Donnerstag, 4. Juli 2013

Ramadan Musliu

Ramadan Musliu

Poeti dhe studiusi Ramadan Musliu, lindi ne Begunce me 31 maj te vitit 1954. Shkollen fillore dhe te mesme i kreu ne Viti. Studioi Letersine dhe gjuhen shqipe ne Fakultetin Filologjik te Universitetit te Prishtines, ku mbaroi edhe studimet pasuniveristare.
Nga viti 1977 - 1980 punoi mesimedhenes i lendes gjuhe dhe kletersi shqipe ne Qendren Shkollore qe atehere quhej "Boro e Ramizi", kurse tani "Kuvendi i Lezhes".
Nga fillimi i vitit 1981 deri ne vitin 1993 ishte gazetar i kultures ne gazeten e perditshme "Rilindja" te Prishtines. Po ne kete kohe ishte edhe antar i redaksise se Revistes se perdyjavshme per kulture, "Fjala" te Prishtines.
Nderkaq nga viti 1993 e deri ne vitin 2004 punoi si redaktor kulture e pastaj edhe si drejtues i te perditshmes "Rilindja", botimi i Tiranes. Po ne Tirane gjate kesaj periudhe drejtoi edhe Shtepine botuese "Eurorilindja. Ne periudhen 2003-2994 e udhehoqi revisten letrare "Kalendari letrar".
Nga viti 2004-2007 ishte deputet i Kuvendit te Kosoves. Nga viti 2008-2010 punoi si keshilltar politik i ministrit te kultures ne Qeverine e Kosoves. Me krijimtari letrare dhe publicitike (gazetareske) u mor qe heret.

Deri me tashti ka botuar pese libra me poezi ("Parodia e trupiut", Prishtine, 1981;" Shqisa e gjashte", 1985, Prishtine; "Pasqyra e te rrefyerit", 1987, Prishtine, "Kenga e sibilave", 1996, Tirane dhe "Ne zemren e gjerave", 2004, Prishtine).
Po ashtu botoi edhe pese libra me studime dhe kritike letrare: "Mbindertimi poetik", 1990, Prishtine; "Konfiguracione narrative", 1998. Tirane; "Estetikja e dallueshme", 2005, Prishtine; "Ekskurs ne letersine per femije", 2010, Shkup; "Tangjenta letrare", 2012, Prishtine.
Po ashtu ka botuar edhe librin publicistik "Veteriperteritja e totalitarizmit", 1997, Tirane).

Poezite e tij jane perkthyer ne anglishte, rumanishte, frengjishte, serbishte, maqedonishte slllovenishte etj.
Eshte prezentuar ne antologjine e poezive me te bukura te botes per vitin 2010.
Ramadan Musliu eshte fitues i disa çmimeve letrare. Jeton ne Prishtine.


Poezi nga Ramadan Musliu


I LIDHUR ME KËRTHIZË

Kruspull i mbledhur
këmbë e duar bashkë
fshihet në barkun e nënës
nga inercioni

Duhet dalë jashtë
duhet shtyer në jetën
e paperspektivë
historisë
dhe të shohë
se ç’ e ardhme
të ka zënë pritën
në rrugë

Qaj po deshe
bërtit në kupë të qiellës
gërvish tokë e qiell
vetëm mund t’i lidhësh
edhe më keq
këmbët e tua me kërthizë

Njerëzit jane si kafshët
për dioptrinë tënde
të pamësuar me këtë dritë
rrinë në këmbët e prapme
sa për të mbërri
frutat e natyrës në pemë

Fillo që tani
ta lëpish ashtin tënd
dhe shikoje herë pas here
hënën e plotë në qiell
tinzisht
dhe mos bëj zë 



STAZHI I PUNËS

Edhe kjo ditë
me mot të lig që iku
regjistrohet në stazhin e punës
në librezën e zverdhur
nga ngjyra e dedhur e viteve

Po ka vite e vite
që mua më dhembin eshtrat
se dikush ka hyrë në palcë
dhe i strukur shkruan
dramën e vet
në pëlhurëne e mushkërive të mia

Në rini
i kuq nga shëndeti
s’ka nevojë të mendosh fare
sepse dikush
gjithmonë mendon për ty
dhe për të ardhmen tënde
të ndritshme

Ai nga brenda sikur bën me dije
se kur pushon rrita
s’ka më të ardhme
prandaj grabit
në shportën plot
të ditës së sotme
atë që që mund të ketë tepruar
nga dreka

Në pauzë pune
del për të pirë një gotë çaj
se me rregulloren e punës parashihet
kur ke punë me palë
duhet qenë i kthjellët
përballë vetëvetes

Pra nisu vetë për bar natyre
për pak vaj peshku
për një kafshatë bukë
nëse do të arrish
brenda orarit të punës
në maje të majes
së asaj kodre
para se të të rrëshqasë
dheu nën këmbë



SEZONË GJAHU

Sa është këtu
sa fshihet në atë kaçubë akulli
lepuri
që ikur ka nga barku

Tani të gjithë jemi trima
të paepur
në atë pyll të lulëzuar
të trëndafilave të egër
të rrethuar nga telat me gjemba

Këndojmë duke ecur
mes shkurrave të dendura
të kopshtit
fishkëllojmë në kupë të qiellit
kur ecim
përmidis kaçubave

Po unë kam frikë ende
dhe natën
vetëm me hijen time
dal në kopsht për gjah

Të tjerët nëpër festa
le të shtiejnë me armë
në kokën e tyre
le të pëshurrën në shtrat
e le ta bëjnë në brekë
në pikë të ditës
kush është trim
se njeriu në jetë
dy herë bëhet fëmijë



RRUGË E SHKURTËR

Në rrudha të ballit
të është shënuar humbja
hapi i bretkocës në jetë

Edhe pse çelësin
e mban në derë
derën e kë të mbyllur
nga brenda

Në udhëkryq
ngjyra jeshile në semafor
kur ndizet
ti kthehesh prapa
duke kërkuar
rrugën më të shkurtër
në jetë

Po gurin
e gjuan nga prapa
se mos o Zot
mund të na qëllosh
mu në lule të ballit



BARDH E ZI

Na buzëqesh nga ekrani
na përshëndet
me dorën në zemër
me pjesën e brendshme të syrit
fotografon pamjen tonë
sipas teknikës bardh e zi

Për të kremtë
rri gju më gju me ne
dhe ngre dolli
për gjithë ata që s’ janë më
në mesin tonë

Të etur
na kalon
matanë lumit

Na prin në labirinth
dhe na merr për dore
kur shkojmë kryelart
nga humnera





PARALAJMËRIMI I DIMRIT

Kam frikë nga dimri
nga mumiet e ngrira të borës
që dalin natën
nga hijet e pemëve
nëpër rrugë. Një hap larg është vjeshta

nga hija e trashë e arrës
që shtrihet përtace
nën gjethet e kalbura të kopshtit
që i mbulon fshehtësitë nën lëkurë

Mbase rrëkeja e parë e shiut
mnund ta shpërlajë atë gjurmë të thembrave
që shkon deri
deri te kanalin
buzë rruge

Ku e derdh kohën time të lirë. Diçka si acid
më është derdhur në gjuhë
dhe s’ më lë të më zërë gjumi
e t’i harroj
të gjithë rrathët e pagërvishura
në trungun tim të moshës

 


VJESHTË E VONË

Si një petk i vjetruar plot arna
rri e varur vjeshta
në gozhdën e ndryshkur të stinës

E tund era
netëve me hënë
fëshfërin si celofan
me të cilin mbështjellë e kam
një medalon të harruar

Statujës metalike mbi komodinë
ia numron vitet
që mosha ia gdhendi
në boshtin e saj pa unaza

Këmishën varur ma ka
në akrepat e orës
që trupin tim e kërkon
nën hijen e zverdhur të lisit

Dhe pas pak nga ora
do të dalë qyqja të këndojë
këngën e ushtarit të vjetër
që fitorët gdhendur i ka
në dorëzën e fildishtë të shpatës

 


METAMORFOZAT E VJESHTËS

Me gishtërinjtë prej kristali
dielli gdhend fytyrën e vet
në gjethet plastike të hardhisë.Fryma ime
ngjitet trungut
kah palca
për ta thithë rrëshirën e kësaj dite vjeshte

Ai lëng i ardhur në tetrapak
mbështjellë me cipë alumini
që ruan ujin të mos thartohet
nga fryma e borës

Frutat po piqen
dhe avulli me përtaci është shtrirë
nëpër gjithë sipërfaqen e sheshit

Thell në ne
si në një shporet të ndryshkur
nën dritën e llambës elektrike
zbardhet drama e ndërrimit natyral
të gjendjeve agregate të ajrit

Energjia e fshehur në asht
zgjohet dhe lëviz
zingjirin e ndryshkur
të metabolizmit

Ja tani po fillon me shumë lëngje
fotosinteza
në gjethin prej plastike
dhe ngjyra jonë
ndërron: kuq e zi
vetëm kuq e zi, vëlla
në gjethin që mbulon
pjesët e padiellosura të trupit

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen