Dienstag, 22. Oktober 2013

Loja e kapuçave

Zeqir Lushaj, Zëri i Rinisë, prill 1973

Lojnat popullore në vendin tonë janë të shumta. Nëpërmes tyre ne shohim shumë qartë dashurinë e popullit që në kohë të vjetra për sportin, forcën e tij të madhe organizuese e krijuese. Nëpërmes këtyre lojnave popullore, qysh në kohrat e vjetra njerëzit kanë plotësuar dëshirën e tyre argëtuese dhe farkëtuar cilësi të larta fizike e morale, si: burrërinë, trimërinë, ndershmërinë, vigjilencën etj. Sigurisht, zhvillimi i lojnave të ndryshme popullore është i lidhur ngushtë me natyrën e çdo vendi, klimën, relievin, bimësinë etj.

 Në historikun e rrethit të Tropojës, veçanërisht në aktivitetet fiskulturale-sportive, lojnat popullore zënë një vënd të konsiderueshëm. Ndër lojnat popullore më të njohura për malësorët tropojanë mund të rradhisim: kapuçat, rrasat (alat), rrumbat, vizat, etj., si dhe sportet: hipizmi, gurapeshi, noti etj. Një ndër më karakteristikët për Malësinë e Veriut në përgjithësi e për tropojanët në veçanti është loja e kapuçave. Kjo lojë mund të zhvillohet në mes dy personave ose të një numuri të pacaktuar pjesëmarrësish. Kjo mund të luhet kudo, brenda në dhomë, ose edhe jashtë në një vënd të sheshtë.

 Më parë përdoreshin për lojë 10 qeleshe koke, të cilat tropojasit i quajnë “kapuça”. Më vonë filluan të përdoren për lojë 10 dorca ose çorape të reja, të cilat vendosën në një qilim, në dy radhë, 5 e nga 5, të patakuara njëra me tjetrën. Për zhvillimin e lojës duhet një sferë plumbi me diametër rreth 1 cm. që quhet “kokrra e kapuçave”. I gjithë qëllimi i kësaj loje është të gjesh ku e ka futur kundërshtari kokrrën. Loja përfundon me 100 pikë që quhen “olhi” të kapuçave. Kjo lojë ka patur një popullaritet të madh dhe veçanërisht është zhvilluar në dasma, miqësira, festa të ndryshme, e në çdo rast gëzimi ku mblidheshin njerëz.

 
Për zhvillimin e lojës ka disa rregulla.

 Meqënëse në krye të dhomës qëndrojnë gjithmonë miqtë, lojën e fillon i pari, si rregull ai që është në krye të vendit, (në ballë të oxhakut). Ai e fut dorën me radhë në të gjithë kapuçat dhe në njërën prej tyre, sa të mundet pa u kuptuar, e fsheh plumbin.

 Kundërshtarët kanë të drejtë ta shohin atë që fsheh plumbin dhe të ndjekin çdo lëvizje të tij.

 Me qëllim që loja të mos përfundojë pa asnjë “olhi” si rregull ata që ndjekin plumbin në fillim ju takojnë 10 “olhi” që quhen “10 të gjyshes”.

Lojtari që fsheh plumbin, mbasi mbaron të 10 kapuçat, mund të rrijë në vënd, ose, po pati frikë se mund ta diktojnë në sy, ku e ka fshehur plumbin, mund të kthehet prapa ose edhe të largohet derisa të zbulohet plumbi.

 Kur mbarohet së fshehuri plumbi, lojtarët kundërshtarë japin mendime se ku mund të ketë lëshuar plumbin. Kapuçat për të cilët mendohet se mund ta kenë plumbin quhen “ishqila”.

Kjo lojë është luajtur që në kohra të lashta, përpara se të dalë llampa me vajguri, kur për ndriçim përdorej pisha. Këtë e tregon edhe shprehja që edhe tani shpesh përdoret “mbaje pishën”, kështu i thotë lojtari që merr plumbin, kundërshtarit, i cili është i detyruar të sigurojë ndriçimin derisa të marrë plumbin.

 Koha e fshehjes së plumbit është e pacaktuar dhe me cilën dorë të duash. Nuk lejohet qëndrimi i lojtarëve anash kur fshihet plumbi sepse mund të shohë atë.

 Shumë kujtime ruhen nga loja e bukur e kapuçave. Kjo sjell kënaqësi jo vetëm për ata që e lozin po edhe për ata që e shohin.

 Ali Hoti nga Shkëlzeni kujton duke lojtur në shtëpinë e tij luftëtarët Azem Gjalicën e Qorr Iljazin, kurse shumë pleq të tjerë veteranë, kujtojnë plakun e maleve Bajram Currin, të cilit i pëlqente shumë dhe e njihte mirë këtë lojë. Bile në historinë e kapuçave ka hyrë stili i Bajram Currit. Ai kur merrte “testet” i merrte me të dy duart përnjëherësh. Edhe tani përdoret shprehja: “po ju bie Bajram Currshe”.

Pas përfundimit të çdo loje bëhen 10-15 minuta pushim.

Keine Kommentare:

Kommentar posten