Mittwoch, 10. Juli 2013

Salih Zogiani: Anekdota - Margaritar i trashëgimisë shpirtërore

ANEKDOTA–MARGARITAR
I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE,
QË TË LIDHË DHE TA SHUAN
MALLIN PËR ATDHEUN

Nga Salih Zogiani

- Dojeni atdheun sa e duan mërgimtarët -

Mërgimtarët tanë nuk janë më vetëm ata sharrëxhinjtë e dikurshëm, siç i përshkruante Esat Mekuli në poezitë e tij, por janë edhe veprimtarë e krijues të lëmenjve të ndryshëm, si: shkrimtarë, gazetarë, piktorë, artistë e sportistë të dalluar.
Rrugëtimi i popullit tonë gjatë historisë ishte shumë i rëndë, nën sundimin shumëshekullor të perandorive: romake, bizantine, osmane, e sidomos okupimi sllav ishte më i egri, i njohur për projektet famëkëqija të zhdukjes së popullit shqiptar dhe trashëgimisë sonë. Edhe në luftën e fundit, sikur para 120 vjetësh (kur u shpërngul me dhunë popullata shqiptare nga Toplica), pasi u shpërngulën mbi një milion banorë nga Kosova, filloi zhdukja e gjurmëve të trashëgimisë duke përdorur edhe ekskavatorët.
Gjatë këtij rrugëtimi kaq të rëndë, një pjesë e popullatës u detyrua të emigronte jashtë atdheut, në shumë vende të Botës, duke filluar me arbëreshet e që vazhdoi deri në ditët e sotme. Në këtë mënyrë, në vazhdimësi, tkurrej territori dhe zvogëlohej popullata. Kjo e dhënë mund të dëshmohet me toponimet e shumta, të ngelura në vendet përreth, si dhe me begatinë e trashëgimisë kulturore shumë të larmishme, në një hapësirë kaq të vogël, ku jetojnë sot shqiptarët.
Njeri nga vendet demokratike, që mund të quhet edhe djep i demokracisë, që pranoi të strehonte një numër të madh mërgimtarësh shqiptarë, të larguar nga vendlindja, nga dhuna ose nga gjendja e rëndë ekonomike, është Suedia. Këtu, te populli i qytetëruar suedez, mërgimtarët tanë gjetën, përveç strehimit të sigurt, edhe mikpritje, mirëkuptim, respekt e tolerancë. Në bazë të kësaj përkrahjeje, u bë e mundur që të hapeshin shkolla në gjuhën shqipe, të formoheshin shoqata e shoqëri dhe të zhvilloheshin aktivitete kulturore.
Si populli, po ashtu edhe shteti suedez, përveç përkrahjes për mërgimtarët, gjithnjë ka mbajtur anën e së vërtetës për Kosovën dhe ka ofruar ndihma materiale. Për ketë arsye, nga dora kriminale, u vra e ndjera z. Anna. Këto të mira nuk duhet harruar asnjëherë. Më vjen mirë kur dëgjoj që veprimtarët suedezë, që përkrahën Kosovën dhe mërgimtarët, në shenjë respekti, përkujtohen nga krijuesit tanë mërgimtarë, duke u kushtuar edhe vepra arti. Zoti i shpërbleftë këta dhe gjithë popullin suedez.
Mërgimtarët tanë, kur shkuan në mërgim, si duket, me vete morën një pjesë të trashëgimisë shpirtërore - anekdotat, e ato sikur u shuanin mallin për atdheun. Një mërgimtar nga Amerika më tha njëherë: “Edhe pse jetoj gjatë në Amerikë, asnjëherë nuk i kam parë ëndrrat në Amerikë, por gjithnjë në Kosovë”.
Me qellim të ruajtjes së gjuhës dhe traditës, në mungesë të përkrahjes institucionale të diplomacisë së shtetit shqiptar, intelektualët mërgimtarë, të bashkuar, u angazhuan në organizimin e jetës shoqërore. Këtu u formua edhe Shoqata “Papa Klementi XI Albani”. Kjo shoqatë, tani e konsoliduar, veprimtarinë e vet e ka shtrirë në shumë fusha të jetës shoqërore në diasporë, siç janë: arsimi, kultura, shkenca, përmes organizimit të aktiviteteve kulturo-arsimore. Veprimtaria e saj është e gjithanshme, duke filluar me sensibilizimin e opinionit suedez e më gjerë, për gjendjen e rëndë në Kosovë, mbledhjen e ndihmave për Kosovën, të cilat vazhdojnë ende, për familjet në nevojë (P.sh., ndihmat që ofron z. Halim Hoti e të tjerë). Këto ndihma bënë të mundur që populli i Kosovës të mos gjunjëzohej asnjëherë. Edhe kohë më parë, me rastin e shënimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, shumë mërgimtarë udhëtuan për në Vlorë e në Tiranë, e disa edhe në këmbë prej Kosove në Shqipëri. Unë isha i ftuar nga Shoqata juaj dhe momentet që kalova me ju, në Vlorë e në Tiranë, nuk do t’i harroj asnjëherë.
Ne shqiptarët kemi trashëgimi kulturore me të cilën mund të krenohemi para botës. Mirëpo, jemi vonuar shumë në prezantimin e saj. Një pjesë e trashëgimisë sonë ka hyrë në regjistrin e thesareve botërore, siç janë: Lokaliteti arkeologjik i Butrintit, Gjirokastra, Berati dhe Kënga polifonike, të cilat tani janë edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s. Gjithashtu, kur na është mundësuar që të marrim pjesë në manifestimet e ndryshme ndërkombëtare, kemi marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme (rapsodët Salih e Feriz Krasniqi, në Festivalin Botëror të Folklorit në Langolen të Anglisë, Vallja e Shqipeve në Festivalin ndërkombëtar në Dizhon të Francës, Ansambli Autokton Rugova, Ansambli Shota, stolitë tona në një ekspozitë ndërkombëtare në Nju-Jork etj.). Me angazhim më të madh mund të arrihet që edhe vlerat e tjera të trashëgimisë sonë, si: këngët kreshnike, veshjet, vallet, stolitë dhe anekdotat të përfshihen në regjistrin e thesareve botërore.
Është mrekulli se si në rrethana të tilla të rrugëtimit kaq të rëndë, pa liri dhe pa shkollë, arritëm ta ruanim gjuhën dhe traditën tonë. Ne jo vetëm qëndruam dhe i përballuam të gjitha katrahurat, por arritëm t’i jepnim botës njerëz me famë, si: 2 papa, Skënderbeun, Jan Kukuzelin, Sami Frashërin, Hasan Tahsinin, Nënën Terezë, Kadarenë, bile edhe mbretër e perandorë.
Trashëgimia kulturore, qoftë materiale qoftë shpirtërore, është thesar pa të cilin nuk mund të shkruhet historia, prandaj kemi për detyrë që këtë thesar ta ngremë në piedestal. Populli që vlerëson trashëgiminë dhe kulturën, pra të shkuarën, ai popull ka prosperitet, ka të ardhme.
Trashëgimia është tapia e kombit, thotë Lasgush Poradeci. Sa më e fortë të jetë kjo tapi, aq më i fortë do të jetë kombi. Ndërsa, Gjergj Fishta thotë: “Tradita jonë dhe Kanuni janë palca e kombit”. Falë Kanunit, populli ynë nuk iu nënshtrua ligjeve të okupatorëve. Të rralla ishin rastet kur kërkohej këshilla nga Kadiu, por kërkoheshin nga urtarët, si: Binak Alija, Xhemajl Abria, Ramadan Shabani, Tahir Berisha etj. Rroli i odës dhe i krijuesve të trashëgimisë është shumë i madh në ruajtjen e identitetit kombëtar. Është interesante anekdota për bisedën e Tahir Berishës me oficerin serb, kur i përgjigjet me metaforë: - këtu jemi para dreqit, ose kur Ramadan Shabani, në Shkodër, i thotë delegacionit evropian: -ne shqiptarët, në bazë të traditës, edhe rrogëtarit, kur punon gjatë, i japim hise, kurse ju, në tokën tonë po doni me na lanë pa hise.
Unë një kohë të gjatë merrem me mbledhjen e një pjese të trashëgimisë shpirtërore - anekdotave. Gjer më tani kam botuar 5 libra me anekdota shqiptare dhe një libër të përkthyer në gjuhën angleze. Botimin e fundit “Anekdota shqiptare 5” ua kam kushtuar mërgimtarëve në shenjë respekti për kontributin e dhënë, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë botim, 22 tregimtarë dhe recensuesi i librit, z. Gani Bytyçi, janë mërgimtarë. Ky botim është përfshirë edhe në Programin “Ditët e diasporës 2012” të Ministrisë së Diasporës dhe është promovuar në Prishtinë, Cyrih dhe në Bernë, në kuadër të këtij Programi. Në hyrje të këtij botimi shkruan: “Dojeni atdheun sa e duan mërgimtarët”. Ky konstatim është nxjerrë mbështetur në kontributin dhe dashurinë e mërgimtarëve, shoqatave e shoqërive, për atdheun në çdo kohë. Vlen për t’u veçuar kontributi i “Vatrës” në Amerikë, në momentet vendimtare, kur vendosej për fatin e Shqipërisë. Noli, kur merr konfirmimin se Amerika do ta përkrahë çështjen shqiptare, thotë: “Mbahu, Nëno, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë!” Nuk duhet harruar kontributi i mërgimtarëve tanë gjithandej për sensibilizimin e opinionit botëror dhe ndihmat financiare që i dhanë në momentet më të vështira për Kosovën. Këto kontribute duhet të shkruhen në histori me germa të arta, thotë redaktori i librit, z. Sulejman Dërmaku. Gjithashtu duhet që në një kënd të Muzeut Kombëtar të shënohen të gjitha kontributet e mërgimtarëve dhe rroli i tyre për pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës, duke filluar nga Skënderbeu, Hasan Prishtina, Ismajl Qemali etj., ngase pa këto kontribute e sotmja jonë nuk do të ishte kjo që është.
Anekdotat, që në popull emërtohen si: mesele, heqaje, bende, rrotulla, janë margaritarë të urtisë dhe të filozofisë popullore. Në anekdota trajtohen cilësitë e virtytet njerëzore, si dhe veset e dukuritë negative individuale apo shoqërore. Ato shprehen përmes afirmimit të vlerave, si; urtia, drejtësia, trimëria, patriotizmi, puna, morali etj. dhe qortimit e denoncimit të dukurive negative, si: marrëzia, lakmia, tradhtia, egoizmi, përtacia, hajnia, imoraliteti etj.
Anekdotat janë komunikim i shkurtër, përmbajtjesor, ku me pak fjalë thuhet shumë. Kanë veçori komike-argëtuese, ku, përmes humorit e satirës, gjuhet fjala në shenjën e imagjinuar. Syzheja duket e thjeshtë, por në vete ka mesazhe të forta. Janë të lehta për lexim për të gjitha moshat. Janë edhe ushqim shpirtëror, ngase të relaksojnë. Një lexues nga Kanadaja shkruan:…... Për fundjavë, rëndom shkojmë te miqtë. Rrugës, që zakonisht e bëjmë me ba¬shkëshorten, njëri lexojmë anekdotat, nga libri juaj, e tjetri e nget veturën. Kështu, rrugën, që zgjat gjashtë orë, na duket se e kemi kaluar për një orë. Ju falënderojmë shumë. Ndërsa, Muhamet Mjeku nga Amerika, në gazetën DIELLI shkruan:... Lexues i nderuar, ky libër do të jetë shoqë¬ruesi yt më i mirë, edhe atëherë kur nuk je në humor të mirë, edhe atëherë kur ke pak kohë përkushtimi ndaj vetes dhe edhe atëherë kur fati nuk ecën bashkë me ty.
Anekdotat dallojnë shumë nga barsoletat: Ato tregohen me fjalë që peshojnë, vetëm kur u hapet shtegu, kur kanë lidhje logjike e kontekstuale me bisedën, prandaj gjithnjë janë aktuale. Edhe të qeshurit e anekdotës dallon nga ai i barsoletës, ngase të shtyn të mendosh për dukuritë për të cilat flitet. Barsoleta është humor i lehtë, tregohet kudo e kurdo, sa për disponim të çastit.
Tradita jonë, në përgjithësi, dhe anekdotat, në veçanti, me mesazhet e tyre, tejkalojnë vlerat etnofolklorike të shumë popujve të Botës.
Prishtinë, 14 maj 2013                                                           

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen