Donnerstag, 27. August 2020

Ajne Ibërhysaj

Ajne Ibërhysaj

Ajne (Selman) Ibërhysaj, ka  lindur  më 17 nëntor 1973 në Deçan. Ajo ka studjuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan-Shqipëri, dega Bio-Kimi e Përgjithshme. Në kolegjin “Victory”, Prishtinë ka studjuar programin studimor bachelor dhe master “Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci” ku e mori gradën Master i Arteve për Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Në komunën e Deçanit mbanë pozitën e punës, Inspektore e Mjedisit.
 
Veprat:
  • “Dita e gështenjës”, SHP “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020    
  • “Do vij me hijen e erës”. “Lena Graphic-design”,Prishtinë 2020 


Poezi nga Ajne Ibërhysaj


TEMPULL LOTI 

Lufton ta njohësh shpirtin 
Sa herë veten e ndëshkon 
E qorton. 

Harron edhe si të dashurosh 
Ndonjëherë vetveten nuk e kupton 
Si e marrë vazhdon të shtegtosh 
Çdo rrugë e ndërton me pika vese 

Shpirt 
Tempulli i lotit 
Sa i fortë bëhet brenda teje



ËNDRRAT T’I TRAZOJ 

Më pëlqen ta përqafoj thellësinë e shpirtit 
T’i trazoj ëndrrat e vetminë tënde 

Kam dëshirë më shumë se dëshirë 
Te të përqafoj 
Derisa mungesën time të mos e ndjesh 
E harrimi mos të ketë vend 
Më pëlqen heshtjen e përqafimit tënd ta shtrëngoj 
Kur të jam larg teje 
Në çdo vegim dite 
Me drithërima te të zgjoj 

Më pëlqen te të përqafoj 
E ritmin e mëkatit ta përjetosh 
Deri sa të dalin fluturat nga ashti 

Më pëlqen te të përqafoj 
Derisa flaka e përqafimit tim 
T’i kallë krahët për të shtegtuar... 



TI JE VALS, REBEL I SHPIRTIT... 

I dashur 
Nëse një dite vi tek ti 
Ma puth lotin mbi qerpik 
Ma shtrëngo dorën në faqe 
Syrit m’i dhuro filiz pranvere 
Miqësohu edhe ti me borën 
E në atë ditë 
Kujtimet do vallëzojnë 
Me valsin e jetës 
Atëherë zjarri do ketë pushuar 
Unë do vi me hijen erës 
Lehtas do shkel mbi gjethe fjale 
Mos u friko 
Nuk të trazoj as nuk t’i zgjoi ëndrrat 
Edhe yjet në qiell të qetë do i le 

Unë do te vi tek Ti 
Me puhizën e detit 
E me rrezen e mëngjesit do shtegtoj 
Atëherë 
Të gjitha trazimet do i merr qielli 
I dashur 
Ti je vals, rebel i shpirtit...



TI, JETA IME... 

Ditët sikur tokës i bien grusht 
Kufijtë e dashurisë janë brenda nesh 
Puthjet e ngrohin edhe humnerën e ligë 
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike 
Në çdo frymëmarrje marr ajrin tuaj 
Edhe buzëqeshjes i japë ngjyrë 
Mes librave e kall veten 
E gjej edhe shpresën 
Jam aty buzë errësirës e dritë më ke 
Me durim i kap ditët 
I nënvizoj me gishtat e dorës 
Si ushtari i një armate pambarim 
Më mban një qëllim 
Ka një diell ku prehet dashuria 
Do ikë një ditë kjo ekspeditë frike 
Unë jam destinacioni 
Ti je kufiri  
Unë jam ëndrra 
Ti je drita 
E gjithë bota çfarë ka brenda 
Është një pikë loti e shprese 
Unë e Ti 
Jemi vetëm një frymëmarrje 
Jeta ime 
Të puth deri në amshim 

(13 mars 2020)



BALADA E POETIT 

Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin 
Çdo varg e bekon me lotin e diellit 
Me hire apo pa hire kryqëzohen fatet 
Me ferrin jeton e njeriut i dhuron parajsën 

Thonë se kur poetit i buzëqeshë fytyra 
Mbretërit grinden e ai qëndisë vargje 
Shpirti i rebelohet e Zotit i dhuron vetminë 

Pse hyjnitë lotojnë kur dashurojnë 
Pse engjëjt qajnë kur mbretërit kurorëzohen 
Pse dashuritë e mëdha 
Sikur shuhen në rrezen e parë të ditës 
Pse djajtë errësojnë diellin 
E tentojnë të bëhen yje 

Balada e poetit e ka frymën e secilit njeri 
Syri e ka etjen e vargu i bëhet shigjetë 
Çdo shkronjë e brumos me frymën e gjakut 
Guri i bëhet i butë e koka i dhemb nga jastëku 
Acari ia lëndon damaret e zogjtë e shoqërojnë 
Nga gjaku i lind poezia e pastaj shpirti i qan 
Dhimbjet i bën peizazh dashurie 
Vajin e fëmijëve e qëndis me fjalë perëndie 

Edhe shiu kur bie 
Poetit shndërrohet në lumë 
Deti i dhuron shpresat e lumturisë 
Mali e thekë me mall 
Por është edhe i mërzitur 
Se koha ikën e vitet i plagosin engjëjt 
Shekujt nuk kanë zë e koha rrjedhë si lumë 
Por kot nuk kanë thënë 
Se poet lindë e nuk bëhesh 

Edhe bora kur bie poetit sikur i flet: 
Guri ta ngrohë syrin e toka e huaj vdekjen 
E hidhësia e fjalës ia ç’ekuilibron shpirtin 
Ngushëllohet me muret e yjet ia ndien dhimbjet 
Nga shpirti i buron fjala 
E në tokë i mbëltohet si gravitet dashurie 
Shpirti i poetit e ngrohë tokën e qiellin 
Kjo baladë e vargut apo e poetit pelegrin jete 

13 prill 2020



SIKUR DIELLI E KA RISKUN E SHPËTIMIT

Në fushën e vetmisë shuan dëshpërimin 
Ditët i mbështjelli me fragmente jete 
Godet shpirtin me copëza vale
E trishtë dita si peng vjen nata 
Nga gjithçka që ke
Ngjan me qelqin e kristaltë 

Dielli sikur e ka riskun e shpëtimtarit 
Nga laborator doli një zë përbindësh 
E pushtoi botën me egon e virusit 
Nga degët ranë edhe lulet e mollës 
Ditët u shkrin e u ngatërruan stinët 

Teatri hapi dyert e aktorët qeshën 
Toka e Renesancës me partitura loti 
Bota ndryshoi peizazhin e zemrës 
Ëndrra shtetesh u thyen si pasqyrë 
Simfoni kumbuese jete a vdekje 
Përballë ke dy fronte 
Panik e mesazhe shprese

Dielli i marsit kallë shpirtin e ndalë vrullin 
Lidh traktat me veten e rri në shtëpi 
Heshtje e zbrazëti 
Dëgjon aty këtu ndonjë zë zogu mekur 
Mos valle edhe këta 
I ka kapluar kjo pandemi 

Heshtja flet me vargun e murit 
Kalkulime e arritjesh ranë e fjetën 
Mbretëreshë kohe e kurorë jete 
Higjiena e duarve klithmë e vetme 

Sa shumë veten e paskemi gënjyer 
Shpresa nuk ka kujtesë por vetëm lutje 
Sa çudi edhe shekujt ranë në ujdi 
Sa larg e afër e ndiej shijen e mesjetës 
E shenjtë fjalë capitet me frymën e vargut 
Më vret shpirtin e thyhet si qelq 
Në atë diell e shoh riskun e shpresës 
U kryqëzua jeta me hire apo rastësi 
Me ecejaket e dhimbjeve të mesjetës ... 

(24 mars 2020)



SA PAK TË NJOHA ITAKA IME 


Çdo ditë ikën 
Me fytyrën e trishtë 
Me ndërgjegje të thyer 
Ike 
Kthehesh 
Gurët e ftohtë 
Të presin 

Në sy sheh 
Ekspozitë vrastare 
E vizatuar rëndë 
Me vragë shpirti e loti 
Godet thellë e zë nuk ka 
Ikën e flaket me shpresën

Nuk di si ta ngushëlloj zemrën 
As ditë si ta nisë 
Të eci tutje 
Ta braktisë Itakën 
Ta harroj premtimin 
Brengën e pendimin 
T’i marr me vete 
Ta përqafoj Itakën 
Lotin ta lë në galerinë e faqes 
Lehtas t’i përkundë 
Mëngjeset e rinisë 
Me vaje fëmijësh 
Mbrëmjen 
Ta qëndis me rreze ambri 

Nuk di me çka ta mbush mendjen 
Shirat e gjetheve 
Shpesh qajnë me lotin 
Vjeshta ka zënë vend 
E dimrat i ngrohim 
Me pika vese 
Fjalët thyejnë dhembet 
Përqafohen e ndeshen 
Vriten me ndërgjegjen

Nuk e di çka t’i them jetës 
Ëndrrat mbeten si kurorë perlash 
Kupën e dashurisë 
E deha me shpresën 
Rrugët i mbusha 
Me gjerdan lotësh 
Itaka shijoj dashurinë 

Shtegtojmë 
E gjithnjë mbesim të uritur 
Sa pak të njoha 
Itaka ime 
Sa pak ma njohe shpirtin...




NËNË 

Nënë 
Në krahët e tu 
Qetësinë e shpirtit e ndjeva 
Në sytë e tu pashë diellin 
Në prehrin tënd kokën pushova 
Edhe tash e ndjej fjalën 
U rritsh si kokrra e melit 

Nënë 
Kam aq mall për fjalën tënde 
Lotët trupin ma drithërojnë 
E kujtimet ma çmallin shpirtin 

Nënë 
Në çdo frymëmarrje të ndjej 
Më pushton e mbështjellë një zjarr 
Dielli m’i kallë gjethet e pranverës 

Ditët më ikin si zogjtë e vjeshtës