Freitag, 26. Juli 2013

Milazim Kajtazi

Milazim Kajtazi u lind më 5 maj 1967, në fshatin Klinë e Mesme të Skënderaj. Shkollën fillore kreu në vendlindje, Gjimnazin në Skënderaj (dy vjet) dhe në Mitrovicë (dy vjet të tjera). Në vitin akademik 1986/87 filloi studimet në Fakultetin Metalurgjik në Mitrovicë, ku, në afat rekord, apsolvoi. Për shkaqe objektive, pra në rrethanat politike, kur pushteti okupues serb mbylli dyert e Fakultetit për studentet shqiptarë, u detyrua të mërgojë pa arritur t’i përfundojë studimet. Në fillimi të viteve ‘90 mori rrugën e mërgimit . "Ëndrra e Lisit" është libri i tij i parë me poezi. Është përfaqësuar në katër Antologji: "Trinomi i Lirisë", "Një shekull dritë"(botuar nga Lidhja e shkrimtarve dhe artistëve shqiptarë në Gjermani) „Prekja e Pikëllimi“ dhe "Thesari kombëtar 2", (këtë të fundit e boton ShShAKShS "Papa Klementi XI Albani" në Suedi). „Ndiq ëndrrën“ është libri i dytë i tij më poezi.
Është antar i LSHASH në Gjermani dhe ShShASh në Suedi. Jeton në München të Gjermanisë.


Poezi nga Milazim Kajtazi

IMAZHET E VETMISË...!

"O i zoti i shtepisë..!"
një zë që e mbyti heshtja
vetëm shpirtërat bëjnë rojë mbrenda
e vizitorë rasti quditen më heshtjen

"O hajde "byrem"mirë së vjenë..!"
përgjigje që e përbiu vetmia
imazhi i saj veç një kujtim i harruar
kah nahija ka kohë nuk është ndegjuar

e vizitorë rasti na e sjellë në kujtesë

kapinxhikun mbuluar më therrë
dyrët nuk ka kush më i qelë
kulla mbuluar nga pluhuri i harresës
imazhe të vetmisë dhe heshtjes

po a është gjallë kush në këto anë
edhe një rre në borë po mungon
janë keto gjurmët e të parëve të mi
sot imazhi i vetmisë dhe heshtja i ka përbi

nga thellsia e shpirtit të tyre,të vetmuara
ndegjojë kambanat e dhimbjesë tek thonë
kthehuni ju bijët tanë
imazhe të vetmisë edhe nder varre
kthehuni...!!!
keto janë troje tona te të parëve..!!!

 

NJERIU PREJ DHEU

aty nuk ka më njeri
as gjuhë burri
e ti ngopu tokë
i tha guri
qe peshon në vend të vet
që e la shkret

e hijet e tyre
kthehen dikur
për të hjek mall

kthehu birë
më bëjë një varrë
e më dergo këta eshtra
amanet
se vetëm atëherë
në token time
do të ndihëm i qetë

 

NJË JETË KOSOVË,LIS

Unë biri i humbur,pa plis
një jetë Kosovë,Lis
të bartë mbi supe,gjithëherë
nga do që të shkoj më nder

një jetë Kosovë,të njoh
të njohë unë ty,Lis
ti njohë damart e tu
të njohë unë ty atë plis

të njohë edhe këngen e gjelit
që këndon në mengjës
të njohë plagët tuaja
të fshehura thell në palcë

ti njohë dhimbjet tuaja
që djegin gjërë në asht
ti morra gjysmën më vete
atë ditë që migrova jashtë

të njohë edhe lotin e fshehur
që ende nuk t'është tharë
një jetë për ty Kosovë
jetova gjithë më mall

të njohë bukurit tuaja
që çdo kush të ka lakmi
ah Kosovë e rinisë sime
të njohë edhe atë dashuri

ta dua edhe mjegullën Kosovë
kur leshohet nëpër lugje
të dua edhe hënën
kur del pas kodre e kuqe

të dua edhe Diellin
kur qetë syrin në breg
një jetë e tërë Kosovë
malli për ty më djegë

një jetë Kosovë,Lis
një varg që nuk ndalet
një burim i pashterrëshem
një varg si varg-malet

ndajm më ty,çdo ditë Kosovë
të mirën dhe të keqen
ti marrësha gjithë të ligat
e mos të pafësha kurr të zezën

ndam të keqen dhe të mirën
si barinjët që ndajn kulaqin
për ty Kosovë zgjodhem Lirin
e ne më jetu më mall për ty,kishim fatin


AKIL I PLAGOSUR

fatin e lidhur
në patku kali
varrur në derë të shtepisë

apo thembër e Aklit e përgjakur
për sytë e Elenës
si lotë i elegjisë

Akli i denuar
nga vetë madhështia e tij
vdekja e bekuar t'vjenë nga sytë e saj

apo një dashuri prrallore
për sytë e bukur të saj
Akil i plagosur në thëmber gjakoi

 

QETËSIA E NATËS

qetësin e natës
e pushton vetëm heshtja
e e mbulon vetmia

qetësin e natës
e shoqrojnë vetëm yjët larg
që s'mund të kapen dot

qetësin e natës
e thenë zhurma e frymës sime
që askush nuk e ndegjon

qetësin e natës
e mund malli i mykurë
nga kjo jetë e ftohtë plot lagështi

qetësin e natës
e përcjellë terri
pa dritë në fund të tunelit

e ne ecim nëpër këtë terrë
më qetësin e natës që na përcjell
deri në banësen e fundit....!


VRAJE HESHTJEN

po digjem nga fjalët e pathëna
se edhe heshtjen e kuptoi
e po flakëm nga ato që më thuhen
që boll veshtirë po i duroi

qysh askush nuk me kupton
për gjendjen që më veni
e dhimbjet që më shkaktoni
kur heshteni e nuk folni

qe të dya nganjëherë vrasin keq
fjala vret e heshtja të rendon
por kur flasim e kuptohemi
nga e mira e bukura buron...!

andaj fol më mirë e mos hesht
se zemra njëherë pelcet...!
fol e mos ngurro
se veç keshtu heshtjen vret

 

KUJTIMET

Pas dyzet vitesh
aty gjeta kujtimin tim për këtë mulli.

Hingellonte ende kali dori,
ende zhurma e gurëve ishte e fresket ,
e ujë fishekllim rreshqiste përmbi
dhe sillte ata gurë,
pak nga koha të zeshkët

im Atë ndjesë pastë
Ehhh! edhe ai ishte aty,
n 'mendime i rënë
dhe tërë kohen nuk foli më mua
deri sa gruri,në miell u shëndrrua !

ai kishte punë të rëndë
për ti zbrazur dhe ngarkuar thasët ,
unë para kuajve, i ruaja mos me u trembë
kujtimet lotët mi plasën !

Kuajt paramendoja si hanin terfojën
qe kishte sjellur im Atë enkas për ti ushqyer.
Mulliri bluante e bluante
e unë në kujtime se qilja dot gojën !

Ehh ! Mullirin
sot kur e shohë edhe një herë,
perulem para kujtimit tim femijrorë.
Mulliri që i qendroj stuhisë,
është gurë i rëndë ,
që nga vëndi dot s' lëvizë

kuajt nuk janë më
e as im Atë ndjesë pastë
por shpirtërat e tyre
aty sikur bënin rojë
të kthehesha një ditë
të ulem e ti kujtoj kujtimet pa drojë

Sot erdha Babi të gjeta,
tash je i lirë fluturo në Parajsë,
merr edhe kuajt me krahë e qerre,
se unë do rri dhe pak tek mulliri
i vetëm i futur pak në mendime
e të qmallem me ditët
e fëmijris sime .!

Donnerstag, 25. Juli 2013

Fatime Ahmeti

Fatime Rr. (Musliu) Ahmeti u lind në Marec, më 2 gusht 1947. Shkruan poezi për fëmijë dhe të rritur. Është marrë edhe me mbledhjen e folklorit. Është anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Republikës së Kosovës dhe jeton në Prishtinë.

Librat e botuara: 
“Ishuj e brigje”, “Rilindja”, Prishtinë, 2001,
“Bekimi i virgjër”, SHSHK “Anton Pashku, Prishtinë, 2004,
“Unaza e lindjes”, SHSHK “Anton Pashku”, Prishtinë, 2008
 

ENGJËLLI I ULPIANËS

Të gdhendur në gur
e me xixa nuri
nga qielli i shekujve
mes epokave
Flori e Lauri
Në Ulpianë e në Justinianë
Flori e Lauri

përsëri kthehen në mur
me shenjtërinë e tyre ilire
për t’i shkruar me penë
faqet e historisë së re dardane
që pikojnë purpur

Në Ulpianë
derdhen ngjyrat dardane
 

MUZA IME

Zgjohu nga ëndrra
muza ime 
në pëlhurë të shiut
vargun qëndise

Mbi letër
e shoh vetveten
dhe fytyrën e Eurodikës
që aq shumë ngjanë në mua

Muza ime
pse heshtë
brenda baladës së pashkruar
 

POETIT

- Ali Podrimjes-

Deri më sot
asnjë fytyrë e poetit
të vdekur
nuk më shfaqet
çuditërisht

Në letrën time
edhe pse nuk kam hequr dorë
nga mendimet e trishta

Unë e di se vetëm njerëzit
lindin dhe vdesin një herë

E ti 
o miku im poet
sillesh vërdallë
rreth botës
e parakalon nga koha në kohë
me penën e shastisur
në adresën e Lum Lumit
 

EMBLEMATIKA E DIELLIT

Pothuajse çdo natë
shfletoj ditarin tim
kur më zë malli
ta kujtoj
rininë e ardhur
nga vetë nusëria

Duke e kërkuar
emblemën e Diellit
në adresë të vazhdimësisë
flaka shikimin

Krijova më shumë vargje
para se Dielli 
të dashurohet në mua
 

NË PERËNDIM LIND DIELLI IM

Historia ime 
po luhatet në udhëkryq 
atje ku kapen fajet e ligësisë

Në kërkim të vetvetes
kurrë nuk jam mposhtë nga ligësia
sepse asnjëherë
nuk e kam dashtë lindjen 
e as anën e majtë të tradhëtisë

Në të djathtën
e udhës sime
jam takuar me shekujt
dhe n’udhëtim kah perëndimi
kam takuar Diellin tim
 

ENIGMA E PAZGJIDHUR

Enigma e pazgjidhur
shkon përtej harrimit

Le të mallkojë bota
enigmën e harrimit
a të kujtimit
që rri varë mbi urë

Pranë meje nuk dua 
të jesh enigmë
e goditur nga rrufeja e gurit
 

Mittwoch, 24. Juli 2013

Hysen Kqiku

Për "Ora shqiptare": Shaban CAKOLLI

Hysen Kqiku u lind më 1944 në fshatin Velegllavë komuna e Dardanës. Shkollën fillore e filloi në vendlindje dhe e mbaroi në Vaksincë e Llojan të Kumanovës. Gjimnazin e kreu në Preshevë, kurseSHLP, grupi Gjuhë dhe letërsi Shqipe në Shkup. Me shkrime ka filluar të merrej si nxënës i shkollës fillore, ku përherë të parë botoi në “Zëri i Rinisë” në vitin 1963 në Prishtinë. Si krijues letrar është i prezentuar në disa vepra të autorëve kolektiv, në revista jubilare dhe leksikone.
Autorë të ndryshëm:”Libri që po shkruhet”Gjilan 1979, autorë të ndryshëm “Bamirësia”, SHHBK; “Nëna Terezë” Gjilan 1992,Autorë tëndryshëm “Agurrona”, Klubi letrar “Rexhep Elmazi”,Gjilan 1993, Odhise Grilo Leksikon-Shkrimtarët shqiptarë për fëmijë1972-1995, Tiranë 1997,revista “Pioneri” numri jubilar i i 50 vjetorit të daljes, nr 1 Prishtinë 1998, Demir Behluli “portrete shkrimtarësh”, Prishtinë 2002, Hasan Hasani” Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001″, Prishtinë 2003.
Hysen Këqiku ka bërë redaktimin dhe recenzimin e dhjetëra librave për fëmijë dhe të rritur. Është editor i shtëpisë botuese “Kurora” në Gjilan dhe anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës. Jeton dhe vepron në Gjilan.

 Hysen Këqiku ka shkruar këto vepra:

1″Nëpërkëmbësi”, poezi për të rritur, 1994
2 “Ti dil nga loja”; Poezi për fëmijë, 1995
3 “Kufij që preken”, dramë për të rritur, 1997
4 “Dritë mbi Lotinë”; poezi për të rritur, 1999
5 “Ujvarë e patharë”; poemë për fëmijë, 2000
6 “Qëndresë me besa-besë”; poemë për fëmijë, 2000
7 “Velia Glaua ëndërr e ripërtrirë I-monografi 2001
8 “Velia Glaua ëndërr e ripërtrirë II, gjenealogji 1720-1996″; 2001
9 “Kujtim malli për shkollën time” poezi për fëmijë. Gjilan 2004
10 “Psherëtimë për tokën I”, panoramë letrare, 2004
11 “Melodi e pritjes”, poezi për të rritur, 2005
12 “Kujtim malli për shkollën time II”; Poezi për fëmijë, 2007″ Nazif Përlepnica hero në mes të heronjve”, monografi, 2008
14 “Demir Behluli”, monografi 2008
15 “Një atdhe me dashuri”; poezi, 2008
16 “Vegim i përflakur”, kurorë sonetesh, 2009
17 “Melodia e pritjes”në gjuhen rumune e përkthyar nga Baki Ymeri, Bukuresht 2009
18 “Në ty e kam shpirtin” 2010

Qerim Bajrami

Qerim Bajrami lindi me 1953 ne fshatin Sllupcan, Karadaku i Kumanoves. Shkollen fillore e kreu ne Sh.F. "Jeta e Re" tani "Faik Konica" ne fshatin e lindjes, ndersa te mesmen ne Kumanove. Me vone i ndoqi edhe studimet e larta per Gjuhe dhe Letersi Shqipe ne Shkup. Nje kohe punoi si gazetar ne te perditshmen "Flaka", qe botohej ne Shkup. Pas mbylljes se gazetes "Flaka", punoi ne gazeten "Lajm" dhe si perkthyes ne Kuvendin e Maqedonise. Ka botuar librin me poezi "Mbi plaget e nates".
KUR BIE SHI

Mbreme gezimi
bie shi
e puhia dritherat valevite
mes blerimit te luleve
zemrat tona
vrullshem gufojne
hapen rriten, gezohen.


EMER ENDRRASH

Kaluan shume net
duke e kerkuar emrin tend.

S'di a do te arrij nen hije ullinjsh
Sonte emri yt ne endrrat e mia.

S'do a do te arrij
ta kuptoj c'emer mban blerimi yt.


KESAJ NATE ME YJE

Kesaj nate me yje
shtegtoj brigjeve te maleve!
Ne kete nate endrrimesh!
Buze liqenit, ne ledhatime!
Ne kete nate me yje,
rruget e zena me drunj do t'i shpaloj
qe serish te mberrij te ti!

Montag, 22. Juli 2013

Agron Tufa

Agron Tufa lindi në 1 prill 1967 në Dibër. Studioi në Fakultetin Filologjik të Tiranës e më pas në Institutin Gorki në Moskë (1994 -1999). Pas diplomimit atje, ndoqi edhe programin e masterit për filozofi arti në Institutin e Kulturave Europiane IEK (1999 – 2001). Është profesor i Letërsisë së huaj të shekullit XX në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Mban titullin doktor i Shkencave Filologjike. Krijimtaria e tij, është nderuar me çmime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare dhe është përkthyer në disa gjuhë të botës.
Agron Tufa, veç krijimtarisë letrare, kontribut të madh ka dhënë eshe në publicistikën shqiptare dhe në përkthimin e veprave të autorëve rus, mes të cilave Joseph Brodsky, Anna Akhmatova, Osip Mandelshtam, Boris Pasternak, Andrei Platonov, Mikhail Bulgakov, Vladimir Nabokov, dhe Vladimir Sorokin.
 
Disa nga ´veprat e autorit janë:
- “Aty te portat Skee”, poezi, Onufri, 1996.
- “Dueli”, roman, “Ora”, 2002, (ribotim “Fjala”, 2007).
- “Rrethinat e Atlantidës”, poezi, Aleph 2002.
- “Fabula Rasa”, roman, Ideart 2004. “Janusi qindfytyrësh”, ese, Pro-Kultura, Tetovë, 2004.
- “La Prueba della tierra”, poezi, bashkautor, Maremoto, Spanjë 2005.
- “Mërkuna e Zezë”, roman, Toena 2005 (ribotim, Toena 2009).
- “Avangardë engjëjsh”, poezi, Ideart 20...05.
- “Fryma mbi ujëra”, poezi, “Fjala” 2007.
- “Nove poesie” – “La stanza del poeta”, Formia, Itali 2008.
- “Dibra me sytë e të huajve”, MB botime, Tiranë 2008.
- “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, vol I, II, SHBLU, 2008-’09.
- “Thembra e Akcilit”, miniatura, Zambak, Tiranë 2009.
- “Tenxherja”, roman, Toena, Tiranë 2009.
 
Poezi nga Agron Tufa

Incognito

1

Të rralla fort janë takimet me veten.
Edhe më të rralla njohjet, rinjohjet
(nëse bëjnë vaki), por
gati të pamundura - mbamendjet.
Gjithë jeta tjetër (ajo e shumta)
rrjedh e qetë dhe e trazuar, herë
si lumi përmes pemëve, që ditën e kthjellë
pasqyron fasha pyjesh e bokërrima,
ndërsa natën trupa qiellorë dhe objekte
të paidentifikuara fluturuese; herë
i turbullt, i padepërtueshëm, ku zien
kaligrafia e errët e amebave të gjakut.
Ndodh që tërë jeta të të rrjedhë përskej,
e nxitur, e prirë, e ndjekur në distancë,
me ngadhnjime dehëse ose disfata fatale,
si në një ruletë ruse, prej njëfarë kipci,
me të cilin s'di qysh je njëjtësuar, e prapë
një shpresë e vagullt të thotë, se ndoshta,
herëdokur, ka me ardhë ai çast, kur koha
s'do të vonojë që këtij identiteti t'i bjerë
njëkohësisht kallaji dhe maska...

2.

Atëbotë, nëse kjo ndodh, nëse
muzeu ku pasqyruar janë pamjet
e lulimit, gjetherënies, shirave dhe dëborës,
kuvendimeve plot pasion kafeneve,
në zyra, auditore, në shtëpi pasdarke
ose thjesht, llomotitje mërzimadhe,
debate politike, përgjërime dashurore
apo ligjërata demagogjike - atëherë po:
nën blicin e sprovës shkrepëtin drita
e përvojës së re - ajo që nuk është
përzier kurrë me ujërat e atij lumi,
që rrodhi teje, pa të fshikur ty, me gjithë
këtë muze pa vlerë, ku të pasqyruara
përsëdyten pamjet e diktuara
të një vullneti incognito - një kilometrazh
i llahtartë i një jete të shkuar në koma.

3.

 Dhe veç dy-tri raste, veç dy-tri pasqyra
do të dëshmojnë frymën tënde,
siç bëjnë me të sëmurin e pashpresë,
pa shenja gjalljeje midis jetës dhe hjekës;
fytyra mitare me lot, e kthyer kah
qielli i një nate fshatare, ku midis
qerpikëve të lagur dyzohej, zmadhohej
e shtrihej petë brumi i dritës yjore;
kthjelltësi zalie në lëngatën ku jep shpirt
në një dhomë të mugët, të ngime
n'erë ilaçesh, diku, në një spital
të humbun periferik; refuzimi
që more nga e dashura në kohën
e trishtë të djalërisë - atje, në rrugë,
poshtë neonit që gërvinte mes heshtjes
mu si një llampë laboratori me alkool,
që nën flakë të ngadaltë zien prajtë
poçen e trurit tënd - ndërsa më tutje -
diku në cep të godinës së konviktit,
nga kazanët e plehrave, fshehur në terr,
instalohej tingulli i brerjes konsekuente
të kockave nga nofullat e uritura të qenve.

4

Si çdo gjë e pandreqshme, keqardhja
do të mbetet keqardhje: e pakthim,
tunduese, torturuese - ajo di të ngrejë
pyetje dhe i urren përgjigjet: "O ti
i lindur prej dere të naltë,
çfarë bëre kështu me jetën tënde?!"

15. 09. 2012


DIMRI NË DIBËR

Në kujtim të të ndjerit, kushëririt H. Z

Me ndryshqe muzgjesh dhe kujën e erës
dimri dibran i avitet katundit;
dhe dielli then qafën mrrolun prej mnerës
si dezertori i fundit.

Vargmalet e Korabit në lindje struken
...
pështjellë me tambare mjegullash mitike
që vrundull shtjellen kah qielli e duken
si bombë atomike.

Pamja përposh, me fshatrat si zgjonj,
me tymtarë të menduar çative -
i grish çamarrokët e verdhë si ftonj
brenda shtëpive.

Amvisa shtron darkën e varfër, pa fjalë,
shtron shtrojet për pleq e fëmijë,
e jashtë rrëfen me valë e stërkalë
Drini i Zi -

të njëjtën përrallë, monotone, të gjatë,
pa as dhe një fjalë të ndryshuar:
"Lumni e zi ke binjakët në shtrat
që flenë qafuar...!"

"Dalç fare Drin' i Zi! T'u thaft' goja plakush!"
mallkon amvisa me mendjen tek burri.
Po askush nuk i thotë: "Ke mbetur vejushë -
vejushë prej qëkuri!"

Askush s'do ta dijë atë natë, pa ispatë;
as pleqtë, as nusja, binjakët:
sall shpirti gjithë pezm gjakon nëpër natë
trajektoren e largët -

me kumtin se burri, babai, vonon,
se ndoshta s'do shihen më soje -
se kockat Otranto përditë ia hollon
si gurë dominoje.

Por, ah, mor Zot, nuk mbërrika në Dibër,
dhe mbetka vjerrë kjo breng' e vdektarëve!
Veç ernat çatajtë si bishat në dimër
ua ngulin mullarëve -

dhe sulen tërbim në pullaz, dritare,
si Shiva të kota, të etura për shpagë,
si Erini absurde që duan hakmarrje
pa patur një shkak.

Kur zë agsholi të zdritet konturesh
dhe hapet fashë bunacë e pazë -
dhëmbët e thyer të erës pas muresh
i mbledh një nga një;

dhe teksa mes gishtash i sjell këto presa,
kobi amvisën godet si me kazëm,
dhe kutull i shuket në grykë dënesa -
gropa në parzëm;

dhe kap atë kumt që ernat e shprishën,
çka Drini pat folë me gjuhë Ezopi,
çka fsheh i shuar ekrani përzishëm
si sy Ciklopi;

atë që binjakët në gjumë, kruspull -
dy luleshtrydhe korijes pa cak -
do zgjohen jetimë. Dhe hija, si turtull
u shket në gjak;

atë që k’soane hedh shtat dhe mbush
ditët, - vargan qiparisash ndër varre -
dhe fatin e saj, të mbetur vejushë
njëzetë vjeçare.

Po kurmin e bukur - lulëkuqen e pamort,
këputur me drapër dallgësh, a thua
ka det që e kalb? Ah, merre o Zot
në Ahiret e tua!

....................................................

Pasdite grahën gjithë ernat e dimrit
me dhurata të bardha prej qiejsh virgjinë...
Dhe gjithë sa ha shigjet' e vështrimit -
pështjellë në qefinë

bornajash sterile – nga mali në mal.
Po dimri në Dibër të bardhë ka fishekët -
anestezinë e ngushëllimit, vetminë, melekët
e kallur në fjalë...

2005
 
ORFEU

Jeta jote – burgosur aq mirë,
Mbështjellë puthitur e pa drojë
Me fletët rrotullame të një qepe
E flijoi, ah, thelbin e vet
Me të mshehtat e mbrame –
Kur tehu i thikës feksi
... Ngulmueshëm, duke grirë
Zemrën tënde të njomë -
Topitur erudicionesh fiktive.

Lotët e Euridikës në kuzhinë
S'kanë tjetër shkak
Pos faktit
Që ti je i vetmi ingredient lotsjellës
Në sallatën e rëndomtë familjare.
 
 
 
NDJENJAT

Me ndjenja rriten veç gjembaçë.
Më mirë pa ndjenja fare.
Më mirë shalo të ziun vraç
t’absurdes natë shqiptare.

Dhe kur të msysh të katër anët -
... shushatur në mërzi,
hapësirë e kohë si verbanët
t’i bësh lesh e li,

pa ditur ku, pa ditur pse,
pa shkak, pa qëllim,
përsa kjo natë një hon e fsheh
të terrtë, pa mbarim.

E kur galop në zgrip ia beh
pa prerë vrull, as turr,
të ftohtën flatër honi ndeh
tash a herëdokur.

Me ndjenjat rrisim veçse gjemba
se jemi fis gjembaçësh:
na rreh absurdi nëpër rremba –
ky zell shqiptar palaçosh.
 
 
 
NJËMIJË VJET VETMI TË SHKRONJËS "KH"

(ia kushtoj I. Kadaresë)

...Sepse koha krijohet me vdekje, ndaj ne
Jemi urna e saj, jemi qarku përmbyllës,
Jemi ashkla plluskore mes gjethit dhe ritit -
Vegulli efemere, shkumë detare a re
Lojcake në qiej, bij të shembëlltyrës -
Loti që humb në lumin e Heraklitit.

...Sepse koha është qenia në prani e mungesë,
Dhe mungesa krijohet me vdekjen tonë.
Do hapet sipari dhe heret a vonë
Papraninë do shohim të gjithë në Zbulesë:
Do jemi boshti i veshur n'kuptim
Dhe lumë Herakliti së prapthi n'vërshim.

...Sepse koha rikthen në po atë tryezë
Të ngjërojë grimat që pati lënë,
Dhe dita e lume ndrron natën e zezë,
Dhe nata prapton me shéjza e hënë -
Ngathët si vargjet në anakrezë,
Koha rikthen në atë tryezë.

...Sepse koha nuk është domosdo shkatërrim
I thelbit të Qenies, i shpirtit në Hiç.
Ana e prapme e saj është gjallim.
Vdekja është Oazi dhe Krishti në Kryq,
Ku koha pushon, zgjanohet dhe ngre
Të tjerë profetë për sendet dhe ne.

...Sepse vdekja është veçse ç'lodhja e Frymës,
Pastrimi i saj për gjakimin e ri
Në pulsin e gjallë të Qenies në kohë.
Vdekja është djegia e gjethit prej brymës -
E po atij gjethi që gjen përsëri
Degën e blertë dhe Frymën që ngroh.

Vdekja është gjendje e Qenies në gjumë, -
Rrjedhë e papastër kohe të amullt,
Është edhe nyje kohe e gangullt
Dhe zor se mund të shprehet me gjuhë.
Se koha lëviz veçse në Qenie
Si anë e prapme germe, fonéme.

Mos koha lëviz dhe ngrin në një germë?
"O shpirt i mumosur, o merrmë, o lermë,
O kthem ti sërish në Zanafillë -
Në kllapa Logosi vulosur me dyllë,
Në kohë kaosi, në Frymë pështjellimi,
O kthemë në gjendje të grirë vetmimi" -

Tha shkronja kh dhe u suall vërtik
Profil-grirë karshi përjetësisë
Një nate me prenka yjsh në fytyrë -
Dhe mbeti peng i pezullt në grykë
Në cepin qëndror të Ilirisë:
Në laringun e shqipes - e para mënxyrë.
 
 
 
 
 
Miniatura nga Agron Tufa
(mini-tregime)
 
Banesa

Fill pasi përshkuam gjysmën e korridorit të katit përdhes që kutërbonte duhmë perimesh të kalbura, kujdestari ndaloi, ndau njërin prej çelësave që kishte tringëllirë gjer atëherë dhe hapi pa shumë sforcim derën më të afërt. Gjithë pa e hequr çelësin nga brava, ai shtyu derën.  Ajo u dha epshëm e pa zhurmë as me qenë prej buke peshku. Përpos një krevati me sustë të ndryshkur dhe një vandaku të shfytyruar gazetash "Sporti" për troll, lakuriqësia e asaj dhome qe nginjur me ajër të ndenjur e të lagësht. Dritarja e vetme, flegrën e së cilës hapën duart neje-neje të kujdestarit, u shkul më një kërcimë të mbytur, mu si rrënjë shqope në palcë të butë torfe. Frushkujt e freskët që vërshuan qenë poaq të lagështirtë, sa memzi trazuan paksa avullimën e turbullt e të ndezur të dhomës.

Dritarja shihte symrrolur kah lindja. E vendosur fare pranë tavanit, ajo binte pothuaj rrafsh me tokën përjashta dhe drita depërtonte me shpirt ndër dhëmbë përmes xhamave të pistë, gjithë të dhjera mizash, penguar edhe prej një grumbulli të stërmadh rangullash, konstrukte kaba kamionësh të prishur, kapur si ndoca mamuthë me vertebra të thyera vinçash e ekskavatorësh, ndër të cilët spikasnin më të rrallë, qafa të ngrefosura e hutaqe makinash silazhi me vështrime gëlldëqe, si xhirafa të zëna gafil.
 Muret, me një lagështirë të njëtrajtshme qenë llangosur me një hirrë të sëmurë myku: igrasia e tyre të çonte ndërmend ideografinë e masiveve alpine, sikundër i paraqesin në hartat fizike, ndërkaq që në vende të tjera - ngjashmëria vriste me lëkurën e irrun të ndonjë inoplanetiani, djegur aty-këtu nën diellin e plazheve marsiane.
 Pa e mposhtur njëfarë tundimi, zgjata gishtat dhe preka me mollëza muret e jargëta: pashë si lëkura e tyre e ndjeu prekjen dhe si reaguan indet e epidermës. Një si farë tkurrjeje më shtëngoi t'i largoj gishatat. Diç e ngjitshme, frymore, si prej përçikjes me ndonjë butak, ma përqethi kurmin. Mandej, sytë e mi ndeshën ende në dy-tri vende vatra të dendura myku të bardhë, çka më ngjiti përfytyrimin e leshit ndën sqetullat dhe gjoksin e inoplanetianëve.
- Kjo do të jetë banesa jote, - tha kujdestari dhe për herë të parë më zgjati panxhën e tij duke m'u prezantuar, thuajse më kish pranuar në shtëpi të vet. - Çfarëdo halli të kesh, - vijoi ai, - drejtohu tek unë: quhem kujdestar Vektori. Mos harro, fshije e pastroje dhomën, ndryshe të piu veremi.
 Mandej, kujdestar Vektori fshiu kokën e djersitur gjysmëtullace me një shami hundësh. Nuk m'u duk djersë ajo çka fshiu. Edhe vetë kisha ndjesinë veshtullore të një djersitje të ftohtë në zverk, nësa një trokth djegësire kalëronte përmes diafragmës dhe furrej në gabzher. Tëmthat e faqet zunë të më kullonin. I fshiva me mëngë. Para se të dilte, kujdestar Vektori u mëdysh një grimë e në çastin e mbramë, u rrotullua ballë meje, shtriu dorën me një gjest gjithpërfshirës, si të dëftente një hapësirë të pamatë sarajesh dhe tha me të pshërëtirë:
- Ka qenë kësmeti jot! - tha. Këtu kam pasë nijet me vendue tim nip, por, ajme! I prunë fletë-thirrjen për ushtar. - Çelësin e ke në derë, tha, nësa kapërcente pragun.
 E ndoqa ngathët në korridor, me të vetmin rreshk, ta pyesja për emrin, pse e quanin Vektor, e jo Viktor, po dhe kjo kureshti m'zvordh. Në vend të saj, qita e thashë:
- Po nevojtore, ka në këtë korridor?
- Ec drejt, - tha ai pas një gjysmërrotullimi, - të merr për dore vetë tahma e të çon drejt e në vend!
 Se sa të sakta qenë fjalët e kujdestar Vektorit, këtë m'u dha ta vërtetoja saora: aq i mprehtë, aq shpues qe kutërbimi, sa kur hyra në derën e paderë në fund të korridorit, sytë m'u përlotën, laringun, qiellzën e flegrat m'i përzhiti djegësira e amoniakut të ndenjur prej jashtëqitjeve, të cilat, të kuqërreme, ngjyrë terrakote, mulate, të zeza e të gjelbra, shtriheshin gjithkah, jashtë kabinave, si statukueta luftëtarësh tataro-mongolë në Shkretëtirën e Gobit, nësa për muresh, në dysheme, por ama, gjithnjë jashtë vendit të caktuar për këtë punë, verdhonte bujarisht krypa e tharë precipituese e shurrosjes pa kriter, duke lehtësuar soje qindra e qindra veshka anonime.
 Shurra ime, tepara me drojë, mandej me currila gjithë e më të sigurt, rrodhi e la mbresën e vet në këtë arenë të Krijimit Popullor.
 
03. 12. 01
 
 
Celulari
(për ty Elv!)
  
 Bora S., kishte pse ndihej e kënaqur. Fundosur në shtratin e butë e me kokën kredhur mes nënkresës prej puplash, ajo herë kundronte tavanin e lyer me një bojë qielle të largët, herë sendin petashuq në trajtë ovale, me madhësinë e një pakete cigaresh "Slims". Ishte ky një celular i rëndomtë "Bi-Llajn", - dhurata e parë që i bënin ç'prej një vjeti e gjysmë. Ia kishte dhuruar kryeredaktori. Sapo kishte mbërritur në redaksi një parti ndihmash nga agjensia britanike "Reuter". Kryeredaktori e thirri Bora S., dhe me një gjest hovordar, a thua po shplonte asaj vetë Parajsën e Sendeve, i tha:
- Zgjidh, Bora, një gjë, çka të ta dojë loçka e zemrës!
 Kishte aty të shtrira në tavolinën e Kryeredaktorit dhe përanash gjithëfarë gëzimesh këndellëse për lakminë e gazetarit bashkëkohor: kamera t'ugumta, dylbi e binokle gjithëfarësh, fotoaparatë, kasetofona, video e kompjutera-çantë, - por sytë e drojtur të Bora S., iu qepën ngultazi, kutizës trajtë-ovale, sa një pllakëzë gur-zmerili me mbishkrimin "Bi-Llajn". Po atë ditë ajo instaloi numrin.
 Dhe ja tashti, shtrirë siç qe, vriste mendjen e s'vendoste dot, kujt t'ia bënte telefonatën e parë. Blloku i adresave i kish shkarë nga krevati dhe s'i bëhej ta ngrinte. Të vetmin njeri që donte të merrte, nuk mundej dot. Ai nuk kishte as celular, as telefon. Ai shtirej kinse qe zhdukur dhe ajo nuk donte të binte në lojën e tij. Bora S., e quante veten njeri të lodhur dhe mendonte se, të dashurosh, është një punë edhe më e lodhshme, shtesë lodhjeje mbi shtresa lodhjesh... Po sikur t'i telefonojë Kryeredaktorit? O, jo! Ai, n'akord me gjitha skemat, do ta ftonte të dilnin, do ta çonte, më gjasë, restoranteve, picerive, e shumta në ndonjë kokteil qeveritar, mes gazetarësh, do t'i imponohej asaj me rrethin e gjerë të të njohurve me peshë publike e, tembrama, tendencës së tij kavalareske do t'i dilnin veshët nga torba.
 Bora S., ishte aq e lodhur në shpirt sa, po të donte, mjaft të ndrydhte qerpikët dhe shkrihej në lotë. Lotët i kishte gjithnjë me vete: ato prisnin në beft. Bora S., i linte të grumbulloheshin dhe i ndjente si mblidheshin ato dita-ditës, pikë-pikë, si rritej tinëz brenda saj një depozitë e frikshme, digën e së cilës mund ta shembte ndonjë sjellje mendjelehtë, fjala vjen, dhe diga e mbushur për zgrip, saora çahet dhe e përlan atë si fllugë të lyer me katran. Bora S., hoqi dorë. Fiku ekranin e vocërr pa ia dhënë numrin askujt.
 Poshtë ballkonit, spikaste përmbi uturimën dhe boritë e makinave e ngjitej deri në dhomën e saj, zëri i ngjirur i gabelit shtatëmbëdhjetvjeçar:
 - Kush do i moce, ej, kush do i moce. . . !
 E kishte ndeshur tek bënte vara-vinga para pallatit, kur po kthente nga puna. Gabeli e kishte futur mackën nën rrypin e pantallonave, duke ia kapur fytin mizorisht. Koka sipër rrypit lëmekej dhe lëshonte një mjaullimë që të këpuste shpirtin:
 - Ming'jeu, ming'jeu, ming'jeu. . .
 Bora S., tanimë e shtrirë, mendoi se s'do të kishte bërë keq t'ia blinte gabelit atë kotele. Mjaft ta shpëtonte soje atë krijesë të gjorë. Por gjymtyrët i ndjente të shkrydhëta dhe mes kësaj kapitjeje e keqardhjeje të pezullt ia mveshi sytë një tralli e trëndafiltë. Por sall për pak kohë. Nuk kishin kaluar as njëzet minuta, kur membrana e trëndafiltë u gris prej kumbit gjithë në ngjitje i tingujve të "Bolero"-së. Bora S., brofi ndenjur. Ndën pëqi i kishte shkarë celulari, i cili po përpëlitej nën këto cifla tingujsh. Me sy fortësisht të hapur, ajo e mori me frikë, a thua se qe qeramikë përvëluese dhe e ngjeshi rrëzë veshit.
- Alo, alo! Ju dëgjoj, - kush jeni?
- Jam Zoti! - Po ju, bija ime, Bora S., jeni? A më dëgjoni?
- O Zot! - Po, po, por cili zot jeni kështu?
- Zoti i Madh e i Plotfuqishëm, bija ime!
- O Zot! Zoti Zot. . . Ah, më falni, jam pak e përgjumur. . . Po nga po flisni kështu. . . ?
- Nga Sfera e Shtatë, bija ime. Por dëgjo mirë se s'kam kohë: - Ke lënë çezmën hapur në banjo... ngrihu e mbylle! Tjetër: dil e blija atij gabelit kotelen se po më çmend... Ah, po...
 Duaje atë djalin, anipse s'ka as telefon e as celular... Tashti ika se i kam zënë pusi Djallit që po nget si i çakërdisur Koçinë time. Ma vodhi faqeziu, por do të ma paguajë...
 - O Zot... Alo... Alo... O Zot... O Zot... !
 Por celulari përcillte sinjalin periodik: pi-pi-pi-pi... Ndoshta prej sferave të kulluara qiellore, ndërsa Zoti, duket se tash po merrej me tjetërkënd.
 
 
Prova bërthamore
  
 Shqiptaro-amerikani, gjeneral Gasper Kerabreg, një natë para provës bërthamore në Humnerën Marjane, qe përpirë nga ethet e leximit. Në kabinetin shtëpiak, tavolina e tij e punës qe mbushur me pirgje të stivosura letrash e mbi çdocilin bllok të këtillë dorëshkrimesh, qe ngjitur nga një skedë, që bënte, me pak fjalë, rezymenë e gjithë materialit përkatës. Me qeskat e syve të fryra dhe kthjelltësinë e esëllt të mesnatës, ai qëndroi, pa ngultazi para vetes në tryezë ku qenë venë një shishe konjak "Skënderbej" dhe një gotë e zakonshme kuzhine, dhe duket se e gjeti lidhjen. E mbushi gotën cit dhe, pasi e hurbi një gëllënjkë, e ktheu me fund. Pa dhe një herë tufat me dorëshkrime sekrete, gjithçfarë kish të bënte me baladat, epet, gojëdhënat dhe mitet paleoballkanike, shtriu dorën drejt tyre me gishtin e madh të ngritur përpjetë dhe energjikisht tha: "Yes!". Pas kësaj, ai u kalamend drejt krevatit ku qe shtrirë e shoqja, Kamelia, së cilës i pëlqente ta lidhte prejardhjen e saj me hercogët e Kentërberisë, hiç më vonë sesa shekulli XII. Tashmë ajo flinte si shqerrë. Ajo qe mësuar trishtëm me pasionin e beftë të Gjeneral Kerabregut për mitologjinë paleoballkanike. Rëndom ajo e linte shërbëtoren zezake të largohej dhe i kumtonte me një zë të zvargur të shoq, se po shtrihej, e se po të donte të hante, gjellën do ta gjente të mbuluar në kuzhinë, por ama, po të donte të bënte seks me të, të kishte, sidomos, kujdesin mos ta zgjonte.
 Gasper Kerabregu atë natë nuk dëshironte të merrej me kësi punësh.
 Në orën dymbëdhjetë të ditës së nesërme, ekuipazhi i drejtuar prej tij, do të lëshonte një prodhim të ri bombe bërthamore mbi Humnerën Marjane e, për më tepër, do të merrte pjesë vetë, për të parë më në fund, a do të vërtetohej hipoteza e provokuar nga leximi për një kohë kaq të gjatë i miteve dhe epeve ballkanike. Një satelit i ndjeshëm special do të regjistronte me imtësi gjithëçfarë do ngjiste përposh. Kjo ia kërthnezte kërshërinë gjeneral Kerabregut, nginjur, siç thamë, përplot hipoteza nga leximet e dorëshkrimeve sekrete mbi gojëdhënat dhe epet paleoballkanike.
 E qe, se më së mbrami, ra Ora e Madhe.
 Avioni i gjeneralit i vërtitej si fajkua njollës më blu të Oqeanit Indian, Humnerës Mariane. Kufjet ndër veshët e tij jepnin e merrnin mesazhe të mërzitshme rutinë nga qendra e Pentagonit.
- Hidheni vezën! - rrahu prerë urdhri i tij.
 Me telebinokël ngjeshur në sy, ai pa qysh sendi i gjelbër sa një raketë zbriste e zvogëlohej përposh.
 Kur pritja kapi pikun e ankthit, plasi ajo farë shkundullime, saqë avioni i tij u hoq përdredhazi as me qenë prej letre. Përposh, një si baticë qurresh, u ngjit e sundoi atmosferën.
 Priti gjenal Kerabregu gjer ndaj perëndimi, kur ujërat tanimë qenë qetuar. Avioni qe ulur fare pranë sipërfaqes së bardhë nga shkuma, kur - qe! Nga qendra e gjeratores ku kish plasë Bomba, shpoi përposh sipërfaqen një kokë llaftarisht masive me mustaqet plot dymbëdhjetë pashë.
 Koka fërkoi fort sytë, shfryu bulçitë duke shkaktuar suvalë te shkumëzuara dhe piskati: - O kush na e qiti gjumin kështu bre Sokole Halili!
 N'atë grimë, qiti krye mbi ujra koka e dytë, jo më pak masive se e para, po gjithsesi, më e re:
- Paj, Zoti t'vraftë bre Gjeto Basho Muja, se m'i qorroi sytë Zana idhnake e hiç s'jam kah shof - tha Halili, duke i mbajtur me pëllëmbë kokërdhokët që i lëvareshin poshtë zgavrave.
 Gjeneral Kerabregu i pa, i filmoi, i fotografoi të gjitha këto pamje dhe, nësa merrte kursin kah perëndimi, tha me vete:
- Qe, s'më paskan rrejt mitet paleoballkanike. Po sa fkellë qenkan strukur, mor zot!-
 
______________________
Përgatiti për "Ora shqiptare": Haxhi Muhaxheri

Kim Mehmeti

Kim Mehmeti ka lindur në fshatin Gërçec, Shkup në vitin 1955. Është i njohur si romansier, tregimtar, eseist, polemizues, publicistë dhe përkthyes nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Është një ndër
Kim Mehmeti është nismëtarë i më shumë iniciativave qytetare në Maqedoni dhe në rajon.
Tani punon si përgjegjës i zyrës së TV Top-Channel në Shkup.
themeluesit e së përjavshmes “Lobi” e cila botohej në Shkup nga viti 2001 deri në vitin 2006. Ka qenë redaktor i revistës për kulturë “Jehona” (Shkup), redaktor i veprimtarisë botuese pranë SH.B. “Flaka e vëllazërimit” (1991-1992). Në Institutin Shoqëria e Hapur – Maqedoni ka punuar si koordinator i veprimtarisë botuese. Pastaj ka punuar si kryeredaktor për Maqedoninë i Rrjetit Informativ Evropian (AIM) dhe ka qenë edhe koordinator i këtij rrjeti për Ballkanin Perëndimor (1993-2003). Nga viti 1997 deri në vitin 2003 ka qenë drejtor ekzekutiv i Qendrës për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Multikulturorë në Shkup.
Përpos në gjuhën amtare, Kim Mehmeti shkruan dhe boton edhe në gjuhën maqedonase. Punimet e para letrare i ka botuar në fillim të viteve të shtatëdhjetë të shekullit të njëzet nëpër revistat kroate. Kim Mehmeti është rrëfimtarë i lindur, ai nuk u nënshtrohet shablloneve, por i dorëzohet qëndismës së lëndës së vet rrëfyese. Andaj proza e tij është e veçantë dhe tërheqëse. Thjeshtë ajo e rrëmben lexuesin dhe e shpie drejtë thellësive joshëse nga shkon imagjinata e tij e bujshme, e cila shtrihet nga fantazmagoria e së vërtetës dhe reales deri te irealja dhe fantastikja. Fati, si peshore e jetës, është ai që përcakton krijimtarinë e këtij autori.
Kim Mehmeti, fitues i shpërblimit "Rexhai Surroi" për romanin më të mirë 2008 Kim Mehmeti, fituesi i Shpërblimit “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë shqiptar për vitin 2008
Arsyetimi i Jurisë: Për shkathtësinë dhe koloritin e rrëfimit poetik, për mjeshtërinë e ndërtimit të prosedeut romantik, midis magjisë dhe reales, të vërtetës dhe fiktives, të ambientuar në fshatin e tij metaforik, në të cilin ndërthuret e tërë historia jonë, në një periudhë të ndjeshme të agonisë së Perandorisë Otomane, Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, stalinizmit dhe titizmit, juria vendosi njëzëri që çmimi t’i jepet shkrimtarit Kim Mehmeti, për romanin “Vitet e urithit”, botuar nga Toena, Tiranë më 2007.
Shpërblimi për gazetari nuk u nda, sepse sipas vlerësimit të jurisë, pavarësisht faktit se në mesin e konkurruesve ka pasur gazetarë kualitativë, këtë herë cilësia e teksteve të paraqitura nuk ka përkuar me standardin e lartë që ka vendosur juria për ta akorduar këtë shpërblim.
Veprat e Kim Mehmetit janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, bullgare, turke, kroate dhe në gjuhë tjera

Tregim nga Kim Mehmeti

Shtatë krojet

Nëse niseni ndonjëherë për në Haleb dhe shkoni rrugës që lidh këtë qytet me vendbanimin Rehanlë, mos e lini pa vizituar Shtatë Krojet. Sidomos nëse udhëtimi juaj përputhet me ditën e Shëngjergjit. Që të mos shëtisni andej-këndej dhe që të mos lodheni duke pyetur kalimtarët e rastit, të cilët  pyetja se ku ndodhen Shtatë Krojet edhe mund t’i bezdisë – me çka fare nuk shprehin mosdurimin ndaj të panjohurve dhe ardhacakëve të huaj, por frikën se vizitorët e shpeshtë mund t’i dëmtojnë këto gurra me bukuri përrallore dhe me ca tipare të veçanta, të cilat njerëzit e kësaj ane i mbajnë si shenjtëri më të larta që përcaktojnë fatin dhe jetën e tyre – do të mundohem t’jua përshkruaj vendin ku ndodhen, që të mund të gjeni pa bredhur dhe pyetur njeri për këtë vend i cili qëmoti është bërë i dëgjuar anë e mbanë botës. Pra, kini mendjen kur të niseni rrugës së asfaltuar, e cila ngjitet kodrinës përpjetë dhe posa të arrini në maje nga shihen kopshtet me bukuri mahnitëse të Halebit, ku, ta them mes nesh, jeton e dashura ime Samimija, do të vëreni një shteg të ngushtë që ndan në të djathtë, futet nën pyllin e dendur, thuajse dëshiron t’u shmanget shikimeve të kalimtarëve të rastit e të fshihet në thellësitë e tij, duke lënë përshtypje se nuk çon askund – si rrugicat e jetës që i ëndërron njeriu, të cilat kaherë i përshkon një mjegull e mosbesimit, e frikës se ecja do të na lodhë dhe gjunjëzojë, re që i pjellin paqartësitë që në qenien njerëzore ngjallin krimbat e dyshimit: vallë cila kahje na çon drejt cakut të dëshiruar, pra si çdo rrugicë e mbuluar nga mjegulla e dëshirave të flakta që nuk të lë të shohësh të gjitha pengesat dhe të vlerësosh drejt gatishmërinë për ecje dhe forcën që ke – se u shërben vetëm druvarëve dhe dhiarëve që çojnë bagëtinë në kullotë, apo është një nga shtigjet e shumta që kontrabandistët e vendit i përdorin për të kaluar mallrat në Haleb dhe anasjelltas. Që të mos e ngatërroni me ndonjë shteg tjetër, ja, po jua them se do ta dalloni nga një rrap shumëvjeçar që ndodhet skaj rrugës së asfaltuar, aty ku ndahet ky shteg i ngushtë. Rrapi do ta njihni sepse i ka degët të mbuluara me këmisha grash dhe burrash, me shami të qëndisura dhe shumë e shumë veshmbathje të tjera të cilat i kanë lënë ata që i kanë vizituar Shtatë Krojet e që tani jetojnë në kujtesën e tyre të ledhatuar nga puhiza e lehtë e mbamendjes, si ëndrra e mëngjesit e cila në vetëdije lë një tis të pashlyeshëm që na ndjek tërë ditën. Aty filloni të ecni përpjetë kodrinës. Dhe, po të keni vendosur të shuani etjen me ujin e freskët të krojeve për të cilët jam duke u rrëfyer, uji i të cilëve thonë se ka veti shëruese për sëmundje të ndryshme, si për shembull për ringjalljen e vezores te gratë në mitrën e të cilave nuk zihet fëmija apo për shërimin e burrave impotentë, do të duhet edhe ju të lini ndonjë dhuratë te rrapi që jua përmenda, ndonjë shenjë që do ta shënojë ardhjen tuaj dhe të cilën e njihni vetëm ju e askush nga ata të shumtët që vijnë këtu çdo ditë për t’i ushqyer shpresat e venitura. Në degët e tij mund të varni ndonjë këmishë a një copë tjetër nga e cila qepen veshmbathjet e rëndomta, mund të lini diçka të dashur dhe të vlefshme pranë rrënjëve të tij, varësisht nga sëmundja që keni në trup apo shpirt e që prisni ta shëroni me ujin e këtyre krojeve. Kam dëgjuar se gratë që shkojnë për të ringjallur mundësinë e lindjes, te rrapi lënë brekët e mëndafshta që i kanë veshur natën e gjerdekut. Apo, nënat që çojnë fëmijët për t’i shëruar nga lemeria që u ka mbetur pasi kanë shkelur në ndonjë xhind, pranë rrënjëve të rrapit lënë nga një këmishë dhe kërthizën e tharë të foshnjës së sëmurë.
Shtatë Krojet nuk i vizitojnë vetëm hallexhinjtë, të sëmurët dhe shpresëhumburit. Atje shkojnë plot kureshtarë, aventurierë, besimtarë, të rinj dhe të reja. Kohëve të fundit është shtuar numri i haxhilerëve që kthehen këtu para se të marrin rrugën e shenjtë për në Mekë, pasi disa vite me radhë thuhet se ai që do të pijë ujë nga krojet e këtushme më lehtë e përballon të nxehtit e shkretirës. Kurrë nuk do ta vizitoja këtë vend dhe nuk do të dija për Shtatë Krojet sikur të mos më ishte dashur të takohesha me Samimijen në Haleb. As që do të më jepej mundësia t’jua shpalos këtë që do të lexoni më poshtë, sikur të mos isha sëmurë ditën e shtatë të arritjes sime te Samimija, gjë që u bë shkak që ajo të pikëllohej dhe të kërkonte ilaç tek të gjithë hoxhallarët dhe mjekët e qytetit të saj. Pasi ethet dhe marramendja nuk më kaluan, dikush i tha të më shpinte te Shtatë Krojet, ku duhej t’i mbështesja shpresat e fundit që më kishin mbetur. Isha bërë asht dhe lëkurë, më kishte mbetur vetëm hija e dikurshme, kur u nisëm udhës së largët. Nuk dua t’ju marr kohë me hallet që patëm rrugës, as me frikën që kishte Samimija se vallë do të kisha forcë ta përballoja atë rrugë të lodhshme, por ja, po shtoj vetëm se pasi piva ujë nga Shtatë Krojet, ndjeva se si damarët e trupit m’i ushqeu një freski e lezetshme nga e cila jo vetëm që m’u kthye forca e mëparshme, por ma përshkoi shpirtin një hare, të cilën njeriu e ndjen vetëm kur shijon kënaqësi përrallore.

Nuk e di vallë a ka ndodhur tani ndonjë ndryshim, por gjatë vizitës sime të fundit (harrova t’ju them se pas vizitës së parë si i sëmurë, këto kroje i vizitoj sa herë që shkoj te Samimija në Haleb) shtegu që ngjitet lartësive të kodrinës dhe që përfundon në një livadh të rrethuar me pyje të paprekura nga dora e njeriut, i ngjante një shtrati të ngushtë, të shtruar me pluhur, nga i cili gjurmët e shputave të udhëtarit të ardhshëm shlyenin ato të të mëparshmit, siç shlyhen shpresat e atyre që dikur kanë qenë në këtë botë nga ne që jemi tani. Mos mendoni se i përmend rastësisht gjurmët e shputave të kafshëve dhe të njerëzve, si ndonjë simbolikë naive për të thënë diçka që nuk dua apo nuk mundem ta them shqip e troç, por duhet të më besoni se gropat, të cilat i lënë pas vetes në pluhur këmbët e njerëzve dhe të kafshëve, nuk i mbulon as pluhuri as lloçi në ditët me shi. Mbeten si vula të paprekshme dhe të pashlyeshme, pa marrë parasysh se a do të fryjë ndonjë erë apo të bjerë shi, deri sa të mos shkelë mbi to ndonjë këmbë e ndonjë tjetri apo e ndonjë deveje që bart mbi shpinë hallexhiun, i cili i ka mbështetur të gjitha shpresat te ujërat e ftohta të Shtatë Krojeve. Se është kështu, binduni vetë. Disa herë kam shkelur  gjurmët që lija pas  vetes, por kot: posa çoja këmbën, sërish formohej shenja e mëparshme e shputave të mia. Thonë se shtegu që çon drejt burimeve është një lloj kronike e përpiktë që regjistron gjurmët e të gjithë atyre që kanë shkelur mbi të. Sa i përket pandehmës se çka ka ndodhur me ata që nuk janë nisur kësaj rrugice, por nëpër pyllin e dendur, as që ia vlen të lodhni imagjinatën dhe të lejoni që ajo të marrë kahje të tillë: kushto që është nisur rrugicave tjera, nuk ka arritur te Shtatë Krojet. Nëse nuk besoni, mund të pyesni banorët që jetojnë në fshatrat përreth dhe do t’ju rrëfejnë ndodhi nga më rrënqethëset, do t’ju tregojnë se sa e sa veta, të prirë nga skepticizmi apo duke dashur të dëshmojnë se nuk u besojnë thashethemeve dhe besimeve të kota, janë nisur kokë në vete dhe nuk janë kthyer kurrë më, apo nëse kanë dalë nga pylli, nuk kanë mundur të shpjegojnë asgjë për atë se çka u ka ndodhur, sepse kanë mbetur pa gojë dhe mend. Nuk kam takuar asnjë nga këta të mjerë dhe as që kam parë ndonjë kufomë në pyjet rreth Shtatë Krojeve – si do t’i shihja përderisa kurrë nuk kam guxuar të nisem kokë në vete!? – por nuk kam pse të mos i besoj Semimijes, e cila jo njëherë më ka thënë se në Haleb jetojnë dhjetëra të rinj që kanë humbur aftësinë e të folurit dhe të të menduarit drejt e për të cilët dihet se kanë tentuar të shkojnë te Shtatë Krojet, duke ecur maleve dhe kodrinave gjersa nuk i ka trullosur deri në alivanosje një fishkëllimë trishtuese. Pra, ja edhe një e dhënë që do t’ju nevojitet nëse rastisni të udhëtoni kësaj ane: nuk keni pse të frikësoheni, lirshëm nisuni shtegut që çon drejt Shatë Krojeve sikur edhe të mos keni shoqërues, por kurrë, kurrë mos shpresoni se do t’i shihni këto burime, nëse ju mbushet mendja të shkurtoni rrugën dhe të merrni udhën luginave, të gënjyer se do t’i bini më shkurt dhe do të arrini më shpjet. Besoj se nuk ka nevojë t’jua them të vërtetën që njihet prej shekujsh se rrugët nuk mund të shkurtohen dhe as të zëvendësohen me të reja, po qe se nuk e dini ku duhet të arrini dhe çka dëshironi të shihni dhe përjetoni. Kureshtarët e mirëfilltë shohin sende të papara edhe nëpër rrugicat që i kanë hapur të tjerët, sepse e dinë që gjatë udhëtimit nuk është e rëndësishme vetëm udha, por koha kur je nisur, aftësia e të vëzhguarit, gjërat që të kanë nxitur të nisesh si dhe bashkudhëtarët që të shoqërojnë. Ja për shembull, mua në Haleb më mahnitin deri në marramendje trëndafilat e bardhë dhe krizantemat të cilat, kur u marr erë, më bëhet se mbajnë aromën e lëkurës së Samimijes, kur i kam pranë buzëve i ndjej njësoj si edhe puthjet e saja, kur fillojnë të vyshken, më ngjallin një trishtim, një molisje të sajuar sa nga një frikë e pashpjegueshme për atë që më pret, poaq edhe nga një lodhje e ngjashme me atë që ndjen udhëtari që nuk e ka ditur se çdo ecje të rraskapit, nëse shpirtit dhe trupit nuk u mundëson çlodhje, nëse ata nuk kanë prehje, e cila jo vetëm që u mundëson të pushojnë, por edhe të ndërmendin udhët e shkelura, të palosin në kujtesë të kaluarën, e cila është pajë që stolis të djeshmen e jetës sonë dhe diçiturë e ecejakeve të ardhshme, kandar i saktë që peshon forcën e harxhuar drejt së ëndërruarës dhe vlerën e cakut të arritur, është pije, që sa të freskon, po aq edhe të helmon, po qe se ke harruar se jeta i ngjan sofrës me shumë lëngje, por pranë saj bëjnë aheng vetëm ata që e kanë kuptuar se çdo pije duhet të pihet në atë mënyrë që të mos përzihet me ato që ta prishin stomakun dhe ta çojnë të vjellët, se gjithsesi jeta nuk është sajesë që për-bëhet vetëm nga një shije, se ajo duhet mbushur me gjellëza nga më të ndryshmet, që duhet ngrënë me kujdes dhe të bindur se një jetë njerëzore as ka qenë ndonjëherë dhe as do të jetë kurdoqoftë e mjaftueshme që njeriu të ketë mundësi të shijojë tërë nektarin dhe helmin që ajo ia ofron.

Livadhin, ku ndodhen Shtatë Krojet, e stolis një bukuri përrallore pa marrë parasysh stinën e vitit. Në pranverë e hijeshon diadema e gjelbërimit dhe luleve të bulëzuara, në verë e zbukuron frymëmarrja e vrullshme e tokës, e cila thithë ngrohtësi, në vjeshtë laramania e ngjyrave që shprehin pjekurinë e asaj që njëherë ka lindur, ndërsa dimrit – ah dimrit – mbulesa e bardhë shtresohet mbi farën, e cila duhet të ringjall jetën e re, mbulon tokën jo që t’i fshehë, por përkundrazi, t’i bëjë më të dukshme gjurmët e atyre që e shkelin. Dhe aty ku livadhi formon një hark të cilin e mbulojnë degët e shelgjeve të lëshuara teposhtë, dëgjohet gurgullima e ujit që rrjedh nga Shatë Krojet të radhitur njëri pranë tjetrit. Uji që rrjedh nëpër lugjet e mbuluara me myshk të gjelbër, ushqen kullosën që shtrihet përpara tyre, apo përbirohet nën shtresat e borës gjatë ditëve të dimrit. Pamja e jashtme e tyre fare nuk dallon nga krojet tjera që mund t’i hasni kudo nëpër kodrinat ku njeriu ka dashur me një mur dhe një lug të bëjë një vepër të mirë për ardhacakët e rastit, për të eturit e lodhur të cilëve u nevojitet ndonjë shenjë sa të dallojnë dhe besojnë se gurra apo uji që rrjedh nuk e prish gjakun e njeriut. Shtatë Krojet nuk janë të veçantë as për shkak të ujit të ftohtë e as për ndonjë veçori që nuk e kanë ujërat tjera malore, edhe pse i përshkruhen veti shëruese nga sëmundje të shumta. E veçanta e Shatë Krojeve që ka përmasa të pabesueshme është e vërteta se një herë në vit këto kroje shteren krejtësisht, nuk pikon nga lugu i tyre asnjë pikë uji e lere më të keni mundësi të shuani etjen apo të lani fytyrën. Dhe kjo ndodh ditën e Shëngjergjit, në çastin kur lind dielli dhe kur mbi livadh bie tufa e parë e rrezeve të tij. Ashtu siç fillojnë të bien rrezet mbi livadh, dalëngadalë nisë të shterojë uji, kështu që në çastin kur dielli nxjerr mbi kodrinën përballë tërë kokën e vet, nga lëfyti i krojeve rrjedh pika e fundit e ujit. Dhe pas saj fillon një mrekulli përrallore: nga lugu i tyre dalin re të ngjyrosura. Njerëzit përreth mbeteshin pagojë, ose fillojnë zëshëm t’i drejtohen Zotit duke i përcjellë lutje nga më të madhërishmet. Pas një kohe, tërë livadhin e mbulon mjegulla shumëngjyrëshe që ka një aromë të këndshme mpirëse. Disa thonë se Shtatë Krojet janë goja e tokës dhe se atë ditë rruzulli tokësor ngihet me frymë, zbraz nga brendia e vet frymën që ka thithur një vit më parë, tani të mbushur me aromën e frymëmarrjes së damarëve të saj nëntokësorë. Dijetarë të mëdhenj të cilëve njeriu nuk mundet fjalën t’ua bëjë dysh, pohojnë se mjegulla, e cila tërë ditën e Shëngjergjit del nga lëfyti i Shtatë Krojeve, është sajesë e frymëmarrjes së atyre që i ka tretur dheu, që dikur kanë ecur mbi rruzullin tokësor, por pohimet e tyre kundërshtohen nga urtia e atyre që nisen nga paragjykimi se është e mundur vallë sasia e mjegullës të mbetet e njëjtë edhe pas aq vdekjesh që kanë ndodhur dhe që ndodhin çdo çast; me sa mbahet mend, dalja e mjegullës nëpër lugjet e Shtatë Krojeve ka filluar dhe ka përfunduar gjithmonë në të njëjtën kohë, që do të thotë se edhe sasia e saj mbetet e pandryshuar. Shkencëtarët e grupit të parë, teorinë e vet e shpjegojnë me të dhënat se nuk është ajri që thithë njeriu ai që quhet frymëmarrje njerëzore, por frymimi që mban gjallë njeriun është ai që e thithë trupi i tij nëpërmjet poreve të lëkurës nga edhe bëhet shfryrja e ngadalshme, e cila është e pahetueshme, zgjat po aq kohë sa është e nevojshme që kufoma e pashpirt të shkrihet dhe bëhet dhe. Prandaj, thonë ata, trupi i njeriut nuk mund të kalbet për një ditë apo dy, e as është e mundur që kufomës që shpërbëhet të mos i vijë era e keqe, sepse, sipas tyre, fillon procesi i kundërt: trupi frymon mbrapsht, vjell nga vetvetja ajrin që ka filtruar me poret e veta dhe me të cilin nuk ka ushqyer mushkëritë, por çdo molekulë përbërëse, ka mbushur çdo zbrazëtirë dhe ka freskuar gjakun që rrjedh nëpër damarë. Gjithsesi, sa mund t’u besojë njeriu teorive të këtilla poaq mund edhe të dyshojë, por nuk ka hamendje se ditën e Shëngjergjit nga lëfyti i Shtatë Krojeve pandërprerë del një mjegull e tejdukshme. Dhe radhitja e ngjyrave gjithmonë është e njëjtë: nga kroi i parë dalin re me ngjyrë të kuqe, nga i dyti re të zeza, nga i treti të gjelbra, nga i katërti të verdha, nga i pesti të kaltra, nga i gjashti të kafta, nga i shtati të bardha si bora, të cilat pastaj bashkohen, formojnë një si ylber, i cili fillon të shtrihet mbi butësinë e kullosës dhe luleve, bëhet gjithnjë më e dendur dhe fillon të ngjitet lartësive qiellore. Diku para mbrëmjes, në çastin kur dielli fsheh fytyrën e vet pas kodrinës në perëndim, retë formojnë një topth shumëngjyrësh i cili sa më shumë ngjitet përpjetë, aq më shumë zvogëlohet, aq shpejturazi zvogëlohet, sa më në fund bëhet krejtësisht i padukshëm. Zhdukja e tij paralajmëron edhe tik-takun e pikave të para të ujit që fillojnë të rrjedhin nëpër lugjet e krojeve dhe daljen nga dehja e atyre që janë ndodhur aty gjatë tërë kohës që ka zgjatur kjo dukuri madhështore.

