Samstag, 12. Oktober 2013

Agim Spahiu

Agim Spahiu u lind në fshatin Kolesjan më 22 prill të vitit 1952. Ai kreu shkollën e mesme në gjimnazin e Kukësit dhe studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik trevjeçar të Shkodrës për gjuhë-letërsi. Përfundoi studimet në vitin 1974 dhe për 15 vjet rradhazi punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë në rrethin e Hasit,në Gjinaj dhe shkollën e mesme të Fajzajve. 

Në moshën 18 vjecare ai kishte botuar vëllimin e parë poetik me titull "Liria". Libra të tjerë në prozë e poezi të tij janë : "Duart e Punës"(1973), "Vjen në moshë"(1982), "Këngë për Idën e Hasin e Bardhë"(1982), "Të jetosh me ty", "Është koha të duhemi"(1990), "Njeriu mbi Pikëllimë", "Kurpalet" etj.

Agim Spahiu vdiq aksidentalisht më 14 dhjetor të vitit 1993. Vdekja e tij e parakohshme qe një humbje për arsimin, letërsinë dhe kulturën e Kukësit. Me dekretin nr.786, datë 3 mars të vitit 1994 është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të Klasit të Parë.


Poezi nga Agim Spahiu

AUTOPORTRET

Here-here me grafullon gjoksi si tambli ne flake,
jam shend e vere, plot hove njerezore, i pashem,
i fresket e i gjalle,
i paster e i lare si natyra pas shiut,
i tejdukshem si qelqe e zbrazet.
Gjithkush ma lexon shpirtin ne bebez te syrit...

e viti me duket nje dite...

Here-here shkretem krejt
pres
regetime e fundit te heshte,
jam si pylli dimeror,
i ftohte pa ndjenja,
bosh,
e dita me duket nje vit...
Nga casti na cast pres te me cojne ne varreze
Pse s'me cojne?!

 
PREK TRUPIN E NJERIUT

Dua të prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, të marr e të jap
dritë, guxim e mençuri… Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
E ndien veten të lodhur e të plakur nga një mendim nator,
që mbjell harresë e vetmi… Dhe trembesh si fëmijë.
Ç’rëndësi ka mosha?! Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
Prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, merr e jep dritë,
guxim e mençuri!
Vetëm prekja e njeriut është kundër shurdhimit,
harresës, vetmisë, vetëm prekja e njeriut.
Shëtiti mollëzat e gishtave mbi supe, krahë, ballë,
vetulla e sy, futi gishtat në shkurren e flokëve dhe dëgjo
si këndojnë zogjtë e dashurisë në buzë… Nesër
agu do ta largojë këtë mendim nator, më beso,
nesër do të jetë shuar krejt…
Do ta ndiesh veten të freskët, të lehtë,
do ta zgjedhësh fustanin luleshumë, buzëkuqin e ndezur,
do të krihesh me kujdes,
do ta shtosh buzëqeshjen… Nesër,
e mrekullueshme do të jesh nesër!
Si mëngjes mesprilli verior, si vajzë e dashuruar
do të ndihesh nesër, më beso,
nesër kur të prekë dita-jetë që sapo ka filluar…
Puthmë! Prek trupin e njeriut, marr e jap pafundësi,
mbushur plot e përplot shpresë e dashuri.
 
Kukës, 1986


UNE, I ZAKONSHMI YT

Shpesh shpërthej e dal prej gjoksit tim si Drini
në vjeshtë,
shpesh, sa shpesh!
Ki durim! Jam në mrekullinë e krijimit.
Nga shtegtim’ i vrullshëm shpejt do kthej
te i zakonshmi yt i drojtur. Ki durim!
Asgjë e ligë s’del prej gjoksit tim. Ki durim
dhe besim,
edhe pse je e lodhur më ofro fisnikëri e mirësi
(Pak, oh sa pak!)
Dhe shih: kur të jem qetësuar një mal do të jap…
Dora jote mbi ballë,
një përkëdhelje dridhëse, e dashura ime,
një shëtitje dashamirëse e gishtërinjve
mbi vullkanin tim në shpërthim,
një fjalë e mirë… Heshtje, heshtje e mençur.
Dhe shih,
nga çasti solemn i krijimit do të kthejë
i mrekulluar e i çliruar dhjetëfish,
i drojturi, i treturi, i zakonshmi yt.




PARA TEJE

Jam i vogël, sapo kam nisur të nxjerr tinguj,
të qesh, të zgjas faqen për puthje te të mëdhenjtë.
S’di ç’është ajri, uji, zjarri, e prek e digjem. Qaj
e prapë drejt teje nisem… Tetëmbëdhjetë jam,
i dashuruar në krehrin e pasqyrën,
gjithë vetulla, sy e forma të derdhura shtati,...


përqafuar me dëshirën, më e hishmja në botë - fytyra,
këngëtar i madh që di vetëm këngë me emrin tënd,
djalosh i zjarrtë, qengj i butë, të gjithë ma shohin
dashurinë, s’kam aspak frikë: e shpall para të gjithëve
mrekullinë që ndodhi në mua, i magjeps rrugët, pemët.
gurët, prej tyre magjepsem, i marr para me frymë.
Pesëdhjetë. Njëqind. Njëmijë vjeç qenkam, më lulojnë
lulet e bardha mbi krye, dhjetë herë qenkam kthyer
për ty në botën e të gjallëve pa pyetur për fyerje
dhe sharje… E prapë digjem e sillem në moshën
e shpirtit: një dhe tetëmbëdhjetë, një dhe tetëmbëdhjetë.
O, ç’paske qenë ti, moj dashuria ime!



TI E DI SI DUHET VDEKUR

Ti e di si duhet vdekur të jetojë plisi i bardhë
e gjaku i valë,
tambli në sisë e fara në arë,
ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur, vullkan
i ndezur, vëllai im i tretur, i pabuzëqeshur,
i fyer e i poshtëruar,
vëllai im i panënshtruar…
Ka kaq shtatore në udhë e sheshe, bij-hyjni jetojnë
                                                                         në ty
ata si farën në arë kryet lanë në kohën tonë prej
gjaku dhe ëndrre.
Ti e di si duhet vdekur, vëllai im i heshtur -
vullkan i ndezur-ti e di si duhet vdekur…



KËTU

Këtu dielli rrezon për mua dhe bora boron për mua,
në gjakun tim shkrirë janë të gjitha viset e tua,
rroj në male fisnike me ujëra jetëdhënëse në gji,
në përqafimin e lumenjve të mi: njëri i Bardhë,
tjerti i Zi.
Këtu jam, gjithnjë, mbi Gjalicë e Pikëllimë,
i mbushur me kujtime,
këtu lëndohet e gazmohet zemra ime.
Nuk mund të rroj ku s’kam ç’të kujtoj.
Këtu jam i idhët pelin, i ëmbël si misri i ri,
këtu jam plot shëndet,
kam shumë punë për të bërë dhe s’kam ngè të vdes…
Këtu dhe vetëm këtu jam guri me rrënjë,
i rëndë në vend të vet,
çdokund tjetër rrumbullohem, troshitem e harrohem,
vetëm këtu thepohem…
Këtu jam zjarr që djeg, dorë e bardhë që përkëdhel,
fjalë mjaltë që mrekullon, vuajtje që s’harron…
Brenda meje përkunden djepe, shtrihen varre pa harrim,
digjen e rilinden malet e visit tim.
<<Këtu!>> më thonë djepet e varret, drurët e gurët,
<<Këtu!>> Shekspiri është luajtur dhjetëfish,
                                                           ta dish,
në familje, buzë kufijsh
dhe brenda gjoksit të njeriut!
Jam këtu përqafuar me diellin,
dragua për të mos harruar asgjënë,
mbrojtës, rojtar nderi i fytyrës sime që s’e çbënë…
Këtu me tokën përjetësisht jam i dashuruar,
si fëmijën e puth, e mbaj, e kthej me duar.
Rris pemët, shtrydh gurin e ujin të më japin më tepër
dhe unë gjithçka u jap: në çdo gjë pjesëtoj veten.
Me armiqtë thikë më thikë jam këtu, sy për sy,
i dashuruar me të dashurit e mi.
Këtu dhe vetëm këtu jam puthja, mallkimi, ëndërra
dhe zgjimi,
dashuri në udhët e tua,
ku bora dhe dielli rrezojnë për mua…

Kukës, 1986

 
DAL NËPËR NATË

Dal nëpër natë me fyell të gjatë në brez,
atë yll të largët lyp nëpër terr
një fjalë t’i them
e nëntë male në mes, medet, nëntë male në mes
E dhentë s’po tuten e mallet po s’po ulen… Po qe:
balli me dukat m’i bën dritë shtegut t’udhës.
Medet, i mjeri unë,
kot mundohem ta fsheh dridhjen e buzës!
Tufëzat hanëza-hanëza m’i ka çjerrë thëllënza,
meraku ka pikur mbi xhamadanbojëgjaktin,
shlyer e ka krejt, mjeri unë me det!
Mbi tirqit e bardhë ofshamat e mallit
(t’i kallëzon dukat i ballit)
kurrkund nuk m’u ndanë qysh ditën e parë,
pesë gishtat e dorës përanash lanë zi
kur u ndamë të dy…
Përmidis të gjoksit m’u ka bë një gropë,
                                                    medet,
nuk e mbushin tokë as shokë, medet!
Meraku për ty më hollon përorë
e nëntë male në mes, medet, nëntë male në mes!

 
XIXËLLONJA

S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje atë natë
të errët martesore
dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e një xixëllonje…
Pranë njëri-tjetrit, mbi krevatin e vjetër dhe
larg,
(Sa larg!)
Përballë nesh jona ish edhe një arkëz e vogël
me copëza fashete për mentesha.
E gjora! Sikur vinte nga lufta!
Në luftë të re hynte-prapavijë besnike -
ku ruhej buka.
As fjalë s’kishim. Jona ish edhe heshtja:
një heshtje e gjatë dhe e egër na errte e na errte.
Dhe zor ta hiqnim qafe asaj nate
të mos vinte xixëllonja,
që digjej e digjej për ne të dy,
në buzët e tua, në sytë e mi.
Ishim kaq të lodhur, kaq të shqetësuar…
E s’e trazuam.
E s’u gëzuam.
S’kishim asgjë të na falte gaz e prehje atë natë
të errët martesore.
Dhe nuk e di ç’mund të mbanim mend
të mos ish ardhja e asaj xixëllonje…

1987

 
DHE FËMIJËT RRITEN

Më e shtrenjtë se buka, më e pashme se lulja
ishe për mua,
(Sa zor e kam t’i marr nëpër duar, t’i hap
fletët e viteve që shkuan!)
U miqësova me librat dhe heshtjen,
të isha i ditur, i mençur,
fitova krenarinë tënde me pak përhënie,
ecjen dhe përshëndetjen…
Dhe vrapoja të shihja, të thosha një fjalë,
(Ora nuk plakej pa të parë!)
Edhe pantallonat i mbaja në ngjyrën që të pëlqente
për një vështrim, për një buzëqeshje…
Tash që na shtohen thinjat e grindjet
dhe fëmijët rriten,-mendjen atje e mbaj.
Të lutem, mos më bëj të qaj!




KUR S’TË SHOH...

Shihem në pasqyrat e mëngjesit, i mbush mendjen
vetes se jam i ri, vesh këmishën e bardhë e dal
në pikëpjekje me ty...
Dal të shoh hapin, fytyrën e çelët,
të ndiej ecjen, vështrimin, përkëdheljen
e ti të therësh si flutur prilli nëpër shtatin tim,
të më japësh kaltri, forcë e besim,
të më japësh zjarr djali
e të më mbash në këmbë – të lehtë të ma bësh
çdo gjendje të rëndë... E pastaj,
e pastaj unë i gjithi të jem dashuri
përqafuar me botën, përqafuar me ty,
i shpenguar si era, i mrekulluar si pema
të sythoj ëndrra e punë të reja...
Por kur qëllon që s’të shoh dot
pasqyrat më qorrohen, nxihet këmishë e bortë,
më sulmojnë rrudhat, plakja e mosdashja,
mërgon ëndrra, fjala, më mbulon nata.
Plakem një mot kur s’të shoh dot!



VIZATIME DASHURIE NE TERR


1. Oh!


Po më dridhet shpirti si një fije bar,

unë po shkoj drejt dimrit, ti del në behar…


2. * * *


Me mall e gjamë po të lyp nëpër hanë

Gjersa t’m’ngrijë fryma në gojë
gjysma akull,
gjysma borë…


3. Mall


… s’më lë mjegulla të të shoh, of, të të shoh,

pezmi im,
helmi im!

E largoj me dorë – afron,

me krahë e pres – qesh e më mbulon,
më mbështillet, rreth meje përdridhet,
i fryj sa kam fuqi e prapë s’të shoh ty, helmi im,
pezmi im!
Dhe dal nëpër hënë vetëm, kur mjegulla ka tretur,
qaj kodrat me radhë, qaj malet e larta
e ti s’je as zë as hije, laznorja ime…
S’më lënë njerëzit të të prek, of, me ty të flas,
të qesh,
s’më lënë dhe dal nën hënë vetëm,
kur njerëzit kanë fjetur.
Shtrihem mbi barin që dhemb për hapin tënd
e ti s’je më as zë as hije, laznorja ime…
Vetëm-o, cingthi – pres mjegull të mos ketë
e prapë të shoh, të prek, të flas e të qesh me ty,
helmi im, pezmi im!


4. Frymë a hije


A je ti, fol, a je ti –

frymë a hijeq
që përbihesh derës
për në thelb të zemrës?!

A je ti, fol, a je ti –

mallkimi im,
syfilxhane, mollëbojëpeme –
pëllumb i bardhë midis reve?!…


5. Kur të pashë


Të vërejta e u rrëqetha… Ecja

e s’ecja,
re m’u duk vetja,
trëndafil ku vdiste vesa…


6. * * *


Në këmishë të hollë, jelekbojëgjake,

si kripa në zjarr
më plase…

M’i jep jetë kësaj nate!



7. Ne të dy


U deshëm pa fjalë.

Si të vdekur
a si të gjallë?!…


8. Ti më vjen


Ti më vjen me zjarr në duar

e terur, e përvëluar,
ti më vjen me zjarr në duar…

Zjarrin do ta mbaja në pëllëmbë të dorës

si yjzit në vallen e horës…

Ti më vjen me zjarr në duar

e terur, e përvëluar,
ti më vjen me zjarr në sy…

…dhe digjemi të dy.



9. Mungesat nuk thuhen


Qysh t’i them mungesat?! S’mundem,

mungesat nuk thuhen,
mungesat veç ndjehen, të zënë si ethet
e s’ke më gojë as fjalë, mbytesh në ankth e mall,
veç sytë të thonë se je gjallë…

Po t’i fal sytë. Merri sytë!

Me dy drita syri të flas nga thellësitë,
të them je gjëma ime, je shpresa ime –
e heshtura me gjëmime. Të them – je muzikë,
gjëmëtare kundër gjëmës, këngë e mbushur prej ëndrrës…
Me dy drita syri të them je e vërtetë
që më mban në jetë, plagë që dhemb e vdekjen
e tremb…
Qysh t’i them mungesat?!
Druhem, mungesat nuk thuhen,
mungesat me ty shkrihen, flenë dhe ringrihen,
në ty përpëliten, dridhen, të shtojnë dhimbën –
drita i largon, terri i afron…
Po t’i fal sytë! Merri sytë!
E në dy drita syri, në dy drita syri të ndiej
si më ndrit ylli.


10. Kur jam vetëm


Digjem për buzën e djegur,

për fjalën e mençur tretem –
kur jam vetëm.

Mittwoch, 9. Oktober 2013

Poezi nga Ymer Elshani

YMER ELSHANI 
(1948 – 1999) 
 
 
ÇELËSI I ARTË 
 
Çelës i artë ështëmirësia, 
Çelës tillë pranvera ka; 
         Tërë natyrën 
         Ngjall, bleron - 
I gëzon njerëzit botë shqim 
Dhe çdo zemër hap – pushton! 
 
Çelës i artë është ngrohtësia, 
Çelës tillë dielli ka; 
         Botën ngjall, 
         I jep jetë 
Nuk kursen rrezet e tij 
Dhe çdo zemër e hap lehtë! 
 
Çelës i artë ështëfjalë e ëmbël, 
Çelës tillë mund kemi 
        Unë e ti, 
        gjithë sa jemi; 
Fjala e ëmbël bën mrkulli 
I hap zemrat si me magji!... 
 
 
  
 
SHQIPONJA 
 
Shqiponja e mprehtëvetëtimë, 
Vetëtimën e ka marrë 
Nga retë e qiellit. 
 
Bebëzat e mbushura 
Shkëlqim, 
Shkëlqimin e ka marrë –  
Prej rrezeve diellit. 
 
Në qiellin e gjerë  arbëror 
Valon si flamurkurorë. 
 
Krahëtshkëmb i fortë, 
Fortësinë ia kanë rritur 
Ndeshjet me stuhi. 
 
Zemrënflakadan i plotë, 
Zjarrin ia ka shtuar 
Etja për liri!... 
 
qiellin e gje arbëror  
Qëndron si rojekurorë. 
 
 
 
ASNJË DITË KOT NUK VJEN… 
 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
     Bletës një shportë mjaltë 
     Pas fluturimit t’gjatë; 
     Minatorit xehe shumë 
     Pas djersës t’derdhur lumë; 
     Lokomotivistitudhëtime t’reja 
     Nga Lublana der’te Peja; 
     Muratorëve soliter 
     Një kat ri përnjëherë; 
     Lonit, Teutës e Meritës 
     Pesa n’detyra t’matematikës; 
     Mollës re – plot sytha; 
     Kërmillit t’vogëldy britha; 
     Peshkatarit larg det 
     Pas lodhjespeshk rrjetë 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
Se ç’do t’marrim peshqesh 
Do varet dheprej nesh 
 
 
 
METEORËT E TOKËS 
 
Llambat 
N’koka t’minatorëve 
Kur zbresin n’galeri me radhë 
 
Ngjajnë 
meteorë bardhë 
 
Fenerët 
E xixëllonjave enden 
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak 
 
Ngjajnë 
meteorë endacakë. 
 
Sytë e nënave 
Kur i përqafojnë fëmijët 
Me dashuri zjarrtë 
 
Ngjajnë 
meteorë artë. 
 
 
 
 
DASHURI ARITMETIKORE 
 
Njëshi dhe Zeroja 
u takuan njëherë 
moti pikë ditës, 
një faqe Aritmetikës. 
 
- Ah, sa e bukur qenke, 
o Vashëz flokëblertë, 
o Vashëz faqeplotë!... 
psherëtiu Njëshi atëbotë. 
 
- Edhe ti paske 
hundë të bukur, të drejtë!... 
foli, e emocionuar Zeroja 
me një zë të butë, të lehtë. 
 
U shikuan me ëmbëlsi. 
U shikuan me simpati. 
Pranë e pranë u afruan. 
Dhe nga ajo dashuri 
e madhe e sinqertë 
lindi atëbotë – numri 10!... 
 
 
 
 
A SHIHET SHARRI? 
 
Vallë nga ai Yll 
Si xixë zjarri 
 
A shihet Sharri? 
 
Vallë nga ajo Kometë 
Me ngjyrë rubini 
 
Si duket Drini? 
 
Vallë nga ai Planet 
Në orët e vona 
 
A duket Kosova? 
 
Vallë nga Hëna 
A mund të shoh 
 
Kur buzëqesh nëna? 
 
 
Nëse është e mundur  
Kjo gjë – s’përtoj 
 
Në Hënë të udhëtoj. 
 
 
 
DALLËNDYSHJA 
 
 Shigjetë e qiellit. 
Gjerdan i prillit. 
 
Një fole e ke 
N’strehë të shtëpisë, 
Tjetrën – n’zemrat tona 
Çerdhe t’dashurisë. 
 
Ëndërr e kroit, 
Plepit, lumit, ftoit. 
 
N’pranverë ia shton 
Një kat haresë, 
Kur ik në vjeshtë 
E ruajmë n’kujtesë. 
 
Yll i kaltrisë. 
Motër e puhisë. 
 
Me diellin n’kraharor 
Pas diellit udhëton. 
Retë s’e pengojnë, 
Deti s’e frikëson. 
 
 
 
 
TELEGRAMET E PIKËS 
 
Në fund të çdo fjalie, 
Kur mendimi mbaron, 
Unë e kam vendin. Stop. 
Kjo duhet t’i jetë 
E qartë çdo fëmije 
Dhe të mos harrojë. Stop. 
Nëse dikush pyet 
Atëherë Pikëpyetjen 
Zëvendës kam. Stop. 
Nëse uron, dëshiron e përshëndet 
Atëherë Pikëçuditja 
Më zëvendëson. Stop. 
Po të më përdorin 
Gjithnjë ku duhet 
Do të kërkoj. Stop. 
T’u vëhet prore 
Pesë në drejtshkrim 
Stop. Stop. Stop. 
 
31.5.1987 
 
 
 
 
RREZJA 
 
Biletë as pasaportë s’ka 
Nëpër botë udhëton pa pra. 
 
Bie në gur – s’thehet 
Bie në thikë – s’prehet 
 
Pa zile, pa këmborë 
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon. 
 
Bie në det – s’mbytet, 
Bie në baltë – s’zhytet. 
 
Tërë botën pallat e ka 
Diellin në hapësirë e quan Baba. 
 
 
 
 
VALLJA E KALTËR 
 
Kur detet 
Në t’gjitha kontinentete 
     Rroken 
     Dorë për dore 
     Në një valle 
     Të kaltër – 
     Vëllazërore 
Bashkë me oqeanet 
Nga t’katër anët 
     Atëbotë 
     Kjo është vallja 
     Më e gjatë 
     Në botë! 
     Globit 
     I buzëqesh fytyra, 
     Është i gëzuar, 
     Kur sheh 
     Bijtë e tij 
     Të hareshëm, 
     Të bashkuar!...   
 
 
 
 
PËRQAFIMI 
 
Dielli e përqafon 
Tokën – 
Me rreze t’arta. 
 
Deti e përqafon 
Tokën –  
Me vale të kaltra. 
 
Ylli e përqafon 
Tokën – 
Me syrin gëzimplotë. 
 
Unë e përqafoj 
Tokën – 
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...  
 
 
 
 
YJET 
 
Margaritarë – 
Në gjerdanin gjigant 
Të kaltrisë. 
 
Sy kurreshtarë –  
Në ballin e madh 
Të Gjithësisë. 
 
Stoli – 
Në xhaketën kaltroshe 
Të kupës së lartë. 
 
Inxhi –  
Në kraharorin e madh 
Të qiellit t’kristaltë. 
 
 
 
QËNDRESA 
 
E sulmoi me acar veriu, 
E sulmoi me pjalm dimri, 
Por kokrra e grurit qëndroi! 
         Nga ajo u mbush në verë 
         Plot me kokra t’reja kalliri… 
 
E sulmoi lukunia e ujqve 
Tufën e pafajshme n’vërri, 
Por dreri brirëmadh qëndroi! 
         Në këtë luftë aim bet I shtrirë 
         Por shpëtoi grigja e tij… 
 
 
 
 
KARCELLI  DIKË 
 
Tha  
Karcelli Dikë 
 
- I pari 
Dua t’jem n’atletikë! 
 
I pari 
- Në kërcime. 
 
I pari 
Në rrotullime 
 
I pari 
-N’ vrapime. 
 
 
 
BUBULLIMA 
 
Daulle e reve – 
Fishek i hedhur në tokë. 
 
E qëllon lisin, 
Por lisat nuk zhduken 
Lisa ka shumë në bokë! 
 
Krismë e patkonjve 
Të kuajve të zi’. 
 
E djeg barin, 
Por bari ka rrënjët 
Rritet përsëri! 
 
E reve kryeneçe 
Shamatë e gjatë 
 
Që grinden për rrugë 
E rrugët s’kanë skaj 
Në qiellin e lartë!
 
 
 
Poezitë janë zgjedhur nga librat e poshtëshënuar.

“YLLI ËNDËRRIMTAR” , “Rilindja” - 2000
“ZOGU I LIRISË” ,“Zef Serembe” - 2001
“GJELASTRENI MENDJELEHTË” , “Gutenberg” - 2003

Përgatiti për "Ora shqiptare" poeti Xheladin Mjeku