 |
| Driton Smakaj |
Driton Smakaj u lind me 26/04/1979 në Abri e Poshtme – Drenicë. Shkollen fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollen e mesme, vitin e parë dhe të dytë në Klinë, ndërsa vitin e tretë dhe të katërt në Drenas.
Kur filloi studimet për ekonomi në vitin 1998, Kosova digjej në luftë, ai u bashkua me aradhat e Ushtrisë Çlirimtare deri në lirinë e Kosovës. Pastaj vazhdoi studimet për ekonomi dhe diplomoi në vitin 2003.
Studimet postdiplomike mbi “Zhvillimin e Qëndrueshëm” i ka kryer në Bolonjë të Italisë dhe ku mëpastaj kthehet në Kosovë dhe punon në sistemin bankar deri në Korrik të vitit 2006. Nga Korriku i këtij viti, ai për shkaqe private dhe pune vëndoset në Hungari, ku edhe sot vepron e jeton. Aktualisht punon në departamentin e kontrollit financiar në një nga korporatat më të mëdha në botë, në sektorin e energjisë.
Pavarësisht profesionit primar të tij si ekonomist, ai mirret edhe me shkrime letrrare, një pasion që nga bankat e shkollës fillore.
Botimet:
- “UDHËKRYQE MISIONESH” – 2010
- “THE GODDESS IS BACK” – 2014 (e-book në Amazon)
- “217” – 2015
- “D11” – 2017
- “MISTERE TË KODUARA” - 2019
Fragment nga romani "Mistere të koduara"
Kapitulli Trembëdhjetë
13 Dhjetor 1998
Në Cahan, një fshat malor në kufirin Shqipëri-Kosovë kishin arritur 142 ushtarë të UÇK-së të ngarkuar me armë të shumta. E prisnin edhe një djalosh të vinte nga Kruma që t'i bashkohej grupit. Mujë Krasniqi ishte njoftuar që do i bashkohej Arbër Shkreli dhe plani ishte që Arbëri nuk do vazhdonte drejt Drenicës, por do të ndalej në Dukagjin. Donte të ishte në zonën e Rugovës si ushtar, aty ku kishte lindur, por si fëmijë i vogël 14 muajsh kishte shkuar në SHBA, meqë prindërit e tij kishin emigruar atje.
Muja, ose i njohur si Komandant Kapuçi, me plagë ende të pambyllura në trup, ishte sëbashku me dhjetëra ushtarë në një dhomë të një shtëpie guri të fshatit Cahan dhe ishte ulur ballë për ballë me Beqir Gashin, rapsodin e këngëve folklorike, ia kishin krisur një kënge me çiftelia. Këndonin këngën e famshme 'Thërret Prizreni mori Shkodër', e shkruar nga poeti drenicas Sylë Bajrami.
Bora kishte kaluar tetëdhjetë centimetra në malet e Pashtrikut dhe nata do ishte e ftohtë. Muja i plagëve të shumta ishte bërë një legjendë për gjahun që iu bënte spiunëve të Serbisë nëpër Kosovë. UDB-a e kërkonte me çdo çmim vrasjen e Kapuçit.
Ushtarët kishin qenë në masë, kur ishin nisur nga Kruma drejt Cahanit. Në dalje të qytetit ishin ndalur tek një kafiteri ku kishin porositur çaj të nxehtë. Një djalosh i ri ua kishte paguar çajat dhe si për kureshtje i kishte pyetur se kur do niseshin për Kosovë. Njëri nga ushtarët i entuziazmuar ishte përgjigjur 'me kysmet sonte pas mesnate'. Kaq kishte mjaftuar që pas disa orëve një telefonatë nga paguesi i çajave të njoftonte Mustafë Marecin. Telefonata ishte interceptuar dhe regjistruar në arkivat e Shërbimit Informativ Shqiptar.
Grupi i 142 ushtarëve pak para mesnatës, ishin nisur drejt kufirit. Ende pa kaluar 200 metra grupi i ushtarëve, arriti edhe një makinë ushtarake ku solli Arbërin që kishte një çantë me rreth 40 kilogram, me vete. E vuri shpejt në shpinë dhe i shpejtoi hapat për t'i zënë ata.
Njëri nga ushtarët kishte një fletore me kopertina të forta ngjyrë kafe, i ngjante një ditari të vogël, ku kishte shkruar emrat e ushtarëve si dhe ditëlindjet e tyre. Arbëri i mbushur frymë arriti mbrapa ushtarit të fundit.
'Tung shqipe!', foli ai me zërin e tij duke lëshuar një frymëmarrje nga hapat e shpejtë që bënte nëpër borë.
'Tung!' foli ushtari që ishte mbështjellur sy e vesh nga të ftohtit e natës në Pashtrik. Ushtari që e kishte ditarin në xhep e kishte vërejtur Arbërin që i ishte bashkangjitur grupit. Bëri një hap anash dhe doli nga rreshti i ushtarëve, priti deri sa kaluan 6 ushtarët e fundit dhe u përshëndet me Arbërin.
'Sapo të ndalemi në vendin e parë për të bërë një pushim, do shkruaj emrin tënd në listen e ushtarëve.' foli ai. Arbëri u prezantua, frymëmarrja ende nuk i ishte stabilizuar nga hapat e shpejtë për të arritur grupin e gjithashtu ende nuk e kishte kapuçin në kokë dhe shallin ngase në makinë nga Kruma në Cahan nuk i duhej.
'Ngjite kapuçin, shallin e mbështillu mirë se shumë ftohtë bën rrugës.' e këshilloi ushtari Arbërin dhe ai ashtu bëri.
Nga xhepat e uniformës nxori kapuçin e shallin, edhe dorëzat e lëkurës, e mbuloi mirë fytyrën duke lënë vetëm sytë të lirë që të shikonte para. E atje para tij, shikonte me kureshtje se si çahej bora nga këmbët e ushtarëve të lirisë.
Forcat ushtarake serbe kishin veshur njësitin special të armatës në uniforma të bardha dhe kishin zënë pritat në vijat malore ku pritej të vinin ushtarët e UÇK-së. 1300 forca të armatosura kishin krijuar një zonë formë patkoi dhe qëllimi i tyre ishte të asgjësonin komplet grupin e ushtarëve të UÇK-së. Grupi i snajperistëve ishin pajisur me snajperë me dylbi nate të avancuara për të goditur sa më saktë objektivin. Kishin edhe grupin e murtajave dhe artilerisë së lehtë pjesë të planit. Kishin zënë pozitat me kohë dhe prisnin.
Ushtarët e lirisë çanin borën me këmbët e tyre. Ecnin pandalim në natën e ftohtë me borë. Në ballë të grupit ecnin pesë ushtarë me përvojë dhe ishin rreth 150 metra para ushtarëve të tjerë. Pastaj ishte një grup rreth njëzet vetash të shkëputur përafërsisht 50 metra nga të tjerët në ballë të kolonës, pas të pestëve, mes tyre edhe Arbëri. Të tjerët ishin më mbrapa, të gjithë në kolonë. Një lëvizje strategjike për të mos rënë në ndonjë kurth ku shumë ushtarë do të mund të humbnin jetën. Ora kishte kaluar 2 e mëngjesit e çlirimtarët ecnin pa ndalur në një zonë malore me borë, temperatura minus 17 gradë celcius, të ngarkuar në shpinë me armatime të shumta, në një natë të ftohtë akull, djersët u shkonin gurrim ballit nën kapuç.
Pesë ushtarët e parë bënin sytë katër, kishte kohë që kishin kaluar kufirin dhe në çdo moment mund të ndodhte ndonjë befasi e pakëndshme.
Snajperisti serb i veshur në të bardha 300 metra përballë e kishte shenjuar ushtarin e parë. Në të njëjtën kohë një tjetër snajperist kishte shënjuar një tjetër ushtar të UÇK-së në mes të kolonës. Qëllimi ishte të sulmohet grupi në mes dhe në fillim për të shkaktuar ndarje të forcave dhe konfuzion.
Një krismë kumbuese ushtoi malin, ndërsa plumbi përshkoi tejpërtej gjoksin e ushtarit të UÇK-së që ishte në ballë të pesë ushtarëve në fillim të kolonës, i cili vetëm shikoi borën e bardhë dhe u shtri mbi të duke e skuqur me gjakun që rridhte curril nga plaga e tij. Një tjetër krismë goditi në mes të kolonës një tjetër ushtar të lirisë. E krismat vazhduan pambarim.
Krismat e para ishin vetëm fillimi i një beteje të përgjakshme. Ushtarët u shtrinë në borë sipas udhëzimeve që kishin marrë gjatë stërvitjeve dhe zunë pozicionet. Nuk ishte e lehtë të identifikoje armikun se ku ishte. Krismat u shpeshtuan pambarim e nata e ftohtë i ngjante një kaosi të përgjakshëm. Në grupin e të pestëve edhe dy të tjerë u gjetën nga plumbat e armikut. Bora e bardhë filloi të bëhej e kuqe.
Zëra e britma dëgjoheshin e bashkë me krismat edhe zërat humbnin në lartësitë e Pashtrikut. Nga tytat e zjarrta të forcave armike mund të vërehej rrethi i gjërë që ishte bërë. Muja nuk e kishte të vështirë ta kuptonte që kjo betejë nuk do ishte e lehtë. Me sa zë që kishte jepte urdhëra për të shtuar zjarrin. Në një kurth të tillë vetëm plumbat drejt armikut të japin shansin e mbijetesës, në të kundërtën armiku ishte në avantazh, kishin zënë pritën dhe vetëm shënjonin objektivin. Snajperistët ishin më të rrezik-shmit sepse ishin në një distancë më të largët për t'i identifikuar. Muja rreth vetes kishte ushtarë me përvojë dhe mes borës që skuqej jepte urdhëra për tërheqje mbrapa, tjetër dalje nuk kishte. Për të bërë një tërheqje duhej zjarr i fuqishëm në drejtim të armikut, por armiku kishte bërë një rreth të gjërë e plumba duheshin shumë. Ushtarët e UÇK-së përmes tytave të tyre villnin zjarr e plumbat e tyre gjenin edhe kokat e trupat e armiqve. Në disa pika luftohej në distanca të afërta rreth 30 metra, priteshin vetëm edhe luftimet fyt a fyt. Disa nga ushtarët i kishin hapur bajonetat e automatikëve, e ndjenin që do hargjoheshin shpejt plumbat.
Derisa luftohej, krijohej edhe një hapësirë për tërheqje mbrapa. Grupi i të njëzetëve së bashku me grupin e të pestëve mbesin të ndarë nga kolona, në luftime e sipër edhe dy të tjerë bien në luftime fyt a fyt me armikun derisa krijonin hapësirë për shokët që të gjenin një terren të thyer e të tërhiqeshin mbrapa.
Mirëpo zjarri i tytave të armëve është edhe një e keqe në kohë nate, të identifikon vendin se ku gjendet ushtari. Snajperistët serbë e shfrytëzonin këtë situatë duke shenjuar ushtarët me saktësi. Beteja çdo moment bëhej më e ashpër, luftimet ishin për jetë a vdekje. Sulmet e serbëve vinin nga të tri anët. Ushtarët që ishin në mes të kolonës ishin cak i pandërprerë i breshërive të armikut. Në më pak se një orë luftime, 29 ushtarë të UÇK-së bien dëshmorë duke u bërë mburojë me trupat e tyre për të shpëtuar shokët në planin e tërheqjes.
Nga grupi i njëzet ushtarëve që ishin në fillim të kolonës, kishin arritur të dilnin nga rrethi 11 ushtarë duke përfshirë edhe komandant Kapuçin. Nëntë të tjerë ishin të plagosur që kishin mbetur mu në rrethin e zjarrit të armikut e që disa prej tyre ende luftonin mes plagëve, disa kishin humbur vetëdijen e nuk dihej nëse ishin të vdekur apo ende jetonin. Edhe Muja ishte plagosur, e gjaku i shkonte curril në këmbën e djathtë. Zërat e shokëve të plagosur dëgjoheshin e Muja nuk zbrapsej.
Me një plagë në kraharor e një tjetër në këmbën e majtë, si një luan i maleve luftonte edhe Arbëri i cili kishte qenë në pikën më të afërt me 11 ushtarët tjerë që ia kishin arritur të dilnin nga rrethi i hekurt i armikut, e që ishte rreth 90 metra larg grupit të 9-të të plagosurve të tjerë, të cilët kishin mbetur krejtësisht të rrethuar nga forcat e shumta të armatës serbe. Kurrë nuk e kishte menduar që dita e parë e hyrjes në Kosovë do ishte aq e përgjakshme.
Muja gati sa nuk ishte çmendur kur kishte parë Beqën mes shokëve të vrarë, shokun e këngës dhe të luftës. Urdhëroi pesë nga ushtarët e tij më me përvojë që t'i shkonin pas. Mendjen e kishte bërë top që të plagosurit të mos i linte në atë betejë të përgjakshme. E dinte që nëse i linin aty, forcat serbe do i zinin të gjallë dhe do bënin lajmet e botës. Nuk mund t`ia lejonte vetës një gjë të tillë.
Njëri nga ushtarët e dinte që kthimi tek të plagosurit që kishin qenë në fillim të kolonës, ishte vdekje e sigurt, por lufta është e luftë e shokët e luftës janë vetë jeta.
Mbushën mirë karikatorët e automatikëve dhe u nisën ballë për ballë rafaleve të plumbave që vinin sikur breshëri. Një grup tjetër rreth 20 veta, lëvizte me shumë kujdes mbrapa tyre që në rast të krijimit të hapësirës të ndihmojnë të plagosurit për të dalë nga rrethi i zjarrit të armikut. Muja me pesë ushtarët ecnin me hapa të shpejtë drejt shokëve të plagosur e armët e tyre villnin zjarr. Arbëri kishte zënë një pozitë ku kraharorin e plagosur e kishte futur në borë e bora skuqej, ndërsa me dorën e majt shtinte pa ndalur andej nga vinin plumbat e armiqve. Sytë e tij u ndeshën me sytë e Mujës.
'Të lumtë pushka' u dëgjua zëri i Mujës e Arbëri e vërejti që nga këmba e tij binte gjaku që linte currila nëpër borë. Arbërit iu shtuan shpresat që shokët do ia arrijnë ta tërheqin ngadalë edhe atë nga rrethimi. Plaga në këmbën e majtë ishte e madhe, kishte marr një këmish nga çanta, e kishte shqyer në dysh dhe e kishte lidhur sa për ta ndalur pak gjakun.
Situata ishte eksploduese, plumbat vinin si breshër e filluan të binin edhe predha të rënda nga mortajat. Armiku bënte çmos për të asgjësuar UÇK-në e bashkë me asgjësimin e ushtarëve të lirisë donin të vritnin shpresat e shqiptarëve njëherë e përgjithmonë për të qenë të lirë.
Muja sikur e ndjente që nuk kishte dalje, e ndjente që ishin ato momentet e fundit të jetës së tij. Mblodhi forcën e trupit, ndërroi karikatorët e automatikëve, u ngrit në këmbë, në dorën e majtë kishte një automatik të shkurtër e në dorën e djathtë një AK-47, këmbën e plagosur e ngrihte zhagas pas vetës dhe u nis drejt rafaleve të armikut. Shokët që i shkonin pas nuk iu besonin syve. I ngjante një le-gjende lufte. Në të vërtetë sëcili prej tyre në ato momente ishte një legjendë njerëzore që ndanin momentet e fundit të jetës duke e shëndrruar borën e bardhë në të kuqe, duke shëndrruar dhimbjet dhe gjëmat e plagëve në zëra të fuqishëm të lirisë.
I pari që nisi hapat pas Mujës, u godit nga një plumb afër qafës mbi kraharorin e djathtë.
Një ’ohhh’ e zëshme i doli nga goja dhe me dorë shtrëngonte plagën. Muja e ktheu kokën, e pa që dy shokët e tjerë u afruan dhe morën ushtarin e plagosur, provonin ta tërhiqnin mbrapa në një terren pak të thyer, disa metra mbrapa Arbërit.
Predhat e murtajave binin, e një prej tyre mori dy ushtarët e Mujës përnjëherë dhe jetën e ushtarit që sapo ishte plagosur. Muja vetëm ra në gjunjë, shikoi plot dhimbje eksplodimin, e shikoi edhe njëherë Arbërin dhe u nis prapë drejt nëntë të plagosurve të tjerë, e që nënkuptonte drejt e në plumbat e armikut.
Një plumb e mori Mujën në krahrorin e majtë duke ia hequr nga dora automatikun e shkurtër. Ai nuk u ndal, bëri edhe ca hapa më tutje e me kallash shtinte andej nga vinin breshëritë. Një plumb tjetër përshkoi gjoksin e tij dhe ishte goditja fatale. Muja u mbështet pak në kallashnikovin e tij, u shtri në krahun e djathtë, koka i peshoi mbi borë, me sytë çelur e me një buzëqeshje heronjësh, lëshoi frymën e fundit në atë natë të ftohtë akull, e sytë e tij sikur shikonin Pashtrikun me bardhësinë e ftohtë, si takimin e fundit të dashurisë së madhe ndaj atdheut.
Edhe dy ushtarët e tjerë që nuk ishin vetëm pak metra larg Arbërit, nuk shihnin ndonjë shpresë për të hapur rrugë drejt nëntë të plagosurve. Breshëritë e plumbave vinin pa mbarim. Arbëri vetëm i vërejti që edhe dy ushtarët e tjerë u goditën nga plumbat dhe se tytat e tyre nuk gëlltitnin më zjarr.
Ai shikonte përrreth dhe tashmë bora dukej diku e kuqe e diku e zezë, predhat e mortajave kur eksplodonin nxirrnin copëzat e tokës e që binin pastaj mbi borën e bardhë. Të pesë ushtarët që er-dhen sëbashku me Mujën nuk lëviznin më, vetëm bora skuqej me gjakun e tyre. Shpresat e Arbërit për të mbijetuar shuheshin nga momenti në moment. Filloi të shkonte zhagas mes shkurreve duke u larguar disa dhjetëra metra nga ajo zonë e mbushur me gjak e trupa të vrarë. Por forcë nuk kishte të vazhdonte më tutje nëpër borën e ftohtë. Ndjehej sikur të ishte Mohikani i fundit e që në ato momente aq tragjike të jetës mendonte vetëm për një njeri, për Melindën, vashën e ëndrrave, dashurinë e madhe të botës së tij.
Disi i dukej sikur çdo gjë u ndal, edhe dhimbjet e plagëve u ndalën, edhe të ftohtit e natës me borë i dukej sikur u zhduk diku, u ndalën krismat, u ndalën zërat, gjëmat e thirrjet për ndihmë.
Dorën e futi ngadalë mes shallit tek fyti dhe e preku unazën e fejesës. Dora e tij plot gjak nga plagët, e gjakosi unazën, e shtrëngoi fort e momentet më të bukura të jetës me Melin iu shfaqën përpara syve.
'Të dua përtej botëve' pëshpëriti Arbëri e pëshpërimën e tij sikur e mori nata e ftohtë me vete për ta dërguar në botën e dashurisë.
Një predhë e mortajës eksplodoi vetëm dy metra larg Arbërit duke ia ndarë nga trupi shpatullën e djathtë të këmbës, e një copëz tjetër e predhës do t`ia ndante edhe gjysmën e fytyrës nga koka. Mo-hikani i fundit ishte dëshmori i fundit i një beteje të ashpër që historia e re e UÇK-së po e përjetonte shumë rënd.
Nëntë ushtarët e plagosur, shumica prej tyre kishin humbur vetëdijën nga derdhja e gjakut, ndërsa dy prej tyre nuk kishin pasur më asnjë plumb për ta zbrazur, kishin mbetur mes forcave të armikut. Forcat e armatës serbe, do i gjenin ende të gjallë e në orët e hershme të mëngjesit do t`i merrnin me vete si robër lufte, sëbashku me trupat e 35 ushtarëve të vrarë...
Kaltrinë Uka ka lindur më 08.03.1996, në Mitrovicë. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin, për të vazhduar mëpastaj studimet në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin "Isa Boletini" të Mitrovicës.
Poezia e saj është vlerësuar shpesh me çmime letrare. Përmbledhjen e parë e ka botuar në vitin 2019, me titull: “Ju bâj sogje”.
Poezi nga Kaltrinë Uka
Dallëndyshe
Dallëndyshe. Thurr fole për andrrën teme
qi mrena vetes man’ veç dëshirime e shpresë
n’qiparisin ma t’gjatë qi me u degdisë n’hyjzi
kur don me u la dëshirash
me çelë dashni e paqtë mbi eter
tue u dashtë n’idhnime e n’gzime
me përkundë, me majtë n’gji
me e pa tue çelë pranvera n’ftyrë
n’agime t’bardha me pa tue ec’
tue shndritë buzëqeshja
me puthë n’përqafime me afsh
tue u epë lumtunisë
me pa tue u rritë,
tue mos pasë drojë
qi merr krahë e ikë.
A m’kujton?
E kujton takimin e parë kur n’sytë e njani-tjetrit humbëm?
Kur e njëjta fortunë ndjenjash u shfaq te të dy?
Une po. Edhe sot.
E njëjta fortunë vjen veç një herë,
s’harrohet edhe pse mundohesh.
T‘kujtoj edhe pse lëndohena.
Sa fort m’përplas jeta me tanë fuqinë e saj
tue m’kthye te sytë e tu.
Sa fort dhemb ajo ditë kur kujtohet e vetme.
Sa lëndojnë ernat e saj t‘fuqishme
tuj thye degët e secilës fjalë t‘ambël,
e n‘vikamën ma t’madhe je dhimta qi përtrihesh.
Emnit tand due me i nejt larg, po për dreq m’rri shumë afër.
Nuk i lutem Perëndisë sot qi t‘kthehesh e t’jem bashkë, e di?
Për be, janë tret tana shpresat dhe shpresa ma e vogël asht vyshk,
veç i lutena t‘jesh i lumtun.
Sot s’kam as prej atyne andrrave ku bashkë i presim n‘përqafim stinët;
as prej atyne me fillue jetën diku n’skaj t‘botës,
e as netëve bashkë me i numrue yjet..
Për be, sot s’kam as andrrat, as shpresën.
Sot kam veç kujtimet dhe nji pyetje qi m’tundon:
A m’kujton?
Nuk asht lehtë
Nuk asht lehtë me vue kryet
mi nënkresën e dëshirimeve t’eremitit
as me u mblue me andrrat e grisuna
nën notat shurdhuese t‘vikamës
as me pa si sëmbimet ua ndërrojnë ftyrën
me pezmin qi në grykë ngjitet
as vetminë tue e tremb me pamjen e saj
gostive kur qielli veshet me t’zeza
Nuk asht lehtë me pa
timbrin e vajit tue u derdh’
mbi horizontin e jetës qi numëron mekjet,
diej qi perëndojnë n’përrenjtë e ikjeve
qi kundërmojnë ekzekutim shpresash
motet tu ngjyrue thinja mbi pritjet
qi lëshojnë rigë katikulash
tue përplas furishëm kafkën allçi
Nuk asht lehtë m’i pa
grimcat e lumtunisë tue heshtë
ndër torturime varun mbi britmë kryqi
sikur qi nuk asht lehtë me u ba prijës n’rrugën
e klithmave e drithërimave eremit
papritë mund t’shndërrohesh
në nji trishtim t’fuqishëm ernash
nji prijës i pashpresë n’amazonat e frikës...
Hijeshisë tande
Jam dorëzue si kam pa bukurinë e shpirtit tand.
Jam dorëzue si pa kuptue n’xhanin tand t’paqtë eter
tue mos mujt shpirtit me i vù fre n’kyt horizont.
I jam dorëzue hijeshisë tande.
Bukurinë e kam pa tue marrë ngulm me t’përshkrue
pa ngurrue me dëshmue qi n’radhën e mrekullive je mrekullia e parë
magjeps qi ndez shkëndiat e dëshirimit e lakmisë
për nji kumtim intim me u marrosë mas krejt çka mbart me veti.
Hijeshia jote asht si poezi e shkrueme për dashni
qi t’zgjon tallazet për përjetim t’epshëm
tue e gjetë t’kacafytun veten me vete
tue u drojtë babëzisë se mos po çmendesh qysh në vargun e parë
t’gërmëzuem n’delikatesë e n’joshje
andaj i jam dorëzue hijeshisë tande
tue u kredhun thellë n’vezullimin tand qi man ndër duer
tue pasë frigë qi m’len me u mbyt n’det mungimi
njaty ku suvala m’çon dhimbjen mi kreshtë rrëmbimi.
I jam dorëzue hijeshisë tande
nurit qi ta len n’harrim frymëmarrjen
tue t’rrëzue n’lakmi kur sheh farfurinë qi ruen te sytë
qi t’ban me thurë ândrra pasionesh t’rrufeshme
njatje ku t’zen duhia e s’munesh me u ngi frymë.
_____
Çmimi i parë në manifestimin “Sofra poetike e mërgimtarëve”. Vushtrri - 2019
Qytetit t'kurrun
Më djeg’ gjëmimi yt i dhimbës qi ndin’
e jehonat e zashme më sëmbojnë
po ti më merr në krah pranvershëm
dallëndyshet e tua më gazmojnë.
Ti ndrinë ma fort se njajo hanë e tanë
qi mbramjeve nxanë vend n’kolltuk t’qiellit
qytet i shenjtë, i hijshëm, i gjallë
qi mue m’ngrohë si rreze e diellit.
Kur të duen, n’mue mugullon lumni
i bukuri jem i dashtun sa mot
nën zâ më flasin t‘vërtetat e tua
bashkë me valët e Ibrit qaj e qeshi fort.
Mos i le
(Ujmanit)
Ujman, liqeni jem i vujtun
A po ki frigë i vogli jem jetim?!
Mue m’kanë lidhë kambë e duer
S’po mundena lirshëm
me ardhë me t’pa
me t‘përqafue
me shue kyt dhimbje
qi mezi shpirti po e mân
Si mi ki valët?
A t’asht turbullue uji?
A kanë ra gjethe mi tye?
Andrrat çfare i sheh?
Se ditët e netët i di
Mos u dorëzo Ujman!
Mos u shterr, qëndro!
Qesh i bukuri jem
dhe përmbi ty mos e le kand,
përbij’ n’dhimbt’ tua,
s’je urë
ti je nji plagë
i vujtuni jem i pafaj
... dhe kush don me t’rrëmbye
rrëmbeje Ujman!
 |
| Syhejl Havolli |
Syhejl Havolli u lind më 21 korrik 1953 në Prishtinë. Shkollēn fillore, të mesme dhe Fakultetin e Filologjisë - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i mbaroi në Prishtinë.
Me poezi ka filluar të merret që nga rinia. Përveç poezisë merret edhe me prozë. Ka botuar në të gjitha gazetat dhe revistat tona letrare, këtu nē Kosovë dhe Shqipëri në gazetën “Nacional”. Në revistën studentore të asaj kohe “Rrjedh e lë gjurmë”, poemën “Ai lis shekullir”, kushtuar poetit Esad Mekuli. Që nga viti 1974 e deri në ditët e sotme ka punuar në Fakultetin Filozofik, tani Filologjik. Njëherit ka qenë edhe korrespondent i gazetës studentore të asaj kohe “Bota e Re”.
Ka botuar dy përmbledhje me poezi:"Heshtje" dhe"Litar lotësh". Ndërsa përmbledhja e tij e tretë poetike me titull "Maratona e ëndrrës" pritet të dalë nga shtypi.
Poezi nga Syhejl Havolli
ANTIBIOTIK
Më qeshet zemra
Sa herë që e shoh simpatinë
Kur shkon në punë
Aq e bukur që është
Fytyta e saj ndrit kudo
Flokët i ka bërë si rrotë
S’kam parë aq të bukur në botë
Dola iu afrova pa e pyetur fare
As për emër e mbiemër
Me një tufë lule në dorë
Ia vëra në kokë si kurorë
E bëra më madhështore
Simpatinë dashurore
Lulet nisin e flasin
Në ballkon pa kufi
Dhe sikur më thonë
E jotja është
E jotja zotëri
U ktheva shkallëve
Tatpjetë vullkan
Unë simpatik
Ajo
Antibiotik në trupin tim
EMRI YT
Mbi krahët e lehtë të hënës
E me driterrësirën e yjeve
Emri Yt
Më bie mbi qepalla:
Natën e mirë!
Mbi rrezet e holla të diellit
E me lëngun e vesës
Lot vashe të derdhur
Emri Yt
Më puth faqe e sy:
Mirëmëngjesi!
LETËR NGA BURGU
Falmi buzët
fëmijët
dua t'i puth në ballë
Falmi sytë
dua t'i shoh
duke buzëqeshur
Falmi duart
ata
t'i përqafoj
Falmi këmbët
hapin t'ua përgjoj
Dhoma nr. 10, 1981
FLOKU YT DRIDHI RRUGËT
Kur shkove ti
floku yt dridhi rrugët
sytë m'i mbuloi pluhuri i çuar peshë
Malli nuk më la ta kapërcej Moravën
as të dal në majë të Karadakut plak
se Prishtina nuk merrej me vete
Tash po pres të kthehesh te etja ime
me ujëvarën e zërit tënd shkumëzuar
mbi gurin e heshtur të shpirtit tim
Prishtina është e vogël e shpirti im i madh
sa ta mbajë dashurinë tënde brenda
këputur nga pemë e pjekur si fik i skuqur
si një selvi brenda dhomës së vetmisë
Unë sillem sikur luledielli i lodhur
tërë ditën e lume pas shpinës sate
kur ti lind e perëndon si diell
në ditën time të zbehtë
Zgjatma rrezen e fundit vetëm një herë
të vij me ty
edhe në anën tjetër të zemrës.
DITËN QË TË NJOHA TY
Ditën që të njoha ty
brenda ngazëllimit tënd
pushonin sytë e mi
Të parën puthje nga ti e mora
shijova dashuri
Përditë digjem me diellin
aty tek buza jote
i larë në gaz e lot
Dhe jam
i mjeri më i lumtur i kësaj bote
DO TË VISH TI
Shpirtrat e të vdekurve
vijnë afër varreve dhe qajnë
në bregun nëntokësor
Po ti a do t'vish
te Shtëpia ime e Përjetshme
a do ta lësh në gjysmë kafenë
për hir të dashurisë
Do të vish ti
me kurora qëndisur me dorë
Në çdo petale si pentagram
gjaku im rrjedh pikë-pikë
ti do të vish te kjo Shtëpi
para se të shkulen yjet nga qielli
unë do të bëhem ti
do të ta thith frymëmarrjen
me buzën time
Prit o natë prit
derisa në krahët plot gjemba
të çel trëndafili
MBULOMË ME ZAMBAKË
Sytë e mi
në mjegull po shuhen
pak nga pak
Ti puthma gjoksin zemër
mbulomë me zambakë
në këtë ujvarë lumi
jam pema që rritem deri në qiell
mbushur me zogj
jam kënga
kroi që rrjedh
nëpër kohë
buza ime e djegur
TI JE DITA IME
Asgjë nuk ishte kaq e thellë
sa dashuria ime për ty
Pema ime e etur
që rritesh brenda meje
në sytë e mi gacë
Dielli është pa gjumë
e harroi pagjumësia
Ti je dita ime e vetme
me një diell brenda
e me një zemër
që rinohet nëpër stinë.
QAJ, POR BUKUR ME DHEMBJE...
Jeta është si era që shkon kaluar
Sipër shpatullave të mia
Syri im shikon gurët e varreve
Veshët dëgjojnë se si flasin të vdekurit
Ç’është kjo ngrysje atje
Ti nuk më the asgjë
Sa gjëra ka brenda në varr
Heshtja mbulohet me zogjtë e natës
Unë do ta gjej
Një jetë më shumë prej të vdekurit
Se sa një jetë prej të gjallit
Errësira ka nevojë për vesh
Ah, sikur të ngjitesha lart
Siç po zhdirgjem udhës poshtë
Jeta do të kishte tjetër kuptim
Njerëzit e shkretëtirës
Duhet të përshtaten për të jetuar
Fati i njeriut
Është i paracaktuar në lindje
Askush s'mund të ribëjë ringjalljen
Oh jeta s' ka veçse një pranverë
Kur shpirti më lodhet
Pushoj nën hije
Dhe qaj
Por bukur me dhembje.
 |
| Ragip Ramaj |
Ragip Ramaj u lind në vitin 1953 në fshatin Klinë e Poshtme të Skenderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Kurse pak para se të përfundonte shkollën e mesme në Skënderaj, e largojnë nga bankat e gjimnazit për bindjet e veprimtaritë e tij, pasi ishte arrestuar disaherë nga policia. I detyruar të lëshojnë Drenicën, u vendos në Prishtinë, ku kreu studimet për letërsi. Ka punuar gazetar në Programin për fëmijë të TVP-së. Pas demostratave të vitit 1981, e përfshinë vala e spastrimeve në TVP dhe për disa vjet i ndalohet puna e gazetarit në Televizionin e Prishtinës.
Me shkrime ka filluar të mirret si nxënës, duke bashkëpunuar me të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe që botoheshin në Prishtinë e Shkup.
Ragip Rama është fitues i disa konkurseve letrare dhe botues i revistës për fëmijë "Doruntina".
Veprat:
- Do ta blej një gjysh, Rilindja 1982
- Dy këmbë në një këpucë, Rilindja1987
- Cicërrima të shqetësuara, Doruntina 1999
- Atdheun e kam në Zemër, Doruntina 2002
- Koridoret e Shpirtit, poezi për të rritur, Doruntina 2003
- Mollë e Kafshuar, poezi për fëmijë, Doruntina 2003
- Gjerdan Malli, poezi për fëmijë, Doruntina 2003
Poezi nga Ragip Ramaj
MOZAIKU I ATDHEUT
Ec e ec e ec - shtegtar malli.
Nata më përkund në djepin e atdheut
fle ngrohtë në gjirin e shtëpisë
ku qava për herë të parë.
Në mëngjes
mbledh copat e ëndrrave të kujtimeve të fëmijërisë.
Bëj mozaikun
e portretit të dashurisë.
PËRQAFIMI I ATDHEUT
Sonte i kam duart
më të gjata se kurrë.
I zgjas mbi fusha, male, dete
e përqafoj atdheun.
E puthi në faqe
dëgjoj zjarrfikun¹) e prushit.
Shuaj blozën e buzëve
sa shumë kishin zjarrmi.
Lundroj në detin e mallit të tij
drejt Kepit të Shpresës.
Me duart e mia të gjata
sonte e përqafoj atdheun.
________
¹) Zjarrfiku - Zhurma që lëshon prushi, gaca etj. kur fiket me ujë, lëng apo mjet tjetër.
LIRIA E KOSOVËS I HA LUFTËTARËT E VET
Pas rrebesheve të shfrenuara
me lumenj gjaku dalë nga shtrati
mbi fusha, male, gërmadha
rigojnë rreze Dielli
nga qielli i vrarë i Kosovës.
Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.
U nis kur u nis shekulli
(nuk) mbaroi kur mbaroi shekulli.
Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.
Në liritë e tjera
luftëtarit i qendisin gjoksin me medalje
dhe shpallet hero
në lirinë e Kosovës
luftëtari i saj gjithë vitet i kalon
duke i shëruar plagët nëpër gjyqe e burgje
var veten në trekëndshin e skamjes
këputet si gjethi në vjeshtën e vonë
shtrihet mbi sofrën e varfër të fëmijëve
dhe u thotë
hani plagët e mia
Liria nuk më dha gjë tjetër.
Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera
Liria e Kosovës i ha luftëtarët e vet.
VETË LIRIA NA ERDHI MELEZE
Rrena i ka këmbët e shkurtëra
kështu që moti kanë thanë,
por se duart i ka të gjata
sa Kosova anë e mbanë.
Njëra dorë e shtrëngon n`fyt
as s`e lëshon, as s`e mbyt,
dora tjetër shumë e dëlirë
ka gjithçka, përveç mëshirë.
E shpëtuam nga gojë e ujkut
dritë i dhamë në krye të shekullit,
sot është kthyer në plaçkë tregu
rropollimë mes valëve t´detit.
Është fryrë lumi ka dalë nga shtrati
Ka vërshu` fushave t´Evropës
gjithë Kosova po ngel në pleq
janë ba bashkë melaqe e dreq.
Seç na u bë edhe jeta hibrid
vetë liria na erdhi meleze
Janë përzi` dreqi e i biri
rreth tryezes me mish e meze.
Qani fusha, rënkoni male
qaj Prekaz, dridhuni varre,
mbi Kosovë ka vu` kulm errësira
shkëlqimvrarë sot është Liria.
Ku ta gjej një plakë malësie
një vajtojcë zemërplasur,
t`i qajë hallin kësaj copë Shqipërie
që po e hanë tuj u gajasur.
LUFTËTARIT QË BËRI VETËVRASJE
(Të gjithë luftëtarëve, që pas luftës bënë vetëvrasje)
E ndiqte vdekja në istikame
në zjarrin e flakën që digjte Kosovën
në netët e akullta të robërisë
kur luftohej që dielli e hëna
të udhëtojnë lirshëm mbi qiellin e Kosovës
kur luftohej për krahun e thyer të fluturës
mbetur pengvarur në degëzën e një trëndafili
dhe kapërcyllin e vrarë në bulim.
Ai i sfidoi të gjitha vdekjet
që e ndiqnin hap pas hapi
deri maje Bregu
kur e pa Diellin që po e barte Lirinë
siç e sjellin krushqit nusen
dhuratë për tokën që kishte rënë
aq shumë shi i vakët
dhe kishin rrjedhur aq shumë lumenj gjaku
nëpër unazat e shekujve.
Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se në Liri
sofrën e fëmijëve të tij
do ta shtrojë me mjerimin e tyre
e vdekja mund të fshihej
pas petaleve të luleve e Diellit në Pranverë.
Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se do ta hajë, ah, ajo
për të cilën i sfidoi të gjitha vdekjet...
Liria!...
PLAGËT E KOSOVËS I SHPËRNDAJ NËPËR EVROPË
(E shkruar në një prej netëve pa gjumë)
Me trastën në krah mbushur plagë të Kosovës
çapis nëpër Evropë
dhe i shpërndaj
nëpër tavolina bisedash e kuvendesh
nëpër salla konferencash
në festa e morde
në shkolla e biblioteka
laboratoriume e muzeume.
Me plagët e Kosovës shtroj rrugët e Evropës
mbi të cilat delegacionet ngarendin për të marrë vendime
ua fus në çantë edhe komisioneve
të veçanta e të përbashkëta
ia hedh në tavolinë edhe Federica Mogherinit
që t´i njohin plagët e Kosovës
që të dinë ç´është plaga e Kosovës
ç´është dhunimi i rrezeve të diellit
nën hijen e hënës së përgjakur
fëmija i gjallë si nxirret me maje të thikës nga barku i nënës
si thith fëmija qumështin e vdekjes nga gjini i nënës
si lufton një ushtri vrastare kundër pleqve, grave e fëmijëve
si ma kafshojnë tokën e babës nën dritën e vetëtimave
me dhëmbët e shekujve të lakmisë
ua tregoj projektet e gjetura në varret masive
e si varroset i vrari në disa varre
se i vrari atje nuk e ka vetëm një varr
i them Evropës se e gjithë kjo dramë u lu´jt në teatrin tënd
me aktorë nga Akademia e Egër e Shkencave Karpatiane
dalë nga lluci i gënjeshtrave
nga liqeni i gjakut dhe pusi i pafund i etjes për toka të huaja.
Plagët e Kosovës mbulojnë fushat dhe qiellin e Evropës
hynë nëpër shtëpitë e reja e të vjetra
dhe flasin, ah, flasin e flasin
dhe klithin, ah, klithin e klithin
shpërndajnë gjëmat e nënave e motrave tona të dhunuara
klithmat e fëmijëve në gojë të hienave të vdekjes
flakët që djegun dhe tokën dhe emrin e gjakut tim.
Plagët e Kosovës pyesin Evropën
pse toka dhe emri im dergjen në qelitë e dhembjes e të pafundësisë
pse liria jonë nuk e ka ngjyrën e diellit dhe puhinë e pranverës
pse doni të ma kafshoni prapë trupin tim të cfilitur e të ndarë copa-copa
cili është mëkati im që nuk po e lajnë shekujt
Nuk po e lajnë as vrushkujt e lirisë dalë nga lumenjtë e gjakut...
Evropë
unë që të dhashë emër e gjuhë
që të dhashë nam histori e gjeografi
që të dhashë diell e shkëlqim
që të dhashë papë e perandorë
që të dhashë Skënderbeun e Shënjëtreshën Tereze.
Evropë
mos më shto dhembje të reja
pashë lumenjtë e gjakut tim
pashë klithmat nëpër shekuj!...
Mos ma kafsho prapë trupin tim të copëtuar!...
(Hameln, janar 2019)
SI TA GJEJ RRUGËN E ATDHEUT
Nëpër rrugët plot kryqëzime
zigzage e me kthesa të Evropës
e kërkoj rrugën e AtDheut.
Gjurmoj nëpër tërë gjeografinë rrugore
kaloj të gjitha hyrjet e daljet
kot - s`e gjej dot
as rrugën e Atit
as rrugën e Dheut.
I pyes kalimtarët e rastit
hënën, yjet, qiellin
Universitetet, Akademitë, Parlamentet
heshtje
kot, ah, s´përgjigjen dot.
Ç`është kjo heshtje?
Ç`është ky ngurrim?
Ku është rruga e AtDheut tim?
Si quhet ajo rrugë?
Apo ndoshta Via Evropa
që kalon mespërmes këtyre fushave
e këtyre maleve
shtrihet deri në fund të Gadishullit Ilirik
atje ku deti takohet me det
e malet e larta me qiellin.
Eci mes për mes Evropës
sipër këtyre rrugëve
shfaqet mizore historia
mbi kurrizin e këtyre rrugëve
janë shtrirë gurët e AtDheut tim
mbi të cilët lodrojnë:
regjisorë
politikanë
ushtarakë
teologë
historianë
rrobaprerës
e
rrobaqepës
dhe kudo hasi
në kopsat e këmishës së AtDheut tim
të pëlcitura nga agushia
e tepërngushtësia deri në ngulfatje.
Mbi trupin e AtDheut tim
kryqëzohen rrugët e Evropës.
Ndanë rrugëve
rrjedhin lumenj gjaku dardanë e arbëror
e mbi ta tragjikisht noton historia.
Eci rrugëve të Evropës
e mbi to shtrihen mijëvjeçarët
dhe dëgjoj thyerjen e shpatave
gurgullimën e lumenjve të gjakut
hingëllimat e kuajve
klithmat dardane e vajet e nënave
gërzh-gërzhin e gërshërve
që prejnë këmishën e AtDheut tim,
dëgjoj, ah, gjëmat e Arbërisë.
Kudo nëpër këto rrugë të Evropës
që unë sot eci i huaj
e fshij djersët që pikojnë
në tokën e të parëve të mi
nën Lisin Plak tek këmbët e qytetit Arber*
së bashku me artifakte AtDheu
gjithë natën e lume rrimë së bashku
në zjarre betejash
në klithma e britma fëmijësh e nënash
duke e shikuar AtDheun, ah, si tkurret
sikur një hartë plastike në zjarr
digjet edhe lëmshi i mendimeve të mia
që nuk tretën dot as në ëndërr
sepse, ah, dikur këtej kanë ecur të parët e mi
me gjak, emër, flamur e tapi
mbi këto rrugë që nisin
aty ku takohen Germany e Illyricum
dhe shtrihen tejpërtej Evropës
deri atje ku puqet deti me det
e bjeshka me qiell
e maje bjeshke çerdhja e shqiponjës
me syrin pishë e shikimin diell.
Eci i huaj rrugëve të Evropës
mes gjëmave e thirrjeve
kërkoj rrugën e AtDheut.
_______
* Arber (Großer Arber, Kleiner Arber), qytet në Bavari të Gjermanisë.
BUZË ELBES
Buzë Elbes
Unë, Vetmia e Zalli
Kujtimin e vret Etja
Etjen e kall malli.
HIJA
Iku robëria
si kudra me bisht ndër këmbë.
Hija e saj
përdridhet Atdheut.
KURBETI
Ai është zjarri
urna e tij jemi ne.
Flakëte tij prej malli
shkrumbojnë në ne.
Dhe askush nuk i sheh.
VETVETEN VRANË
Thanë:
do ti vrasim jasharët!
kështu vrasim drenicën!
nëse vrasim drenicën
kemi vrarë kosovën
dhe shqipen maje kreshtave!
as vranë jasharët,
as vranë drenicën,
as vranë kosovën,
as shqipen mbi kreshta
vetveten vranë!