Ndoshta vlen t’ju them se të paktë janë ata që kanë guxim t’i vizitojnë Shtatë Krojet ditën e Shëngjergjit. Nuk ka qenë kështu edhe më parë. Njerëzve u hyri frika  para ca vitesh kur u përhapën llafe se gjoja shumë nga ata që kishin ndjekur këtë dukuri sa të çuditshme aq edhe madhështore, kanë mbetur ose të shurdhër ose të pagojë. T’jua them të drejtën, kam qenë dy herë deri tani dhe nuk kam vërejtur ndonjë ndryshim në vetvete apo te Samimija, të cilën gjithmonë e kam pasur pranë, përpos që ia kam shtrënguar dorën fort, nuk e di vallë nga frika apo i mahnitur nga ajo që shikoja, por duhet ta them se viteve të fundit po më lodh një harresë që nuk a kam pasur vite më parë e për të cilën Samimija thotë se mund të jetë pasojë e vizitës së fundit te Shtatë Krojet duke shtuar se ndoshta nuk duhet të shkoj më atje ditëve të Shëngjergjit. Nuk do t’i bëhesha kurrë shok frikës, të cilën ma nxit Samimija, sikur të mos fillonin të më dilnin disa njolla shumëngjyrëshe në kraharor, për të cilat ajo thotë se kanë aromën e mjegullës që del nga lëfyti i krojeve që i kemi vizituar së bashku. Ato njolla vazhdojnë të zgjerohen dhe tani ma kanë kapluar edhe pjesën e sipërme të barkut. Samimija i puth sa herë që e vizitoj në Halebin e bukur. I puth dhe qan. Thotë se poret e trupit tim kanë filluar të frymojnë mbrapsht: jo të thithin, por të shfryjnë frymën e trupit. Dhe e ka kapluar një frikë e dukshme se së shpejti do të më humbë. Ndërsa unë e lus që t’i puth më vrullshëm, e kam bindur se ngrohtësia e buzëve të saj ngadalëson përhapjen e njollave shumëngjyrëshe nëpër trupin tim. Këtë ua përmenda vetëm që t’i keni parasysh të gjitha pasojat nëse e ndani mendjen t’i vizitoni Shtatë Krojet, duke mos dashur as t’ua shtoj dëshirën që ta shihni këtë bukuri parajse sa më parë as t’ua rris dyshimin se vallë ia vlen të marrë njeriu atë rrugë të gjatë që të ballafaqohet me aq të papritura sa e shoqërojnë edhe vetë jetën e njeriut. Si do që të jetë, nëse niseni rrugës Rehanlë-Haleb, do të arrini në maje të kodrinës nga shihen kopshtijet – parajsë të qytetit ku jeton Samimija ime, do të vëreni një rrap i cili nga larg do t’ju duket si një kope basmash dhe leckash shumëngjyrëshe, do të shihni shtegun që humbet diku nën degët e pyllit të dendur, rrugicën e ngushtë e cila në fillim nuk do t’ju bëjë ndonjë përshtypje të veçantë as që do t’ju joshë, mirëpo pastaj do t’ju duket se ju thërret,  me një zë që nuk e dëgjojnë veshët, por shqisat e brendshme të qenies suaj, që të niseni drejt saj dhe, posa t’i afroheni, do t’i shihni gjurmët si të vizatuara mbi pluhur apo baltë që kanë lënë hapat e atyre që janë nisur malit përpjetë, do të shkelni mbi to sa t’i zëvendësoni me tuajat, sa të shihni se pluhuri, të cilin e bart era e lehtë, që e ngrini ndërsa ecni, nuk bie mbi gropat që lënë pas vetes këmbët tuaja e as ato të të tjerëve, apo, sado që të mundoheni, balta që shkelni, nëse është ditë me shi, nuk do të derdhet mbi gropën që kanë lënë pas vetes shputat e njeriut apo të devesë para jush, me çka mund t’ju kaploj një mahnitje, një magji e cila do t’ju robërojë në harresë, do t’ju bëjë të mos ju kujtohet se për ku jeni nisur dhe ku doni të arrini, do të ecni dhe ecni pa ndjerë lodhje, pa thënë asnjë fjalë ankuese se ju ka rraskapitur lartësia që keni përballuar, do të vini buzë livadhit me një bukuri të cilën, e pranoj, nuk mund ta përshkruaj, do të mbeteni pa frymë nga bukuritë e kredhura në atë hapësirë ku gurgullon uji i Shtatë Krojeve, ku zogjtë flasin me një këngë që nuk e keni dëgjuar kurrë më parë, do t’ju verbojë ajo amshueshmëri e së bukurës dhe ndoshta do t’u kujtohet rrëfimi im ku nuk munda t’jua them të gjitha, sepse ka gjëra që nuk thuhen jo pse duhet të mbeten të mbuluara me pluhurin e fshehtësisë, por për shkak se as unë as Samimija, kurrë nuk e kemi kuptuar çka na shtyu t’i vizitojmë ato gurra edhe pas shërimit tim, në vitet kur ardhja ime e parë në Haleb mbeti kujtesë e largët, e stolisur me një sëmundje të papritur, të cilën nuk mund ta shëronin dot as hajmalitë e hoxhallarëve të vendbanimit të saj as sehirxhinjtë e famshëm që kishin çliruar njerëzit nga robëria e djallit dhe e xhindeve, gjë që na detyroi t’u hipnim deveve tona, e të niseshim drejt rrapit, ku fillonte shtegu që çonte drejt shpresës së fundit për shërimin tim, ecëm dhe ecëm me orë të tëra, ajo e mahnitur nga hija dhe flladi që bënin drurët që kishin mbuluar udhën, ndërsa unë i rraskapitur nga ethet, i shkallmuar nga një djersitje që sa nuk e kishte shterur tërë lagështirën e trupit tim, shalëroja devenë i molisur, duke pasur ushqim të vetëm këngën e lehtë të shoqërueses sime, i mbetur me një xixë shpresë e cila gjente rrugën të shtegtonte në vetëdijen time si rrezet e rralla që përbiroheshin nëpër degët që mbulonin shtegun, nëpër të cilin ecnin devetë tona, bartëset e trupave të mpirë sa nga udhëtimi i largët aq edhe nga dëshira që ta shihnim sa më parë atë livadh, ato gurra, uji i të cilave duhej të ma kthente forcën e mëparshme të trupit dhe freskinë thuajse të harxhuar të shpirtit, jo që të shpëtoja unë vetë, por që të mos i lija jetimë ëndrrat e Samimijes, të mos mbeteshin të pashpresa ngjyrat e ëndërruara të jetës sonë, që i pamë posa dëgjuam gurgullimën e Shtatë Krojeve, posa u ngimë me ujë, kur puthëm njëri tjetrin në buzë, u shtrimë mbi kullosën e livadhit, ku unë ledhatoja trupin e saj e ajo timin, shikuam qiellin, pastaj mu mbush mendja të mbeteshim aty përjetë, ndërsa ajo kundërshtoi, tha se edhe e bukura bëhet neveritëse, nëse nuk di si ta përdorësh; m’u lut të mos flisja, t’i largoja nga mendja ato marrëzira që nuk më linin ta shijoja deri në dhembje, mori disa grushte ujë, m’i hodhi mbi trup, shkoi krua më krua duke gëlltitur ujë të freskët, më përqafoi kushedi për të satën herë e gëzuar nga shërimi im, pastaj më urdhëroi t’i ngjitesha devesë që të ktheheshim sa më parë në shtëpinë e saj, pa ua varur veshin lutjeve të mia të qëndronim edhe ca në atë livadh dhe pranë fytëzave të krojeve, më bindi të nisemi kokulur, të heshtur, disi të hutuar dhe të ngulfatur nga pyetja: o Perëndi pse nuk ia dhe njeriut mundësinë të shijojë të bukurën, por ia dhe vetëm aftësinë të ndjejë nga larg qenien e saj, pse nuk bëre dhe ca që të mund të shuanim etjen për njëri-tjetrin, dora ime të ngihej duke ledhatuar trupin e saj, buzët e saja të derdhnin tërë shijen e vet në zbrazëtirën e gojës sime, pse, pse o Zot nuk u mëshirove dhe nuk na dhe mundësinë që të ngihemi deri në fund pranë sofrës që na ofrove, që unë dhe Samimija të jetonim gjithmonë pranë Shtatë Krojeve, të gjitha ditët e vitit të ishin ditë pranverore, si ajo e Shëngjergjit shumëngjyrësh, të cilën ju mund ta përjetoni vetëm nëse niseni rrugës Rejhanlë – Haleb, dhe arrini në majën nga shihen trëndafilat e kopshtijeve të qytetit ku jeton Samimija ime, nëse nuk ju zë gjumi kur të kaloni pranë rrapit shumëvjeçar, që shënon kthesën e shtegut i cili zhduket në pyll, ku do të shihni rrugicën nëpër të cilën kanë ecur kolona njerëzish që tani i ka tretur dheu apo jetojnë diku të mahnitur nga bukuria që e kanë parë, ku ka gjurmë që shihen dhe plot nga ato që janë mbuluar nga ecjet e udhëtarëve të rinj, ku do të ju joshë zëri mahnitës i së panjohurës, zë që do t’ju bëjë të niseni përpjetëzës pa ndier lodhje, duke ngushëlluar vetveten se çdo ecje drejt lartësive sjell kënaqësi dhe bukuri të paparë, do të hapëroni pa u lodhur, pa e ditur se sa i largët është caku i panjohur, pa u shkuar fare ndërmend  se ndoshta caqet as që ekzistojnë, se ne as që mund t’i arrijmë ato, por duhet të kënaqemi me mendimin se nuk na mbetet asgjë përpos të ecim, njashtu siç ecëm me Samimijen asaj dite kur na thanë se ilaç i vetëm i sëmundjes sime janë ujërat e Shtatë Krojeve edhe pse as ato ujëra nuk e shpëtojnë njeriun nga vdekja.

___________
Tregimi është marrë nga gazeta-nacional.com

Suzana Zisi

Suzana Zisi
Suzana Zisi, u lind në Vlorë në vitin 1967. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit në vitin 1990. Qysh atëherë e deri në vitin 2000, ka botuar krijimet e veta poetike në faqet e gazetave letrare të kohës.

Në vitin 2004 botoi vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak”. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ndër 5 vëllimet poetike më të mira, nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” në vitin 2005.

Në vitin 2006, botoi vëllimin e dytë poetik “ Imazhet kanë ftohtë”, me parathënie të studiuesit dhe poetit të mirënjohur, Agim Vinca. Në librin e saj të dytë, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmërie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale.

Në vitin 2009, shtëpia botuese "ODYSSEAS" në Athinë (Greqi), boton në gjuhën greke, vëllimin poetik “ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ .”,(Në shkretëtirat e heshtjes), përkthyer në greqisht nga poeti dhe perkthyesi i mirenjohur Niko Kacalidha.

Ne maj 2011, botoi vellimin e katert poetik “TË JESH... FJALË” - Shtepia Botuese “OMBRA GVG”, Ne kete liber, poetja rikonfirmon edhe nje here qe nuk eshte rastesisht ne udhen e poezise por, rrugeton me dinjitet dhe profesionalizem ne udhen e veshtire te artit poetik.

Shumë nga krijimet poetike të Suzanë Zisit, janë prezantuar jo vetëm në revista e gazeta letrare shqiptare por edhe në prestigjioze të huaja. Disa poezi të saj, në vitin 2008, janë botuar në revistën letrare franceze “Le capital des mots”. Së fundmi ajo është prezente edhe në revista letrare sllovene dhe kroate. Në poezinë shqipe pas viteve 90, Suzana Zisi ka spikatur gjithmonë e më shumë si një zë i vecantë poetik, modern dhe elegant.Jeton në Gjirokastër dhe punon në Universitetin “Eqrem Çabej” të këtij qyteti.


Veprat



  • E BARDHA ËSHTË PAK,ShB "Albatros", Tiranë, 2004
  • IMAZHET KANË FTOHTË, ShB "Toena",Tiranë, 2006
  • ΣΤΙΣ ΕΡΗΜΟΥΣ ΤΗΣ ΣΙΩΠΗΣ, ShB "Odisseas",Athine, 2009
  • TË JESH... FJALË - SHB “OMBRA GVG”, Tiranë, 2011



  • Poezi nga Suzana Zisi


    ËNDËRR …

    Mbrëmë,
    gjithë natën isha me ty…
    T’i këputa venat…
    T’i zbërtheva eshtrat…
    T’i gjakosa flokët…
    Të putha në sy.

    Mbrëmë,gjithë natën,
    isha me ty.
    Por, në mëngjes,
    s’munda të të rikrijoja…
    S’më dilnin gjymtyrët.
    S’më mjaftonin flokët.
    Buzët e kafshuara,
    fytyra e plogët.
    Dhe, ika…
    Ika, mora malet.
    Zjarri, që kam brenda,
    as shuhet..as falet…!!!




    DASHURIA JU KA HARRUAR

    Mos e kërkoni
    puthjen!
    s’keni për ta gjetur.
    Këtu,thellë e kam tretur.
    Mos e kërkonindjenjën,
    kyçur në shpellën e mungesës.
    Mos e kërkoni arsyen.
    Shtatë pashë nën dhe, ka mbetur…
    Mos e kërkoni moshën!
    Me zeroe kam shumëzuar.
    Mos e kërkoni dashurinë!
    Ju ka harruar..



    M’I MORI ERA…

    Rrënqethjet,
    e mëngjesit të brishtë.
    klithjet,e pasioneve të ndaluara.
    Lotët,e fëmijërisë së largët
    pendesën, për “fajet” e shkuara.
    Ecejaket, në kërkim të shpirtit
    alegorinë, e telefonatave të ndërprera.
    Letrat ,që dot s’i shkrova…
    m’i mori era



    NGA SYTË E TU

    Nga sytë e tu,
    buron një dritë e mirë.
    Kjo dritë, ka kohë
    që më mungon…
    Më duket vetja
    shkretëtirë,dhe ti,
    oaz,që më tundon.
    Jemi kaq larg…!
    (ndonëse dy hapa)
    Mos e zgjat
    dorën me ngurim,
    se digjem, digjem porsi flaka,
    dhe, mbetet veçse, hiri im!



    NATËN, KUR TI FLIJE…

    Natën, kur ti flije,
    t’u futa në shpirt.
    Nga rruga,
    që, vetëm unë e di.
    U përballa,
    me dhjetra portrete femrash.
    U përgjaka,
    në qindra skelete
    emrash,
    dhe, qava me oiii…!
    U ngatërrova,
    në labirintet e psherëtimave.
    Mes premtimesh boshe, vuaj…
    Puthjet pijanece,
    belbëzojnë:
    -E dashur,
    je, në dhe të huaj!
    Dhe rend, por, shpirti s’paska fund.
    Ti po zgjohesh.
    Dhe një sekondë, ka ngelur…
    Po shkoj me shpresën,
    se, imazhi im, do jetë diku…
    Në tokën e pashkelur…!



    POEZIA DHE UNË

    Veshur
    me pelerina çeliku.
    Tërë nur.
    Në “ paradën madhështoretë modës”,
    pozojmë të dyja.
    Ajo, Mis e vërteta.
    Unë, Mis marrëzia…!



    TE FLAS KUR NUK JE…

    Po endem
    në fytyrën tënde, si kurrë më parë…!
    Mes flokësh rrëshqas…
    e, ku të strukem s’di…!
    Ndoshta…aty,
    ku, mendimi yt s’me le të rri…
    E, zbres,
    mbi hundën e brishtë,
    që, frymëmarrje gjëmon.
    Si prek dot buzët…
    se, djegin, djegin dashuri…!
    Vetëm aty, nuk munda të hyj…
    Aty ku, heshturazi, përvëlojnë dy sy…
    Hape zemrën shpirt,
    e, me ler të rri



    TI, DREKON ME POEZI…

    Me një gotë vere të kuqe të vjetër,
    duke përtypur ëmbël poezi,
    syçkat të ndrijnë si yje nate.
    Ty.

    Të kanë rënë dy rima nëpër buzë,
    Eja të t’i fshij.



    NJË GJETHE

    E zgjidha,
    magjinë e egzistencës.
    Jam gjethe,
    e flakur mes rrugës…
    Kalojnë mbi mua,
    pushtete, këpucësh…!



    ATA…

    Ata,
    për njëri- tjetrin, janë kalimtarë.
    Duhen,
    grricen, çirren,
    puthen si të marrë…
    Riprodhojnëveten.
    Janë bashkautorë.
    Imja është kjo këmbë,
    jotja është kjo dorë.
    E, grricen përsëri.
    Puthen si të marrë…
    Ata,
    për njëri-tjetrin, kalimtarë…!




    Duke degjuar “Kastadiva”…
    Kjo melodi,
    Më tërheq flokësh
    dhe
    më flak thellë aty…
    Në atë stinën gjethe – flakëruar…
    E shkuara rrëzëllitëse më përpin.
    Imazhe puthjesh, më mbarsin me uri..
    Hijet e buzëqeshjeve dhe duarve
                                                kapluar…
    Tatuazhe mesjetare, gri…
    Zjarresh,
    lëkurën e nxirë
                     nga pritja e stërgjatë…
    Le të themi ishte ditë
    Pse jo edhe natë…
    Perëndim i çmendur apo
                                 mëngjes i marrë…
    Pleksur blertësisht tek ti.
    “Agim i ndritur”, të kujtohet,
    mbrëmja kur dogje çadërzën – shtëpi,
    për një përqafim të gjatë, të gjatë,
                                          që shojti flakë tabush
                                                               e ndezi shandanët e mi…?
    Kjo melodi,
    thërrmon vargjet
    dhe
    i shpërndan skutave
                           ku s’ka mundur të shkelë askush,
    Udhëve të thara te askundit,
    ndiej therje vetëtimash,
    thellë zemrës – prush…
    Eja,
    struku duke u zvogëluar
                                     në tënden fole,
                                                 diku aty në gushë…
    Të të marr udhëve, me vete…
    Duke të pëshpëritur: “Je aty?”
    Ti, metamorforizuar në një rrënqethje,
    Ngërthyer mbi lekurën – përqafim – stuhi…

    Sot,
    në pyllin gjethendezur,
    Seleksionoj erërat e heshtjes,
    Duke dëgjuar këtë melodi…



    I MIRI IM, TI…

    “E mira ime…” – pëshpërite,
    Unë,
    Harruar…në tëndin përfytyrim,
    që petalesh më vizatoi,
    Në puthjen që mbeti udhëve,
                                         pelegrin…
    Në atë rrymën e nxehtë
    që,
    u nis prej reaksionit kimik të një vatre të trurit,
    Dhe fundbarkut falje i kërkoi…
    Në atë që kurrë nuk gjeti tharm brenda teje
    dhe…
    u struk kraharorit tim si fëmi…
    Asnjëherë nuk më deshe,
    E asnjëherë s’më gënjeve.
    I miri im, ti…



    ARGJIRO…

    Ti,
    seksin tënd e konsumon pacipërisht,
    E lakuriqta mikja ime – femër…
    Yjet ,
    marrin ç’duan,
    Ti, ç’të mundësh u dhuron:
    Lëkurën,
    Fundbarkun e brishtë,
    Qumështorët gjinj – oaze perëndish…
    Mes territ,
    Si para një ekrani të errët,
    Nder, epshoren nudo të myshktë…
    Ti,
    Shekujsh,
    Seksin tënd,
    në teatrin e madh të natës, shfaq…

    Aktorë,
    të zjarrtët – dashnorët e tu…

    E vetmja spektatore,
    duke tymosur cigare në ballkon,
    Unë, që drithëroj këtu…



    KATARSIS

    U ktheva në foshnjërinë e botës sonë.
    Femrat e pyllit, ua blatuan foshnjat perëndive.
    U shenjtëruam ne.
    Gjyshet, u qëndisën rrobat nipërve me kuaj ere,
    mbetën pa atdhe…
    Meshkujt, u vunë zgjedhën grave dhe i dërguan në arë.
    Zoti,
    shkruajti në librin e shenjtë se duhej vënë pak drejtësi…
    Djalli,
    i shtrirë mbi re, dërgoi shi.
    Ne,
    si gaforret,
    të larë nga mëkatet,

    Rendim në Ardhmëri…!



    FLATROJ…

    Flatroj,
    E lakuriqtë drejt asgjësë.
    Mbrëmjet e nxehta,
    Mëngjeset e trishtë,
    Lëkurës enden,
    Gjallojnë.
    Vdes çdo çast e zeza,
    Rilindin në tisin e natës ngjyrat,
    Dimensione të reja kërkojnë.
    Pjalmi i së shkuarës,
    më mbars me të nesërme.
    Dhe,
    ashtu e lakuriqtë,
    Ndihem plakë e rrëgjuar,
    Nënë,
    Grua pjellore,
    Femër…
    Pendët e lodhura,
    Qiejve të kaltër, shpupuris.

    Përhumben dëshirat,
    Në të voglat hapësira të mushkërive,
    e më pas në zemër.

    Ashtu e lakuriqtë flatroj drejt lirisë,
    I flak horizontesh enigmat pa emër…



    PINK DREAM…

    Këtu
    mbi guricka,
    shtrirë vend e pa vend,
    Melodi e pyllit trupat tanë i çmend…

    Është një kasolle thurur me blerim,
    Një natë e butë pa hënë e pa dritë.
    Është dhe një rrekëzë që rrjedh aty pranë,
    Kandile që ndrijnë, shpirt, ne kemi sytë.

    Janë dy duar që po më afrohen,
    Zemër – përpëlitur dëshirash, ndjesish.
    Janë dhe dy gjinj që po ju mëkojnë,
    Buzëve të tua qumësht të fildishtë…

    Harkuar si bima e etur për ujë,
    Ëngjëll – djalli im, tashmë…je mbi mua.
    Janë dhe ca brinjë vrarë nëpër guricka,
    Teksa përpëlitem dridhjeve të tua.

    Melodia e pyllit, trupat tanë i cmend…
    Këtu
    në kasolle,
    shtrirë vend e pa vend…



    TË JESH…

    Të jesh,
    Duhet të të prekin,
    Që të vërtetojnë hipotezën e rënies dhe ringritjes…

    Të qeshësh nëse do mundësh,
    Mes rrudhave të thella të pritjes,
    Duke rrëzuar jargë të lashta dhimbjesh,
    Stuhi, përpëlitjesh.

    Të jesh,
    Do të thotë të vjellësh rininë nga goja e pleqërisë,
    Kujtimeve të trishta të rrëmosh.

    T’i këndosh kufomës tënde psalme biblike.

    Të jesh,
    Do të thotë: Të harrosh.
     




    E BARDHA ËSHTË PAK

    Një mur,
    i lyer
    me të zezë
    dhe me të bardhë...
    E zeza - është shumë.
    E bardha - pak.
    Ngjyrat,
    luftojnë ashpër.
    Ngjyrat,
    lëshojnë gjak.
    Përpëlitet e bardha.
    E zeza shumohet.
    Syri...më tmerrohet…
    Mur.
    Mur i zi larë në gjak.
    S’dalloj dot të bardhën.
    E bardha,
    Eshtë,

    Pak…