Freitag, 28. Dezember 2018

Zekerija Idrizi

Zekerija Idrizi

Zekerija Idrizi lindi në vitin 1969, në lagjen e Dizhonit në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesmen "Medreseja Isa Beu" i kreu në Shkup. Studimet  e larta i ndoqi në Fakultetin e Shkencave Islame, në Sarajevë. Botoi qindra shkrime në revistën informative, kulturore e shkencore islame "Hëna e re",  organ ky i Bashkësisë Fetare Islame, në Maqedoni. Herë pas herë, botoi edhe në gazetat tjera shqipe si në: "Flaka" (Shkup), "Fakti" (botimi në diasporë dhe Shkup), "Koha ditore" (Prishtinë) dhe "Bota sot" (Cyrih). Gjithashtu botoi edhe në revistat: "Familja" (Tiranë) dhe "Dituria Islame",  organ ky i Bashkësisë Islame të Kosovës. Deri më tani ka përkthyer nga boshnjakishtja veprën kapitale "E drejta islame" (Islamsko pravo) të autorit dr. Jusuf Kardavi (botoi BI, Shkup, 1995) dhe si bashkëpërkthyes nga arabishtja veprën 
"Të vërtetat esenciale të Islamit" (El-Hakaiku-l-Esasijjetu lil-islam) të autorit Abdullah Sead (botoi BI, Shkup, 1994). 
Romani i tij "Arratisja nga "vdekja" është ribotuar disa herë dhe është përkthyer në disa gjuhë.


Veprat e këtij autori: 

  1. "Mozaiku fetar dhe çështja kombëtare", botoi Komuniteti Shqiptar Mysliman, Shkup, 1997 
  2. "Xhamia në analet e historisë-Hoxhallarët dhe tempujt fetarë në shërbim të çështjes kombëtare", Cyrih, 2009. 
  3. "Letër bijave të mia", botoi Shoqata Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Amanda Edit, Bukuresht, 2015 
  4.  "Veprimtaria universale e imamit në kurbet", SHB "SHKUPI", Shkup, 2015 
  5. "Fundamentalizmi islamik i fiksion dhe myslimanët antifundamentalistë", botoi Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2015 
  6. "Letra shpirti", SHB "Shkupi", Shkup, 2016 
  7. "Tradhtia me profil dhelpre , Megaintervistë me H. Sulejman ef. Rexhepin, Reisul Ulema i BFI në RM", Biblioteka "Hëna e Re", Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2017. Po këtë vit u botua edhe në gjuhë maqedone "Predavstvo so profil na lisica - Megaintervju so H. Sulejman ef. Redzepi, Reisul Ulema na IVZ vo RM" 
  8. "Stop dukurive negative në shoqëri", Biblioteka "Hëna e Re", BFI në RM, Shkup, 2017 
  9. "Letër bijave të mia", ribotoi SHB "SHKUPI", sponsorizoi Ministria e Kulturës në RM, Shkup, 2017 
  10. "Në botën e artit", Bukuresht, 2017. 
  11. "Arratisja nga "vdekja", roman psiko-filozofik, SHB "Grand Print", Tiranë, 2017


Fragment nga romani "Arratisja nga "vdekja"

          Kristinë, e dashur, mbrëmë, gjatë tërë natës, duke qenë se kisha mërzi të thellë, lexova një nga veprat më të mrekullueshme për «suicidin» - vetëvrasjen dhe gjitha format e modalitetet për parandalimin e saj. E lexova fund e krye veprën «ASPEKTE PSIKIATRIKO-LIGJORE TË TENTATIVAVE VETË-DËMTUESE DHE VETËVRASJEVE NË SHQIPËRI“. Ndonëse voluminoze, e lexova pandërprerë, meqë çdo temë e nëntemë e saj, më shtynte të mos ndalesha fare në lexim. Vepër kjo, të cilën e mbrojti “shkëlqyeshëm”, si tezë të doktoraturës, mikja jonë psikiatre e poete, dr.Fatbardha Xhani Myslimaj, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në qershor të këtij viti...
          Pikërisht, në këtë vepër, ajo ka trajtuar hollësisht, me një gjuhë solide shkencore, me prova empirike e me një diskurs të sofistikuar psikologjiko-filozofik, temën e «suicidit»- e vetëvrasjes nga gjitha pikëvështrimet. Kjo vepër kolosale, për mendim timin, do të mposhtë suksesshëm të gjitha aktet suicidale vetëvrasëse në tentativë sot dhe nesër. 
          E di, Kristinë, që unë në jetën time kam lexuar, pothuaj, gjithë literaturën relevante të ekzistencialistëve klasikë e modernë, duke filluar nga: Seren Kierkegori, Martin Heideggeri, Zhan Pol Sarteri e Albert Kamy, Sigmund Frojdi e deri tek Viktor Frankly, Jean Amery etj., të cilët kanë shkruar përimtësisht për jetën dhe vdekjen, për absurdin dhe në veçanti për rastet suicidale. Por ama, në veprën e zonjës Myslimaj, lexova dhe për autorë e studiues të tjerë që kanë shkruar për këtë temë, si p.sh.: Emile Durkheim, Benjamin Wolman, Eric Ericson, Edwin Shneidman dhe ai që më la përshtypjen më të thellë Thomas Masaryk, i cili, në mënyrë fascinante, trajton temën e vetëvrasjeve, duke i lidhur ato me ireligjiozitetin, o besimin shumë të dobët të atyre personave që ndërmarrin kryerjen e këtyre akteve fatale.
          Duke qenë se zonja Myslimaj, ndërkohë është edhe psikiatre në QSUT (Qendrën Spitalore të Universitetit të Tiranës) dhe po bën punë kapitale në dobi të qytetarëve, i thashë mbrëmë në letërkëmbim: «Fatbardha, edhe në rrafshin e krijimtarisë letrare poetike, do të arrish të majat e suksesit, siç i ke arritur në shkencë, duke marrë titullin: Doktor shkence në psikiatri!»...
          Sot, paradite, lexova një shkrim të çuditshëm, akoma më interesant, në gazetën «Telegraf» me titull «Shkrimtarët: Të prirë nga vetëvrasja?». Aty jepeshin të dhëna statistikore nga studimet e fundit në fushën e psikiatrisë, se si është zbuluar që të merresh me art, nuk është veçse një prirje e pavarur, por se shpesh ajo lidhet me sëmundje mendore të ndryshme. Në studimin më të hollësishëm të ndërmarrë për këtë fenomen, studiuesit e Institutit Karolinska të Suedisë kishin mbledhur të dhëna për pothuajse 1.2 milionë pacientë me skizofreni, depresion, ankth, probleme alkooli dhe droge, autizëm dhe me tentativa paraprake për vetëvrasje. Ata, në mënyrë të veçantë, i kishin kushtuar rëndësi fushës së krijimtarisë së pacientëve si arti dhe shkenca. Përfundimet e tyre ishin tronditëse, për shkak se çrregullimi i papërgjegjshmërisë dhe depresionit ishte i përhapur së tepërmi në listën e diagnozavetë personave, të cilët karrierën e tyre e ndërtonin mbi bazën e veprimtarisë krijuese. Edhe sipas një studimi të mëparshëm, siç shkruhej aty, në të njëjtën popullsi, familjet me histori të skizofrenisë kishin më shumë aftësi për t’u marrë me krijimtari! Kristinë, më ka shokuar ky studim! Gjatë shokut, më vajtën në kokë vetëtimthi, po sikur rrufeja, fjalët e shkrimtares Virginia Woolf nga novela e saj «Mes akteve»:
          “Ndihem e sigurt se po çmendem përsëri dhe se nuk mund të përmirësohem këtë radhë...». Dhe pikërisht, pasi përfundoi këtë novelë, ajo pas pak ditësh u vetëmbyt në lumin Ourse, duke u dorëzuar përfundimisht ballë zërave kobndjellës, që i vinin nga brenda dhe nga depresioni i gjatë, të cilin pati gjatë jetës, pas vdekjes së prindërve të saj. Fill më pas, më vajti në kokë vetëmbytja e shkrimtarit austriak, Jean Amery, vitin 1978, tre muaj, pas botimit të librit të tij eseistik “Hand an sich legen – Diskurs über den Freitod” (Kur vë dorë te vetja – diskurs mbi vdekjen e lirë). Ai zgjodhi t’i jap fund jetës me një mbidozë tabletash, në një hotel të Austrisë, në vendin ku kishte lindur, dhe të cilin e kish humbur qysh në vitin 1938, kur u burgos nga regjimi nacist. Deklarata e tij qe e dhimbshme, rrënqethëse: “Çdo ditë, që kur ngrihem në mëngjes, mund të lexoj te parakrahu im numrin e Auschwitz -it; kjo ma prek qenien, deri në rrënjët më të skajshme, madje nuk jam fort i sigurt, se mos kjo është e gjithë qenia ime, e cila do më shpier herët në varr!” Në parakrah, ai kishte të vizatuar një tatuazh nga vitet e burgut, ku ishte gdhendur numri: 172.364.Me evokimin e të këtyre ngjarjeve, desh më doli shpirti nga mërzia. Në tërë trupin më mbërtheu një drithërimë e rreptë. Dhe banesa, në të cilën banojmë, me këtë arkitekturën e akullt «gjermane», veç sa më shton trazimet e shpirtit. Bardhësia e oborrit tonë të heshtur: pllakat, kolonat dhe statujat e mermerta, si dhe plafonet e larta të tri dhomave tona, më krijojnë atë ndjesinë vjeshtore të shtëpive të fshatrave gjermane që ngjasojnë në ato shtëpitë e «hexeve»-shtrigave nga përrallat fantaste. Kur eci dhomë më dhomë, hapate mi jehojnë në gjithë shtëpinë, duke krijuar një zhurmë të neveritshme. Të këtilla ndjenja më kaplojnë për çdo ditë, që prej, kur ti, Kristina, vajte me fëmijët në atdhe e unë ngela vetëm në mjerim e melankoli të thellë nga depresioni. 
          Pasdite, çuditërisht, s’mund të duroja më, u shkreha në vaj. Qarja ime theu gjithë atë heshtje varri në banesë. Në kuzhinën tonë më irritonte zhurma nga lëvizjet e «kakalakeve» (insekteve) që kanë vërshuar shporetin dhe frigoriferin. Ato po më shkaktojnë kërdi në të ushqyer. Fiks, në ora 16.00, më erdhi për vizitë mjeku i shtëpisë, dr. Wolfgang Preuss, i cili është edhe psikiatër njëherësh. Pasi më ekzaminoi me kujdesin më të madh, më rekomandoi qetësi dhe pushim absolut, si dhe të braktis përkohësisht leximin, përsiatjet dhe shkrimin. Me orë të tëra mandej qëndrova i shtrirë në krevat, pa lëvizur fare. Heshtje varri. Nuk dëgjoja as pipëtimën më të vogël. Fillova sërish të rilexoj pjesë nga vepra e Fatbardha Myslimajt. Kot, nuk munda të vazhdoj më tej leximin, pasi nuk ndjehesha mirë. Përnjëherë, fillova të kisha halucinacione vagëlluese e pluskuese. Paradoksalisht, më dukej sikur mbi trupin tim marshojnë dendur “kakalaket”. Klitha jermshëm:«PO Ç’DREQIN KËRKONI DHE JU, O TË MALLKUAR, NË TRUPIN E «KUFOMËS SË GJALLË»!!!...”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen