Dienstag, 25. Juni 2013

Hekuran Miraka

Hekuran Miraka

      Hekuran Miraka, u lind më 17 tetor 1966 në Gramsh. U diplomua për Gjuhë -Letërsi në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan në vitin 1989 dhe punoi për disa vite mësues në shkollat e Gramshit. 
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i klubit të shkrimtarëve "Kostandin Kristoforidhi" dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë "Drita".
Jeton në New York - SHBA.

 Libra të botuara nga ky autor:
  1. "Pëllumbat e egër" - Poezi
  2. "Helena është nga Sulova" - Poezi
  3. "Lirika" - Poezi
  4. "Në emër të Zotit" - Poezi
  5. "Mëkat i shenjtë" - Poezi
  6. "Sulti për vete dhe të tjerët"- Studime
  7. "Vejusha me kalë" - Tregime
  8. "Mishra të tretur" - Roman
  9. "Fronti pa emër" - Novelë


Poezi nga Hekuran Miraka


PËRRALLAT E DIMRIT

Ka thyer paq dimri gjunjët.
Në oxhak zjarri bëhet më i kuqur.
Veten kam ndarë përgjysmë ,
Gjysmën e kam mbyllur,
Gjysmën e kam jashtë .
Në çengelin e gjyshërve varur mbi zjarr
Ziej i kujdesshëm përrallat,
Me ujin që shurrin gjerbat ...
I fryj zjarrit me frymën time.
Ta zgjoj nga hiri që e fsheh .
Jashtë buza e erës ngre gulçe bore.
Brenda buza ime këna thinje ngreh.



BALADË E VJETËR

E vë kokën përmbi shtuf , e mbaj vesh.
Regëtin. Pipëtin .
Bulë e ujit nën brinjë.
Zgjedh një gur për jastëkë.
Një tjetër e jap borxh.
Në kuvlinë e terur bosh.
Ringrihem dhe ringjallem si mirakë .
S'më paskeni parë?
Po njohur, kurrsesi!
Mbushni ujë vromëtarë!
Për së dyti, mos u ktheni!


NË HOLLIN E HOTELIT

Sipas ligjit, më pyetën për emrin.
Pastaj për mbiemrin,
Pastaj për nënën.
Pastaj për qenin e nënës .
(Babai më ka vdekur , ka kohë.).
Pastaj për të dashurat e qenit të nënës.
Pastaj për të dashurat e qenve të nënës.
Vajti zinxhiri shumë i gjatë.
Si palokët e fiqve të Roshnikut,
Që shiten të finjosur për dimër.
Unë thashë, pastaj ...
Sipas gjykimit që ka ligji,
Më çregjistroni!
Jam me faj.



FALLI ME PETALE

Kur shkulja petalet e Luledeles ,"më do", "s'më do",
Nuk kisha kohë të mendoja se çdo të ndodhte më prapa.
Petalja e fundit më xirrte gjuhën dhe tallej me mua,
Herë thoshte, "më do".
Dhe herë thoshte "jo" .
Luledelet janë në livadhin pas shpinës sime.
Prilli i rrit, vjeshta i mbjell.
Vetëm gishtat e mi sillen ndryshe.
Petalja e parë është djalë.
E dyta është vajzë.
Aty janë Luledelet.
Në livadhin e kokës sime.
Tani janë bërë gishta në duart e mia.
Thyej të parin
Më shqetëson meraku për djalin.
Thyej të dytin, krrak!
E syri më shkon nga vajza .
Vetëm gishtin e fundit nuk arrij ta thyej vetë.
Ma këput dimri në mes...



MË PASKA MARRË MALLI DHE S'E PASKAM DITUR

Më paska marrë malli dhe s'e paskam ditur ,më parë
Të mori malli për t'ët ëmë dhe më mungove ca ditë .
Darkave zë qoshen time dhe pres fëmijët
Vijnë një nga një Hi ! Ba . Hi ! Ba . ,,,,,,,,, Kaq .
Fëmijët përplasin gishtat në tastierat e kompjutrave.

Dhe qeshin secili për vete
Pëplas si ata dhe unë noçkat e mia
Në një tastierë të madhe pa shkronja.
Si një jetim malli,
Që nuk do të qeshi ..




KARTOLINË E ARDHUR DORAZI

Aristofani dehu pellgun dhe më dërgoi kartolinë urimi.
"Pellazg", Gëzuar!
Grekërit e mi nuk mbajnë mend ç'u sjell fundviti .
Kanë hapur ankandin e dërrasave për kalin e thatë.
Ju deri atëherë do të jeni bosa,
Sa të kaloni falas moçalin ku çirret "Kori i Bretkosave".



THINJAT E MULLIXHIUT

Një thes bereqeti jam tani.
Më kanë mbledhur kokërr më kokërr të tërin.
Po më hedhin në grykën e një mulliri,
E po më bëjnë miell.

Shoh vargun e gjatë të barrëtarëve në rresht, tek sa bie.
Ca nuse të reja, që kërkojnë leje të bluajnë pa radhë,
Ca djem të rinj, që luten tek mullisi
Për miell të butë për petulla dhëndurësh .
Ca pleq, që s’kanë gajle se bluajnë të fundit .

Në nofulla gurësh bëhem miell.
Asgjë nuk më dhimbset.
Veç flokët e mullisit,
Që pas çdo barre thinjet, e thinjet … .

Keine Kommentare:

Kommentar posten