Mittwoch, 13. Februar 2019

Petraq Zoto

Petraq Zoto

Petraq Zoto lindi në Ziçisht të Devollit më 20 dhjetor 1937. Kreu studimet e larta për gjuhë-histori dhe gjuhë-letërsi. Afro 10 vjet punoi mësues në Devoll e në Korçë. Në mars të vitit 1969 u emërua drejtor i pallatit të kulturës të Korçës, më pas drejtor i teatrit “Andon Zako Çajupi”. Për 10 vjet kryesoi edhe degën e Korçës të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë
Nga viti 2000 jetoj në Tiranë. Në vitet 2001-2005 punoi në shtëpinë botuese “Mësonjëtorja”, redaktor i botimeve letrare.
Ndërroj jetë më 6 shtator 2015.


Veprat

Tregime:
  • Tirka, botuar në dy vëllime, SHB "Naim Frashëri, Tiranë 1966
  • Mësuesi im i parë, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1966
  • Ndërgjegjja, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1967
  • Dritat nuk u shuan, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1967
  • Tregimet e një nxënësi, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1968
  • Taksia u ndal te kthesa, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1968
  • Mëngjesi i Fuklakur, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1971
  • Tregime të zgjedhura, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1975
  • Kumbimi i një krisme, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1975
  • Dy buzëqeshje,  SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1981
  • Bredhi i gjelbër, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1981
  • Gjahu i dielës, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1984
  • Nesër bëhet vonë, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1986
  • Universi man, SHB "Mësonjëtorja", Tiranë 2007
  • Enigma e një ftese, tregime të zgjedhura, SHB "Naimi", Tiranë 2014


Novela:
  • Verka, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1971
  • Sot erdhi dita, SHB "Naim Frashëri", Tiranë 1978
  • Kali fluturues, SHB "Mësonjëtorja", Tiranë 2001.
  • Bishti i dhelprës, SHB "Mësonjëtorja", Tiranë  2003
  • Burimi i drerit, SHB "Mësonjëtorja", Tiranë 2001
  • Genta,  SHB "Mësonjëtorja", Tiranë 2004
  • Vetja tjetër, SHB "Uegen", Tiranë 2010



Dy tregime nga Petraq Zoto


Bredh i gjelbër

Vitet hiqeshin zvarrë, robëria e gjatë regëtinte, por prapë s’ jepej. Agimi i lirisë dukej e zhdukej, si ai dielli i mëngjesit, kur e pengojnë ca ret të hirta. Viti 1911 shtynte ditët e fundit, e shtunë. Rrezet e diellit mbërritën në gjysmën e derës së hapur të dyqanit. Dita bënte përpara, njerëzit s’po dilnin pazarit. Në dyqanin e Vani Cico Kosturit ende asnjë blerës. Shtruar shesh mbi njëfarë podiumi, ai vërtiste tespihet. Me fesin e gjerë ngjeshur në kokë fare drejt, me kravatën e çlirët dhe mustaqet e rralluara, binte në sy që nuk i kushtonte dhe aq kujdes vetes. Kur e kur i lëshonte tespihet në gjunjë e fërkonte shkopin e lëmuar. Qe një shkop i shkurtër e i rëndë, në formën e një koni të gjatë me një kokë të rrumbullt prej argjendi. Në ngjyrën e zezë të shkopit bardhësia e argjendit spikaste fort. Plakut ia tërhiqnin gjithnjë vështrimin tri shkronja gdhendur në të: SJK. E kishte dhuratë nga i biri dhe e mbante gjithnjë me vete. Teksa kapërcente të tetëdhjetat, shkopi i nevojitej shumë. Mbështetej në të e ulej, mbështetej në të e ngrihej.

SJK. Djali nuk e ndante emrin e vet nga ai i tiji, as xha Vani s’e linte mënjanë emrin e t’et. Dikur baba Kristoja shkonte për tregti në Kostur. Kur do vejë Cicoja në Kostur, pyesnin njerëzit. Erdhi Cicoja nga Kosturi? E ashtu emri i atij qyteti u ngeli mbiemër, sikurse emri i babait kushedi sesi u shndërruar nga Kristo në Cico. Xha Vanit shpesh e më shpesh po i thërrisnin Jovan Shqiptari. I bëhej qejfi e kishte përse, vatër të shqiptarizmës e kishte bërë shtëpinë. Tërë njerëzit e tij, e shoqja, djemtë, nipërit, vajzat e nuset pa kurrfarë lëkundjeje për synimin e vyer. Ia arrite t’i kesh të tërë në qëllimin e shenjtë, i thoshte gruaja, të cilës ia dëgjonte fjalën. Më pëlqen kështu, Leni. Nuk po shoh akoma gjëkafshë, thua ti? Shoh shumë. E shoh lirinë dhe mëkëmbjen e kombit tënë. Është një dritë e bardhë, e bardhë. Ajo po vjen, paçka nga pengimet e prapësitë. Kush e sheh, s’ka mynxyrë ta kthejë nga udha e bekuar.

E provoi burgun ai e të bijtë. Përjetoi shkishërimin dhe mallkimin Katirameno, Katirameno! Viq mbesa e tij, dhespoti nuk lejoi të varrosej sipas rriteve fetare. Më parë xha Vani të vente në mitropoli e t’i binte ndër gjunjë. Erdhi martesa e të birit, nuk e lejuan të vinte kurorë në kishë. Më e madhja, më e tmerrshjma, më trishtuesja, ia vranë djalin në Selanik dhe atë vetë me dy djemtë e tjerë i burgosën. Atëherë jehoi klithma e thekshme “Foti, mos të zëntë moti”. Se, kush vret, vritet. Dhespotin e qëlluan në rrugëtim e sipër, qytetin e drobiti hakmarrja. Ai kokën lart. I matur, i heshtur, i duruar. Çuditeshin ca e ca me të, si mbahej? Çuditej ai me ta, pse, xhanëm, bëjnë habi? Gjithsekush bën të vetën. Trinia, siç e quanin treshen xha Vani, Orhan Pojani e Thimi Mitko, hapën shkollën e parë shqipe. Fara u mboll, mbiu e u rrit e po përhapej. Librat shqip vinin që nga Bukureshti në adresë të tij, ai i shpërndante dhuratisht….

– Spiro, o bir!…

– Deshe gjë, usta? – pyeti si i trembur shegerti që diç rregullonte në një qoshe të dyqanit.

Xha Vani u përmend. Padashur kishte goditur me shkop dyshemenë. E vuri shkopin mbi gjunjë e mori tespihet. Një fashë e gjerë rrezesh dielli binin ngultas në patoz, afër podiumit, ku qe ulur ai. Nxori sahatin nga xhepi i xhamadanit e sytë nga dera. Mëngjesi shtyhej ngadalshëm. Dikë priste e bënte çmos të përmbahej. Lajmi i mirë vjen dhe të gjen e të gëzon, të ligun pse ta ndjellësh?… Një hije u ndeh para dyqanit. U ndeh dhe një herë, hyri një djalë me vështrimin gozhdë. Komit nga të Bellkamenit, tha me vete xha Vani. Zemra ia bëri tënk, nuk priste lajmës prej tij. Ec e na porosit dy kafe te Thanas Noprani, i tha shegertit. Me të dalë ai, komiti e ngjatjetoi plakun e i zgjati një pusullë.

– Kapedani ma dha për ty. Këndoje, unë po vëzhgoj.

Plaku vuri një palë gjyzlykë të hollë me mbajtëse metalike, njëra anë me tel të zakonshëm, vënë dosido. I hodhi një sy letrës dhe, oh!…Parandjenja nuk e pati gabuar, ishin vrarë tre djem. Oh!… Fytyra e plakut u zbeh. U gëlltit me zor, tespihet i shkanë në qilim e atje mbetën.

– Ç’ të tha tjatër?…

– T’ia përmbushësh rixhanë, kaq.

“Në është rastësi kjo e pabërë, tjatër gjë. Ama po të jetë tradhti, i ka llogaritur edhe Qamilin me shokë. Kush të ketë dalë bese?”

Po i shkonte nëpër mend njerëzit që e dinin të fshehtën. Komiti ktheu kokën dhe çiraku iu afrua me të shpejtë t’i merrte filxhanin e zbrazur. Xha Vani u kujtua për kafen, e piu me ngut me dy gllënjka, pastaj u mbështet në shkopin e vet e u ngrit.

– Falmeshëndet kapedanit, djalë! I thuaj të presë te limeret e Malit te Thatë.

Komiti e përshëndeti me respekt e u nis me të shpejtë. Pas tij doli edhe ai. S’e mbante vendi. Trokiste shkopin në rrugën gjithë pluhur dhe mendonte hallin e madh. Lipsej të piqej me Orhanin a me ndonjë tjetër nga të komitetit, mandej t’u dërgonte lajm Themistokliut e Mihalit. Më tej… ç’udhë do t’i jepnin të papriturës së prapë? Veç të mos humbnin kohë, të piqeshin një sahat e më parë. Lipsej të shkonte dhe në shtëpitë e martirëve të rinj. Eh, ç’barë e rëndë!…

“Hë, gjysh, të la zemra?”

Xha Vani puliti sytë. Nipi Kostaq?!…Një copë xham i thyer i kthente rrezet e nxehta të diellit përvëlues. Me të kapërcyer pragun e portës së shtëpisë, gruaja i foli me shqetësim:

– Tashti sa do të dërgoja ndonjë, të kërkojnë në hyqymet.
– Në hyqymet?!
– Se ç’ka ngjarë, nuk e di. Gjullurdi e madhe, më thanë.
– Na kanë vrarë tre djem…
– E zeza unë, Kostaqi!
– Tre djem, thashë!

Bëri tutje pa hyrë fare në shtëpi. E kërkonin sa herë ndodhte ndonjë gjë që kishte të bënte me punë patriotizmi. Ishte mësuar me atë praktikë të qeveritarëve turq. O të shkretën, nuk arrita të bëj gjëkafshë!…Eleni, moj! Çallëstis e u bëj zë Orhanit a Thimit, ose ndonjë tjatri nga tanët. Dërgo njeri t’u thonë ç’po ngjet.

– Pyet për Kostaqin, -ngulmoi ajo.

Prapë Kostaqi! Një herë e kujtoi fare papritur ai, të dytën e shoqja. Për të mirë të kujtofshim, bir. Ti ia kalove gjyshit e babait, shkove më tej se xhaxhallarët e kushërinjtë, rrëmbeve dyfekun e u bashkove me çetat e lirisë. Kjo i kapërcen tërë bëmat tona të derisotme. Se ç’e bëre mirë! Se ç’e bëre bukur! Të kisha vërsën tënde, si ti do të bëja, jo tjatër… U përmend kur shkopi trokiti në trarët e urës së drunjtë. Aty ndaloi të shihte njëherë matanë. Përtej urës ndërtesa qeveritare. Një grumbull njerëzish venin e vinin pareshtur. E mori shkopin në dorë e shpejtoi. Sapo e vunë re, njerëzit u hapën t’i lironin udhën. Mënjanoheshin vetiu e sesi e vështronin me përgjërim, sikur s’kishin guxim t’i flitnin. Atij iu përpëlit sërish zemra. E nderonin në Korçë, këtë e dinte, por ai lloj nderimi se ç’kishte një ngjyrim dhimbjeje. Ai i bëri hapat më të kujdesshëm, ecte e shikonte ngultas. Kur udha u hap krejt, përsëri qëndroi dhe e shtrëngoi shkopin në gji.

Përpara tij gjashtë kufoma komitësh plasur përdhe. Në mes, mu përballë, si i vënë enkas që t’i binte menjëherë në sy, nipi i tij. I ri e i pashëm, veshur me kostumin e bandës muzikore, ku bënte pjesë para se të dilte komit. Vani Kosturi ngriu. Mos vrapo, moj zemër! Mbamëni, o këmbë! Mendje, mos më lër!… Komitit të vrarë i kishin mbetur sytë hapur. Njëri sy shikonte ngultas gjyshin, gjyshi Vani u drodh. U ul në gjunjë dhe e pa dhe ai. Sy ndër sy nip e gjysh, gjysh e nip. Nipi s’fliste, s’foli as gjyshi. Afroi buzët te ballin i dëshmorit të ri, i mbështeti mbi të e i mbajti gjatë. Fytyra e djalit ende nuk qe ngurtësuar. E përkëdheli me ngadalë, sikur druhej mos e zgjonte a se mos ia lëndonte plagët, mandej ia uli butësisht kapakët e syve. Në flokët e zinj i kishte ngelur ca pluhur, plaku ia shkundi me gishtërinjtë që i dridheshin. Ashtu, teksa përkujdesej për trupin e tij, dora i ndeshi në gjak. Gjak i piksur në gushë.


– Bir, o Kostaq, bir!…

Lot s’lëshonte, zë s’lëshonte, fliste me veten. Nipi shtrirë përtokë, gjyshi gjallë më këmbë. Psherëtiu përsëri. Psherëtiu e i foli nipit dhe vetes. Nuk e besoj të ketë gjë më të dhimbshme, tha. Nëse më hiqet nga shpirti kjo rëndesë, do jem gur e jo njeri. Nip, mos ma vër re. Kush shkon në luftë, e di që edhe mund të vritet. Kujt i vete i afërmi në luftë, e di se edhe mund të mos kthehet. Po kaq i ri, kaq shpejt, kur prisnim të gëzoheshe e të na gëzoje …

Njerëzit përreth s’pipëtinin fare. Respekti për të rënët? Hija e rëndë e vdekjes? Edhe njëra, edhe tjetra, jo më pak figura e drobitur e patriotit të stërmunduar. Askush nuk dinte ç’të thoshte e ç’të bënte. Hija e vdekjes është e rëndë, veçanërisht ajo që po përjetonin, e bënte edhe më prekëse atë gjendje trishtimi. Edhe se krejt i rrëgjuar nga dëshpërimi, xha Vani i pikaste vështrimet e dhimbshme dhe heshtjen e nderë, ndjenja të një ngushëllimi të përbashkët e të shumëfishuar. Pranë nipit një tjetër djalë i ri, Odhise Pjasto. Vështrimçiltër e me xhaketë ushtarake, shok me të. Në bandën muzikore tok,. në çetë tok, së toku dhe në vdekje. Edhe yt atë për mëmëdhenë e dha jetën, o trim. Sipo ati i Kostaqit. Shokë ishit, shokë jeni, shokë do mbeteni përgjithmonë…Ia fshiu gjakun nga faqet e vajti tek i treti. Tushi? I tëri! Edhe babai i Tushit… Ç’bëhet kështu, ç’bëhet?!… Të tre djelmosha pa i mbushur të njëzetat. Në anën e djathtë të nipit Nuçi e Kristaqi. Të rinj dhe ata. Të pestë, djem të bandës muzikore… I erdhën në kokë tingujt e marsheve dhe të këngëve patriotike që lozte banda. Prandaj qe krijuar. Prandaj luftonte me këngë e me pushkë, si ta sillte rasti. Me muzikën patën ngritur peshë zemrat e njerëzve që u dhimbsej atdheu e liria. Me gjakun e tyre do t’ua ngrinin kokat lart me krenari.

Dikujt i rregullonte flokët, dikujt i fshinte gjakun a pluhurin. Fliste me secilin, se të gjithë i njihte, madje kishte qenë i pranishëm kur ata bënë betimin e çetave të lirisë, edhe ai u pati dhënë uratën e vet. Në krye të së pestëve një burrë fytyrë rreptë e kockëtrashë. Nuk më njeh, xha Jovan Shqiptari?…Të njoh, Bajazit Rehova, të njoh! Cili ai që s’të njeh? Ti u bën nder djemve. Saqë janë vrarë së toku më ty, e marr me mend si kanë luftuar…

Nja dy vetë nga turma u afruan e po përkujdeseshin për të rënët. Plaku i vështroi me mirënjohje, zemrën ia njomi ngrohtësia e të tjerëve. Ashtu, më rrofshi, ashtu. I vdekuri ka nevojë për dorën e dashur të së gjallit. Halldupi, halldup, i vrau djemtë e i plasi këtu.

– Edhe djemtë vranë halldupë, xha Vani.
– Si the, more bir, si the?
– Një major e tridhjetë asqerë hëngrën dhe.

Ai u ngreh e diçka deshi të thoshte, zëri iu njom. Njerëzit përreth lëvizën të shqetësuar, heshtja e përzishme u shprish.

– Ç’thua zotrote, Jovan Kosturi?

Xha Vani vuri re një palë rroba gjithë nishane e grada, brenda tyre një burrec i kapardisur. Do llomotiste patjetër ai, prandaj i qe afruar. Mbase prandaj edhe e patën thirrur. Na shpëtove dhe kësaj radhe, iu hakërrua me mend. Bëre si bëre, gjete një këpucëgrisur. Ama ditët i ke të numëruara…


– Cili është yti?

Plaku ngriti sytë. Ç’të ha meraku ty, more qen?… Të tjerët s’keni mënuar t’i vrisni drejtpërdrejt, mua më vini anës e anës. Ma sillni vdekjen rrotull e më trembin me të që të ma vdisni kurajën? Ma plagosët zemrën sa më keq s’ka ku të vejë, që unë të jepem. Jo, budallenj s’u them dot, e dini që tërë të mitë janë si unë e ngulmoni të na thyeni të gjithëve, duke më rrëzuar mua.

Pashai e vështronte dhe nënqeshte.

Gëzohesh, ë? Mirë, zgërdhiu! I solle këtu djemtë t’i kallësh tmerr miletit të pafajshëm, ama tjatër gjë po ngjet. Lipset të jesh noksan nga mendtë të mos e pikasësh. Tmerr e frikë jo, dhembje po, nderim për të rënët, urrejtje për ty e të tutë. O, sa shumë!…

– Cili është yti?

Xha Vani e çoi kokën lart e i pa njerëzit që prisnin në heshtje zemërlëshuar. Ju keni hallin tim?…Njeriu, thotë i moçmi, gjithnjë ka kohë për t’u nderuar, ashtu dhe për t’u turpëruar. Udhë e gjatë kjo imja. A kthehem dot prapa e t’i them vetes se u munduash kot së koti?… Pasha, nuk epohem dot, jam shkop thane me gunga! Bir, nuk jepem, mos ki dert. O njerëz të mirë, shpresat po bëhen besim, liria është pranë e po troket. O liri e shtrenjtë, sa shumë kërkoke! Shumë kërkon e shumë po të japim… Iu kthye pashait që po priste përtej. Prej tij e ndanin gjashtë dëshmorët e rinj, ndër to nipi Kostaq. E pa në sy Rexhep Pallën, pashain turk e çibanin me qelb shqiptar dhe i tha qetë-qetë, fare shkoqur:

– Të mitë janë të gjithë!

Dhe u mbështet fort në shkopin me inicialet SJK e u nguros përballë pashait. Jona, mor, jona! – shtoi me gjithë shpirt. U err fytyra e pashait turk me gjak të shprishur shqiptari. Iu përshkënditën sytë e vrerët.. Prapësi të tjera po sajonte truri i tij i ndërkryer. E njihte pashain Vani Cico Kosturi. I njihte pushtuesit shekullorë dhe e dinte se ata s’ reshtnin në të tyren.

Ballas i priti mynxyrat e reja dhe, siç do të thoshte miku i tij Mihal Grameno, mbeti i papërkulur, bredh i gjelbër deri në fund.




Tregim nga libri "Gjahu i së dielës"

Sërish në fshatin tim...

E kam përpara dhe s'ngopem së pari. Ngjitem te Gështenja e Bregut dhe shikoj e shikoj i përmalluar. Skuqin çatitë e shtëpive midis pemëve. Nëpër oborre tenda pjergullash. Në mes të  fshatit dy ndërtesa të mëdha, shkolla tetëvjeçare dhe Shtëpia e Kulturës. Më tej ura e vjetër prej guri me hark. Sa herë kemi luajtur në kangjellat e saj! Ajo ka mbetur atje, e vjetër, po e fortë, si shenjë e një mjeshtërie të hershme ndërtimi. Ndërmjet bahçeve me mollë ngrihet si ombrellë gjigante lisi shekullor i Shën Gjergjit... Shikoj e kujtoj. Fëmijëria më vjen pranë e tëra, e ngrohtë, e dashur, e dhimbshme. Lapi qeni më shikon në sy e në gojë. Ai s' e kupton dot përmallimin tim, por e ndjen që s'jam më  ai i pari, kur nuk më mundonte ky mall. Dhe nuk niset për gjah, pasi akoma s'i kam dhënë shenjë. Vetiu më shkëputet një psherëtimë. Langoi im tund bishtin e sillet rreth meje, më shikon mua, pastaj andej nga përhumbet shikimi im. Ia marr kokën ndër duar dhe e përkëdhel, atij i shpëton një angullitje kënaqësie.
    - Mirë, kërko tani!
    Ai e kapërcen hendekun e hidhet në vreshtë.
    - Kam!
    E tund bishtin dhe e ngre kokën lart. Pastaj nuhat përsëri me muckën përdhe. Bishti i tij e shton shpejtësinë. Të bëhet se ja, edhe pak, edhe një vrull dhe do t'i këputet e do të vërvitet tutje si kamxhik.
    - Kam, kum! Kam, kum!
    Hap sytë, rrotulloj kokën, po s'shoh gjë. Ai vrapon përpjetë kodrës. Andej i paska ikur gjahu. Pa dyshim lepur, ata ia therin këmbës sapo i pikas langoi Më zgjohet pasioni i gjahtarit i fjetur përkohësisht. Vrapoj edhe unë, e ndjek me veshë udhën që bën qeni dhe bëj për nga qafa midis dy përrenjve. Është një shteg të cilin e ngasin përherë lepujt, që ngrihen asaj ane. 
Pres një minutë, pres dy, pres gjysmë ore. S'duket as lepuri, as langoi. Një pëllumb fluturon në lartësi e ulet në një arrë matanë lumit. Një mëllenjë këlthet në lajthishtën përbri meje.
Eci më tej. Prej një copë here po më nget përbrenda dëshira të vete te burimi i cicave. Ai burim del pranë  një shkëmbi që ia ka dhënë emrin, formon një  pellg të vogël, pastaj uji përhapet poshtë me një mërmërimë të ngadaltë. Një goxha vend njomet e vishet me myshk të blertë. Ndërmjet myshkut  bëjnë majë ca xhufka zhuke. 
Burimin ende s'e  ka zënë dielli. Myshku e zhukat shndrisin nga mizëri piklash të argjendta vese. Aty fillon një nga kodrinat më të bukura që kam parë. E rrumbullakët, me fier të shkurtër e bar po të shkurtër, më tepër zhumbricë. Pjerrësia është e njëjtë, e butë, s'gjen asnjë pëllëmbë vend të zhveshur.Eci me droje. Më dhimbset bari akoma i njomë, ku ngelen gjurmët e këpucëve të mia. Kërcejtë e pastër të fierit janë larë, nga gjethet si krehër pikon vesa. Bie mbi fletët e zverdhura të luleshtrydheve, i vesit edhe ato.
 Sa bukur, sa bukur!
Po bukuria s'ka anë e fund.Dy a tri hapa para meje më zë syri një gjë të gjallë, që nxiton nëpër fier. Dielli i bie në kurriz, hija i zgjatet e vrapon tok me të. Në vështrim të parë e marr për lepur, sepse po aq shpejt ecën. Por s'është vështirë të dalloj se nuk kërcen, siç vrapojnë lepujt. Ikën nxitimthi, me trupin drejt, ngrehur në tendosje e përgjim. Një ikje si me revan. Pa seç ka një krenari në atë ecje, madje do të thosha një hijeshi, që të merr mendtë. Një befasi mahnitëse. Kurrë ndonjëherë si në këtë çast s'më ka qëlluar të shoh diçka, që të më rrëmbejë e të më bëjë ta admiroj me të parë, akoma pa e vëzhguar sadopak dhe pa e përcaktuar aspak. Ndoshta sepse jam në një gjendje dehjeje nga bukuritë e përmallimi. Kushedi, kushedi. Po përsëri ngulmoj se ajo gjë e gjallë me ecjen e saj aq të hijshme e krenare është një habi bukurie.I çapëloj sytë të mos e humbas për asnjë çast. As që ua kam ngenë hollësive. E shijoj bukurinë në  tërësinë e vet, ashtu siç m'u shfaq së pari. Po ja ku lëviz edhe një tjetër  qenie e atillë, edhe një, edhe një.Të gjitha njësoj, si të prera me gërshërë, me të njëjtën tendosje, me të njëjtin vrapim. Unë shoh kurrizet e tyre ngjyrëkafe. Fieri është i rrallë e s'i fsheh dot tërësej. Gjysmëfshehja e bën dukjen  edhe më joshëse.    Në  anën time, pak më poshtë, gati pa më përfillur mua, nis vrapimin më e vonuara. E kam përbri, ndaj e shquaj më mirë. Kërcej të hollë e të verdhë, sqep i shkurtër, i verdhë edhe ai. Në të dy anët e sqepit e nën sy një ngjyrë e kuqe e ndezur. Po këto qenkëshin thëllëza mali! S'ka sa të bukura! Veçanërisht me atë ecjen me revan për t'u fshehur. Do të doja që ky çast të ishte i pafund. Do të doja të bëhesha i padukshëm, t'u bija pas thëllëzave e t'i shihja, veç t'i shihja! Do të doja që në vend të tekes me saçma të kisha një aparat e t'i filmoja.Unë  s'lëviz fare dhe thëllëzat bukuroshe, sikur të ma kenë kuptuar dëshirën, tulaten në fier e rrinë të ngrehura, por si të ngrira. Kushedi si do t'u jem dukur. Ndoshta dyshuan në isha apo jo qenie e gjallë. Sepse, siç thashë, mbeta i mrekulluar nga habia e së papriturës. Mahnitja m'u bë hutim, hutimi ngurrim. I shoh përsëri e përsëri me radhë. Ashtu, të tulatura, s'e kanë hijeshinë krenare. Po prapë janë shumë të bukura. Ngjyrëkafe thashë për pendët? Në kurriz ajo ngjyrë errësohet, në anë bëhet e kuqërremtë. Po a e përcaktoj dot tamam? Ngjyra e pendëve të thëllëzave nuk qenkësh si ato të një vizatimi. Kombinimi e shkrirja s'kanë vijë ndarjeje. Mahnitëse, s'di të them fjalë tjetër.Habia m'u kthye në psherëtimë, psherëtimën s'e përmbajta dot, ajo e prishi magjinë. 
  - Përr! Përr! Përr! Përr! - ia bënë thëllëzat të gjitha njëherësh, duke përplasur me furi krahët.Sikur u ndez motori i një makine. Thëllëzat e malit janë të  mëdha e të rënda dhe krahët i kanë të shkurtër, prandaj i përplasin nxituar e fort që të mund të  mbahen në ajër. Tufa e thëllëzave të malit në fluturim të le gojëhapur. Të tëra njëlloj, në të njëjtin drejtim, me një sinkron të përkryer, ashtu e tregojnë edhe më tepër krenarinë dhe hijeshinë e tyre. Një  drithërimë trembjeje në fillim, vazhdimi i mahnitjes më  pas. Pse s'i qëllova, do të thoni ju. As që më shkoi ndër mend. Dhe nuk më shkon as tani Për sot mjafton, thashë. A është kënaqësi gjuetia? Atëherë kënaqësinë e kisha shijuar. Gjahu i ditës s' ishin thëllëzat e vrara, por mahnitja prej tyre.
   U ktheva menjëherë në shtëpi, sepse nuk doja ta prishja atë përshtypje aq të bukur. ...

Samstag, 2. Februar 2019

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani

Selajdin Shabani u lind më 29 shtator të vitit 1969 në fshatin Runicë të Kumanovës. Shkollën fillore dhe të mesme ka mbaruar në Kumanovë e Gjilan, ndërsa Fakultetin Filologjik, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë. Për më shumë se një dekadë ka punuar në Radio Shkup dhe për dy vite në Televizionin e  Maqedonisë, programet në gjuhën shqipe. Gjatë kësaj kohe paralelisht ka punuar edhe në gazetën “Flaka”, në  gazetën “Koha Ditore” botimi në Maqedoni; gazetën “Lajm” Maqedoni/Kosovë dhe së fundi në gazetën “Shqip”. 
Ka marrë disa çmime për gazetari dhe poezi.

Veprat:
  • “Ndrydhje”, (1999),poezi, 
  • “Mes stinëve të një gazetari”, (2006), libër me shkrime për konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni
  • ”Përtej Momentit”, (2008), skica e reportazhe nga periodiku i kohës
  • “Më shumë se Unë” (2014), poezi,
  • “Të kam thënë... Lajdins”, (2018), poezi


Poezi nga Selajdin Shabani


JETA ME SHUMË DYER...

Jeta ka më shumë dyer e më pak çelësa,
por pak puthen njëri me tjetrin,
jo të gjithë hyjnë e dalin dhe dyert mbeten të ndryshkura.
e vrimat e derës mbeten frymëmarrje e ndonjëherë edhe shpresë.

Jeta ka edhe deriçka
që sa herë mërzitesh 
ta gjen një ngushëllim.

Jeta ka edhe pirg, ku TI,
mund të shikosh e të mos flasësh
e miku im veç shikon
dhe kërkon shfajësim,
e jetës nuk i mungojnë as dritaret
me perde të bardha e të zeza
ku shikimi tretet larg dhe kthehet në pikën e takimit.

Jeta ka edhe reze dhe lëviz si brava të ndryshkura
me pak dhe shumë borxhe...



NDJESIHOLLË DHE HESHTJE DASHURIE

Dhe mund ta di saktë frymëmarrjen dhe shikimin tënd
por s’po dua ta di, edhe pse e ndjej,
se mendja pastaj më bëhet vërdallë, 
i kam frikë vetes,
Se mund të të trokas vakt e pa vakt
si muzë poetike
të lodrojë e notojë si në baltë
që edhe ashtu s’di të vallëzoj.
Hesht, por endem përreth teje
Si një i huaj, 
që kërkon një të njohur dhe s'e ka takuar moti kohë.
E di se ndjejmë bashkë, 
ndjesihollë dhe heshtje dashurie!

LOJA ME GJARPRIN 

Sa e sa herë kam hy në lojë vdekjeje, 
me ty gjarpër,
edhe kur na kanë thënë se je i shtëpisë dhe mbrojtës i saj, 
dhe të kam sjellë qumësht në shtrofullën e oborrit, të bunarit e arrës 
por unë s'të kam besuar, 
as kur na kanë mësuar, 
se ti nuk sulmon i pari,
kur kam mund ta shuaj etjen dhe të pimë ujë bashkë.
Jo rrallë më ke goditur në sy, 
edhe pse ti i verbër 
më ke mbështjellë për qafe si bollë
dhe më ke kafshuar me dhëmbët helmues:
Edhe në gurë, edhe në lumë, 
edhe në besë, edhe në fushë.
Ti nuk i zbulove gjurmët 
edhe pse ishe me dy kokë edhe në gjumë 
dhe loja me ty mbeti e pafund
Mos i zë besë gjarprit!?
E unë vazhdoj të luaj përsëri me ty, pa ditur se do fitoj ndonjëherë, Gjarpër!?



HESHTJA SI MALLKIM

Sa e sa herë kemi heshtur
Kur është dasht të bërtasim deri në kupë të qiellit
sa e sa herë jemi kallur në heshtje
dhe kemi duruar kafshimin e gjarprit e të qenit
dhe jemi fërkuar si eshkë dimri.
Heshtjerëndë mes nesh:
heshtje varri, heshtje sehiri,
heshtje guximi e heshtje lufte,
heshtje dashurie e heshtje heroi,
duke shkelur nëpër mote,
duke pritur pikat e shiut,
por asnjëherë nuk jemi shterur si pus
dike duruar më shumë se heshtja në heshtje 
duke u mekur në mallkim
e, ne frymojmë në heshtje



TINËZISHT

Duam të jetojmë si në ëndrra e zhgjëndërr,
dhe të dukemi si fisnikë,
por të veprojmë tinëzisht,
hetojmë e jetojmë: herë si gjarpër - me dy kokë, 
t’i fshehim gjuhën dhe këmbët 
dhe të kafshojmë pak nga pak dhe prapë të dukemi faqe e hisebardhë!
Duam të jetojmë: herë si mace nën sofër,
herë si engjëll e herë si dreq
herë si prift e herë si hoxhë
herë si bollë e herë si mollë.
Syrin e kemi shqiponjë,
mendjen vërdallë, 
shija nuk na dihet,
shijojmë çfarë na vjen dhe bëhemi aktorë
herë ëmbël e herë pelin e me naze
ty e mua ndoshta s’na pëlqen
por, na jemi këta në gjen!



DASHURI NË SHIKIM TË PARË

Takimi ynë ishte i rastësishëm
Në një nga rrugët e vjetra të qytetit
shikimet tona u puqen si në
telat e rrymës,
si në pikëpjekjen e shigjetave,
duke u stepur në mes të udhëkryqit 
duke ndalë edhe kalimtarët,
asnjëri nuk lëviznim nga stepja dhe të gjithë na vështronin!?
Kishim harruar se ku jemi:
as që dëgjonim, as nuk lëshonim rrugë
derisa ty të ranë lulet nga dora
të cilat i kishe për dikë tjetër dhe desh mi fale me të dy duart,
dhe mua fishkëllima e tjetrit
më kishte zgjuar nga kllapia, 
ku nuk kisha dëgjuar as orën e dorës që mu thye
duke u ndalë e puqur në 14 e 14!
Unë ika në njërën anë 
por me kokën kthyer pas teje,
por mbeti dashuria në shikim të parë 
duke e kërkuar njëri-tjetrin deri sa u gjetëm te guri dhe rruga e dashurisë!



PËRBETIM I RREJSHËM

Sa e sa herë kemi bërë BE rrejshëm 
në Emër të Zotit 
dhe kemi bërë akte tinëzisht në emër të tij
Sa e sa herë jemi përbetuar në emer të babës e nanës
dhe kemi vjedhur pak jetë
dhe kemi vrarë si shumë dashurinë
dhe kemi e s'kemi kërkuar falje
sikur asgjë nuk ndodh.
Fshihemi pas lotëve, pasqyrës, qëndrimit, dyshimit e lutjeve,
hedhim gurin dhe fshehim dorën
dhe sikur harrojmë 
se Zoti është dëshmitar,
Por edhe Zotin jemi munduar ta gënjejmë,
ashtu siç e kemi gënjyer veten një jetë të tërë e mote pa fund
duke u vonuar në kohën e duhur!


MË SHUMË SE NJË HERË

Kam falur më shumë se një herë
po edhe aq herë kam ulur kokën, 
kam mbyllur sytë sikur që s'po shoh, 
duke vënë syze dielli
kam heshtur edhe kur kam pas të drejtë
por edhe kam bërtitur deri në kupë të qiellit, 
kam ngjirur andej e këndej,
si aktor në një teatër
kam këlthitur me zë e pa zë
si një i trandur përballë vdekjes
kam çjerrë nëpër udhëkryqet e jetës
duke gërvishtur në tokë e në qiell
duke lënë një gjurmë kohe
kam ofshamur e psherëtitur deri sa kam fishkëllyer,
dhe nuk di a kam qenë i mirë apo i egër
për vete apo për të tjerë 
dhe jeta eci si lojë që s’e fiton kurrë!



ME ZJARRMI NËPËR FYTYRË

Si nuk ke një pikë mëshirë?
Ëndrrat për t’i shkrirë!

Si nuk ke një pikë dëshirë?
Ëndrrat për t’i shtrirë!

Si nuk ke një pikë të ngurtë?
Ëndrrat për t’i shthurë!
E ëndrrat vazhdojnë të mbesin ngrirë,
ku as Dielli nuk t’i shkrinë.

Ti vazhdon të mbetesh ngrirë?
Me zjarrmi mbi e nën fytyrë!



IKJE NËPËR HIJEMOTE

Të pata thënë Lajdins
shumë e shumë herë,
se, ikja (s’)është shpëtimi yt,
në një mot e përjetë!
Sa e sa herë pate sprovuar ikjen, Lajdins,
me shpirt e pa shpirt,
po aq herë ishe ndrydhur,
duke mbetur i trandur.
Kohë hijerëndë, Lajdins,
je gjurmë dhe hijëz e kohës.
Ikje: kemi ikur dhe po ikim
si hijelehtë nëpër yje
për të frymuar si shtat e si fije 
dhe për të(mbi)jetuar në retë e vjeshtës.
Po ikim si stinët e vitit, 
me plagët e kriposura,
ikje në heshtje, ikje përtej detit,
ikje si fantazmë, folenë s’e le!
Lajdins!?: SA E URREJE KËTË IKJE!
por, Shqiponja a ik, Lajdins!?



NJË COPËZ JETE

Jeta të jep më pak se e meriton Lajdins
ani pse ke ëndrra dhe ëndje
askush s’të pyet,
edhe pse të gjithë të duan e të lajkatojnë,
kur TI, u duhesh!

Jeta të shtrydh e të ndrydh, Lajdins
ani pse TI je i dashur dhe këndshëm
ajo vjen e fryrë dhe si e gëzuar
por të vret pa mëshirë.

Jeta të vret për ditë nga një ditë, Lajdins
e të fikë ditë e natë,
të shtrëngon si në ankth
dhe të lë pa gjurmë.



PUTHJE SI LUMË

Sa herë të kam puthur
Jam etur edhe më shumë
Nuk jam ndalë si përroskë,
kam vazhduar si lumë
në flokun dhe trupin tënd
edhe në gjysmëdritë, edhe në gjysmëhënë,
edhe në mëngjes, edhe në gjumë!
Kur të kam puthur
Frymëmarrja sa herë më është ndalë,
Po aq herë më është rritur
si tension i zemrës së lartë!

Puthje si lumë



RIKTHIM I VONUAR I DASHURISË

S’të kuptova,
kur koha dhe ora kërkonte t’i puqnim buzët dhe këmbët
dhe të lidheshim si me kthetra,
si mish e thua.
Ika duke të lënë në stuhi toke, 
si krua duke pritur të eturin,
e t'i përballove mote e sfida duke më prit
se do të kthehem një ditë se do të kthehem një stinë
dhe vërtet unë u ktheva ditëve dhe një fundjavë gushti:
më shijove një ditë - tri puthje e ca përqafime,
një ditë tjetër ledhatime
dhe një fillimjave tjetër dashurinë.
Dhe më s'doje t'ia dije për mua
dhe më nuk po takohemi
koha shkel pa dritën e saj
duke të pritur përsëri me një kumt.
Por t’i s'vjen e nuk dukesh askund
dhe nuk lëshon asnjë zë,
pos që më vërtitesh si peng i dashurisë së vonuar!

Freitag, 1. Februar 2019

Demir Reshiti

Demir Reshiti

Demir Reshiti, lindi më 24 qershor 1963 në fshatin Bresanë të komunës së Sharrit (Dragash, Kosovë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Sharr dhe Skenderaj, ndërsa Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Gazetarisë dhe studimet postdiplomike për gazetari në Universitetin e Prishtinës. 
Shkruan kryesisht poezi, prozë dhe publicistikë. 
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. 
Laureat i çmimeve të para për poezi për fëmijë në “Takimet e Gjeçovit” dhe në manifestimin tradicional “Ora e Tahir Deskut”. 
Libri i tij “Abetaka” është ribotuar nëntë herë.
Aktualisht, punon në Radio Kosova.

Veprat: 
  1. Trung i ndarë, 1992 
  2. Ofshamë,1995
  3. Abetaka, 1995 
  4. Reshje nën Pikëllimë, koautor, 1996
  5. Ngutëm ta kapërcej kohën, 2000
  6. Libri i Mrekullive, 2001 
  7. Libri i Gjeneratës, monografi, 2009
  8. Mik me Diellin, 2012
  9. Luleborë Sharri, monografi - koautor, 2016
  10. Libri i Mrekullive, vjershave të zgjedhura për fëmijë, 2017 
  11. Endje, kritikë letrare, 2019


Poezi nga Demir Reshiti


MË FAL KOSOVË 

Me ujin e pavdekshëm ia lava sytë jetës 
E shkova ta pres pranverën ndër male 
Me mallin për ty u nisa me të gdhirë 
Që ujkun e zi ta godas në ballë 
Përtej çdo vetmie përtej çdo trishtimi 
Ikën ditët, netët, kohët... 
Kalorës kohërash u bëra tërë jetën 
Ç’nuk bëra për ty Kosovë 
Detit ia vodha thellësitë e pafund 
Kur fushës vinte vdekja 
E lumit rridhte gjaku 
Kur korbat nxinin qiellin 
E trishtimi qe bërë pjesë e jetës 
Më fal Kosovë 
Nëse s’kam bërë sa duhet për ty 




MIK ME DIELLIN 

Loti i shpirtit m’u lag nga thatësia 
Mbështetur pas grilave të harresës 
Kokën e shtrydhur nga bindjet e mia 
Terri ma shtyn përtej vdekjes 
Dielli përgjumshëm ngjitet drejt qiellit 
Mëngjesin e mugët qorton 
Përbuz poshtërueshëm këngën e gjelit 
Dita e re sot po vonon 
Gjithë këto vite mbyllur pas grilave 
S’di se çfarë dite çfarë stine çfarë muaji 
Shok kam bërë diellin një rreze të tij 
Më tregon mëngjeset s’më le të vuajë 




UNË I BURGOSURI QË MA KANË PRERË GJUHËN 

Gjumi ka mërguar s’di se ku 
Dhimbja mbi mua shkel me thembër 
Plagët më nxijnë si retë e mugëta të qiellit 
Eshtrat më kërcasin pamëshirshëm në humbëtirë kohe 
Heshtja trishtimin ma shton 
Një pikë e ftohtë djerse shkëputet nga balli që rënkon 
Rri i hutuar si një zog i mërdhirë 
Unë, i burgosuri që ma kanë prerë gjuhën 
Sodis zërat e ujërave që rrokullisen strehëve 
Përgjumjen ma shkund një kërcëllimë shuli 
E dyerve të blinduara që mbyllen si në kor 
Gardiani Daut me një grumbull çelësash në dorë 
Më vështron dhimbshëm 
Mua të burgosurin që ma kanë prerë gjuhën 
E unë i heshtur 
Cicërimat e zogjve mundohem t’i hedh në vargje 
Një klithmë gërryese kapërcen grilat matanë 
Dhe përbuzjen derdh tej portës së blinduar 




MALLIN PIKTUROJ

Mallin pikturoj në një copë qiell
Një shi i ftohtë ma ngrin buzëqeshjen
Dhimbjet i shkruaj në copëza letre të verdha
Dhe si pa kohë nisem rrugës së gjakut tim
Drejt perëndimit të kuqërremtë
Shaloj Kalin e Trojës
Deri te një hije shelgu
Ku merr fund pikturimi
Dhe nis fshirja e kufijve
Këtu
Nën hijen e shelgut vajtues
Këputet kënga e përvajshme
Këtu...




NËNA MIJËVJEÇARE 

Një nënë si zanë mali 
Dallon nga të tjera gra 
Grua që i ndrit balli 
E s’mposhtet si një kala 

Një gruaburrë që lindi titanikë 
E me sy shemb barrierat 
Shpend gjigant sokoleshë 
Një grua jo si të tjerat 

Tërmetet pluhurin ia shkundën 
Që ndër shekuj e kishte në kraharor 
Dallgët e trazuara plagët ia shpërlanë 
Që nga luftëra të gjata kish marrë 

Një shqiponjë jo si të tjerat 
Që pezull rri fluturim 
Dy krahë që na përkëdhelin 
Dy sy që falin dashuri 

Një nënë jo si të tjerat 
E bukur si zanë 
Një nënë mijëvjeçare 
Është nëna jonë 

Mittwoch, 30. Januar 2019

Rifat Ismaili

Rifat Ismaili

Rifat Ismaili ka lindur me 24 mars 1968 në Durrës. Prej vitit 1986 ka filluar të shkruaj dhe të publikoj në gazetat dhe revistat e kohës. Njëkohësisht, është marrur edhe me përkthime.
Nga viti 1991, jeton në Itali. 

Veprat:
  • Tregime, Dea 1997
  • S'jam gjithnje Kolomb, poezi - ese dhe perkthime, Dea 1998
  • Nje vend burrash, roman, Amfioni&Zeti, 2002
  • Dilemat e lirise njerzore, ese dhe shkrime, DDS 2011

Përkthime:
  • Asnje kenge dashurie, tregime nga Carl Bukovski, Naim Frasheri 2002
  • Postieri i Nerudes, Antonio Skarmeta, Ideart 2003


Poezi nga Rifat Ismaili


NË SYTË E MI, KODRAT E TUA, SHQIPËRI

Kaq shume pranvere ne zemer te Firences
Vec dimer kam une ne fytyre
Vjeshta i shkul nga pemet fletet
Nga trupi im me shkul dhe miqte.

Ne syte e mi, kodrat e tua, Shqiperi
Ulen si pellumbat mbi statujat e vjetra
Ne qiell ngrihem me to perseri
Humbim permes endrrash te fshehura.

Nuk i kam as engjejt ketu prane
Te me conin diku ne shtrat perendish.
Te flija gjume me nje pate te bardhe
Te shkruaja i dehur mbi qafa perrish.

Por asgje s'po ndodh ne kete qytet
Vec une endem kot neper muzg
Ne fole dritash ti me rreshqet
Diku brenda meje bie dhe humb.

Dhe une se c'kam tani nje dhembje
Qe dot se bej te arte mengjesin
Marr lumin ta ngjis si ylber ne qiell
Pikat e ujit pa u ngjitur lart vdesin...

C'me shkon mendja tek ty atje
Tek te pafundmet tonat dashuri
Tek te shkurtrat dite te perjetshme
Ku ti si nje meteor i fshehur rri.



LUTJE

Kjo lutje ne heshtje eshte
Per tere ata qe vdiqen
Qe shkuan e u harruan
Per tere minutat e heshtjes
Qe shpirtin ma munduan...
Per joshjen e pare te gruas
Me druajtjen e purpurt te agimit
Per fshehtesine e tingujve
Qe i perngjajne burimit...




DO HYJ NË ZËMRËN TËNDE

Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Se ti me le pa mendje
Se ti me le pa fjale.

Se ti me le pa gjume
Se ti me le pa zjarr
S'kam me c'te mbulohem
Kam ftohte edhe mall...

Se ti me me buzeqeshe
Si nje diell i ngrohte
Ra nje zog ne mbremje
Mbi mua si lot.

Do hyj ne zemren tende
Do hyj e me s'do dal
Si nje kupe me vere,moj
Afsh e endrra me fal.

Hajde,bukuroshe,hajde
Eja mike,vec nje here
Si krua rridh mbi mua
Me laj me pak pranvere.




NUK DUA...

Nuk dua me vere
As veshtrime s'dua te pi
Eja ti hon brenda me merr
Te jem si hici i lire.

Eja ti murg me percill
Ne qiellin pa rikthim
Dua te ndjek pa shprese
Yje e zogj ne udhetim.

Te ndjek kuajt e eres
Kur mbesin larg pa fryme
Ti ve zjarrin vetes
Te bie tokes si bryme.

Se dua lakuriqesine
Nuk dua as fjale te pi.
Do bej dhe pa dashurine
Pa gaz une prape do rri.

Nje shkrep dua te jem
Nje thike mbushur me gjak
Te godas pareshtur veten
Per veten te marr hak.




ME QIRI TË SHUAR

Udheve te panjohura si ere shkoj
Ne trup kam vec gjelberim
Shpesh, kerkoj dicka qe s, eshte
Qe shkon dhe vjen si enderrim.

Shpesh, dhimbjet si rete e zeza
Ne qiellin tim rriten vazhdimisht
Prej vjeshtes, muzgjet e nderprera
Me shkojne si metafora, natyrisht.

Ikjet e mia ne te tjera vende
Ku diell do kete me shume se cdo here
Me mbeten ne mendje si unaza te shkelura
Qiejve bredhin si yje pa shprese.

Porsi shkembinj tek flijohen ne det
Ashtu ne cdo kohe shemben iluzionet
Kerkoj permes permbysjes veten
Me qiri te shuar oreve te vonshme.

27 tetor 1993




LODRA HESHTJEJE

...a s'te duket
se ben ftohte
dicka thyhet
dhe kercet
sado bute
sado lehte-
shkel mbi toke...