Freitag, 8. November 2013

Salih Zogiani - Anekdota 4

Anekdota te zgjedhura nga pesë librat e botuara nga autori Salih Zogiani

1. VENDIN E FJALËN NUK MUND T’M’I LUAJË ASKUSH

Një plak, kur e kishte parë për të parën herë Binak Alinë, nuk ia kishte mbushur syrin hiç, siç kishte dëgjuar për të, andaj i tha: - More Binak Alia, qysh kam ndi, se t’ka shkue zani deri te mreti për mençuni e burrni, a po m’tregon se qysh e ke mbërri këtë famë? - Po, po të trgoj, - i thotë Binak Alia, Unë, kur ulem, e di ku e kam vendin, e gjithmonë ulem në vend temin. Po edhe kur e flas fjalën, para se me folë, e mati mirë, pra e di ku e kur duhet me folë e kur me u ndalë. Edhe mbreti me hi, vendin dhe fjalët nuk mundet me m’i lue, e për qato m’ka dalë zani, - i tha Binak Alia.


2. DJE KAM PAS HANGËR HURME

Nëna e çon çikën te doktori, se kish nisur ta humbte të parët. Doktori i thotë se të parët ka nisur të humbë duke hëngër shumë hurma. Ia jep do ilaçe, e i thotë të ëmës ta çojë çikën edhe te kadia. E çoj nëna çikën te kadia e i kallëzoi se çka i ka thënë doktori, po kadia i tha: - Ejani nesër, se sot nuk mund ta ndreq këtë punë. Të nesërmen, kur shkojnë, kadia merr vendim që çika të mos hajë më shumë se tri hurme në ditë, e i thotë çikës: - Po i hëngre më shumë se tri hurma, do të hash treqind dajakë. Mbasandaj i kthehet të ëmës e i thotë: - Po hëngri çika më shumë se tri hurma në ditë, ti do të hash katërqind dajakë. - A u morëm vesh? - u thotë kadia. - Po, - i thonë ato, po, pse nuk na e kryeje këtë punë dje, po u desh të vinim edhe sot? - Dje nuk mund të ndaja drejtësi, se dje edhe unë kisha hëngër hurma, - u thotë kadia.

  
3. VEÇ EDHE NJË VIT KE TË DREJTË TË PERZIESH

Rexhë Kodra i Prekazit i kishte mbushur një palë duq me grurë dhe i çon në Vushtrri t’i shesë, për të blerë kripë, vajguri etj. Kur arrin afër magazes, e sheh një tubë zall skaj rrugës. Ndalet e i qet disa palë grushte zall, për të ar¬dhur më rëndë dhe e përzien mirë, për të mos u hetuar. Magazineri, Sulejman aga, mbasi e mat gru¬rin, e fut dorën në duq, e mbush nji grusht, për të parë se çfarë gruri është. Kur e sheh se ishte përzier me zall, i drejtohet Rexhës: - Mixha Rexhë, grunin e paske t’përziem me zall! - Po lujnë fëmija me zall n’hajat t’hamarit e nashta edhe kanë qit n’grunë. E pa Sulejmani se nuk po tregon drejt, e i tha: - Sa vjet i bane, mixha Rexhë? - I kam mbush gjashtëdhetë e katër, - i tha Rexha. - Me përzi veç edhe nji vit paske afat, e masandej duhet me e hjek këtë tabiat, - i tha Sulejman aga


4. KJO ËSHTË NANA

E kishte rritur nana veç një djalë. Kur u rrit djali, ia nisi e po e rrah nanën e vet. Një ditë, kur djali e rrahu fort, nana shkoi e kallëzoi në hyqymet. Dy zapti, bashkë me plakën, shkuan për ta marrë djalin e saj. Derisa shkonin zaptitë thoshin se do ta rrihnin djalin fort. Nana, si nanë, u tut se mos po ia mbysin djalin, e kur pa njërin duke ardhur rrugës, po u thotë zaptive: - Qe, ai që po vjen udhës është djali im. E zunë zaptitë e po e rrahin atë kalimtarin, edhe pse ai u thoshte se ajo nuk ësht nana e tij, se nana i ka vdekur moti, po ata nuk i besonin. Mbasi e rrahën, i thanë: - Merre në shpinë, çoje në shtëpi e mbasandaj kthehu këtu. Kur e çoi ky plaken në oborr të vet, vëllezërit po i thonë: - Kush është kjo që po e mban në shpinë? - Nana, - u tha ky. - Po çfarë nane, ajo na ka vdekur moti?! - Valla edhe unë thosha ashtu, po tash po them qysh po thonë zaptitë, po edhe ju do të kishit thënë kështu, - u tha ky.


5. VEÇ RRI ASHTU QYSH JE

Njëri kishte dëgjuar se njerëzit budallenj nuk po i marrin në ushtri. Shkon te një njeri i mençur e i tregon se si kishte dëgjuar dhe e pyet: - Nuk po e di se qysh me ja ba unë për mos me shkue ushtar? Ai e njihte mirë këtë djalin, e i tha: - Ti veç rri qashtu qysh je e mos e nd’rro, se kurrë ushtar nuk kanë me të marrë. - More po tutna që po më marrin, - i thotë ky. - Jo, n’koftë se nuk i marrin budallët, unë të garantoj se ty nuk kanë me t’marrë, e nëse t’marrin, unë dy hektarë tokë kam me t’i falë, - i thotë ai


6. E DUA SE E KA DUHANIN TË MIRË

Fazli Sopjani i Harilaçit ka pas ikur në Shqipëri, menjëherë pas Luftës. Vëllanë e Fazliut, Murtezin, shpesh e kontrollonin milicia mos po vinte Fazliu. Murtezi ka qenë fukara dhe shumë i urtë. Një ditë, duke u kthyer prej malit me do rremba të druve në krah, afër katundit e ndalin dy milicë e po i thonë: - Mos po i çon vëllait bukë në mal, se kemi marrë vesh që Fazliu po sillet këtej. - Jo, valla, nuk e kam parë Fazliun prej që ka ikur, veç dola t’i marr këta rremba të druve, - u thotë Murtezi. Njëri prej milicëve i thotë Murtezit: - Të besojmë, nëse na tregon diçka drejt? - Po, - thotë Murtezi – në ditsha, drejt do t’ju tregoj. - A e do Shqipninë? - i thonë ata. Mbasi e përbenë që t’u tregonte drejt, Murtezi u thotë: - E dua Shqipninë. - E, tash, - i thonë ata - të na tregosh drejt, pse e do? Murtezi zihet ngushtë e s’di çka t’u thotë, se nuk e kish menduar që do ta pyesin kështu. Mbasi mendon pak, u thotë: - E dua, se kam dëgjuar që e ka duhanin të mirë, duhan tarabosh.


7. TI KISHE QEF ME TA LADRU KAFEN

Kishte shkuar dhëndri te miqtë. Ia qet baballëku një kafe, po kur ia jep filxhanin, ia jep së uluri e s’luan vendi. Dhëndrit iu duk që s’e bëri hesap, që ia dha kafenë pa luajtur vendi, e kur shkoi në shtëpi i tha gruas së vet: - Ai baba i yt nuk m’ka ba hesap hiç. Kur ma qiti kafen, ma dha për s’ungjti, bile s’lujti vendi. Kur shkoi kjo te baba i vet i tregoi që burrit i kish mbetur hatri që s’ke luajtur vendi, kur ia ke dhënë kafenë. Kur shkoi dhëndri së dyti herë, ia qiti baballëku një kafe, e mori filxhanin në dorë e ia nisi po endet nëpër odë. - Çka u ba që po endesh kështu me filxhan n’dorë? - e pyeti dhëndri vjehrrin. - Mora vesh se ti kishe qef niherë me ta ladru kafen, e tani me ta dhanë me e pi, - ia ktheu baballëku.


8. PËR MOS ME U KORITË, HAJDE TI

Burri e gruaja, kur u moshuan, u morën vesh për të fjetur ndaras, se u vinte keq prej fë¬mijëve të flinin bashkë. Burri flinte në odë e gruaja në qiler. Një ditë burri i tha gruas: - Qysh, bre grue, nuk t’ shkoi mendja nji herë me ardhë n’odë natën? - Qe besa, more ti njeri, shpesh m’ka shkue menja me ardhë, po u tutsha mos po koritemi t’dytë, unë që erdha, e ti nashta nuk je gati. E për mos me u koritë asnjani, hajde ti kur t’dush, se unë gjithmonë jam gati, - i tha gru¬aja burrit.


9. ISH HYP N’KOLICË

Njëri e blinte verës një dhi për tambël, e dimrit e priste. Një dhi i qëllon fort e mirë për tambël, e vendos ta mbajë. Mbasi nuk kish cjap, shkoi e pyeti një të katundit: - A ban me e pru me e majtë? - Po, bjere, - i tha ai. Mbasi dhia nuk ecte, e qiti ky në karrocë, e çoi e majti, edhe e pyeti se qysh mund ta dijë a ka majtë, a jo? - Këqyre nesër n’sabah, n’koft’ se han, ka majtë, n’koft’ se përtypet, nuk ka majtë, - i tha ai. Të nesërmen, e këqyri, ajo përtypej. E qiti prapë në karrocë, e e çoi. Për ta ditur a ka majtë a jo, të nesërmen i tha gruas: - Shko e këqyre dhinë a po han, a po përtypet. Shkoi ajo e u kthye për t’i treguar burrit. Si hyri në odë, burri e pyeti: - A po hanke, a po u përtypke dhia? - As s’po hanke, as nuk po u përtypke, - i tha ajo. - Po, çka po bajke ajo virane? - Ish hypë n’kolicë, - i tha ajo.

Adem Zaplluzha

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më 1943. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë. Një kohë punoi si mësues nëpër fshatrat Studençan të Therandës (ish Suharekës) dhe Hoça e qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës. Me shkrime filloi të merret kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë të cilën e botoi në revistën “Pionieri”, më 1957. Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës bashkë me shokët e punës dhe pendës themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në Kuadër të punës së këtij grupi letrar qe botuar përmbledhja “Ngjyra e kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një serë shkrimesh nëpër gazetat e kohës që dilnin në Prishtinë dhe Shkup. Është anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prezent në disa antologji dhe në librin Kosova letrare të poeteshës Monica Mureshan. Është prezantuar në Leksikonin e Shkrimtarëve Shqiptarë 1501-1990, nga Hasan Hasani, në Leksikonin Shkrimtarët Shqiptarë për fëmijë 1872 - 1995 nga Odhise K. Grillo, si dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behluli, Prishtinë, 2002 Në maj të vitit 2013 Klubi i Artistëve dhe i shkrimtarëve të Durrësit ia ndau çmimin e karrierës për kontributin e dhënë në letrat shqipe. Jeton dhe krijon në Prishtinë ndërsa aktivitetin letrar e zhvillon në kuadrin e Klubit letrar “Fahri Fazliu”, në Kastriot.


BOTIME TË AUTORIT

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.
2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.
3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.
4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.
5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000
6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës,  KL“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2007
7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot, 2007
8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi,“Qendra e Kulturës”, KL
“F. Fazliu”,Kastriot 2007
9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”,  KL“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008
10. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, KL “Fahri Fazliu”Kastriot 2008
11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, KL “F. Fazliu”, Kastriot, 2009.
12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”,  KL “Fahri Fazliu”, 2009,
13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, KL “F.Fazliu”, Kastriot, 2009.
14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2009.
15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2010.
16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, KL ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.
17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.
20. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.
21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o
22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o
23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.
24. ”Sinorët e hinores”, poezi, SHSH Kastriot 2010
25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, SHSH Kastriot, 2010
26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, SHSH Kastriot, 2010
27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, SHSH Kastriot, 2010
28. “Ditari në vargje”, poezi, SHSH Kastriot, 201O
29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, SHSH Kastriot, 2o1o.
30.  “Shtegu i mallit”, poezi, SHSH Kastriot, 2010
31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, SHSH Kastriot, 2010
32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010
33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010
34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, SHSH - Kastriot,2011
35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011
36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, SHSH - Kastriot, 2o11
37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011
38. “Sa afër e sa larg” , poezi, SHSH - Kastriot, 2011
39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , SHSH - Kastriot, 2011
40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, SHSH - Kastriot, 2o11
41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, SHSH - Kastriot, 2012
42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, SHSH - Kastriot 2012
43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, SHSH Kastriot,  2012
44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, SHSH Kastriot, 2012
46. “Atje tej maleve”, Poezi, SHSH Kastriot-2012
47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, SHSH Kastriot -2o12
48. “Portat e shpresës”, Poezi, SHSH Kastriot-2012
49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
50. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, SHSH Kastriot, 2o12
54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, SHSH Kastriot, 2012
56. “Urori i stralltë”, poezi, SHSH  Kastriot, 2012
57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, SHSH Kastriot,2012
58. “Thyerja e urave”, poezi,  SHSH Kastriot, 2012
59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, SHSH  Kastriot, 2012
61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, SHSH Kastriot, 2012
63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, SHSH Kastriot,2012
64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, SHSH Kastriot 2012
65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
66. “Fëmijët e erës”, Poezi, SHSH Kastriot 2012
67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi,SHSH  Kastriot-2012
68. “Si të flas me drurët”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
69. “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, SHSH Kastriot , 2012
70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, SHSH Kastriot , 2012
71. “Zëri i heshtjes”, poezi, SHSH Kastriot, 2o12
72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, SHSH Kastriot, 2012
73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, SHSH –Kastriot, 2012
74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, SHSH Kastriot , 2012
75.” Diku te një baladë”, Poezi, SHSH  Kastriot, 2012
76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, SHSH Kastriot, 2012
77.“ Ky def prej hëne”, Poezi, SHSH Kastriot, 2012
78.“Pyesni zogjtë në ikje ”,Poezi ,  KL “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013
79 “ Fërfërimë gjethesh”, Poezi,  KL “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013
80. “Refrene yjesh”, Poezi,   KL“Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
81. “Te delta e mjellmave”, Poezi, SHB “Fahri Fazliu”, Kastriot- 2013
82.“Rinjohja”, Poezi,  KL “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
83.“Diku në fund të një fillimi”, Poezi,  KL “Fahri Fazliu”- Kastriot, 2013
84.“Makthi i hijes”, Poezi,  KL “ Fahri Fazliu”Kastriot, 2013
85.“Një zog prej uji”, Poezi  KL“Fahri Fazliu”- Kastriot


Tregime nga Adem Zaplluzha

AS SHTRATI I VJETËR

Sa herë që ke prekur lëkurën time, në gishtat e tua të holla i kërkoja po atë prekje të gjelbërimit, po atë frymëmarrje që shpeshtohej dhe rritej si dallgë deti kur mbyteshin korbat në krifat e kuajve të egër.
Sërish frymëmarrja,dehja e pranverës, puhiza që hynte dhe dilte nga rruazat e kuqe të mollëzave jeshile.
Dita hyri në gjakun e poreve, ne mbetëm si statuja, të ngrira , deshëm të ikim, nuk mund ti lëviznim këmbët. Ishte loja e parë, e para lojë që luanim me fijet e barit si me fijet e flokëve të tua.
Ne donim të jemi fëmijë, ashtu si të gjithë fëmijët pa brenga, të lozim me flokët e erës, pa u frikësuar nga shiu. Të lozim me lojën pa ja prishur gjumin barit.
Ty nuk të pëlqente rrënja e gjetheve as shkundja e flokëve të stinës.
Nuk të pëlqente asgjë, kur pimë musht nga duart e asaj plake që na e shikonte fatin në filxhan.
Të kujtohet kur të tha: se ti i ke shkelur hijet , për t’u shëruar duhet kohë besa edhe Lek, kurse ne nuk kishim se çka të shesim, përpos pjergullës që nuk jepte më fryte
Mua shumë mirë më kujtohet, kur merrnim frymë, kur na hynin gjethet e kalbura të pjergullës në shqisat tona të të nuhaturit.
Ishim një duet i papërsëritshëm.
Vetëm ne dhe gjelbërimi mund të dëgjonim frymëmarrjen e lisave .
Kalonim këmbëzbathur nëpër ëndrrën barit , herë, herë i shkelnim telat e qemanes së përgjumur, dhe këndonim si të dehur serenata Korçare.
Nuk na pengonte jorgani kur na ikte nga shpatullat, as shtrati i vjetër kur iu thyheshin këmbët e drunjta.
Neve asgjë nuk na pengonte, as ne , nuk i pengonim askujt, pinim ujë në shuplakat e gjetheve dhe flinim nën rrënjët e rrapit të vjetër.
Atë çast ndodhi diçka e papritur, në flokët e tua flinin gjethet, flinte çdo gjë, uji, bari, flinin edhe fluturimet e zogjve.
Gjumi zgjati disa shekuj. Më shumë se sa që mund të mendonim ne të vdekshmit. Fjetëm edhe atëherë kur filluan t’i matin hijet, hapat e përgjumur të vetëdijes, fjetëm se mu kështu na pëlqente, nuk donim të ja turbullojmë ujin komshiut, komshiut i cili që në burim ishte i tëri i turbullt në mendje.
Më duket se ne ende flemë 6 . Ky gjumë i përçudnuar i ka mbyllur të dy veshët, ka mbyllur mendjen, gozhduar kujtesën, ky gjumë i përdalë edhe sot fle, nuk i kujtohet sa vetvetja e as kafshimet e ujqërve.
Ky gjumë i përdalë, më duket se,kurrë nuk do të zgjohemi...



GJËMAT E NËNDHESHME

Me hapa të rënda kjo natë po m’i shkel këmbët.
Mizat, milingonat e kuqe, sterra ecën rrugicave të puqura me çatitë e mbuluara me kashtë thekre.
Prellishta skuqej si nën saçin e gjyshes kur piqnim mollët e kalbura, sepse koha nuk ishte e jona, as arat tona të begatë nuk mund t’i korrnim pa na dhënë leje njëfarë gabeli që vetëquhej zotëri.
Çmendurisht dheu rrëshqite nën këmbët e lodhura të magjes , me rrokullisjen e reve rrokullisej edhe qielli, kjo farë tollovie i përzuri edhe shirat.
Nga pallja e gomarëve dështuan shumë gra, dështoi edhe shtatzënia e ditës, ka kohë që janë rritur pemët e nuk japin fryte.
Paurti përherë gjente shkas për t’i shkundur kumbullat e të varfërve, i shkundte , sepse as që kërkonte për vete ndonjë punë të përshtatshëm.
Të gjithë ne e urrenim atë , edhe ai na urrente neve të gjithëve dhe kështu e kalonim jetën duke gjalluar nëse mund të quhet jetë urrejtja .
Ngjante që fshiheshim nën fustanet e nënave ose të grave tona, e vetmja rrugë për të mbërri deri te çezma ishte të mos e përfillnim të paurtinë , por ne nuk kishim guxim, shumë kohë më parë na i kanë larë dhe shpërlarë trutë.
Edhe vetëtimat humbën çdo interesim pas këtij dështimi tragjikë, gurtë e varreve po përdoren për renovimin e kishave.
Ka kohë që gjëmat e nëndheshme i tejkalojnë durimet njerëzore.
Një nënëloke e shqeu shaminë e kresë, nëpër rrugicat e ngushta të qytetit fluturuan flokët e thinjura, kalamajtë filluan me i gjuajt me gurë qentë kur ishin duke ikur, kurse , këtu ne jemi mësuar me ikjet dhe ndjekjet e qenve, jemi mësuar edhe me shpërnguljet dhe me rikthimet e përsëritshme , herë kanë ikur prej ndjekjeve e herë, herë pa i ndjekur askush, iknin duke kënduar dhe ktheheshim me sy të përlotur. Iknin me qerre të ngarkuara me përplot, mall , besa edhe me bagëti .
Ata e dinin se një ditë do të rikthehen , andaj edhe ktheheshin me nga një trastë pas krahëve , në sytë e tyre të skuqura dhe të përlotura fshihej djallëzia e kamotshme .
Kjo djallëzi ishte mësuar diku në podrumet e kishave dhe zbatohej me përpikëri më të madhe.
Iknin me araba, kuaj dhe gomarë të ngarkuar, kurse kur u vinte koha e përshtatshme me bisht ndër këmbë ktheheshin, as që kërkonin falje për krimet e bëra , kurse ne si çdo herë jemi treguar njerëz human , i hapnim dyert dhe zemrat për kafshimet e mëvonshme.


LARJA E DUARVE

I humba edhe këto duar. Në pafundësinë e xhepave mbetën thonjtë e prerë, mbeti e djeshmja dhe e sotmja me të dy egot e mia
Uni i im i sotëm, ky i sëmurë për çdo fjalë goje ngre kokën si gjarpri me zile, kërthndezet.
Sa herë që dua të ja mbylli gojën me një grusht gjethesh të kalbura, shkumon nga inati, ky zanat i vjetër flenë si relikte në vetëdijen e njeriut dhe herë ,herë,kur harrohet paraqitet me dy fytyra. Njëra e butë njerëzore kurse tjetra e egër shtazarake.
Kush jam unë ?
Pse zgjohet ai tjetri në mua?
Djalli dhe engjëlli qe disa shekuj kacafyten me hijet e zeza që fluturojnë si çafkat dhe krrokëritin në një kor të orkestruar, kush e di se nga kush.
Në disa raste të posaçme uni i njeriut kafshon unin tjetër, atë të fëmijërisë, bënë të pamundurën, për një spec djegës është në gjendje me e zhduk botën si mizën nga tepsia e palarë.
Thonë se i tillë ka qenë Neroni pasi që e gjeti fajtore të dashurën, kinse nuk i ka krehur flokët sipas qejfit të tij ja ka vu flakën të dyzetë shtëpive të Romës.
Lëre që e dogji Romën ai Uni i tij i kalli flakë edhe legjendat , ua vuri zjarrin Zotave të Olimpit. Çdo gjë që mund të kallet dogji përpos egos së sëmurë .
Sot, pak më dhemb koka, kjo peshë e rënd e ditës nuk durohet, nuk durohen as fjalët që kundërmojnë , si lulet e kalbura nëpër vazot e kristalta, nuk durohet asgjë as ky mos durim i dhembjes paradoksale.
Për hiç gjë jemi në gjendje t’i kafshojmë nazalet, nuk na mbetet diçka tjetër përpos t’i kërkojmë kodet nëpër sarkofagët arkaik,
T’i kërkojmë në dhembjet tona ditët kur u plagosë .
Më dhemb çdo pjesë e trupi, të lutem mos e prek ajrin me ato duar të palara, ka disa shekuj që i kemi larë duart, qe dymijë vet e më shumë nuk kemi mundur t’i fshijmë ato mbeturina që na kanë mbetur mes gishtërinjve dhe thonjve.
Është koha ta harrojmë darkën e parë dhe të fundit , ne i përtypëm eshtrat e stërgjyshërve. Për një gllënjkë uji deshëm t’i shterim detet dhe lumenjtë . Nuk duhet të harrojmë ku jemi sot , nëse e bëjmë këtë, e djeshmja ka me mbetur diku pas valëve të tërbuara të kujtesës.
Nuk është koha që nëpër anijet e përmbytura t’i shpëtojmë peshqit e uritur, ne ende nuk po mund të kuptojmë se duart lahen vetëm një herë, edhe atë për herë të parë dhe të fundit.
Nuk është koha që t’i lëmë të çetë këto pak grimca pluhuri që kanë mbetur në hapësirë . Njerëzit thonë se i kemi larë duart, nuk ka mbetur më askund asnjë pikë uji. Unë them se koha është që t’i lajmë duart me këto pak grimca ajri që po pështillen si librat e vjetër nëpër kujtesën tonë të arnuar . Një korb i bardh fluturon tejpërtej qiellit...


VITRINAT

Mikut tim pa masë i pëlqejnë vitrinat. Ndalat pranë kukullave dhe i kreh flokët. I kreh edhe xhamat e pastruara si me gjuhë. Kreh erën, mjegullat .Kurrë nuk e heq pasqyrën nga dora, është i çuditshëm, i pëlqejnë mollët e sheqerosura, i pëlqejnë...

Ai ndalet edhe para kujtesës së vet, herë del me këmishë të kuqe e herë e provon kravatën e zezë.

E do shumë flamurin, por vetëm e do. Kur e grishi në një dasmë, nuk pati kohë. Më afër e kishte Bllacën se sa këmishën e kuqe me kravatë të zezë.

Miku im dhe miqtë e tjerë sot pështynë në hava, u pengon fluturimi i zogjve shtegtar, çdo gjë u pengon që nuk u përngjajnë atyre, që nuk janë si ata.

Njeri prej miqve të mi, le të jetë pa emër ky farë miku, edhe ashtu nuk meriton të ketë emër, ndalet para pasqyrës dhe bisedon me personin tjetër atje përtej ndryshkut të zhivës . Me orë të tëra grinden, pështynë njeri tjetrin sa që turpërohet edhe vetë korniza e përlyer e pasqyrës.

Nuk ngjanë asnjëherë që të del në qytet pa i hekurosur pantallonat ngjyrë meneksheje, ëndërron të krahasohet me trëndafilin, disa herë e kam takuar në prehrin e parkut të qytetit me një gjethe bagremi në dorë, duke i përsëritur fjalët:më do nuk më do, a më do a nuk më do?

Ky refren i përditshëm e mundon qe njëqind vite, kur i afrohet kukullave, të brendshmet i ledhaton me sy, me mendjen e sëmurë fotografon pluhurin , ua lyen buzët në xhamat e vitrinave, kështu i lyen të gjitha vitrinat e qytetit.

Ky farë burri del prej përrallës së vet dhe turr e vrap hyn në baladë, me gishtërinjtë e shkurtër përzien të kaluarën sepse i mungon e ardhmja. Sa herë që e kthen kokën mbrapa i thyen hundët, provon të kapërcej hijen e tejdukshmërisë, përpara i dalin vitrinat e ngjyrosura, dalin të veshurat e brendshme, rropullitë
e hienave të ngordhura, vegimet e së kaluarës, fantazmat e sotmes dhe ato të nesërmes.

Diçka e pashpjegueshme e mundon mikun tim, me thonjtë e pistë e grithë pasqyrën, i shkulë pendlat e pulave pa i prerë, ashtu për së gjalli, sa që në fund të qytetit ndihet kakarisja dhe gjëma e puplave ,zogjve ua prish foletë, as të vdekurit nuk i len të çetë në botën e tyre të nëndheshme.

Mikut tim pa masë i pëlqejnë vitrinat dhe kukullat e veshura me fustane ngjyrë meneksheje...



KUR NA VJEN ÇASTI I IKJES

Kur na ofrohet çasti i fluturimit. Bëhemi gati. I hapim duart, sërish ndalemi si çdo herë, ende nuk jemi përgatitur për një fluturim të pakthyeshëm, nuk na do qejfi por edhe hapësira nuk na pranon.

Ne jemi këndej oqeani, anijet janë fundosur, asnjë varkë apo kaike nuk ka mbetur në mol.

Si të kalojmë andej përtej ujit. Krahët na i thyen erërat, as që jemi gati të fluturojmë.

Kujt të ja lëmë molin, qytetin? S’do ta lëmë në vetmi bregun e kujtesës. Nuk do të pajtohemi me vetmin tonë,atje kush e di se çka na pretë, nuk kemi kohë t’i lajmë mëkatet,por ama as nuk kemi mundësi ta bartim barrën që na e ngarkon jeta.

Njeriu kokëfortësinë ka në gjak, asnjëherë nuk lëshon pe, e tjerrë perin deri sa të mos këputet, e kur këputet provon me e ngjitur me pështymë, i përngjan merimangës.

Vërejta se asgjë nuk ka ndër sqetull miku im, asgjë. Është i tejdukshëm, nga zbrazëtia i fërshëllen truri, nën papastërtinë e thonjve i fsheh të gjitha ato mëkate, edhe vet fshihet pas tyre, nuk di njeriu kurrë se kujt sa i ka borxh.

Kur i vjen çasti i ikjes, kur provojmë t’i hapim krahët, kur na pret atje përtej lumit e papritura, ulemi mbi një kërcu, thërrasim kujtesën nëse ka mbetur gjë prej saj, ditët që na vajtën në mos kthim nuk mund t’i ndalim ama as ne nuk jemi në gjendje të lëvizim.

Thërrasim pelerinën e qepur, thërrasim unin tonë të sëmurë, kur shterën thirrjet, kur na vjen momenti i ikje, askush, as vdekja e zezë, nuk mundet me na zënë.
 
 
 


Donnerstag, 7. November 2013

Fakete Rexha - Poezia e Haxhi Muhaxherit


NJË SHËTITJE NËPËR POEZINË
E AUTORIT HAXHI MUHAXHERI

Shkruan Fakete REXHA
 

Pasi bëra një shëtitje nëpër poezi vendosa t'i shkruaj pak fjalë lidhur me kërshërinë që më zgjuan si dhe interesimin e thellë kur i lexova ciklet e poezive të autorit Haxhi Muhaxheri. Përgjithësisht, janë poezi të arrira që shtrihen në një rrafsh poetik me një nivel të bukur artistik. Motivi, figuracioni, ndërthurja e bukur lirike e mendimit poetik janë përmbajtësore dhe të realizuara bukur. Plot ndjenjë, emocion, vrull, zjarr rinor, ku ngarendin në kahje të kundërta dashuria për atdhe nga njëra anë, dhe dashuria për të bukurën, të dashurën. Që të dyja këto në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, që i shkojnë ndesh njëra tjetrës pa guxuar të bashkohen, pikërisht shkaku i gjendjes në të cilën ndodhen të dyja përkrah njëra-tjetrës. Pra, është koha kur atdheut i dridhet trolli nën këmbë, sikurse edhe dashurisë së autorit që (siç mendoj unë) i derdhet shpirti nga durimi i madh, i pambarim deri te "vadja e dasmës së madhe".
Autori, përmes vargjeve na dërgon deri tek thellësitë e ndjeshmërisë së qenies, që herë-herë na del e thyer në mijëra copa, sikur një violinë, deri tek telat e hollë të shpirtit. Ose, deri aty ku lexuesi dëshiron me hy, pra atje ku dashurojmë deri në marrëzi, ëndërrojmë të jemi edhe kur s'mundemi me qenë. Ku vuajtja për gjënë e dashur është më e ëmbël, se sa humbja e saj krejtësisht. Pra, dashuria e madhe për vatanin, me gjithë ç'përfshinë kuptimi i tij i gjerë dhe i ngushtë. Mirëfilli duke bërë të kuptuar se atë që me ngulmë e kërkojmë, sa shumë vështirë e kemi që t'ia arrijmë, ose dalim mbanë. Është poaq vështirë, tamam sikur të këmbëngulësh për të gjetur një të vërtetë të pastër, të saktë, të kthjelltë. Dhe, tamam kur besojmë se e kemi gjetur, sakaq e vërteta rrotullon krahun duke na e kthyer shpinën.
Autori, Haxhi Muhaxheri, me poezitë e tij përpiqet që të gjejë shteg në një ambient të zhurmshëm. Ka pasion qetësinë shpirtërore, frymëmarrjen e lirë, ç'prangimin deri në diafragmë, që përndryshe është pasion i kërkimeve të ambienteve të shurdhëra. Ç'poet i pangopshëm!
Kur them kështu, mendoj në atë, sepse në poezitë e tij nuk shohim përveçse një hijeshi të ndërthurrjes lirike të mendimit poaq artistik dhe metafore desilusionuese, dëshpëruese, shqetësuese. Por, që i japin poezisë së tij zjarr, erupcion, shtytje për edhe mëtutje në përballje të reja. Përgjithësisht poezitë janë të ndërtuara bukur, e mirë mbi realitetin shqiptar, e të vërtetën në përgjithësi. E, të ndërtosh poezi në këto dy dimensione, në këto dy plane, pra, mbi zhgënjimin dhe të vërtetën, ose, të vërtetën zhgënjyese po të duash, është një betejë e ashpër. Dhe, pikërisht këtu është ambivalenca e ndjesive të autorit që e shtyp këtë betejë. Betejës që i hyn dhe ia del mbanë, Haxhi Muhaxheri. Pikërisht duke i strukturuar poezitë në këto dy principe.

Dienstag, 5. November 2013

Rexhep Demiri

Rexhep Demiri u lind më 1 mars 1960 në Zhegët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në Zhegër, ndërsa të mesmen në Gjilan. Studimet e larta, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe I kreu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Me shkrime letrare filloi të merrej që nga shkolla e mesme, duke botuar në gazeta dhe revista letrare, të cilat botoheshin në Kosovë. Fillimisht, bashkëpunonte me gazetën “Rilindja”, në të cilën më vonë filloi të punojë gazetar I rregullt plot dhjetë vjet, deri në mbylljen e saj. Ndërkaq, pas vitit 1999, punoi në media të ndryshme të Kosovës.
Pas një sëmundje të shkurtër vdiq më 15 dhjetor 2004 në Prishtinë dhe u varros në vendlindjen e tij
Poezitë e përfshira në vëllimin poetik “Udha e lotëve”, botohen për herë të parë, sipas dorëshkrimit autentik të autorit të tyre. (Autori, këto vargje i la në dorëshkrim pak ditë para vdekjes)
 
 
Poezi nga Rexhep Demiri

LEGJENDA E KALASË

Në Vicianum kalaja shqip frymonte
Erë ilirishte vinte...

Betohem në legjendën e fjalës gurishte
Rozafa me diellin martuar ishte

Në ballin e kalasë rrudha motesh
Dashuri për tokën fshihte
Këngë të moçme kënduar trimërishte
Dashuri ndër dashuritë ishte

Bulëzim lulesh pranverë njomëzake
Kalaja djersitur qeshur sehir bënte
E premte tregu në Vicianum dashuri shihte
Rritej shpirtëmbël shqipërisht rritej

Fatit thurnin ninullat e dashurisë
Doruntina qetë përkundej flinte
Mbëltoheshin fidanishtet në Vicianum gjallëri
Rrezëllimë yjesh Doruntina ëndërr shihte

Mbi kala pëllumba gushëbardhë
Pendët gjithandej shpërndarë
Doruntinë, moj Doruntinë
Në Vicianum vallja djallin mund
Royafa gjallë është, e pe gjëkund
Me ne në kala në dashuri gjithkund

Vushtrri, 1992


SËMUNDJA E SHEKULLIT

Kometa le të vazhdojë udhëtimin
Shekulli dergjet në shtrat i sëmurë

Ekspertët kanë dhënë diagnozën
Krizë në vetëdije nga sëmundja bërthamore

 
VAZHDIMËSI

Një ditë kjo tokë
Do t’i përbijë eshtrat e mi
E unë edhe më tej do të jetojë
Nëse lulevjollcave
Ka kush t’u marr erë



PRITJE

Kjo ditë ngarkuar me muzgje intrigash
Kjo ditë mëkatare

Si Laokonti mes gjarprinjsh
Kjo ditë e gjatë

Sa rruga e Marathonomakut
Këtë ditë tre mijë vjet kam udhëtuar
Deri te Homeri I verbër

 
NDIHMË

Pulula për rehabilitim
Qetësim nervash
Një rimë dy vargje

Poezi
Lëngoj nga pagjumësia
Sytë më ënjten
Për politikë s’më ha palla
Maces së zezë që ma trupon rrugën
S’i besoj
Poezi
Nxirrmë nga kjo mllefosje
Më qetëso

 
VERDH

Të gjithë ecim vertikalisht
Këmbët s’i thyejmë
Këndojmë kur na këndohet
(edhe kur s’na këndohet këndojmë)
Njerëz jemi
Me sy s’hamë
Hapat i numërojmë
Ecim
Në rrathë
Rreth vetvetes vrapojmë miopët

Bota të futet në grusht as qielli të lëpihet
Re re re në qiellin që s’fle
Korbat vetëvrasje bëjnë

 
PIKTURË E UNIT TIM

(birit tim, Elonit)

Qyteti ishte i mjegullt
Hapësirë e zymtë gulfaste
Neonët në vete fshihnin shkëlqimin
Dhe oxhaqet nuk tymosnin
Zhurmërimë autoblindash çirrej
Qytetit neveri i shkonte
Atë natë të mjegullt të zymtë
Pastaj dhe me shi
Në unin tim në bebëza e sy
Të pikturoja ty
Qyteti im s’flinte
Atë natë me shi
Numëronte një banor të ri

(Autori, këto vargje i la në dorëshkrim pak ditë para vdekjes)