Dienstag, 25. Juni 2013

Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja

Frederik Rreshpja lindi në Shkodër më 1940. Disa biograf ditëlindje të tij marrin vitin 1941. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Shkodër. Për shkollimin e tij të mëtejm nuk ka të dhëna të mjaftueshme, por dihet se në vitin 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi „Rapsodi shqiptare“. Kjo vepër dhe punimet e tij të botuara në gazetat e përditëshme dhe revistat e kohës u pritën mirë nga kritika e avancuar, por u morën edhe si shembull për ta ndëshkuar. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Ai, herët ishte kualifikuar si armik i vendit, që kur ishte nxënës i fillores, kur një fqinj i tij, puntor i Shërbimit informativ, nuk e la vajzën e vet të shoqërohet me Rikun.
Opusi krjiues i Frederik Rreshpjes nuk dihet në saktësi, por, thuhet se ka thasë përplot me dorëshkrime. Pasi doli nga burgu, botoj vëllimet “Erdhi ora të vdes përseri“ - 1994, „Lirika të zgjedhura“ - 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi“ që u botua në vitin 2004, i cili ia solli titullin –poet i vitit 2004.
Në një intervistë të botuar në vitin 1992 Frederik Rreshpja pat thënë: „…Gjithë ç’kam pasur e kam humbur. Nuk ankohem nga fati im…Nëse rri me njerëz, këtë e bëj vetëm për edukatë…Kohën e kaloj në dhomën time, i vetmuar…“. Megjithëkëtë, Riku, siç e quanin shokët, të cilët i kishte të paktë pasi doli nga burgu, jetonte në Tiranë, por shpesh ndodhej edhe në Shkodër në ndonjë promovim apo manifestim kulturor. Nuk ishte i interesuar që të përcaktohet politikisht, sepse thoshte, “… mua nuk më intereson politika. Arti është më i gjërë…“, andaj Frederiko Rreshpja iu përkushtua punës letrare. Ai ishte kryeredaktor i gazetës „Ora“, udhëheqës i një shtypshkronje dhe pronar i Shtëpisë Botuese „Evropa“, veprimtari këto që nuk i sollën përfitime të mëdha, por kishte pasuri të madhe bujarinë e tij, sepse, edhepse e dinte se kush ishte denoncuesi që e rraskapiti nëpër burgje, ai nuk u hakmor.
Poezitë Frederik Rreshpjen e bënë të famshëm që herët, sepse u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por, pasi e denoncuan, ato ia hoqen. Mirëpo, për të edhe më tej shkruhet në superlativ. Ja çka thonë disa njohës të letërsisë, e posaçërisht të poezisë: Hans Joacim Lanksch „… vepra e Frederik Rreshpes është poezi e dorës së parë e kalibrit europian“, Robert Elsie :“… që në rininë e tij Rreshpja ka qenë një poet tronditës“, Henri Izrael, botues amerikan: “… është një poezi tronditëse dhe me një mjeshtëri që ne amerikanëve na mungon“, Ivanov, kritik rus: „… ne kemi Pushkinin, Jeseninin, dhe shqiptarët duhet të jenë krenarë që kanë një poet të tillë“. Leo dë Rua, kritik francez: “… u trondita nga ky njeri që përmban një gjenialitet ballkanik, që është vendi i lindjes së artit,“ Ismail Kadare: “… Frederik Rreshpja është ndër poetët më të mirë të Shqipërisë“.
Frederiko Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetmuar, sepse nuk ishte i martuar. Vdiq 17 shkurt Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjërë, dhe u varros më 18 shkurt 2006, në varrezat „Rrëmaj“ të kishës katolike në Shkodër. / Wikipedia

Tituj të veprave
  1. Rapsodi shqiptare - 1967
  2. Erdhi koha të vdes pësëri - 1994
  3. Lirika të zgjedhura - 1996
  4. Në vetmi - 2004

Shpërblimet
  • Vëllimi më i mirë me poezi (Lirika të zgjedhura)-1996
  • Poeti i vitit 2004-për vëllimin me poezi "Në vetmi"


Poezi nga Fredrik Rreshpja


DITA E GJAHTARËVE

Na zuri mëngjesi në udhë
Moj kapelja ime e vjetër
Rrugë, ré. Përpara hieroglifja e madhe e ditës.
Kyçin e saj e mban nata.
Lumi Je është shumë larg
Po mua pse më zë malli për toka që nuk i kam parë kurrë?
Vetëm zërin e tyre e kam parë te Li Bo.
Verës që shkoi kisha një stap që u bë shelg te prroi i vjetër.
Do vinë zogjtë, do bëjnë fole
Dhe ne nuk do të jemi më të vetmuar
Moj kapelja ime e vjetër.
Deri në ditën e gjahtarëve.
Gjahtarëve të mallkuar.



DIMËR

Bie dëborë. Rënkojnë
Qerret e lodhura si një kor tragjedish antike
Në udhën e fshatit
Dhe mua m'u kujtua pabesia jote.
Sigurish dëborën e ka shpikur një hyjni e pabesë
Mëpastaj Zoti i tradhtuar vështronte
Fushën e mbuluar me qefin.
Si për një të vdekur madhështor.
Ah, si të shkoi ndërmend pabesia!
Si të shkoi ndërmend dëbora!
Më ke dashur shumë.
Por erdhi një ditë që shpike dëborën.
Tani udhët janë zënë.
Dhe unë rri e vërej fushën ku vdes madhërisht dashuria.



MIKE E VJETËR

Jo, ti nuk je zbardhur mikja ime e vjetër
Por amalgami i çmendur i pasqyrave
Të ka mbuluar në dimër.
Ik nga pasqyrat,
Pellgjet janë më të ndershëm
Sepse të bëjnë narçiz.
Si ike kaq befas?
Kështu tërë ikje ke qënë dhe në rini...
Të kërkova nëpër hollet e hoteleve,
Vetëm diku në një bar të vjetër,
Si një krah i thyer pulëbardhe,
Kishte mbetur pak dimër nga ti.



VIZATIME

I
Mos i beso magjisë së mallkuar
Të telefonit të zi
Dërgomë një fjalë nëpër telat e vetëtimave.

II
Një dorë plumba mbi xhamin e stendës.
Metal vrasës! Atje te rrënjët e tërmeteve.
Vallë nuk e ke ditur që në këtë botë ka edhe statuja?



VJESHTË 1990

Qan dreri në korije dhe lotët bëhen shi
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndrrat e pyjeve një nga një
Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit
Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë orë mbi stinët!
VINJETË
Një shelg i vetmuar, mbuluar me dimër
Braktisur nga zogjtë dhe gjethet:
Era, si ketër kërcen mbi drurin
Me boçen e shiut ndër dhëmbë
Netët e lumtura, si zilka
Tringëllijnë në degët e kujtesës…
Vizatohen në sfond të vetëtimave
Hënëzat që hëngrën dhentë e vjeshtës
Rënë nga xhami i thyer i qiellit
Kristal i akullit yllëzon netëve
Dhe mbi pastelet e borës mardhtë
Shelgu i trishtuar, fatkeq si Serembe



PËRGJITHMONË

O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.
Kur të mbyllen sytë e mi, nuk do të ketë më det
Dhe varkat e lotëve kanë për të ngecur në stere.
Shkoj dhe shirat po i lë të kyçura
Por do të kthehem përsëri në çdo stinë që të dua.
Unë kam qenë trishtimi i botës.
O ajr i mbrëmjes mbështillmë, erdhi ora të vdes përsëri.



SHI HËNE

Si arlekin që del për shëtitje
Në kopshtin e harruar të fëminisë,
Hëna e pikëlluar nëpër ré
Shkel mbi degët e shirave.
Liqeni i vetmuar në breg të natës,
Shqetësohet në krahët e erës
Dhe thellë sirena e dallgës së kaltër
Loton mbi fytyrën e fjetur të legjendës.
Yjet në asfalt si perëndim i thyer.
Dhe plepat si murgjër të zinj.
Fshehur pas drurëve diku përgjon
Vrasësi i vjetër, trishtimi.
Eh, mundet që thika e trishtimit
Diku përdhe ka për të më lënë,
Fshehur nën një perëndim të thyer
Fshehur nën shira hëne...



PASQYRIM

Çdo pasqyrë e ka një statujë timen brenda.
Statujat fshihen pas amalgamës.
Ne fshihemi pas statujave.



DASHURI E HUMBUR

Dola nga guernika e kësaj nate
I vrarë egërsisht,
Kali i zi i pikëllimit
Në shtegun e vjetër më priste.
Kali i zi i pikëllimit ç’më rrezoi
Dhe rashë si në ballada;
Gdhendur në gravurat e vjetra,
Përmbys mbi shqytin e natës.
I vrarë nga një pranverë e kotë,
Braktisur nga bota e tërë,
Vetëm kali i zi i pikëllimit vjen rrotull
Dhe qan për të zotin e vjetër.



ARLEKINËT

Ikën arlekinët e trembur nën çatinë e përrallës
Kur putha për herë të parë.
Qau vajza e vogël: por kushedi
Ndofta qante fëminia. Në kopsht
Nga dritarja e përrallës, arlekinët
Vështronin të trishtuar, tërë lotë.
Nuk desha t’i tremb arlekinët e mirë,
Nuk desha por nuk bëj ndryshe
Si nën çdo mollë, bile nën çdo dru
Kurdoherë një evë më priste.



QIELLI I DJALËRISË

Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
Ra mbi korijen me përralla;
Nga kashta e kumtrit bie dhe bie
Tërfili i artë i qiejve.
Këmbanat e yjeve lëkunden me hare
Prerë nga hëna e majit.
Qielli i djalërisë në sqep të një zogu
U zhduk pas portës së ylbereve.
Zhduket pas portës së ngjyrave djalëria
Dhe mua trishtimi më mbulon
Nën një hënë që nuk di të buzëqeshë,
Në një botë që nuk më kupton.



AVE, NËNA IME!

Rri në shi. Kjo është e vetmja gjë që dua.
Ç'është ky? Pyesnin pikat e shiut mbi ballin tim
Kështu kam dëgjuar zërin e shiut
Një ditë vere rrëzë lisit plak
Te porta lënë hapur për zogjtë.
Ah, kur isha i ri dhe i bukur kujtonja
se tërë shirat e botës binin për mua
po tani që kanë kaluar kaq shumë vite
e di se s'ka asnjë kuptim që bie shi
Iku dhe nëna ime nën një shi prej mermeri
nga arkeologjia e perëndive që rrëzoheshin
Ave, nëna ime!
Vetëm tek ti kam besuar
Zot tjetër nuk kam patur kurrë. Amen!



KRONIKË

Një gjethe u bë zog dhe vajtoi mbi ullishte.
Nga fshati kundruall dolën pleqtë,
Rendën pas shpirtrave që silleshin në ajër
drejt Kashtës së Kumtrit
Të vrarët i rreshtuan në sheshin DEMOKRACIA
mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë.
Por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme,
të lira dhe korrekte. Ashtu edhe TV-të
Pastaj lanë gjakun
Te ullishtja me drurët e përdredhur nga dhembja
Ah! Ullinjtë e Shqipërisë dhe paqja juaj e mallkuar.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen