Freitag, 15. Februar 2019

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti, lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit. Në vitin 1982 kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Ka punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë dhe shkrimet tjera i ka botuar në revista e gazeta, si “Nëntori”, “Drita” etj.
Më 1986 botoi vëllim e parë poetik, “Zërat e ditës së re”, për të cilin thuhet se vetëm 70%  ishte i tij, pasi dorëshkrimi u qeth dhe u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen  e  censurës tematike të kohës. 
Në vitin 2000 emigroj në Amerikë dhe tash jeton në New York. Si duket, në kurbet iu shtuan frymëzimet. Kësisoj, ai vazhdon të shkruaj dhe t'i gëzoj lexuesit me libra tjerë.

Disa nga librat e botuara:

  • “Zërat e ditës së re”, poezi, 1986
  • “Thashethemet e vërteta” - skica, profile dhe tregime humoristike, 2002
  • "Qyteti i të marrëve”, poezi, 2006
  • “Fëmijë i vjedhur”, tregime dhe novelë, 2007
  • “I denuar të qesh”. poezi. 2011
  • “Kafe me djallin”, poezi, 2013
  • “Dita ime - një cigare”, poezi, 2017
  • Kurse romani "Parfum të vdekurish, është botuar fillimisht si teegim tek revista letrare “Mehr light” në Tiranë dhe më pas si trajtë novele tek vëllimi "Femijë i vjedhur".

Poezi nga Vaid Hyzoti


SHQIPËRIA IME 

S’e di a nuk më deshe ti.
S’e di a nuk të desha unë... 
Por çdo burim që rrjedh nga ty, 
Më turbullon, më le pa gjumë. 
Se jemi larg për vite e vite, 
Por prindërit peng m’i mban atje. 
Bari në varrin e babait rritet, 
Nënën dhe vdekja nuk e nxë. 
Çati e shtëpisë plasaritur, 
Vuan të ruaj çdo shenjë kujtimi. 
Tani dhe qiellin e kam ndërruar , 
Jam kthyer krejt në zog hutini. 
E prapë fytyrën e kam shkëmbore, 
Siç më je ti Shqipëria ime... 
Gjithnjë për ty lart e ngremë zërin, 
Ndonëse të mbytur në kukamë dhimbjeje.




VDEKSHA PO NUK ERDHA

Vdeksha, po nuk erdha
Tek ty, vendi im!

Këto vite të shumta, 
I harruar jam. 
Por beben e syrit, 
S’mbylla asnjë natë 
Pa të futur brenda...
Se të kam aq larg
Dhe të ruaj me ëndrra...

Vdeksha po nuk erdha! 
Veç të gjej të gjallë!

Sido që të vij 
Ti a do më qash?




EMËR I VËSHTIRË

Asnjëherë nuk mundën të ma thonë saktë emërin në këtë vend,
Ndonëse kam emër të shkurtër:
Dy rrokje,
Katër germa!
Mesojnë aq shpejt fjalët e pista nga të gjithë gjuhët e botës,
Në dhjetra gjuhë përdorin fjalēn “shkërdhatë”,
Apo të shajnë nga nëna!

Dhe në vdeksha me kursimet e mia do paguaj një varr të sheshtë ,
Dhe në ardhshin në varrim do thonë;
Vdiq një refugjat!
S’ia vlen të më thonë emërin, se mbase dhe i vdekur,
Mund te çohem dhe ne vendin ku emerin ma dinë

Mund të kthehem prapë!




KALAJA

Kalaja e Ishmit qe më mban shtepinë,
Shtepinë me mure bedenash,
Është plasaritur e çarë...
Çudi, asnjë gur s'i levizi në shekuj,
Por plasi në kohërat moderne.
Malli e paska marrë ...

Si t'ia nis një pikë loti,
Aq, sa për të më parë...




FALEMINDERIT, ZOT

Era tërë natën
I fshiu rrugët, 
Ku gjurmët e tyre dhe hedhurinat lanë njerëzit. 
Dhe na solli një mëngjes të trëndafiltë, 
Të pastër, të bukur, 
Si në kohën e Homerit...
Faleminderit, o zot, për këtë ditë dritēmirë. 
Që na dhuron sot

Për ta nxirë!




PUTHJA E PARË

Ishte aq e shkurtër; vetëm pak sekonda.
Ishte e plota me vlerën e puthjes... 
Ndonëse e dhënë me gjysmëdëshirë
Dhe gjysmën tjetër ia vodhëm druajtjes.
E ndjeva veten të humbur brenda zemrës.
Frymë mora thellë me poret dhe flokët.
Veç nje çast të vetëm se pastaj u meka,
I gjallë pa zemër, pa...kapak të kokës! 
Herë ndihesha fajkua të sulmoja qiejt, 
Herë si fosile e pagjetur akoma.

...kanë kaluar vite. Ajo më vjen shpesh
Puthja më e shkurtër - veç në pak sekonda.

Më ndjek, drithëron dhe veten e humb,
Paçka se shumë puthje dhashë ne jetën time.
Mbeti krejt e njëjtë, si e kuqja Onufrit.
Ndërsa te tjerat... vetem retushime!




DASHURIA

Ke zënë vend dhe nuk luan nga sytë e mi...
Shoh drejt e më bëhesh dritë,
Shoh majtas e djathtas - më kthehesh në gjemb...
S'ka mjek të marrë përgjegjesinë e operimit,
Më thonë: mbetesh qorr
E përjetësisht të dhemb!
Përjetë urdheron sytë çfarë të shohin,
Në gabojnë, je gati t'i nxjerrësh me thikë!
Nuk pyet se vitet e mia po shkojnë, 
Ani, flokët le të thinjen, të bien,

Ti mbrohesh me qerpikë!




VAJZA E ËNDRRAVE

Kurrë mos ardhtë,
Kurrë ma e pafsha,
Vajzën qe më vjen në ëndërr!
Ka vite qe e rris
Për nuse e stolis
Dhe veten zgjedh dhëndër!

Ndjej fort ta dua,
Krejt i përhumbur,
Syve plot dritë...
Në ardhtë - medet,
Një shuk errësirë

Do m’i mbyllë sytë!




JANE TRI VAJZA

Janë tre vajza, që s’i quan të vogla,
Por edhe të rritura nuk janë ende.
Të zbresë natën e vonojnë
Te hyrja e pallatit çdo mbrëmje.

Janë tre vajza që sapo kanë filluar
Vetullat t’i heqin nga një çikë
Edhe thonjtë ti ylberojnë,
Edhe tonet t’i derdhin tek sytë.

Zëulët bisedojnë tek bëjnë deshifrimin
E fjalëkroseve të vështrimit të djemve
Pastaj shpërthejnë në qeshje të bujshme
Duke veshur pemët me gjethe.

Ashtu përskuqur nga përvlimi i moshës,
Për “atë” të ndjejnë kanë zënë.
Gishtat i kanë mbushur me unaza,
Çudi që në bel nuk kanë vënë

Paçka se xhinset shkurtohen çdo ditë
Ankohen bluzat nga i gjoksit brufullim…
Vajzat këdo ngacmojnë me vështrime
Çdo mbrëmje, në hyrje të pallatit tim.

Përkitazi i shoh, veç lehtë i përshendes,
Tek sa para tyre shkoj nxituar.
Se jam kaq i ri tu jap këshilla,
Jam kaq i vjetër për t'i dashuruar


New York, 2007




I DROGUAR

Sapo të prek më merret goja
Si të kem pirë një kupe hashashi. 
Se prapthi lajmet transmetoj,
Zhurmues antenash që ka Dajti!

Të ngjis tek vetja të puth fort
Në gushë, në buzë, në sy e faqe
Krejt ç'akorduar - ah, ç'superdozë
Patjetër prej marihuane!

Ti fergellon, s'të mbajnë këmbët, 
Si bisk i njomë rrëqethet shtati...
Mua më vjen si drogë e fortë
Kolumbiane, jo ... Lazarati.

Lekurës të bulëzon vesa,
Shegët e gjoksit shpërthejnë kokrriza.
Marramendja vjen tunduese,
Efekt i plotë nga kokaina!

Gremisem te vdes në humnerë-
Se s'ka më bukur tjetër vend!
Se ç'hungëroj, rënkoj e flas
E di qe kurrë s'do t'i mbaj mend.

...çudi, më pas hap sytë ngadalë,
Fillon del droga, vjen frymarrja.
Si filozof e them me bindje
Drogë merr vertete kush s'ka të dashura!


2017

                                                  _  _  _  _  _  _  _  _  _  _


Tregim nga Vaid Hyzoti


Tavolina e ushtarit

 Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
 - Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
 Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit". Kisha  pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat". Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe, që ishin zyra apo dyqane të vogla, minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë.  Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond. Ja,tavolina e Rozafatit, e Krujes, e Saradës, Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin, madje as kishte ndonjë pikturë, apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë, tjetra-akoma e përgjakur.
  - Mos u habisni që kam shpëtuar. Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut, por dhe në Polin e Veriut, në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
   Askujt nuk po i  bënte përshtypje fjalimi i tij patetik. Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë. Vetëm ca syresh  e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin: "Sa djalë i mirë ka qenë. U bë gjytrym për tekat e të atit".
    Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
- Mos u shqetesoni, Besmiri, ushtari, nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital, i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët 
    Zumë vend. Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, u bë me krahë që po gjente një  kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
  - A ka fernet këtu?
  - E do "Branca", apo të Tiranës, si të duash...
 - Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto, - i tha kamerieres dhe na u drejtua ne: - Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë... Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën. Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
- Kemi edhe video, edhe program direkt...
- Po çfarë kanë vidiot? Humor me Koço Devolen?
  Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
 - Shihe, more, po sikur e njoh këtë... A mos është ky Brahim Brahushi, berberi i Selvisë? Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër. Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
  Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
  - E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë.  Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve  të tjerë në këtë zonë. Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit, - nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
 - Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me  sytë tek televizori - Pa prit, prit, çfarë thotë? Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot, na ruaj kaplloqen, se po na bie ta shkelim me këmbë. Mirë për tregëti, po paska patur edhe shkollë?
  Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve: "Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut. Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".

  Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...

                                                    *   *   *
           Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia. E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente. Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash, apo kare, por dhe ishe rruar nga xhepi. Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile, por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet. Ta shihje  në rrugë Brahushin, nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër i rruar taze, i kollarisur, syzet me  skelet të verdhe, si të ishin larë me flori. Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur. Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër. Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur. Zyrtarët e ministrive, drejtorët, shefat-kë nuk ka  patur klientë Brahushi. Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin. Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje, e morën vesh të gjithë. Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera, po mezallah që pranonte Brahushi. "Ik dhe mirëardhsh, prapë Unë e mora hakun tim, - i tha me  zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët, -se kaq do të marr përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po  u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës. Paloka s'u duk më tek Brahushi... 
           Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor. Kishte shumë për të thënë. Teksa fliste sytë  i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës. E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë, se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
          -Vetëm një herë e takova. U poqëm si miq të vjetër. Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë, "Por ke par ti, Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë, për vendin tim? Sa kthehem në Amerikë, më vjen  të kthehem prapë. Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"... Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm. Në ballë të tij shkroi "BERBER  ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber, dreqi e mori...
    - Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi, o xha Mustafë, - desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se, pasi pa që   nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun. Se edhe kur punonte berber i thjeshte, gjithjë plot e pati kuletë ai. Merrej me shoferat e "Albanieve", me kontrabandë floriri. Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja, edhe të dy djemtë punonin. Më beso, të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit". Në punë përditë, në shkollë të parët. Por ç'e do, i mori vetë në qafë. Ta dëgjosh djalin, të këputet shpirti. Nejse, tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri, e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij. Dhe i shiko këto njerës në kafe? Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
  Xha Mustafa po më shikonte i habitur. Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit. Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
  -Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt, - më tha.
 -Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria... E arrestuan. Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos  shkelë në Kanada... Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit, për t'i  përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë. Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
  Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
  -Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat. Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane. Dhe e gjeti zgjidhjen: nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë. Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë. Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
   -Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë, - xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
  -Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri. Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë. Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë. S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008. Mund të zgjidhet shef i organizimit...
  Qeshëm të dy për një çast. Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.

 Nju Jork, 2007

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen