Montag, 21. Oktober 2013

Haxhi Vokshi

Haxhi Vokshi u lind në Voksh ( 1940), Malësia e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Drenoc, Junik dhe në Deçan, të mesmen në Pejë ndërsa Fakultetin Filozofik (Gjuhë dhe letërsi Shqiptare) në Prishtinë.
Punoi në gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës prej nga dhe doli në pension. Haxhi Vokshi ka ndërruar jetë më 19.10.2013, në moshën 73-vjeçare.
 
Disa nga librat e botuara:
 
  • Shqetësimi i vargut, Rilindja, Prishtinë, 1971
  • Koha e ditës sonë, Rilindja, prishtinë, 1980
  • Përralla e kulla, Rilindja, prishtinë, 1987
  • Udhëtim me korbin, Rilindja, prishtinë, 1994
  • Liria këndon vetë, Rozafa, Prishtinë, 2003
  • Testamenti i tokës, Vatra, Prishtinë, 2008
 
 
Poezi nga Haxhi Vokshi
 
 
ELEGJI PËR KULLAT
 
Gjithëherë ju shkrova
                        me shkronjë të madhe
Ndjeta gatitu para jush
Në dasma ishit i pari krushk
Dyert s’i mbyllët kurrë
Natë as ditë
Dimër as Verë
Ishit besëlidhje besëdhënie
Ishit shkëmb
Ishit bjeshkë
Ishit fjalë e parë e poetit
Ishit këngë e ishit vaj
Pleqtë bënin be në kokë të juve
Edhe atëherë kur lindnim
Edhe atëherë kur vdisnim
Kur shkonim në luftë
Iu merrnim me vete
Ishit prita
Ishit bedene
Gjithë herë iu shkrova
                        me shkronjë të madhe
Ju shoh të shtrira
Juve vertikalet më të mëdha
Në këngë iu ruajta si ishit më parë
E’i lot faqen ma dogji
Që s’u mbylla në Ju
Të digjem e të përzihem
Në çdo dimër
Në çdo verë
Gjithë herë iu shkrova
                        me shkronjë të madhe
 
 
 
TESTAMENTI I TOKËS
(Enver Hadrit)
 
Sa herë lind ndonjë foshnje
(s’ka lidhje vajzë a djalë)
Toka ime i afrohet te veshi
Si nëna
Dhe ia shqipton testamentin e saj
“Jo me nënëtë plagë
Si të Gjergj Elez Alisë
Po edhe nëntëdhjetë e nëntë t’i kesh
Lidhi fort
E dili përpara bajlozit
Nga toka apo nga deti të vjen
E thuaj
Ngadalë
Se kjo tokë ka zot të vetin
Ka qiell të vetin
Ka këngët e veta
Ka fëmijët e vet
Që për këtë tokë
S’u dhimbset jeta”
Sa herë lind ndonjë fëmijë
(djalë a vajzë s’ka lidhje)
Toka ime i afrohet te veshi
Si nëna
Dhe ia shqipton testamentin e saj
Andaj bëjnë be pasha këtë tokë
 
Korrik/ 2007
 
 
 
TAKIM ME AGIM RAMADANIN
 
Mbrëmë
Gjithë natën ndejta me Agim Ramadanin
Na kish marrë malli
Moti s’ishim pa
Folëm për Shkup e Shkodër
Çka nuk folëm
Folëm për teoritë e artit
E më shumë për teoritë e luftës
Folëm për lirinë
Këtë hagjuze plakë
(pa të cilën nuk bën)
Folëm për Voksh
Junik e Koshare
Folëm për Sali Çekun Rrustem Berishën
Për çka nuk folëm
Më tha
Në çdo orë letrare do të më kesh
Në çdo ekspozitë
Në çdo mbrëmje
Në çdo mëngjes Kosove
Atje ku i duhem kësaj toke
Mos dhashtë zoti
Nëse i duhet prap gjak Kosovës
Do të ngrihem nga varri
Si Konstandini
Përsëri
Do t’i nxjerrë gurët e mallkimit
Përsëri do të vritem për Kosovën
E prap do të kthehem
Në shtratin tim me dhe Kosove
Mbrëmë
Gjithë natën ndejta me Agim Ramadanin
Na kishte marrë malli
Moti s’ishim parë
E folëm për Shkup e Shkodër
Çka nuk folëm
 
 
 
LISI
(Azem Shkrelit)
 
Është lis i tokës sime
Pështynë në të palarat e mëshirës
Ngushëllimet nuk i duron
Thellë e më thellë i shtinë rrënjët
Që të rrijë pip në këmbë
E most a rrëzojë as më i madhi uragan
Krenarinë e shpërndanë degëve
Që këngës t’i bëjë hije
Hapëron kah qielli
Që të rrijë me zotërat
T’ua mësojë edhe këngën e vet
Është lis i tokës sime
(Tokën e don më shumë se djalin)
I madh e i vogël
Mëngjes e mbrëmje e përshëndesin
Lis i tokës sime
Vërtikalisht rri gjithmonë
E kurrë nuk rrëzohet.
 
