Mittwoch, 30. Januar 2019

Mimoza Gjetaj

Mimoza Gjetaj

Mimoza Gjetaj lindi në Shkodërs me 5 korrik1971. Shkollen fillore dhe të mesme i kreu në qytetin e lindjës, kurse studimet në Fakultetin Ekonomik në Tiranë.
Pasioni i saj ishte poezia. Ka filluar te shkruaj në moshë të re dhe fillimisht krijimet e saja i ka botuar në revstën "Zëri i Rinisë".
Në vitin 2018 botoi librin e saj të parë me poezi me titull "Dallgëve të jetës".
Nga viti 1999, jeton në Itali.


Poezi nga Mimoza Gjetaj


MUNGESA MË MUND

Heshtja turturuse 
Nuk i la vend lamtumirës... 
Ndjej të ftohtë në shpirt,
Nuk di!!!
Për sa kohë do të kërkoj puthjen tënde 

Asnjëri nga ne nuk pati guxim 
Ta thyej heshtjen që s’na lë të flasim
Distanca është bërë urë ndarje...

Kopshti i ëndrrave këtë vjeshtë
ka aromën e gjetheve të verdha
si bota e shpirtrave tanë të ngrirë...

Kam frikë nga e nesërmja
malli m’i rrënon muret e shpirtit
nga altari vije vetëm zëri i një ndjesie
që m’i shurdhon veshët e dashurisë...



MALLIN S’E MUNDI DOT

Malli që ndjej për ty më ka pushtuar
Më djeg nga brenda si prushi nën hi
Dritat e shpirtit m’i mban ndezur
Me rreze engjëlli nga altari i shpirtit
Ngrohtësi zemre për të të dhuruar...

Malli që ndjej për ty më mban gatitur
Si besimtarin para altarit të lutjeve
Mbylli sytë, dua të të shoh me sytë e hënës
Të të flas ëmbël me dritën e yjeve
Me bukurinë e luleve të ta stolisë ballin...

Përqafimet i shpërndaj si stërkalat dallgët
Mbi syprinën e blertë të shpirtit të bukur 
Të mijëra dëshirave që bien nëpër mua
Si shiu i ngrohtë mbi lulet e pranverës
Që pres të t’i dhuroj në secilën ditëlindje...

Vetëm me frymën e kësaj shprese 
Nuk e shuaj dot mallin që ndjej për ty 
Dua rreze nga dielli i dashurisë për mua
Akullin në shpirt ta shndërroj në lumë freskie
Të ujis lulet e dashurisë që ndjej për ty....



Merrem!

Më dërgo larg dhe ku të duash 
Por jo përtej ëndrrave tua
S’dua të fundosem në heshtjen time 

Buzëqeshjet tua qëndrojnë përballë meje 
Si valët e qeta në detin e pa trazuar 
Fjalët dhe butësia e zërit tënd 
Përkëdhelin pasqyrshëm imazhin tim 

Më dërgo larg dhe ku të duash 
Por jo përtej ëndrrave tua 
Midis heshtjes dhe vetmisë
Nëpër mua rrjedhë e rrjedhë shpresa 
Si ylberi ndez çdo vështrim 
Çdo fjalë që më bën të të ndjej 
Edhe më shumë praninë tënde . 

Ndaj, luteni ta lini lirshëm
rrjedhën e dëshirave tona të vërshojnë 
Mos i mbyll portat e pafajësisë...

Montag, 14. Januar 2019

Muhamet Rogova

Muhamet Rogova

Muhamet Rogova u lind në vitin 1944 në Gjakovë. Arsimin fillor, të mesëm dhe Shkollën e Lartë Pedagogjike i kreu në Gjakovë. Pastaj ka kryer studimet në Fakultetin Filozofik, dega e albanologjisë në Prishtinë dhe studime pasuniversitare në degën e gjuhësisë, mori mori titullin “Magjistër i shkencave filologjike”.
Në maj të vitit 1981, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, arrestohet  dhe denohet  me nëntë vjet burg.
Pas lirimit nga burgu, me inisjativën e tij formohet Shoqata e Intelektualëve në Gjakovë e më vonë Forumi i Intelektualëve Shqiptar.
Ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë, në Gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovë.
Deri më tash ka botuar këto libra:

  • “Kujtime nga Burgu”,
  • “Lojërat popullore të Gjakovës (Etnologji),
  • “Aromë Gjakove” dhe si bashkëautor me Prof. Migena Arllatin 
  • “Toponimet në Gjakovë (Mbiemrat-emrat familjar)



Fragment nga libri  “Kujtime nga burgu”

         Ishte korriku i vitit 1981. Më erdhën për vizit nëna, motra dhe dy vëllezër. Ata më lajmëruan se  më 13 korrik , pra para disa didësh, më kishte lindur djali të cilit ia kishin vënë emrin Besfort. Ata ma uronin prapa grillave lindjen e djalit. Sa u gëzova, aq u merzita. Ishte shumë e rëndë që në një pozitë të tillë të ta sillnin të tjerët lajmin për lindjen e djalit dhe të uronin për lindjen e tij në burg prapa grillave. Djali na kishte lindur dy muaj pas burgosjes time. Përpiqesha të mbahesha  për të mos u treguar i mërzitur para  tyre. Edhe ata përpiqeshin të më jepnin kurajo  E kisha ditur se do të më lindë djalë. Sinjalet më kishin ardhur përpara përmes ëndrrave. Kështu kishte ndodhur edhe me lindjen e tre fëmijëve të tjerë.Për Filloretën dhe Jeronimin për shembull.Përpara se të vinin në këtë botë., i shihja si engjuj duke ardhur nëpër qiell. Para se të lindëte Kushtrimi,më erdhi një zë në ëndërr  e më tha në vesh;”Djalë”. Kurse për Besfortin që sapo ka lindur, pak më ndryshe. E shoh sikur më kishte lindur djalë. Atë fëmijë të posalindur, e mbaja në një dyshek nën sqetull dhe me te shetisja nga një rrugë në tjetrë, duke hyrë e dalë nëpër dyer të ndryshme nëpër ambiente të zymta. Kjo ëndërr  më jepte të kuptoja  se shtegtimet e mia nëpër burgjet e Jugosllavisë do të ishin të gjata. Unë ashtu e komentoja etë ëndërr.
       Kur u ktheva në çeli pas vizitës, isha shumë i merzitur. E merrja me mend se sa të vështirë e ka pasur gruaja ime momentin e lindjes pa qenë burri i saj pranë si është zakon i për t’iu gjedur në ato momente të vështira. Edhe nëna do ta ketë përjetuar shumë rëndë këtë lindje. Ne në familjen tonë e kishim zakon që sa herë të na lindëte ndonjë fëmijë, organizonim ceremoni. Ftoheshin të afërm  e me plotë gaz përpiqesha ta organizoja atë ceremoni sa më bukur. Gëzimi mbulonte tërë familjen se po na shtohej edhe një anëtar në familjes. Në ato çaste më parafytyrohej fëmijërija ime. Isha rritur pa e njohur babanë të cilin e kisha parë vetëm përmes fotografive që na dërgonte nga Greqia apo Turqia ku jetonte si emigrant politik. E dija se me çfarë peripetishë isha rritur, në varfëri dhe pa përkrahjen e askujt. Ishte tepër e rëndë. Tani mendoja se si do të rriteshin fëmijtë e mi. Ata në shtëpi, nën presionin e qeverisë, se njeriu  kur i prishte raportet me qeverinë, edhe rrethi dhe populli po të përbuznin. Këtë e kisha përjetuar vetë në fëmijërinë time. Në këtë kohë babaj im jetonte në Turqi si emigrant politik dhe i zhytur në pleqëri të thellë dhe krejtësisht i vetmuar. Kush e din se a ka dëgjuar për burgosjen time. Nëse kishte ndëgjuar, si do ta ketë përjetuar. Me keqardhje apo me mburrje se edhe djali i tij e kishte vazhduar të njëjtën rrugë si ai dikur. Ja si po u përsëritka historia. Këtë rast  mund ta quante dhembje krenare. Dikush në këto rrethana u dashka të sakrifikohet, paçka se i ra shorti familjes tonë si dhe shumë familjeve të tjera shqiptare. Në këtë kohë, në kokë më silleshin lloj-lloj mendimesh dhe nuk dija t’ia gjeja fillin. Isha i tëri i topitur.
           Mbase këto janë ligjet e dialektikës, mendoja me vete. Ashtu si kokrra e misrit  që hidhet në arë e asgjësohet dhe prej saj del filizi i ri që e përtrinë jetën. Ashtu po ndodhka edhe me mua. Unë që aq shumë e dua lirinë, u dashka ta humbë  lirinë personale për ta fituar atë lirinë e madhe, lirinë kolektive apo lirinë kombëtare dhe për këtë megjithate duhet të ndiehemi krenar. Hysen Gega shpesh e përdorte një thënje, mbase që e kishte dëgjuar nga Jusuf Gërvalla me të cilin ka bashkëpunuar; “Burgjet plotë, liria te dera”.  Si mund të na vinte ndryshe ajo liri e ëndërruar?  Paçka se ne duhej të sakrifikoheshim. Kështu ka ndodhur gjatë të gjithë historisë.
           Nga fundi i korrikut, mua dhe Hysenin që ishim bashkë, na nxorën nga qelia ku ishim dhe na dërguan në një qeli tjetër, në anën tjetër të koridorot. Ishte një qeli e përbashkët me gjashtë shtretër në dy kare, tre poshtë e tre lartë. Në atë qeli kishte edhe të burgosur të tjerë si Shefqet Telaku  nga Banja e Malishevës, student,  Fatmir Zekolli nga fshati Bllacë e Suharekës, nxënës në gjimnazin e Prizrenit. Aty ishte edhe një goran nga Dragashi por i burgosur për aksident në trafik dhe tani edhe unë me Hysenin që na dërguan. Ishte kënaqësi kur të takoheshim me fytyra të reja. Takimi me shokë të rinjë  në rrethana të burgut konsiderohej si ngjarje me rëndësi. Pasi u prezantuam me njëritjetrin, filluan bisedat më të gjata në mes nesh. Shefqet Telaku na tregonte se si kishte marrë pjesë  në demonstratat e Prishtinës dhe të Prizrenit dhe se si  në ditën e dytë të martesës së tij, plicia i kishin shkuar në shtëpi dhe e kishin arrestuar, ende pa u njour mirë me nusen. Ky rrëfim i tij seç ma kujtonte  baladën e Ago Ymerit.
        Ndërkaq, Fatmiri ishte një djalë i ri  17 vjeç, siç thuhej, ende pa i djersitur mustaqet. Me një trup ende të palidhur e me fytyrë të njomë. Tërë kohën ulej në një kënd të qelisë dhe këndonte këngë  trimërie e revolucionare. Edhe Hyseni shpesh e këndonte këngën e Bec Sinanit me plotë pasion. Kurse unë ua komentoja ato këngë  në aspektin letrar e historik.. Kur e shikoja Fatmirin, një djalë ende të parritur mirë, më dhimsej pa masë. Kur e pyesja se a po merzitet që kaq i ri kishte rënë në burg, pa një pa dy më përgjigjej; “Jo bre burrë, mos e thuej këtë fjalë!  Vetëm për një gjë po më vjen keq që nuk kam bërë ma tepër për çështjen tonë. Unë vetëm mora pjesë në demonstrata, ashtu si kan vepruar pjesa më e madhe e rinisë. Ishim marrë vesh me shokë për të dalë në demonstrata. Për atdhe duhet të punohet më tepër”
         Një ditë prapë e pyeta Fatmirin;
        - Fatmir, kur të del në gjykim, a do të pendohesh
        -  Mos ma thuaj bre këtë fjalë, si të pendohem unë? Vetëm për një gjë po më vjen pak rëndë, që nuk i di gjanat dhe historinë qysh po e dijshe ti e me folë edhe në gjyq. Atë që nuk kamë arritë ta boja në kohën e demonstratave, me ua thonë atyre në gojë e troç, se ky popull  nuk ka me e ndërpre aktivitetin  pa e fituar lirinë e plotë.
           Kur e shikoja këtë djalë të rinj, ende të parritur si duhet, me këtë bindje e me këtë karakter, e vendosmëri, po unë, çfarë duhet të bëja. Po të tjerët që janë akoma më të pjekur, çfarë duhet të bëjnë? Unë në sytë e të tjerëve për rreth shihja lirinë. Liria vetëm mund të vonojë, por një ditë ajo  do të vijë patjetër.  Ashtu siç thoshte Ismail Qemaili; se “Ky popull  me një rini të tillë mëkat të lëngojë nën robëri”
       Nëse gjatë ditës bisedonim për probleme të ndryshme, e lexonim gazetën dhe e komentonim bashkarisht si dhe këndonim  këngë të ndryshme, në brëmje, kur vinte koha për të fjetur, ata kërkonin që t’iu mbaja ndonjë ligjëratë me karakter politik apo historik. Mbasi shtretnit ishin në dy kate, njëri mbi tjetrin, uleshim në shtretërit e lartë dy nga dy përballë njëritjetrit, këmbëkryq dhe filloja t’iu flisja për tema të caktuara më parë. U mbaja tema historike duke folur për historinë e popullit shqiptar  që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, tema të ditës, tema sociale, etnografike, por edhe për tema të ndryshme politike, të rrjedhave  politike kombëtare  dhe ndërkombëtare. Të gjitha këto ligjërata ishin në funksion të ngritjes dhe të formimit kombëtar e intelektualë, me qëllim të ngritjes dhe të formimit ideologjik, me qëllim të kuptimit sa më mirë të rrethanave politike në të cilat ndodheshim dhe perspektivën që e priste popullin shqiptar. Me një fjalë, shekulli i XX ishte shekulli i lirisë së popujve të robëruar e të skllavëruar. Edhe populli shqiptar i Kosovës i takonte  kategorisë së popujve të robëruar në mes të Evropës. Kur popujt e robëruar të Afrikës e të Azisë po e fitojnë lirin, si mund të lëngonte nën zgjedhë  në mes të Evropës populli shqiptar? Ata për çdo natë kërkonin nga unë t’iu mbaja nga një temë të tillë. Në vend se nata në atë qeli të burgut të ishte e trishtueshme, ajo kthehej në ankth të pritjes për të dëgjuar gjera të reja. Ata tregonin interesim të jashtëzakonshëm he dëgjonin me interesim shumë të madh  temat që iu mbaja. Ato që nuk kishin arritur t’i mësonin gjatë shkollimit të rregulltë, përpiqeshin t’i plotësonin me njohuri të reja gjatë atyre brëmjeve. Në ato rrethana, burgu ishte shëndërruar në një shkollë për ta, kurse për mua ishte një kënaqësi e veçantë se edhe në burg, gjeta nxënës që aq shumë i kam dashur dhe i mbaja orët e mësimit që aq shumë më mungonin.
   Me këta njerëz të mirë nuk e ndieja peshën e burgut. Aty më kujtohej thënja e Maksim Gorkit; “Burgu për revolucionarët eshtë vetëm një vend pushimi për të marrë energji të reja për të vazhduar më vonë me përvoja të reja dhe forca të përtrira”.

Freitag, 11. Januar 2019

Ag Apolloni

Ag Apolloni

Ag Apolloni është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.
Ka lindur më 13 qershor 1982, në Kaçanik (Kosovë). Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në vendlindje, kurse studimet për Dramaturgji dhe studimet për Letërsi, i ka mbaruar në vitin 2005, në Universitetin e Prishtinës. Për shkaqe ekonomike, në vitin 2006 ka ndërprerë studimet në Filozofi dhe për dy vjet rresht kohën më të madhe e ka kaluar në Spitalin e Prishtinës duke u kujdesur për babain e sëmurë, i cili ndërroi jetë në 2007. Në vitin 2008, Ag Apolloni merr titullin Master i Shkencave Filologjike, kurse në 2012 merr titullin Doktor i Shkencave Filologjike. Apolloni aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008
Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë. Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, në të cilën ka realizuar intervista me: Linda Hutcheon, Jonathan Culler, Rita Dove, Raoul Eshelman, Gottfried Helnwein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D. M. Thomas etj. Tekste dhe vepra të Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht, serbisht etj. Apolloni është shpërblyer disa herë me çmime kombëtare për veprat e tij fiksionale dhe studimore.
Ag Apolloni ka filluar të shkruajë në vitin 2003. Në një kafene kishte dëgjuar një histori lufte për një kriminel që kishte koleksionuar sytë e viktimave të tij dhe kjo histori e kishte tronditur aq thellë sa që për këtë e kishte krijuar një monodramë brenda nate. Gjatë studimeve ka mbajtur një ditar poetik, të cilin në vitin 2009 e ka botuar me titullin “Zomb”. Ndërsa, në vitin 2013 boton romanin autobiografik “Ulurima e ujkut”, ku, nëpërmjet formës postmoderne, kombinon dhimbjen me tërbimin. I provokuar nga përvojat personale, mllefi i madh në këtë roman shpesh merr përmasa planetare. Pas këtij romani, shkruan novelën “Zazen” si një homazh për një shok të tij, i cili, pas mbarimit të studimeve në Degën e Filozofisë, në pamundësi për të gjetur punë në vendlindje, i mllefosur me të gjithë, kishte vendosur të zhdukej dhe, pas disa ditësh, ishte gjetur i vdekur në një humnerë. Derisa dramat e Apollonit provokojnë frikë dhe mëshirë, ndërsa poezitë e tij e transformojnë jetën intime në art, proza e tij është ankim dhe tërbim. Kurse, në studimet “Parabola postmoderne” (2010), “Paradigma e Proteut” (2012) dhe në kritikat e botuara nëpër periodikë, shihet një tendencë për të hapur shtigje të reja kërkimi.

Veprat:

  • Ulurima e Ujkut, roman,  (2013)
  • Zazen, roman, (2014)
  • Zomb, poezi, (2009)
  • Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat (2010)
  • Hamleti simbas Horacit, (2017)
  • Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (2018)
  • Parabola postmoderne, kritikë, (2010)
  • Paradigma e Proteut, kritikë, (2012)
  • Koferi i Konicës, kritikë, (2016)


Shpërblimet:

  • Krijimtaria e Apollonit është shpërblyer me disa çmime letrare kombëtare, si:
  • 2010 Libri më i mirë poetik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”;
  • 2013 Libri më i mirë kritik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”;
  • 2013 Romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”;
  • 2017 Drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”.


Një poezi nga Ag Apolloni


AUTOBIOGRAFI

Kur leu dita
e dha shpirt e zeza natë,
në shpellën e Platonit ideja mori trajtë.

Të diellën me diell të nxehtë,
në muejin e qershive, n’ditën e trembëdhetë.

Edhe pse leva herët,
gjindja kanë mendu se jam i vonuem.
Ndoshta pse me heshtjen kam qenë i dashunuem.

Nji antenë dhe nji gjel mbi kulm,
si gjana t’nevojshme, jo si gjana t’hijshme;
e kanë ruejt drejtpeshimin e shpisë sonë
ku na dhe televizori flisnim gjuhë të ndryshme.

Edhe atëherë s’ka qenë aq keq,
s’ka qenë ma keq;
ka qenë si sot:
hajna, hafije e heroj plot.

Kam luejt gjithçka,
nuk i mbaj mend emnat për secilën lojë.

Edhe pse s’i kam dashtë fort librat,
nëpër shkallët e shkollës jam ngjitë pa drojë.

Kur baba mori koferin me andrra dhe u zvogëlue n’horizont;
kur shokët shtegtuen si dallëndyshe në fund të stinës;
kur gjyshi një ditë e prishi rutinën e përnatshme
dhe, në vend se me fjetë, vendosi me dekë,
unë si fëmijë i humbun gjeta strehë në bibliotekë.

Në kohën e plumbave, nisa me ba jetë prej letre:
letrat e shkrueme i lexova e të zbraztat i shkrova.

Trupi me hijen në mur matet edhe hahet,
tash kur letrat e bukura i kam të vetmen fe;
në shpellë shoh mishin që bie, mjekrën që zgjatet,
dielli mbrapa shpine më pret të kthehem prapë në ide.

________
Për biografinë e autorit u shebyem nga Wikipedia, kurse poezinë e morëm nga interneti.

Ylljet Aliçka

Ylljet Aliçksa

Ylljet Aliçka ka lindur në Tiranë, më 23 qershor 1951. Ka marrë gradën shkencore "Doktor i Shkencave Didaktike", më 1989, dhe titullin "Profesor Doktor", më 1993. Ka kryer detyra profesionale : mësues në fshatrat e rrethit të Matit, 1973 - 1983 ; redaktor dhe drejtor pranë Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, 1983 - 1992 ; drejtor i Marrëdhënieve me Jashtë, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve, 1992 - 1997 ; përgjegjës për informacionin dhe komunikimin pranë Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, 1997 - 2007 ; ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO, përfaqsues personal i Presidentit të Repubikës pranë Orgnizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë 2007 - 2013 ; Profesor pranë Unitersitetit Europian të Tiranës (UET) dhe Universitetit të Arteve, Tiranë, që prej 2013.

Është angazhuar në veprimtari shoqërore si:

  • Anëtar themeltar i shoqates kulturore « Fabrizio De Andre » Milano, Itali 
  • Qytetar nderi « Republika e artistëve të Montmartrit », Paris, 2011 
  • Anëtar i Akademisë franceze «Zhorzh Sand», Paris 2010 
  • Anëtar i shoqatës së shkrimtarëve frankofonë, Paris, 2012 
  • Anëtar I shoqatës së autorëve dramatikë dhe audiovisualë, SACD, Paris, 2006 

Letërsi artistike në prozë: 

  • Tregime, Onufri, 1998 
  • Kompromisi, Onufri, 2001 
  • Parullat me gurë, Albimazh, 2003 
  • Një rrëfenjë me ndërkombëtarë, OMSCA, 2006 
  • Koha e puthjeve, Toena, 2009 
  • Valsi i lumturisë, Toena, 2012 

Në gjuhë të huaj: 

  • Les slogans de pierre, Edition Climats, Francë, 1999 
  • Kompromisi, Pogranicze, Poloni, 2002 
  • I slogani di pietra, Guaraldi, Itali, 2006 
  • Balkan blood, Balkan beauty, North-West University, ShBA, 2006 
  • Les étrangères, Edition Pyramidion, Francë, 2010 
  • La sloganoj el stonoj , Esperanto, Swidnik, Poloni, 2013 
  • Histoire albanaises , Edition Picollec, Francë, 2013 
  • Když projížděl Chruščov naší vesnicí, Petr Štengl Edition, Republika Çeke, 2015 
  • Un sogno Italiano, Rubbettino editore, Itali, 2016 
  • Mappe 12 fra Tirana, Bokvennen Vorlag, Norvegji, 2016 
  • Tregime të botuara në revista polake, ceke, franceze, italiane, sllovake, bullgare dhe rumune.

Autor skenaresh kinematografik: 

  • Slogans (Parrullat) , bashkëprodhim franko-shqiptar, 2001 
  • Kronikë provinciale, bashkëprodhim franko-italo-shqiptar, 2008 
  • Lulet Plastike, prodhim shqiptar, 2016 
  • Ndërkombëtarët, bashkëprodhim franko-shqiptaro-maqedonas, 2018 
  • Poeti, prodhim shqiptar, 2018 

Çmimet letrare: 

  • "Çmimi i parë" - "Una Storia di Paese" - Konkursi ndërkombëtar i tregimit, "Teramo", Itali, 2000 ; 
  • "Çmimi i dytë" - "Les slogans de pierre" - Konkursi ndërkombëtar "Arts et Lettres de France", Francë, 2000 ; 
  • "Medalje bronzi" - "Les slogans de pierre" - "Académie Internationale de Lutèce", Francë, 2001 ; 
  • "Penda e Argjendtë" - "Kompromisi" - Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, 2001 ; 
  • “Libri artistik i vitit" - “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” - Akademia KULT, 2007 ; 
  • "Premio speciale" - “I compagni di pietra” - VII Premio Letterario Nazionale “Libri editi”, Itali, 2009
  • "Penda e argjendtë" - "Valsi i lumturisë" - Ministria e Kulturës, 2013 

Çmimet kinematografike 

  • “Çmimi i parë Skenari më i mirë” - "Slogans" - Festivali i filmit shqiptar 2006 ; 
  • "Çmimi i kritikës" - "Slogans" - Festivali i Kanës, 2001; "Tokyo Grand Prix - Golden Prize"[7], Festivali i filmit Tokio. 
  • “Çmimi i parë për skenarin” - “Një histori provinciale”- Festival de Film de l’Europe de l’Est, Francë, 2011. 
________
Marrur nga Wikipedia

Montag, 7. Januar 2019

Xhelal Luca

Xhelal Luca

Xhelal Luca lindi në fshatin Zall - Dardhë të Peshkopisë. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen i mbaroj në Kurbnesh të Mirditës.  Ka botuar vëllimet me pezi "Shpirti bredharak", “Ndizem në akull ", "Pesë degë trungun thërrasin" (me bashke autor) dhe se fundi "Mëngjese të munguara". Po ashtu, ka lën në dorëshkrim dy përmbledhje të cilat presin botimin: "Flladet e atdheut tim" dhe "Prushimi i hijeve".
U nda nga jeta me 6 janar 2019.


Poezi nga Xhelal Luca


NUK KA PLUHUR MBI BEDENA

Gjyshi im
Vinte hollak
Zeshkan, thatim
Por i gjatë.

Me pak hulli tokë
Dhe ajo në brinjë.
Kurrë s’e ngopi barkun me bukë,
Veçse eshkë
Për barot e hutë.

 Trandet vendi
Nga këta dasmorë
Thërret Prizreni
Me armë në dorë.
Im gjysh si zana në kam
Ta brej hekurin me dhamë

E ju ngjit
Karvanit me rrema
Deri në Prizren,
Në Kala, tek bedena.

Në të katër anët
Topa e batare….
Im gjysh tek bedenat,
Roje i Besëlidhjesh Shqiptare.

Prizren!
Të kam në shpirt,
Të kam në mend
Unë nipi i Halil Lucës parë,
Në majë krahu
Këngës ia kam marrë...

Përcjell vigamë sokëllime kushtrimi:
Bedenat nuk i mbulon pluhunimi,
Vllazën, rrnoftë bashkimi!



PREKAZ

u preka me dridhje duarsh,
Ju pashe nen dritën e lotit,
Ju ndjeva me lokthin e shpirtit,
Pesëdhjetë e nëntë yje
Në gjerdanin e kombit.
Prekaz! Altar i mermerte,
Gajtanët e florinjte
Qiellin dritësonin.
Engjëjt e tu
Perënditë lartësonin,
Djepat flake lirie përçonin .

Preka Bacën,
Alpet ne kreshtat e komandantit.
Vërshoj një sekondë
Sa një shekull,
Një shekull në një sekondë .
Prekaz,
Të falem përulësisht 
Unë Pelegrini jot
Sot e motmot .    


  
ARGJIRO

Pata mall për aromë guri
Ndaj erdha Argjiro.
Mbështes kokën tek kalaja.

Qiellin tënd hijeshon flamuri,
Trimëria lartëson,
Maja, maja.

Këtu ku Çerçiz burri
Matet me Çajup e mal të Gjërë
Si  legjendë.

Gjirokastër me nishane nuri,
Të mbolla në ninullë,
Të ngrita në këngë.

Mall kam për aromë guri. 



VUSHTRI

Këtu çmimi i jetës s'pat llogari para luftës .
Këtu era e lirisë skuqi gryken e pushkës.
Këtu u gatua barot e gjak.
Këtu  ne  llogore
U kall fëmija ne flake.

Oh
M'u kalle
I gjallë
Me plumb
Në ballë
Vëllai
Nga shkjau.

Në këtë vatër
E zeza motër
Mu kall.

Këtu mu kall im zot
Nga gjylja me barot,
Aromë  përzhitëse
Thithi  he sot.

Ranë njerëzit e mi
Këtu në Vushtrri
Që sot kanë mbi
Kurore lulëkuqja për liri.

Te vogël
Lapidaret në mermerë
Ndaj çdo pranvere
U ngre obelisk me ylbere.

Përskuq horizonte
Valëvitja jote
Kuq e zi.
Flamur e komb
Në një
Krejt Shqiptari. 


PUTHJA E KOMBIT

I urtë
Sa heshtja
I ngurtë 
Sa vetja,
Vigan 
Sa Liria
Hijeton
Sa Pavarësia.
Rëndon
Sa një anë mali
Bardhon 
Ismail  Qemali. 


ORKIDET IKIN E VIJNE 

Blinet shpejtojnë
Të shkundin gjethet e fundit.
Në paradën nudo
Xhelozon Lana,
Për fjalët e pa thëna 
Për puthjet e pa dhëna.
Ti mike 
More shikimet e mija 
Shall për mbi supe 
Si Orkide 
Në avllitë Joniane
M'u hupe.
Gjethoret po bëhen gati të flenë.
PO NE ?...


TINGUJ DRITE

Ti vizaton tinguj mike, 
Unë i ndjej.
Buzëqeshja jote simfoni drite 
As kund tjetër nuk e gjej.
U thefshin ato duar 
Qe para meje
Vunë gurë e kufi.
Deri me sot
E kishim bere një fëmijë.
Mike! 
Behu perëndesha ime ti, 
Te lutem kuqëlo,
S'të shoh dot gri.


KOHA NDALON

Kur s'jemi te dy
Koha ndalon.
As i gjalle, as i vdekur
Pa ty.
Sa do mbetem ne agoni???
S'e di...



L U T E M

Unë Pagani me katër Perëndi
Dashuruar marrëzisht me katër stinët,
Puthur me vetëtima në kurriz të Ylbereve, 
Lehone e mijëra agimeve
Puthur me buzët e tua shpirtrimeve,
Lutem 
Nuk dua te mbetesh një kujtim i arte.
Nëse kurbeti këmbë e duar ti ka lidhur,
Kur të fitosh Lirinë 
Tek koka me mbill një trëndafil të kuq, të zjarrtë.
Çka se aroma do me vije e hidhur
Shpirtin për në dritë do ma ndjellësh 
Për të gjitha Perëndimet 
Do të psherëtije me zë të lartë.


PERTEJ

E përtypa ëndrrën 
Derisa ajo lëshoi arome
Putha lotin e gëzimit 
Dhe ai u be vese
Kur u gremisa ne buzën e njome
Qiejt derdhen polen
Përtej urës se Qabesë.


KËMISHË DASHURIE

Ne hapat e mi 
Ka ajër gjithësie.
Krejt polen 
Është psherëtima jote.
A nuk i qepim 
Këmishë dashurie
Shpirtit bohem
Te kësaj bote?!...
_________________
Pëgatiti për "Ora shqiptare", Adem Zaplluzha

Sonntag, 6. Januar 2019

Zaho Balili

Zaho Balili

Zaho Balili lindi më 3 tetor të vitit 1951 në Rexhin të Kurveleshit. Shkollën tetëvjeçare dhe të mesme e ka mbaruar në Tepelenë. Ka filluar të shkruajë në moshë shumë të re dhe është autori i pesë vëllimeve poetike. Gjithashtu ishte edhe autor tekstesh i shumë këngëve dhe laureat i shume çmimeve.
Vdiq në Athinë në ditën e ditëlindjes së tij në 3 tetor 2001 nga një hemoragji cerebrale. 
Tre nga vëllimet e tij u botuan pas vdekjes.

Veprat:

  1. Paskan çelur manushaqet, poezi, 1997
  2. Drithërimet e pranverës, poezi, 1998
  3. Brengat e shpirtit, poezi, 2001
  4. Kur dy zemra dashurohen, prozë, 2002
  5. Lotë kurbetipoezi, 2003
  6. Puth ballin tën Shqipëri, poezi, 2011


Poezi nga Zaho Balili


U pak kombi

U pak kombi duke ikur
pertej detesh e stereve
u ngop bota se rrufitur
ajken e ajkes se djemve

U ngop deti, u ngop mali
me ata qe skane varre
iken si shkendij stralli
dhe mbeten ligje per vaje

Si u erdhi vdekja valle
vdekja nuk ndryshon nga soji
cqe fjale e fundit qe thane
po kush valle ua degjoi?

U mpak kombi duke ikur
cte beme o perendi
gjithe brezat te sfilitur
kaq inat te madh ke ti?



Qytetit tim, Tepelenes

Sa here shetis neper udhet e tua
me supet ngarkuar me kenge, 
mesnatat me gjejne te zgjuar
se hallet e tua sme lene
Mbremjet i mbruj brenda gjirit
qe agimesh te celin trendafile
pa lodhur si guri i mullirit, 
qe bluan buken per femije
Cdo dite te shohe ne bebe te syrit
shoh dhimbjet, plaget, historine, 
dhe mendjen vras, pse ky i miri
te jete binjak me varferine?
Te shkarkoje ne preher barren e kengeve 
ti, doredridhur, i perkedhelur
e di, atje gjen veten tende
dhe mua, te pasherueshmin rrebel
Frymemarjen e bejme te dy bashke
bota po thone, nuk ka se si
lufto te ngrohesh kocken e sterlashte
se ngroh dote une, me poezi.



Kopeshti i poezise

Ne ate kopsht, kush nuk eshte ulur
me i madherishmi kopsht i njerezimit
atje, lule vetja u eshte dukur
e vyshkur, ne prag te mjerimit. 
Atje, ne poltrone shkullore
rrine gjizberthyer poezite
atje, asnjehere nuk ka debore
dhe bahcevane jane perdite. 
Atje, lare ne ujvara hene
si shtojzovalle sperkatur me vese
rrine rubairat, shkulme zemre
nuserojne nga mengjesi ne mengjes. 
Atje, vetem nje gjuhe flitet
cicerimat e bukura shpirterore
dhe jane te paperfillshem vitet
se nuk ka as azil, as foshnjore. 
Atje, jetohet lulezorja moshe
e trendafilta moshe e rinise
ne kopshtin, te cilin nuk josh
ne kopshtin e mahnitshem te poezise. 



Njesoj lindim te gjithe

Era e Pireut ne qejf te saj
kalerote mbremjen e vaket te gushtit
deget e palmave tundeshin ngadale
dhe hardhia embelsonte mushtin. 
Dielli i lodhur puthte detin
dhe perendimi flakeronte
me njerin sy afronte naten
me tjetrin, hemisferen tjeter zgjonte. 
Ne gjume zgjuarjen e tij, katrahure
njerezit e planetit gjysmelakuriq
gjysma nxitojne te bien ne gjume
gjysma mezi shkundin gjumin per qerpike. 
Ne kete moment lakuriqesie
floriri i jetes tringellinte rende
globi vertete ka drite e hije
per ne njesoj lindim te tere. 



Mbiu nje manushaqe

Aty tej ne Vitocake
mbiu nje lule s'u tha
nje e bukur manushaqe
dhe te tjera s'ka. 
Akoma pa celur mire
mars' i eger bore dha
rreth e rrotull s'kish te mire
kishte halle te medha. 
Po lulja petaleshtrire
diellfshehurit i tha:
shkrije boren, ngrohme gjine
ne fati keshtu na la. 
Do te jap eren e mire
plaste zemra po s'ta dha
miresin'qe ka te tere
shpirti im per ty e mba. 
Dielljeta, diellzjarr
hapi rete, dheun perflake
sot e mot e pertej varri
mos e thaj nje manushaqe. 

Samstag, 5. Januar 2019

Tasim Aliaj

Tasim Aliaj

Tasim Aliaj, lindur në Kucin të Kurveleshit, ka mbaruar teknikumin ekonomik në Tiranë dhe është diplomuar në fakultetin e ekonomisë. 
Ai ka punuar si gazetar e redaktor në revistën "Hosteni", në revistën "Spektër" dhe në RTV.  Është autori i 30 librave. / Wikipedia

Disa nga veprat e këtij autori:

  • Kur dola në jetë, roman 1972-1977
  • Takim me djajtë, roman 1976
  • Skandal në senat, roman 1998
  • Udhët e hekurta, dramë 1976
  • Thumba në ndergjegje, drame 1976
  • Cjapi me zile, Toka e premtuar, komedi 1978
  • Miro Tërbaçi, dramë 1980
  • Shokët e Besës, dramë 1981
  • Muret e pamposhtura, novelë 1967
  • Stuhi në sirtar, tregime 1968
  • Gladiatori i mundur, tregime 1969
  • Kthehu në shtator, tregime 1970
  • Njeriu që nuk qesh, tregime1972
  • Statujat zënë vendet, tregime 1975
  • Pasionet patriotike, tregime 1976
  • Tregime të zgjedhura,1980
  • Dy Kamberë në një derë, tregime 1980
  • Barka e shpëtimit, tregime 1988
  • Gjeneral Oturaku, 2006
  • Rumi dhe Thesaret e Letërsisë, studime 1997


Poezi nga Tasim Aliaj


HERKULI NË ASISTENCË

Më fal Herkul, s’të kam harruar,
Ashtu siç u harrova unë,
Po ja, kjo botë e bekuar
Të la dhe ty rrugësh, pa punë.

Kështu e ka kjo jet’jarane,
Kur nuk të do, ta luan fenë,
Ja, Penelopa shet banana,
Ajaksi po shplan dyshemenë!

Homeri fle përjetësisht.
E vunë në gjumë me soniferë
Dhe botë e mjerë çmendurisht
Ecën galop për në skëterrë.

Akili shkoi në megrim.
Nuk i honepsi mercenarët,
Enea endet si jetim,
Se s’han dot kashte me gomarët.

A e kujton Romën e mundur ?
Po të vish prap do gjesh belanë,
Sa dhe polici më i humbur
Të tendos brenda, në hapsanë!

Se s’ka më punë për Herkulët
Se për Herkulët s’ka Atdhe!
Hektori vajti me të shumtët,
Uliksi humbi në Mesdhe.

Babilonia? S’di ku ka koken.
U mbush me tanke e avionë
Dhe tymi ka mbuluar tokën,
Ky “tym” i bukur i kohes tonë.

Kështu pra, ngryse si ta ngrysësh,
Po vetëm punë mos kërko
Se edhe botën të përmbysësh
Askush s’të flet, asnjë s’të do!

Pa hë, Herkul, ti zgjidh e merr
Në këtë botë batërdi,
Ku ngjasin gjëra që as në ferr
S’do shihnje gjith’aq lemeri…

Për ty, Herkul, nuk ka më punë
Dhe pse dikur e tunde dhenë,
Ndaj kthehu prapa, pa përdhunë,
Shko në Olimp, shko në legjendë.

Shko në Olimp, shko në legjendë.
Sot nuk të duan në asnjë vënd,
Se bot e mbushur me legenë
S’ka më nevojë për krahun tënd.

Pra ec e lerna në batak,
Që të shijojmë këtë orgji,
Sot vlen me shumë një halabak
Se një Hero, se një Gjeni ! 

Dhjetor 2003

Marshi i te burgosurit 

Nga burgjet vijme, ne burgje shkojme,
Ne burgje prape do te vemi...
Po Shqiperine s'e harrojme,
Se dhe keshtu ne borxh i kemi...

Por bej kujdes, vella, kujdes,
Kur brohoret: "Rrofte Shqiperia"!
Se ku ta dish? Vella mos qesh,
Te ndjek nga prapa policia...

Ti do habitesh, ti s'do besosh...
Do protestosh: C'don policia?
Kur demokrati... me barkun bosh
Feston, kendon... Rrofte Shqiperia?

Po le te rroje, te lulezoje,
Do thoshja une, do thoshje ti,
Por fjalet shpesh te ngaterrojne,
Kur rregjistrohen ne polici...

Ndaj burgjet presin dhe ne do vemi,
Se burgjet bosh nuk mund te rrine,
E, me sa duket atje ka vendin,
Kush e desh teper Shqiperine...

Keshtu vella, mos kuturis,
Ta duash shume vendin tend,
Se ne pastaj, eh, ku ta dish,
Mbi toke per ty s'do te kete vend...

Ndaj te jesh gati, si per kushtrim,
Te shkosh ne burg dhe ne mesnate, 
Se politika vellai im,
Ta kthen dolline ne...Mandate!

(Itali, 2003)