Më 1912, Grameno ishte ndër ata që ngritën flamurin në Vlorë. Pas këtij viti ai vazhdoi punën e palodhur kundër armiqve të ndryshëm që përpiqeshin t’i bëjnë varrin shtetit shqiptar, veçanërisht kundër klerit grek e grekomanëve. Si tregimtar, Grameno është nga të parët që punoi në shqipet njëren nga gjinitë e gjata të prozës, novelën. Në njëren nga të novelat e tij , ,,Varr’ i pagëzimit’’, (1909) ai kthehet edhe një herë në temën e luftës kundër shovenizmit grek dhe grekomanëve. Në këtë novelë dhe te ,,E puthura’’, (1909) autori trajton edhe temën e pamundësisë së martesës në mes të njerëzve nga origjina të ndryshme shoqërore - të pasur e të varfër.
Grameno shquhet veçanërisht si publicist. Ai drejtoi dy prej gazetave më përparimtare të çerekut të parë të shekullit tonë, ,,Lidhja orthodokse’’ (1909-10), ,,Koha’’ (1911-24, me intervale e heshtje). Ka shkruar edhe në një shumicë organesh të tjera. Veçanërisht dallohen pamfletat e tij të shkurtër, me sarkazëmn e tyre therëse kundër armiqve të ndryshëm të çështjes kombëtare, si kleri grek, grekomanët, feudalët etj. Një meritë e posaçme e Gramenos është jo vetëm se ai është nga të parët që bëri në shqipet dramën, novelën dhe pamfletën e tij të shkurtër, por se ai rroku si temat aktuale, ashtu edhe ato historike, duke i trajtuar këto me një qëllim të përcaktuar e të fortë aktual. Një tjetër meritë është se në veprat e Gramenos gjejmë shumë personazhe të shtresave të varfëra të popullit për të cilat ai ka dhembje e dashuri të thellë. Heroinat e veprave të Gramenos marrin pjesë aktive në Lëvizjen Patriotike dhe në luftën kundër kishës greke.
Me gjithë interesin e madh që veprat e Gramenos paraqesin për tematikën e tyre dhe si prova për gjinitë e gjata të dramës e të prozës, ato kanë të meta të shumta artistike, qoftë nga trajtimi i personazheve, qoftë nga ndërtimi dhe gjuha. Megjithatë, veprat e tij meritojnë tërë vëmendjen dhe zënë një vend të dukshëm në letërsinë tonë të Rilindjes. Ato i përkasin herë romantizmit përparimtar e herë realizmit kritik.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen