Montag, 24. Juni 2013

Miftar Zagragja, aktivist i palodhshëm në diasporë.

Miftar Zagragja,
aktivist i palodhshëm
në diasporë.

Njeriu që njihet si njëri ndër aktivistët më të shquar që ka pasur mërgata shqiptare në Austri është padyshim z.Miftar Zagragja. Ai ka emigruar në Austri që në vitin 1992. Miftari si shumë shqiptarë tjerë e përjetoi terrorin dhe barbarzmin serb me lekurën e tij, ai u detyrua nga pushtuesi serb te marrë rrugën e mërgimit pas torturave që kishte përjetuar. Qysh atëherë dhe deri më sot asnjëherë nuk e ndërpreu aktivitetin politik dhe kombëtar. Pranë punës së palodhshme për ta mbajtur familjen në Kosovë, ai u dallua me aktivitetin e tij kombëtar. Angazhohet në Fondin e Republikës së Kosovës në nivel të Austrisë, në kuadër te të cilit do e jep kontributin e tij maksimal në grumbullimin e mjeteve financiare për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

 
Përkrahja e Fondit të Qeverisë së Kosovës në ekzil

Që në fillim të bisedës Miftari i bëri një vështrim të kaluarës dhe aktivitetit gjithëpërfshirës kombëtar të mërgatës shqiptare në Austri. Potencoi faktin se falë pikërisht angazhimit dhe sakrificave për shumë dekada të patriotëve të mëdhenj shqiptarë, çështja e Kosovës dhe kauza e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, arriti të dalë në krye të agjendës politike të faktorëve më relevantë ndërkombëtar. Kjo kauzë u bë vazhdimësi legale e kërkesave gjithë popullore për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, në krye të së cilës qëndronte lideri ynë historik, dr. Ibrahim Rugova.

 Duke folur me krenari për punën dhe aktivitetin e mërgatës shqiptare në Austri, më konkretisht për Fondin e Qeverisë , pjesë e të cilit për shumë vite ishte edhe z. Miftar, me theks të veçantë na foli për rolin që ka luajtur ky institucion financiar në grumbullimin e ndihmave dhe mjeteve të nevojshme. Këto fonde u shndërruan në institucione të pazëvendësueshme për financimin e shtetit paralel të Kosovës, që në fakt paraqitnin formën konkrete të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Miftari dhe shumë aktivist tjerë në Austri të Epërme, tërë angazhimin e tyre e bënin kryesisht mbi baza vullnetare si dhe me shpenzime personale. Po ashtu, gjatë kohës së luftës në Kosovë Miftari ka qenë edhe kryetar i Grupit të Emergjencës për Austri, i themeluar nga qeveria jonë për nevoja urgjente të popullatës së dëbuar nga Kosova.

 Ai tha se ndjehet krenar që si qytetar dhe mërgimtar ka arritur t’ia bëjë një argat të çmuar atdheut si dhe popullit të shumëvuajtur, që j’u dha rasti të jetë bashkëthemelues i shumë fondeve humanitare dhe financiare që janë formuar në Austri dhe më gjerë në Evropë

 Përveç ndihmave financiare, kemi udhëhequr dhe ndihmuar me sukses edhe disa aksione tjera financiare siç ishte; “Ndihma për Drenicën”, “Ndihma për shkollën shqipe”, “Gjithçka për Pavarësinë e Kosovës”, „ Ndihma për femijët e sëmurë“ dhe „Ndihma për Univerzitetin e Tetovës“ . Edhe organizata Austriake na ndihmuan në grumbullimin e ndihmave si „Volkshilfe“ dhe „Badea“.

Në fund të bisedës, ai foli për rolin e mërgatës shqiptare në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, z. Miftar, tha se pa mërgatën shqiptare dhe pa punën e palodhshme të aktivistëve të saj, pa patriotizmin dhe sakrificat sublime të mërgimtarëve, pa punën e saj në planin e internacionalizimit të çështjes së Kosovës (demonstratat, protestat, takimet me faktorët vendas, shpërndarja e materialeve informative, vizitat në çdo nivel tek faktorët vendas, etj,) vështirë se çështja e Kosovës do të afirmohej në botë. Me një fjalë, vështirë se do të çlirohej, sidomos jo pa ndihmën e NATO-s dhe faktorëve relevantë ndërkombëtarë.

 
Për një Kosovë ku sundon ligji

 Miftari dhe shokët e tij e dëshirojnë një Kosovë ligjore dhe funksionale, zhvillimet momentale dhe funksionimi i shtetit të ri lë shumë për të dëshiruar, e sidomos ҫasja ndaj diasporës. Ata thonë se nuk është e ndershme që institucionet e shtetit të shkojnë deri atje sa ta “harrojnë” kaq shpejt këtë “kopsht” të madhë e tepër të rëndësishëm për të cilin më shumë se çdo kujt tjetër i është dashur, i duhet sot dhe do ti duhet edhe për shumë e shumë vite shtetit të Kosovës.

 Mërgata shqiptare është i vetmi „burim“ që i sjellë Kosovës miliarda euro në vit pa kamatë dhe pa interes. Me ndihmën dhe kontributet e kurbetçarëve shqiptarë përpos familjeve të tyre, po ndihmohen mijëra familje tjera skamnore anë e mbanë Kosovës.

 Në mesin e mërgatës shqiptare Kosova mund të gjejë ekspert të të gjitha fushave që kanë një kulturë të lartë profesionale. Jo pak shqiptarë në BE janë dëshmuar dhe kanë bërë emër në politikë, arsim , letërsi, sport, art figurativ, mjekësi, muzikë, teknologji, ekonomi,. Nuk janë të pakët shqiptarët në Evropë, e gjetiu në botë që kanë krijuar biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha, që udhëheqin në ekonomi, administrata e fusha tjera të rëndësishme për të cilët, Kosova më tepër se kurrë ka nevojë ti fusë në funksion të institucioneve shtetërore. Thithja e këtyre përvojave dhe kuadrove në mënyrë institucionale dhe pa xhelozi nga grupe të interesit siç mund të mendohet ndonjëherë, përveç që do ti forconte në masë të madhe institucionet kosovare, do të sillte natyrshëm një kulturë pune dhe një frymë të re evropiane në funksionimin e institucioneve shtetërore. Në mënyrë të veçantë do të krijonte ura të forta bashkëpunimi me kuadrot e mirëfillta në Kosovë.

 Nëse udhëheqësit shtetëror, sado pak i kthejnë sytë nga ky grup qytetarësh që quhet mërgatë, padyshim se mund të vilet çdo gjë e mirë që i duhet Kosovës. Me keqardhje mund të thuhet se aktualisht Kosova ka shkëputur të gjitha lidhjet me mërgimtarët e saj. Ata as nuk pyeten, as nuk dëgjohen e as nuk përfaqësohen në asnjë nivel shtetëror, thotë ky grup i aktivistëve nga Austria e Eperme.

/Bota sot/

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen