Samstag, 16. März 2019

Isak Ahmeti

Isak Ahmeti

Isak Ahmeti (1946), poet, përkthyes letrar nga gjuha gjermane dhe italiane, studiues i letërsisë, autor i shumë veprave zhanresh të ndryshme, i përfaqësuar në shumë publikime brenda dhe jashtë vendit dhe së fundmi edhe në FJALORIN ENCIKLOPEDIK të ASHA të Kosovës(2018).
Profesor shumëvjeçar në Gjimnazin e Vitisë, ish Kryetar i Komunës së Vitisë (1988-89),anëtar i LSHK, anëtar aktiv i Akademisë Evropiane të Arteve me seli np Paris, laureat i shumë mirënjohjeve, çmimeve dhe diplomave, edhe i Çmimit prestigjioz dhe Diplomës "Ndre Mjeda"  dhe Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë(2013) me motivacion "Studiues i letërsisë shqipe, i dalluar për kërkime shkencore rreth jetës dhe veprës së Ndre Mjedës "(Kukël, 23 nëntor 2013).


Poezi nga Isak Ahmeti


DRITA E PËRJETËSUAR

Gjithçka ka
Qielli
Toka
më thonë
Duaje Krijuesin

Ai është Drita
dhe unë
Dritë dua

Dritën
e amshuar



DRITË E SË VËRTETES

Zot
Dritë e së Vërtetës
në emër të dashurisë
flake errësirën

Na ndihmo
ta njohim
dashurinë tënde
Shpërblyese



KOHA

Koha
Zot
Vepër e jote
për krijesat e tua

Kohën e bëre
bashkë
me Qiellin
dhe Tokën



KOHA FLET PËR TY

Koha 
Zoti in
flet për Ty

Do të kalojmë nga kjo jetë
në një kohë tjetër

Ti i bashkon
Qiellin
dhe Tokën

Fjala jote
deri në fund të kohës

Je libër i gjallë
që lexohet
përjetësisht



I LUNTUR FALË TEJE

Ti me ke bërë
që të ekzistoj

Jetoj falë teje
Ishe para se unë të jetoja

Zoti im
Shpëtimtari im
nga Ti më vjen gjithë mirëqenia

Falë Teje
jam i lumtur



GJITHÇKA ME DASHURINË TËNDE

Përmes Hirit tënd
linda dhe u bëra
krijesa jote e dashur

Unë jam dhuratë e jotja
Zoti im

Gjithçka bëre me urtinë tënde
është dritë
që i prin secilit hap timit

Qofsh i lavdëruar



JE I PËRSOSUR

Zot
gjithçka bërë
me frymën tënde
është e përsosue

Burimi i dashurisë sate
nuk shtjerrë asbjëherë

Dituria ime
e lindur nga Ti
të përket Ty

në fillim e mbarim



TË PËRGJEROHEM ZOTI IM

Në heshtje
kridhem në lutje
e bashkohem me Hirin tënd
e Ti ngrohtësi me fal
dhe vetminë time e zhbën
ankthin tim

Lutja ma qetëson shpirtin
dhe dritë më sjell
të mos e ndal hapin
e shtegtimit



NË EMRIN TËND

Në emrin tënd
Zot
ne pagëzohemi

Në emër t'Atit

të Birit
dhe
të Shpirtit të Shenjtë

Ujëvarë 
e dashurisë
dhe e shëlbimit

Zot
ti që
na dhuron jetën
qoftë e plotë lavdia jote
edhe në belbëzinet e mia
poetike



E TASHMJA E GJIHKOHËSHME

Zoti im
Ti je i gjithëkohshëm
që përmes Hirit tënd
gjithëkohësi
shpirtit tonë i dhuron
për të bërë të ngjashëm
me veten

Ti kohën e mat
vetëm me dashuri
dhe dashuri mbjell



NUK E DI

Nuk e di se ç'është koha
po e di se
këto fjalë poetike
prush të dashurisë
po i shqiptoj në kohë
në vazhdim të kohës
në ghakim të dritës sate
për ta zhbërë terrin tim



E KRIJOVE FJALËN

E krijove Fjalën
mrekulli e mrekullive

Thelbi i dashurisë
dritë e mendjes

Fjala
shkëlqim i përjetshëm



FJALA

Në fillim ishte Fjala
Fjala ishte tek Zoti
dhe Fjala ishte Zot

Gjithçka u bë nga Ai
nga Ai rodhi jeta
dritë e njerëzve

Fjala
Dritë në errësirë
___
Poezitë janë marrë nga libri i sapo botuar: "Dritë e përjetësuar", me parathënien nga Anton Nikë Berisha.

Donnerstag, 28. Februar 2019

Bajramali Selimi

Bajram Selimi

Bajramali Selimi lindi në vitin 1966 në fshatin Gradec, rrethi i Gostivarit. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, kurse të mesmen në Gostivar. Studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe i mbaroi në Fakultetin Filogjogjik në Univresitetin e Prishtinës.  Punon si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollën fillore ,"Mehmet Deralla,"  në Gradec -  komuna e Vrapishtit. 

Veprat:
  1. "Dru pa rrënjë," poezi, 1996 
  2. "Dy herë ëndërr,", poezi, 2003
  3. ,"Skafi", tregime, 2004
  4. "Aromë parajse," poezi, 2007 
  5. "Zukama qytetesh", poezi, 2015


Poezi nga Bajramali Selimi


ZONJA

Zonja pa fre shkëputi vëmendjen me take
u afrua te banaku me shikimin nga ne.
Të uritur tha me qeshjen e vjedhur
dhe porositi pijen me fetë limoni,
kur ndezi cigaren shiriti vjollcë.

Klithmat e pleqve kokë ulur, 
të etur njerëzit në tavernën buzë lumit.
Ajo morri diçka nga kamerieri me kordele 
shpërndau flokët mbi radion e hodhi monedhë,
një serenatë e bukur lokalin e bëri vesh
e ringjalli shpirtrat e vdekur të pleqve.

Kënga trazojë vullkanet e fjetur
la gotën, shimi cigaren, kënaqësia mori udhë,
doli nga lokali me taket e saja më fortë
vëmendja jonë mbeti e shtangur
por kënaqësia ngjalli tavernën me dru.   




VETMIA

Eci – eci me vetminë
 në vendin as të gjalle, as të vdekur,
modestinë supeve të lodhura
e zukmat përplasen me stuhi
nga moçalet me mushkonja.

Sa do eci me vetminë e dalldisur!
nuk e di vetë, as koha s’më tregon 
rruga e qumështi mbyt yjet e rremë
e kujtesa bartet si gjethi me tërbim
bashkë me dyshimin kryeneç,
si krimbi që grinë palcën e kombit.
S’kam kohë të mas veten me të pa paudhët, 
pasi tallen me penën që thumbon
e farkëtarët mbathin këmbën e bretkosës.

Eci-eci me vetminë
pasi të paudhët rinë si djaj kryeneç
shpallen para pasqyrës yje për fjalën që s’thanë
dhe kur nuk gjetën udhën, këto të pa paudhë
shuruan varreve të mjeshtërve me nam..       




KUR ERDHA

Kur erdha 
ju varre me gur
eca kohës pa kohë 
gjurmëve pa gojë
doja fijen e humbur,
emrin me shkronja të vdekura,
e gjeta nuk dita ta zgjidhë!
Thjeshtësia na kishte përbaltur
kishte fshi kujtesën e mykur.
Edhe sot eci nëpër varreza,
epitafet kanë vdekur nga të vdekurit
 hiri nën dhenë pa Gjeometri
tash jam plakur me dreqin,
ju Dhe pa Gjeografi
nuk mundem ti bije ndërgjegjes
për kujtesën e  vdekurit nga vdekja.




RRUGA PËR NË JUG

Pika të panumërta braktisën gjolin
u përplasën në xhamat e autobusit që kotej
një serenatë belbëzohej buzëve të një femre
Pogradeci hodhi vellon të përhimët
shiu i përlotur vinte nga sytë e Drilonit
lakte jakën e xhupit të zhubosur të Lasgushit
e liqeni i tërbuar pikturohej me nge.

Voskopoja u  binte kambanave për kujtesën tonë
një zë i përmallshëm ngjallte shekullin e art
ku gjuha e heshtur nuk kishte fol ende më zë
rrokjet ngarroheshin në gojë për emrat e fisit
e Korça ende mbante aromë të fortë parisian.

Dreka shtruar shqip kishte mbushur gotat me verë
e vjeshta zverdhake shpërndante tinguj polifonik
kaçurrelja shpirttrazuar mbante ritmin e serenatës
kënaqësinë donte ta fusë në shpirtrat e brishtë
teri i shfrenuar kishte marrë busullën e kohës
e bukura e përlotur vinte liqenit si nuse me vello.




NE ERDHËM!

Keni ardhur shumë vonë tha arbëreshi
buza i dridhej pasi shekujt kishin humbur fjalët
rrënja thellë, gjethet i kishte marr era me tërbim
në Zarën e lashtë hiri i djegur fshihej puseve të qytetit.

Sytë shkriheshin horizontin të jugut me shkumë
rruga ishte marr emrin për ta shpëtuar
koha donte të piskat me zë, ne jeni me rrënjë ari
thoshte plaka me shaminë qëndisur shqip.

Ju kemi borxh, pasi nuk ju folëm me shekuj
nga bregu vinte pllaja latine thoshte një poet
ne nuk dinim ku ishit në ishullin e braktisur
erdhëm si në legjendat për ta pa motrën tonë.

Tash jemi kthjelluar e zëri na vjen nga lashtësia
*këngjellat e plakave ngjallin shpirtin e vdekur
gurët flasin me *gluhën e vjetër arbërisht
ju jeni këtu dhe ne do të vijmë përsëri

 t’ju sjellim pak aromë atdheu në mungesë.

Freitag, 15. Februar 2019

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti, lindur më 10 mars 1960 në Ishëm të Durrësit. Në vitin 1982 kreva fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për gjuhë dhe letërsi shqipe, kurse më pas një specializim pasuniversitar për kritikë letrare, më 1987.
Ka punuar mësues dhe gazetar, pa iu ndarë kurrë letrave. Artikujt kritikë dhe shkrimet tjera i ka botuar në revista e gazeta, si “Nëntori”, “Drita” etj.
Më 1986 botoi vëllim e parë poetik, “Zërat e ditës së re”, për të cilin thuhet se vetëm 70%  ishte i tij, pasi dorëshkrimi u qeth dhe u rrumbullakua nga botuesit, nën shijen  e  censurës tematike të kohës. 
Në vitin 2000 emigroj në Amerikë dhe tash jeton në New York. Si duket, në kurbet iu shtuan frymëzimet. Kësisoj, ai vazhdon të shkruaj dhe t'i gëzoj lexuesit me libra tjerë.

Disa nga librat e botuara:

  • “Zërat e ditës së re”, poezi, 1986
  • “Thashethemet e vërteta” - skica, profile dhe tregime humoristike, 2002
  • "Qyteti i të marrëve”, poezi, 2006
  • “Fëmijë i vjedhur”, tregime dhe novelë, 2007
  • “I denuar të qesh”. poezi. 2011
  • “Kafe me djallin”, poezi, 2013
  • “Dita ime - një cigare”, poezi, 2017
  • Kurse romani "Parfum të vdekurish, është botuar fillimisht si teegim tek revista letrare “Mehr light” në Tiranë dhe më pas si trajtë novele tek vëllimi "Femijë i vjedhur".

Poezi nga Vaid Hyzoti


SHQIPËRIA IME 

S’e di a nuk më deshe ti.
S’e di a nuk të desha unë... 
Por çdo burim që rrjedh nga ty, 
Më turbullon, më le pa gjumë. 
Se jemi larg për vite e vite, 
Por prindërit peng m’i mban atje. 
Bari në varrin e babait rritet, 
Nënën dhe vdekja nuk e nxë. 
Çati e shtëpisë plasaritur, 
Vuan të ruaj çdo shenjë kujtimi. 
Tani dhe qiellin e kam ndërruar , 
Jam kthyer krejt në zog hutini. 
E prapë fytyrën e kam shkëmbore, 
Siç më je ti Shqipëria ime... 
Gjithnjë për ty lart e ngremë zërin, 
Ndonëse të mbytur në kukamë dhimbjeje.




VDEKSHA PO NUK ERDHA

Vdeksha, po nuk erdha
Tek ty, vendi im!

Këto vite të shumta, 
I harruar jam. 
Por beben e syrit, 
S’mbylla asnjë natë 
Pa të futur brenda...
Se të kam aq larg
Dhe të ruaj me ëndrra...

Vdeksha po nuk erdha! 
Veç të gjej të gjallë!

Sido që të vij 
Ti a do më qash?




EMËR I VËSHTIRË

Asnjëherë nuk mundën të ma thonë saktë emërin në këtë vend,
Ndonëse kam emër të shkurtër:
Dy rrokje,
Katër germa!
Mesojnë aq shpejt fjalët e pista nga të gjithë gjuhët e botës,
Në dhjetra gjuhë përdorin fjalēn “shkërdhatë”,
Apo të shajnë nga nëna!

Dhe në vdeksha me kursimet e mia do paguaj një varr të sheshtë ,
Dhe në ardhshin në varrim do thonë;
Vdiq një refugjat!
S’ia vlen të më thonë emërin, se mbase dhe i vdekur,
Mund te çohem dhe ne vendin ku emerin ma dinë

Mund të kthehem prapë!




KALAJA

Kalaja e Ishmit qe më mban shtepinë,
Shtepinë me mure bedenash,
Është plasaritur e çarë...
Çudi, asnjë gur s'i levizi në shekuj,
Por plasi në kohërat moderne.
Malli e paska marrë ...

Si t'ia nis një pikë loti,
Aq, sa për të më parë...




FALEMINDERIT, ZOT

Era tërë natën
I fshiu rrugët, 
Ku gjurmët e tyre dhe hedhurinat lanë njerëzit. 
Dhe na solli një mëngjes të trëndafiltë, 
Të pastër, të bukur, 
Si në kohën e Homerit...
Faleminderit, o zot, për këtë ditë dritēmirë. 
Që na dhuron sot

Për ta nxirë!




PUTHJA E PARË

Ishte aq e shkurtër; vetëm pak sekonda.
Ishte e plota me vlerën e puthjes... 
Ndonëse e dhënë me gjysmëdëshirë
Dhe gjysmën tjetër ia vodhëm druajtjes.
E ndjeva veten të humbur brenda zemrës.
Frymë mora thellë me poret dhe flokët.
Veç nje çast të vetëm se pastaj u meka,
I gjallë pa zemër, pa...kapak të kokës! 
Herë ndihesha fajkua të sulmoja qiejt, 
Herë si fosile e pagjetur akoma.

...kanë kaluar vite. Ajo më vjen shpesh
Puthja më e shkurtër - veç në pak sekonda.

Më ndjek, drithëron dhe veten e humb,
Paçka se shumë puthje dhashë ne jetën time.
Mbeti krejt e njëjtë, si e kuqja Onufrit.
Ndërsa te tjerat... vetem retushime!




DASHURIA

Ke zënë vend dhe nuk luan nga sytë e mi...
Shoh drejt e më bëhesh dritë,
Shoh majtas e djathtas - më kthehesh në gjemb...
S'ka mjek të marrë përgjegjesinë e operimit,
Më thonë: mbetesh qorr
E përjetësisht të dhemb!
Përjetë urdheron sytë çfarë të shohin,
Në gabojnë, je gati t'i nxjerrësh me thikë!
Nuk pyet se vitet e mia po shkojnë, 
Ani, flokët le të thinjen, të bien,

Ti mbrohesh me qerpikë!




VAJZA E ËNDRRAVE

Kurrë mos ardhtë,
Kurrë ma e pafsha,
Vajzën qe më vjen në ëndërr!
Ka vite qe e rris
Për nuse e stolis
Dhe veten zgjedh dhëndër!

Ndjej fort ta dua,
Krejt i përhumbur,
Syve plot dritë...
Në ardhtë - medet,
Një shuk errësirë

Do m’i mbyllë sytë!




JANE TRI VAJZA

Janë tre vajza, që s’i quan të vogla,
Por edhe të rritura nuk janë ende.
Të zbresë natën e vonojnë
Te hyrja e pallatit çdo mbrëmje.

Janë tre vajza që sapo kanë filluar
Vetullat t’i heqin nga një çikë
Edhe thonjtë ti ylberojnë,
Edhe tonet t’i derdhin tek sytë.

Zëulët bisedojnë tek bëjnë deshifrimin
E fjalëkroseve të vështrimit të djemve
Pastaj shpërthejnë në qeshje të bujshme
Duke veshur pemët me gjethe.

Ashtu përskuqur nga përvlimi i moshës,
Për “atë” të ndjejnë kanë zënë.
Gishtat i kanë mbushur me unaza,
Çudi që në bel nuk kanë vënë

Paçka se xhinset shkurtohen çdo ditë
Ankohen bluzat nga i gjoksit brufullim…
Vajzat këdo ngacmojnë me vështrime
Çdo mbrëmje, në hyrje të pallatit tim.

Përkitazi i shoh, veç lehtë i përshendes,
Tek sa para tyre shkoj nxituar.
Se jam kaq i ri tu jap këshilla,
Jam kaq i vjetër për t'i dashuruar


New York, 2007




I DROGUAR

Sapo të prek më merret goja
Si të kem pirë një kupe hashashi. 
Se prapthi lajmet transmetoj,
Zhurmues antenash që ka Dajti!

Të ngjis tek vetja të puth fort
Në gushë, në buzë, në sy e faqe
Krejt ç'akorduar - ah, ç'superdozë
Patjetër prej marihuane!

Ti fergellon, s'të mbajnë këmbët, 
Si bisk i njomë rrëqethet shtati...
Mua më vjen si drogë e fortë
Kolumbiane, jo ... Lazarati.

Lekurës të bulëzon vesa,
Shegët e gjoksit shpërthejnë kokrriza.
Marramendja vjen tunduese,
Efekt i plotë nga kokaina!

Gremisem te vdes në humnerë-
Se s'ka më bukur tjetër vend!
Se ç'hungëroj, rënkoj e flas
E di qe kurrë s'do t'i mbaj mend.

...çudi, më pas hap sytë ngadalë,
Fillon del droga, vjen frymarrja.
Si filozof e them me bindje
Drogë merr vertete kush s'ka të dashura!


2017

                                                  _  _  _  _  _  _  _  _  _  _


Tregim nga Vaid Hyzoti


Tavolina e ushtarit

 Kamarierja na drejtoi për tek tavolina e fundit.
 - Vetëm tavolina e ushtarit është e lirë,-tha ajo si e zënë më faj.
 Nuk doja të rrija atje, madje kërkoja një tavolinë në hyrje, jo më të isha afer asaj "të ushtarit". Kisha  pirë kafe dje në këtë bar me emrin "Shqiponjat". Në fillim pata një si ndjenjë ngazëllimi,kur dallova që larg flamurin shqiptarë dhe atë amerikan në farfuritje.Lokali ishte në krye të një sërë godinash njëkatëshe, që ishin zyra apo dyqane të vogla, minimarkete.Sa hyje brenda të dukej se kaloje si në revistë tërë Shqipërinë.  Madje edhe emrat e tavolinave u përgjigjeshin pamjeve, fotografive në sfond. Ja,tavolina e Rozafatit, e Krujes, e Saradës, Tiranës...Vetëm një tavolinë e madhe në fund të lokalit nuk kishte emrin, madje as kishte ndonjë pikturë, apo fotografi. Dy rekuizita te vogla prej xhami kishin nga një bluzë marinsi; njëra e shpuar nga plumbi në mëngën e majtë, tjetra-akoma e përgjakur.
  - Mos u habisni që kam shpëtuar. Nuk ka plumb që ta vrasë shqiptaro-amerikanin që lufton terrorizmin Jo vetëm në Falluxhah të Irakut, por dhe në Polin e Veriut, në xhunglat e Afrikës,kudo që ka terroristë jam gati të shkoj...-nisi fjalimin e përditshëm djaloshi i veshur me uniformë marinsi.
   Askujt nuk po i  bënte përshtypje fjalimi i tij patetik. Ndoshta ishin mësuar ta dëgjonin çdo ditë, ndoshta edhe vidiot në televizorët e sallës kushedi sa herë e kishin transmetuar atë. Vetëm ca syresh  e shihnin me keqardhje dhe pëshpëritnin: "Sa djalë i mirë ka qenë. U bë gjytrym për tekat e të atit".
    Kamarierja,si duket e kuptoi hezitimin tim:
- Mos u shqetesoni, Besmiri, ushtari, nuk vjen sot, është shtruar prapë në spital, i shkreti. Rrini të qetë dhe mirë se erdhët 
    Zumë vend. Xha Mustafa, që sapo kishte ardhur nga Shqipëria, u bë me krahë që po gjente një  kafe kaq pranë shtëpisë së të birit dhe ku shërbehej dhe flitej në shqip.
  - A ka fernet këtu?
  - E do "Branca", apo të Tiranës, si të duash...
 - Më sill një dopio të vendit dhe nje ekspres streto, - i tha kamerieres dhe na u drejtua ne: - Tani këtu më keni çdo ditë.Të vonohet djaliu sa të dojë... Do të gjej ndonjë shok të tjerr kohën. Po këto televizorët a e dijnë shqipen?
- Kemi edhe video, edhe program direkt...
- Po çfarë kanë vidiot? Humor me Koço Devolen?
  Kamarierja mori një kasetë që i zuri dora dhe telekomandën...
 - Shihe, more, po sikur e njoh këtë... A mos është ky Brahim Brahushi, berberi i Selvisë? Po ç'e paska këtë kollare të madhe si ministër. Mos e kanë bërë ministër këtu në Amerikë?
  Kamarierja duket shumë e muhabetit dhe nuk besdisej nga pyetjet e shumta të xhaxha Mustafës:
  - E ç'është ministri para Brahushit?Asgjë.  Brahushi është pronari i këtij lokali dhe i tre dyqanëve  të tjerë në këtë zonë. Në një shtet tjeter ka blerë një pikë karburanti...Brahushi është dhe babai i ushtarit, - nxitoi së fundi të sqaronte kamarierja,sepse po i bënin shenjë nga një tavolinë tjetër për pagesën.
 - Allah Brahush berberi qenka bërë pasanik i madh në Amerikë,-foli nëpër dhëmbë xha Mustafa me  sytë tek televizori - Pa prit, prit, çfarë thotë? Brahushi qenka dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve shqiptaro-amerikanë Zot, na ruaj kaplloqen, se po na bie ta shkelim me këmbë. Mirë për tregëti, po paska patur edhe shkollë?
  Në vidio një gazetar i televizionit lokal,po intervistonte Brahushin,pas zgjedhjes si drejtues i intelektualëve: "Tërë jetën time ia kam kushtuar drejtësisë dhe ekonomisë së tregut. Amerika shpalosi para meje horizonte të ndritura Amerika-vendi kampion i demokracisë...".

  Xha Mustafa kroi kokën me shejtani; e njihte mirë Brahushin...

                                                    *   *   *
           Brahushi kishte një jetë të tërë që punonte berber tek Selvia. E njihnin të gjithë dhe për gërshërën dhe për muhabetin e embël që të bënte kur të shërbente. Kur dilje nga berberhania e tij e kuptoje se nuk kishe bërë një qethje të thjeshtë anash, apo kare, por dhe ishe rruar nga xhepi. Jo se Brahushi ta merrte lekun me hile, por se si qe aq i ëmbël dhe i përshtatshëm në muhabet. Ta shihje  në rrugë Brahushin, nuk e ndërroje me ndonjë drejtor apo ministër i rruar taze, i kollarisur, syzet me  skelet të verdhe, si të ishin larë me flori. Edhe kur gratë nuk gjenin bojë për flokët dhe i lanin me lëng gështenjash,Brahushi kishte; kurrë nuk e kam parë të thinjur. Sa për zanatçi-jepi hakun-qe mjeshtër. Për njëzet a tridhjetë vjet ai më ka qethur. Zyrtarët e ministrive, drejtorët, shefat-kë nuk ka  patur klientë Brahushi. Të gjithë e donin për zanatin dhe muhabetin. Kur një ditë i mori Palokë Plakut vetëm 5 lekë për një rruarje, e morën vesh të gjithë. Tjetri zgjaste t'i jepte edhe pesë lekë të tjera, po mezallah që pranonte Brahushi. "Ik dhe mirëardhsh, prapë Unë e mora hakun tim, - i tha me  zë të lartë që ta dëgjonin të tjerët, -se kaq do të marr përherë...".Paloka kishte dalë dhe Brahushi po  u shpjegonte klientëve të tjerë:"I bëra 50% zbritje se ai njërën faqe e ka të djegur...".Gazin s'e kish mbajtur asnjeri dhe për dy-tre ditë tregohej si barsaleta më e suksesshme në baret e Tiranës. Paloka s'u duk më tek Brahushi... 
           Xha Mustafa tregonte rrjedhshëm dhe me humor. Kishte shumë për të thënë. Teksa fliste sytë  i mbante në vidiot e tre televizorëve të sallës. E pyeta në e kish takuar këto vitet e fundit në Tiranë, se dija që Brahushi kishte shkuar shpesh.
          -Vetëm një herë e takova. U poqëm si miq të vjetër. Më tha se s'po ia kalonte keq në Amerikë, "Por ke par ti, Mustafë se mua më djeg malli për Selvinë, për vendin tim? Sa kthehem në Amerikë, më vjen  të kthehem prapë. Po të mos lëvizja,me siguri do të hidhja rrënjë këtu dhe ju s'do të thonit më "tek selvia",por "te Brahushi"... Nuk e kuptoi njeri pse lokalit që e kish privatizuar ia ndërroi emrin.Madje kur e pamë u habitëm. Në ballë të tij shkroi "BERBER  ME POROSI". Jemi mësuar për këpucë me porosi, fustane dasmash me porosi, por jo berber, dreqi e mori...
    - Po me porosi ka punuar gjithnjë Brahim Brahushi, o xha Mustafë, - desha të sqaroj unë. Dhe i tregova se, pasi pa që   nuk e hante punën,vrau mendjen si të nxirrte lekun. Se edhe kur punonte berber i thjeshte, gjithjë plot e pati kuletë ai. Merrej me shoferat e "Albanieve", me kontrabandë floriri. Nuk është se ngelesh pa bukë në Amerikë. Madje,që kur erdhën edhe e shoqja, edhe të dy djemtë punonin. Më beso, të gjithë thonin"s'ka çuna si të Brahushit". Në punë përditë, në shkollë të parët. Por ç'e do, i mori vetë në qafë. Ta dëgjosh djalin, të këputet shpirti. Nejse, tjetri shpëtoi dhe po ndjek kolegjin. Por Besmiri, e bëri budalla të birin me pangopësinë e tij. Dhe i shiko këto njerës në kafe? Shumica thonë se Brahushi u tregua i zgjuar...
  Xha Mustafa po më shikonte i habitur. Ai s'dinte gjë ç'i kishte ngjarë Brahushit. Madje ishte i ngazëllyer nga kasetat,për prakticitetin e tij.
  -Pa më fol më shkoqur,se më hutove krejt, - më tha.
 -Po, Brahushin e kapën në Kanada tek shoqëronte për në Amerikë 23 refugjatë nga Shqipëria... E arrestuan. Zuri një avokat të mirë.E liruan pas tre muajsh dhe e urdhëruan që për të gjithë jetën të mos  shkelë në Kanada... Edhe atë "Berber me porosi" Brahushi e përdorte për të zbukuruar njerëzit, për t'i  përngjasuar personave që i kishin dhënë green cartën për të sjellë njerëz të tjerë. Dhe mua ma ka kërkuar,se gjoja donte të sillte një kushëri të vetin që s'paska ç'të hajë në Shqipëri...
  Xha Mustafa kishte ngelur i shtangur:
-Po çfarë ngjau më pas?
  -Erdhi në Amerikë, por ia mori emigracioni dokumentat. Ishte djegur kot, se për tre muaj duhet të merrte pasaportën amerikane. Dhe e gjeti zgjidhjen: nisi lufta në Irak dhe hoqi djemtë nga puna dhe shkolla, i çoi ushtarë. Pa krijoi gjoja shoqatën e intelektualëve dhe ku shkel dhe për çfarë bën pas e ndjek kanali televiziv shqiptar. Me siguri i ka paguar mirë. Të gjithë këto kaseta përdori avokati i tij si dhe një tjetër nga darka që shtroi kur u kthyen djemtë nga Iraku. Sot Brahim Brahushi është qytetar amerikan...
   -Sa të rrosh do të dëgjosh. Po a vjen këtu, se paskam qejf ta takoj e t'i them nja dy fjalë, - xha Mustafa më kishte ndjekur me vëmendje.
  -Aaa... s'e sheh lehtë këtu Tani është në Shqipëri. Përsëri me refugjatët që duan të shkojnë në Evropë. Megjithese dikush më ka thënë se e kanë parë në Kinë. S'e di në merret me tregtinë e kukullave "Barbie"që dolen me kimikate, s'e di a po viziton vendet e tjera aziatike. Por mbase interesohet për lojërat olimpike "Kinë 2008. Mund të zgjidhet shef i organizimit...
  Qeshëm të dy për një çast. Po pinim kafe tek "Tavolina e ushtarit" në klubin e Brahim Brahushit në Amerikë.

 Nju Jork, 2007

Ferdinand Laholli

Ferdinand Laholli

Ferdinand Laholli u lind në Gradishtë të Lushnjës më 16.06.1960, pak javë pasi që i ati, për t'i shpëtuar riburgosjes, u detyrua të arratisej për në Greqi, prej nga kalon në SHBA, ku edhe vdes pas 11 vjetësh. Menjëherë pas lindjes së Ferdinandit, familjen e tij e transferojnë në një tjetër kamp internimi, Savër, ku autori jeton një kohë të gjatë.
Laholli një kohë të gjatë u muar me përkthime nga shqipja në gjermanisht. Në vitin 2003 botoi librin "Antologji e poezisë moderne shqipe" ku përfshihen poezitë e më se 95  krijuesve shqiptar me përkthim në gjuhën gjermane. Ferdinandin në këtë antologji e ndihmuan edhe Mag.Dr. Carla Kraus autore dhe përkthyese vieneze si dhe Dr. Thomas Krause prozator, lirik, kritik letrar, profesor letërsie në Universitetin Teknik në Chemnitz.
Poezitë që po publikojmë, janë marrë nga libri i Ferdinandit "NË ISHULLIN E VETMISË", botuar më 1993 në Tiranë. Ky libër është botuar në dy gjuhë shqip - gjermanisht. Përkthimin në gjermanisht e ka bërë Robert Schwartz.
Ferdinand Laholli jeton dhe punon një kohë të gjatë në Gjermani.

Veprat:
  • Mjaft ky paradoks i hidhur, Tirane 1992.
  • Në ishullin e vetmisë, shqip - gjermanisht, Tiranë 1993. Përkthimi në gjermanisht nga Robert Schwarz
  • Libri i dëshirave. Tiranë 1994.
  • Kjo vajzë e përgjakur / Në këtë vajzë të plagosur me gjak. Dygjuhësh, Tiranë 1994. Përkthimi në gjermanisht nga Robert Schwarz
  • Vetëvrasje e gjetheve, shqip - italisht, Frosinone 1995. Përkthimi në italisht nga Noé
  • Shtrigani i ëndrrës (Një magjistar në gjumin tim). Tiranë 1996
  • Urrejtja nuk është dashuria ime, Prishtinë 1997
  • Bie shi në Bückeburg, Tiranë 2000
  • Antologji e poezisë moderne shqipe / antologjia e lirisë moderne shqiptare, shqip dhe gjerman, Holzminden 2003
  • Linda. Prishtinë / Holzminden, 2005
  • Kur ikën ti (sa herë që shkoni). Prishtina / Hannover, 2006.



Poezi nga Ferdinand Laholli


MBIJETESË

Ka ardhur 
koha 
të bëj
sikur fle
e në fakt të përgjoj
veten
e t' ia vras
nëse thotë
ndonjë fjalë
të mençur.




TRE VETA NË DHOMË

Mbi minderët
ulur vëllezërit.

Sonte na mungoi buka
Përtypëm mungesën e saj.

Sonte na mungon uji
etjen e njëri- tjetrit pimë.

Sonte po na mungon dhe guximi
të flasim për ç' na mungoi.

Rrotull nesh janë muret
tej mureve nata.

Tre veta në dhomë
e kemi ftohtë nga vetmia.




DERI KUR KËSHTU

Nofullat e heshtjes
bluajnë
mendimet e palindura

Në muzeun e ditëve
shikoj veten
me kafkën time
për dore




MATANË GARDHIT

Matanë gardhit
me sytë e tij
të helmët.

Le ta mbyllim derën, nënë!
Paçavurja e shikimit të tij
të mos mundet të na ndyjë
me të zezën
e shpifjes

Le ta mbyllim derën
edhepse jashtë mbetet hardhia e pranvertë
dielli që shikon t' i ndrijë perëndimit,
dallëndyshet që kthehen nga rruga e gjatë.

Le t' i gëzohemi edhe sonte burgut të vetmisë,
nëse duam gjallimin dhe këtë natë




SHQIPËRIA

Nga ferri i vetmisë
ëndrrova derën ku trokitet për njeriun

Ma keqtrajtuan ëndrrën:
përpara më vunë derën e harrimit

Hyra në të
e dola tek malli për ty.

______
Përgatiti për "Ora shqiptare", Seveme Fetiqi