Freitag, 23. August 2013

Fran Ukcama: Pesë poezi


1. RUGOVES KUR HYNA PËRPJETË...

U ngjita Rugoves mbi samarin e maleve,
mahnitja ime, magjikja, nji jetë,
gryka dhe shpella,
blerimi me kampe, mbi kampe stane,
lumi, që bjeshket, me gishta, i mjel..

Baçicat e tundnin tamlin në nadje,
muqenica e amel, tlyni i kthjelltë,
blegerime, trokaçë,
kumona , ushtima në livadhe,
qentë e lidhun hanin rranjtë e ahut,
se ujqnit, duket kishin ujkend..

Te shtegu i vilave e staneve radhazi,
i zoti i konakut, rugovas na pret,
-Mirë se erdhet o miq në keto male,
si n`shpinë tande, kuvend e hyzmet,
a ta pjek, qe, n`dekik nji kafe,
baca kapuçin si bora, mbi vetull,
retë lidhun n`krye si kurkush mbi dhe..

Heu, ketu kanka shqiptari,
Ai, pra i Pari,
me zemren kuvendova,
e gjeta Atdheun, e gjeta Temoçmin me rranjë, opet!


2. NË ZEMËR TE PEJES KUR TROKITA

E bukura Peja,
hyjnesha në krevet alpesh,
Ku kambet i dathin Bjeshket e Nemuna,
në ujnat kristal shputat dhe gishtat lahen,
mik na zuni nata.

Shitoret e vjetra me petkun e ri,
Gjallnimi i shpirtit Pejan,
E bleva, qebesa, një çifteli,
dhe me Benin, tim djalë, nga nji plis të bardhë..

Te hurbim kulloshter dheu rreth visareve,
Marrim musht shpirti tokes amë,
Një birrë peje dhe ushqimi sipas të parëve,
Mikpritja, dashuria, gandi dhe malli,
E fjala tingllim shqipes, heu, sa ban!

Kujtimi, nderi, fisnikeria,
Jo, kurrë nuk blihen me para,
Mbesa ime Iljana, ardhur prej Athine,
Lyp gjurmet e rranjet, e pjeses , ku i ka,
Prej Malsisë së Gjakoves, sot gjezdisim konaket,
Peja , miresearedhet,
Mes gushtit, na tha!


3. KU MRIZON NJAJO BUZË E BUKUR

Ku mrizon njajo buzë e bukur,
njomëza, trandafil mbi rreshpe,
po lyp bjeshkës t`ia gjej fundin,
ah ta freskoj pakez muzen,
muzen time si cop eshke..

Ku mrizon njajo buzë e bukur,
an` më anë dua ta shkel botën,
veç nji grimë , në natë pa hanë,
ta hurb, dredhzën,
dredhzen edhe tamel boren..

Ku mrizon njajo buzë e bukur,
hej, kuku, si po më vlo shpirti,
t`bahna blet, a mos dhe flutur,
ta rrok thekshem,
thekshem t`ia ngjis për mjedisi!!!


4. UNË E DUA DASHIN KRESHNIK

Sa për zemer unë kam,
e kam vella e kam dhe mik,
ky ogiç thirrun në emer,
m`i prinë deleve si kreshnik!

Unë e dua ket` kreshnik,
që në shekuj ruan zakonin,
prijs i par`, pa dert as frigë,
që e tund randshem kumonën.

Ata brina dredh me grremça,
si kunora e nji mbreti,
sa deshir, sa m`i qas ëndja,
çobani në shpirt më mbeti!

Ah, ta lumsha o fisnik,
kryenalti bjeshkes epër,
kohnat venë e vijnë me vrik,
por si ty nuk ka nji tjetër!



5. VALBONËN E PIVA

 
U ngjita të përpjetes,
në kreshtat e thepta,
ku rrojnë mbretnore veç dhitë e egra,
piva ujë bore,
mbi ahishte mbeta,
lypa kujtimet, rrgallnajes s`i gjeta,
i kish marrë Valbona,
gjirit dhe në xhepa,
u drodha trishtimit , teposhtes u ktheva,
me një trastë frymezimi,
Myzeqesë ku mbeta..
Valbonen e piva..i dehun ,
E dehun edhe jeta,
arsyja e mos gjendjes me ngul zemren te reja!

Rrethi i kodoshëve

Tregim nga Rrahim Sadiku

Flakët e luftës nuk ishin fikur ende e Mirjana po shurdhohej nga qetësia. Kishte nisur të vajtonte fatin e saj të zi, kësaj radhe si humbëse. Tashmë po shihte qartë shkatërrimin e çdo gjëje që kishte ngritur me shumë sakrifica e mund. Për këtë kishte dhembje, etje, dëshira, edhe pse nuk e ndjente veten më të aftë për nisma të reja. Por, të ngecte puna aty ku ishte tashti, për të e popullin e saj, mendonte, ishte më shumë se vdekje. E ajo nuk kishte menduar kurrë se do të vdiste. Besimi i palëkundshëm në vete e kishte shtyrë të bindej plotësisht se ajo do të jetonte gjatë e gjatë, në jetë e në histori, aqë sa do të kishte njerëz në këtë botë. Si kishin rrjedhë ngjarjet, ajo do ta villte veten, sikur të kishte mundësi, do të niste çdo gjë nga e para, madje të njejtës rrugë, vetëm se tashi do të zgjidhte bashkëpunëtorë të tjerë. Tashti kur qe krejt vonë, ishte mbushur mend. Mbi të gjitha e mundonte humbja e çdo besimi që kishte pasur në të shoqin. Kishte nisur pendimi i thellë për atë që ishte lidhur aqë kohë e aqë ngusht me të, mu në kohën kur kishte të gjitha mundësitë të zgjidhte. E ajo nuk kishte zgjedhur dikë të ndonjë ndërtimi tjetër, sidomos ndonjë me ndjenjë të zgjuar fleksibiliteti, i cili do ta kishte shpëtuar edhe në këto momente të vështira. Po, kishte qenë mu kjo mungesë fleksibiliteti politik e të çfarëdo natyre tjetër ajo që e kishte lidhur Mirjanën me Milloshin dhe me të pranë ishte shtuar besimi i saj se me të mund të luante lojën që kishte në mendje si me asnjë tjetër. Dhe meteorçe, si ëndërr nëpër mend i kaloi njohja me të...
Ai e çmonte veten sa s'ka si bëhet më shumë. Mu për këtë disa shoqe të saja, pa e ditur se ai do të bëhej i zgjedhuri i saj, dilnin ta shihnin kah ecte dhe talleshin e kënaqeshin me atë dukje snobiste e me atë artificialitet tejet të tejdukshëm, që ato i bënte të qeshnin e të kukuriseshin. Pa shkuar shumë kohë nisën ta quanin Faqederri, emër ky me të cilin ajo e thërriste shpesh vetmevete. E ajo, Mirjana, mu në atë fodullëk e shtirje, shihte njeriun të cilin e kishte krijuar në strukturën e ecjes së saj politike. Ajo ishte femër që kishte nevojë për shumë mashkuj dhe njihej në qytet për atë se i futej në shtrat secilit bukurosh dhe deri tash kishte bërë dashuri me secilin që ia kishte dashur zemra Kishte krijuar ashtu rrethin e kodoshëve, të cilët i kishte gjithnjë të gatshëm për t'ia plotësuar tekat...
Milloshi u gëzua tepër shumë kur u njoh me të. Shkëlqente në fytyrë sikur kishte zënë qiellin me dorë, sepse e dinte se ajo kurvë (si e quante me vete) ishte e tëra perspektivë dhe se vetëm me të e përmes saj mund të bëhej prijës i popullit, si e kishte vendosur vetmevete. Këtë synim vendimtar ua kishte thënë shumë të njohurëve e ata nisën ta quanin të lojtur e kjo (për ata) u vërtetua sidomos me martesën që bëri me vajzën më të përdalë të qytetit, vetëm pse ishte bastardja e kryetarit satrap dhe e rritur si bija e pushtetarit tjetër, Mirkos së paskrupullt. Ata e qeshën dhe e përqeshën gjatë kohë, po mandej i dhanë të drejtë, kur ai filloi të ishte tejet i pushtetshëm dhe të forcohej edhe më tej, nga dita në ditë.
Mirjana, duke e pare ngritjen e tij të vazhdueshme u bë si me flatra dhe punoi e punoi qv të nguliste edhe më thellë te ai gjithë ambiciet e mundshme. I mbolli ato, i seliti dhe i rriti në përmasa të pabesueshme. Qëllimi i saj ishte që ky farë dashnori, me turi derri e mendje mjaft të ndritshme për qëllime të errata, domosdo të bëhej zëvendësues i diktarorit plak, i cili tashmë ishte në buzë të varrit. Mirjana e kishte vendosur të bënte edhe të pamundurën që dinastia e tij të mos heqej nga pushteti dhe loja madhore që kishte bërë ai për gati gjysmë shekulli me popullin, po që shpesh dukej sikur e kishte nën sundin gjithë botën, të vazhdonte me hov edhe më të madh.
Duke e bërë këtë farë dashnori diktator të ri të vendit, Mirjana synonte t’i përmirësonte disa gabime të pafalshme politike të babit saj të vërtetë, diktatorit plak, për të cilat kishte mësuar nga babai i saj ligjor, i cili për çështje karriere e kishte marrë me dëshirë për grua femrën bukuroshe të mbarsur nga i pari i shtetit. Ky baba ligjor ishte sjellë mirë me të dhe e kishte edukuar në shpirt si nacionaliste të përbetuar,duke e këshilluar që ndaj botës të paraqitej sa më internacionaliste që të mundej. Kishte mësuar shumë edhe nga nëna, e cila nuk kishte dashur kurrë të interesohej seriozisht për të. Edhe ajo ishte nacionaliste e fortë dhe e bukur mjaft, kurse Mirjana kishte dalë mjaft e shëmtuar, pasi kishte ngjarë nga babai. Ishte kopje e gjallë e tij dhe këtë e thonin të gjithë ata që e njihnin, po edhe ata që e shihnin për herë të parë dhe kjo e gëzonte shumë. E dinte se bukurinë mund ta zëvendësonte me pozitat që do të zinte, me namin që do të fitonte, kurse nga bukuria nuk do t'i dilte gjë, ashtu si nuk i kishte dalë gjë të ëmës, e cila ishte dhënë te diktatori me shpresa të mëdha e në fund kishte fituar një burrë që e urrente dhe një vajzë që asaj si grua i kishte lënë një damkë të pashlyeshme. Nga kjo Mirjana disi i urrente gjërat e bukura dhe i pëlqente më shumë e shëmtuara, e forta, e rrezikshmja, kurse me fjalë e me shkrime dinte të paraqitej estete e rrallë. Ajo ishte përkrahëse e vendeve dhe kulturave të Lindjes, të Lindjes sa më të largët, sepse andej e shihte shëmtinë e cila rridhte nga varfëria e madhe, kushtet tejet të vështira klimatike e sidomos nga veprimet e regjimeve diktatoriale, që i shtypnin njerëzit dhe ua humbnin dëshirën për çfarëdo bukurie dhe ku sikur quhej vrastare çdo dukje e këndshme. Prandaj kokën e saj bastarde e shihje shpesh e më shpesh në Kinë, Rusi, Vietnam, Kamboxhia e shtete të këtilla, derisa i shoqi (me të cilin u martua shpejt, sepse donte të fitonte në kohë, që vdekja e diktatorit plak ta gjente të përgatitur) kishte zënë pozitë të lakmueshme në përfaqësitë vendit të saj në Amerikë dhe atje ndiqte për së afërmi politikanët e shquar, pasi e shoqja e kishte këshilluar që të mësonte sa më shumë nga maniret e tyre.Ajo donte që ndërsa Faqederrri i saj në brendi e me tërë qenien ta absorbonte, përmirësonte e vazhdonte veprën e diktatorit plak, në jashtësi duhej të ishte sa më demokrat, sa më i lirë në sjellje, fjalë e veprime që nuk prishnin gjë në qëllimin e tyre final. Dhe ai i kishte dëgjuar pikë për pikë këshillat e së shoqës, kështu që po të mos ishte ai fodullëku i lindur dhe ajo koka prej tureçke derri, ai do të ngjante me një politikan të moderuar, të cilitdo vend demokratik të botës. Dhe, derisa e kishte marrë pushtetin, ai ishte njeri që çmohej shumë, sidomos pasi përmendej përherë për të mirë, gjë së cilës i ndihmonte propaganda e diktatorit plak, vdekjen e të cilit po e prisnin disa me gëzim e disa me ankth. E ai po vononte të vdiste…
Kur vdiq diktatori, Mirjana qau ashtu si nuk kishte qarë kurrë në jetën e saj, derisa iu skuqën sytë, se disi e kishte dashur shumë dhe gjithnjë i kishte marrë si shembull për veprimet e veta të bëmat e plakut dhe përherë kishte menduar se so do të arrinte t'i tejkalonte ato veprime.Në të vërtetë diktatori plak i ishte dukur një baba i mirë, i cili kishte bërë sakrificë duke e mbajtur në nivel dhe i kishte mundësuar të shijonte secilën kënaqësi të jetës që kishte dëshiruar. Mu atëherë, kur po e vajtonte me lotët rrëke, nisi edhe ta urrente, pasi i ra ndërmend se mu ai, babai i saj, kishte ndërprerë një rrjedhë, kishte bërë të gjitha veprimet e mundshme që ëndërra pothuaj mijëvjeçare e popullit të saj, të cilit ajo tashmë i takonte me bindje, me qëllime e me gjithë qenien, të ndërpritej e të fitonte populli të cilit i takonte diktatori, populli kroat, të cilin ajo e urrente shumë, shumë… Ishte kjo një urrejtje mizore, pasi shpesh e zinte veten t'i shfaqej dëshira që sa më shumë kroatë, t'i prente me dhëmbë në fyt, si ulkonjë. Madje shpesh zgjohej nga gjumi pasi kishte kryer veprime kriminale mbi njerëz, mu si ulkonjë e vërtetë. Mirjana kishte vetëm edhe një urrejtje më të madhe urrejtjen ndaj shqiptarëve, të cilët do të dëshironte t'i shihte kah piqen në hell, sepse vetëm atëherë besonte se do t'i shfryhej mllefi që qenia e tyre i kishte mbjellë asaj në zemër. Ah, ishte ai, diktatori plak e babai i saj që kishte bërë lëshime të pafalshme edhe ndaj shqiptarëve, sepse e kishte ndërprerë përzënien e tyre për qëllime të veta e politikë largpamëse! Ai madje kishte lejuar shkolla e fakultete në gjuhën e urryer të tyre e ajo do t'i pengonte këto rrjedha prapësie, me urdhër të saj e me dorën e Faqederrit. Do t'u jepte rrjedhë tjetër lëmenjëve të historisë dhe ta shpiente deri në fund ëndrrën e popullit të saj, krijimin e Serbisë së madhe, perandorake, duke realizuar edhe zhdukjen e të gjithë popujve joserb që jetonin aty. Nganjëherë edhe kjo i dukej pak dhe Mirjana ëndërronte që përmes burrit të saj, i cili kishte arritur të mësonte shumëçka nga ekonomia botërore, me realizimin e ëndrrës për shtetin e madh e të pastër etnikisht që do të sundonte ajo me tê shoqin, të fillonte krijimin e korporatave e trusteve ekonomike në nivel ndërkombëtar, duke u bërë kështu sundese edhe e një pjese të madhe të botës, sidomos të asaj pjese që ajo e donte, pjesës së pazhvilluar e të varfër të botës, ku përfitimet ishin tejet të mëdha. Synimi i saj do të fillonte të bëhej real kur të jetësonte perandorinë serbe të mesjetës, e cila kishte jetuar shumë pak, po kishte mbetur arritje mitike në mbamendjen e popullit serb dhe ishte stërmitizuar në projektet e mëvonshme serbe për shkatërrimin e popujve fqinj dhe për realizimin e aspiratave për Ballkanin të bërë Serbi. Nga këtu, pahetueshëm e guximshëm, do të vazhdonte tutje, në Azi, Afrikë, Amerikë Latine… Mandej shteti i saj do të ishte faktor me rëndësi tejet të madhe në ekonominë, politike e strategjinë për gjithë botën. Vendosmëria e saj shtohej edhe më shumë tashmë kur Faqederri kishte arritur të bëhej zëvendësues i diktatorit plak, varrin e të cilit kishte dashur ta shkatërronte kur nisi luftën me kroatët, po Mirjana e kishte kundërshtuar me këmbëngulje. I tha se u duhej diktatori aty, pasi pushteti i Faqederrit ishte bërë i një loji të veçantë që në ditët e para. Duke bërë sikur ishte më demokrat se parardhësi i tij dhe duke shkelur me polici e ushtri kudo që ndjehej frymë lirie e demokracie, ai e shndërroi për një kohë të shkurtër vendin në një burim konfliktesh dhe padurimi mes njerëzve. Kështu erdhën luftrat e njëpasnjëshme, ndarjet e përgjakshme, izolimet dhe ndërhyrjet e jashtme, të cilat u paraprinë nga bombardime të gjata e shktarrimtare. Ekonomia e vendit pothuaj u zhduk, ushtria pothuaj u zhbë dhe shteti u zvoglua e u zvoglua, sa ëndrra për shtetin e madh u bë tejet e largët e mundësia e mbetjes në pushtet të Faqederrit ishte në luhajë. E ajo, Mirjana, sikur po mbetej e zhveshur nga çdo gjë e në gji të burrit të cilin e urrenin tashi të gjithë, madje edhe ajo vetë, edhe pse po mundohej ta fshihte këtë. Mundohej dosido ta mbante ende në pushtet, sepse diktatori plak, i vdekur qëmoti, do të vdiste përfundimisht me rënien e Faqederrit. Kurse vdekja e tij edhe në histori do të ishte zhbërje e tërësishme e asaj, Mirjanës.
Nganjëherë ajo ende besonte se do ta kthente kohën në rrjedha që i dëshironte; se në ato rrjedha, për të cilat kishte shkrirë tërë mundin e djersën e me të cilat kishte fituar edhe aleatë në Lindje dhe kishte shtuar besimin në idealet e diktatorit plak, do të riniste krijimin e botës së saj nga e para. Shpesh besonte se ideologjia e Lindjes do ta mbizotëronte demokracinë perëndimore e do të krijohej rendi i ri, rendi i dizajnuar sipas gjenisë së saj. Nëse nuk do të bëhej kjo, me shkeljen që po i bëhej kombit e shtetit të saj nga perëndimorët, do të fillonte konflikti botëror. Dhe në këtë konflikt botëror, që kishte gjithashtu e kishte menduar ajo, e ndihmuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë dhe tërë institucionet shkencore e ushtarake të vendit të saj e të aleatëve, perëndimi do të përçahej, do të humbaste përparësinë ushtarake, politike e ekonomike dhe vendi i saj, si iniciator, frymëzues dhe realizues që do të ishte, do të fitonte shumë. Do të ishte normale që pas përfundimit të konfliktit, edhe kërkesat territoriale dhe ekonomike t'i plotësoheshin deri në një.
“Ëndrra, vetëm ëndrra - bërtiti dhe për herë të parë e ndjeu veten të rrënuar shpirtërisht, pa ndonjë dritare nga e cila ardhmëria t'i buzëqeshte e do të jepte shpresa që ajo të zinte vendin e merituar në histori, krahas ose përpara diktatorit.
Diktatori e paska pasur mirë - e pranoi ajo. Ai dinte ta vërtiste punën, të realizonte synimet, të shkatërronte kundërshtarët e edhe atëherë kur gjaku shkonte rrëke, të tjerët nuk e shihnin fare ose kur e shihnin, u dukej si diçka e natyrshme dhe veprim i bërë me vend... E ajo deshti ta përmirësonte! E me kë se?!!! Me Faqederrin, që edhe kur dëgjonte ishte tepër statik e i tejdukshëm për të gjithë. E kur vepronte kokë më vete ishte aqë i prerë sa nuk të linte më përshtypjen e një politikani, po të një njeriu të mbushur mllef e të përbetuar për hakmarrje. Atij derri një ndjenjë e theksuar hakmarrjeje i vizatohej në fytyrë sa herë fliste para masës. Kjo e kishte ngjallur e këndellur pothuaj secilin serb, me çka ishte ringjallur edhe etja e krimeve të moçme, e pushtimit të tokave, e fshirjes së të tjerëve nga faqja e dheut. Kjo ishte bërë shumë e dukshme ato ditë kur ai kishte shkuar në mesin e shqiptarëve dhe ishte betuar se do t'i zhdukte shqiptarët prej aty. Po atë ditë mori serbësh kishin filluar t’i mprehnin thikat e të bëheshin gati pushkët për luftën përfundimtare. Por, disa vite kishin kaluar e Faqederri nuk kishte guxuar ta niste hapur këtë luftë, duke besuar se qëllimin e tij do ta realizonte përmes dhunës policore, përzënies së shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, mbylljes së shkollave, fabrikave dhe shkatërrimit të çdo baze jetese për ta. Mirjana edhe atëherë e kishte përkrahur dhe ishte entuziazmuar nga sukseset e tij. E kishte përkrahur edhe më shumë kur filloi ikja e madhe e të rinjve shqiptarë, mbetja shkret e shtëpivep në Kosovë, zgjërimi i serbëve atje. Mirëpo, e gjitha po zgjatej e nuk po këputej dhe ajo herë pas here mendonte se diku po gabohej; se rrethanat sikur nuk po punonin për ato që synonte ajo.
Kur shqiptarët u ngritën në kryengritje, ajo e pa se po bëhej vonë për diçka dhe e kapi për fyti Faqederrin, duke e akuzuar për dështim, për mosdëgjueshmëri ndaj saj e shkelje të vendimeve që kishin marrë. Në vend se të shihte gabimet, Feqederri tashmë shumë u pushtetshëm, u bë edhe më i derrosur dhe e shtyu tutje. Më vonë u pendua dhe tha se ishte dhe qe i gatshëm të jepte dorëheqje e të shkonte në djall të mallkuar. Ajo nuk e la, madje i tha se ende nuk ishte aqë vonë sa dukej, pasi marrëdhëniet mes lindjes e perëndimit ishin acaruar edhe më shumë për shkak të tyre, sepse ajo nuk kishte qëndruar duar kryq, po kishte punuar dhe miqtë po i gjendeshin në ditë të vështirë. Përzënia e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe shpërndarja e tyre nëpër botë ishte punë madhore, që e bënin për të sotmën dhe të ardhmën e popullit të tyre. Mandej ia kujtoi vendosmërinë e treguar në partinë e tyre, kur kishte filluar zbatimi hartimi i planit, i cili do të kishte rrjedha ardhmërie e lumturie dhe do të kryhej nga njerëz të profesioneve e të interesimeve të ndryshme, po do të kishte vetëm një moto e një qëllim: Asnjë shqiptar në Kosovë e së shpejti as shtet shqiptar në hartën gjeografike.
Por bota, ajo botë e fortë që kishte përkrahur të gjitha regjimet dhe të gjitha veprimet e qeverive të këtij vendi deri tash, ishte ngritur me të gjitha forcat kundër tij, duke e kërcënuar edhe me zhdukje përmes sulmeve nga më të ndryshmet, kështu që ata e kishin shpejtuar largimin e shqiptarëve, që bota të gjindej (deshti a nuk deshti) para faktit të kryer. Mandej i mbetej vetëm të fillonte të përmirësonte gjendjen e saj politike e diktatori, atje ku qoftë, do të krenohej që e kishte lënë prapa, edhe pse disi jo përfillshëm... Mirjana nisi të ofshante. Nga brenda sikur i fliste një zë, sikur i thoshte se aty nuk i kishte mbetur më vend. Po edhe nuk i rrihej më aty, ku ishte e urrejtur. Kjo urrejtje po e bënte edhe më të shëmtuar dhe për dukjen e saj jo të këndshme kishin filluar t'i flisnin edhe djali e vajza, të cilët deri para pak kohe dukej se e adhuronin, sikur atëherë kur ishin fëmijë të vegjël e ajo i shihte në të rrallë, po i mbushte dhurata.... Ngushëllim i mbetej vetëm rrethi i kodoshëve, i cili ishte shtuar dhe nuk e kishte harruar…
Jo, rrjedhat e ngjarjeve nuk i kishin ndjekur synimet e saj. Nuk kishte ardhur te asnjë prishje serioze e marrëdhënieve lindje perëndim, vendi i saj ishte lëruar nga bombat e bërë copë e çikë, sa në pjesën më të madhe të tij tashti mund të mbillje qepë lirisht. Faqederri e ajo e kishin shtyrë vendin deri atje sa të mbetej i vetmuar, i rrezikuar dhe i larguar nga të gjithë ata që dikur i kishte pasur miq e ishte krenuar për këtë. Madje në një çast dobësie ajo kishte kërkuar nga Faqederri të jepte dorëheqjen e të ruanin ndonjë alibi për të ardhmën, duke e ndarë përgjegjësinë me të tjerë, po ai nuk kishte dëgjuar dhe rrugët ishin mbushur me protestuesë kundër tyre e horizonti i ardhmërisë së tyre sa vinte e errësohej...
Tashti, falë veprimit të tyre, së paku asaj i dukej kështu, në trollin që populli i saj e quante mitik e jetik për ekzistencën e tij e të cilin trull ajo kishte nisur e po e urrente nga thellësia e shpirtit dhe të cilin e donte ta kishte për vete e për popullin e saj si burim të pashterrshëm të ardhurash, po ngritej e po forcohej një shtet shqiptar, i cili edhe pse i shpallur i pavarur për arsye politike, megjithatë ishte shtet dhe aty gjuha shqipe po zhvillohej, studjohej e zyrtarizohej. Kjo e gërryente, e gërryente gjithnjë e më shumë dhe po të kishte mundësi do ta shqyente veten me dhëmbë në do momente krizash.E ato po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. Nganjëherë kishte dëshirë të shndërrohej në ulkonjë, si në ëndërr dhe ta shqyente Faqederrrin e të dilte para masës si shpëtimtare...
Mandej i bëhej se nuk kishte çka të shpëtohej më, tashti kur kishte dy shtete shqiptare, të cilat sikur po bëheshin një trup i vetëm dhe mu sikur shqiponja dykrerëshe e flamurit të tyre, po fluturonin anambanë botës, duke e treguar me madhështi ekzistencën e tyre. Tërbohej nga kjo dhe i bëhej se po çmendej, se po cipëtohej nga një shtytje e brendshme, nga do zëra që nuk i dëgjonte askush pos asaj, nga do mendime që sikur ia nguliste dikush me qëllim në tru e mbi të gjitha nga do ëndrra të trishtueshme, me plot thika; me shumë rrjedha gjaku, me copëra mish njeriu e ku gjithnjë e shihte trupin e vet të grirë me sopatë ose të shpuar me qindra plumba. Ishte dhe një buçitje e tmerrshme, që nganjëherë e ndiqte hap pas hapi dhe përmes saj sikur dëgjonte ankimin e tmerrshëm të mijëra zërave: ti, ti je vrasësja, ti… Dhe gjithnjë ajo pasohej nga një ecje e shrregullt e dikujt të padukshëm, me paterica që lëshonin klithma e një zhurmë gërryese...

Donnerstag, 22. August 2013

Hasan Prishtina nderon Shqipërinë

80-vjetorin e vrasjes:  

HASAN PRISHTINA: KY DASHAMIR I BËN NJË NDER MADH AMËS SHQIPËRI…”

Nga Prof. MURAT  GECAJ
publicist e studiues-Tiranë
 

Hasan Prishtina (187314.08.1933)
 
 ”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”  (H. Prishtina)
 
1.
Përsëri erdhi data përkujtimore e atij gushti të paharruar dhe që lëndoi shumë zemra shqiptarësh. Ajo lidhet me emrin e nderuar të atdhetarit të madh Hasan Prishtina. Krahas figurave tjera të shquara atdhetare, si Bajram Curri, për atë kam dëgjur të flitet me dashuri e respekt, që në fëmijëri e rini, atje në vendlindjen time, Malësi e Gjakovës (Tropojë). Më pas, u njoha më mirë me jetën e tij, në vitet e studimeve universitare. Ndodhi që, kur punoja redaktor në gazetën ”Bashkimi”, në vitet ’70-të të shekullit të kaluar dhe i sollen eshtrat e tij në Shqipëri e i rivarrosën në Kukës, shkova atje për të bërë një shkrim. Ai u publikua, me titullin e një vargu të rapsodisë popullore, thurur ato ditë: ”Prapë, na erdh’ Hasan Prishtina!…”. Dhe ja, përsëri tani, kemi detyrim ta kujtojmë e ta nderojmë atë, për ndihmesën e gjithanshme ndaj Atdheut e Kombit tonë.
Të gjithë ne, tani ndiejmë krenari të ligjëshme edhe kur e dimë se, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, u vendosën me ceremoni shtatore të tij, në Tiranë, Prishtinë e Shkup.
 
2.
Ishte data 14 gusht e vitit 1933. Hasan Prishtina, figurë e njohur e lëvizjes për liri e pavarësi, kishte dy javë që ndodhej ne Selanik (Greqi), me misionin e lartë  atdhetar që të pengonte me çdo kusht shpërnguljen e kosovarëve për në Anadoll të Turqisë, pas marrëveshjes së bërë ndërmjet qeverive serbe e osmane. Duke kaluar qetësisht nëpër një rrugë të atij qyteti, ai u godit pas shpine tradhtisht, me pesë plumba vdekjeprurës, nga një agjent i paguar, dorë e stërgjatur e armiqve të tij dhe gjithë popullit shqiptar. Tek rrëzohej si lisi përtokë, në moshën 60-vjeçare, ai burrë i madh i Kosovës kreshnike dhe i mbarë Shqipërisë, ndoshta vetëtimëthi, përsëri solli ndërmend betimin solemn, që kishte bërë para popullit e Atdheut, të cilin e mbajti me nder deri në fund të jetës: ”…Mue, në idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të mujë me më shtrue, ari i të tanë botës, por as mënia e të tanë anmiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!”
 
Në jetën e tij prej luftëtari të paepur, ai u ndoq këmba-këmbës nga armiqtë e shumtë e pabesë, të cilët i bënë katër atentate dhe e dënuan gjashtë herë me vdekje, në mungesë. Por, megjithatë, nuk u përkul as nuk u ndal asnjëherë në rrugën e nisur në shërbim të mëmëdheut, siç e dëshmon edhe kënga popullore kushtuar atij: ”S’ të shtroi ari i tanë mbretnive,/ s’ të lidhën leqet e tradhtive…”.
 
3.
Lindi në qytetin Vuçiternë të Kosovës, më 1873, pra 140 vjet më parë. Familja e tij ishte shpërngulur në atë qytet nga fshati Polanc i Drenicës, krahinë e njohur për qendresën shumëvjeçare për liri e pavarësi. Mësimet e para i përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kolegj francez të Selanikut dhe të lartat për drejtësi, në Stamboll. U rrit dhe u edukua njeri i zgjuar e luftëtar, nga i ati dhe e ëma, në djepin e popullit kryengritës të asaj krahine. Kështu, mësimet e para atdhetare, që mori në familje dhe më vonë në shkollë, ai i vuri në shërbim të çlirimit e bashkimit kombëtar. Periudha, kur u rrit e u burrërua Hasan Prishtina, ishin vitet e zjarrta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga i ati kishte trashëguar pasuri jo të vogël, por atë e përdori për blerjen e armëve në shërbim të kryengretjes së përgjithshme antiosmane të viteve 19101912 dhe,  në vijimësi, për çeljen e shkollave shqipe. 
 
Me penë e me pushkë, me fjalë e me diplomaci, kudo ku u ndodh, ndërmjet miqësh e armiqësh, Hasan Prishtina nuk pushoi asnjëherë të propagandonte dhe të përpiqej për të venë në zbatim idenë e tij: çlirimin e bashkimin e Atdheut të robëruar dhe zhvillimin e tij. Me fjalën e ëmbël e të guximshme dhe me artikujt e tij në shtypin e kohës, zgjonte ndërmjet popullit e rinisë kosovare ndjenjat e atdhedashurisë, urrejtjen e thellë ndaj pushtuesve e tradhtarëve.
 
Hasan Prishtina u bë luftëtar aktiv edhe për gjuhë  e shkollën shqipe, të cilat i vlerësonte si faktorë të domosdoshëm për zgjimin dhe forcimin e ndjenjave kombëtare. Vetë u kujdes që 50 djem kosovarë të shkonin për të vazhduar mësimet në shkollën Normale të Elbasanit dhe të bëheshin mësues për shkollat në gjuhën amtare në Kosovë. Ashtu si rilindësit e tjerë, punoi me ngulm kundër ndasive fetare e krahinore, kundër vllavrasjeve e gjaqeve. Në vitin 1908, ishte nismëtar për tubimin e 30 mijë kosovarëve në Ferizaj dhe mbështeti Kongresin e Manasitrit për alfabetin, që e kemi në përdorim  sot. Deputet në Parlamentin xhonturk (1908), në moshën 35-vjeçare doli në opozitë, bashkë me  disa deputetë të tjerë, atdhetarë shqiptarë. Shtypi i kohës shkruante: ”Ky dashamir (H.Prishtina,-shënimi ynë) i bën një nder të madh amës Shqipëri, për të cilën ai është gati të bëhet theror”. Duke u ngritur me forcë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, në Parlamentin xhonturk protestoi energjikisht kundër premtimeve të tyre boshe dhe barbarizmave në Kosovë. ”Deputeti kryengritës, që kërcënon Sulltanin”, siç e quajtën qeveritarët e kohës dhe shtypi xhonturk, pa iu trembur syri aspak, brenda në Parlament, e quajti kriminel gjeneralin xhelat Durgut Pasha. Siç do të shkruante vetë H. Prishtina më pas, në vend të një kolltuku me turp të Stambolit, zgjodhi rrugën e ndershme, kryengritjen në  male, ndërmjet popullit trim e liridashës të Kosovës.
 
4. 
Pas Kuvendit historik të Junikut, në majin e vitit 1912, të prirë nga atdhetarët e trimat luftëtarë, Bajram Curri e Isa Boletini, u vendos të lidhej besa për kryengritjen e përgjithshme, kundër sundimit osman. Me zemra të ndezura e me besim të plotë në fitoren përfundimtare mbi armiqtë  pushtues, kryengritësit shqiptarë rendnin me armët krahut, duke kënduar: ”Besa-besë, nji herë kemi thanë,/ ty, Shqipni, na të kemi nanë;/ besa-besë, nji herë kemi thanë:/ për Shqipni, jetën duem me dhanë!”. Ismail Qemali gjithnjë i kujtonte fjalët, që i tha Hasan Prishtina, kur biseduan për fillimin e kryengritjes së përgjithshme: ”Hasan Beg, i besoj fetarisht karakterit të zotnisë sate. Ky besim më ka shtyrë me i shkrue në zemër ato fjalë, që i përdorove sot në Parlament, tue thanë:-Kam me kenë njeni e  ndoshta i pari i atyre, që kanë për ta ngrehë flamurin e kryengritjes”.
 
Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, Hasan Prishtina u caktua ministër i  Bujqësisë, në Qeverinë e Vlorës. Në vitin 1915, ishte në ballë të kryengritjes së Lumës e Hasit (Kukës), kundër pushtimit serbo-malazez. Në vitet e pushtimit austriak e internuan në Vjenë, bashkë e me Bajram Cuirrin
 
Gjithnjë i papërkulur e me besim të madh në forcë e popullit tonë trim e liridashës, për vite me radhë Hasan Prishtina qëndroi në krye të lëvizjes atdhetare për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe, me anën e kryengritjes së armatosur, me shpresë të madhe se një ditë Kosova do të ishte zonjë në truallin e vet të stërlashtë amtar. Ai nuk u pajtua asnjëherë me aneksimin e Kosovës nga monarkia shoviniste serbe. Si deputet i prefekturës së Drinit, në Parlamentin e parë shqiptar (1921), mbrojti me zjarr të drejtat e popullsisë shqiptare të krahinës së Dibrës dhe të mbarë trojeve amtare, si në Maqedoni e Kosovë, duke demaskuar masakrat e  shovinistëve, që synonin të shuanin ndjenjat liridashëse dhe t’i serbizonin ato krahina. Për ”drejtësinë” serbe ai shkruante: ”…asht i vetmi vend në botë, ku bëhen vrasje në prani të gjyqtarëve, të cilët heshtin!”
 
Pas krizës qeveritare dhe rrëzimit të qeverisë së P.Evangjelit, në dhjetor 1921 Hasan Prishtina u caktua kryeministër i Shqipërisë dhe në përbërje të Qeverisë caktoi figura të njohura të Kombit tonë, si: Fan Noli, ministër i Jashtëm; Zija Dibra, ministër i Brendshëm; Hoxha Kadriu, ministër i Drejtësisë; Bajram Curri, komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë etj. Shpejt u ndërlikuan rrethanat nga kundërshtarët e tij politikë dhe H. Prishtina u detyrua të jepte dorëheqjen, por asjëherë nuk e ndërpreu veprimtarinë e tij atdhetare. Kështu, në vitet 19221923, së bashku me ”Dragoin e Dragobisë”, Bajram Curri, drejtuan Lëvizjen fshatare në Veri, kundër vendosjes së diktaturës, me thirrjen luftarake: ”Në shtatë e në shtatëdhjetë!”. Në atë periudhë, ministria e Luftës urdhëronte, me anë të një telegrami, vartësit e saj në Malësi: ”Ata, qi kanë guxue me i mbajtë apo arratisen me ta (H.Prishtina me shokët e tij,-shënimi ynë), të ndiqen e të dënohen, sikurse vetë kryengritësit”. Por ata nuk u trembën as e ulën ritmin e kundërshtimit ndaj qeverisë në Tiranë dhe gjetën strehë në ”Shpellën e pushkëve” apo në ”Stanin e Hasan Prishtinës”, në Malësinë e Gjakovës(Tropojë) e kudo në ato krahina.
 
 Shtypi i kohës, duke çmuar lart veprën e tyre atdhetare, shkruante: ”Të mos ishte Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, me disa shokë të tjerë, s’do të bëhej kurrgjë as për gjuhë as për Shqipëri”. Sa domethënëse ishin dhe fjalët, që deklaroi vetë Hasan Prishtina në Parlamentin shqiptar, pas rrëzimit të qeverisë demokratike të Fan Nolit: ”Shqiptarit nuk mund me ja lidhë gojën jo dyfeku, por as topi!”
 
Kundërshtarët e ndiqnin me ngulm dhe donin ta kapnin ”kryet e gjarpërit”, siç e quajtën ata H.Prishtinën. Por populli i donte dhe i mbronte me besnikëri prijësit e vet, pra dhe ai, ndërmjet tij, gjeti forcë e papërkulshmëri. Bashkë me atdhetarë të tjerë, Hasan Prishtina e përkrahu pa rezerva Revolucionin e Qershorit 1924. Në shtator të atij viti, bashkë me Bajram Currin, shkroi në Gjenevë, si përfaqësues i ”Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”, ku protestuan energjikisht në Lidhjen e Kombeve, kundër barbarizmave serbe në Kosovë. 
 
Mbas dështimit të Revolucionit, në dhjetor të vitit 1924, shumë demokratë mërguan jashtë Atdheut, ndër të cilët ishte dhe H. Prishtina. Por edhe atje nuk e ndali veprimtarinë e tij për të mirën e popullit, të Kosovës dhe të gjithë Shqipërisë. Nën drejtimin e tij, u themelua dhe vazhdoi, për disa vjet me radhë, veprimtarinë politike jashtë vendit ”Komiteti i çlirimit të Kosovës”. Ai u lidh ngushtë me lëvizjet përparimtare të popujve të tjerë, në luftë kundër rregjimeve shtypëse të Ballkanit dhe politikës së tyre antishqiptare, sidomos kundër politikës shoviniste të kralëve të Jugosllavisë, që përpiqeshin me çdo mjet ta kolonizonin dhe serbizonin Kosovën e pamposhtur. 
 
5.
Në vitin 1929, Hasan Prishtina i dërgoi një peticion ”Lidhjes së Kombeve”, ku jepte fakte e dëshmi të shumta për pozitën skllavëruese të shqiptarëve në Kosovë. Gjithashtu, aty argumentonte qartë politikën e shfarosjes së shqiptarëve nga qeveria shoviniste jugosllave: ”…Qeveria e shteti serbo-kroato-slloven e trajton këtë popull të rrënjosur në tokën e tij, siç trajtoheshin në kohët e largata të lashtësisë, fiset e mundura dhe të skllavëruara. Shqiptarët janë dëbuar nga tokat e tyre, nga trualli i tyre aq stërgjyshor, i vaditur me gjakun e djersën e tyre; ata janë shtërnguar ta braktisin atë…ndërkohë që qeveria serbo-kroato-sllovene e ndanë pasurinë e tyre në mes të serbëve, malazezëve dhe emigrantëve rusë”. Por fjalët e tij shkuan në vesh të shurdhër, prandaj përsëri iu drejtua ”Lidhjes së Kombeve”, në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës. 
 
Protestat e ashpra dhe të vendosura të H.Prishtinës e ruajtën aktualitetin e tyre, deri në vitin 19981999„ kur mbi popullsinë shqiptare të Kosovës vazhdonin të  rëndonin si malet:  shtypja e diskriminimi i rregjimit serb, gjendja e diferencuar ekonomike dhe, në përgjithësi, politika nacionaliste shoviniste serbe. 
 
 6. 
Vrasja pas shpine e H.Prishtinës, 80 vjet më parë, shkaktoi dhimbje e zemërim në mbarë popullin shqiptar, ndërsa armiqtë fërkuan duart nga gëzimi. Shtypi i huaj i kohës shkruante: ”U zhduk njëri prej armiqve më me rëndësi të politikës serbe në Shqipëri” dhe se ai, ”si politikan  energjik, që ishte, nuk ndenji kurrë i qetë, por mori pjesë në të gjithë çështjet, që i përkisnin fatit të Shqipërisë”.
 
Jeta e Hasan Prishtinës është ajo e një atdhetari të papërkulur, e mbushur me përpjekje dhe sakrifica të panumarta, me synimin që t’i shihte Kosovën e Shqipërinë të bashkuara e të përparuara, me ekonomi, arsim e kulturë  të zhvilluar, në rrjedhat evropiane. Janë aq domethënëse fjalët e tij, se për tokën amtare nuk duhet kursyer asgjë: ”Bajmë be e lidhim besën e burrave, se kemi me ba çfarëdo flije, në kurban kjoftë nevoja!…”
 
Veprimtaria e lartë atdhetare e ”Luanit të Prishtinës”, ”deputetit kryengritës” etj., siç është cilësuar ai, ka lënë gjurmë të pashlyera ndër brezat. Ndonjë pseudohistroian është munduar të shfaqë mëdyshje për këtë figurë të ndritur të Kombit tonë, por ai ka mbetur përherë i paharruar. Në dhjetor të vitit 1977, eshtrat e tij u sollën në Shqipëri dhe, që nga ajo kohë, prehen në qytetin e Kukësit, me fytyrë nga Kosova e dashur e tij. Me atë rast, u thurën dhe këngë popullore, me vargje të tillë kuptimplotë, si: ”Borën e shkund në mal çetina,/ prapë na erdh’ Hasan Prishtina…/ Bajram Curri përmbi shkrep,/ po të pret si vllaun e vet…/S’të shtroi ari i tanë mbretnive/ s’të lidhën leqet e tradhtive”. 
 
Për atdhetarin e shquar demokrat  Hasan Prishtina janë bërë botime e janë shkruar artikuj të shumtë. Emrin e tij e mbajnë shkolla e institucione të ndryshme, në trojet shqiptare. Ndërsa ishte peng i madh fakti që, nga rregjimi monist, nuk u nderua me titullin ”Hero i Popullit”. Por, megjithatë, është e sigurtë  që brezat e shqiptarave do ta nderojnë e kujtojnë përherë, këtë ”vigan liberator”.
 
Tiranë, 13 gusht 2013

Fahri Xharra: Serbi e turku këndej, greku andej!

E moj shqiptari ,po në zgripc të madh që je! T`janë vërsulur nga të gjitha anët: të duan shumë e jo nga dashuria për ty , por nga lakmia për të copëtuar dhe nga ty të bejnë një darkë të madhe dhe përfundimisht t`i mbarojnë edhe eshtrat, që të zhdukësh nga faqja e dheut . Mos jam gabim?

"Është lojë e gjatë e fqinjit mosmirënjohës..! Posa mori Epirin shqiptar të Jugut - Çameri...
ne..Venizellosi nguli syte nga Epiri i Veriut e shpalli se «kombësia është çështje ndërgjegjeje». Shpallën teorinë....vetëm për Shqipërinë se «çdo ortodoks është grek» (pohim i thënies së lashtë «Ujku sulmon me dhëmbë, demi me brirë, greku me kishë)». Që më 1912 Konica i shkruan mikut të tij, Pashko Bardhi: «Dua të vizitoj Greqinë por kam frikë se do kërkojnë të më bëjnë grek»!..Athina kërkonte dhe Korçën, e atdhetari i nderuar Dr. Turtulli i foli Konferencës së Paqes në Paris, fjalët e pa harrueshme: «Unë jam prej Korçe ku kam ushtruar mjekësinë. Jam një burrë plak e i ndershëm. Unë shpall këtu në mënyrë të prerë se, nuk ka asnjë banor grek as në qytet, as në rrethin e Korçës. Grekët quajnë grekë ata të fesë ortodokse. UNE JAM ORTODOKS PRA, POR NUK JAM GREK !!! ”
“Cfare po na shohin sytë! Një grup arrogantesh, të mbledhur si helmi i gjarprit në autobuzë dhe disa të veshur me rroben e priftit, ushtrojnë dhunë skandaloze ndaj punonjësve te veshur me uniformë! Si ështëe mundur që qytetarët e Përmetit bëjnë sehire një turp të tillë?! Janullatos, misionit tënd shovinist në dëm te Shqiperisë po i vjen fundi. Te paralajmëroj drejtpërdrejtë, se po vazhdove me lojra të tilla ne Permet, do të mbashë ti pergjegjësi direkt për ato cka mund të ndodhin më pas.(At Nikolla Marku)

Të kujt janë shqiptarët ortodoks të Maqedonisë?"Ku është Kisha Ortodokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzan. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë ortodoksë shqiptar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frikohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e dënueshme as nga zoti e as nga humanizmi.

Të ishte Fan S. Noli gjallë ,ai këtë do ta bënte. Me siguri ,do ta bënte." (F. Xharra)

Por... Vallja e Virgjëreshave, afresk me motiv biblik i David Selenicasit. Afresku gjëndet në një manastir, në Malin e Shenjt në Greqi. Shumë vepra të artit shqiptar janë te shperndara nëpër botë. Etnografet duhet ta studiojne kete afresk per kostumet popullore) , dhe.. ” Ajka e Bizantit ,historikisht ishin shqiptar”(). David Selenicasi e kishte preardhjen nga Selenica e Kolonjës. Krijmtaria e David Selenicasit u shfaq në Voskopojë, kur në vitin 1726 ai pikturoi Kishën e Shën Kollit. Këtë e vërteton edhe mbishkrimi që gjendet mbi faqen e murit perëndimor në Kishën e Shën Kollit në Voskopojë: "Ky tempull i këndshëm para Perëndisë i Shën Kollit i ndërtuar vonë nga lindja e Perëndisë 1721, në muajin qershor, mori përfundim të lumtur më 19 të muajit shtator 1722 të vitit shpëtimtar. Kunga u pikturua me dorën e të shumëditurit David Selenicasi dhe me shoqërimin e Kostandinit e të Kristos, me dhurimin e bollshëm të të hollave të zotit Haxhi Jorgji, që mbaroi jetën i lumtur. Në kohën kur ishte kryeepiskop në Ohër dhe Selasfor shumë i dituri Joasaf….".(A. Llukani)

Eshtë për të ardhur keq për ne Shqiptarët ku jemi katandisur! Kisha Autoqefale Shqiptare sot është Kisha Ortodokse ne Elbasan që falë punes së At ikollë dhe besimtarëve ortodokse Elbasanas nuk e lanë te binte ne duart e kishës greke. Janulla i Greqise ka ardhur me një mision të madh për Greqinë dhe jo për të mirën e ortodoksëve shqiptar! Varfëria që u trashëgua nga ndërrimi i sistemit bëri që shumë njerëz të shiten tek greku për një rrogë në dëm të vendit të tyrë! Dhe koha po e tregon vazhdimit se sa fatal ka qenë faji i shtetarëve përgjegjes të vendit tonë që e pranuan Kalin e Trojes ne mes te Tiranës!

”Nuk mund të ketë atdhetarizëm pa liri, liri pa virtyt, virtyt pa qytetar; Krijoni qytetarinë dhe keni çdo gjë që iu nevojitet; Pa atë ju keni asgjë, përveçse skllevër që nga sundimtari e deri poshtë. (-Jean-Jacques Rousseau)”.

Si mund të lutemi perpara altarit te kishës për Kristo Negovanin, Dhaskal Todhrin, Petro Luarasin, Fan Nolin, Visarjon Xhuvanin At Stathi Melanin etj, kur në krye të kishës ortodokse Shqiptare qendron Anastas Janullatos, nipi i atyre qe gatuan helm dhe gjak kunder martireve ortodoksë Shqiptar, martirë qe ëndrra e tyre ishte, që kisha te ishte e pavarur dhe të meshohej Shqip.

”Janullatos u dërgua në Shqipëri si eksark(i ngarkuar me punë i perkohshem) nga Patriarkana e Stambollit per organizimin e Kishes shqiptare mbas 1990-tes!Në ketë cilesi u pranua nga Presidenti Ramiz Alia!Por Janullatos krijoi Sinodin e Shenjte,me mitropolitë greke te zgjedhur nga ai vete dhe pastaj organizoi në menyrë të fshehte “zgjedhjen” e tij si kryepishkop nga ky “sinod”!Megjithëse ishte paralajmeruar të mos e bënte këte,nga nje perfaqesi e besimtareve ortodokse(me kryetar Petri Bidoshi),megjithëse nuk plotësonte kushtet e Statutit te Kishes ortodokse (te 1928 dhe 1950),sepse Janullatos nuk ishte shqiptar dhe shtetas shqiptar,teatri fallc u luajt deri ne fund!Kur ne menyre te papritur u shpall hiresimi i Janullatos si Kryepeshkop ne Kishen e Ungjillezimit ne Tirane,shumë besimtarë të ndodhur aty kundërshtuan me forcë ,filluan te këndonin këngë patriotike dhe të thërrisnin emrat e Papa Kristo Negovanit dhe Fan Nolit!Gjatë hirësimit kur duhet të bëhet gjithpranimi dhe besimtarët që ta shprehin këte duhet të therrasin “i denjë,i denjë”,në të vërtetë u degjuan thirrje “i padenj,i padenje”,madje edhe ne greqisht “anaxios,anaxios”!Sipas rregullave kishtare,nëse edhe një person në kishë thërret “anaxios – i padenje” procedura e hiresimit quhet e parregullt!Por cuditërisht te gjitha keto u anashkaluan dhe Kryepeshkopi u njoh me ketë cilësi(jo me i perkohshëm) nga Presidenti Sali Berisha dhe pastaj nga Patriarkana(që e kishte të detyrueshme)!Kryepeshkopi është i përjetshëm (dmth deri në vdekje) dhe nuk ka procedura pezullimi apo zëvendë simi!Dmth na e lanë … në derë! ( nga shtypi) ” ... Dhe akademiki i ynë Rexhep Qosja iu gjunjëzua duke ia puthur dorën.

Në të vertetë duhet thënë Anastas Janullatos përballë Fan Nolit, se greku me raso dalë boje, po tundohet në pleqërinë e tij të thellë reomatizmale, të zhgulet nga strehëza ku ka zënë vend si zogu i qyqes greke në Kishën Orthodokse Shqiptare në Tiranë, të kalojë Atllantikun e të na shfaqet këto ditë të ftohta e me ngrica marsi, në Boston, tek Kisha e Shën Gjergjit, ku orthodoksët e mbarë komuniteti shqiptar feston 100 vjetorin e meshës së parë në gjuhën shqipe, të ngritur nga Fan Noli në 1908, që shënon krijimin e Kishës Orthodokse Shqiptare të Amerikës.

Çfarë kërkon Janullatos dhe kush janë puthadorët i tij pritës në Boston? (K.Traboini)

Shqiptarët e besimit ortodoks të qytetit të Beratit kanë vepruar me kurajo,duke shpallur hapur Autoqefalinë që në vitin 1922.(E.Shehu) Prej kësaj periudhe ata kanë vepruar në emër të saj dhe i kanë dhënë kuptimin besimit Ortodoks në shtetin amë Shqipëri.Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një dimension i institucionalizuar i besimit ortodoks tradicional shqiptar,i cili erdhi si nevojë e kohës,për shkak të presionit të kishës ortodokse greke e cila edhe sot e kësaj dite mban të mbyllura në sirtarët e saj Statutin e Shenjtë të miratuar që në vitin 1922 nga patriotë ortodoksë shqiptarë në inaugurimin e saj në qytetin e Beratit.

„Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoks për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.Me vendim Nr.807 të datës 18.09.1922 këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe miratoi ato plotësisht sepse ishnin mbështetur në parimin e pavarsisë së shtetit Shqiptar“ .(A.Q.SH.fondi 251,dosja 1254,viti 1922).

Të kujt janë shqiptarët ortodoks të Maqedonisë?"Ku është Kisha Ortodokse Autoqefale e Fan S. Nolit në Shqipëri që nuk bëzan. Pse ajo nuk e ngre zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë ortodoksë shqiptar të Maqedonisë? Pse ajo me autoritetin që e ka, nuk ndihet? Kujt i frikohet? Të kërkosh të tëndin, të kërkosh mbrojtje për të tëndin nuk është e dënueshme as nga zoti e as nga humanizmi.

Të ishte Fan S. Noli gjallë ,ai këtë do ta bënte. Me siguri ,do ta bënte." (F. Xharra)

Gjakovë, 21 Gusht 201

Montag, 19. August 2013

Letër mikut në amshim


Nga Ramadan Mehmeti

Ka rënë nata.

Ka filluar dita e shpirtit. Asnjë zë s`dëgjohet. Jetoj me vetminë e me kujtimin për ty, gjysmë i ndritur nga një flakë e verdhemë e qiririt, i cili vetëm sa nuk fiket. Brenda meje ende frymojnë fjalë të pathëna, të mbetura rob në palat e kujtimeve. Zgjohen sonte, më djegin e më ngrijnë gjakun, kërkojnë të flas. Dorëzohem… nis e i them, e i shkruaj… Asgjë të mos i ngelë harresës… Fjalët vërshojnë e unë shtrydh shpirtin, pelinin e mbledhur e të bërë zjarr… le të pikojë përmes penës sime në bardhësi letre…


T`i them fjalët ?!

E ato vërshojnë pahetueshëm. U bë kohë e gjatë qëkur ike, e asgjë nuk e ndërroi rrjedhën. Ende udhët e njëjta lagen në shi. Ende po agon. Ende vdiret muzgu. Zogjtë fluturojnë mbi ujëra… Njerëz shkojnë e vijnë, gjithnjë të etur për diçka, të tëhuajtur.

Nga çasti i fikjes së qiririt tënd gjithçka sikur ngeli e pakuptimtë, më e zbrazët, më e varfër, më e padomethënshme. Natyrisht, pa zërin tënd, pa poezinë – shpirtin tënd, vetmia vetëm rritet, mungesa bëhet zbrazëti.
Nuk kam si të mos ndihem ligsht, të shtirem sikur nuk ka ndodhur gjë, pasi e gjitha kaloi në heshtje pa zërin tënd, në shurdhëri, pa poezinë tënde, në cektësi, pa simbolikën tënde… E gjitha më bëhet e zvetënuar! Mungon etja për safirët, dashuria për lulëkuqet…
E njëjtë mbeti vetëm ëndrra me etje e dhembja që nuk pushon. E njëjtë... edhe vdekja mbeti e njëjtë.



Vetëm ajo!?

Mallit i janë thinjur flokët! Sonte, ndërsa nuk mund të fle, jam peng i grishjes për të ringjallur shkëmbimin e mendimeve me ty. Pasi je i paarritshëm, po të shkruaj letër... Dua të ta shkruaj, se tkurret shpirti im, si vibron ai e si dridhet nga e pathëna. Andaj, ndrydh e shtrydh veten me sa fuqi kam, me mllef. Brendia ripikon ende gjak e helm… pikon e bie majë penës, e cila nxjerr vragat në letër, ku lë gjurmë të thellë, të pashlyeshme…

Maestro,
Letrën ta dërgoj ta lexosh, kam mall e ankth derisa ta lexosh, edhe pse e di që nuk do ta lexosh krejt zakonshëm. Por, do ta kuptosh edhe pa e lexuar, do ta rikthesh edhe një herë aty... te çastet e fundit, te fikja e qiririt të jetës, te ndezja e qiririt tjetër në udhën që more deri në amshim, bashkë me vargjet që ke mundur t`i shkruash vetëm ti. Je këndej me vargjet e papërsëritshme, me vargjet krua, nga të cilat vijnë kristalet e pambarim. Bëjnë përpjekje t`i mbushin shtambat, të t’i vjedhin nëntekstet, e kur lodhen kot, e kuptojnë se nuk ka si të vidhet ajo që ndrit nga hapësira e pafund.

Nata më lidh kuptueshëm me ty, si dita dikur. Je aty ku ishte drita e shpirtit tënd, aty ku e le ngulitur përjetësisht mendimin... është fjala, besimi, rrufeja... dhe trëndafilat e drunjtë. Të gjitha, sikur pika gjaku të lashtë, me përmasa legjende, si shkëlqim i amshuar… Po, ti shkove atje, e mua më mbeti gota me verë, qiriri i syrit dhe diçka e zbrazët...


Më mundon, në raste e gjithnjë, ajo që mungon.

Jo pjata në tryezë, jo gota me verë, jo pëllumbat duke e fluturuar nëpër qiellin e amshueshëm të fjalës, jo ëndrrat... por, prekja e purpurit, lëvizja jote, zëri yt! Sado që të gjitha e kanë këtu hijen dhe veten, brenda secilit varg që e le të jetojë me sytë tanë, me gjakun tonë, me ëndrrat dhe synimet, me brezat! Po, e gjitha është këtu e tutje… dhembje…

Ndërmjet rreshtave do ta kuptosh edhe atë që nuk e kam shkruar, dëshirën time për ta ditur a je duke shkruar librin e magjisë.
Atje, sigurisht, ke hapësirë të pakufishme dhe liri, ndërsa – pa dyshim, ke mbetur i ri, me aq vjet sa shkove nga këtu. Dhe, kjo është dhuratë e botës së astralit. Të shkruash gjithnjë dhe gjithnjë bukur dhe gjithnjë të mbetesh i ri. Koha, Maestro, nuk mund të të mundë kurrë!

Tashmë s`je i vetmuar aty në amshim, o Maestro i Mbledhësit të Purpurit, mjeshtër i mbylljes së zanafillës në varg, futjes së ëndrrës në shishe, që të shihet e ndritshme nga të gjitha anët. E kaluara ty të bëhet e sotme, çdo ditë në ikje, të kthehet në të nesërme. Këtë e arrijnë vetëm mjeshtrit.

Udhës nga ike ti, arritën edhe krijues të tjerë. I ke aty edhe ata që ikën para teje... dhe, natyrisht, të gjithë keni ngelur me aq vjet, me sa shkuat nga ne, duke na lënë plot dhembje dhe pikëllim... Si e takove Qerim Arifin, të cilit i kushtove vargjet ndër më të bukurat? Aty e ke Anton Pashkun e heshtur e me ohet e zëshme. A ka zënë të flasë ndonjë fjalë për kërkimet imagjinative, të lëna përgjysmë? Apo vetëm u buzëqesh me ironi herë pas here, si dikur. Natyrisht, si të mos qeshnit, ngase ikët e mes nesh nisi e shkelet madhështia… për fatin e zi e mëkatin tonë.


Eh, Maestro...
 

Më fal, do të ndërhyj pak për dridhjet e së përditshmes këtu. Vetëm pak!...

...Minatorët përsëri i ndoqi fati zemërgurë dhe bënë grevën e heshtjes. Këtë herë ata bënë grevë për sofrën e zbrazët të lirisë. Kërkojnë bukë. Bukë. Bukën e brezave! Fëmijët zgjasin duart drejt tyre dhe sikur në blasfemi migjeniane dikur, ashtu të shtrira e të ngrira mbesin. Në sofër nuk ka çfarë t`u shtrojë baba, nuk ka çfarë t`u shtrojë nënëmadhja! Kjo, s’do mend, do të të pikëllojë ty, por edhe Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Hasan Mekulin, Din Mehmetin, disa prej të cilëve vdiqën duke e përjetuar skamjen e skajshme... Po na ndjek e po na vë përfund mallkimi, po na ngulfat etja për dritën përftuese.

Thonë përditshmëria sterron poezinë. Ashtu si tkurret e zezohet toka jonë e pasur, të cilën e doje shumë. Ashtu si gërvisht e gjymton lëkurën tonë kërbaçi i i satanait, ashtu shtohet vargani i engjëjve përpara derës së ferrit.
Me Ali Musajn, natyrisht, do të jesh takuar për të mësuar për shkumësin e tij, me të cilin shkroi diçka në dyshemenë e një kafeterie në Lagjen e Tabakëve në Gjakovë e çfarë shkroi – mbeti sekret. E Mirko Gashi, a ta recitoi atë poezinë për Lumin, apo poezinë për detin. Është e vërtetë se edhe deti do të jetë i vockël për të na i larë pelenat e fëmijëve tanë, por si duket, edhe deti ka shteruar dhe pelenat mbetën të palara.
A u takua me z. Rugova, a i treguat çfarë mund të shkruani njëri-tjetrit, a mund të shpalosni të fshehtat, të mbani orët e heshtjes me vargjet, me poezitë, prozat, që na i latë këtu trashëgim. Të mallëngjyer e plot dhembje për mungesën tuaj fizike… shumë krenarë e tejet të pasur me librat tuaj të përkryer...

Ka rënë dritë e purpurt në dritaren time, Maestro.
Për nuset tona nuk mund të të tregoj asgjë e mos ma zër për të madhe.. ende janë duke mbledhur kallinjtë në arë, se ende s’është pjekur buka e vjetme. Gjilani mbeti dhembja dhe dashuria jote e pamasë dhe kështu do të mbetet edhe për një kohë të gjatë!


Drita në dritare po vibron, Maestro!

Ja, po ikën edhe një natë e rëndë pa ty. Qiriri është fikur. Në dhomë shtohet heshtja, ka më shumë zbrazëti... Në tryezë ka ngelur shishja e zbrazët e verës, si sytë e mi të skuqur nga pikëllimi. Po agon dhe unë po ta firmos letrën, që do të ta dërgoj në amshim, Mjeshtër i fundit i fjalës së pavdekshme, o Maestro!

Raimonda Moisiu

Raimonda Moisiu ka lindur më 20 shkurt 1957, Korçë - Shqipëri.  Pas mbarimit të studimeve, punon mësuese e gjuhës angleze, në qytetin e Korçës dhe rrethinat e saj. Më 1999 humb bashkëshortin e saj në një aksident automobilistik, dhe po këtë vit emigron në SHBA, si fituese e llotarisë amerikane. Jeton në Hartford, shtetin e Connecticut, USA.
E apasionuar me publicistikën, përkthimet dhe shënimet e udhëtimit, ajo vijon me këmbëngulje për të kërkuar në histori dhe në zhvillimet aktuale, duke evidentuar vlerat më të mira të vendlindjes e të njeriut. Me kalimin e kohës, ngjarjet e jetuara, proza letrare, përkthimet dhe poezia shëndrrohen në pasion të pandashme të saj. Këtë pasion të saj, Raimonda përpiqet që ta shprehë e të artikullojë edhe në shoqërinë në të cilën jeton. Për kontributin e saj të çmuar në komunitet e shoqëris në ShBA, u nderua me Official Citation, me motivacionin si "Gruaja e vitit në komunitet", nga Bashkia e kryeqytetit të Connecticut, Hartford. Aktiviteti i saj është gjithëpërfshirës dhe vije në shprehje nëpërmjet pjesëmarrjes në shumë lista të bashkësive të shoqërisë, amza interneti dhe forume bashkëatdhetarësh në internet. Aty, ajo nëpërmjet shkrimeve publicistike, prozë letrare, poezi, ngjarje të jetuara, dhe opinione të ndryshme për zhvillimin e proceseve shoqërore në Shqipëri dhe në Diasporën shqiptare, përpiqet të tërheq vëmendjen për dukuri të brishta me të cilat duhet të përballohet shoqëria shqiptare. Raimonda është bashkëpunëtore me statusin e gazetares në disa gazeta të pavarura në shtypin shqiptar, Shqipëri, si: "Tirana Observer", "Ndryshe", "Panorama", dhe me statusin e korrespodentës në "Albanian Mail"-Londër, "Fjala e Lirë" - Londër, dhe "Illyria" - SHBA. etj. Raimonda Moisiu ka fituar shumë çmime për krijimtarine e saj letrare.


Tituj të veprave

  • "Jeta mes dy dashurive", - një libër me prozë, ngjarje të jetuara dhe publicistikë.
  • "Dashuria nuk ka emër", - vëllimi i parë me poezi, kryesisht lirika dashurie.
  • "Sikur s'me ke puthur kurrë", - vëllimi i dytë me poezi, kryesisht lirika dashurie.
  • "Duke kërkuar Ardianen...", - përmbledhje me proza dhe ese.
  • "Gërhitja e gjeneralëve", - përmbledhje publicistike.
  • "Pafajsia e Evës", - roman.
  • "Tempulli i fjales", - bashkëautore në këtë antollogji në gjuhën rumune.
  • "Itaka e Fjalës", - bashkëautore në këtë antollogji të botuar nga "Fotjonart".
  • "Zemra Prindërore", - bashkëautore në këtë antollogji në forumin virtual "Mëmëdheu".
  • "Nëna",- bashkëautore në këtë antollogji me prozë, në forumin "Pan Albanian women network".
  • "Tregime", - përmbledhje publikuar nga Shtëpia Botuese "ADA", Tiranë.


  • Poezi nga Raimonda Misiu

    1.Mbushma natën me ëndrra!
     
    Në përhumbjen e qiellit të trishtë,
    Në cudinë e fajshme të së pafajshmes,
    gishtat e dy pëllëmbëve të tua,
    lënë gjurmët e përdala ledhatonjëse,
    duke harruar mëkatin e parë,
    të dytë,
    të tretë…,
    në murin e mermertë të dy shegëve që kuqëlojnë.
     
    Në parvazin e shtratit të argjëndë,
    fillojmë të numërojmë ëndrrat;
    si shtegëtarët e natës në kafazet e kumrijeve,
    nisim të ringjallim filizat me vesë dhe
    në mëngjeset e përflakura,
    shtrati ynë është përplot me ëndrra
    si shporta me trëndafila në belin e drenovares.
     
    I dashuri im,
    ndër pëshpërimat e përgjumura,
    mbushma natën me ëndrra
    dhe nën vezullimin e vështrimit të dritës,
    në verbërinë e trokitjeve të zemrës,
    me orgjinë e luleve të egra,
    nën ritmin e tingujve të ofshamave,
    eja të shëtisim në kopështin e molepsur nga mëkatet!
     
    Eja, pra, ende pret?
    Mbushma këtë natë me ëndrra,
    Ëndrrat-si yjet përmbi shtrat,
    si dy zogj do lodrojnë zemrat,
    Eja pra, mos ngurro,
    sillmë ëndrrat si dhuratë!
    Këtu,
    janë ligjet e endjes dhe përendjes
    Eja t’u nënshtrohemi,
    Të shkëmbejmë bashkë ëndrrat.
     
    Këtu,
    në kulmet e përhimta të etheve përcëlluese,
    të shtratit
    hapma gjoksin më shih zemrën,
    mbushur me të kaltërat ëndrra.
    Eja,
    të grishim zërin e mëkatit të parë, të dytë, të tretë…
    Pafundësisht….
    Mbushma natën me ëndrra,
    Vec kujdes i dashuri im:
    -Ruaju nga flaka!
     
     
    2-Sekretet e mija

    Si një robinë e pasqyrës,shoh
    veten cdo mëngjes në të,
    dhe pikas nga një shënjë të vecantë,
    që askush nuk e vëren,përvec
    syve të mij të zhytur në kujtime,
     
    Janë shënja të vogla, të zbeta,
    të mezidukshme,që m’i dërgon,
    mëngjes për mëngjes,
    një qënie që qëndron mbi një majë
    si një përmendore dhe
    quhet pleqëri.
    Këto shënja ma dinë emrin,
    më njohin mirë, e më thërrasin,
    nga larg,
    si mikroinfarkte të vegjël!
     
    Është një sulm i përditshëm,që
    e pikas vetëm unë,por që
    e shfaros,
    një kamp tjetër, i tërë ,e shfarosës,
    sic shfaros mikroinfarktet e vockla:
    Një e qeshur në mëngjes me shpirt!
     
    Një kamp magjepsës, pafundësisht
    i bukur,
    AI!
    I sekreteve të mrekullueshme të dashurisë!
     
    Ja, ku hesht shtrati…
    Atje flenë kujtime të rrënqethura.
    Atje unë, e vetëm unë,
    vë veshin dhe ndjej,
    rënkime të ëmbla,
    pëshpërima e psherëtima,
    buzë që lodrojnë mbi mishin tim…..
    si një diell i vogël, i nxehtë
    i erdhur nga parajsa,
    vetëm për mua,
    duke mërmëritur emrin tim!
     
    Sekretet e mia…, ato….,
    I di vetëm një qënje e kësaj bote,
    Unë…,
    që si një robinë,
    vështroj veten përditë, në
    pasqyrën e mëngjesit.
     
    Sekretet e mija,
    pengjet e mija,
    futur në një shportë të artë,
    të mbledhura nga kopështi i memorjes,
    nëpër gurgullimat e lumit,
    në oshëtimën e një zëri,
    që më thoshte:
    Të dua!
     
    Dhoma ime e madhe,
    Lagja e gjith’qyteti,
    kontinenti i tërë,
    nuk i nxë dot, sekretet e mija!
    Ato…..
    grumbullohen, si zogj
    të uritur, të vegjël, cicëritës,
    të brishtë e të bukur,
    në të majtë të gjoksit tim.
     
    O zemra ime!C’i ke këto pëllumba,
    strukur aq bukur në blerimin
    e kopështit të vetmisë sime?!
    Plot stërkala të kristalta,
    ujra burimi,
    magji hyjnore,
    me aureolën e përqafimeve dhe
    melodi fyejsh….!.

    Imri Trena

    Imri Trena u lind më 1961 në fshatin Begrace të Kaçanikut. U diplomua në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë. Në vitin 1999 migroi në Norvegji, ku jeton dhe vepron sot. Është themelues dhe kryeredaktor i Radiostacionit “Zëri i Arbërit”. Është arsimtar i Shkollës Shqipe në Oslo, që nga viti 2000. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe ka botuar këto vepra: “Buzëqeshja e tretur”, “Plagë në zemër”, „Shtegtimi i shqipeve”, “Prapa grilave”, “Kosova ime e madhe”, “Andej është Kosova”, „Rruga e hidhur”, “Dhembje e lot”, “Në Kampin Bjonerbek”, “Aromë manushaqeje”, “Mall i (pa)shuar" dhe “Me zërat e Zërit të Arbërit”.
    Poezitë e tij janë perfshirë në disa antologji dhe janë përkthyer në disa gjuhë.


    Poezi nga Imri Trena

    PËR TY JAM KOSTANDINI

    Për ty jam Kostandini,
    i ngritur prej balte,
    i rënduar nga betimi
    i fjalës së dhënë!
    Kostandin dhe Besnik.
    dy emra burrërie,
    me fjalën e shenjtë Besë,
    lidhur me një fije fisnikërie!


    VUAJTJA

    Mos mendo
    se njeriu nuk vuan
    nëse nuk qan.
    Mos mendo
    se nuk digjem për ty,
    edhe kur të kam pranë në gji.


    DËGJOMË

    Nëse mendon se gënjej
    thuama,
    Nëse mendon se qaj,
    hesht
    Nëse sé di sa të dashuroj
    pyetmë
    Nëse të dhimbsem se jam vetëm
    Eja!


    KUDO DO TË KËRKOJA

    S´çuditem kur kërkojnë manushaqen,
    se edhe ashtu mes ferrash është e bukur,
    jam si ai që edhe pas të çjerrash,
    me më të bukurën lule ndjehet i lumtur!


    NJERI
    …të bëhesh Njeri me shpirt të madh.
    është privilegj i atyre që kanë vuajtur.
    Të lindësh i varfër është fatkeqësi
    prej së cilës edhe mund të shpëtosh
    por ta mbyllësh jetën i varfër është më zi,
    me të vetmin ngushëllim krenar
    Mbeta Njeri!



    “DURIM I LODHUR”

    Durim për varfërinë
    n´fëmijëridurim për dashurinë larguar
    durim për rritje vetmuar të fëmijëve,
    durim sipas ligjeve,për të qëndruar
    durim breng- kurbetin për të fituar.
    Urtësi e durimit
    prej Zotit je bekuar,
    durimin e lodhur të jetës sime,
    prej pritjes së gjatë e dua çliruar!…



    MALL
     

    Më dogj malli Gërlica ime,
    pa ty si zogu çerdhe prishur,
    bora ma zbardhi flokun,
    kthimin në vendlindje duke pritur.
     


    SFIDA IME
     

    Të jap sa të mundem dashuri
    në këtë jetë të ashpër u rreka,
    edhepse të mbetesh vetvetja,
    për ironi nuk u shpërbleka.
    Krevat të të florinjtë mund të blej dikush,
    po si unë ëndërrimesh s´bën gjumë,
    paqja në shpirt të madh çmim ka,
    në sfidën time ua provoj unë.



    ___________
    Për "Ora shqiptare": Shaban Cakolli