Maj/2003
 
 
 
NETËT E MIA PRANË TEJE
NË SPITAL
 
Ngjyra mejt e mureve
Po gërryen në ty e në mua
Nata është e gjatë sa shekulli
(Nexha e dr Shqiptari
Masin dhembjet tua)
Assesi të agojë
Dritaret i kam mbyllur mirë
Derës pos çelësit
Ia kam vënë edhe shpinën
Vdekja të mos hyjë
Sepse
Kujtimet do të m’shterren
N’dritat e syve të gëzimit
 
Korabi e petriti janë ymtuar
Dhe meditojnë vetëm zi
Kush e di për çka
Dija nuk e mbyllë telefonin
Duke pyetur për rezultatet e diagnozës
E Astriti
Rrafsh e bëri Bagdadin me lot
 
Grua
Sonte i kam krejt malësorët e Dukagjinit
Andaj
S’kemi pse t’i frikësohemi vdekjes
 
Dr. Azizi
Me qeshje poetike
Po ta kthen gazin e jetës
Po ta rritë shpresën për ag
 
Grua
Gjithnjë mburreshe
Se je bija e Hasan Dedës
Andaj mbahu
Se
Edhe vdekja është pjesë e jetës
 
 
 
FLUTURA
 
Për natë
Flutura
Vjen në dhomën time
(Dikur dhoma jonë)
Ka disa ngjyar
Fluturon nëpër dhomë
Dikur ulet në krahun tim t’djathtë
E shikoj
Nuk lëviz
Nuk e preka
Për t’mos ia lënduar polemin krahëve
Përsëri fluturon nëpër dhomë
Ateron në krahun tim t’majtë
Qetësohet
Thua se don të bëjë një sy gjum
Ti
Shumë i ke dashur fluturat
Asnjëherë s’i ke përzënë prej dhome
E në livadhet e Vokshit
Mahniteshe me ngjyrat e tyre
O zot
A ka inkarnim
Grua
A je Ti
 
Shtator/2007
 
 
 
ËNDRRA 2
 
Përsëri ëndrrat
Ëndërr pas ëndrre
Në Voksh
Kishte dasmë por
Është këputur kënga
Dhëndurët janë vrarë
T’ Abazëve më duket se ishin
Në Kullat tona
Jetë e vdekje përzier
Oda plot t’vdekur e të gjallë
Avid Beha më dukej
Se më shikonte mrijaz
Sikur më thoshte
Se kam filluar ta harroj Vokshin
Aty ishin të gjithë pleqtë e vdekur
Edhe Baba Arif i ndjerë
Për habi
Metë Hysenin s’e pashë se s’e pashë
Ndoshta është kthyer në Goli otok
E unë për dëshmi mos harrese
Ua recitova “Krenaria e Kullave”
Për djemtë nga Sllupi i Vokshit
Për habi
Kur recitoja
Isha ulur gju më gju me Halil Imerin
E Imer Isufit
 
(O zot
Edhe babën e luta
Ta dëgjojë poezinë
Që për së gjalli
Kurrë se kasha munduar
                        me vargjet e mia)
 
Pastaj
Një plakë musteqëbardhë
E futi Dukagjinin n’odë
E i thashë
E vogël Kënga ime për gjithë atë
Dukagjin
Të brishtë eshtrat e saj
                        Për gjithë atë epikë
(Komentuesi i ëndrrave
Ishte diku larg)
Vështirë me ëndrrat
Në ëndërr Vokshi
Vokshi në zhgjëndërr
E rruga e gjatë
Shtatë ditë e net
Tani kur kulla qetë flakë
Ëndrrat përsëri
Ëndërr pas ëndrre
Në Voksh
 
 
 
PRITJA
 
Pres ditën e nesërme
Siç prêt toka e përcëlluar
Pikën e shiut
Pres ditën e nesërme
Siç prêt shkëmbi diellin për ta ngrohur
Pres ditën e nesërme
Siç prêt nëna fëmijën
Pas shtatë dështimesh
Kosovë jeta dhe vdekja ime
Pres ditën e nesërme
Siç prêt plaku
Kthimin e djalit të vetëm nga mërgimi
Pres këtë ditë të madhe
Kjo ditë pritet
Më shumë se 130 vjet
Më shumë se 3000 vjet
Kaq herë e larë në gjak
Kosovë jeta dhe vdekja ime
 
Shtator/2007


Nga libri  ‘’ Testamenti i tokës’’  

Keine Kommentare:

Kommentar posten