nuk është simetrik”-tha duke ngritur lart gjinjtë e saj. Për habinë time të thellë njëri gji i saj ishte më i vogël se tjetri. U zura keq, fjalët e mia për simetrinë m’u dukën të panevojshme, karteziane, gjeometri mbi një trup femëror. Ajo kishte arsye të qeshte me budallallekun tim. Ndoshta për atë shkak kishte qeshur. Si për ti kërkuar falje gjirit pak më të vogël u derdha mbi të dhe e mbusha me puthje. Ajo më pëshpëriti në vesh-puthe tjetrin, se në atë s’ndjej asgjë-ai është thjeshtë një protezë e mbuluar me lekurën time. Gjirin e kam hequr para disa vitesh dhe ti e emerr me mend sepse. Aq më tepër pas këtij kursi tre ditor! Ajo nuk e përmendi fjalen fatale. Dhe mirë bëri. Me një operacion dhe me buzëqeshjen e saj ajo e kish mundur sëmundjen e ligë, e kish lënë atë pas. Gjatë asaj natë unë i trajtova me të njëjtin respekt gjinjtë e saj, gjithçka të sajën-sidomos të qeshurën. U ndamë kur dolëm nga kabina e teleferikut, pa i dhënë njëri-tjetrit as numër, as adresë. Ky qe vullneti i saj. Romanin “11 minuta” të Paolo Coelhios me keqardhje por nuk do ta lexoj kurrë.

Burimi:
       Biografia e autorit nga association-albania.com
       Tregimi nga gazeta-nacional.com

Sonntag, 8. September 2013

Fran Ukcama: Kur hapen dyert e zemrës

Nga libri "Kështjella e kujteses"

BACA SALI KRASNIQI,
NJERIU FISNIK QË KISHTE HAPUR
DYERT E ZEMRËS PËR KOSOVARËT


Në kohën kur Kosova ndeshej ball për ball me pushtuesin serb, Baca i nderuar Sali Krasniqi, hapi në Fier dyert e zemrës dhe strehoj hiç më pak se 197 kosovarë që ishin dëbuar me dhunë nga forcat serbe. Ishte ky gjesti me fisnik i asaj kohe që bëri ky njeri i mirë dhe atdhetar i devotshëm.

 Ai burri i gjatë si lisat e Vushtrisë, si kreshtat e Drenicës, ai gojëtari e fjalëurti, ai që tash mban mbi supe mbi 80 vjet, e prap qëndron drejtë para moshes dhe jetes, është baca Sali Krasniqi. E njeh dhe e nderon Fieri, Myzeqeja, Prishtina, Peja , Kaçaniku, Vushtria. Portreti i tij, skalitet në vite me punën , ndershmerinë, mikpritjen dhe bujarinë. Doli si filiz i shëndetshëm nga trungu i një familje me za e emër në tanë Kosovë, Gërguret. Ata që u ndeshën ball për ballë me rregjimin serb, dhe me mos nënshtrim u detyruna të lënë vatër e varre, kulla e troje, këngë dhe legjenda, morën udhët e botes per një jetë në liri e pa robëri. Po në Turqi nuk gjetën rehati se i gërryente largimi prej trojeve, u mungonte gjuha e fjala shqipe, prandaj përseri me plaçka mbi kurriz moren shtigje të reja në gjurmët e shqiponjes erdhen në Shqipëri, u vendosen ne Dermenas, mes kenetes e moçaleve, u rropatën e drobitën, shumë. I griu vuajtja e malarja por mbijetuan. Gjetën mikpritjen myzeqarq që Baca Sali e kujton dhe e nderon si gjënë e shtrejtë te familjes e jetës së tij..Dhe kënga që këndonte madheshtori Dervish Shaqja fliste për peripeci dhe vuajtje..Kurrë nuk u përëkulën gurgurët, trima dhe punëtor, qëndruan stoik ballë vuajtjeve..
Kurt t`a kthyem Kosovë shpinën, e lamë borë, e gjetëm dimën..! 


Jeta dhe vuajtjet vijuan, por Baca Sali i mposhti me punë e vetmohim, rriti femijtë punëtorë e fisnik, pasqyrim i një plejade krasniqesh të njohur ketej dhe andej trojeve në Kosovë. Familja, në proçeset demokratike e gjeti veten në rradhët e para të qëndreses dhe luftës për liri, për atë liri që sakrifikun një shekull jetë e ëndërra. Me punë e urtësi ngritën bizneset e tyre dhe hapën horizonte tëreja drejt progresit . Kur kalon te “Autogrilli Krasniqi “ apo “Tregu”, vë re sfidën bashkëkohore të kësaj familje, që në krye asht ky burr, Baca Sali Krasniqi.. Kur erdhi dita e koha e Kosovës, dhe lufta u ndez, si kurrë më parë, Baca Sali, ishte burri fisnik që hapi zëmren bujare për fis e për krahinë, për kosovarë pa përjashtim. Shpërngulja biblike me zjarr e hekur, me gjak e lot ra mbi pleq e plaka, gra e burra , femijë të pa faj. Baca Sali hapi konak, çeli tej për tej duert e dritaret e zemres dhe familjes bujare..Shtepia, magazinat, dyqanet nuk mjaftonin, kosovarët e ardhur shtoheshin orë e minut. Ai mori me qera të tjera mjedise, dhe strehoj, jo dhjetë apo njezetë, por mbi 197, kosovarë të moshuar, të rinjë dhe mbi 50 femijë, u kthye, zoti, shpresa, kryefamiljari, shërimi i përkohëshem i dhimbjeve, brëngave , lotëve, plagëve të këtyre kosovarëve të martirizuar..Zemëra e tij të madhe, të gjërë si Myzeqeja, të thellë sa deti, u bë kullë dhe kështjellë për nevojtarët e shkatërruar, të uritur, të rreckosur nga reprezaljete serbe..Lotin e syve ua këtheu në dritë, rënkimin në shpresë, femijëve nga trishtim, u fali lodëra, u bë simboli i bujarisë e mirësisë, pasqyra e qytetarisë..
 

E kur lufta mbaroi, e Pranvera e Lirisë shkrepi në Kosovë, me mall e dashuri Baca Sali i përcolli bujtësit miq si prind ,si vëlla si gjysh..Ata u kthyen në vatrat shkrumb , nisen ndertimin e jetës, rivarrosen të afërm e luftetarë, po kurrë nuk e harruan sofrën bujare e zemrën e gjërë sa deti Adriatik, sa Myzeqeja që rreh në krahnorin e Bac Sali Krasniqit. Baca Sali nuk ndihet i qetë po nuk u qetësuan bijtë e bijat e Kosoves, prandaj herë pas herë u ka bërë vizita në trojet ku po gjallon liria, ku po përtërihet jeta, pas njëqindvjet skallavëri serbo-sllave.. Një ditë erdhi në qytetin e Fierit një miqësi prej Kaçaniku , me burra të nderuem, luftetarë e qëndrestarë të levizjes për liri. Biseduam për veprimtari artistike e kulturore, mes dy komuniteteve, e sidomos për pjesëmarrjen e ansamblit Myzeqeja në ditën e çlirimit të Kaçanikut. Kërkesa më befasuese ishte:-Duam të takohemi me Bac Sali Krasniqin, a e njeh , më thanë. Unë ndjeva vezullim krenarie te kjo bisedë kërkuese dhe u gjegja po me frymën e tyre epike.

-Po e njoh dhe e nderoj, burrin fisnik të Kosoves dhe Myzeqesë, e kush nuk e njeh dhe respekton , i madh dhe i vogël në Fier , Myzeqe e Mallakastër, në tanë Shqypni. Eshtë përfaqësuesi me nderues i treves, familje e madhe dhe me një kala arritjesh në saje të punes dhe ndershmerisë. Krykështjellari ,pra asht tetëdhjetëvjeçari Baca Sali. Nuk vonuam dhe u takuam. Aq i përmallur ishte kur takuam a thua se ishin të një zjarri a oxhaku, a thue se ishin parë dhjetra herë. Jo, ata kurrë nuk e kishin takuar së afërmi Bcën Sali, por kishin mesuar për kujdesin e jashtëzakonshëm që Ai kishte treguar për kaçanikasit, pejanet, drenicarët e tjerë. Kemi kaluar dy ditë të paharruera në Fier. Baca Sali tashmë kishte hyrë në çdo votër kaçanikasi, ishte vendosur në ballin e nderit, në mes të muzeut historik të komunes. E më pas iu bë ftesa për të marrë pjesë në manifestimet e çlirimit të Kaçanikut. Ashtu ndodhi. Ansambli Myzeqeja mori pjesë suksesëshëm në manifestime , por kulmi arriti kur hypi në skenë burri me shtat si lisi, Baca Sali, ku u nderua me titullin : Qytetar Nderi i Kaçanikut. Dhe sot e kesaj dite Baca Sali kujton ato ditë pritje e nderimi në Kaçanik, siç kujton pritjet në Pejë, Drenicë, Vushtri, Prishtinë , kujton dhe vlersimin në Fier si Qytetar Nderi i Qarkut Fier, kujton ky kreshnik i kohëve moderrne, kujton me ofshamë bjeshke Drenicën, vizitënë memorialin e Jasharëve, Adem Jasharin Heroin legjendar, por i ngazëllyer prej lumturisë që erdhi dita e lirsë në trojet e Kosoves, Ai, fjalë pakë, e plot urtësi gjegjet:

- Unë bana atë që banë shumë shqiptarë e patriot, hapa dyert e zemrës në kohë të veshtira, ndiej lumturi tash që miqtë dhe ilaket janë rahatue, zoti u a baftë hallall kujdesin dhe dashuninë, time!
 

A ka krenari më të madhe se sa të nderohesh për nder , bujari dhe fisnikëri, siç ngjet perjetësisht me Sal Krasniqin, falenderimet i vijnë nga shumëkush e vijimësisht si rrezatime mirësie. Baca Sali, i një familj, trungu i së ciles i ka rrënjet te trimeria, bujaria, qëndresa në lufra për liri, në Kosovë dhe paraprisja e demokracisë dhe në Shqiperi, sot jeton dhe punon në Fier në krye të djemve të tij , nipërve dhe mbesave, dhe qëndron i fortë, përtërirë si lisat në furtunë, kryenalt, gjithmonë i thjeshtë, fjalëmjaltë e bujar. Ky, pra është Sali Gërguri Krasniqi.. E unë shkrova këtë portret për të rrefyer brezave të rinj dhe më gjërë se sa patriotike dhe me vlera kombetare është gjëndja pranë njerëzve në kohë të veshtira. Këtë e bëri dhe Sali Krasniqi pa menduar se do të hynte në histori, anembanë trojeve të shqipetarisë. Krahas luftrave për liri që bënë të paret e tij me Azem e Shote Galicën, në 100 vjetorin e Pavarësisë Ai është një nga flamurtarët e qëndreses në dikataturë, prijës në demokraci, dhe sofër e shtruar plot nder dhe bujari në zemër të Fierit e Myzeqesë.
 

E kujdo mysafiri që niset për te dera e Krasniqëve në Fier, një burrë epik, si blini mbi shkamb, e pret te porta me fjalet bujare:

-Hajde, bujrem, bukë, kripë dhe zemër, je si në shpinë tande, je në shpinë e Krasniqëve!
 

Lulëzofsh fisnikërisht, brez pas brezi me nder e emer, o Baca Sali Krasniqi !!!