Gjin Gjonpali |
Gjin Gjonpali u lind më 08.07.1959 në Nikaj, të trevës Nikaj-Mërtur, të Malsisë së Gjakovës. Për shkak rrethanash politike në sistemin diktatorial mbaroi studimet e larta 15 vjet me vonesë. U diplomua për Shkencat Humane; dega Gjuhë - Letërsi.
Gjini shkruan kryesisht poezi e prozë dhe jeton në Tiranë.
Deri më tash ka botuar tre vëllime me poezi:
- “Plaga e Qiellit”
- “Heshtje e Bardhë”
- “Drita e Ekzistencës”
Poezi nga Gjin Gjonpali
KOKAT E PRERA
Po, a mund të mendojë
E të ëndërrojë
A mundet
Një kokë e prerë
Koka, që mbart' mbi supe
Nuk është e imja
Nuk është ashtu, si Zoti e krijoi
Ajo e prera, Përtej
Ajo, që nuk i duhej
Kësaj Kohe t'pakohë
Është Koka ime
Eh!
Sa e madhe ushtria
E kokave të prera
Dhe fantazmat e mëkatit
Kohë pas kohe
Tehut të shpatave të përgjakura
Që kanë sunduar
Duke u ndërruar me krim e ligësi
Në valle makabre shkundur mandej
Festave të "triumfit"
N' ekstaza harbimesh, kokteilesh me orgji
Kokat e prera
Në çengelat e Indiferencës
Varur rrinë
Rrinë e kundrojnë
Kundrojnë e heshtin
Në njërin prej atyre çengelëve
Edhe Koka ime mediton ashtu e pavarur
Po, kujt i duhet ky meditim
Kujt ?
Veç kur pellgut të mëkatit
Nuk i durohet më kundërmimi i Ligësisë
Veç kur kutërbimi shpërndahet ndër dhera
Ateherë Koha sërish
Në skenë thërret Kokat e prera...
* * *
Po, a mund të mendojë
E të ëndërrojë
A mundet
Një kokë e prerë
Shihni atë, atje n'çengel
Si pikon pikë-pikë
Akoma gjak tē ngrohtë
- Është Koka ime...
Edhe kur Ndryshimi i kohërave
Kokat e prera
I thërret në Ringjallje
E Imja, sa vonë
Sa vonë e ka radhën....
ËSHTË DIELLI IM ZOT
Është dielli im Zot, është dielli im
Qiellit t’kulluem si sy vashe
Dielli fëminor si askund tjetër
Që zgjimin ma bënte me fllad parajse
Nën fluturimin ëngjëllor të pëllumbave të egër
Është dielli im Zot, është dielli im
Diell i luleve n’plasë gurësh të mbime
Ar e argjend, hire me shkëlqim
Dashuri e pasosun mbi borën e pashkrime
N’këtë lumni krijimi pa krahasim
Është dielli im Zot, është dielli im
Me penel të florinjtë, me atelie plot ngjyra
Që në telajo hedh ylberet mbi ujëvara
Troftat pikaloshe hyjnisht n’vallëzim
Kur zgjohen mëngjeseve nën rrezet e para
Është dielli im Zot, është dielli im
Diell i ketrave të lajthive, gështenjave e arrave
I bjeshkëve gri, i luleve e lisave fillakë
I shqipeve, skifterëve e thëllëzave të egra
I ujqve të vetmuar e malësorëve fjalëpakë
Është dielli im Zot, është dielli im
Diell i dallëndysheve, gushëkuqëve e tenorëve
bilbila
I gojfilit të bjeshkës e vesës ndër trëndafila
I dhelprave bishttufalake e lepujve ndër gëmusha
I burimeve ndër male ku pi ujë drenusha
Është dielli im Zot, është dielli im
Medaljon florini varun përmbi male
Kujtim fëminie, ëndërr, shkëlqim
Mall i gjallë, thesarmbithesare
Mall i përtejmë shpirtërash ndër varre
Është dielli im Zot, është dielli im…
LIRIA E PADËRIT
E morën në mes të meshës
Kur po predikonte
Këmbë e duar lidhur
E torturuan çnjerëzisht
Derisa humbi ndjenjat
Pastaj i hodhën ujë të ftohtë
Kur u përmend
E pyetën :
- Padër, ç’ kërkon me predikim ?
- “Lirinë e Zotit për të gjithë !”
“ Kërkoka Liri “ - nënqeshi hetuesi
Ha,ha,hah, mandej u shqye n’ gaz:
“Kërkon jetën e kafshëve të egra
- Futeni n’ kafaz !”
Sërish e torturuan
Derisa humbi ndjenjat
Sërish i hodhën ujë të ftohtë
Pritën të përmendet
Ta pyesnin prapë, ç’ kërkonte
Kishte heshtur
Kishte fituar lirinë e përbotshme…
NË FUND NJË STREHË…
T’i biesh përqark botës
Ndër varre
Të shkosh e të rrëmosh
Për sapak të vërtetë
E të jesh mundimkotë
Pas provës, tmerreve e anktheve
Ta vësh qenien
Në përgjumjen e maces
Por në agoni mbijetese
Të vetkafshohesh si ujk i uritur
Të kesh pushuar garën
Si të pa rëndësishme
Se ke kuptuar më në fund
Se edhe Fitorja
Nuk të çon askund
Të vetmosh mospërfillës
Për turmat
E zemruara, a të qeta
S’ të lipset mendje turme
Me vegime të zbehta
* * *
T’i biesh përqark botës
Dhe ndër varre
Të shkosh e të rrëmosh
Një strehë ku të vdesin ëndërrat
Sa dallëndyshja, t’arrish të ndërtosh…
_____
Përgatiti për "Ora shqiptare", Adem Zaplluzha
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen