Montag, 1. Juli 2013

Albert Zholi: Hiret e një gruaje

Nga Albert ZHOLI
Hiret e një gruaje bionde
-tregim-

Atë mëngjes u nisa me përtesë në punë. Koha ishte disi e vrenjtur dhe dielli kryente hyrje-daljet e tij mes reve, duke fshehur ngrohtësinë e zakonshme që të bën entuziast. Njerëzit rendnin me nxitim nëpër rrugë dhe dukej se hapat e tyre ishin jashtë normales. Koha e vrenjtur u kishte sjellë pështjellim, pse jo kishin frikë se mos nga çasti në çast do të binte shi. Tirana dukej në një lëvizje të zymtë. I përfshirë në turmë, dy-tri herë kalova rrugët pa respektuar semaforët. Në një kapërcim semafori, midis vijave të bardha u përplasa me një mesogrua. Bërryli im i djathtë goditi pa dashur në ijën e saj të majtë.
Ajo lëshoi një “oh” të dhimbshme. Ndalova dhe i kërkova ndjesë. Ajo më pa nga koka te këmbët me inat dhe më tha me të njëjtin ton: “Të rroftë tërë ajo kollare që ke në qafë!”. Si duket, të falurën time të sinqertë nuk e mori parasysh. M’u duk e arsyeshme t’i ktheja përgjigje.
- Ju faleminderit për urimin që i bëtë kollares sime. E meriton më shumë se sjellja ime e të kërkuarit ndjesë.
Ajo, ngaqë nuk e priste këtë përgjigje, prishi buzët, shtrëngoi dhëmbët, afroi më fort rreth vetes çantën e dorës, bëri një kthim vrikthi djathtas dhe u nis në të kundërt të lëvizjes sime duke imituar teto Ollgën te filmi “Zonja nga qyteti”.
Një vajzë e re, e cila e kishte ndjekur gjithë skenën tek qëndronte buzë trotuarit, qeshi duke vënë dorën para gojës. Unë tunda kokën duke kapsallitur sytë dhe vazhdova rrugën. Shtrëngova kollaren më fort në qafë duke ia vënë fajin kohës.
Edhe vetë e ndieja që isha po aq i mërzitur dhe pa qejf si gruaja me të cilën u përplasa. Kjo gjendje e brendshme më ndodhte rrallë. Zakonisht në punë shkoja me kënaqësi, duke paraprogramuar çdo gjë. Roja e natës, te hyrja e portës së zyrave, më përshëndeti si çdo mëngjes me atë “Mirëmëngjesi” standard. Ndryshe nga herët e tjera, përshëndetjen ia ktheva nën zë. Hyra në zyrë duke e lënë derën gjysmë të hapur. Qielli nisi të gjëmonte. Një shkreptimë e fuqishme u përplas në xham.
Ndeza kompjuterin, vura pak muzikë klasike dhe fillova të kërkoja nëpër emërtimet e dokumenteve. Klikova diku pa një mendim të qartë. Ç’kisha kështu sot? Për të hequr mërzinë mendova të shkoja te zyra përkarshi, ku zakonisht shkëmbeja mendime me një koleg. Trokita.
- Hyr! - u dëgjua nga brenda një zë femre. Në fillim shtanga. Tek ajo zyrë deri dje punonte vetëm një kolegu im. Hyra me mëdyshje. Sa hapa derën, në tavolinën përkrah kolegut tim u përballa me buzëqeshjen e një gruaje simpatike. Dera e zyrës kishte ngelur gjysmë e hapur, ndërsa unë, me dorën e djathtë te doreza e derës, rrija ende i dyzuar. Të hyja brenda, apo të largohesha pa e pyetur? E kam zakon që në muhabetet me femrat hyj me vështirësi. Qielli ishte zhveshur nga retë dhe një rreze gjatoshe i jepte një ndriçim ëndërr-ndjellës flokëve dhe gjysmëfytyrës së gruas që kisha përballë. Fytyra e saj ishte e bardhë e limuar, flokët e verdhë gjysmë kaçurrelë i derdheshin në fund të supeve. Një pjesë e kaçurrelave i binin çapkënçe mbi sy dhe e bënin më tërheqëse fytyrën e saj vezake. Buzët, as të trasha, as të holla, që lëviznin me një delikatesë të pazakontë femërore, sikur kishin një lidhje organike të veçantë me mjekrën e vogël, e cila, kur ajo fliste, formonte në qendër një gropëz shumë interesante. Goja nën rrumbullakësinë e fjalëve merrte trajtë ovale, që stigmatizon natyrshëm përpikmërinë. Dritëhija që binte në fytyrën e saj në raportet rreze dielli - vendosje karrigeje, i jepnin fytyrës një shprehje enigmatike, që të përfshinte të tërin në ëndrrën e hulumtimit. Dukej si një studente me atë brishtësinë, lukun tejet femëror dhe tiparet karakteristike të një vajze që pretendon dhe premton në koherencën e kalimit amësor.
- Nuk ka ardhur Blenardi sot? - pyeta duke mos e tërhequr brenda vetes kërshërinë për ta parë ende me kënaqësi atë pamje femërore.
- Jo, sapo mori në telefon dhe më tha se do të vonohet pak. Kishte një problem familjar.
- Ju mos jeni gruaja e tij? - pyeta pa e kontrolluar veten. Sigurisht, po të ishte gruaja ai nuk mund të telefononte në zyrë për hallin familjar. Ajo filloi të qeshte lezetshëm me hutimin tim.
- Jo, unë jam kolegia e tij e re. Sot filloj punë për herë të parë. Në fakt në punë jam paraqitur dje, por shefi sa më njohu me punën më tha se mund të largohesha.
- Keni qenë më parë në punë?
- Po, kam qenë në një firmë private,- filloi ajo të më sqaronte natyrshëm. Kishte një zë të qetë dhe të ëmbël. Fliste me të njëjtin intonacion si zyrtarët e stazhionuar, të cilët i njohin mirë punët e administratës dhe nuk shqetësohen me gjëra të kota. Herë pas here lëvizte kokën djathtas, për të larguar një bisht flokësh që i binte mbi syrin e djathtë.
- Pse u larguat? - vazhdova unë bisedën me po atë qetësi sa edhe ajo.
Atë mëngjes, për të larguar mërzinë e pakuptimtë që më kishte kapluar qenien, sikur ma kishte qejfi shumë për muhabet.
- Sepse punonim shumë jashtë orarit. Nuk mund ta përballoja jo se ishte punë e lodhshme, por unë kam një djalë 5 vjeç për të cilin duhet të kujdesem. Isha shumë e larguar prej tij dhe të dy e vuanim largësinë. Ndoshta në shtet…
- Eh! - psherëtiva unë duke vendosur instinktivisht dorën në kollare më shumë për të larguar sytë nga vështrimi i saj zhbirues sesa për ta rregulluar atë në të vërtetë.
- Edhe puna në shtet ka sikletet e saj, ndoshta dhe më shumë se puna private, por ajo puna e orarit qëndron. Në shtet nuk punohet jashtë orarit,- vazhdova dhe shtrova pas gjoksit kollaren, duke e fërkuar me dorë si me një hekur rrobash.
- Paske kollare të bukur,- më tha kaçurrelsja duke shtuar dozën e ëmbëlsisë së zërit dhe duke anuar kokën djathtas poshtë si lozonjare, për të vërtetuar sinqeritetin e komplimentit.
- Disa kanë kollaret, disa janë vetë. Kryesisht kollare të bukura mbajnë ata që nuk shquhen për këtë veti njerëzore,- thashë disi me inat të brendshëm, pasi të gjithë më shumë pëlqenin kollaret sesa mendimet e mia. Ajo vuri buzën në gaz, pastaj me tonin e komplimentit më tha:
- Qenkeni interesant. Sikur i keni të parafabrikuara përgjigjet.
- Brenda vetes ndiej se bëhem interesant kur kam përpara njerëz të palexueshëm. Në raste të tjera jam tip i vështirë, madhe mund të them i bezdisshëm, sidomos me femrat.
- Pse me femrat?
- Sepse nuk kam kohë të tepërt të merrem vetëm me këpucët, kremrat, ngjyrën e flokëve, lartësinë e takave të këpucëve, manikyrin e thonjve të tyre, etj.
- Uaa! - shfryu paksa ajo duke kafshuar gishtin tregues. - Po është në natyrën e grave hapja e bisedave të tilla. Kështu ato pasqyrojnë më realisht gjininë së cilës i përkasin. Në paraqitje tregoni se mund të jeni shumë xhentëlmen me femrat, - vazhdoi dhe vendosi të dyja duart në skajet e anëve të tastierës së kompjuterit.
- Tani që më pe dhe bisedove, vëre vetë notën. Sigurisht, vizitori pritet sipas kostumit dhe përcillet sipas mendjes. Unë besoj se vetëm kollarja nuk e justifikoi intelektin apo komunikimin tim,- iu përgjigja dhe anova edhe unë kokën si ajo.
- Ha ha, ha,- qeshi ajo sërishmi. - Nuk e prisja të njihja një tip të tillë që ditën e parë të punës. Çudi! Tipa të tillë rrallë gjen në jetë. Jeni i martuar?
- Uff! - psherëtiva unë. - S’bëj kompromise me belatë. Unë mërzitem me veten, jo më me gratë. Bëj çudi se sa gjatë po bisedoj me ju.
- Pse, martesën ju e quani bela?- tha ajo duke vrenjtur vetullat për shkak të fjalëve pa lidhje dhe etikë. E ndjeva se pa dashje, si ato padashjet pa kripë, e kisha fyer. Dukej se, sipas meje, ajo po më lutej të qëndroja.
- Jo martesën, por gratë ose, më saktë të themi, femrat. Belaja te femrat konsiston në:
Gratë nuk ta falin dështimin.
Gruaja sheh thellë, burri sheh larg.
Gruaja te burri i mençur kërkon të metat, ndërsa tek i marri prapësitë.
Gratë na frymëzojnë të bëjmë vepra të mëdha dhe po aq na pengojnë t’i realizojmë ato.
Arsyeja e gruas qëndron në bukurinë e saj, bukuria e burrit në arsyen e tij.
Dhe e fundit: Të martohesh nuk është e vështirë, e vështirë është të jesh i martuar.

Gruaja tashmë më shikonte e habitur. E qeshura i ishte arratisur nga buzët dhe në gojën gjysmë të hapur mbillej habi. Për disa sekonda pamë njëri- tjetrin në heshtje.
- Si ju quajnë? - e theva unë heshtjen hileqare.
- Ermira, - tha ajo, duke buzëqeshur lehtë në atë formë që femrat kanë dëshirë të nxjerrin në pah formën dhe bardhësinë e dhëmbëve. Me të vërtetë goja e saj ishte për t’i thurur kompliment.
- Mua Elert,- i thashë me një ton të prerë. Me këtë ton i lashë të kuptonte se e kisha zgjatur së tepërmi bisedën.
- Të më falësh Era që të mora pak kohë nga koha jote e vyer dhe e gëzofsh emrin. Ke një emër interesant, që dikur ka qenë personazh në jetën time. Punë të mbarë - dhe bëra të mbyllja derën.
- Por nuk m’u prezantuat për punën dhe çfarë personazhi ka qenë për ju emri im? – pyeti ajo sërishmi.
- Ah, po. E shikon që fola kot. Kur burri bëhet llafazan, grave u ka më hije serioziteti. Shef jam edhe unë, si shefi juaj, por në një sektor tjetër. Mirupafshim dhe mos më emërto llafazan. Besoj se do të ma bësh këtë lëshim. Ndërsa për të dytën nuk mund të flas. Është një dhimbje…
- Besoj i ke gjetur forcat ta përballosh këtë dhimbje. E dyta, në prezantim të parë llafet janë të domosdoshme dhe, duke pasur parasysh këtë fakt, besoj se e meriton faljen për të të mos marrë për fjalaman. Një burrë llafazan nuk do ta kërkonte një gjë të tillë, - buzëqeshi ajo këndshëm.
Buzëqesha edhe unë. Në zyrë ra sërish errësira. Siç duket, diellin e kishin zënë retë. Por fytyra e saj edhe në këtë gjysmerrësirë vezullonte. Duke u larguar, brenda vetes ndieja kureshtjen ta shihja çfarë trupi kishte. Ishte hera e parë që brenda vetes ndieja një dëshirë për të parë sa më shpejt trupin e një femre që më ngjall interes. Hyra në zyrë dhe fillova të punoja në kompjuter. Kisha shumë punë për të bërë, por komunikimi me punonjësen e re nuk më shqitej nga mendja. Më vinte inat me veten që fola aq shumë, por më vinte edhe inat me të që më lavdëroi kollaren dhe pastaj më tha interesant. Në kompjuter punoja në mënyrë instinktive. Ishte hera e parë në jetë që isha kaq i trazuar në mendime. Një mëngjes i mërzitshëm, koha e vrenjtur, gruaja te semafori, fqinja e re (sigurisht kolegia) bionde, e qeshur, me dhëmbët rruazë, e qetë si deti në agim… Kaloja gishtat nëpër kompjuter pa ditur se ato çka hidhja apo korrigjoja ishin të sakta. Nuk e di se sa orë punova ashtu kuturu, kur papritur trokiti dera.
- Hyr! – thashë pa e hequr vështrimin nga kompjuteri.
Hapjen e derës me atë zhurmën karakteristike nuk e mora në konsideratë.
- Ju shqetësoj? - ishte zëri pyetës i Ermirës.
- Aspak, mund të hyni.
- Jo, erdha vetëm t’ju pyes, sepse edhe ju nuk u futët në zyrën time.
- Meshkujt në njohjen apo prezantimin e parë janë të dyzuar, të tërhequr, ndërsa femrat janë më të shpenguara.
- Pse?
- Meshkujt nga natyra janë në gjurmim dhe kërkim, femrat janë në pritje. Kërkimi është lodhje, seleksionimi nevrikllëk, pritja është komoditet,- fillova të filozofoja sikur të kisha përpara një studente dhe përdorja të gjitha aftësitë e mia për t’i mbushur mendjen. Nuk e di ç’më kishte hipur të flisja kaq shumë. Kaq normalisht mund të flisja për një muaj. Fillova ta kundroja nga koka te këmbët. Kishte një trup mesatar, elegant. Gjoksin e kishte të vogël, por shumë të bukur, me majë të këndshme si mollët starkinge në fillesat e pjekurisë. Pantallonat e zeza të ngjitura pas trupit tregonin këmbët tepër të bukura, të drejta, ku kofshët deri në perëndimin e vitheve ishin në harmoni me belin e hollë dhe me krahët. Vetëm ngjyrën e syve nuk munda ta përcaktoja saktë. Lëvizja e diellit nëpër re, ndriçimi i dobët i dritës, largësia, nuk ma pasqyronin të qartë këtë ngjyrë.
- Shumë keni lexuar mbi filozofinë. Në fakt erdha për t’ju pyetur se ku ka ndonjë dyqan apo klub këtu afër.
I sqarova me duar dhe me fjalë çka më pyeti. Ajo u largua duke më falënderuar dhe duke lënë pas erën e një parfumi të shtrenjtë. Hiret e trupit edhe nga mbrapa ishin perfekte. Shikimi i syve të mi instinktivisht e mblodhi të gjithë trupin e saj nga mbrapa, duke ledhatuar lakimet perfekte. Në zyrën time mbeti era e parfumit të saj prej jargavani si falënderim për mikpritjen.
Nëpër korridore përhapej zhurma e takave të saj. Ishte një zhurmë e këndshme, që ndoshta i mungonte prej kohësh atij korridori. Tak, tak, tak. Tingulli ishte i prerë, me distancë kohe të barabartë. Në atë ecje dhe tingull nuk kishte zvarritje këpucësh, hapa të gjatë. Ecja kryhej natyrshëm, pa marrë parasysh zhurmën. Thembra e këmbës vendosej fort në tokë, e sigurt dhe pastaj sfumohej me vendosjen e majave të këmbëve. Ishte një ecje interesante, që mund ta dalloje mes mijëra ecjesh po t’i kushtoje pak rëndësi dhe kërshëri në momentet e para të fiksimit. Me atë lloj rendjeje krenare, me siguri që flokët e saj vezullonin këndshëm mbi supe, si kallëzat e grurit të pjekur gjatë një puhize ere mbrëmësore.
Të nesërmen erdha më shpejt në punë. Në orën 8.00, në korridor dëgjova zhurmën e një troku femëror. Po, ishte zhurma e ecjes së Ermirës. Nga të gjitha ecjet në korridor, ajo ishte më me tingull dhe e veçantë. Për ditë me radhë ne as u pamë, as u takuam. Qysh prej ardhjes së Ermirës, takimet dhe bisedat me kolegun tim Blenardin ishin bërë të rastësishme. Mua më vinte rëndë të shkoja në zyrë, ndërsa ai patjetër që duhej t’i mësonte të fshehtat e punës Ermirës, si dhe duhej të dilte të pinte kafe me të derisa të njihej me shokët e shoqet e tjera të punës. Blenardi nga natyra është i qeshur dhe herë pas here në zyrën e tyre dëgjoja një duet interesant të qeshurash. Kështu vazhduan disa ditë. Në orën tetë pa dy minuta, takat dhe trokitja e veçantë e tyre në pllakat e korridorit më jepnin sinjalin e ardhjes së Ermirës.
Nga dita në ditë ajo zhurmë karakteristike të ecuri m’u bë pjesë e punës. Nëse nuk do të dëgjoja atë trokitje, ora për mua do të mbetej tetë pa dy minuta. Nuk di çfarë ndieja brenda vetes. Ecja, e qeshura e përmbajtur, të folurit me delikatesë, flokët si çapkëne, zëri që dilte i qartë dhe i rrumbullakosur nga goja e saj, më gërryenin përbrenda si ngrënia e një limoni para buke. Ç’po ndodhte me mua? Një zë brenda vetes më thoshte se në ambientet e punës kishte ndryshuar një situatë e vjetër, me të cilën isha ambientuar dhe që më jepte një normalitet në punë. Ndoshta kishin kaluar dy javë pa u parë me Ermirën, ndoshta më shumë, kur dëgjova të kërciturën e takave në korridor që ndaluan para derës sime. Dëgjova trokitjen e butë të saj, pasi gishtat e saj të hollë dhe delikatë nuk mund të trokisnin më fort.
- Hyr! – thashë pa i shqitur sytë nga kompjuteri.
- Mirëmëngjesi,- më tha ajo duke më dhuruar buzëqeshjen e ëmbël, që i ngjante ngrënies së një akulloreje pas një ecjeje të gjatë nëpër vapë. E shihja me bisht të syrit për të mos i lënë të kuptonte se e dija ardhjen e saj nga trokitja e këpucëve në pllakat e korridorit.
- Mirëmëngjesi,- i thashë pas disa sekondash, duke hequr shikimin nga kompjuteri dhe duke u drejtuar nga ajo. Ende në buzë kishte buzëqeshjen-akullore. Kishte veshur një bluzë gjysmëgolf rozë, reflektimi i së cilës i jepte një ndriçim më të bukur fytyrës së freskët. Përpara mbante një kuti me amareta.
- Urdhëroni, merrni. Është një qerasje modeste me rastin e fillimit të punës.
- Pse, sot keni filluar punë? - pyeta me gjysmë ironi. Ajo e shtoi dozën e buzëqeshjes dhe më tha:
- Gjithmonë i sertë dhe i pandreqshëm. Më afroi kutinë me ëmbëlsira.
- Mos prishet gjë planifikimi familjar apo shoqëror po të marr dy? Ekonomi tregu është dhe çdo harxhim bëhet i studiuar.
- I kam marrë masat për tipat e vështirë, planifikimi im nuk prishet edhe po të merrni tre. Kjo nuk do të thotë që po të keni uri nuk mund të merrni katër. Nuk besoj se jeni aq llupës sa mundoheni të ma mbushni mendjen me fjalë. Siç duket, nuk ju rrihet pa thumbuar edhe kur ju ofrojnë ëmbëlsira. Çudi, s’kisha parë një mashkull kaq të prapë dhe të pakënaqur me femrat!
- Ndërsa unë s’kisha parë një femër kaq kurnace,- e provokova enkas për ta nxehur apo për ta nxjerrë nga natyra e saj e paqtë që të impononte vëmendje. Më hipi një dëshirë të shija se ç’ngjyrë do t’i merrte fytyra po të nevrikosej.
- Ç’lidhje ka me kurnacërinë?- ngriti ajo vetullat hark përpjetë për një padrejtësi që mendoi se po i bëhej, por nuk i prishi replikat e qetësisë.
- Një femre si ti, me këtë luk dhe temperament që mua më duken si ndërthurje e kolerikut me flegmatikun, do t’i shkonte më për shtat ta linte kutinë në tavolinë dhe të thoshte: Merrni sa të doni.
Ajo puliti sytë, kafshoi paksa buzën e djathtë dhe më tha në mënyrë kurioze:
- Nuk e di nëse ka femër që mund të rrijë më shumë se 10 minuta me ju. Ju sa të krijoni situata, po aq dhe të sfilitni nervat.
- Atë të parën e kishe mirë. Këtë të dytën e the për sport. Se në fakt debatoj dhe nuk lëshoj pe me femrat, pasi ato janë pak nazemadhe dhe duan aq vëmendje sa të prishin llogaritë.
- Pse ndjenja është llogari? - shfryu ajo nën hundë.
- Pse zonjë, nuk e dini se shumë femra ndjenjën e barazojnë me pronën, paranë?
- Pak, ato që kanë mangësi në inteligjencë, performancë dhe njohje shoqërore Por, mesa shoh, inati që ke ndaj femrave buron nga vështirësia e tipit që ke. Ti nuk e merr mundimin t’i njohësh femrat, prandaj ato të duken të papranueshme. Në radhë të parë ti duhet të njohësh veten dhe të pozicionosh mentalitetin tënd në raport me kohën dhe vendin që zënë femrat sot në shoqërinë e ekonomisë së tregut. Ndoshta ju duket ofendim ndaj kryeneçësisë anakronike mashkullore shqiptare për t’i bërë kompliment një femre. Femra ka një natyrë delikate të destinuar për t’i bërë komplimente. Ajo përfaqëson gjallesën dhe delikatesën e jetës njerëzore, ku burrat shuajnë zemërimin, epshin, vrazhdësinë dhe natyra ruan trashëgiminë breznore.
Për një intelektual kjo është absurde. Femrat nga natyra janë delikate, të brishta që, ashtu si lulet, kanë nevojë për përkujdesjet që të ndriçojnë. Të respektosh një femër do të thotë të respektosh më shumë vetveten dhe jo ta ofendosh atë. Kujdes, mos u sposto nga jeta! Pa një femër në jetën tënde dita të bëhet më e zbehtë, ëndrrat më të pakapshme, jeta më e zymtë, e ardhmja pa perspektivë, e përditshmja inkoherente. Femra dhe dashuria janë si ajo lulja në mes të shkretëtirës, motivojnë dëshirën për jetën, sepse edhe në mes të kësaj shkretëtire ka diçka të bukur që të nxit ta arrish dhe t’i japësh kuptim jetës. Jeta pa dashuri është si viti pa pranverë. Me kutinë e amaretave në duar bëri një prapaktheu, i dha një lëvizje djathtas-lart kokës duke valëzuar flokët e praruar dhe doli me nxitim nga dera, duke e përplasur atë mbi forcën që lejonin aftësitë e saj fizike. Unë, me bërrylat e mbështetur mbi syprinën e tavolinës, shihja ende në drejtim të derës. Ajo la mbrapa erën karakteristike të parfumit (erë jargavani), ndërsa në korridor ende vazhdonte gjëmimi karakteristik i takave të saj.
- Si iku ajo ashtu?- pyeta veten. Nuk mund ta prisja një largim të tillë nga një femër. Por kryesorja është se asnjëherë nuk më ka bërë përshtypje një largim i tillë. Përkundrazi, ndihesha më i qetë kur ato largoheshin duke më lënë të qetë në punën time. Përbrenda zieja. Ç’kisha kështu? Zagushi kur temperatura jashtë ishte në nivelet e të mbajturit normal të xhaketës. Duart i lëvizja kot mbi tastierën e kompjuterit, duke formuar lloj-lloj fjalësh pa kuptim. Doja të çohesha dhe të shkoja në zyrën e saj, ta bindja se ajo nuk ishte e sigurt në ato që thoshte. Sigurisht, sepse ajo e la përgjysmë debatin. I jepja të drejtë vetes me atë kokëfortësinë time. Nuk isha fare i qetë. Isha i nervozuar, jashtë natyrës sime, që kur kishte të bënte me femrat, indiferenca i kalonte kufijtë e të qenit njeri normal. Mendimet m’i përkeqësuan sërishmi tak-taket e takave të saj në korridor. Si duket, i qerasi të gjithë me amareta dhe kthehej në zyrën e saj. U bëra të çohesha dhe ta ftoja të fillonim debatin. Sa vendosa dorën te doreza e derës, ftohtësia e metalit sikur ma davariti tundimin. U ktheva sërish dhe u ula në karrige. Krak - u dëgjua kërcitja e derës që u mbyll.
- Ç’bën ajo tani? - thosha me vete. Sigurisht që mendonte si unë për debatin e lënë përgjysmë. Nuk e di si iku ai tetorësh sfilitës. Kur nëpër korridor filluan të dëgjoheshin kërcitjet e dyerve dhe të çelësave në brava, unë vendosa të punoja. Kisha një material në dorë që duhej patjetër t’ia dorëzoja eprorit të nesërmen. Sërish në korridor tingulli i këpucëve të saj. Prita mos kthehej të më përshëndeste. Zemra më rrihte fort sa dukej se do të më dilte nga kraharori. Por jo, zhurma e takave pas çdo trokitjeje e shtonte largësinë. Kur ajo zhurmë u shua thuajse fare, iu ktheva punës.
Atë mbrëmje ika vonë në shtëpi, sikurse të nesërmen në mëngjes erdha më shpejt se herët e tjera. Doja t’i jepja dorën e fundit materialit. U mbylla në zyrë dhe u zhyta në punë. Kur i vura pikën e fundit, pashë orën që çuditërisht shënonte
09-00. Pra në zyrë kisha 1 orë e 10 minuta. Nuk më besohej. Po Ermira, nuk kishte ardhur sot? Si nuk e ndjeva trokitjen karakteristike të këpucëve të saj në korridor? Me siguri nuk ka ardhur,- thashë me vete. Mos vallë është sëmurë? Dhe brenda vetes ndjeva një alarm të paemërtuar. Asnjëherë nuk isha alarmuar për mungesa të tilla të vartësve të mi dhe jo më për një punonjëse të re që nuk e kisha njohur ende mirë. Ra zilja e telefonit, ishte Blenardi, shefi i Ermirës dhe shoku im.
- Do të vish të pimë një kafe? Jam edhe me atë punonjësen e re. Dil një herë nga guaska,- qeshi ai në telefon me atë ëmbëlsinë e tij.
- Faleminderit, por kam një material në dorë,- gënjeva, sepse materialin sapo e kisha përfunduar. E ndjeva se u skuqa. Kur gënjej, edhe pa zarar, skuqem deri në vesh. Doja si dreqi të shkoja, por e kuptoja lehtë brenda vetes se do të ndihesha keq. Isha i bindur se në këtë rast, duke pasur parasysh etjen time për të kundërshtuar femrat dhe heshtjen kur nuk jam tek për tek me to, do ta thelloja edhe më shumë bindjen e saj se unë isha një mashkull burracak, kokëfortë dhe i pandryshueshëm në sjelljen me femrat. Unë e di se si e mbajta veten kur dëgjova zhurmën e hapave të tyre në korridor. Një zot e di se ç’më gozhdoi në karrige si mumie dhe nuk më la të turresha drejt tyre si një adoleshent kur i turret së dashurës, e cila largohet pas një zënke banale.
- Kështu është dashuria?- pyeta veten.
- Po, kështu është,- më ktheu përgjigje dikush nga brenda meje.
Pra, unë kisha rënë në dashuri? Unë, mashkulli i pabindur, kokëfortë, që përleshesha me fjalë në çdo çast me to, vjen një moment kohor i paparashikuar dhe bie nën tutelën e dashurisë së panjohur, aq më tepër të një gruaje? O Zot, më kthjello mendjen! Me këto mendime kaluan ditë të tëra. Kërcitje takash në korridor, ndonjë përshëndetje e rastësishme para godinës së zyrave kur ajo ishte e shoqëruar, të rrahura të forta zemre, psherëtima të brendshme dhe të jashtme, imagjinata nga më të pakapshmet. Shkollotitje në punë, hutime në biseda mes miqsh, kujdes më i madh për lukun, veshët pipëz për të dëgjuar kërcitjen e takave, drithërima kur dëgjoja trokitje në derë, prishje humori në dyndjen e herëpashershme të miqve, orë të tëra mendimesh të turbullta...
Kështu dy muaj, muaj ankthi dhe pritjeje të një trokitjeje në derë apo të një ftese për kafe, kur në fakt duhej të isha unë ai që duhej ta hidhja një hap të tillë.
Atë fundjavë të parë prilli, padurimi kishte arritur kulmin. Ishin minutat e fundit të orarit zyrtar. Me Ermirën vetëm sa isha përshëndetur në orët e para të mëngjesit, kur po dilja për të marrë një shishe ujë, ajo po futej në zyrë së bashku me Blenardin. Kur u përshëndetëm, ajo më buzëqeshi ndryshe nga herët e tjera. Ajo përshëndetje kishte një përzemërsi, provokim, afinitet. Atë ditë ajo ishte veshur si asnjëherë tjetër. Një fustan ngjyrë lejla përmbi gju, i puthitur pas trupit, ia nxirrte në pah të gjitha hiret e linjave që Zoti ia kishte falur pa doganë. Beli i hollë, kofshët harkore dhe të ngjeshura, pulpat e hajthme që ndrisnin si qelibar, buzët e ndritshme me një ngjyrim lëkure dhe dekolteja e hapur deri në fillimin e rrumbullakësisë së gjinjve, e bënin tepër provokuese. Nuk mund të thosha se ishte shumë e bukur, por me prezencën e saj të ofronte feminilitet kaq tundues, sa asnjë mashkull nuk mund t’i lëshonte pe, qoftë edhe mashkulli më indiferent. Dukej se parapërgatitej për dashuri ose për një vizitë të rëndësishme. Performanca e saj të linte të kuptoje që shijet e saj kërkonin një respekt perfekt midis modës dhe respektit për vendin e punës. Silueta e saj nuk m’u hoq asnjë minutë nga mendja atë ditë pranvere. Rrija i mbështetur në karrige me sytë lart në tavan, duke u dhënë syve imazhe të ndryshme, pamje të lukut të saj, ku objektivi i projeksionit ishte tavani i zyrës.
Në korridor filluan kërcitjet e bravave. Dalëngadalë zhurmat shterën. Gjithçka ra në qetësi. E hoqa shikimin nga tavani dhe ndërpreva mendimet iluzive me projeksione të lëvizjeve të Ermirës.
- Po ajo si iku?- pyeta veten. Si nuk e dëgjova ecjen e saj karakteristike në korridor? Mos vallë ajo u sfumua nga zhurmat e tepërta të nxitimit fundjavor? Çudi?!
Kur në korridor një lëvizje brave, pastaj tak, tak, tak. Ishte tingulli i lëvizjes së takave të saj. Ritmi i rrahjes së zemrës sime ishte i njëllojtë me ritmin e lëvizjes së takave të saj. Tak, tak, tak, zemra! Tak, tak, tak, ritmi takave të saj në korridor. Mos më bënin veshët, apo me të vërtetë ajo zhurmë takash po afrohej drejt derës së zyrës sime? Në derë u dëgjuan dy të trokiturat e saj.
- Hyr! – thashë në një gjendje ankthi. Dera u hap ngadalë dhe në gjysmëderën e hapur u shfaq silueta e asaj që prisja, Ermirës. Ajo qëndroi për disa çaste duke më buzëqeshur te dera, pastaj bëri dy hapa para duke lënë derën hapur.
- Mos keni ndonjë problem? Mund t’ju ndihmoj? - i thashë duke u ngritur në këmbë. Gjaku brenda trupit filloi të më ziente. Ajo ktheu kokën paksa në profil dhe në fytyrë mblodhi një nënqeshje provokuese që, o Zot! Nuk po fliste, por më shihte me atë nënqeshjen provokuese që dukej sikur thoshte: Nuk po më kupton?
Në korridor një qetësi varri.
Dera gjysmë e hapur ishte treguesi më i qartë i një mbretërie heshtjeje, sa edhe frymëmarrjet tona ndiheshin aq qartë sa dukej sikur ishim një trup.
- Mos doni t’ju çoj me makinë në shtëpi? - më shkoi goja në të kundërt të mendimit.
- Jo, kam kohë. Sot jam beqare, fëmijët me burrin janë nisur në mëngjes për në Gjirokastër. Kthehen në darkë. Duke ngritur vetullat harkpërpjetë dukej sikur më thoshte: Nuk të pëlqen?
Humba çdo lloj gjykimi. Instinktivisht dora më shkoi te çelësat që i kisha vendosur mbi syprinën e tavolinës. Me dy hapa u gjenda te dera. E rrotullova vrullshëm çelësin te brava sa ajo mori rrotullimet e mbylljes së plotë. Fika dritën e zyrës. Ajo ra menjëherë në gjysmerrësirë. Ermira më shihte me po atë qëndrimin e mëparshëm. Sa e bukur dukej! Sa delikate dhe provokuese! Organi im mashkullor kishte marrë përmasat më të plota të ngasjes. Si asnjëherë në jetën time nuk isha ndierë kaq i etur dhe i papushtetshëm përpara një gruaje dhe logjikës sime të ftohtë. E kapa për beli me të dyja duart sa m’u duk se e këputa në mes. Pastaj fillova ta mbuloja me të puthura ku të mundja. Buzët e mia nuk reshtën për mëse dy minuta duke u ngulur me kënaqësinë më të madhe epshore në ballë, në sy, faqe e gushë e në buzët e saj qumështore. Ajo nuk po bënte asnjë veprim. Qëndronte ashtu, më këmbë, ende me buzëqeshjen dhe indiferentizmin epshor që zor ta komandosh në të tilla raste. Unë hoqa kollaren dhe e hodha mbi karrige. Zbërtheva këmishën dhe e shtrova në shesh si çarçaf. Të njëjtën gjë bëra edhe me kanotierën. Në dyshemenë e zyrës u formua një lloj qilimi improvizues në gjatësinë e trupit të Ermirës. Ajo rrinte po ashtu, duke parë po me atë indiferencë veprimet e mia. Pastaj u sula tek ajo. I hoqa fustanin dhe para meje u shfaq si në përralla ajo grua gjysmëlakuriq. Dukej si statujë. Në atë gjysmerrësirë, ai trup i bardhë të ndillte afshin shtazarak të jetës. Ia hoqa mbathjet dhe sytienat aq rrufeshëm, sa ajo atëherë më pa me çudinë e saj karakteristike, që e shprehte me mbledhjen e vetullave dhe hapjen paksa të gojës.
E shtriva në dysheme. Mjekrën time e vendosa në fillimet e fundkofshëve, duke puthur atë pjesë të trupit ku brisku pastërtor merr atë pjesë që ndodhet vetëm disa milimetra larg organit aq të pushtetshëm të femrave. Mjekra ime filloi të ngjitej lart me gjithë gjatësinë e trupit që pushtohet nga vendosja e parë e mjekrës deri në buzët e hajthme. Te trupi i saj ndjeva vetëm disa drithërima, por ajo nuk kreu asnjë lëvizje me duar apo me gojë mbi trupin tim. Ekstaza ime kishte kaluar në brimat e shejtanit. Çdo gjë përreth më dukej e errët, si një natë dimri në mes të pyllit. Organi im mashkullor depërtoi në oazin e saj të paqtë me një rebelim komiti, që zbret nga mali prej vitesh të tëra në parajsën e krevatit dashuror.
- Oh! - dëgjova nga goja e saj. Një “oh”
si përkëdhelje puhize detare në mesditën pranverore. Asgjë tjetër. Ajo rrinte si statujë, duke mos bërë as lëvizjen më të vogël. Një statujë e mermertë si ato të Butrintit, që të provokojnë t’i shohësh, por jo t’i prekësh. Unë as që mendoja për të, pasi çdo pikë mishtore e trupit tim kishte marrë zjarrminë e ngjizjes brenda trupit të saj. Fillova të lëvizja, ta mbështillja rreth vetes, ta shtrëngoja, ta ledhatoja, ta puthja, ta lëpija, ashtu si kisha lexuar apo parë në filmat pornografikë. Ishte hera e parë që bija si një lugat mbi një qenie kaq delikate. Në filma çdo gjë më dukej e pështirë dhe ofezë për personalitetin tim, nëse do të veproja në jetë në atë mënyrë. Kurrë nuk e mendoja veten në ato raporte ku po bëhesha eksploruesi dhe i pangopuri i një femre. Frymëmarrja po më shpejtohej. E ndjeva se pas disa sekondash nga organizmi mashkullor do të rridhte ai lëngu i bardhë, i trashë, që të jepte kënaqësinë më të magjishme mashkullore. Këtë e kisha provuar në adoleshencën time, kur masturbohesha netëve në dhomën time sekretmbajtëse. Frymëmarrja po arrinte kulmin e shpejtësisë. Fillova të rënkoja paksa. Kur ja… Në ato momente ajo më dha një të shtyrë dhe u çua në këmbë. Penisi im, nga ai ndryshim i menjëhershëm i temperaturës, u tkurr menjëherë në momentin më delikat, kur kënaqësia përjashton hidhërimin, kur në kanalet e veçanta të orgazmës qumështi im i bardhë mashkullor kishte arritur afërsisht në pikën e zbrazjes.
Mbeta ashtu me gjunjë në shesh, mbi këmishën time të bardhë, duke kundruar ende me zili lakuriqësinë e trupit të saj të bukur. Për aq kohë sa unë vuaja stepjen e ngrysjes së orgazmës, ajo u vesh, rregulloi me duar flokët, vendosi çantën në parakrahun e majtë dhe u largua pa thënë asnjë fjalë. Nuk më besohej. Isha në ëndërr? Ç’pati ajo? Ashtu me pantallona nëpër duar u zvarra deri te dera. Zgjata kokën, kishte kohë që trokitja e takave të saj nëpër korridor ishte shuar. Mbylla derën me çelës dhe ndeza dritën. Isha mpirë i tëri. Vrapova te telefoni dhe formova numrin e saj. Ajo sikur e priste këtë telefonatë dhe e hapi menjëherë, duke thënë e qeshur:
- Urdhëroni zotëri!
Kjo përgjigje sikur më ngrohu, por më lagu pantallonat me qumështin e bardhë që ishte në buzën e zbritjes së organit, në pritje të një veprimi apo zërit të ngrohtë të saj, pavarësisht distancës.
- Ermira, pse ike ashtu?
- Ika ashtu si e meritoje.
- Pse? - pyeta me gjysmë zëri.
- Sepse ti nuk di si të sillesh me femrat. Ti nuk di t’i trajtosh dhe t’u japësh vendin e duhur. Ti je një mendjemadh, që e shikon gjininë femërore si një vegël pa vlerë, vetëm për të shfryrë epshet mashkullore, për të gatuar apo larë, i sheh me përçmim. Ti me femrat flet aq mekanikisht, sa ato të duken si pjesë e tepërt dhe e padëshirueshme e një shoqërie. Nuk ke ndjesinë e vërtetë të dashurisë, të etikës, të të bërit kompliment si një domosdoshmëri ndaj seksit të dobët. Ti nuk arrin të kapësh arsyen e vlerësimit ndaj qenies femërore, dëshirën për të kultivuar respektin ndaj gjinisë sonë.
- Ermira, çfarë po thua? Përplasa dorën e majtë në tavolinë.
- Ato që më keni thënë ju për femrat muaj të tërë, ato po them.
- Atëherë si e hodhët një hap të tillë që të bënit seks me mua?
- Unë nuk bëra seks. Seks, si një derr i pangopur, u munduat të bënit ju. Unë pranova me koshiencë, duke shkelur një pjesë të personalitetit, një kontakt fizik për të provuar dhe parë nga afër se ku arrin burrnia e një megalomani dhe të ashtuquajturi indiferent ndaj femrës. E patë sa vleni përpara një femre? Mua zëre se deshën të më përdhunonin.
- Ti po bën shaka. Nuk mund të vije tek unë ashtu kot.
- Erdha e vetëdijshme ashtu kot. Dhe e vendosa skenarin ashtu si desha. Ju lashë në gjunjë përpara një ekstaze mashkullore të pamotivuar.
- Në emër të kujt e bëre këtë gjunjëzim?
- Në emër të respektit për femrat. Të atyre femrave përpara të cilave ju mundoheni të hiqeni fodull, edhe pse jeni kokëbosh. Respekti ndaj femrës nuk shpreh dobësinë e një mashkulli, por shkallën e kulturës dhe emancipimit të tij. Ne nuk jemi të mira, të bukura, të zgjuara vetëm atëherë kur përmbushim dëshirat tuaja shtazore mashkullore. Jo! Ne jemi gjithmonë qenie të brishta, delikate, por me një forcë të brendshme shpirtërore dhe njerëzore që pak meshkuj mund ta kuptojnë sot në Shqipëri.
- Ermira të lutem, unë të dashuroj.
- Pse i thua sot këto fjalë dhe jo ditë më parë? I thua sot, sepse sot provove magjinë, bukurinë, përsosmërinë e seksit. Ndjeve nga afër erën dhe bukurinë e magjisë seksuale femërore. Po mos ta provoje këtë magji, ende do të mendoje si më parë duke na parë me nënvleftësim. Jam e bindur se pa magjinë e pushtetshme të seksit, ti kurrë nuk do ta thoshe fjalën “të dua”. Para kësaj fjale, nëpër kurorën femërore duhet të kalojnë të tjera erëra të ngrohta, puhi ledhatuese, fjalë mikluese. Por ti nuk ke dashur t’i japësh tek asnjë femër, sepse nuk je munduar të kuptosh botën e tyre të brendshme aq të pasur. Prandaj dhe femrat i sheh me indiferencë. Ndërsa unë e kam gjetur dashurinë time dhe nuk kam nevojë për atë dashuri pa ëmbëlsinë e brendshme që ti nuk e ke brenda vetes. Sinjali i celularit u mbyll. Unë rrija ende me receptorin e telefonit në dorë dhe me pantallonat nëpër këmbë. Trashësia e qumështit mashkullor kishte lënë gjurmë në pantallona. U ula në karrige, ku ndjeva ashpërsinë e veshjes prej basme në lakuriqësinë e të ndenjurave të mia. Koka po më bymehej nga inati. Isha gati të çohesha, të bërtisja, të ulërija, të përplasja karrige, tavolina, telefona, tastiera në çimenton e zyrës, ku ende qëndronin të shtrira këmisha dhe kanotiera. Ende te këmisha qëndronte shenja e formës së trupit të saj nga djersët dhe kontakti me çimenton. Nuk më bëhej t’i merrja. Edhe pse ishin bërë pis, do të doja që ato dy rroba të trupit tim, me erën e trupit të saj, të çimentoheshin përjetësisht në atë katror pllakash të zyrës sime si relike të dashurisë sime të parë. Ashtu, me gjysmëlakuriqësinë time, ato rroba aty më dukeshin si dëshmitare qortuese të një prej momenteve më fyese, më përulëse ndaj qenies sime. Kurrë nuk e kisha menduar që do të merrja një mësim dhe një pësim të tillë nga një femër. E quajta veten të depersonalizuar shumë, larg atyre instinkteve që i vishja vetes sime në jetën e përditshme si poliedrik, i ekuilibruar, enigmatik, i aftë për të përmbysur situata të disfavorshme.
Jo! Isha një hiç. Një dështak dhe krejt i ofenduar qysh në dashurinë e parë. Aq më tepër me një grua. Nuk e di sa orë ndenja ashtu duke kuvenduar me rrobat e vendosura në dysheme, nën hijen e pantallonave nëpër këmbë. Sa turp! Burri me pantallona nëpër këmbë. Burrë që nuk është i aftë të mbrojë dashurinë. Kur i mora për t’i veshur, këmisha dhe kanotiera ishin bërë për faqe të zezë. I shkunda, i spërkata me pak livandë dhe i vesha. Trupi m’u rrëqeth. Në ato rroba qëndronin bashkë dashuria dhe dëshmia e dështimit tim. Nga zyra dola natën, që njerëzit të mos më shikonin gjurmët dhe njollat e zeza në këmishë. Rojës së natës iu vodha duke bërë të paparin. Në rrugë thuajse vrapova për në shtëpi. U vidhesha njerëzve. Sa hapa derën e shtëpisë u futa në banjë. Pyetjes së nënës se pse isha bërë pis, iu përgjigja se më ra nga një ballkon uji i pistë që vinte nga ujitja e luleve. Të nesërmen, pantallonat, kollaren, të mbathurat, kanotierën, këmishën dhe çorapet e asaj pasditeje i mblodha në një qese celefoni dhe i hodha te mbeturinat. Vetëm ashtu, duke mos i parë më, duke mos i veshur më, nuk do të më kujtohej më ajo ditë. Ditë kur unë njoha rëndësinë femërore, të përçmuar instinktivisht nga dëshira idiote për të nxjerrë në pah superioritetin e pabazuar dhe idiotesk mashkullor apo, më mirë të themi, njoha sinqerisht sa dhe si duhet të qëndrojnë raportet e vërteta ndërmjet gjinive të bazuara mbi arsyen, rëndësinë, individin, kohën, vendin, intelektin, dashurinë... Veten e ndieja të pazotin për të qenë i sinqertë me personalitetin. E ndieja që shkolla më kishte larguar nga jeta reale, nga njerëzit, nga koha, nga zhvillimet. Jeta ishte më e gjallë, më e bukur, më e vështirë, më interesante, më e zhurmshme, më e pasigurt, më... Indiferenca dhe fodullëku im brenda katër mureve të zyrës dhe shkollës, pastaj shtëpisë, jetesa vetëm me rezultatet e shkollës, disiplina në punë dhe korrektesa e tepruar, më kishin hequr të drejtën e të parit dhe të vlerësimit real të shoqërisë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen