Samstag, 6. Juli 2013

Romani "Ulërima"


Shkruan Haxhi Muhaxheri

VEPRIMI KOLEKTIV I PERSONAZHEVE

Hasan Hasani: „Ulërima“, roman, „Rilindja“ - Prishtinë.
 
Në romanin „Ulërima“ të autorit Hasan Hasani, dëshmohet përvoja krijuese, shija artistike, dhe ligjërimore, shkathtësia e zotrimit në konceptin e shprehjes së thellë filozofike në përdorimin e formave të reja më të zhdervjellta në ndërtimin thelbësor të veprës, përmbajtjen e saj ideoartistike, skalitjen e karaktereve të personazheve, pjekurine e mjeteve shprehëse e artistike dhe përsosshmërinë e mëtejme të gjuhës së tij artistike. Njëkohësisht, na shfaqet  edhe një formë e re në shtjellimin e ngjarjeve në nivelin e kënaqshëm e artistik të temave të trajtuara më parë, ç’gjë i kontribuon dukshëm edhe romanit tonë në përgjithësi, i cili po pasurohet me qasje të reja formësore të akrtit krijues dhe me reflekse të rëndësishme përmbajtësore e stilistike.

Tematika e këtij romani është pathyeshmjëria shpirtërore e materiale e popullit tonë gjatë sundimit 500-vjeçar otoman. Ngjarjen e këtij romani autori e ndërton pëmes ndodhive, fakteve dhe fytyrave dhe toponimeve imagjiare mjaft të qëlluara. Ulërima është fshati i Malësisë së Veriut në të cilin është vendosur dhe zhvillohet ngjarja apo kryengjarja e romanit.

Ajo që vlen për t’u veçuar në këtë roman është fakti se nuk kemi kryepërsonazh si ndodh në shumicën e rasteve, por personazhet ndërrohen kohë pas kohe me njëri-tjetrin, varësisht nga situatat konfliktet dhe tabllot impresive që na janë dhënë. Për këtë arsye krijohet bindja se kryepersonazh i këtij romani është kolektiviteti veprues.

Kësisoj, ndërrimi i shpeshtë i personazheve kontribon që romani të lexohet me një frymë dhe përkushtim, sepse me ndërrimin e tyre, ndërrohet edhe forma e veprimit dhe e ndërtimit kompozicional të tabllove sipas natyrës së vetshprehjës së heronjve. Edhe në traditën tonë letrare është dëshmuar se zhvillimi i ngjarjeve sipas veprimit kolektiv, (pa kryepersonazh që shfaqet në gjithë veprën duke krijuar monotoni) është më i avancuar për nga arritshmëria realizuese e konceprit ideoartistik. Kjo duket të jetë edhe  arsyeja që në këtë roman autori Hasan Hasani i shmanget paraqitjës së personazheve të mëdha, duke na dhënë një pasqyrë më reale në pëtëritjen e tyre dhe, në këtë mënyrë, çdo personazh i ri që na shfaqet i kontribuon ngjarjës së romanit dhe e dëshmon dukëm përsonafikimin e vet para lexuesit.

Personazhet  më te spikatura janë padyshim Dile Përkolaj, e cila na paraqitet në tre-katër kapituj të romanit dhe me shpirtin e madh të saj, qëndresën dhe mosthyerjen morale e shpirtërore edhe në çastet më të vështira dhe tragjike kur fshati mbetet pa meshkuj, vetëm me fëmijë dhe gra. Ajo përkundër kësaj asnjëherë nuk e humb vetdijen pëballë së keqës, por këshillon dhe udhëzon gratë e Ulërimës dhe me ndihmën e banorëve të fshatrave të tjera të Malësisë së Gjakovës, ia arrinë qëllimit për t’i përballuar rrezikut më të madh, përhapjes së ndonjë epidemie nga shkaku i  vikrimave të pavarrosura. Njëherit, edhe Mirushe Mulaj si personazhe e ketij romani e dëshmon mjaft mirë përsonafikimin e vet, e cila për të mbrojtur nderin lufton si luaneshë fyta-fyt me ushtaret e çartur otoman.

Sëkendejmi, në funksion të realizimit të romanit „Ulërima“ të autorit Hasan Hasani janë edhe gjuha e pasur shprehëse, stili i qartë organik, percemtimi metaforik, përdorimi i frazeologjizmave, urtive popullore etj. Kjo kontribuon jo vetëm në forcimin e saktësisë shprehëse, por ndikon drejtperdrejt edhe në karakterizimin e personazheve. Andaj, më të drejt mund të themi se autori i këtij romani ia ka arritur qëllimit për ta realizuar dhe paraqitur me sukses idenë dhe porosinë qendrore të veprës. Edhe pse është romani i parë, „Ulërima“ është njëra ndër veprat më të mira të tij.
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen