Donnerstag, 30. November 2017

Alketa Maksuti Beqari


Alketa Maksuti Beqari, lindi në Drithas të Korçës në vitin 1971. Ka diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universiteti i Tiranës në vitin 2011. Vazhdon Postmaster për Energji të Rinovueshme në TU, Vjenë. Pasioni i saj është letërsia, publiçistika dhe Radio.
Në vitin 2000 ka botuar librin me poezi “ Parametra”.
Në 2014 dhe 2015 në Teatrin  Eksperimental “Kujtim Spahivogli" dhe në Teatrin  Kombëtar është vendosur në skenë drama e saj me titull ”Premtimi”.
Në qershor 2016 ka marr pjesë në Sesionin Shkencor mbi Gjuhën Shqipe e organizuar nga Klubi Letrar Podguri me organizator z. Nuradin Imeraj në Istog si e ftuar nga Shqipëria.
Ajo thotë: “Fizika dhe Letërsia, Arti ushqejnë njëra – tjetrën, prandaj i dua”.



Numërim ndjenjash

Ishte natë tetori
Kur më the: 
Numëroji yjet!

Të pyeta:
Do numërin e tyre
A masën e ndjenjave që kam për ty?

Përgjigjen e vodhi era
E gjethet e vjeshtës
Puthën kokat tona



Marr frymë dashurie

Fjete!?
Si duket të preu gjumi
Nga kuturisjet e mia
Kur jam me ty nuk rresht së foluri
Se marr

Ti je këngëgëzimi im,
Oaz në shkretëtirë, ma bën jetën mrekulli,
marrëzisht e dashuruar me ty

Ngazëllehet shpirti im,
tek dëgjoj fjalët që më thua
Unë dashuroj se të ndjej,
Për dashurine dhe buzëqeshjen nuk i jam peng askujt
Marr frymë dashurie.



Prapë jemi të dy

Për ty po tregoj
dashuria ime
që mbërrite tek unë
në një ditë dimri
e pse me thinja
dalë nga vitet që bashkë nuk i jetuam
ti erdhe më e ëmbël, më e ngrohtë
u mbështolla nga qënësia tënde
U çudita edhe me veten time
që nuk pata ndrojtje, apo të ndihesha
e turpëruar nga gjykimi i kalimtaréve
kur ne ishim përqafuar
Për ty po tregoj dashuria ime
e lotët rrjedhin nga malli
aq mall i mbledhur brenda shpirtit
as lotët nuk i fsheh
as i fshih
janë kaq të bukur sumbullat e lotëve të mi
shëndrisin nga gëzimi
prapë jemi të dy



Më puth

I dashuri im,
Ti që erdhe drejt meje
Nga mirësia qiellore
dhe rrugëtove për vite
derisa mbërrite tek unë
Shpirtin tim e gjete
si e kishe lënë
me po aq dashuri për ty
Oh, sa i magjishëm më dukesh
sa nuk iu besoj syve të mi
rri e pafjalë përballë teje
dhe zgjat duart
që të emocionuara shtrihen drejt teje
prek fytyrën tënde
flokët
shpatullat
krahët
I dashuri im,
jam e lumturuar
se ti po më buzëqesh
ah, kjo buzëqeshje sa më kishte munguar
më përqafo, më mbaj pranë vetes
më puth,
oh, sa e kam ëndërruar puthjen tënde
I dashuri im,
zemra ime,
shpirti im i ndarë
je këtu,
sa mirë,
më mbaj pranë, më mbulo me trupin tënd
ndjenjat e mia
të përpëlitura, u rizgjuan
I dashuri im,
zemra ime,
shpirti im.



M'i quaj ëndërra

M'i quaj ëndërra
Në këtë të ftohtë
ditë pushimi
duke pirë çajin e ngrohtë
me muzikën rrok në sfond
me tetë misteret e universit
duke lexuar
mbi lëndën e errët
dhe yjet shpërthyes
e kurrorën e diellit të nxehtë
truri im zaptuar
zemra ime
dhe shpirti im
kërkojnë
përqafimin me ty.



Të ndjej

mos harro
megjithese ditë kaluar
kanë
të kam shumë xhan
të ndjej aq pranë
çdo natë
kur dita larguar
ka
e shkruaj
një fjalë dashurie
të magjishmen
fjalë.



Gjurmë

gjurmë dashurie
lash
në ecjen
nëpër natën
ku shiu
pikat e fundit
nga qielli
rrëzoj
e yjeve dhe reve të bardha
pak vend
ju lëshoj.



Simfonia e zgjuar

Zgjuar,
Dita e re
i ka hequr tisin e natës
e hapur qiellin
me ndihmën e erës që fryn
e ftohtë
si vetë stina

Zgjuar
me shiun
që vallëzon bashkë me erën
dashuruar marrëzisht pas saj
për miliarda vite

Zgjuar
me simfonin
e krijuar nga jashtë
faqes së xhamit të akullt të dritares
dhe faqes së xhamit të avullt të saj
ku rrëkezat
rrjedhin


Zgjuar
me heshtjen
brenda dhomës që fle ende
ku ndihet frymëmarrja
nën ritmin e rimës së vargut që shkruaj


Zgjuar
këtu ...........
ku fillimdita
thotë:
Mirëmëngjes,
me buzëqeshje të pashtirur.



Me heshtjen

se më pëlqen të ndjek rrugën sipas rrezeve të Diellit,
që depërtojnë ndër hapësirat e tyre.
Po edhe buzëmbrëmje, aty, dua të mbetem
se Hëna prej Diellit ndriçuar do hedhë sërish rrezet
e huazuara nga drita e Tij.
E pafrikë prapë do rri, me heshtjen të dëgjoj muzikën
nga tingujt që pemët lëshojnë të harkuar nga era.
Simfoni harqesh.
Ja, atje me heshtjen, ku mbretëron, jam unë.



E dua muzgun

E dua Muzgun që purpurit retë në perëndim
duke rrëmbyer rrezet e Diellit në largim
e fton dritën e yjeve qiellin të pushtojnë, Hënës në ngënje të saj
i jep kohën të ecë deri në agim.

E dua Muzgun se humbas vështrimin tim tek ai
duke më marr shpirtèrisht në përqafimin e tij
e ëndërrimet e mia i zgjon, më kthjell ndjenjën
lirisht të dashuroj.



Jam aty

Mos ik sonte
pa lexuar vargjet e mia
mos ik
rri
lexo shpirtin tim
do të njohësh
zemrën time
lexo
mos ik
e tëra jam aty
nën gërmat
si dora i ka shkruar
ashtu
dhe unë sot jam
mos ik
pa vargjet e mia lexuar
portretin tim
ato mbajnë
e sikur
një varg të kesh kapur
shkarazi
me sytë e tu
botën time
do të marrësh
jam aty