Samstag, 9. Dezember 2017

Klara Buda

Klara Buda






































Pas studimeve universitare për letërsi moderne dhe të krahasuar në Sorbonë, Paris IV, Klara Buda ndryshon drejtimin fillestar, atë të mjekësisë veterinare. Më pas pranohet në Ecole Pratique des Hautes Etudes, në degën Metoda të Historisë, Arkeologji dhe Histori arti. Në vitin 1996, nën drejtimin e albanologut Christian GUT, mbron Dimplome d’Etude Aprofondi në Histori Arti, duke u bërë kështu e para shqiptare e diplomuar nga ky universitet prestigjioz francez. Paralelisht me studimet Universitare, punon në Paris, fillimisht në sektorin e komunikimit të UNESCO-s dhe më pas si gazetare për BBC dhe për Radio France Internacionale (RFI). 

Në vitin 1993 i atribuohet Karta Profesionale e Shtypit Francez dhe gazetaria bëhet profesioni i saj i parë për dy dekadat në vazhdim. Duke filluar nga viti 1999 është gazetare e specializuar në RFI dhe në vitin 2005 bëhet shefe e edicionit të lajmeve. Në këtë kohë, gjithe duke punuar ne kohe te plote si gazetare ajo specializohet në mesimdhenie per formimin e gazetarëve profesionistë dhe bëhet pjesë e ekipit të formatorëve të Radio France Internacionale. Përmes sektorit të jashtëm të RFI-se dhe në kuadrin e programit europian Phare për Ballkanin Perëndimor duke filluar nga viti 2000 ajo kryen expertiza të mediave dhe drejton formimin e gazetareve në vendet e këtij rajoni. Veçanërisht mund të permenden programet e trainingut në Radio Televizionin Maqedonas, në vitin 2003 dhe në Radio Televizionin Shqiptar RTSH, në vitin 2007.   

Në vitin 2006 emërohet shefe e redaksise shqipe të RFI-së ekipin e të cilës e drejtoi deri në mbyllje, në vitin 2010. Gjatë kësaj periudhe Redaksia Shqipe fitoi në prestigj, në gjirin e 19 emisioneve të gjuhëve të huaja të RFI së si dhe krijoi lidhje të ngushta me Radio Televizionin Shqiptar. Një numër projektesh të përbashkëta me Radio Tiranën u realizuan në këtë moment, disa prej te cilave, ku mund të permendet edhe një program I përbashkët me Radio Tirana 2, do të përfundonin së bashku me mbylljen e Redaksisë Shqipe të RFI-së, në vitin 2010, gjë që koencidon me fundin e luftës së ftohtë dhe mbylljen e Redaksive të tjera të gjuhëve te ish kampit te lindjes, si Redaksia polake, serb e kroatisht apo te Radaksive te tjera historike në  gjuhen shqipe, si ajo e BBC, së në Londër. Pas mbylljes së redaksise shqipe, mes dy mundësive, asaj të sisemimit në gjirin e shërbimit francez dhe asaj të përfitimit të një viti shkollim në fushëen e zgjedhur prej saj, Klara Buda zgjodhi këtë të fundit dhe përfitoi një nga kontrata më interesante që RFI ja ka dhënë ndonjëherë për një punonjës të saj, qoftë ky I shërbimit francez apo i shërbimit të gjuhëve tv huaja që vendos të largohet. Ajo ishte nga të rrallët gazetare me titullin Redactor en Chef, që largohet me dëshirën e saj në një kohë që I gjithë ekipi I redaksisë shqipe që ajo drejtonte pranoi të sistemohej në vende të ngelura bosh nga largimi I personelit në shërbime të tjerë të RFI. Përmes kësaj kontratë ajo përfitoi, një vit shkollim ne USA dhe një ndihmë të konsiderushme për themelimin e studjos së saj private të prodhimit televiziv dhe filmik Beratinus, në vitin 2011, në New York City. 

Klara Buda njihet gjithashtu edhe si eseiste dhe romanciere. Punimet e saj Universitare mbi veprën e Mitrush Kutelit, sjellin një analizë të nuancuar mbi këtë autor dhe teknikën e tij të tregimit të shkurtër, pagëzuar rrëfenja dhe e destinuar për tu treguar. Në kuadër të këtyre studimeve ajo përkthen në frëngjisht rrefenjën “Fshati im e pi Rakinë”, si edhe punon për një biografi letrare të këtij autori.

Në vitin 2009 boton romanin Kloroform ku përshkruhet absurditeti i sistemeve totalitare dhe liria e brendëshme e individëve si mjet i mbijetesës nën diktaturë. Klara Buda pohon kështu pamundësinë e çdo sistemi, sado i tmerrshëm qoftë ai, për ta shkatërruar tërësisht idealin e lirisë. Nga dashuria e ndaluar dhe dhunimi i intimitetit për të përfunduar me toksikomanet e fshehur në statistikat zyrtare, ajo trajton tema për një kohë të gjatë tabu. Aktiviste, Kulturë, të Drejtat e Njeriut Në vitin 1997, ajo themelon në Paris shoqatën “Diagonale Franco-Albanaise, Art, Culture, Litterature” që ka për objekt krijimin e urave në mes të kulturës franceze e shqiptare. Fillimisht dhe gjatë gjithë kohës që punoi dhe jetoi në Paris ajo u përpoq të themelojë një shkollë shqipe në Paris, intra muros, duke besuar se komoditeti dhe lehtësia e ardhjes në vendin e zhvillimit të mësimit do të lehtësonte arrdhjen e fëmijëve nga rrethinat. Shkolla të ndryshme kanë egzistuar përkohësisht në periferi të kryeqytetit francez por ato i kanë shërbyer komuniteteve lokale pa mundur të bëhen, shndërrohen në një qendër aderuese e lehtësisht aksesibël për të gjithë. “Diagonale Franco-Albanaise, Art, Culture, Litterature”  organizon aktivitete letrare në bashkëpunim me « Printemps des poètes » në Francë ndër të cilat mund të përmendet promovimi i veprës së Ali Podrimjes në  mars 2003. Në vitin 1998, Klara Buda është shumë aktive në gjirin e “Comité Kossovo” pranë Revistës “Esprit” në Paris, shoqatë që punon për sensibilizimin e intelektualëve francezë për terrorin e ushtruar në Kosovë. Në 23 Qershor 1998, së bashku me Gazetaren M-F Allain ajo redakton “The fate of Kosovo common declaration on basic principles”. Ky peticion u mbeshtet nga një numër ilustrë intelektualesh francezë. Klara Buda është firma e dytë e peticionit të intelektualeve francezë drejtuar Qeverisë së tyre dhe Komunitetit Ndërkombëtar për të ndaluar pastrimin ethnik dhe terrorin e ushtruar nga forcat ushtarake  dhe para ushtarake serbe në Kosovë. Shih “Memoire du Kossovo”.




Klara BUDA

Kloroform
Roman

“Dikush do të vijë pa tjetër për të tërhequr
 kafshën e gjorë…”

Dudaj, 2009

1. Kapitulli i parë ose Vjedhja e Indentitetit

       Me shpinën nga muri mes dy dritareve që shikonin nga rruga, symbyllur, Alma Fishta qëndronte mbledhur kruspull në stolin e vetëm vendosur përgjatë korridorit në formë L-je, të cilin e përfytyronte tek stërzgjatej, hollohej dhe mbyllej në skajet e tij. Sa herë që hapte sytë, i dukej se pluskonte mes një drite muzgu dhe një nebuloze kloroformi. Sikur të mos mjaftonte ndriçimi i zbehtë, njëra prej llambave neon që varej drejt e mbi kokën e saj pulsonte e shoqëruar nga kërcitja e njëpasnjëshme e starterit dhe e një kanati dritareje harruar hapur, diku përtej. Me gjunjët në kraharor e pëllëmbët shtrënguar fort pas veshëve, vajza rrekej të kuptonte pse evolucioni e kishte lënë aq të brishtë ndaj zhurmave. 
       Në atë çast, kur s’do të kishte dashur gjë tjetër veçse që edhe veshët të kishin kapakë, dëgjoi fare pranë një zë të zvargur, timbri i të cilit dominohej nga frekuenca të holla, të thyera, cingëruese.
        - Ejani pas meje.
      Pa pritur përgjigje, silueta bëri andej nga kishte thënë. Busti i burrit, shtrënguar në një përparëse të bardhë e të rrudhosur tundej si t’i mungonte njëra prej klavikulave. Me një lëvizje të beftë të trupit, pa kthyer kokën, u sigurua se vajza po e ndiqte.
        - Majtas, tha, kur mbërritën në kthesën e L-së, megjithëse prania e murit, në të djathtë të tyre, e bënte këtë hollësi të panevojshme.
      Ai ecte përpara vajzës dhe përshkruante me përpikëri itinerarin, herë me një ton asnjanës dhe herë me entuziazmin e atij që gjen drejtimin e duhur, aq sa qe e vështirë të përcaktoje nëse fliste për vete apo për të drejtuar vajzën. Por, po të gjykoje nga saktësia e shpjegimeve, të dukej se fliste për një të verbër.
        Kthesat dhe zbritjet mbaruan në katin e nëndheshëm, në një korridor po të gjatë e të errët, por më të pluhurosur. Burri u ndal para një dere që të çonte në një paradhomë, e ftoi të zinte vend në karrigen e vetme, humbi pas një ndarjeje në formë sporteli dhe u shfaq sërish me një dosje në dorë, në të cilën vazhdoi të kërkonte për një kohë që Almës iu duk tepër e gjatë dhe e papërligjur nga përmbajtja: dy formularë të vetëm që ai i shkëmbente duke i vënë njëri mbi tjetrin pa ditur cilin të zgjidhte. Kur, më në fund, siç dukej, mori një vendim, nxori që andej njërën prej kopjeve dhe iu drejtua pa asnjë shpjegim dhe hyrje:
        - Emri! 
        - Alma, u përgjigj vajza.
        - Lu - i - za, korrigjoi ai menjëherë, një nga një tri rrokje që s’kishin të bënin me emrin e saj, duke e zgjatur shqiptimin e secilës prej tyre aq kohë sa i duhej për ta shënuar. Shkruante me vështirësinë e atij që nuk shikon mirë dhe muskujt e fytyrës i qenë tendosur si të rrekej të akomodonte sytë para një drite të fortë.
         - Mbiemri, lexoi dhe, në vend që të priste përgjigjen e vajzës e para se ajo të fliste, shtoi Kodra, duke i shqiptuar një nga një dhe duke u mëshuar me të njëjtën mënyrë rrokjeve të mbiemrit që gjithashtu s’kishte të bënte me te sajin. Kodra, tha përsëri shkoqur si të donte që ajo ta mbante mend. Datëlindja. 
        - 13 mars 1963, nxitoi të përgjigjej vajza si të përpiqej të shpëtonte të paktën këtë të vërtetë.
        - 31 janar 1959, vazhdoi pa u trazuar zotëria, por pasiguria e tij e zakonshme nuk vonoi ta pushtojë. Me vështrim të përhumbur u përpoq të buzëqeshte, por lëvizja e buzëve të tij mbi dhëmbët e puthitur nuk dha veçse një ngërdheshje të ngrirë. Kur ngriti sytë drejt saj, një hark i hollë drite u vijëzua nën qepallat gati të mbyllura, nga të cilat të dukej se nga një çast në tjetrin do të bulëzonin pika loti.
         - Sa vjeç të jetë vallë?
       Dora, thonjtë e kadifenjtë të së cilës flisnin për një makinë të vjetër, i zgjati përpara një kartelë, por sakaq, me një lëvizje të ngathët dhe mëdyshëse e tërhoqi dhe e këqyri sërish. Gishtërinjtë e trashë që dilnin nga një pëllëmbë e madhe mishtake, me sa duket mësuar me objekte më pak delikatë, dukej sikur mezi e mbanin fletëpalosjen. Lëvizja për të kthyer fletën zbuloi një llërë të mbushur dhe leshtore, qimet e zeza pisë të së cilës që përdridheshin në kaçurrela bënin kontrast me thonjtë e plakur. Një pjesë e tipareve të tij dëshmonin për një moshë të re, ndërkohë që ca të tjera dukeshin se i përkisnin një moshe të thyer, si të qe një trup i ndërtuar copa-copa me gjymtyrë të mbledhura andej-këndej nëpër kohë. Ishte një trup muzhiku sa i gjerë dhe i gjatë që megjithatë ruante një aspekt të thantë.
 Sa vjet mund të rrojë akoma?
       Burri e verifikoi edhe një herë kartelën e sapombushur.
        - Janar 1959, përsëriti shkoqur. Vendlindja, lexoi dhe u duk se e humbi toruan, pasi e kishte lënë të pambushur këtë rubrikë. Pastaj, pa i ngritur sytë, shënoi në kartelë dhe nuk bëri më pyetje.
        - Firmosni këtu poshtë, shoqe, tha dhe ia zgjati sërish kartelën për ta firmosur. Vajza u drodh para identitetit të saj të ri: Luiza Kodra, lindur më 31 janar 1959 në Kir, Mirditë. 
        - Makina paska hyrë mirë në punë!
        - Këtu, tha sërish burri dhe, me një dorë lëvizja e të cilës tradhtonte nxitim e padurim, i tregoi vendin se ku duhej të firmoste. Këtu, këtu, përsëriti duke trokitur mbi kartelën dhe, para ngurrimit të vajzës, ngriti drejt saj dy sy të vëngër. Alma u luhat një çast nga njëri sy në tjetrin pa mundur të vendoste se cilin syresh duhej të fiksonte.

      Një ekzistencë e vëngër… një përpjekje e pafundme për të parë në një pikë! 
        - Këtu poshtë, përsëriti rishtas e me ngut, ndërkohë që dora me thonjtë e kurbuar rrihte fletën në vendin ku Alma duhej të firmoste. Në këtë kohë, si të prodhohej drejt e nga prekja e thonjve me letrën, një sinjal alarmi çau napën e kloroformit dhe mbushi paradhomën. Burri bëri për nga dera pa ia ndarë sytë fletës, por u kthye në drejtimin e kundërt dhe u gjend fare pranë vajzës. 
        - Prisni këtu, ju lutem, i tha me mimikë, si të qe rrethuar nga veshë përgjues. Silueta e tij u drejtua më në fund e vendosur për nga korridori dhe filloi të bënte fiq-fiq, në çdo hap. 
Në këtë moment Alma ndjeu t’i digjnin sytë, si nën efektin e një gazi acarues. 
        Pa asnjë ide se nga vinte ajo zhurmë, vajza mbajti vesh dhe kuptoi se ai që i qe dukur si sinjal alarmi, nuk ishte veçse tringëllimi i ziles së telefonit në dhomën ngjitur. Sakaq burri kishte ndërruar sërish mendje dhe, pa guxuar të ngrinte receptorin, qe kthyer sërish me një shprehje të qartë paniku. 
        - Firmoseni këtë kartelë, i tha ndërkohë që gjithë qenia e tij kishte marrë pozën e lutjes. Alma nuk lëvizi asnjë muskul dhe, në vend që të firmoste, nguli mbi të vështrimin e dy syve të saj që kishin epërsinë të shikonin në një pikë. Ajo që zbuloi, ishte një qenie për të ardhur keq.
        Ndërkohë, në kokë, kanata e dritares po i vazhdonte ecejaket e saj mjerane pa asnjë shans për t’u rrokullisur teposhtë. Përplasej me një trak-trak të pafund duke mëshuar gjithnjë e më shumë mbi menteshat që e mbanin të mbërthyer, si të rrekej të tregonte se këtu vargonjtë ishin të kalitur mirë. 
        Alma nuk e dinte se si do t’i vente filli, por një zë i brendshëm këmbëngulte të gjente moshën e individit që kishte përballë, megjithëse nuk kishte dyshim se ai nuk përbënte veçse një hallkë të parëndësishme në atë sistem hierarkik të organizuar mirë. 
        - Mosha e thonjve plus ajo e qimeve pjesëtuar me masën muskulore, shumëzuar me koeficientin e mesatares së jetëgjatësisë…baras koha që i ngelej normalisht për të jetuar: njëzet vjet pa frikë… deri në procesin që e pret...kur të vijë ora… është çështje kohe… ha, ha, ha … vetëm çështje kohe!

Mittwoch, 6. Dezember 2017

Irma Kurti

Irma Kurti
        Irma Kurti ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Në vitin 1980 u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar me rastin e 35-vjetorit të revistës “Pionieri”. Më 1989 fitoi çmimin e dytë në konkursin e organizuar nga Radio - Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
  Ka punuar si mësuese e gjuhës angleze dhe më pas gazetare në disa organe shtypi. Ka shkruar 80 tekste këngësh të muzikës së lehtë në anketa, festivale kombëtare në RTSH e në koncerte pranvere, një pjesë e konsiderueshme e të cilave janë të njohura për publikun dhe të vlerësuara me çmime.
  Ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frengjisht, spanjisht dhe gjermanisht.
  Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 35 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, në Zvicër e në SHBA. 
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për Letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
  Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali. 


Librat e botuar:

  • Këtë natë me ty, poezi 1999
  • Shihemi në një tjetër botë, poezi 2002
  • Qirinjtë janë fikur, poezi 2003
  • Bëj sikur fle, poezi 2005
  • Puthja e fundit, poezi 2007
  • Midis dy brigjeve, roman autobiografik 2010
  • Një vjeshtë pa kthim, tregime 2013
  • Nën bluzën time, poezi 2013
  • Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta, publicistikë 2013
  • Njeriu që fliste me pemët, roman 2015
  • Nuk është ky deti, poezi 2016
  • Lajmet vijnë edhe këtu, tregime 2016
  • Krahët rreh një flutur, poezi për fëmijë, 2016
  • Në pragun e një dhimbjeje, poezi, 2016
  • Pa atdhe, poezi, 2017.




Poezi nga Irma Kurti



Qielli im

Një copë e madhe dëbore mbi pisha
ka ngecur, sikur të ishte fole zogjsh,
dimri i egërsuar shpendët i përzuri,
por degët ruajnë sërish vendet bosh. 

Kjo qeleshe gjigante në mbretërinë  
e gjelbër që bashkon drurët përreth
i ngjason një reje të bardhë puplore, 
që në qiellin e lumturisë sime endet. 

Qielli im s’është kurrë veç i kaltër,
një re melankolie ai mban gjithnjë.




Në kuesturë

Po më marrin shenjat dixhitale, nëpunësja 
më prek me dorezë, asgjë s’pipëtin te unë,
e bindur ia zgjas gishtat një e nga një,
por ja që s’funksionon: ato s’lënë gjurmë.

Duhet ta përsëris, shoh se ajo nervozohet,
shfryn, dhe diçka nëpër dhëmbë mërmërit.
“Po harxhojmë kohën e çmuar” i drejtohem,
si nga një humnerë e thellë del zëri im. 

“E vetmja gjë që mund të bëj me këto gishta”
vazhdoj, ndërsa më fikson e habitur me sy,
“është të shkruaj poezi dhe nëse ky quhet
krim, atëherë më vendosni prangat që tani”.





Streha e kujtimeve

Pashë në ëndërr shtëpinë në Tiranë
dhe shpirti m’u mbulua me trishtim:
shirat e lagnin nga të gjitha anët,
erërat e rrihnin fort e pa mëshirë.

I ftohti s’kishte trokitur në portë,
oh, ajo nuk hapet prej shumë kohësh.
Me dashuri përpiqesha ta mbështillja,
atë dimër ish e pambrojtur, e dobët.

Streha e kujtimeve që s’vdesin kurrë
lagej e vjetërohej përpara syve të mi,
fotot, librat si dhe globat e dëborës
në gjoksin tim i mbështolla si fëmijë.

U zgjova, jastëku ishte krejt i qullur, 
s’kuptoja: ishin lotët a shirat pafund.
Më dhimbte zemra, dimri ishte spostuar,
të ftohtë dhe mornica ndjeja në trup.




Gëzimet e mëdha

Ndonjëherë takoj gëzime aq të mëdha
sa kërkoj t’i ndaj me botën mbarë,
nis e thërras të gjithë të njohurit,
po njerëzit e shtrenjtë janë aq pak!

Të afërm, janë larguar prej kohësh,
kujtimi i tyre rrezaton vetëm dritë,
kanë zenë një vend në mëndjen time 
që kur hidhja hapat e parë, fëmijë.

Ëndërroj të kem nënën për një çast, 
kokën t’i mbështes në prehër lehtë,
të mbyll sytë nën magjinë e zërit
që si fllad më nanuris e përkëdhel.

Të kem pranë gjyshërit e mi të mirë,
ata, më tepër i kam njohur në ëndërr,
t’u kuptoj brengat, t’u puth rrudhat,
të trokas gotat dhe të qesh me zemër.

Ndonjëherë takoj gëzime aq të mëdha 
dhe shumë pak njerëz të shtrenjtë...




I dyzuar

Mijra kilometra sot na ndajnë,
ti me pushime ke shkuar larg.
Hera-herës dhe nervozohesh,
patjetër për mua ndjen mall.

Jeton i lodhur me dikë tjetër,
koha dobësitë s’ti fsheh më.
Mbete i dyzuar.Në shpirtin tim,
i dëshpëruar kërkon strehë.

I lagur nga shtrëngata grindjesh,
kokëulur vjen e troket tek unë.
Boll me dy strehë o i pastrehë,
s’të pranoj, mos bjer në gjunjë!

Më lodhën largimet, rikthimet,
ankimet e tua që s’kanë fund.
Harrova se kam një jetë timen,
s’dua ta trishtoj me lotët e tu!




Mëkat të mbyllësh sytë    

Mëkat të mbyllësh sytë në një ditë si kjo:
dielli i zjarrtë më dërgon me mijëra puthje,
nga dritarja hapur flladi fytyrën ledhaton
si një dorë dashurie e largët, e padukshme.

Asnjë e qarë fëmije nuk e trishton ajrin sot,
kaltërsinë e qiellit asnjë re s’mund ta grisë,
zëri im i zvargur nuk i ngjan një lëngate, 
por një tingulli muzikor paksa melankolik.

Një mot të ftohtë dimri me rrufe e bubullima
do të doja t’më shoqëronte në largimin tim.
Është mëkat që të shuhesh në një ditë si kjo,
ku jeta buzëqesh e vibron në çdo thërrmijë.





Je veçse një hije

Ti nuk ze asnjë vend në jetën time,
je veçse një hije.

Por ndonjëherë kur rri e qetë:
“Gjithçka u mbyll e s’të kam prapë”,
ti frikshëm më pushton mendimin
dhe ndjej diçka, ndoshta mall.

Qëndron aty, përballë meje,
s’të iket, me mua do të rrish.
Kërkoj të të shmang, por ti s’lëviz
si një tallje, si një ironi.

Të vështroj,  nuk di ç’të them,
duhet të shkosh, e kupton vetë:
Zjarri u fik, është e kotë,
njeri-tjetrin më s’e ndjejmë.

Atëhere po largohem unë
dhe ngrihem, eci kuturu,
larg vendeve që vegimin tënd
m’a sjellin më pranë se kurrë.

Je veçse një hije.






Si një mallkim

S’arrij ta kuptoj, më duket e padrejtë,
më vjen gati nga dhimbja të ulëras:
“Ti s’mund ta jetosh këtë stinë pranvere
dhe flokët të t’i përkëdhelë flladi i saj.

S’mund t’i gëzohesh lindjes së një dite,
tingujve, zërave që brenda ajo mban. 
S’mund të vëresh perëndimin e diellit,
qiellin e përflakur, si të zënë në faj.”

Çudi, nuk mundesh t’më shohësh më
e me qeshjen tënde ditën t’ma zbukurosh.
Teksa largohem nxitimthi çdo mëngjes,
të thuash një fjalë të bukur, të ngrohtë.

S’e besoj dot që s’mundem të të prek, 
vetëm nëpër ëndrra të shoh çdo natë.
Dhe atje s’jam e lumtur, nuk e di pse,
të përqafoj fort, fort dhe pareshtur qaj.

Kujtoj kur ti luteshe të jetoje edhe ca:
“Dy muaj, edhe pak muaj, veç pak...”
Ende s’ishe çmallur me praninë tonë,
dashuritë më të mëdha po i lije pas. 

Ti e dashuroje aq shumë jetën, Nënë,
por ç’e do, ishin shurdhuar perënditë. 
Askush s’të dëgjoi, as dhe lutjet tona.
Të shkëputën nga ne si një mallkim.