Dienstag, 25. Juni 2013

Edi Shukriu

Edi Shukriu lindi në Prizren më 22 tetor 1950. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në Prizren, ndërsa studimet për arkeologji në Universitetin e Beogradit (1972). Magjistroi në Universitetin e Beogradit (1979) dhe titullin Doktor i Shkencave Historike e mori në Universitetin e Prishtinës (1990). Është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe Kryetare e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK, 2009-).
Është arkeologja e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi Sonte zemra ime feston (1972). Anëtare e PEN qendrës së Kosovës (2004-) dhe nënkryetare e saj (2009-), anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1973-). Ishte shknecëtare vizituese në Universitetin e Harvardit. Mori pjesë në International Writing Program 2005, University of Iowa, USA (2005). Përfaqësohet në antologjitë e autorëve shqiptarë e të huaj.
Deputete e Kuvendit të Kosovës (1992-1998, 2002-2004), Bashkëdrejtuese e Departamentit të Kulturës–UNMIK (2000-2001), Kryetare e Komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës (2001-2004), Nënkryetare e Alternativës Demokratike të Kosovës (2004-). Ishte themeluese e Forumit të Gruas të LDK (1990) dhe kryetare e saj (1995-2000), si dhe organizatore dhe lidere e demostratave të shumta të grave kundër regjimit serb.
Në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtare korrespondente e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.


Veprat

  • 2011 Eminetne albanke, Plima, Ulcinj
  • 2004 Ancient Kosova, Museum of Kosova, Prishtina
  • 2004 Kosova antike, Muzeu i Kosovës, Prishtinë
  • 2000, 2003 Gra të shquara shqiptare, Teuta, Prishtinë
  • 1996 Dardania protourbane, Dukagjini, Peje (Çmimi “Gani Bobi”)
  • 1995 Historia e Kohës së Vjetër – Lindja e lashtë, Prishtinë


  • Libra poetikë

  • 2001 Përjetësi, Dukagjini, Pejë
  • 1990 Nënqielli, Rilindja, Prishtinë (Çmimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës)
  • 1985 Syri i natës, Rilindja, Prishtinë
  • 1980 Legjenda e Hasit, Naim Frashëri, Tiranë
  • 1978 Gjakim, Rilindja, Prishtinë
  • 1972 Sonte zemra ime feston, Rilindja, Prishtinë


  • Drama

  • 1998 Kësulëkuqja e rrokaqiellit, Prizren
  • 1992 Lkeni i Hasit, Rilindja, Prishtinë
  • 1986 Kthimi i Euridikës, Rilindja, Prishtinë
  • 1995 Video-documentar: Prevent the war in Kosova


  • Bashkautore

  • 2010 “Premiers résultats des campagnes de fouilles à Ulpiana (2006-2008)“, Actes du V colloque international de Grenoble (8-11 octobre 2008) sur l’Illyrie méridionale et L’Epire dans l’antiquité, Volum I, Paris, 449-458
  • 1997 Kosova and other Albanians outside Albania
  • 1996 Kosova - The Hungry Future, Food Summit – Rome, Prishtina
  • 1995 Kosova - National Report, Women's IV World Conference, Bejing, Prishtina

  • Autorja ka të publikuar edhe shumë artikuj shkencorë.


    BUSTI ILIR
     
    Sodis me ditë
                   me natë
    bukuria më magjeps
     
    Në përqafim të kohës
    të solla unë
    o
    më more me vete
     
    Buzëqeshja e vrarë
    në mermer skalitur
     
    Shikimi i zënë
    vuajtjen ringjall
     
    Sillet valle e fatit
     
    Sy më sy soditemi
    ti e veshur në mermer
    unë mermer
     
    Në ballin tënd pa rrulla
    zhduken të miat
     
    Syri i Natës, 1986
     
     
    BABAI IM
     
    Babai im
    kishte shtëpi në Prizren
    dhe një dyqan në Arastë
     
    Babai im
    nuk mbante plis
    e nënës plakë “ana” i thoshte
     
    Je turk! i thanë:
    Shko në vatan!
     
    Po babai im
    lis e tis
    me plis
     
    qëndroi
     
    Syri i Natës, 1986
     
     
    RINGJALLJA
     
    Bini daulle të fisit bini
     
    jeni bërë nga lëkurë e trupit tim
    prandaj bini fort e më fort
     
    le të pëlcasë pëlhurë e shpirtit
    dhe zemra me të
     
    mbase sjellin ringjalljen
     
    Dua të vallëzoj
    në ritmin e tingujve paganë
    sa të përgjaken thembrat
    nga thepat e gurëve të zhvendosur
    e trupi të përplaset
    në muret e mendjes së mykur
     
    Pastaj
    le të më quajnë bishë
    dhe le të qeshen gjarpërinjtë
    aq më bën
     
    Dua të bien daullet
     
    Syri i Natës, Rilindja, Prishtinë, 1986
     
     

    QERRJA E ZJARRTË

     

    Sado që na bindin

    Se Qerrja e Zjarrtë

    është imagjinatë
     
    ne e vendosim në të

        Diellin e flakët

    dhe i shtrijmë duart
        të përflakemi
     
    Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
     
     

    FILIGRANI

     
    Fijet e shpirtit
    thurin
    stoli të drithëruara
    të durimit të filigrant
    që s’përtojnë të flasin
    për ëndërrimet e ditëve
    hijen e shijen e moteve
    frikën e lutjet e shekujve
     
    E blatuar me gjuhë pagane
    në rrjetë është zënë gruaja
     
    trekëndëshi i strukur në ornamente
    lut plleshmrinë e vonuar
    edhe në Udhët e Kryqeve
     
    Trajtat e rrumbullakuara
    grishin pareshtur Diellin
     
    me valë të pikëzuara
    rrezatojnë amshueshmëri
     
    Hapur ka krahët shqiponja
    lacërat mbahen fort
    për dritën e gurit me vlerë
    Syin e Keq e hëngërt vetvetja!
     
    Në përjetshmëri
    Nyjëzohen
    Fijet e moteve
     
    Ç’thuret bota
    E pa fill pa skaj
     
    Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
     
     

    BLATIMI

     
    Gjatë u prit nga Zoti
                       shumë u prit             
     
    të bëhet vjellës i vetvetes –
    ta sjellë parajsën në tokë
     
    Të rrallët që panë
    se Zotin e kanë në vete
    u futën nën rrotën e jetës
    ta lëvizin njerëzimin
     
    Blatimi i tyre
    është shpresë
     
    për tokën parajsë
     
    Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
     
     

    LOTI

     
    Vaji  i pa lotë
    loti
    barot

     

    Syri i natës, Rilindja, Prishtinë, 1986

     

     

    MITI I DJALLIT

     
    Zhytem në mitet e botës
    e rrëmbehem flakshëm
    nga bukuria e fjalës së kulluar
    e legjenda e jetës
     
    S’është me rëndësi
    a ishte Enkidu
    duke gërmuar pavdekësinë
     
    apo Ozirisi në kërkim të vetes
     
    ishte Orfeu
    që s’arriti ta kthejë Euridikën
     
    apo vëllai i Doruntinës
    që solli besën
     
    Rishijohen mitet e botës
    në shthurjet e kohës
     
    Veç mitin djallëzor
    mbi Kosovën
    e përlan koha
     
    Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
     
     

    KOKA

     
    S’dua të më hiqet qafe jo
     
    sado që kam  parakaluar ndonjëherë pa të
    nga mosdija idhnake
    o
    tmerri i llahtarisur
     
    Në ecejaket dhijare
    e kam bartur barrë po
     
    s’jam shtatore antike
    që dita të më ndajë nga trupi
     
    as mermer
    që thehet
     
    Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
     
     

    CARPE DIEM

     
    Si ta zë ditën
    të diellnojë çasti
     
    ta prek krahun e futurës
    pa drithërimë ta përkëdhel
    faqen e butë të fëmijës
     
    Eh carpe diem   carpe diem
     
    Si ta zë ditën
    kur bëhet e shkurtër
    ta shoh ringjalljen
     
    Në betejën e moteve
    luajnë me pjellën time
    e dita bëhet tjetërfare
    me motivet e vdekura vërshimë
     
    Si ta zë ditën që ikën
    e zhytur në mote
    që ishin e s’ishin të mijat
     
    Si ta zë ditën
    pa diellnuar çasti
     
    Eh carpe diem    carpe diem
     
    Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
     
     

    NIAGARA

     
    Në pranga e vuri njerëzimi
    e ajo –
    e ndara Niagarë
    rrëmben hatashëm
     
    Pa përfillur kufij
     
    Njerëzimi i përgjysmuar
    ia vështron madhështinë
     
    e zvogëlohet
     
    Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
     
     
     

    FATI QË NUK ISHIM ZOGJ

    Sulmi i policisë serbe në lagjen Ulpiana të Prishtinës, 25 shkurt 1990
     
     
    Ora policore: 21.10
     
    Dritat e qiriut
    Përshëndesin hënën
    në orët e ngujimit
     
    Në banesën e ngrohtë
    dy terroriste mprehin armët
    unë lexoj „Uliksin“
    vajza „Borëbardhën“
     
    TV bluan në vete
    “Shtëpinë për varje”
     
     

    Ora policore: 21.30

     
    Vetëtima çan qiellin
    e predhat nga tanket
    vjellin zjarr
    në bebëzat e syve
     
    Nata bëhet çmendi
    e egërsisë së shekujve
    dhe futet në banesë
    pa fije turpi
     
    Plumbat lotësjellës
    përhapin helm
    e nuk di
    ka më shumë në ajër
    apo në brendi të mitrës
     
    Frymë, frymë!
    tmerrohen muret,
    vazot lotojnë dhunshëm,
    qiriri drithëron vdekshëm
    e Satiri zhvesh lëkurën
     
    Frymë, frymë!
    klith për veten
    si bishë njerëzore e pashpresë
    duke harruar frytin

     

     

    Ora policore: 22.30

     
    Nuk dëgjohet më cicërimë
     
    zogu njëjavësh i ditëlindjes
    ka shtrirë krahët
    e përshëndetjes së fundit
     
    Ëmë e bijë
    hidhemi në përqafim –
     
    loti i hidhërimit
    dëbon lotin e helmit
     
    lotët e frikës
    bëhen lot dashurie
    në natën e egërsisë serbe
     
    Fati që nuk ishim zogj!
     
    Përjetësi, Dukagjini, Pejë, 2001
     
     
    PËRROCKAT E PRIZRENIT
     
    Joshëse ishin kohërat
    kur përrockat hapëronin
    shtëpi më shtëpi
    dhe freskinë ia dhuronin
    ditës së lodhur
     
    Në dëlirësinë e agut
    u falej trupi
    e gjyshet bënin roje
    duke pritur lindjen
     
    Fëmijët e qytetit tim
    i sillte Zana e Ujit
    mu në djep të lindjes
     
    Nën këmbët e zambakëve
    uji s’kishte të lodhur
    motonte notin e jetës
    dhe nxitonte
    në përqafim të Lumit
     
    Përrockat e vendlindjes së moshuar
    ende rrjedhin kujtimeve të qytetit
    dhe s’i ndal kush
    që ta përqafojnë lumin
     
    Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
     
    KALAJA
     
    Shkëmb mbi shkëmb
    u ngrite
    më parë se kohë e gurit
    mbi Lumin e Lotit përkulur
    qytetin e fjetur vështron
    Flij qytet flij
    ushtar i lodhur
                    i kohërave
    vashë e stolisur me shi
    e stuhi veriu e jugu
     
    Çfarë përjetoi kalldrëmi
    me ledhet e larta
    duke strehuar zambakë të bardhë,
     
    Mos  vallë flasin ledhet
    krojzit pëshpëritin
    lebetitin zambakët?
     
    Më dëfto, kala
    për lavdinë
     
    E heshtur je si gjithmonë
    me sy në zemër
    nuse pa goje
     
    Më rrëfe kur takove ilirët
    sa të qeshi zemërguri gaz
     
    Mësova sot një ditë
    i hape kraharor malin
    fëmijës së parë
     
    E romakët kur i pe
    që t’i vodhën fushat,
    i luajte rrënzat
                    t’i dëbosh, t’i largosh
                         në theqafje
     
    Dëfto, kala e pagojë
    për topat mbi supe
    e shpatat harkore
    që t’i prisnin gjymtyrët,
    për thepat
    që i shkule nga gjiri
    kur kuptove, ti urtësi e qytetit
    se
    perëndia nuk fliste shqip,
    dëfto për tregtarët që i mbajte
                               në prehër
    e të shitën në treg
     
    I pe, kala, atëherë fluturimet
    nga çdo anë ku kishin foletë
    kur zbardhoi Prizreni zemërzjarr
     
    Pastaj, i gjeta kala
    në gjirin tënd
    verigat e Avdylit –
                    të ndryshkura
    si çdo të zezë që ndryshk koha,
                    të këputura
    si çdo prangë që këput liria
     
    Qyteti në ninulla ëndërron
    e ti vështron, kala
    hesht
    e me heshtje të gurët flet:
    me Muret, me Lumin, me Rrafshin
     
    Nënqielli, Rilindja, Prishtinë, 1990
     
    NË ULPIANË[1]
     
    Peizazh i shkretë
    tokë e çarë
    ujë pa pa
     
    Kallinj deri në bel
    djerrë
    Faji mbi supe të tokës
    o
    nën të?
     
    Lavërtarët e dinë:
    nuk rritet grurë mbi gur
    e
    ku është guri
    çon krye muri
     
    Lum Marcelin pendarti
    u thuaj çfarë di
    u thuaj ç’ke parë
     
    Ta marr një gur thesar
    t’u bie në lule të ballit!
     
    Unë vetëm pragun e kërkoj
    dyert kush i mbyll?
     
    Lum Marcelin gojarti
    gojëthati
    shtoi fjalët
                sheshi i mermertë
    është këtu
    nën grurë të thatë
    apo në mendjeshterpësi?
     
    Kohë kazmë
    dërmo, nxito
     
    sheshin duhet ta gjej!
     
    Aty në mes
    Qëndron një shtatore
                           pa kokë
     
    kokën pa vaj e mbaj
    hijerëndë, të rëndë
     
    Syri i Natës, 1986



    Burimi: Wikipedia

    Keine Kommentare:

    Kommentar posten